ATV

Blog

  • ​Zeqiri: 10 policë kanë dhënë dorëheqje gjatë muajit janar

    ​Zeqiri: 10 policë kanë dhënë dorëheqje gjatë muajit janar

    10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë dhënë dorëheqje gjatë muajit janar. Mbi 5600 zyrtarë policorë kanë nënshkruar peticionin e Sindikatës së Policisë së Kosovës, i cili u shqyrtua sot në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut. Këshu tha kryetari i sindikatës, Imer Zeqiri, i cili shtoi se janë mbi 4700 raste të lëndimeve gjatë kryerjes së detyrës zyrtare dhe se të njëjtit kanë mbetur me invaliditet të përhershëm.

    Teksa foli për kushtet e policëve, kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri deklaroi se ka numër të madh të dorëheqjeve të pjesëtarëve. Ai lexoi edhe deklaratën e një polici që ka dhënë dorëheqje ditëve të fundit, ku theksoi se paga jo e dinjitetshme, shtesat policore e rrezikshmëria janë disa nga arsyet.

    “Të gjithë ata që po japin dorëheqje vullnetare, po e dëmtojnë vet institucionin e sigurisë, për shkak se të gjithë janë profesionist të dëshmuar në punë. Parandalimi i vetëm për dorëheqje është plotësimi i kushteve dhe mirëqenies në Policinë e Kosovës. Për këtë vit nuk kemi një statistikë të saktë, kemi diku rreth 10 pjesëtarë deri më tani, për muajin janar. Unë vetëm sa për kureshtje se pse shumica e zyrtarëve policor japin dorëheqje, unë e kam një dorëheqje që është dorëheqje taman origjinale, deklaratë e policit që e ka dhënë para disa ditëve”, deklaroi ai.

    Ai shtoi se kërkesë e tyre mbetet që të krijohet një fond për të gjithë policët që kanë mbetur me aftësi të kufizuara.

    “Kemi prej atyre rasteve që mbi 4700 raste të lëndimeve gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kemi zyrtarë policorë që kanë mbetur me invaliditet të përhershëm, kanë mbetur në karrocë dhe nuk kanë mundur dhe nuk kemi një fond. Njëra ndër kërkesat që ka rrjedhur pas peticionit është edhe kjo, që të krijohet një fond për të gjithë ata që kanë mbetur me invaliditet të përhershëm. Ata realisht e marrin një pagë prej Policisë, aq ka mundësi buxheti i Policisë për t’i ndihmuar, përndryshe nuk kanë përkujdesje shtetërore”, theksoi ai.

    Para anëtarëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, ai u shpreh se mosha mesatare e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës është 47 vjeç.

    Ndërkaq, anëtarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku tha se vet policia është dashur të bëjë presion për implementimin e Ligjit për Sigurimet Shëndetësore.

    “Në këtë kuvend është miratuar shumë vite më herët Ligji për Sigurimet Shëndetësore, i cili sot e kësaj dite nuk zbatohet. Presioni i parë i cili është dashur edhe policia edhe gjithë qytetarët të bëjë karshi të gjitha qeverive të deritanishme është që sa më shpejt të zbatohet Ligji për Sigurim Shëndetësor, që i takon gjithë qytetarëve. Kemi fëmijë, kemi të rritur, kemi policë, kemi ushtarë, kemi mjekë, mësues, që kanë nevojë për shërbime shëndetësore. Mirëpo, shteti duhet ta rregullojë për gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë dhe është dashur policia të bëjë presion të jashtëzakonshëm që sa më shpejt të krijohet fondi publik dhe të zbatohet ligji. Ky është dashur të bëhet debati publik ndër vite me qenë”, deklaroi ajo.

    Më tej, ajo kërkoi nga Sindikata e Policisë së Kosovës që të mos ndikohen nga partitë politike.

    Për këtë, reagoi edhe kryetari Imer Zeqiri, i cili tha se asnjëherë nuk ka ndodhur një gjë e tillë.

