ATV

Blog

  • D4D: Mediat në Serbi publikojnë lajme për figurat publike në Kosovë, ato kosovare i përkthejnë pa e bërë verifikimin

    D4D: Mediat në Serbi publikojnë lajme për figurat publike në Kosovë, ato kosovare i përkthejnë pa e bërë verifikimin

    Instituti D4D ka lansuar të martën dy raporte lidhur me lajmet e shpërndara me qëllim të keqinformimit, synimit për ndasi politike, përfitime personale dhe përdorimit të gjuhës së urrejtjes, raporton Ekonomia Online.

    Aty u tha se qëllimi i këtij raporti është monitorimi i çrregullimeve në mediat online në gjuhën shqipe dhe në gjuhën serbe, rreth zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë katër muajve të fundit të vitit 2023 në Kosovë.

    E shqetësuese u pa një dukuri në mediat kosovare, të cilët disa prej tyre bëjnë përkthimin e lajmeve nga Serbia, pa u bërë fare verifikimi i tyre.

    Rrezarta Delibashzade-Krasniqi, drejtore e organizatës D4D, tha se raporti ka të bëjë me monitorimin e mbi 100 mediave online, në gjuhën shqipe dhe serbe.

    Ajo përmendi disa raste, kur lexuesit bien pre e manipulimit dhe keqinterpretimit.

    “Ne monitorojmë me shumë 110 mediave online në paralel në gjuhen shqipe dhe serbe. Si D4D kemi lansuar edhe një punim mbi gjuhën e urrejtjes në rrjete sociale si dhe në mediume të ndryshme. Muajt e fundit të monitorimit të raporteve tona na tregojnë që karakterizohen më shumë me lajmet qe janë konspirative, për sulme të mundshme të tjera që po hapin më shume pasiguri tek lexuesit, dhe bazohen në mendime subjektive, kryesisht janë me titujt të ekzagjeruar të cilat na qojnë neve me lexu këto artikuj. Kemi raste që titulli nuk ka fare lidhje me mirëmbajtjen që ne e lexojmë, apo fotografia që e kemi parë te lajmi nuk korrespondon me tekstin që e lexojmë brenda lajmit”, tha ajo.

    “Në mostrën e gjuhës serbe vazhdon ende narrativa e njëjtë. E kemi vërejtur se kryesisht janë të ndërtuar për figurat publike në Kosovë për personat zyrtar, me të cilën gjithashtu shpërndajnë një numër i madh i mediave në Serbi, e të cilat përkthehen pastaj në gjuhën shqipe dhe shpërndahen në portale të ndryshme pa u bërë verifikimi i tyre”, deklaroi ajo.

    Ajo tha se në rritje është edhe një dukuri tjetër, ajo e kërcënimeve të gazetarëve dhe politikanëve.

  • Prej sot, nipi i kriminelit Slobodan Millosheviq zë vend në parlamentin serb

    Prej sot, nipi i kriminelit Slobodan Millosheviq zë vend në parlamentin serb

    Seancën e parë konstituive të Parlamentit të Serbisë do ta udhëheq Nada Matsura ndërsa do të ndihmohet nga Marko Millosheviq, nipi i kriminelit të luftës Slobodan Millosheviq.

    Millosheviqi u zgjodh deputet i listës “Ivica Daçiq – Kryeministër i Serbisë” (SPS) ndërsa ka lindur më 14 janar të vitit 1999.

    Nipi i Millosheviqit zuri vendin e tretë në listën zgjedhore “Ivica Daçiq – Kryeministër i Serbisë”, që ishte një koalicion i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), Serbisë së Bashkuar (JS) dhe të Gjelbërve të Serbisë (ZS), i cili mbështeti ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiq.

    Më e reja ndër deputetët e sapo zgjedhur është Nastasja Bakoviq, e cila vjen nga koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”.

