ATV

Blog

  • Pak pasi njoftoi se i ka vdekur halla, Bebe Rexha anulon koncertin në Dubai: Për shkak të rrethanave nuk jam në gjendje të performoj

    Pak pasi njoftoi se i ka vdekur halla, Bebe Rexha anulon koncertin në Dubai: Për shkak të rrethanave nuk jam në gjendje të performoj

    Bebe Rexha, këngëtarja shqiptare që ka arritur sukses të madh në skenën ndërkombëtare, ka dhënë një lajm të papritur për fansat e saj.

    Ajo ka njoftuar përmes një postimi në InstaStory se për shkak të rrethanave të paparashikuara, nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë dhe të këndojë në festivalin e madh UnTold që mbahet në Dubai.

    Në njoftimin e saj, Bebe Rexha shprehu dashurinë dhe përkushtimin ndaj fansave të saj në Lindjen e Mesme, duke shkruar: “Për shkak të rrethanave të paparashikuara, nuk do të jem në gjendje të performoj në festivalin UnTold. I dua të gjithë fansat e mi në Dubai dhe shpresoj të rikthehem së shpejti për t’u performuar aty”.

    Arsyeja e saktë e anulimit të performancës së saj megjithatë mbetet e paqartë, por ky lajm vjen vetëm një ditë pasi Bebe Rexha ndau me ndjekësit e saj lajmin e hidhur se halla e saj, e cila ka qenë një person shumë i dashur për të, ka ndërruar jetë.

    Një humbje e tillë personale mund të jetë një nga arsyet kryesore që ka ndikuar në vendimin e saj për të mos marrë pjesë në ngjarje.

    Fansat e Bebe Rexhës në Dubai dhe në të gjithë botën kanë shprehur mbështetjen e tyre për artisten në këto momente të vështira, duke i dërguar mesazhe ngushëllimi dhe dashurie. /Telegrafi/

  • Arkivi i Kosovës hap ekspozitë kushtuar jetës dhe veprës së Adem Demaçit

    Arkivi i Kosovës hap ekspozitë kushtuar jetës dhe veprës së Adem Demaçit

    Në kuadër të shënimit të 16-vjetorit të Pavarësisë, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës organizon ekspozitë me dokumente arkivore “Adem Demaçi: Vdes kur dua vetë”.

    Ekspozita, e cila do të mbahet sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës nga ora 12:00, do t’i kushtohet jetës dhe veprës së veprimtarit Demaçi.

  • Sulmoi fizikisht nënën dhe motrën e tij, arrestohet i dyshuari në Prizren

    Sulmoi fizikisht nënën dhe motrën e tij, arrestohet i dyshuari në Prizren

    Një burrë është arrestuar mbrëmë nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Dhunë në familje”.

    Siç njofton Policia, i dyshuari ka sulmuar fizikisht nënën dhe motrën e tij.

    “Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet mes tjerash në raportin 24-orësh të Policisë./atvlive.tv/

     

  • ​Nora Gjakova kalon pengesën e parë në Grand Slam

    ​Nora Gjakova kalon pengesën e parë në Grand Slam

    Në Grand Slamin e Xhudos që po zhvillohet në Baku të Azerbajxhanit, Nora Gjakova e ka kaluar me sukses pengesën e parë.

    Xhudistja kosovare e ka mposhtur gjeorgjianen Nino Loladze në kategorinë deri në 57 kilogramë, raporton KosovaPress.

    Ndaj saj, Nora triumfoi me Ippon.

  • “Plasaritja e raporteve Kosovë-ShBA” – Haradinaj thirrje Kurtit: Mos të marrin në qaf Kosovën

    “Plasaritja e raporteve Kosovë-ShBA” – Haradinaj thirrje Kurtit: Mos të marrin në qaf Kosovën

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në një intervistë për Ekonomia Online, i ka parë me shqetësim të madh deklaratat e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, i cili gjatë së enjtes tha se situata me dinarin e ka dëmtuar partneritetin e SHBA-së me Kosovën.

    Haradinaj ka kërkuar reagim edhe nga presidentja e vendit, për siç tha të mos e “marrin në qaf Kosovën”.

    Ai ka kërkuar që Kosova t’i rregullojë raporetet me ShBA-në, në mënyrë që ta fitojë anëtarësimin në NATO.

