ATV

Blog

  • Tërmet në Shqipëri

    Tërmet në Shqipëri

    Në orët e mëngjesit të sotëm është regjistruar një tërmet në Shqipëri, me magnitudë prej 3.6 ballë të shkallës Rihter.

    Tërmeti është regjistruar në ora 06:32 minuta, 19 kilometra në veri-lindje të Elbasanit, raportojnë mediat e Shqipërisë.

    Thellësia e tërmetit ishte 15 km, njofton Qendra Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare.

    Ndërsa, sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë dhe Ujit (IGJEUM) tërmeti është regjistruar në orën 06:32 në qarkun e Elbasanit.

    Epiqendra ka qenë në Gurëshpatë të Elbasanit.

    Sipas raportimeve të qytetarëve të Shqipërisë në këtë Qendër sizmike tërmeti është ndier në disa qytete tjera. Nuk raportohet për të lënduar ose dëme.

  • Ndrejaj: Së shpejti nis ndërtimi i klinikës së re obstetrike

    Ndrejaj: Së shpejti nis ndërtimi i klinikës së re obstetrike

    Qendrës Klinike Universitare të Kosovës së shpejti do t’i shtohet edhe një klinikë e re obstetrike, pjesë e Gjinekologjisë. Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online, drejtori i kësaj klinike, Zef Ndrejaj.

    Ai ka deklaruar se ky projekt është mundësuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, me ç’rast Ministria e Shëndetësisë dhe bordi i ShSUK-së e kanë miratuar këtë projekt.

    “Para disa ditëve bordi i ShSKUK-së  dhe Ministrinë e Shëndetësisë e kanë aprovuar edhe lejuar lokacionin ku do të ndërtohet një klinikë e re obstetrike, ajo do të ndërtohet mbrapa klinikës  Gjinekologjike”, deklaroi Ndrejaj.

    Ai e ka quajtur lajm të mirë ndërtimin e kësaj klinike, pasi siç thotë do t’u ofrohen pacientëve shërbime me standarde të larta e salla moderne.

  • Sot mbahet seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për situatën në Kosovë

    Sot mbahet seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për situatën në Kosovë

    Një seancë e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në Kosovë, do të mbahet sot në orët e mbrëmjes.

    Kjo seancë vjen me kërkesë të Serbisë e cila do të përfaqësohet nga presidenti Aleksandar Vuçiq, raporton Tanjug.

    Serbia i ka dorëzuar të hënën misionit të Guajanës, i cili kryeson Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme për shkak të situatës në Kosovë, në të cilën ndër të tjera theksohet se situata aktuale është në kontrast të fortë me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të KS të OKB-së dhe e cila është e një natyre të tillë që kërkon mbajtjen e një sesioni të posaçëm të Këshillit të Sigurimit.

  • Kuvendi sot mban dy seanca, në rend dite janë 50 pika

    Kuvendi sot mban dy seanca, në rend dite janë 50 pika

    Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë dy seanca, ku njëra nga to do të jetë vazhdim i seancës së jashtëzakonshme të 18 janarit, ndërsa tjetra seancë plenare.

    Në rendin e ditës së seancës së jashtëzakonshme është pika e papërfunduar e seancës së mbajtur më 18 janar, e që është votimi i propozim-rezolutës në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët.

    Ndërsa, në rendin e ditës së seancës plenare do të jenë plot 50 pika, e që ajo e 13-ta do të jetë themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në IML, zhdukjen e mostrave të ish-aktivistit të VV-së, Astrit Dehari dhe çdo veprim e mosveprim të ministrisë, që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti.

