ATV

Blog

  • 14 nxënës të infektuar me zgjebe në shkollat e Gjakovës

    14 nxënës të infektuar me zgjebe në shkollat e Gjakovës

    Përgatiti: Sara Shehu

    Ditëve të fundit në disa shkolla të Komunës së Gjakovës janë evidentuar 14 raste të prekura me zgjebe, sëmundje kjo ngjitëse e cila bartet me kontakt fizik.

    Ekipet mjekësore të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare kanë zbuluar rastet përgjatë vizitave sistematike të cilat po i realizojnë nëpër shkolla sidomos në zonat rurale.

    Drejtoresha e Shëndetësisë në këtë komunë, Adelina Shehu-Kola, tha se nxënësit e prekur nga zgjeba janë izoluar në shtëpitë e tyre.

    “Drejtoria e Arsimit kanë vërejtur disa mungesa të nxënësve si shkak disa shqetësimeve dhe kanë kërkuar që të dërgohen disa ekipe mjekësore në ato shkolla. Janë dërguar 4 ekipe, ku është bërë evidentimin disa nxënësve me zgjebe, janë kryesisht në disa shkolla në zonat rurale dhe situate është nën kontrolle, Pra, prej datës -09 e deri më sot nuk kemi identifikuar ndonjë rasti të ri, janë vetëm këto 13 raste , janë marrë të gjitha masat, janë dezinfektuar klasat dhe fëmijët e prekur me zgjebe janë të izoluar sipas udhëzimeve të IKShPK-së, nxënësit janë prej 6 vjet deri në 12”, tha Shehu-Kola.
    ATV-ja ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike lidhur me numrin e rasteve me zgjebe në nivel vendi por të dhëna nuk janë ofruar.

    Megjithatë lidhur me zgjeben në komunën e Gjakovës specialisti i Shëndetit Publik nga IKSHPK-ja, Faik Hoti tha se situata është stabile.

    “Bëjmë monitorimin nonstop përfshirë zgjebën ne kemi informacione sporadike por që të qartësojmë që zgjeba menaxhohet dhe se nuk është e rrezikshme. Për në komunën e Gjakovës jemi në kontakt në mënyrë që secilit rast t’i bëhet zgjidhje dhe të menaxhohen. Është një sëmundje kontakti infektive, por jo në të gjitha rastet përhapet nga mosmirëmbajtja e higjienës. Me rëndësi duhet të dezinfektohen këta persona”, tha Faik Hoti, specialist i shëndetit publik, IKSHPK.

    Sipas të dhënave të IKSHPK-së, vitin e kaluar janë regjistruar mbi 800 raste me zgjebe në gjithë Kosovën.

  • Drejtori i ri premton shtimin e 3000 kontejnerëve në Prishtinë

    Drejtori i ri premton shtimin e 3000 kontejnerëve në Prishtinë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Pamje si kjo është e shpeshtë në Prishtinë.

    Kontejnerët janë pak metra larg. Megjithatë, mbeturinat u lanë në cepa të rrugëve. Sipas qytetarëve numri i kontejnerëve është i vogël.

    “Pe shihni edhe vet këtu sa ka arrit lartësia e bërllokut, përreth këtej në tokë, nuk është që nuk po i largojnë por krahas numrit të banorëve këta kontejnerë janë shaka veç të vijnë për çdo ditë t’ a largojnë…”, tha Selim Rafuna, banor.

    Qytetarët madje u frikësohen edhe epidemive.

    “Këtu mundet me pas kafshë të ngordhura, baktere, mish, shumë problem duhet të reagojnë komuna e institucionet për këtë problem që kaq shumë vite…”, tha Rafuna.

    “Gjendje alarmante me menaxhimin e mbeturinave” dhe “mungesa e rezultateve” sipas kryetarit Përparim Rama ishin arsyet për shkarkimin e Ilirik Musliut nga detyra e drejtorit të shërbimeve publike. Tashmë pasardhësi i tij, Bekim Bestovci, thotë se ka nisur punën për shtimin e kontejnerëve.

