ATV

Blog

  • Kurti mburret me punën e Qeverisë në 3-vjetorin e fitores së LV-së

    Kurti mburret me punën e Qeverisë në 3-vjetorin e fitores së LV-së

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është mburrur për punën e Qeverisë së Kosovës në 3-vjetorin e fitores së Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2021.

    Kurti para kabinetit qeveritar të mërkurën, tha se kanë dëshmuar se është e mundur të qeveriset në përputhje me vullnetin e popullit dhe me duar të pastra.

    Sipas tij, në këto tri vite kanë shtrirë ligjshmërinë në tërë territorin e Kosovës, sikurse kanë luftuar krimin dhe korrupsionin.

    Duke përmendur dikasteret e ekonomisë dhe drejtësisë, Kurti tha se për të njëjtat ka pasur përpjekje për t’i ngadalësuar, por se të njëjtat do të bëhen.

    “Kosova e 14 shkurtit, sot pas tri vitesh është Republikë më e qëndrueshme, më e sigurtë dhe më e mirë për të jetuar”, theksoi ai.

  • Anulohen të gjitha seancat e parapara për në muajin mars në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

    Anulohen të gjitha seancat e parapara për në muajin mars në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë gjatë muajit mars të këtij viti nuk do të ketë seanca në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës.

    Sipas njoftimit të DhSK-së nga data 4 mars deri më 15 në këtë çështje gjyqësore janë anuluar të gjitha seancat.

    Vlen të theksohet se edhe seancat e muajit shkurt të parapara që të mbahen për këtë çështje gjyqësore ishin anuluar.

    Megjithatë, çështja gjyqësore ndaj Pjetër Shalës në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është drejt fundit.

    Michael Doyle, zëdhënës i DhSK-së, përmes informimit javor për medie, me 18 janar tha se sa i përket hapave të ardhshëm në çështjen gjyqësore ndaj Shalës, gjykatësi do të ftojë ZPS-në dhe mbrojtjen që të dorëzojnë dosjet gjyqësore përfundimtare dhe të caktohet seanca për deklaratat përmbyllëse, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ai tha se më 15 janar, mbrojtja e Shalës ia dorëzoi trupit gjykues njoftimin se mbrojtja ka përfunduar paraqitjen e provave.

    “Gjatë paraqitjes së provave, mbrojtja e z. Shala thirri 10 dëshmitarë për të dhënë dëshmi në sallë të gjyqit. Sa u përket hapave të ardhshëm, pas njoftimit të trupit gjykues për mbylljen e procedurës së paraqitjes së provave, gjykatësit do të ftojnë prokurorin e specializuar dhe mbrojtjen që të dorëzojnë dosjet gjyqësore përfundimtare dhe caktojnë seancën për deklaratat përmbyllëse”, tha Doyle.

    Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

    Në mars 2023 ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi

  • Për 5 vjet u deponuan në bankë mbi 7 mijë monedha 2-euroshe fals, nisin hetimet

    Për 5 vjet u deponuan në bankë mbi 7 mijë monedha 2-euroshe fals, nisin hetimet

    Një zyrtare e bankës në Podujevë ka raportuar në Polici se përgjatë 5 viteve, të dyshuar kanë deponuar 7 mijë e 380 monedha 2-euroshe të falsifikuara.

    Sipas njoftimit të Policisë, ankuesja – zyrtare e bankës, i ka dërguar monedhat në Polici, derisa për këtë rast kanë filluar hetimet.

    “Rr. Bulevardi i Dëshmorëve, Podujevë 13.02.2024 – 10:00. Ankuesi femër kosovare-zyrtare e bankës, ka sjellë në stacion policor 7380 monedha metalike nga 2 € që dyshohet se janë të falsifikuara. Sipas ankuesit paratë janë deponuar në bankë nga klientë të ndryshëm gjatë një periudhe 5 vjeçare. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, ndërsa rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin policor.

  • “Nuk është festë islame”, Fero bën thirrje që të mos festohet Shën Valentini

    “Nuk është festë islame”, Fero bën thirrje që të mos festohet Shën Valentini

    Reperi Feronit Shabani, i njohur si Fero, dikur kishte hit një këngë për Shën Valentin.

    Pasi është bërë musliman i devotshëm, reperi ka bërë thirrje që Shën Valentini, Dita e të Dashuruarve mos të festohet.

    Ai ka thënë se kjo nuk është festë islame dhe nuk duhet të festohet në asnjë lloj forme.

