ATV

Blog

  • ​Dita Ndërkombëtare e Radios, IMK: Rrjetet sociale po dëmtojnë radiostacionet lokale

    ​Dita Ndërkombëtare e Radios, IMK: Rrjetet sociale po dëmtojnë radiostacionet lokale

    Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Radios, Instituti i Mediave në Kosovë, organizoi konferencë për media me temën “Efekti i mediave sociale në radio”.

    Kryetari i Institutit të Mediave në Kosovë, Fazli Veliu tha se transformimet teknologjike dhe dinamika e re e tranzicionit kanë prekur gjithë spektrin e medies në gjithë botën, përfshirë edhe mediet lokale në Kosovë, e në veçanti radiot.

    Ai shtoi se rrjetet sociale i kanë dëmtuar në masë të madhe disa radiostacionet lokale, pasi që sipas tij interesimi i kompanive për reklamim në radio është gjithnjë e më i vogël.

    Veliu potencoi se radiot të vetmin shpëtim mund ta gjejnë përmes integrimit në rrjetet sociale, por që shtoi se edhe kjo formë lidhjeje, sipas tij, kërkon investime në platformën e këtyre rrjeteve.

    Ndërkaq, profesori universitar, Arben Fetoshi tha se për shkak të hegjemonisë së platformave digjitale, trendi e ka sfiduar radion në kuptimin e mundësive financiare për jetesë më të mirë.

    Ai shtoi se mendimi i një producenti që audienca do të informohet nga radio, do të dërgojë atë në një dështim, për çka shtoi se një përpjekje serioze për përshtatje i jep mundësi të mira radios.

    Ai theksoi se radiot hasin në vështirësi për shkak se impakti i digjitalizimit është gjithëpërfshirës.

    Ndërsa, gazetari Gazmend Syla derisa foli për efektet e medias sociale në radio tha se ajo se çfarë ofron dhe përmban një radio ka shumë rëndësi nësë ajo do të dëgjohet dhe pëlqehet nga audienca.

    Ai u shpreh optimist që radioja do të ketë të ardhme, për çka përmendi Podcastët si mundësi të mirë të përshtatjes së radios me digjitalizmin.

  • Mjekët në QKUK i shpëtojnë jetën fëmijës 1-vjeçar, kishte gëlltitur një pjesë të lodrës

    Mjekët në QKUK i shpëtojnë jetën fëmijës 1-vjeçar, kishte gëlltitur një pjesë të lodrës

    Mjekët e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës i kanë shpëtuar jetën një fëmije 1-vjeçar, i cili gjatë lojës me një lodër kishte aspiruar një pjesë të lodrës, që i kishte shkaktuar vështirësi të madhe në frymëmarrje.

    Sipas QKUK-së, fëmija menjëherë nga Klinika Emergjente, është transferuar në Klinikën e Otorinolaringologjisë për shkak të aspirimit të trupit te huaj (lodër plastike e rrumbullakët), gjë që e bën shumë të vështirë heqjen e trupit të huaj.

    “Në këto kushte fëmiu dërgohet me urgjencë në sallë të operacionit, ku thirret ekipi kujdestar i mjekëve të ORL-së, ata thërrasin me urgjencë mjekët e anestezionit, ku pas ndërhyrjes me bronkoskop, fëmijës i largohet pjesa e lodrës, i lirohen rrugët e frymëmarrjes dhe i shpëtohet jeta.”

    Në njoftim po ashtu thuhet se mjekët apelojnë te prindërit që të tregojnë kujdes të shtuar për fëmijët, duke mos u lënë gjëra të imëta që mund t’i gëlltisin dhe të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre.

  • BE – Qeverisë: Projektligji për KPM-në të mos ndikojë negativisht në lirinë e mediave

    BE – Qeverisë: Projektligji për KPM-në të mos ndikojë negativisht në lirinë e mediave

    Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se ndryshimet në Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KMP) duhet të bëhen në atë mënyrë që nuk do të kenë “ndikim negativ” në lirinë e mediave.