    “Besoj se duhet ne në Kosovë të gjithë të kemi qartësi pra s’guxojmë më tutje me hesht nëse e shohim ambasadorin në konferencë për shtyp, shqetësimin e tij, emocionin e tij se ai me dhimbje i thotë ato që i thotë, edhe nëse nuk veprojmë nuk është mirë. Pra së pari i kisha bërë thirrje kryeministrit, presidentes të mos e marrin në qaf Kosovën, pra t’i kthehen një marrëdhënie të besueshme me Amerikën edhe ta synojmë fitoren e krejt fitoreve që është anëtarësimi në NATO, e jo fitore ditore sa me e rrit votën sepse partitë shkojnë e vijnë por Kosova pa Amerikën e ka vështirë”, u shpreh Haradinaj për EO.

  • Tenderi tre milionësh për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, përfundon sot në Gjykatë Komerciale

    Tenderi tre milionësh për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, përfundon sot në Gjykatë Komerciale

    Tenderi tre milionësh për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, do të përfundojë në Gjykatë Komerciale.

    Kështu ka bërë të ditur Instituti i Shkencës dhe Teknologjisë “INSI” SH.P.K., përmes një komunikate.

    INSI-ja të premten do të mbajë konferencë për media, me rastin e dorëzimit të padisë dhe kërkesës për shtyrje të ekzekutimit të Vendimit të OSHP-së, pranë Gjykatës Komerciale.

    Siç njoftohet, në këtë konferencë do të të pasqyrohen shkeljet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit, lidhur me tenderin: “Zhvillimi i master-planit per Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’, në vlerë tre milion euro.

    Mediave do ti drejtohet avokati i kompanisë, Qëndrim Arifi, ndërsa prezent në këtë konferencë do të jetë edhe Drejtori i kompanisë, Ismajl Baftijari.

    Konferenca do të mbahet nesër më datë 16.02.2024, në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, duke filluar nga ora 11:00.

  • Nis Konferenca e Sigurisë në Munih

    Nis Konferenca e Sigurisë në Munih

    Konferenca e Sigurisë së Munihut nis më 16 shkurt në një kohë kritike, përderisa në Shtetet e Bashkuara po vazhdon fushata për zgjedhjet presidenciale ku ka të ngjarë që sërish të përballen presidenti Joe Biden, dhe ish-presidenti Donald Trump. Punimet e kësaj konference po mbahen edhe në kohën kur në Kongresin amerikan ka ngecur një paketë për ndihmë ushtarake për Ukrainën.

    Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, parashihet që t’i adresohet konferencës në ditën hapëse, ndërkaq një ditë më vonë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të bëjë paraqitjen e parë fizike në këtë konferencë që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

    Vlerësohet se 50 udhëheqës botërorë do të marrin pjesë në këtë ngjarje vjetore, që e cilëson veten si forumin kyç në botë ku debatohet për politikën ndërkombëtare të sigurisë. Qeveritë e Rusisë dhe Iranit nuk janë ftuar.

    Nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Kosovën do ta përfaqësojë kryeministri Albin Kurti, ndërkaq Serbinë presidenti i saj Aleksandar Vuçiq. Pjesëmarrja e tyre në të njëjtin forum po ndodh në kohën kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur për shkak të një vendimi të Bankës Qendrore të Kosovës për të ndaluar pagesat me dinarin serb. Ky vendim ka hyrë në fuqi më 1 shkurt në mes të kritikave ndërkombëtare dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se mospërfillja e kërkesës amerikane për shtyrje të vendimit ka ndikuar në cilësinë e raporteve mes Uashingtonit dhe Prishtinës.

    Ndërkaq, numri dy i politikës amerikane, Kamala Harris, e cila ka marrë pjesë në Munih edhe më 2022 dhe 2023, kësaj radhe përballet me vështirësi të tjera. Ajo këtë vit përballet me detyrën që të sigurojë aleatët se Uashingtoni mbetet i përkushtuar për të mbrojtur sigurinë e tyre pasi Trump, që konsiderohet kandidati kryesor për të fituar nominimin e republikanëve për president, ka vënë në pikëpyetje mbrojtjen e aleatëve të NATO-s – të aleatëve që dështojnë të shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen e tyre – nga një pushtim i mundshëm nga Rusia.

  • Të shtënat me armë zjarri në Prishtinë, 2 të plagosur e 3 të arrestuar

    Të shtënat me armë zjarri në Prishtinë, 2 të plagosur e 3 të arrestuar

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur para pak çastesh në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri, dy persona kanë mbetur të lënduar.

    Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës Flora Ahmeti.