    “Për 3 muaj jam optimist se do të fillojmë me vendosjen e kontejnerëve të ri në shumë lagje të kryeqytetit…”, tha Bestovci.

    Dyshime në kohën që caktoi Brestovci për zgjidhjen e çështjes së mbeturinave ka asamblisti i PDK-së Leutrim Retkoceri. Mes tjerash ai thotë se shumicën e punëve veçse i ka përfunduar udhëheqësia e shkuar e kësaj drejtorie.

    “Kam dyshimet e mia meqë kjo është një problematikë si e qenve endacak, që sa kohë, nuk është mirë të jepen afate vetëm për fillim të mandatit, meqë edhe Iliriku ka punuar shumë…”, tha Retkoceri.

    1370 kontejnerët, sa janë paraparë të vijnë në lagjet e kryeqytetit në tre muajt e ardhshëm, komunës së Prishtinës do t’i kushtojnë rreth 380 mijë euro.

  • Kompani evropiane e aziatike interesohen për erën e Kosovës

    Kompani evropiane e aziatike interesohen për erën e Kosovës

    Përgatiti: Haris Ademi

    Era mund të sjell investitorë nga matanë kontinentit, në Kosovë.

    Qeveria thotë se plani për shpalljen e ankandit të parë të këtij lloji të energjisë së ripërtëritshme, në gjysmën e dytë të këtij viti, ka tërhequr kompani të këtij sektori.

    “Gjatë promovimit të ankandit solar si dhe Pakos Investive të Burimeve të Ripërtëritshme të Republikës së Kosovës, odat ekonomike e kompanitë nga Evropa e nga Azia kanë shprehur interesim mbi investimet në kapacitetet e erës, përpos atyre diellore. Andaj, vlerësojmë që ankandi do të tërheqë interesim të kënaqshëm”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë.

    Ministria e Ekonomisë në fillim të shkurtit i bëri publik gjashtë emrat për ankandin me energji të diellit. Kompanitë vijnë nga Turqia, Gjermania, Franca, Egjipti e Zvicra.

    Mirëpo ky projekt s’u shkoi sipas planeve, pasi u shty disa herë. Tash, nga ME thonë se nuk pritet ndërrim afatesh për ankandin me erë.

    Njësoj beson edhe njohësi i energjisë, Naim Bujupi.

    “Nuk mendoj se do të përsëritet e njëjta, pasi ministria e ka bërë një përvojë, në ankandet e para gjithmonë janë përvojë për të ardhshmet”, tha Bujupi.

    Sipas një studimi të 2020-ës nga Banka Botërore, Kosova ka potencial të prodhim të energjisë elektrike përmes erës rreth 1200 megavatë.

    “Ka kapacitet, diku 35% të kohës gjatë vitit prodhojnë energji…”, tha Bujupi.

    Sipas strategjisë njëdekadëshe të energjisë, në Kosovë mëtohet që deri më 2031 të ndërtohen kapacitete prej 1600 megavatë. 600 nga to, pritet të jenë duke e shfrytëzuar erën si burim.

  • Ministria e infrastrukturës s’e ka liruar ish objektin e Gërmisë

    Ministria e infrastrukturës s’e ka liruar ish objektin e Gërmisë

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Brenda këtij objekti bëhen të gjitha planet shtetërore për infrastrukturën e vendit. Mirëpo, vet ndërtesa e Ministrisë së këtij dikasteri, zor që i plotëson kushtet për punë. Teksa në disa vende ka rënë fasada, në hapësira brenda ish-objektit të Gërmisë është shfaqur myku.

    Veç kësaj, zyrtarëve të ministrisë iu kërkua që nga qershori i vitit të kaluar ta lirojnë objektin, meqë është pronë e Komunës së Prishtinës.

    Qeverisja lokale në kryeqytet këtu planifikon ndërtimin e “Sallës se Koncerteve dhe Galerisë së Arteve”.