    “Asnjëherë Sindikata e Policisë së Kosovës, po e them me shumë përgjegjësi, asnjëherë nuk ka qenë e ndikuar, as nuk ka krijuar simpati për asnjë subjekt politik në Republikën e Kosovës, në Kuvendin e Kosovës. Asnjëherë nuk ka marrë direktiva as prej partisë në pushtet e as prej partive opozitare, sepse jemi të vendosur që Sindikatën e Policisë së Kosovës dhe Policinë e Kosovës ta mbajmë a-politike. Sindikata e Policisë së Kosovës është a-politike. Asnjëherë në asnjë kërkesë që e kemi adresuar dhe në asnjë prononcim që e kemi bërë para mediave nuk kemi thënë se Sindikata e Policisë është kundër qeverisë. Çdo herë edhe sot po e them, Sindikata e Policisë së Kosovës, qeverinë e llogarit si partner për dialog”, u shpreh ai.

    Kurse anëtarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Ariana Musliu-Shoshi kritikoi pushtetin, ku tha se që nga vera nuk janë dëgjuar kërkesat e sindikatës.

    “Se sa është pushteti i gatshëm të ju takojë, mendoj që të gjithë ata që ju dëgjojnë por edhe ju e dini. Kanë kaluar plot gjashtë muaj nga dorëzimi i kësaj kërkese edhe tek sot e kanë gjetur kohën me ju taku. Kanë kaluar dy muaj kur ne e kemi caktuar kohën të ju takojmë dhe ka qenë data 3 tetor. Ne ju kemi dëgjuar, ne e dimë çka keni për të thënë. Ne e dimë me çka përballeni ju, sepse e kemi ngritur zërin në kuvend. Ne kemi ftuar seancë të jashtëzakonshme, pozita nuk ka marrë pjesë për të diskutuar për ju, në këtë komision kemi ardhur, pozita nuk kanë gjetur kohë për të ardhur. Kemi marrë iniciativë për pensionim të parakohshëm, pozita nuk e ka votuar”, kritikoi Musliu-Shoshi.

    Në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut u tha se shujta ditore e një polici të Kosovës është rreth tetë euro.

  • Avokatja Bytyqi: Po të ndëshkohej tradhtia bashkëshortore, nuk do të kishte burgje në Kosovë që t’i zinte njerëzit

    Avokatja Bytyqi: Po të ndëshkohej tradhtia bashkëshortore, nuk do të kishte burgje në Kosovë që t’i zinte njerëzit

    Avokatja Fehmje Bytyqi ishte e ftuar në emisionin A LIVE në ATV, për të diskutuar lidhur me ndryshimet e Kodit Penal në Shqipëri, që në media u ndërlidh me tradhtinë bashkëshortore.

    Madje ajo tha me shaka se, në rast se do të ndëshkohej tradhtia bashkëshortore, s’do të kishte burgje në Kosovë e as në Shqipëri që do t’i zinte njerëzit.

    “A duhet të ndëshkohet? Po të ndëshkohej shkelja e besnikërisë martesore, siç e definon ligji mbi familjen s’do të kishte burgje as në Kosovë e as në Shqipëri që do t’i zinte njerëzit. Mirëpo, shumë e qartë, ligji mbi familjen e shpjegon se kur mundet me u lidh martesa edhe njëra ndër shkaqet që nuk e lë dy herë të hezitojë gjykatën për me e zgjedhë, është edhe shkelja e besnikërisë martesore”, tha avokatja Bytyqi. /atvlive.tv

    Për më shumë, shikoni videon e më poshtme:

  • Ministri rumun i Mbrojtjes kundër rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak

    Ministri rumun i Mbrojtjes kundër rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak

    Ministri i Mbrojtjes së Rumanisë, Angel Tilvar, ka përjashtuar mundësinë e kthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Rumani në mes të diskutimeve lidhur me masat që duhet të ndërmarrë ky shtet i NATO-s në rast se lufta e Rusisë kundër Ukrainës zgjerohet.

    Rumania aktualisht ka 80.000 pjesëtarë profesionistë të ushtrisë dhe një trupë të rezervistëve. Ky shtet kishte anuluar shërbimin e detyrueshëm ushtarak më 2007, tre vjet pasi iu bashkua NATO-s në mars të vitit 2004.

    Shefi i ri i ushtrisë rumune, gjenerali Gheorghita Vlad, javën e kaluar deklaroi për Radion Evropa e Lirë se shtetit duhet më mënyrë urgjente të miratojë një kornizë ligjore që do t’iu mundësonte vullnetarëve civilë që të ndjekin trajnime ushtarake. Kjo deklaratë la vend për spekulime në mesin e rumunëve se do të rikthehej shërbimi i detyrueshëm ushtarak.