    “Sot rreth orës 21:00 policia ka marrë informatën për plagosje me armë zjarri të ndodhur në lagjen Bregu i diellit në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se me armë zjarri janë plagosur dy persona, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore ndërkohë që lidhur me këtë rast deri tani janë arrestuar tre persona të dyshuar.

  • Von Crammon i reagon Bislimit: BE e zonja e vetës, jam thellësisht e zhgënjyer me Qeverinë

    Von Crammon i reagon Bislimit: BE e zonja e vetës, jam thellësisht e zhgënjyer me Qeverinë

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon i ka reaguar r zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, i cili sot i ka reaguar emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pasi ky i fundit takoi disa pjesëtarë të organizmave joqeveritare serbe. Bislimi e kishte kritikuar emisarin e BE-së për “qasje të pa drejtë dhe jo neutrale”.

    Cramon përmes një postimi në në platformën “X”, tha se Bashkimi Evropian është zonja e vetës dhe nuk ka nevojë që dikush t’u tregojë zyrtarëve të saj se çfarë të bëjnë.

    “Bashkimi Evropian është zonja e vetës dhe nuk ka nevojë që dikush t’u tregojë zyrtarëve të saj se kë dhe në çfarë ore mund të takohen Lajçak është takuar vazhdimisht me të gjithë aktorët kryesorë të cilët mund të kontribuojnë me veprimet e tyre për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo vizitë nuk bën përjashtim në këtë drejtim”, tha ajo.

    Cramon shkroi është shumë e shqetësuar me veprimet e Qeverisë së Kosovës.

    “Këta njerëz nuk janë zëdhënës të Vuçiqit, por OJQ të pavarura që mbështesin programet multietnike dhe punojnë pa u lodhur për integrimin brenda Kosovës. Këto deklarata nuk janë vetëm të rreme, por edhe të rrezikshme pasi vendosin në shënjestër personat dhe organizatat e tyre. Unë personalisht jam thellësisht e zhgënjyer dhe e shqetësuar për deklaratat dhe veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës që kanë një efekt direkt dhe negativ ndaj pjesëtarëve të serbeve etnikë dhe pakicave të tjera.Është thelbësore që karakteri multietnik Kosovës të ruhet, vlerësohet dhe mbështetet. Ky ishte themeli i përfshirë në planin e Ahtisarit i cili siguroi njohjen e perëndimit më 2008”, ka thënë ajo.

  • “Nuk ka telashe, është pjesë normale e politikës”, Abdixhiku flet për prishjen e koalicionit me PDK-në në Prishtinë

    “Nuk ka telashe, është pjesë normale e politikës”, Abdixhiku flet për prishjen e koalicionit me PDK-në në Prishtinë

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se prishjen e koalicionit me PDK-në Komunën e Prishtinës nuk e sheh si problem, por si një proces normal politik.

    “Jo, nuk ka telashe, është pjesë normale e politikës, kështu e kam pa unë. S’jam marrë shumë me atë çështje, nuk jam marrë fort, sepse unë kam një parim që kryetarët e komunave le të lirë të veprojnë, si në Pejë, si në Lipjan, si në Viti e në Istog e Prishtinë. Në Prishtinë kam një rol më të theksuar sepse kam qenë i angazhuar në Prishtinë dhe sepse kam bërë rivitalizimin e strukturës në Prishtinë, por nuk e shoh një problem. Është mospajtim njerëzve që kanë pasur një bashkëqeverisje të respektueshëm në dy anët”, tha Abdixhiku.

    Pas prishjes së koalicionit me PDK-në, ai thotë qeverisjen komunale do ta vazhdojnë me forcat më të mira të LDK-së.

    “Ndjej keqardhje që s’kanë arritur të vazhdojnë tutje, por tani vazhdojmë me forcat më të mira që i kemi brenda LDK-së. Ne do të japim njerëzit më të mirë në qeverisje lokale, aq sa kemi hapësirë për t’i dhënë, në mënyrë që projekti i Prishtinës të ketë sukses, ky është qëllimi i çdo partie. Nuk jemi në pushtet për të përfituar për vete, po për të dhënë një shërbim sa më mirë për qytetarët. Unë besoj që me njerëzit më të mirë që i kemi dhënë dhe ka një ekip të shkëlqyeshëm në Prishtinë, të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kemi arritur edhe të bëjmë rikthimin e madh në Prishtinë, në përcepcion publik, sipas matjeve që i kemi”, tha Abdixhiku. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë të tij në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë: