ATV

Blog

  • ATK publikon formën për lajmërimin e punëtorit

    ATK publikon formën për lajmërimin e punëtorit

    Administrata Tatimore e Kosovës ka publikuar sot versionin e ri të sistemit elektronik EDI, përmes të cilit do të kërkohet që çdo punëdhënës të informojë ATK-në për lidhjen e një kontrate të punës një ditë para fillimit të punës së punëtorit.

    Sipas njoftimit, shërbimi i ri elektronik për lajmërimin e punëtorit është funksionalizuar në Sistemin Elektronik EDI duke u bazuar në Ligjin Nr. 08/L-257 për Administrimin e Procedurave Tatimore, gjegjësisht nenin 43, paragrafin 5.

    “Përmes këtij shërbimi, çdo punëdhënës është i obliguar për ofrimin e informatave për të punësuarin e ri, sipas formës së përcaktuar nga ATK-ja, e cila gjendet te menyja “Shërbimet – Regjistro punëtorin e ri”. Më konkretisht përmes shërbimit “Formular për regjistrimin e punëtorit”, përveç informatave që merren përmes Agjencisë për Regjistrimin Civil (ARC) dhe informatave përmes listëpagesës mujore, punëdhënësi do të jetë i obliguar që të ofroj edhe informatat shtesë, si: Data e fillimit të punës; Data e ndërprerjes së punësimit; Orari i punës, i plotë apo i pjesshëm; Niveli i shkollimit të punëtorit; Profesioni i punëtorit; Pozita e punës së punëtorit, etj. Për plotësimin e saktë të informatave për të punësuarin, ATK-ja ka përgatitur “Udhëzuesin për plotësimin e formularit për regjistrimin e punëtorëve”, të cilin do ta gjeni në dritaren përkatëse në të cilën bëhet plotësimi i formularit, andaj ju sugjerojmë që paraprakisht ta shfletoni udhëzuesin. ATK mban premtimin për kujdesin e vazhdueshëm ndaj tatimpaguesve”, thuhet në njoftim.

  • Burri rrah gruan në Gjakovë, i ndihmon edhe djali i tyre i mitur

    Burri rrah gruan në Gjakovë, i ndihmon edhe djali i tyre i mitur

    Policia e Kosovës ka raportuar se në Gjakovë, janë arrestuar babai dhe djali i tij i mitur, pasi dyshohet se më datë 9 shkurt të këtij viti kanë ushtruar dhunë ndaj gruas së tij.

    Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

    “Gjakovë 09.02.2024 – 22:00. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë (babai dhe djali i tij i mitur) nën dyshimin se të njëjtit me datën e cekur kanë ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj viktimës femër kosovare bashkëshortes përkatësisht nënës së tij. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

  • Fletushkat kërcënuese për Kurtin e Policinë në veri, hapet rast për nxitje të urrejtjes e rezistencë

    Fletushkat kërcënuese për Kurtin e Policinë në veri, hapet rast për nxitje të urrejtjes e rezistencë

    Pas shpërndarjes së disa fletushkave kërcënuese në veri të vendit ndaj kryeministrit të vendit Albin Kurti dhe Policisë së Kosovës, është hapur rast për incident kriminal “Nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, fetar, racor, etnik”, raporton KP.

    “Mitrovicë Veri 12.02.2024 – 21:40. Raportohet se persona të pa njohur nëpër hyrje të ndërtesave dhe rrugë të ndryshme kanë shpërndarë fletushka që lidhet me veprën e lartë cekur. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

    Fletushkat janë shpërndarë mbrëmë nga e një grup i quajtur “Mbrojtja Popullore”, përmbajtja e të cilave është nxitëse dhe inkurajon qytetarët serbë të mos binden ndaj Policisë së Kosovës.

    Fletushkat përmbajnë një sërë udhëzimesh specifike për veprimet që duhet të ndërmerren nëse haset në forcat e rendit të Kosovës, të cilat grupi i referohet si “Policia e Kurtit”.

  • Një foshnje tremuajshe dërgohet pa shenja jete në Spitalin e Gjakovës

    Një foshnje tremuajshe dërgohet pa shenja jete në Spitalin e Gjakovës

    Një foshnje tremuajshe nga fshati Smaq është dërguar pa shenja jete në Spitalin e Gjakovës.

    “Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës femër kosovare është dërguar në IML për obduksion”, njofton policia përmes raportit 24 orësh.

  • ​Prishtinë: Sulmohet nga bashkëshorti, më pas gruaja tenton të bëjë vetëvrasje

    ​Prishtinë: Sulmohet nga bashkëshorti, më pas gruaja tenton të bëjë vetëvrasje

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij në Prishtinë.

    Në raportin 24-orësh bëhet e ditur se viktima e shqetësuar ka tentuar të bëjë vetëvrasje, duke përdorur preparate higjienike.

    Viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ndërsa me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Çështja e dinarit: Osmani takoi Rohden – folën edhe për zbatimin e rregullores së BQK-së

    Çështja e dinarit: Osmani takoi Rohden – folën edhe për zbatimin e rregullores së BQK-së

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka pritur dje në takim ambasadorin e Gjermanisë Jorn Rohde.

    Temë e diskutimit në këtë takim ishte edhe rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila hyri në fuqi më 1 shkurt dhe që e njeh Euron, si valutën e vetme me të cilën mund të bëhet pagesë, për hapat e institucioneve përkatëse ndërlidhur me planin e tranzicionit, për zbatimin e kësaj rregulloreje.

    Postimi i plotë:

    Presidentja Vjosa Osmani priti në takim ambasadorin e Gjermanisë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde.

    Në takim u diskutua për raportet bilaterale dhe partneritetin e dalluar në aspektin e bashkëpunimit zhvillimor. Tutje, ata kanë diskutuar edhe për vizitën produktive dhe të rëndësishme të Ministrit të mbrojtjes të Gjermanisë në Kosovë, me ç’rast u konfirmua përkushtimi i përbashkët për thellim të metejmë të raporteve bilaterale.

    Me këtë rast, Presidentja Osmani dhe ambasadori Rohde diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në vend, për përgatitjet për shënimin e 16 vjetorit të pavarësisë si dhe për hapat e institucioneve përkatëse ndërlidhur me planin e tranzicionit për zbatimin e rregullores së fundit të BQK-së.

  • Rritet në 68 numri i të vdekurve nga rrëshqitja e dheut në Filipine

    Rritet në 68 numri i të vdekurve nga rrëshqitja e dheut në Filipine

    Është rritur në 68 numri i të vdekurve si pasojë e rrëshqitjes së dheut në një fshat në jug të Filipineve para rreth një jave, njoftuan zyrtarët filipinas të hënën.

    Zyrtarët thonë se edhe 51 njerëz të tjerë janë ende të zhdukur pas fatkeqësisë së 6 shkurtit në provincën Davao de Oro, por ekipet e shpëtimit e kanë pranuar se ka pak shpresa për të gjetur të mbijetuar të tjerë.

    Personi i fundit që u nxor i gjallë nga balta ishte një vajzë trivjeçare.

    Shpëtimi i saj – pas më shumë se 60 orëve të kaluara nën dhe – u cilësua si mrekulli.

    Edward Macapili, një zyrtar provinca Davao de Oro, kishte thënë se shpëtimi i saj u kishte dhënë shpresë ekipeve të shpëtimit.

    Por, të hënën, ato shpresa u duke se u shuan.

    “U bë një javë pas incidentit dhe… ne mendojmë se askush nuk ka mbetur i gjallë atje”, tha Macapili për agjencinë e lajmeve AFP.

    Rrëshqitja e dheut ndodhi të martën e kaluar në mbrëmje, dhe i shkatërroi 55 shtëpi, si dhe i ngufati tre autobusë dhe një minibus, të cilët po prisnin për t’i marrë punëtorët nga një minierë ari në këtë fshat.

    Rrëshqitjet e dheut janë të shpeshta në shumicën e pjesëve të Filipineve, për shkak të terrenit malor, shirave të mëdha dhe shpyllëzimit të madh.

    Shirat e mëdha sezonale kanë shkaktuar rrëshqitje dheu dhe vërshime në Mindanao, duke i detyruar dhjetëra mijëra njerëz të zhvendosen në strehimore emergjente.

    Kjo zonë është goditur edhe nga një sërë tërmetesh, përfshirë të shtunën e kaluar kur ekipet e shpëtimit u detyruan ta ndërprisnin punën për shkak të një tërmeti 5.9 ballësh./REL/

  • “Tentim-atentati” ndaj Kurtit, Berisha: Po viktimizohet para elektoratit të tij, kërkojmë hetim parlamentar

    “Tentim-atentati” ndaj Kurtit, Berisha: Po viktimizohet para elektoratit të tij, kërkojmë hetim parlamentar

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha, ka thënë se televizioni publik po i shërben Qeverisë, ndërsa tentim atentatin ndaj kryeministrit Albin Kurti, e sheh si viktimizim para elektoratit të tij në “luftën kundër Serbisë”.

    Duke folur për raportimet për tentim atentatin ndaj kryeministrit Albin Kurti, deputeti i PDK-së, ka thënë se do të propozojë formimin e një komisioni hetimor lidhur me këto pretendime.

    Këtë çështje, Berisha e sheh si mundësi për të krijuar një luftë brenda shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, ndërsa e sheh edhe si tendencë për ta mbuluar dështimin në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB.

    “Këto janë terma shumë shqetësuese, unë mendoj se këtë temë këtë frymë siç e ka prezantuar kryeministri ne duhet ta ngrisim një komision hetimorë brenda parlamentar. Së pari do ta ngrisë në këtë komision ku ishim edhe pse nuk arritëm për shkak të përplasjeve por do ta ngrisë unë në parlament që të ketë një komision që e heton këtë pretendimet e kryeministrit, kjo është shumë e rrezikshme, e tashti nëse nga kompleksi i pozicionit të vet në raport me Serbinë dhe Vucicin në tavolinë, skenarëve që kanë krijuar për të destabilizuar Kosovën”, ka thënë Berisha për EO.

    “Dëmet që i bëri Kosovës me takimin  në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, me një vendim të panevojshëm sepse çështja është rregulluar me ligj dhe me Kushtetutë. Nga ky kompleks mundohet me kriju armiq të brendshëm, atëherë kjo është shumë shqetësuese, vetitë e propagandës armiqve të brendshëm janë vetitë e diktatorëve, autokratëve dhe regjimeve komuniste dhe bashkësitë, kështu e kemi pasur regjimin e Enver Hoxhës”, u shpreh Berisha.

    Teksa ka folur për këtë çështje, Berisha ka thënë se tentimi për atentat do ta ndryshonte komplet agjendën e kryeministrit. Këtë, Berisha e sheh edhe si viktimizim para elektoratit të tij në “luftën kundër Serbisë”.

    “Nëse ka pasur edhe sikur të kishte pas (tentim për atentat) shërbimi inteligjent e kishte kap me kohë. Ai nuk e  bënë publike fare media, e lëviz agjendën e kryeministrit komplet, unë e njoh natyrën e funksionimit të shteteve e lëviz komplet agjendën shtetërore të kryeministrit e shmang mundësin duke mos e ndalur hetimin dhe kapjen e atyre që kanë pretenduar diçka të tillë. Prandaj kjo është thjeshtë  një lloj strategjie e viktimizimit dhe me dëshmu para elektoratit të vet, ‘shihe sa patriot jam unë, çka po i bëjë unë Serbisë sa që po dojnë edhe mem vra’, duke involvuar edhe një konflikt brenda shqiptarëve, kjo është një strategji shumë e rrezikshme”, deklaroi Berisha.

    Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka mohuar se ka pasur tentim atentati ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sa ka qenë në vizitë në Shkup.

    Kurti ka thënë të shtunën se ka parë forca të shumta policore në Shkup gjatë mbledhjes që pati me partitë socialiste. Ai katheksuar se ka shumë kërcënime nga individë e struktura që rrënjët i kanë në Beograd.

    Por, Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut e ka quajtur të pavërtetë lajmin se ka pasur tentim për atentat.

    “Ju njoftojmë se gjatë vizitës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Shkup, nuk ka pasur asnjë tentim për vrasjen e tij. Sa i përket sigurisë gjatë vizitës së kryeministrit Kurti, ajo është e organizuar sipas rregullave të paracaktuara dhe vlerësimeve të sigurisë”, deklaroi Ministria e Punëve të Brendshme në një deklarim për media.

    Ishte Radiotelevizioni Publik i Kosovës që fillimisht raportoi sipas burimeve se ka pasur tentativë kundër kryeministrit të Kosovës.

  • Ministri Murati raporton sot në Komisionin për Mirëqenie Sociale

    Ministri Murati raporton sot në Komisionin për Mirëqenie Sociale

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati sot raporton para Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

    Në këtë komision, temë diskutimi do të jetë strategjia legjislative lidhur me skemat sociale dhe pensionale për vitin 2024.

    Në këtë takim do të diskutohet edhe për planet dhe prioritetet për fushën e skemave sociale dhe pensionale për vitin 2024.

    Takimi nis në orën 11:00, në Kuvendin e Kosovës.

  • Dita Ndërkombëtare e Radios

    Dita Ndërkombëtare e Radios

    Data 13 shkurt shënon Ditën Ndërkombëtare të Radios. UNESCO e ka shpallur këtë festë për të promovuar radion si mediumin dhe të gjitha mundësitë që ajo ofron.

    13 shkurti është zgjedhur pasi në këtë datë, në vitin 1946, Radio e Kombeve të Bashkuara ka emetuar programin e parë.

    Ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon në fjalët e tij për radion ka pohuar se radioja luan një mision të mirëfilltë në  argëtim, edukim, informim, si dhe ndihmon në popullarizimin e ndryshimeve demokratike në gjithë globin.

    Radioja është një media e fuqishme e cila ka përballuar me sukses edhe ndryshimet që solli epoka e dixhitalizimit.

    Ajo është një media me kosto të ulët, e përshtatur për të arritur edhe në komunitetet më të largëta dhe njerëzit në nevojë. Për 13 shkurtin e 2023, UNESCO thotë se duhet të vërë në pah radiot e pavarura si shtylla që parandalojnë konfliktet dhe që ndërtojnë paqen.

    Narrativa e një medieje si radioja, mund të shtojë tensionet ose të kontribuojë për paqe. Gjatë raportimit dhe informimit të publikut, një radio mund të formësojë opinionin publik dhe të kornizojë narrativën duke influencuar situatat dhe vendimmarrjen.

    Kështu që rritja e standardeve gazetareske të radios duhet konsideruar si investim për paqen, thotë UNESCO.