    “Rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak është jashtë diskutimit, të paktën gjatë mandatin tim si ministër i Mbrojtjes. Unë e kam refuzuar këtë mundësi”, tha Tilvar për Euronews. “Aktualisht nuk ka diskutime për këtë çështje”.

    Megjithatë, Tilvar konfirmoi se deklarata e gjeneralit Vlad se me Ministrinë e Mbrojtjes po diskutohet një ligj që do të rregullonte një program trajnimi ushtarak për vullnetarët nga mosha 18 deri në 35 vjeç. Ky legjislacion parasheh një pagesë për ata që e përfundojnë programin.

    “Një shërbim i tillë vullnetar do të përmbushte nevojat për një forcë rezerviste, pasi që çdo shtet është i shqetësuar me sigurimin e një force njerëzore për një trupë rezerviste”, tha Tilvar.

    Ai tha se ushtria rumune vitin e kaluar humbi 7.000 ushtarë profesionistë për shkak ose u pensionuan ose dhanë dorëheqje.

    Megjithatë, Parlamenti i Rumanisë ka pak të ngjarë të diskutojë këtë për një ligj të tillë që do të rregullonte shërbimin vullnetar pasi që shteti është paraparë të mbajë zgjedhje lokale, parlamentare dhe presidenciale.

    Tilvar u bëri jehonë deklaratave të bëra nga presidenti Klaus Iohannis, dhe kryeministri Marcel Ciolacu, duke siguruar publikun se Rumania nuk po përballet me një rrezik të menjëhershëm nga ndonjë sulm, duke rikujtuar se është shtet anëtar i NATO-s.

    “Por, kjo nuk do të thotë se një shtet i fortë sikurse Rumania, anëtare e aleancës më të rëndësishme në histori, nuk duhet t’iu bashkohet ushtrive të tjera që po veprojnë kështu”, tha Tilvar.

    Iohannis javën e kaluar deklaroi se Rumania “kurrë nuk ka qenë më e mbrojtur se tash, si anëtare e NATO-s”, ndërkaq Ciolacu tha se “nuk ka rrezik që Rumania të përfshihet tani në ndonjë luftë. Rumania kurrë nuk ka qenë më e sigurt”.

    Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, NATO rriti trupat në Evropë dhe krijoi edhe tri grupe luftarake shumëkombëshe në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki./REL/

  • ​Popullsia e medias sociale arrin në pesë miliardë

    ​Popullsia e medias sociale arrin në pesë miliardë

    Numri i përdoruesve aktivë në median sociale është rritur në mbi pesë miliardë, e barabartë me afërsisht 60% të popullsisë së botës, e cila, sipas vlerësimeve zyrtare të OKB-së, ka tejkaluar tetë miliardë njerëz.

    Sipas një studimi kjo daton që kur Facebook nisi aktivitetin, tashmë 20 vjeçar, platformë që nisi epokën e medias sociale.

    Sipas studimit numri i përdoruesve të medias sociale është rritur me 5,6%, duke tejkaluar rritjen prej 0,9% të popullsisë botërore.

    Rrjeti social më i populluar është Facebook me 2,19 miliardë përdorues.

    Instagram, gjithashtu nga Meta, është i dyti me 1,65 miliardë, i ndjekur nga afër nga TikTok me 1,56 miliardë.

    Përdoruesi mesatar i medias sociale shpenzon dy orë e 23 minuta në ditë në platformën e tij të preferuar, duke përdorur 6,7 platforma çdo muaj. /ANSA/

  • ​Riten çmimet e naftës, shkak konflikti në Lindjen e Mesme

    ​Riten çmimet e naftës, shkak konflikti në Lindjen e Mesme

    Çmimet e naftës u rritën pak në fillim të tregtisë të martën, ndërsa tregjet prisnin më shumë sinjale për ofertë, mes konfliktit në Lindjen e Mesme.

    Nafta e papërpunuar ndërkombëtare Brent u tregtua me 78,19 dollarë për fuçi në orën 10:28 të mëngjesit sipas orës lokale (0728 GMT), një rritje prej 0,26% nga çmimi i mbylljes prej 77,99 dollarë për fuçi në seancën e mëparshme tregtare të hënën.

    Standardi amerikan, ‘West Texas Intermediate’ (WTI), tregtohej në të njëjtën kohë me 72,97 dollarë për fuçi, 0,26% më shumë nga mbyllja e së hënës prej 72,78 dollarë për fuçi.

    Frika nga përhapja e konfliktit në Lindjen e Mesme në vendet e tjera për të ndërprerë më tej rrugët e furnizimit mbështeti rritjen e çmimeve.

    ShBA po kryen “sulme vetëmbrojtëse” kundër mjeteve shpërthyese sipërfaqësore pa ekuipazh (USV) në zonat e Jemenit të kontrolluara nga grupi Houthi.

    Houthi-t kanë synuar anije mallrash në Detin e Kuq në pronësi ose të operuara nga kompani izraelite që transportojnë mallra drejt dhe nga Izraeli në hakmarrje kundër sulmit izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori.

    ShBA-të gjithashtu kishin filluar sulmet ajrore të premten kundër Forcave Quds të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) dhe milicive të mbështetura nga Irani në Irak dhe Siri, pasi një sulm vetëvrasës me dron vrau tre trupa amerikane në Jordani muajin e kaluar.

    Investitorët po fokusohen gjithashtu në vizitën e Sekretarit të Shtetit të SHBA Antony Blinken në Lindjen e Mesme.

    Blinken mbërriti në Arabinë Saudite të hënën si ndalesa e parë në turneun e tij të fundit rajonal si pjesë e përpjekjeve për të nxitur një armëpushim në Rripin e Gazës.

    Turneu i tij do të vazhdojë deri më 8 shkurt dhe do të përfshijë gjithashtu Egjiptin, Katarin, Izraelin dhe Bregun Perëndimor të pushtuar. /Anadolu Agency/

  • Zhegrova merr medalje nderi nga kryetari i komunës franceze

    Zhegrova merr medalje nderi nga kryetari i komunës franceze

    Me paraqitjet e tija fantastike në kampionatin francez, Edon Zhegrova po tërheq vëmendje, e tani edhe është nderuar me medalje nderi.

    Ylli kosovar, i cili mbron ngjyrat e skuadrës franceze Lille, u nderua sot me medaljen e qytetit nga kryetari i komunë së Wervicq-Sud, David Heiremans, raporton KosovaPress.

    Lajmin e bëri të ditur deputetja franceze, Brigitte Liso.

    Pas kësaj medaljeje, Zhegrova dhuroi edhe autografe për tifozët.

  • Azemi: Komuna e Prishtinës nesër del me ofertë për rritjen e pagave për punëtorët teknikë

    Azemi: Komuna e Prishtinës nesër del me ofertë për rritjen e pagave për punëtorët teknikë

    Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka theksuar se të mërkurën Komuna e Prishtinës do t’i bëjë një ofertë për rritje të pagës për punëtorët teknikë që janë futur në grevë.

    Ai ka thënë se pas kësaj të gjithë anëtarët e Sindikatës do të njoftohen dhe së bashku do ta vlerësojnë nëse është e pranueshme.

    “Nesër pritet që Komuna e Prishtinës të më ofroi ofertën për rritjen e pagës për punëtorët që janë në grevë, dhe pas kësaj oferte të gjithë anëtarët e sindikatës do të ftoheni dhe do vlerësojmë këtë se a do të jetë e pranueshme për ne apo jo ,greva vazhdon ,deri në një vendim tjetër”, ka shkruar Azemi në Facebook.

    Qindra punëtorë teknikë në institucionet arsimore në Prishtinë kanë hyrë në grevë të hënën. Këta punëtorë, të cilët janë të angazhuar nga kompanitë private kërkojnë që të paguhen njëjtë si kolegët e tyre të cilët marrin paga nga buxheti i shtetit, meqë thonë se e kryejnë punën e njëjtë.

  • Avokatja Fehmije Bytyqi: Këtu nuk jemi shtet arab dhe nuk lejohet as gruaja e dytë, as e treta e as e katërta

    Avokatja Fehmije Bytyqi: Këtu nuk jemi shtet arab dhe nuk lejohet as gruaja e dytë, as e treta e as e katërta

    Avokatja Fehmije Bytyqi ishte e ftuar në emisionin A LIVE në ATV, për të diskutuar lidhur me ndryshimet e Kodit Penal në Shqipëri, që në media u ndërlidh me tradhtinë bashkëshortore.

    Po në këtë emision, gazetari nga Shqipëria e sqaroi se ndryshimet në Kodin Penal kanë të bëjnë me bigaminë dhe assesi me tradhtinë bashkëshortore.

    Edhe avokatja Fehmije Bytyqi e sqaroi se bigamia nuk lejohet as në Kosovë me Ligjin për Familjen.

