ATV

Blog

  • Ndahet nga jeta një pjesëtar i Policisë së Kosovës

    Ndahet nga jeta një pjesëtar i Policisë së Kosovës

    Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Karakushi, është ndarë sot nga jeta.

    Kështu ka njoftuar Sindikata e Policisë së Kosovës, duke i shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit.

    “Me rastin e vdekjes së pjesëtarit të policisë Afrim Karakushi, familjes, miqve dhe kolegëve të Policisë së Kosovës, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta!”, thuhet në njoftimin e Sindikatës.

  • Greqia legalizon martesat e së njëjtës gjini

    Greqia legalizon martesat e së njëjtës gjini

    Greqia është bërë shteti i parë me shumicë ortodokse që ka legalizuar martesat e së njëjtës gjini.

    Çiftet e të njëjtës gjini tani do të lejohen ligjërisht të birësojnë fëmijë pas votimit në Parlamentin grek.

    Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka thënë se ligji i ri do të largojë “një pabarazi serioze” që ishte më parë.

    Por, kjo ka ndarë vendin, me rezistencën e ashpër nga Kisha e fuqishme Ortodokse. Mbështetësit e saj kanë mbajtur një protestë në Athinë, raportoi BBC.

    Shumë prej tyre shfaqën pankarta, mbajtën kryqe, lexuan lutje dhe kënduan vargje nga Bibla.

    Ndërsa, nga ana tjetër ligji është mirëpritur nga organizatat e komuniteteve LGBTQ në Greqi.

    “Ky është moment historik”, ka thënë Stella Belia, drejtuese e grupit “Rainbow Families”.

    15 nga 27 anëtaret e Bashkimit Evropian tashmë kanë legalizuar martesat e gjinisë së njëjtë. Në botë janë të lejueshme në 35 shtete.

  • Çmimet gjermane të shitjes me shumicë ranë 2.7 për qind në muajin janar

    Çmimet gjermane të shitjes me shumicë ranë 2.7 për qind në muajin janar

    Çmimet e shitjes me shumicë në Gjermani u ulën për 2.7% me një ritëm vjetor në muajin janar, duke shënuar muajin e 10-të radhazi të rënies, sipas të dhënave zyrtare të publikuara të premten.

    Shifra pasoi një rënie prej 2.6% në dhjetor 2023, treguan të dhënat nga zyra e statistikave Destatis.

    Ashtu si në muajt e mëparshëm, kjo ka ardhur kryesisht nga rënia vjetore prej 7.2% e çmimeve të produkteve të naftës minerale, thuhet aty.

    “Çmime më të ulëta të shitjes me shumicë nga viti në vit u regjistruan edhe për drithërat, duhanin e papërpunuar, farat dhe ushqimet e kafshëve (-20,3%), produktet kimike (-16,3%), metalet dhe mineralet metalike (-12,7%), dhe mbetjet dhe skrapin (-6.4%)”, thuhet në njoftim.

    Nga ana tjetër, nga viti i kaluar janë rritur çmimet për pemët, perimet dhe patatet (11.8%), sheqerin, ëmbëlsirat dhe produktet e bukës (7%), pijet (6.5%) dhe produktet e duhanit (5.1%).

    Në baza mujore, çmimet me shumicë u rritën me 0.1% në janar, duke u zhvendosur nga një rënie prej 0.6% në dhjetor 2023./AA

  • Për një muaj e gjysmë, 20 mjekë kërkuan dokumentacion për largim nga Kosova

    Për një muaj e gjysmë, 20 mjekë kërkuan dokumentacion për largim nga Kosova

    Brenda këtij fillimviti, 20 mjekë e kanë kërkuar dokumentacionin e nevojshëm pranë Odës së Mjekëve të Kosovës për largim drejtë shteteve perëndimore, kryesisht në Gjermani. Kështu tha të premten, kryetari i OMK-së, Pleurat Sejdiu për EO.

    Sejdiu tha se ky trend është i njëjtë dhe se për këtë kërkohen të ndërmerren masa për ta parandaluar këtë ikje, në të kundërtën brenda dy vitesh do të vërehet mungesa e tyre në nivelin terciar.

    Ndonëse numri i atyre që kërkojnë të punësohen jashtë Kosovës është i madh, 440 mjekë tjerë sipas Sejdiut janë të papunë. Për këtë Sejdiu kërkon të sistemohen sa më shpejtë.

    “Këto një muaj e gjysmë të këtij viti janë 20 kolegë tanë të cilët vetëm se kanë marr dokumentacionin e duhur që të nënshkruajnë kontrata me shtetet e perëndimit këtë rast shumica në Gjermani. Disa prej tyre janë në ditët e fundit apo javët e fundit në largim. Trendi është i njëjtë si vitet e kaluar që fatkeqësisht mund të them që brenda dy viteve do të ndihet mungesa e tyre në nivelin terciar, në nivelin primar vetëm se është duke u ndjerë. Është një problem menaxherial gjithashtu edhe politik, ne i kemi afër 440 mjek të pa punë të cilët presin të punësohen, sistemi primar nuk e bënë atë që duhet bërë t’i pranonte ata në punë e t’i shpërndanë ata. Momentalisht mjeku është në pozitë të keqe, nuk ka vende pune, janë në presion të largohen nga Kosova nga vetvetja flasë, nuk shohin një perspektivë”, tha Sejdiu gjatë shënimit të Ditës Përkujtimore të Profesionistëve Shëndetësorë.