    Më poshtë gjeni të plotë rendin e ditës për seancën plenare që pritet të nisë nesër nga ora 10:00:

    Rendi i ditës

    Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

    -Deklarimet jashtë rendit të ditës,

    -Pyetjet parlamentare,

    -Votimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,

    -Votimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,

    -Votimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,

    -Votimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm,

    -Votimi i Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”,

    -Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-263 për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës,

    -Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-271 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike për Projektin e “qëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë”,

    -Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-273 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFË, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë solare I (solar4kosovo I) Fotovoltaik,

    -Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës,

    -Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti,

    -Miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizimet e tilla,

    -Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për katër (4) anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,

    -Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komuniteteve jo shumicë, dhe për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komunitetit shqiptar,

    -Votimi për emërimin e 3 (tre) anëtarëve vendorë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim,

    -Propozimi për përzgjedhjen e një (1) kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës,

    -Zgjedhja e Komisionerit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës,

    -Zgjedhja e një (1) anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e fakulteteve juridike të Republikës se Kosovës,

    -Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,

    -Votimi në lexim të dytë i Projekt Kodit doganor dhe të akcizave, nr. 08/L-247,

    -Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra,

    -Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-243 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L–037 për metrologji,

    -Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-186 për rregullat e trafikut rrugor,

    -Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,

    -Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,

    -Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-262 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin nr.05/L-031 për procedurën e përgjithshme administrative faza e dytë,

    -Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-265 për regjistrin e pronarëve përfitues,

    -Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-264 për rininë,

    -Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-268 për shpronësimin e pronës së paluajtshme,

    -Shqyrtimi i parë Projektligjit nr.08/L-272 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-010 për Noterinë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-149,

    -Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile,

    -Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-267 për letërnjoftimin,

    -Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-269 për kontrollin e kufirit shtetëror,

    -Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-274 për Shërbimet Private të Sigurisë,

    -Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-282 për statusin, qëndrimin e përkohshëm dhe kalimin transit të forcave të huaja të armatosura në territorin e Republikës së Kosovës,

    -Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-286 për shtetësinë e Kosovës,

    -Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-287 për Këshillin e Sigurisë së Kosovës,

    -Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-275 për rrugët,

    -Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-278 për faturat e kulturave bujqësore dhe fletëmagazinave,

    -Votimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028,

    -Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,

    -Shqyrtimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2022,

    -Shqyrtimi i Raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2022,

    -Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vitin 2022,

    -Shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.02/L-65 Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes,

    -Shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.2003/5 për farërat,

    -Shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.04/L-114 për pasurimin e miellit,

    -Shqyrtimi i Rekomandimeve për Raportin e auditimit të performancës “Të hyrat nga qiraja në Agjencinë Kosovare të Privatizimit për periudhën 2012 – 2021”.

  • Safet Gjici dënohet me 2 vjet burgim për “shpërdorim detyre”, Alma Kaçi 1 vit për “prostitucion”

    Safet Gjici dënohet me 2 vjet burgim për “shpërdorim detyre”, Alma Kaçi 1 vit për “prostitucion”

    Ish-kryetari i bashkisë së Kukësit, Safet Gjici është dënuar me 3 vite burg, ndërsa nga gjykimi i shkurtuar dënimi i ulet në dy vite.

    Gjykata ka ndryshuar akuzën ndaj Gjicit nga korrupsion në shpërdorim detyre. Ndërkohë, për Alma Kaçin, gjykata ka dhënë dënimin me 1 vit burg, duke e shpallur fajtore atë për prostitucion.

    Safet Gjici sipas SPAK ka përfituar favore seksuale nga Kaci, duke i premtuar kësaj të fundit një projekt për qentë, ndërsa kjo e fundit ja ka ofruar favoret, përderisa kryen marrëdhënie seksuale orale në zyrën e punës së kryebashkiakut.

    Para shpalljes së vendimit, Safet Gjici kërkoi pafajësi, duke pretenduar se nuk ka shkelur asnjë ligj, ndërsa i përlotur i kërkoi falje familjes dhe qytetarëve të Kukësit. Ai akuzoi Abedin Orucin se e sulmoi që të zaptonte pronat e bashkisë.

    “Unë kam marrë dënimin më të madh, është dënimi moral. Iu kërkoi falje familjarëve të mi dhe qytetarëve të Kukësit”, tha Gjici, i cili akuzoi Oruçin se i publikoi videon intime.