    “Për mu Shën Valentin veç një ditë me kanë është palidhje”, ishte refreni i këngës së Feros së kënduar pak vite më parë.

  • Koreja e Veriut kryen testime të reja raketore

    Koreja e Veriut kryen testime të reja raketore

    Koreja e Veriut ka gjuajtur disa raketa lundruese në det. Ky është testimi i pestë i armëve të tilla që nga janari, sipas ushtrisë jugkoreane, testime që kanë rritur tensionet në rajon.

    Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut tha se së bashku me ushtrinë amerikane po analizojnë lëshimet e raketave që u detektuan në ujërat në verilindje dhe në lindje të qytetit Vonsan. Ushtria jugkoreane nuk ofroi detaje për numrin e saktë të raketave të lëshuara apo sa gjatë ato fluturuan.

    Ende është e paqartë nëse raketat u lëshuan nga toka apo nga deti.

    “Ushtria jonë ka rritur vëzhgimin dhe vigjilencën dhe po punon ngushtë me partnerët amerikanë, duke monitoruar nga afër sinjalet e aktivitetit të mëtejmë nga Koreja e Veriut”, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë së Koresë së Jugut.

    Ekspertët kanë thënë se Koreja e Veriut po rrit presionin ndaj rivalëve në vitin kur Koreja e Jugut dhe SHBA-ja mbajnë zgjedhje presidenciale, duke tentuar që të detyrojë Uashingtonin që të pranojë idenë që Veriut është një fuqi bërthamore dhe të nxjerrë koncesione ekonomike dhe të sigurisë nga ky pozicion.

    Lideri verikorean, Kim Jong Un, ka lëshuar deklarata luftënxitëse ndaj Koresë së Jugut, përfshirë edhe deklaratën se ai do të heqë dorë nga objektivi për pajtim me këtë shtet dhe duke kërcënuar se do ta asgjësojë Jugun me armë bërthamore nëse e provokon Veriun.

    Ndryshe, raketat lundruese janë të dizajnuara që të manovrohen më lehtë në fluturime sikurse ato me avionë të vegjël. Këto raketa janë në mesin e një numri në rritje të armëve që po zhvillon Veriu, së bashku me raketat balistike që janë të dizajnuara të lëshohen nga toka dhe deti.

    Testimi i së mërkurës është i gjashti gjatë këtij viti i Veriut, nëse përfshihet edhe testimi i 14 janarit, kur Peniani testoi raketën e parë me rreze të mesme veprimi, që operon me karburante të ngurta. Këto testime shfaqin përpjekjet e këtij shteti për të avancuar armatimet e tij, me qëllim që armët të arrijnë të shënjestrojnë caqet amerikane në Paqësor, përfshirë edhe qendrën ushtarake në Guam.

    Koreja e Veriut më herët gjatë vitit ka testuar edhe raketa lundruese që lëshohen nga nëndetëset dhe raketa lundruese me rreze të gjatë veprimi, që potencialisht mund të arrijnë bazat ushtarake amerikane në Japoni.

    SHBA-ja, Koreja e Jugut dhe Japonia kanë shpeshtuar stërvitjet e përbashkëta ushtarake dhe po forcojnë strategjitë e tyre të parandalimit bërthamor./REL/

  • “Zemër ke dështu!” – Rinia e LDK-së me performancë artistike, ia uron Qeverisë Ditën e të Dashuruarve

    “Zemër ke dështu!” – Rinia e LDK-së me performancë artistike, ia uron Qeverisë Ditën e të Dashuruarve

    Forumi i Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë zhvilluar të mërkurën një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë. Një performancë artistike, në një zemër që simbolizon 14 shkurtin – Ditën e të Dashuruarve, kanë shkruar “Zemër ke dështu!”, raporton EO.

    Ata kanë shpërndarë fletushka në formë të zemrës për qytetarët, në të cilat shkruhet “Me zemrën në darkë, për zemër jashtë vendit”, “Zemra të mban gjallë, por t’lëshon kur të vjen fatura”, “Zemrën plot, kuletën thatë”.

    Kryetari i Forumit Rinor të LDK-së, Paris Guri, tha se aksioni i tyre ka për qëllim t’ia përkujtojnë Qeverisë që po u përfundon mandati “me dështime në çdo fushë”.

    Guri para mediave përmendi siç tha dështimet e për këto vite qeverisjeje.