    “Komuna e Prishtinës ka dërguar disa herë kërkesa në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Kulturës që të lirojnë objektin e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia”, meqë kryeqytetit i duhet për të realizuar projektin e saj kapital “Salla e Koncerteve dhe Galeria e Arteve”. Mirëpo, pavarësisht kërkesave, MPB dhe MKRS ende nuk kanë liruar hapësirat me arsyetimin se nuk kanë ku ta vendosin stafin e tyre. Moslirimi i këtyre hapësirave cenon fillimin e realizimit të projektit të Kryeqytetit në këtë objekt”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

    Por, 8 muaj pas kërkesës, Ministria e Infrastrukturës nuk e ka gjetur lokacionin e ardhshëm për stafin.

    “Jemi në komunikim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, për të gjetur zgjidhje për akomodimin e stafit, sapo të gjejmë zgjidhjen do të lirohet objekti”, thuhet në njoftimin nga Ministria e Infrastrukturës.

    Ndërkohë, për kushtet e punës nuk kanë kthyer përgjigje. Sidoqoftë, një pjesë e fondeve për ndërtimin “Sallës Koncertale dhe Galerisë” vazhdojnë të jenë ngrira për shkak të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropiane.

  • Reforma në skemën sociale e pensionale drejt finalizimit

    Reforma në skemën sociale e pensionale drejt finalizimit

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Kriteri që ua ndalon ndihmën sociale familjeve të cilat nuk kanë fëmijë nën 5 vjet, pritet të largohet nëpërmjet reformës në skemën sociale.

    Ndryshime pritet të ketë edhe në skemat pensionale, përkatësisht tek ato baziket dhe të kontributeve. Sipas Ministrit të Financave Hekuran Murati, Ligji i ri është drejt finalizimit dhe po punohet me Bankën Botërore në njësinë e pilotimit.

    Por, skemën të cilët Murati e prezantoi para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, u kundërshtua nga deputetë opozitar.
    Ata thanë se kjo skemë nuk është e njëjta që është prezantuar gjatë fushatës.

    Po ashtu, u kërkua të sqarohet sa pensionistë do të përfitojnë nga kjo reformë dhe si është e mundur të preken kontributet e pensionistëve.

    Reforma në skemën sociale dhe pensionale do të bëhet me Bankën Botërore nëpërmes kredisë në vlerë prej 47 milionë eurosh.

  • Gjendja me mbeturina në Prishtinë, drejtori i ri premton shtimin e 3000 kontejnerëve në Prishtinë

    Gjendja me mbeturina në Prishtinë, drejtori i ri premton shtimin e 3000 kontejnerëve në Prishtinë

    Pamje si kjo është e shpeshtë në Prishtinë.

    Kontejnerët janë pak metra larg. Megjithatë, mbeturinat u lanë në cepa të rrugëve. Sipas qytetarëve numri i kontejnerëve është i vogël.

    “Pe shihni edhe vet këtu sa ka arrit lartësia e bërllokut, përreth këtej në tokë, nuk është që nuk po i largojnë por krahas numrit të banorëve këta kontejnerë janë shaka veç të vijnë për çdo ditë t’ a largojnë…”

    Qytetarët madje u frikësohen edhe epidemive.

    “Këtu mundet me pas kafshë të ngordhura, baktere, mish, shumë problem duhet të reagojnë komuna e institucionet për këtë problem që kaq shumë vite…”, thotë një banor.

    “Gjendje alarmante me menaxhimin e mbeturinave” dhe “mungesa e rezultateve” sipas kryetarit Përparim Rama ishin arsyet për shkarkimin e Ilirik Musliut nga detyra e drejtorit të shërbimeve publike. Tashmë pasardhësi i tij, Bekim Brestovci, thotë se ka nisur punën për shtimin e kontejnerëve.

    “Për 3 muaj jam optimist se do të fillojmë me vendosjen e kontejnerëve të ri në shumë lagje të kryeqytetit…”, u shpreh Brestovci.

    Dyshime në kohën që caktoi Brestovci për zgjidhjen e çështjes së mbeturinave ka asamblisti i PDK-së Leutrim Retkoceri. Mes tjerash ai thotë se shumicën e punëve veçse i ka përfunduar udhëheqësia e shkuar e kësaj drejtorie.

    “Kam dyshimet e mia meqë kjo është një problematikë si e qenve endacak, që sa kohë, nuk është mirë të jepen afate vetëm për fillim të mandatit, meqë edhe Iliriku ka punuar shumë…”, thotë Retkoceri.

    1370 kontejnerët, sa janë paraparë të vijnë në lagjet e kryeqytetit në tre muajt e ardhshëm, komunës së Prishtinës do t’i kushtojnë rreth 380 mijë euro./ATVLIVE.TV/

  • Kurti: Me mosnënshkrim “Serbia lë të hapur derën e pushtimit të Kosovës”

    Kurti: Me mosnënshkrim “Serbia lë të hapur derën e pushtimit të Kosovës”

    Ato që i vlerësoi kërcënime dhe rreziqe që burojnë nga Serbia dhe aleanca e saj me Rusinë, ishin në qendër të fjalimit të kryeministrit Albin Kurti në një diskutim në Britaninë e Madhe, për sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

    Pasi sulmit terrorist paramilitar më 24 Shtator, në Banjskë, iu referua si pushtim i kufirit nga Serbia, ai argumentoi për rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjes si garanci e paqes.

    “Një marrëveshje e nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është më urgjente se kurrë më parë. Mos-nënshkrimi i marrëveshjes që kemi është shenjë e qartë e mosbesimi/keqbesimi. Kështu që ne duhet të kemi mirëbesim që të kemi siguri juridike dhe zbatim të asaj për të cilën jemi dakorduar deri tani. Dhe, kjo po ashtu do të thotë se kur ata refuzojnë të nënshkruajnë marrëveshjen, ata duan të mbajnë të hapur një mundësi për të pushtuar Kosovën. Pra, unë nuk shoh ndonjë kuptim tjetër substancial për refuzimin për nënshkrim sesa që duan të mbajnë të hapur këtë derë, ashtu që të ketë një dritare si opsion për t’u kthyer dhe kryer agresion përsëri”, tha Kurti.

    Kryeministri shpalosi edhe pikëpamjet e tij lidhur me integrimin e rajonit në BE.

    “Nuk mendoj se duhet të jetë gjithçka ose asgjë. Dhe, një shtet nuk mund të mbajë peng të gjithë të tjerët. Më vështrimin tim, Serbia me regjimin e saj autoritar është duke e mbajtur prapa gjithë rajonin. Serbia e njeh de-jure Bosnjë e Hercegovinën, por nuk e njeh de-fakto, njësoj Malin e Zi. Në rastin e Kosovës është e kundërta. Ata na njohin de-fakto në masë të madhe, por jo de-jure. Ka një tezë të përgjithshme që Serbia po mban marrëdhënie të mira me Federatën Ruse dhe Kinën, në mënyrë që t’i përdorë ato në agresivitetin ndaj Kosovës. Por, unë do të thosha të kundërtën, që Serbia përdorë agresivitetin ndaj Kosovës për të mbajtur marrëdhënie të mira me Federatën Ruse dhe Kinën, sepse ndaj diktatorëve që nuk i besojnë askujt duhet ta dëshmosh vetën kohë pas kohe. Dhe unë mendoj se kjo është ajo që po bën Vucic”, shtoi tutje ai.

    Një përgjigje e dha edhe kur u pyet për mundësinë e kthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

    “Më pëlqen çfarë regjisori amerikan i filmave, David Lynch, ka thënë për Donald Trump. Ai ka thënë se ju nuk mund ta kundërshtoni z. Trump në një mënyrë inteligjente. Nuk ka thënë se ai nuk është inteligjent, por ka thënë se ju nuk mund të jeni inteligjent me të! Kështu që nuk do të jetë lehtë”, deklaroi kryeministri kosovar.