  • Besnik Bislimi i propozon Gjykatës Kushtetuese të garojë në zgjedhje

    Besnik Bislimi i propozon Gjykatës Kushtetuese të garojë në zgjedhje

    Përgatiti: Haris Ademi

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi po vlerëson se Gjykata Kushtetuese është duke devijuar prej misionit të vet. Sipas tij, organi më i lartë kushtetues në disa raste po përzihet në punët e Qeverisë, në disa prej nismave ligjore.

    Këtë reagim, Bislimi e tha të mërkurën, kur u paralajmërua prej Partisë Demokratike se do t’i drejtohet kësaj gjykate, lidhur me Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Medieve, nëse Qeveria nuk kërkon mendim për të, nga Komisioni i Venecias.

    “Ne këtë ligj do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese”, tha deputeti i PDK-së, Isak Shabani.

    Prandaj Bislimi propozon që, për kompetenca shtesë, Kushtetuesja të garojë në zgjedhje.

    “Duhet me u bë qeveri njëherë, me dalë me kërku vota si Gjykatë Kushtetuese, tani me dalë me caktu…”, tha Bislimi.

    Numri dy i qeverisë thotë se projektligji për KPM-në u është përshtatur direktivave të Bashkimit Evropian.

    “Është e qartë që duhet të krijohen rregulla që sigurojnë konkurrueshmëri, që mbrojnë të miturit dhe të rinjtë, menaxhim të standardizuar, transparencë të pronësisë, databazë të medias që operojnë në treg”, tha Bislimi.

    Ndryshe mendon Besnik Tahiri, që përmend akuzat për tentim të kapjes së mediave nga qeveria.

    “Këshilli i Mediave të shkruara dhe AGK-ja po akuzojnë se shteti është duke i marrë nën kontroll mediat online…”, tha Tahiri.

    Pavarësisht kundërshtimeve, anëtarët e pushtetit në komision arritën ta miratojnë projektligjin me gjashtë vota pro.

  • Furgoni me dinarë kthehet prapa, nuk lejohet të hyjë në Kosovë

    Furgoni me dinarë kthehet prapa, nuk lejohet të hyjë në Kosovë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Një furgon i cili po bartte 117 milionë, respektivisht rreth 1 milion euro dinarë serbë drejt Kosovës, nuk është lejuar të kalojë kufirin. Furgoni u ndalua në pikën kufitare në Jarinjë.

    Siç raportuan mediat serbe dinarët ishin të destinuar për pagat, pensionet, përfitimet sociale dhe pagesat tjera për serbët. Dinarët po transportoheshin në kasafortën e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq.

    Nga Dogana e Kosovës përmes një përgjigje për ATV-në thanë se vetëm zbatuan rregulloren e BQK-së, e cila parasheh që qarkullimi i mjeteve monetare duhet bërë prej kompanive të autorizuara nga BQK-ja.

    “Sot kanë ardhur përfaqësuesit e një kompanie, palës serbe, kanë pyetur në Jarinjë se a lejohet, ne ia kemi kumtuar që sipas vendimit të BQK-së, qarkullimi i mjeteve monetare duhet me u bo prej kompanive të autorizuara nga BQK-ja. Ne i kemi treguar që kompania duhet të jetë e licencuar dhe e autorizuar nga BQK-ja.”, thuhet në përgjigjen e Doganës së Kosovës.

    Lidhur me rastin reagoi edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili akuzoi Serbinë se këtë e bëri një ditë para mbledhjes së Këshillit të Sigurimit.

    “Imagjinojeni një paralele, ku para inspektorit doganor, shfaqet njё kamion me mallra tё konsumit tё përditshëm, nga individë qё prezantohen nё emër tё kompanive inekzistuese dhe pretendojnё qё mallin janё duke e dёrguar te njё kompani, e cila po ashtu nuk figuron askund nё regjistrat zyrtarё tё shtetit”, ka thënë Bislimi.