    “Sot në Ditën e të Dashuruarve, jemi mbledhur këtu me një aksion simbolik për t’ia rikujtuar Qeverise se po u përfundon mandati me dështime në përmirësimin e jetës së qytetareve në Kosove në çdo fushë. Në vitin e saj të katërt, kjo Qeveri po vazhdon me dështime në arsim, në shëndetësi, në ekonomi, në marrëdhënie ndërkombëtare, në ngritjen e mirëqenies së qytetareve, në energji, dhe në secilën sferë tjetër. Të rinjtë e vendit tonë, ashtu si secili qytetarë i Kosovës, janë duke u përballur me një depresion kolektiv të shkaktuar nga popullistët të cilët kanë braktisur gjithçka, përfshirë edhe shtresën me vitale të shoqërisë sonë, rininë”.

    “Problemet me të cilat ballafaqohemi sot, nga shtrenjtimi i produkteve bazike për jetesë dhe i energjisë elektrike, deri tek dështimet e njëpasnjëshme në arsim e shëndetësi që shpërfaqen me debaklin në testin PISA, me listat e gjata të pritjes në spitalet tona dhe me qytetarët që duhet të udhëtojnë për trajtim jashtë vendit, po e bëjnë jetën tonë këtu te papërballueshme”, deklaroi ai.

  • ​Sot mësohen gjysmëfinalistët e fundit në Kupën e Kosovës

    ​Sot mësohen gjysmëfinalistët e fundit në Kupën e Kosovës

    Palestra “Shani Nushi” në Gjakovë vazhdon edhe sot të jetë nikoqire e Kupës së Kosovës në basketboll, ku zhvillohen përballjet e fundit të fazës së çerekfinales.

    Trepça mposhti mbrëmë Istogun, kurse Golden Eagle Ylli e eliminoi Vëllaznimin, për të siguruar biletat e para drejt gjysmëfinales së kësaj gare, raporton KosovaPress.

    Ndërkaq, sot do të kemi tri përballje interesante, ku edhe do të vendosen gjysmëfinalistët e fundit të kësaj gare.

    Vushtrria luan me New Basket, kurse Peja përballet me Bashkimi, ndërsa ndeshja e fundit e sotme do të jetë mes Sigal Prishtinës e Proton Cable Prizrenit.

    14:00 Vushtrria – New Basket

    17:00 Peja – Bashkimi

    20:00 Sigal Prishtina – Proton Cable Prizreni

  • ​Tri vjet nga fitorja e LVV-së, shtrirja e sovranitetit në veri shihet si e arritura e vetme

    ​Tri vjet nga fitorja e LVV-së, shtrirja e sovranitetit në veri shihet si e arritura e vetme

    Sot janë bërë tri vjet nga fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021. Qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, sipas analistëve politikë, nuk ka sjell ndryshime të mëdha në zhvillimin e vendit, por theksojnë rolin e ekzekutivit në vendosjen e sundimit të ligjit në pjesën veriore të vendit. Sipas tyre, gjatë udhëheqjes së Kurtit, veriu po frymon më ndryshe sesa më parë si dhe po luftohen grupet kriminale dhe terroriste atje.

    Analisti politik, Arton Demhasaj, thotë për KosovaPress se në veri ka më shumë shtrirje të sundimit të ligjit, por sipas tij, vendi po vazhdon të mbetet nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian për shkak të mosshpalljes së zgjedhjeve të reja në veri.

    “Sa i përket veriut ka pasur lëvizje për shkak se policia tashmë është më prezente, mund të themi se grupet terroriste që janë vërtetuar me rastin e 24 shtatorit në Banjskë, pak a shumë janë larguar nga ajo pjesë. Veriu po frymon pak më ndryshe sesa ka qenë para dy apo tri viteve, por prapë se prapë gjithçka po lidhet me dialogut. Kosova ka mbetur e stagnuar në procesin e dialogut, janë dy marrëveshje që janë arritur nga kjo qeveri dhe presioni ndërkombëtar për zbatimin e këtyre marrëveshjeve është shumë i madh. Kosova akoma mbetet e sanksionuar nga Bashkimi Evropian pikërisht për shkak të situatës në veri”, thotë Demhasaj.

    Në anën tjetër, analisti tjetër politik, Gazmir Raci, thotë se shtrirja e sovranitetit në veri është suksesi më i madh i Qeverisë Kurti.