    Teksa foli për komunitetin serb, kryeministri theksoi faktin se nga 1 Janari, në katër komunat në veri, janë regjistruar më shumë se 5800 aplikime për pajisje me pasaportë të Kosovës./atvlive.tv/

  • Telashe me financim për avokatët e të akuzuarve në Hagë

    Telashe me financim për avokatët e të akuzuarve në Hagë

    Avokatët Mbrojtës të Haxhi Shalës, Ismet Bahtjarit dhe Sabit Januzit, nuk po paguhen nga Ministria e Drejtësisë.

    Me këtë rast, u kërkua edhe pezullimi i procedurës gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Hagës, derisa çështja e pagesës të rregullohet.

    Avokati mbrotjës i Januzit, tha se kërkesën për financim në MD e kishte adresuar në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar.

    “ Mbrojtja e Januzit ka bërë kërkesë në përputhje me kriteret e saj më 4 dhjetor 2023. Sipas kritereve, Ministria e Drejtësisë duhet të krijojë një komision për t’i dhënë përgjigje kësaj kërkese brenda 10 ditësh. Ne i kemi kërkuar vazhdimisht MD-së që të trajtojë këtë kërkesë brenda dhjetë ditësh të parashikuara dhe më pas këtë e kemi bërë përmes një korrespodencë inter-partes ku MD-ja kërkoi që ta shtyjmë këtë çështje, ndërkohë që do të zgjidhnin çështjen e mungesës së numrit të duhur të personave që do të merrnin pjesë në komision”, thotë Jonathan Elystan Reese, avokati mbrojtës i Sabit Januzit.

    Avokati Reese kërkoi afate urgjente për çështjen e pagesave. E nëse kjo nuk ndodhë, sipas tij do kërkohet epilogu i Kushtetueses.

    Me këtë pajtohet avokatja mbrotjëse e Ismet Bahtjarit.

    “Dua ta mbështesë parashtrimin e z.Reese dhe të bëjë të njëjtën kërkesë në emër të Z.Bahtjari. Ne jemi në të njëjtën gjendje. Kemi bërë një numër kërkesash pranë Ministrisë së Drejtësisë për t’i dhënë përgjigje kërkesës sonë për financim dhe kur u bë e qartë që ky takim i Komisionit nuk do të mbahej gjatë javës së shkuar, unë e njoftova vetë zyrën administrative se kishte një problem. Të njëjtën gjë bëra edhe me ZPS-në.”, u deklarua Felicity Gerry Kc, avokate mbrotjëse e Ismet Bahtjarit.

    Pavarësisht telasheve të financimit, avokati i Haxhi Shalës tha se ai do vazhdojë ta mbrojë klientin e tij.

    “ Edhe ne jemi të prekur në të njëjtën mënyrë. Ajo që mund të them është se unë i kam premtuar Z.Shala se pavarësisht financimit, ne do të vazhdojmë ta përfaqësojmë atë. Sigurisht, që kemi nevojë për një vendim nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Ne e kemi diskutuar me z.Shala çështjen e sigurimit të fondeve përmes DhSK-së në qoftë se Ministria nuk jep përgjigjen e duhur. Por, z.Shala është i paraburgosur për një periudhë prej dy muajsh dhe nuk duam që të ketë vonesa me tej të kësaj çështje”, u shpreh Toby Cadman, avokat mbrotjës i Haxhi Shalës.

    Kërkesat për pezullim të procedurës janë kundërshtuar nga prokurorja e Zyrës së Prokurorisë Speciale, Jasmine Shahabbudin.

    Nicholas Guillou, gjyqëtari i procedurës paraprake tha se në rast të mospagesës së mbrotjes nga ana e MD-së, alternativë është sistemi i ndihmës financiare pranë DhSK-së dhe se ata do të paguhen ose nga ky sistem ose me mjete vetanake të vet të akuzuarve./ATVLIVE.TV/

  • Apeli ia rriti dënimin të sëmurit mendor nga 18 në 28 vjet burgim

    Apeli ia rriti dënimin të sëmurit mendor nga 18 në 28 vjet burgim

    Përgatiti: Nora Luta

    Nga 18 vjet sa e kishte dënuar Gjykata Themelore e Mitrovicës, Marko Bigoviqin për vrasjen e babait dhe vëllait të tij, Apeli ia ka rritur dënimin në 28 vjet.