    Në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë, zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Ioanna Lachana, tha se blloku evropian ka avokuar vazhdimisht që Kosova të rishikojë ligjin për KPM-në, në mënyrë që ai të jetë në përputhje me Direktivën e BE-së për mediat audo-vizuale.

    “Është thelbësore që Kosova të miratojë ligjin me shpejtësi, përmes një procesi të hapur dhe transparent, me konsultimet e duhura, ku do të përfshihej shoqëria civile dhe organizatat mediale”, tha zëdhënësja e Zyrës së BE-së.

    Lachana tha se BE-ja aktualisht është duke analizuar ndryshimet në Projektligjin për KPM-në dhe më pas do të japë komente për të “tek autoritetet kompetente”.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, por edhe një grup i organizatave ndërkombëtare i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë nga ndryshimet në projektligjin, i cili synon rregullimin e mediave online. Ata e kanë parë këtë legjislacion si “sulm” ndaj mediave, duke shprehur drojën se ekzekutivi mund ta përdorë këtë ligj për të censuruar mediat.

    I ashtuquajturi Projektligj për Komisionin e Pavarur të Mediave, është miratuar nga Qeveria më 27 dhjetor të vitit të kaluar, dhe është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës.

    Legjislacioni parasheh që mediat online, që prodhojnë video, duhet të regjistrohen si biznes. Me ndryshimet, KPM-ja do të ketë mandat të monitorojë edhe punën e mediave online që prodhojnë përmbajtje audio-vizuale.

    Ndryshimet në legjislacion parashohin gjoba deri në 40.000 euro për mediat që bëjnë shkelje të ndryshme ligjore.

    Aktualisht, tekstet e publikuara në mediat online monitorohen nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës. Ai nuk gjobit mediat për gabimet e tyre, por merr vendime për ankesat e bëra ndaj mediave dhe më pas vendimet e Këshillit mund të përdoren për të ngritur padi civile ndaj mediave nëpër gjykatat e Kosovës.

    Ndërkohë, përmbajtja audio-vizuale e publikuar në mediat online nuk monitorohet nga askush. Këshilli i Mediave të Shkruara, ka thënë se në shumicën e rasteve videot e publikuara shoqërohen me një tekst për të njëjtën temë dhe kështu bëhet monitorimi edhe i tyre.

    Në Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Evropian është thënë se “amendamenti, që është aktualisht në proces, do të duhej ta harmonizonte më tej Ligjin me Direktivën e Shërbimeve të Mediave Audio-Vizuale për t’i shtrirë kompetencat e tij edhe në mediat audio-vizuale online”. /REL

  • Bitcoin arrin vlerën në mbi 50,000 dollarë, për herë të parë në më shumë se dy vjet

    Bitcoin arrin vlerën në mbi 50,000 dollarë, për herë të parë në më shumë se dy vjet

    Bitcoin arriti nivelin e 50,000 dollarëve për herë të parë në më shumë se dy vjet, pasi kriptomonedha më e madhe në botë u rrit nga pritshmëritë për ulje të normave të interesit dhe ndryshimi rregullator i muajit të kaluar për fondet e tregtuara në shkëmbim në SHBA, të krijuara për të ndjekur çmimin e saj.

    Kriptovaluta është rritur me 16.3% deri më tani këtë vit duke prekur nivelin më të lartë që nga 27 dhjetor 2021, raporton Reuters.

    Kriptovaluta Bitcoin është aprovuar si aset financiar nga rregullatori financiar amerikan, në fillim të këtij viti.

    Ai do të ketë mundësi të tregohet nëpërmjet sistemit ETF, derisa miratimi do t’iu mundësojë investitorëve institucionalë ekspozim ndaj kriptomonedhës më të madhe në botë pa e poseduar atë fizikisht, si dhe do të nxisë zhvillimin e kësaj industrie.

  • ​Inteligjenca ukrainase: Rusët po blejnë terminale Starlink në vendet arabe

    ​Inteligjenca ukrainase: Rusët po blejnë terminale Starlink në vendet arabe

    Pushtuesit rusë po blejnë sisteme të komunikimit satelitor Starlink në vendet arabe.

    Këtë e ka bërë të ditur Drejtoria kryesore e Inteligjencës e Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës (HUR) në Facebook, transmeton Ukrinform.

    Rusia po blen pajisje komunikimi në vendet arabe, duke përfshirë terminalet Starlink, për përdorim në luftë, thuhet në raport.

    Në një përgjim radiofonik të fundit, rusët po diskutojnë mundësitë përkatëse për blerjen e një terminali Starlink, tha agjencia e inteligjencës ushtarake e Ukrainës.

    Sipas një pushtuesi, “arabët sjellin gjithçka: tela, Wi-Fi, router…”, dhe kostoja e një pajisjeje Starlink është 200,000 rubla.

    HUR më herët konfirmoi se pushtuesit rusë po përdornin gjithnjë e më shumë sistemet e komunikimit satelitor Starlink në vijat e frontit.

    Sipas inteligjencës, bisedat e përgjuara midis forcave ruse zbuluan se terminalet Starlink ishin vendosur midis trupave që vepronin pranë qyteteve Klishchiivka dhe Andriivka në rajonin e Donetsk.

    Elon Musk më vonë deklaroi se SpaceX nuk i kishte shitur terminalet Starlink Rusisë. /Ukrinform/

  • Kate Winslet: Jeta ime ishte e tmerrshme pas filmit “Titanic”

    Kate Winslet: Jeta ime ishte e tmerrshme pas filmit “Titanic”

    Kate Winslet ka folur së fundmi për revistën “Porter” dhe është shprehur se fama që mori pas suksesit të menjëhershëm të filmit të “Titanic” e bëri atë të ndihej “e tmerrshme”.

    “Ndihesha sikur duhej të dukesha në një mënyrë të caktuar ose të isha një gjë e caktuar, dhe për shkak se ndërhyrja mediatike ishte kaq e rëndësishme në atë kohë, saqë jeta ime ishte mjaft e pakëndshme”, tha Winslet., teksa më tej vijoi, “Gazetarët gjithmonë thoshin: “Pas ‘Titanic’, ju mund të kishit bërë gjithçka dhe megjithatë keni zgjedhur të bëni këto gjëra të vogla. Dhe unë thashë, ‘po sepse të jesh i famshëm është e tmerrshme’”.

    “Unë isha mirënjohëse, sigurisht”, shtoi Kate. “Isha në fillim të të 20-ave dhe munda të merrja një shtëpi, por nuk doja të më ndiqnin duke ushqyer rosat”.

    Pavarësisht se e urrente famën që erdhi së bashku me luajtjen në filmin 11-herë fitues të Oscarit së bashku me mikun më të mirë, Leonardo DiCaprio, Winslet zbuloi se niveli i saj aktual i famës “nuk është më një barrë”.

    Kjo nuk është hera e parë që aktorja e “Divergent” shprehet për mospëlqimin e saj ndaj gjithë vëmendjes që mori pas suksesit të filmit. Në vitin 2021, ajo u shfaq në një episod të podcast-it “WTF With Marc Maron” ku zbuloi se shkoi “menjëherë në modalitetin e vetëmbrojtjes”, pasi pretendoi se u ndje e “ngacmuar” nga disa tabloidë në Mbretërinë e Bashkuar.

  • Huthët sulmojnë një anije që ishte nisur drejt Iranit

    Huthët sulmojnë një anije që ishte nisur drejt Iranit

    Ushtria amerikane tha se lëvizja rebele jemenase Huthi ka lëshuar raketa drejt një anijeje tregtare në jug të brigjeve të Jemenit, që ishte nisur drejt Iranit.

    Anija raportohet se ka pësuar dëme të vogla nga sulmi dhe ka vazhduar lundrimin e saj drejt Iranit.

    “Më 12 shkurt, nga ora 03:30 deri në 03:35 [sipas kohës lokale në Sana], militantët e Huthit, të mbështetur nga Irani gjuajtën dy raketa nga zonat që i kontrollojnë në Jemen drejt Baba al-Mandeb”, tha Komanda Qendrore amerikane në X, që më herët njihej si Twitter.

    Firma e sigurimit, Ambrey, tha se anija ishte e regjistruar në ishujt Marshall, dhe ishte në pronësi të Greqisë. Ajo u “sulmua nga raketat në dy incidente të ndara” që ndodhën brenda 20 minutash.

    “Raportohet se u godit dhe pësoi dëme”, tha Ambrey, duke shtuar se një ekip i armatosur i sigurisë private ishte në bordin e anijes.

    “Grupi i pronarëve ishte i listuar në indeksin amerikan të bursave, NASDAQ, që dyshohet të jetë arsyeja e sulmit”, tha kjo kompani.

    Komanda Qendrore amerikane tha se anija, MV Star Iris, “po kalonte në Detin e Kuq dhe ishte duke transportuar misër nga Brazili”.

    Destinacioni i anijes ishte një port në Iran, tha ushtria amerikane.

    Huthët, që janë pjesë e “boshtit të rezistencës” – një aleancë kundër Perëndimit dhe kundër Izraelit që përbëhet nga grupet e mbështetura nga Irani – kanë sulmuar anijet tregtare në Detin e Kuq, që nga nëntori, në mbështetje të palestinezëve në Rripin e Gazës ku Izraeli dhe Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – po luftojnë.

    Sulmeve të Huthëve u janë kundërpërgjigjur me sulme SHBA-ja dhe Britania e Madhe./REL/

  • ​Osmani: Mbështetëm sportin me 25 milionë euro vitin e kaluar

    ​Osmani: Mbështetëm sportin me 25 milionë euro vitin e kaluar

    Zëvendësminitrja e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani ka bërë të ditur se gjatë vitit 2023 sporti ka marrë mbështetjen më të madhe sportive ndër vite.

    Sipas Osmanit, sporti u mbështet me mbi 25 milionë euro, 10 milionë prej të cilave ishin si mbështetja direkte nga ana e MKRS-së dhe 15 të tjera nga Ligji i Sponsorizimit.

    Këto shifra ajo i bëri të ditura në Tryezën e Sportit, e pesta e radhë e cila po organizohet në bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Sportit dhe Komitetit Olimpik tl Kosovës e cila ka për qëllim hartimi e infrastrukturës ligjore për hapat e mëtejshëm në zhvillimim e sportit, me theks të veçantë tek përgatitjet për Lojërat Meadhetare që zhvillohenë në Kosovë në vitin 2030.

    “Vitin 2023 e përmbyllëm e mbi 25 milionë euro mbështetje direkte për aktivitetet sportive në vend, 10 milionë mbështetje direkte nga Ministria e Sporti dhe 15 milionë të tjera nga Ligji i Sponzorizimit. Kjo është mbështetja më e madhe të cilën e ka marr sporti vendor ndër vite e të cilën këtë vit po synojmë ta rrisim edhe më shumë”, tha Osmani.

    Ajo shtoi se MKRS ka nënshkruar memorandume bashkëpunim me të gjitha fedeatat dhe përmes tyre synohen edhe investime më të mëdha në infrastrukturën sportive.

    Në këtë tryezë do të diskutohet për Ligjin e ri të Sportit, Ligjin Antidoping si dhe ndikimin e reformës sportive në komunitetin sportiv.

  • Samiti i Paqes në Tiranë/ Presidenti Zelensky për herë të parë në Shqipëri

    Samiti i Paqes në Tiranë/ Presidenti Zelensky për herë të parë në Shqipëri

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenksy dhe liderët e Ballkanit Perëndimor pritet të marrin pjesë në Samitin e Paqes në Tiranë, të ndarë në dy ditë, më 28 dhe 29 shkurt.