    Ai deklaron për KosovaPress se ekzekutivi ka një rezultat të jashtëzakonshëm në shpartallimin e grupeve kriminale në veri dhe luftimin e kontrabandës.

    “Është rezultat i jashtëzakonshëm qasja ndaj veriut dhe sidomos në shpartallimin e grupeve kriminale në veri dhe jo hyrja në bisedime me grupe kriminale sa për të qeverisur koalicionin në Prishtinë, përmes Listës Serbe. Mendoj se rendi dhe ligji në veri, lufta kundër krimit, kontrabandës, mbi 15 laborator të narkotikëve janë mbyllur në veri. A e dini çfarë dëmi të madh i janë shkaktuar Kosovës në ato laboratorë, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në aspektin njerëzor. Kriptovalutat, krimi në barna, ka sektorë të ndryshëm që lufta kundër krimit dhe korrupsionit ka progres të jashtëzakonshëm”, thekson ai.

    Megjithatë, analisti Demahasaj, shton se Qeveria Kurti në rrafshin e brendshëm ka qenë e dobët, pasi s’ka realizuar ndonjë reformë ose ndryshim që do të ishte i prekshëm për qytetarët.

    Ai përmend dikasterin e arsimit, shëndetësisë, reformat në drejtësi dhe zhvillimit ekonomik ku ka çaluar më së shumti Qeveria Kurti.

    Sipas tij, Kurti s’ka bërë progres as në fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës, sigurimin e njohjeve të reja dhe as anëtarësimin në ndonjë organizatë ndërkombëtare.

    “Mund të themi se relativisht ka qenë një qeverisje e dobët për shkak se në aspektin e brendshëm nuk ka pasur ndonjë reformë apo ndryshim të madh që mundet me qenë e prekshme për qytetarët. S’ka pas ndryshime as në aspektin e arsimit, shëndetësisë dhe as të zhvillimit ekonomik ose të tregut energjetik. Në një mënyrë Kosova ka stagnuar dhe ka mbetur aty ku ka qenë si para tri viteve. Njëjtë mund të themi se është situata edhe sa i përket reformave që janë filluar nga kjo qeveri, si reforma në drejtësi, siç kanë përmendur për Vettingun e gjëra të tjera. Por tri vjet kanë shkuar dhe akoma jemi në start të diskutimit për reformën në drejtësi. Për këto tri vite nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim i madh, të paktën nga ajo që ka proklamuar LVV-ja. Njëkohësisht mund të themi se kanë vazhduar punësimet partiake, punësimet politike në krejt institucionet e pavarura, që sish dashur me qenë”, thekson Demhasaj.

    Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, në zgjedhjet e vitit 2021 kishte fituar mbi 50 për qind të votave, ku edhe e vetme ka formuar kabinetin qeveritar.

  • ​Policia jep detaje për vdekjen e turistes amerikane në Brezovicë

    ​Policia jep detaje për vdekjen e turistes amerikane në Brezovicë

    Policia e Kosovës ka dhënë sot detaje të reja për vdekjen e shtetases amerikane në Qendrën e Skijimit në Brezovicë.

    Në raportin 24-orësh thuhet se ajo ishte gjetur nga ekipet e kërkim-shpëtimit e vdekur në vendin e quajtur “Foleja e Shqiponjës”.

    Sipas bashkëshortit të saj, atë dyshohet se e ka zënë orteku i borës.

    Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

    “Qendra e Skijimit, Brezovicë 13.02.2024 – 15:35. Një femër shtetase Amerikane është gjetur nga ekipet e kërkim-shpëtimit pa shenja jete në vendin e quajtur “Foleja e Shqiponjës”. Viktima sipas bashkëshortit të saj (shtetas britanik), me të cilin ishin duke skijuar bashkë, dyshohet se është zënë nga orteku i borës. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Aksident në Ferizaj, pamje nga vendi i ngjarjes

    Aksident në Ferizaj, pamje nga vendi i ngjarjes

    Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues, derisa një aksident i tillë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën e “Gjilanit” në Ferizaj.

    Në pamjet e siguruara nga ATV-ja shihet se si pasojë e një vetëaksidenti, një veturë ka përfunduar në shtegun e dedikuar për këmbësor.

    Sipas burimeve të ATV-së, janë shkaktuar dëme materiale, ndërsa nuk raportohet për ndonjë të lënduar.

    Ndërkohë, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes./ATVLIVE.TV/