    “Bigamia nuk lejohet edhe ligji mbi familjen lejon që të lidhet kurora ligjërisht vetëm me një grua, e sa ndodhin në praktikë këto, tani unë nuk di. Këtu nuk jemi në shtetet arabe, ne jemi në Evropë dhe nuk lejohet as gruaja e dytë, as e treta as e katërta”, tha Bytyqi. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • “Tradhtia bashkëshortore në Kodin Penal?”, gazetari nga Shqipëria sqaron keqkuptimin që u prezantua në media ditëve të fundit

    “Tradhtia bashkëshortore në Kodin Penal?”, gazetari nga Shqipëria sqaron keqkuptimin që u prezantua në media ditëve të fundit

    Gazetari nga Shqipëria, Isa Myzyraj, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin A LIVE në ATV, tha se raportimi se Shqipëria dëshiron ta futë tradhtinë bashkëshortore në Kodin Penal, është një keqkuptim pre e të cilës kanë rënë shumë media.

    Ai sqaroi se gjithçka që ka të bëjë me këtë amandamentim në Kodin Penal ka të bëjë me bigaminë.

    “Me sa e kam parë edhe unë, edhe mediat në Shqipëri ka një keqkuptim sa i përket këtij ligji. Me ose pa dashje, gazetarët në media kanë thënë që do të futet në Kodin Penal tradhtia bashkëshortore, e cila nuk është e vërtetë deri në këto momente. Sipas draftit të ri i cili është duke u përgatitur, gjithçka ka lidhje me bigaminë pra me martesat e dyfishta, pra nuk ka lidhje me tradhti pasi që ajo është akt më shumë moral se sa ligjor dhe praktikisht deri diku është e pamundur për tu vërtetuar jashtë pretendimit të palëve”, tha Myzyraj.

    Ai tha se amandamentimi i Kodit Penal sa i përket bigamisë ka ardhur për shkak të rasteve të shumta të këtij fenomeni në Shqipëri.

    “Amandamentimi i Kodit Penal është duke ardhur në Shqipëri për shkak të rasteve të shumta. Shqipëria është tronditur javët e fundit. Ne kemi parë se si një mjek në spitalin shtetëror, mjek kirurg ishte i martuar me tre gra dhe ishte duke planifikuar të martohet me një tjetër vajzë 14-vjeç, ishte praktikisht gruaja e tij e katërt dhe nga ky ka lindur i gjithë debati, edhe institucionet kanë menduar për ta riformuluar më qartë edhe Kodin Penal”, tha Myzyraj. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • Fermerët spanjollë i bashkohen valës së protestave evropiane

    Fermerët spanjollë i bashkohen valës së protestave evropiane

    Fermerët në Spanjë u janë bashkuar homologëve të tyre evropianë për nisje të protestave mbarëkombëtare.

    Ata janë duke kërkuar më shumë fleksibilitet prej Bashkimit Evropian, kontrolle më të ashpra për prodhimet jashtë vendeve të BE-së, dhe më shumë ndihmë prej qeverive.

    Në disa rajone spanjolle, ata i kanë bllokuar dyert dhe i kanë bllokuar motoristët.

    Një protestë e madhe në qendër të Madridit është planifikuar më vonë gjatë këtij muaji.

    Të martën, fermerët kanë dalë nëpër rrugë me traktorë dhe mjete tjera bujqësore, dhe duke mbajtur flamuj spanjollë nëpër duar.

    “Çmimet, kur është fjala për prodhim të miellit dhe elbit janë shumë të mëdha”, ka thënë Esteban, i cili është identifikuar vetëm me mbiemër.

    “Duhet të paguajmë për pleh, pesticide, naftë – na mbytën këto”.

    Gjendja e vështirë e fermerëve spanjollë është komplikuar edhe më shumë për shkak të thatësisë në atë rajon.

    Spanja është prodhuesja më e madhe e vajit të ullirit në botë, mirëpo çmimet janë rritur shumë, për shkak të prodhimit të vogël.

    Të martën, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë së dëshiron të kthejë mbrapsht një plan për të zvogëluar përdorimin e pesticideve, duke e përshkruar si “simbol të përçarjes”.

    Kryeministri belg Alexander De Croo, e ka mirëpritur njoftimin, duke thënë se është “kyçe që fermerët të ndjekin ritmin e një bujqësie më të qëndrueshme në të ardhmen”, duke i përmendur synimet për mbrojtje të natyrës./REL/