    Apeli nuk ia ka falur besimin ekspertizës të Institutit të Psikiatrisë Forenzike, I cili kishte konstatuar se Bigoviq ka probleme mendore, duke ia larguar edhe masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.

    Por lënda i është kthyer për shqyrtim Gjykatës së shkallës së dytë nga Gjykata Supreme, e cila ia ka numëruar një varg shkeljesh Apelit, ndër të tjera se ka gabuar kur e ka marrë rolin e ekspertit. Sipas Supremes, çdo ndërhyrje në këtë drejtim mund të çojë në arbitrarizëm gjatë vendosjes.

    “Gjykata e Apelit, në rast se vlerëson se është e nevojshme që për shkak të
    dilemës lidhur me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, ka mundur të hapë shqyrtim dhe të marrë prova të reja apo të urdhërojë ekspertizë të re nga grupi i ekspertëve të fushës përkatëse, por jo të merr vet rolin e ekspertit, pasi që gjykata nuk ka ekspertizën e duhur në këtë fushë”, thuhet nw vendimin e Supremes.

    Mbrojtja pret që në rivendosje, Apeli t’i marrë parasysh vërejtjet e Supremes, derisa sipas tyre të dënuarit nuk i është ndërprerë trajtimi mjekësor.

    Nga Qendra për Ndihmë Ligjore “Clard”, thonë se ekspertizat në rastet e vrasjeve të rënda duhet të merren si rrethana lehtësuese.

    Supremja në këtë vendim ka theksuar se Apeli i ka tejkaluar kompetencat e veta edhe duke i shqiptuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 28 vjet, duke mos e arsyetuar me fakte vendimtare lartësinë e dënimit.

    Bigoviq në vitin 2022, i kishte vrarë babanë dhe vëllain e tij binjak brenda shtëpisë së tyre në Mitrovicë të Veriut. Ndërsa pas procesit gjyqësor, gjatë të cilit përveç ekspertizës, ishin dëgjuar edhe dëshmitarë për gjendjen e tij psikike, Gjykata e kishte dënuar me 18 vjet burgim./atvlive.tv/

  • Prokuroria interviston të dyshuarit për vrasjen e Lulzim Fejzullahut, ata mbrohen në heshtje

    Prokuroria interviston të dyshuarit për vrasjen e Lulzim Fejzullahut, ata mbrohen në heshtje

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ 

    Intervistimi i të dyshuarve për vrasjen e Lulzim Fejzullahut, ishte gati të niste në Prokurori.

    Pasi policia siguroi perimetrin, i pari përmes hyrjes nëntokësore u soll i dyshuari kryesor E.K. Intervistimi filloi në 10:30, e përfundoi shpejt, meqë 16 vjeçari u mbrojt në heshtje.

    “Klienti im ka qenë në gjendje të rëndë emocionale…” , deklaroi Skender Musa, avokat i të dyshuarit E.K.

    Për më pak se 20 minuta përfundoi edhe intervistimi tjetrit të dyshuar, 17 vjeçarit A.A, i cili po ashtu u mbrojt në heshtje. Derisa për media nuk u deklarua as avokati i tij.

    Por deklarim për media lidhur me intervistimin pati Tomë Gashi, avokat i familjes së viktimës.
    “I njëjti ka shfrytëzuar të drejtën e tij që të mbrohet në heshtje dhe pse paraprakisht ka deklaruar se mbetet pranë deklaratës që ka dhënë në Polici. Dhe në pyetjen time, për një person i cili ka qenë i sulmuar nga ky para dy viteve, ai ka refuzuar të përgjigjet”’, tha Gashi.

    18 vjeçari Lulzim Fejzullahu ishte rrahur mesditën e 14 janarit dhe si pasojë e lëndimeve vdiq në Qendrën Klinike Universitare.

    Gati dy javë më vonë, Inspektorati Policor kishte iniciuar procedurë disiplinore ndaj zyrtarit policor i cili ka ndryshuar raportin fillestar./atvlive.tv/