    Ky është transferimi i parë i parave pas 1 shkurtit dhe hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e qarkullimit të dinarëve.

    Kjo rregullore parasheh që euro të jetë valuta e vetme për pagesa në Kosovë, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

  • Rritet çmimi i naftës, 1,44 euro për litër

    Rritet çmimi i naftës, 1,44 euro për litër

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Naftëtarët vazhdojnë të shesin naftë shumë më shtrenjtë sesa e marrin.

    Derisa mesatarja e çmimit të importit gjatë muaji janar ishte 1 euro e 18 centë, në disa pika derivatesh çmimi i naftës ka shkuar në 1 euro e 44 centë, apo 26 centë më shtrenjtë se mesatarja e importit.

    Sidoqoftë në bazë të udhëzimit administrativ që aktualisht nuk është aktiv, parashihet që marzha e fitimit për naftëtarët të jetë 12 centë për litër, përfshirë edhe taksat, por që aktualisht naftëtarët fitojnë më shumë se kaq.

    “Është e vërtetë që kostos së shpenzimeve të naftëtarëve u është rritë kostoja e transportit, por nuk është aq e lartë sa që me reflektu menjëherë me 10 centë shtrenjtim, siç ka ndodhë në tregun tonë. Pra naftëtarët tanë janë ata që përfitojnë më së shumti në kurriz të qytetarëve për çfarëdo ndryshimi që ndodh”, tha njohësi i çështjeve të ekonomisë, Zekirja Shabani.

    Manipulimin me çmime, sipas Shabanit, e tregon fakti se ka kompani të tjera që shesin naftë me çmim deri në 14 centë diferencë në të njëjtën kohë.

    “Kjo e tregon më së miri situatën, kompanitë që janë furnizuar më herët do duhej t’i shesin me çmimin e mëhershëm, ndërsa pikat e derivateve që tashmë e kanë shtrenjtuar çmimin, po e shfrytëzojnë situatën që me e shitë me çmim të ri edhe sasinë e derivateve që e kanë ble me çmim të lirë, pra fitojnë shumë më shumë”, tha Shabani.

    Andaj, sipas një ish-ministri të Tregtisë, kjo do të duhej të rregullohej nga mekanizma të tjerë, teksa tregon shembuj nga vendet e rajonit.

    “Maqedonia e ka krijuar një rregullator i cili përcakton edhe politikat, por edhe çmimet e derivateve, ndërsa Kosova i është nënshtruar tregut të lirë. Por vendet të cilat nuk kanë institucione të forta siç është autoriteti i konkurrencës, inspektorati, kompanitë e fuqishme gjejnë hapësira për të krijuar favore me qëllim të përfitimeve sa më të mëdha”, tha Ismet Mulaj, ish-ministër i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë .

    Sidoqoftë, autoriteti i konkurrencës nuk tregoi nëse na shqiptuar ndonjë dënim për kompanitë e derivateve për rritje të çmimit të naftë, njashtu sikurse edhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë që nuk tregoi nëse do ta aplikojnë përsëri çmimin tavan për derivate. Ndërkohë, vetëm në janar, në Kosovë janë importuar mbi 57 milionë litra naftë.

  • Rruga Prishtinë – Mitrovicë, nesër nënshkruhet kontrata

    Rruga Prishtinë – Mitrovicë, nesër nënshkruhet kontrata

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Më shumë se një dekadë nga fillimi i punimeve, të enjten pritet të nënshkruhet kontrata për përfundimin e rrugës Prishtinë – Mitrovicë.

    Kështu konfirmoi për ATV-në, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

    “Tashmë kemi shpallë fituesin dhe nesër është nënshkrimi i kontratës dhe afati për kryerjen e punimeve është 1 vit nga data kur nënshkruhet kontrata pra nesër 1 vit, operatori ekonomik është i obliguar që t’i dorëzojë punimet e përfunduara. Është periudhë e shkurtër, por e kemi kushtëzua, sepse të gjitha shpronësimet janë përfunduar, të gjitha pagesat janë ekzekutuar”, tha Durmishi.