  • Autobusët e Trafikut Urban me Wi-Fi falas, Maraj: 30 autobusët e rinj vijnë brenda vitit

    Autobusët e Trafikut Urban me Wi-Fi falas, Maraj: 30 autobusët e rinj vijnë brenda vitit

    Të martën është bërë lëshimi i Wi-Fi-së në autobusët e Trafikut Urban në Prishtinë, duke iu mundësuar udhëtarëve të shfrytëzojnë falas shërbimet e internetit.

    Kryeshefi Ekzekutiv i kësaj ndërmarrje, Burim Maraj, në një deklarim për media tha se kostoja e këtij shërbimi është 2 mijë e 500 euro në muaj, ndërsa theksoi se kjo është iniciativë për ta bërë sa më atraktiv transportin publik.

    “Kjo pasi mendoj se transporti publik duhet të jetë mjet i transportit që na ndihmon të gjithëve të kemi një qytet të pastër. Po ashtu, kjo do të ndikojë në mirëqenien ekonomike të të gjithë qytetarëve”, u shpreh Maraj.

    Ai shtoi se ky lajm është pritur mirë nga udhëtarët.

    “Sot të gjitha shtresat e qytetarëve mund ta shfrytëzojnë Trafikun Urban për transport e me të edhe internetin pa pagesë. Është diçka që është pritur shumë mirë kur e kemi dhënë lajmin vitin e kaluar. Ta gëzojmë të gjithë”.

    Maraj po ashtu përmendi flotën prej 30 autobusëve të rinj, të cilët tha se shpreson që të vijnë deri në fund të këtij viti.

    “Shpresoj që autobusët e rinj të vijnë deri në vitin 2024. Jam I angazhuar që ky proces të përshpejtohet edhe në fund të vitit të kemi flotën e 81 autobusëve. Pra 51 autobusëve që i kemi të i shtohen edhe 30 autobusë të rinj e në këtë mënyrë të kemi mundësi të ofrojmë shërbime më të mira për të gjithë qytetarët”.

    “Kemi fëmijë dhe të moshuar që e përdorin autobusin tonë. Ne kemi filluar bashkëpunimin edhe me ndërmarrje të mëdha që për punëtorët e tyre të kemi lehtësira dhe ata të shfrytëzojnë transportin publik si mjet për hyrje-dalje nga qyteti”, deklaroi ai.

  • Një rregull i ri në futboll, do të ketë karton të kuq të përkohshëm

    Një rregull i ri në futboll, do të ketë karton të kuq të përkohshëm

    Një tjetër ndryshim në rregullat e futbollit së shpejti pritet të futet në funksion.

    Pas VAR-it, bota e futbollit bëhet gati për një tjetër risi, që me gjasë do të marrë dritën e gjelbër për t’u eksperimentuar në muajin mars, në mbledhjen e IFAB.

    Bëhet fjalë për përjashtimin e përkohshëm të futbollistëve, një rregull i ri që pritet të testohet në FA Cup duke nisur që nga sezoni i ardhshëm.

    Përjashtimi i përkohshëm parashikon lënien jashtë të një futbollisti për një kohë maksimale prej 10 minutash, megjithatë mbetet ende të përcaktohet kohëzgjatja.

    Në kategorinë e faulleve që pritet të ndëshkohen me përjashtim të përkohshëm janë faulle taktikë, por edhe protesta të ashpra të futbollistëve ndaj vendimeve të gjyqtarëve.

    Bashkë me këtë risi, pritet të diskutohet edhe një ide tjetër, ajo e komunikimit me arbitrin vetëm nga ana e kapitenëve të skuadrave, ashtu si ndodh edhe në disa sporte tjera.

  • Toka e re? NASA ka zbuluar një planet që mund të ketë jetë

    Toka e re? NASA ka zbuluar një planet që mund të ketë jetë

    Nuk jemi vetëm. NASA ka zbuluar një planet që mund të ketë potencial për jetë.

    Ndodhet 137 milionë vite dritë larg dhe deklarata e agjencisë hapësinore foli për një “super-Tokë” që rrotullohet rreth një ylli të kuqërremtë, i cili, në astronomi, duket mjaft i ngjashëm me sistemin tonë diellor.