    Më 28 shkurt në Tiranë merr pjesë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në vizitën e tij të parë në Shqipëri.

    Një ditë më pas më 29 shkurt, kryeqyteti do të presë liderët e Ballkanit Perëndimorë, ku fokusi do të jetë integrimi i Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si edhe zbatimi i Planit të Ritjes Ekonomike.

    Fokusi i këtij samiti do të jetë lufta prej dy vitesh që po zhvillohet nga forcat ruse, ndërsa Ukraina ndodhet në luftë që prej 24 shkurtit të vitit 2022.

    Kujtojmë se ka qenë vetë kryeministri Edi Rama që më parë paralajmëroi samitin në Tiranë dhe vizitën e Zelenskyt.

    Gjatë mandatit dy-vjeçar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria luajti një rol aktiv në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, si një prej vendeve që ka mbështetur Ukrainën.

    Shqipëria ishte krah Shteteve të bashkuara të Amerikës si bashkëpenëmbajtëse e çështjes së Ukrainës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

  • Çështja e dinarit, Escobar: Vendimet e njëanshme kanë pasoja, palët të kthehen në dialog

    Çështja e dinarit, Escobar: Vendimet e njëanshme kanë pasoja, palët të kthehen në dialog

    I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka komentuar zhvillimet e fundit, me hyrjen në fuqi të rregulloreS së BQK-së që përjashton përdorimin e dinarit në Kosovë.

    Emisari amerikan tha se palët e kanë plotësisht të qartë se nuk mund të ketë lëvizje të njëanshme dhe se lëvizje të tilla do të kenë pasoja.

    Escobar tha se këto çështje duhet të komunikohen me afate që nuk prekin popullatën. Ai përsëriti se palët duhet të kthehen në dialog dhe të respektojnë marrëveshjet

    “Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në zgjidhjen e problemit, por Beogradi dhe Prishtina duhet të kthehen në dialog dhe të respektojnë marrëveshjet ekzistuese,” tha ai.

    Sipas tij, shumë nga këto çështje mund të zgjidhen me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

    Esobar tha se SHBA-të e mbështesin plotësisht dialogun nën patronazhin e BE-së dhe investojnë të gjitha përpjekjet për ta vazhduar atë, si dhe dialogu është i vetmi kanal për zgjidhjen e “çështjeve dypalëshe”.

    “Përkrahja jonë teknike, mbështetja jonë ekonomike dhe ndikimi ynë politik qëndron pas kësaj, sepse në fund të fundit, aspiratat tona më të mëdha janë që Kosova dhe Serbia të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Dhe të zhvillojnë marrëdhënie bilaterale paqësore, produktive dhe efikase në ndërkohë”, tha Escobar.

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka ritheksuar dje se nuk do të ketë kthim pas të vendimit të BQK-së, por nuk do të ketë masa ndëshkuese gjatë periudhës së tranzicionit për ndalimin e dinarit, derisa ky institucion doli me njoftim se kjo periudhë mund të zgjasë deri në tre muaj.

    Kurti tha se serbëve etnikë do t’u jepet kohë për t’u përshtatur me vendimin e ri.

    “Qeveria e Kosovës, në kuadër të kompetencave të saj, nuk do të zbatojë asnjë masë ndëshkuese gjatë periudhës së tranzicionit dhe u bën thirrje shtyllave të tjera që të mbajnë me përkushtim të njëjtin qëndrim. Jemi duke punuar për informacione më të plota, të cilat do t’i zbulojmë në ditët në vijim”, shkroi sot Kryeministri Kurti.

    E lidhur me këtë fazë tranzicioni nga BQK thanë se ajo mund të zgjasë deri në tre muaj, derisa prezantuan edhe një plan 10 pikësh.