    Kontrata për ndërtimin e segmentit përfundimtar të rrugës që nisi të zgjerohej në vitin 2009, iu dha një konsorciumi pjesë e të cilit është kompania Ekskavatori, e kontraktuar edhe për ri-konstruktimin e rrugës Prizren – Prevallë.

    Pikërisht për kontratën në fjalë, Durmishi kishte thënë se ishte nënshkruar nën presion politik dhe se ishte interes i vetëm disa personave.

    “Kjo kontratë që po nënshkruhet nuk varet prej institucioneve tona, sepse është një njësit për implementimin e projekteve dhe bankave, duhet të merret aprovimi i bankave dhe bëhet një komision miks prej bankave dhe ministrisë dhe pra nuk ka shkuar përmes procedurave të prokurimit”, tha Durmishi.

    Ndonëse, për rrugën Prizren – Prevallë ka edhe procese gjyqësore për zëvendësministrin nuk paraqet problem.

    “Por, pavarësisht se çfarë ka ndodhur në rrugën Prizren – Prevallë dhe mënyrën si është nënshkruar kontrata, unë po them që i kam denoncuar publikisht të gjitha informatat që i kam dhe do ta denoncoj publikisht çdo informatë që do ta kem kur një kontratë nënshkruhet. Atje janë duke u zhvilluar disa procese gjyqësore edhe për këtë rrugën Prizren – Prevallë. Duhet ta presim epilogun e përfundimit të këtyre proceseve gjyqësore. Zgjasin shumë por jemi të detyruar që t’i presim sepse s’kemi si të bëjmë ndryshe. Në ndërkohë, në qoftë se nuk punon dhe nuk i përmbahet kushteve të kontratës, tani në këtë kontratë, ne menjëherë marrim masa, pavarësisht cili operator ekonomik është. Përderisa nuk është në listën e zezë, ne nuk mund t’ia pamundësojmë pjesëmarrjen në aktivitetet e prokurimit”, tha Durmishi.

    Nga 38 kilometra sa është gjatësia e kësaj rruge, gjatë gjithë kësaj periudhe kanë përfunduar mbi 20 kilometrat e para nga kryeqyteti.

  • Sërish kërkohet të ndryshohet ligji për skemën pensionale

    Sërish kërkohet të ndryshohet ligji për skemën pensionale

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Pas disa muajsh miratimi në Kuvend, Ligji për skemën pensionale rrezikon sërish të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e dorëzoi ligjin te Avokati i Popullit me kërkesë që më pas Avokati ta dërgojë për shqyrtim në Kushtetuese.

    Deputeti Shemsedin Dreshaj tha se kërkesa kryesore është largimi i kushtit për 15 vjet përvojë pune, me qëllim të përfitimit të pensionit kontributdhënës.

    “Këta që nuk e plotësojnë kushtin 15 vite punë shkojnë me skemën bazike të pensioneve me 100 euro, që e ka instaluar Kosova disa vite më herët. Ky ligj për opinionin është që nga viti i kaluar askush nuk përfiton nga ky ligj, për shkak asnjë nuk i plotëson 15 vite punë, ky ligj është jofunksional, nuk ka nevojë të ekzistojë fare, nëse nuk largohet 15 vite mund të shpallet si i vdekur”, tha Dreshaj.

    Avokatit të Popullit iu drejtua edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

    Ndërkohë, kërkesën për shqyrtim Avokati i Popullit në Gjykatën Kushtetuese duhet ta parashtrojë brenda afatit prej gjashtë muajve, pas hyrjes në fuqi të aktit të kontestuar.

    Ndërkaq, në gazetën zyrtare ligji është publikuar më 16 gusht 2023, prej edhe kur është në fuqi.