    Ishte teleskopi hapësinor TESS që zbuloi këtë planet të ri. Orbita e tij rreth yllit të kuq e bën më të lehtë për shkencëtarët ta gjurmojnë atë, dhe kështu ta studiojnë atë. NASA planifikon të studiojë më tej planetin, duke përdorur teleskopin James Webb, për të parë se sa më shumë mund të mësojmë rreth veçorive të tij.

    E quajtën TOI-715b -po, pasi ka një diametër rreth një herë e gjysmë më shumë se diametri i Tokës dhe ndodhet strategjikisht brenda zonës “konservative” të banueshme që rrethon yllin qendror.

    Sipas NASA-s, një sërë faktorësh duhet të arrijnë një marrëveshje, por gjërat duken optimiste.

  • Investimet për energji të pastër, Kurti fton për aplikime, tregon se mbështetja mund të shkojë deri në 2 mijë euro

    Investimet për energji të pastër, Kurti fton për aplikime, tregon se mbështetja mund të shkojë deri në 2 mijë euro

    Ministria e Ekonomisë ka lansuar thirrjen publike për mbështetjen e familjeve dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për investimin në sisteme të energjisë së pastër.

    Në lidhje me këtë, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se do të ulet barra për sistemin energjetik por edhe do të fuqizohen familjet e bizneset për të bërë zgjidhje të qëndrueshme.

    “Me skemën që po e lansojmë sot, familjet mund të aplikojnë për mbështetje për sisteme diellore me kapacitet prej 3 deri në 7 KW, ku do të subvencionohen me 250 euro për KW, deri në 1 mijë e 750 euro në total.

    “Edhe për ndërmarrjet të vogla dhe të mesme vlera e subvencionimit do të jetë 250 euro në KW me kapacitet prej 3 deri në 9 KW, maksimalisht deri në 2 mijë euro”, tha Kurti.

    Më tej, ai tha se për kapacitet prej 10 KW e më shumë, bizneset do të subvencionohen me 200 euro për KW deri në 600 euro në total.

    “Për instalimin e sistemit diellor për ngrohjen e ujit sanitar, që nga mesi i këtij muaji, bizneset do të mund të subvencionohen 40% të vlerës deri në 4 mijë euro”.

    “Për këto dy masa, bizneset në pronësi apo bashkëpronësi të grave, mbi 51% do të subvencionohen me 200 euro shtesë”, tha Kurti.

  • Rrihen punëtorët në Spitalin e Pejës, rasti është iniciuar si lëndim i lehtë trupor

    Rrihen punëtorët në Spitalin e Pejës, rasti është iniciuar si lëndim i lehtë trupor

    Dy punonjës të Spitalit të Përgjithshëm të Pejës janë përleshur fizikisht të hënën, ka konfirmuar Policia e Kosovës, derisa rasti është iniciuar si lëndim i lehtë trupor.

    Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka thënë se incidenti ka ndodhur dje rreth orës 09:30, ku pas intervistimit të të dyshuarve, rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

    Spitali i Pejës nëpërmjet një reagimi, ka thënë se shpreh keqardhjen për rastin, duke theksuar se është në proces të mbledhjes së të dhënave për ndodhinë.

    “Dje ky proces nuk ka mundur të kryhet, sepse dy të punësuarit tanë, të përfshirët në këtë rast, kanë qenë në organet e hetuesisë dhe ne nuk i kemi ende të gjitha informacionet e duhura”, thuhet në reagimin e Spitalit.

    Ky institucion ka thënë se pas mbledhjes së informacioneve, rasti do të trajtohet sipas akteve normative.

  • Sulm terrorist para Gjykatës në Stamboll, dy të vrarë dhe pesë të plagosur

    Sulm terrorist para Gjykatës në Stamboll, dy të vrarë dhe pesë të plagosur

    Dy persona janë qëlluar për vdekje teksa tentonin të sulmonin një gjykatë në Stamboll ditën e sotme.

    Këtë lajm e ka bërë të ditur tha ministri i Brendshëm turk Ali Yerlikaya.

    Një burrë dhe një grua u vranë pasi tentuan të sulmonin në një pikë kontrolli të sigurisë në gjykatën e Caglayan në mëngjes vonë, tha Yerlikaya në mediat sociale.

    Në këtë incident mbetën të plagosur pesë persona, mes të cilëve tre policë.

    “Përgëzoj policët tanë heroikë. I uroj shërim të shpejtë të plagosurve tanë”, shtoi ministri.

  • Shtyhet seanca fillestare ndaj anëtarëve të LV-së për gazin në Kuvend

    Shtyhet seanca fillestare ndaj anëtarëve të LV-së për gazin në Kuvend

    Është shtyrë seanca e shqyrtimit fillestar në rastin ndaj katër zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, më 21 mars 2018. Seanca është shtyrë për 28 shkurt.

    Xhelal Sveçla, Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, gjatë periudhës si deputetë të LV-së, akuzohen se me hedhjen e gazit lotsjellës kanë kryer veprën penale të “përdorimit të armës ose mjetit të rrezikshëm” dhe “pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”.

    Aktakuza ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 korrik 2019.

    Në arsyetimin e shtyrjes, gjyqtari Sabit Sadikaj ka thënë se po pret përgjigje nga Drita Millaku për shkak të gjendjes shëndetësore. Nëse nuk përmirësohet, gjykata pritet ta veçojë procedurën ndaj saj dhe të tjerëve.

  • Përmirësohet gjendja e 23-vjeçares që u zu nga çatia e komunës së Prishtinës

    Përmirësohet gjendja e 23-vjeçares që u zu nga çatia e komunës së Prishtinës

    Elza Ujkani, vajza e cila u lëndua rëndë si pasojë e rënies së çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës para rreth dy javësh, është në gjendje stabile shëndetësore.

    Lajmin për këtë e dha deputeti i Listës Guxo, Haxhi Avdyli, i cili tha se nga dje ajo është transferuar në Klinikën e Neurokirurgjisë për trajtim të mëtutjeshëm, duke thënë se është e vetëdijshme, komunikative dhe e lëvizshme.

    Shkrimi i plotë:

    Lajme të mira për Elza Ujkani. Lajme të mira nga Neurokirurgjia

    Ngjarja tragjike e shembjes së kulmit të Komunës së Prishtinë mbi të renë Elzen, e ka prek çdo qytetarë të Kosovës.

    Pas qëndrimit në mjekim intenziv dhe pas operacionit gadi 4 orë për të evakuar e ndalur gjakderdhjen intrakraniale, Elza ia doli.

    Nga dje ajo është transferuar në Klinikën e Neurokirurgjisë për trajtim të metutjeshëm.

    Ajo është e vetëdijshme, komunikative , e lëvizshme me të gjitha ekstremitetet, përkundër që ka thyerje në para krah dhe ne vertebrën cervikale C7.

    Falë punës dhe profesionalizmit të lartë të kolegëve të mi nga Neurokirurgjia Dr Faik Qosja si operator, e asistentëve të tij, dhe tërë kolegevë tjerë në krye me drejtorin dr Besnik Elshani të cilët po kujdesen që edhe këtë fazë postoperatore ta kaloj sa më lehtë.

    Mos ta harrojmë punën madhe që kanë bërë anesteziologet në Kujdes intenziv për ta mbajtur në aparate reanimuese pas operimit , pastaj për ta zgjuar dhe rehabilituar pas zgjimit nga koma.

    Tani Elza ka nevojë për qetësi dhe rehabilitim disa ditor deri në transferim në shtëpi.

    Falenderojmë të gjithë miqtë, kolegët e tanë për interesimin e përditshëm nga Presidenca e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, ministri Arben Vitia, zv M Arsim Berisha, kolegut kirurgut Dr Mirsad Shkreta e të gjithë që janë interesuar që rasti i Elzës të përfundoi në mënyrën sa më të mirë.