    Në obeliskun e ndërtuar para hyrjes kryesore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, u tha se kontributi i profesionistëve shëndetësorë ndër vite ka qenë i madh, raporton Ekonomia Online.

    Kryetari i OMK-së tha se sot odat e profesionistëve shëndetësor në Kosovë përkujtojnë sakrificat e punëtorëve shëndetësor ndër shekuj.

    Kosova sipas tij, sfidë të madhe e ka ikjen e profesionistëve shëndetësor dhe se vetëm këtë fillimvit, 20 profesionistë shëndetësor kanë marr dokumentacionin e duhur për punësim në shtetet perëndimore.

    “Jo rrallë herë profesioni jonë është stigmatizuar por ne prapëseprapë kemi vazhduar punën përkundër luftës politikes ndaj neve që është bërë në të kaluarën, kundër stigmës që është bërë ndaj neve. Por ne çdo here si punëtorë shëndetësor kemi kryer punën tonë dhe vazhdojmë ta kryejmë punën tonë pa marr parasysh ambientin ku jemi”, tha Sejdiu.

    “Sfidat kryesore tani që i kemi është kushtet e punës të cilat përkundër përmirësimeve ndër vite nuk janë ato të cilat punëtori shëndetësor do të ishte në gjendje të jap maksimumin e tij në anën kualitative. Sfida më e re që e kemi tani largimi i mjekëve të ri të cilët do të duheshin ta ndërrojnë gjeneratën tonë, ta përtërijmë sistemin, fatkeqësisht viteve të fundit kemi trend i cili pak a shumë na tremb”, deklaroi ai.

    Odat e Profesionistëve Shëndetësor në shkurt të viti 2022 pat nxjerrur vendimin që Data 16 të shkurt shpallet ditë Përkujtimore e profesionistëve shëndetësor në Republikën e Kosovës.

    OPSH-të këtë datë të çdo viti kalendarik, e ka shënuar përmes aktiviteteve të ndryshme shkencore dhe profesionale.

  • ​Ahmeti: Kosova ka arritur deri këtu në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar

    ​Ahmeti: Kosova ka arritur deri këtu në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar

    Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti deklaron se Kosova duhet të veprojë në koordinim me komunitetin ndërkombëtar. Sipas tij, shtetet në vazhdimësi janë ndërtuar me aleanca, për çka konsideron se të njëjtën gjë duhet ta bëjnë edhe institucionet vendore. Teksa flet për vendimin e Kosovës për ndalimin e dinarit dhe ndikimin në marrëdhëniet me ShBA-të, Ahmeti vlerëson se miqësitë duhet të zgjerohen e jo të ketë kundërshtime në këshillat e komunitetit ndërkombëtar.

    Kryetari i BDI-së nga Maqedonia e Veriut, thekson se Kosova duhet të vazhdojë komunikimin me Uashingtonin dhe Brukselin.

    “Kosova ka autoritetet e veta, Kosova ka subjektivitet edhe ndërkombëtar. Por, Kosova ka arritur deri këtu në komunikim, bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Prandaj ky komunikim duhet të jetë në vazhdimësi, sepse historikisht shtetet janë ndërtuar me aleanca, shtetet janë ndërtuar me miq dhe ne akoma kemi nevojë aleancat t’i ruajmë dhe t’i forcojmë. Ne akoma kemi nevojë për miq dhe miqësitë t’i zgjerojmë dhe jo të izolohemi dhe të bijmë në kundërshtim me komunikimin, bashkëpunimin dhe me kërkesat, këshillat e komunitetit ndërkombëtar”, deklaron Ahmeti për KosovaPress.

    Teksa komenton situatën aktuale në Kosovë në 16-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ali Ahmeti konsideron se shteti ynë vit pas viti duhet të shënojë përparim.

    “Kosova vit pas viti duhet të shënojë përparim, përparim në zhvillim ekonomik, përparim në politikat e jashtme, përparim në sundimin e ligjit në vend. Sigurisht duke sunduar ligji, lehtësisht apo i lehtësohet rruga krimit dhe korrupsionit për ta luftuar. Kështu që jo vetëm Kosova por i tërë Ballkani Perëndimor ka vështirësitë e veta në avancimin e demokracisë, në sundimin e ligjit për këtë arsye ne si shtete të Ballkanit Perëndimor, kemi detyra shtëpie nëse duam të jemi pjesë e Evropës duhet të instalojmë standarde të mirëfillta në drejtim të sundimit të ligjit dhe luftës kundër krimit dhe korrupsionit”, përfundon ai.

    Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien tha të martën se Kosova po e rrezikon partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas vendimit për ndalimin e dinarit serb.

    Një ditë më pas, kryeministri Albin Kurti u shpreh se Kosova nuk ka partner, aleat e as mik më të rëndësishëm se Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Ndërkaq, dje ambasadori amerikan, Jeff Hovenier deklaroi se vendimi i Kosovës për ta zbatuar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit serb, ka ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kosovës. /kp

  • “Çdo sulm mbi Kosovën, është sulm mbi Shqipërinë”- Vuçiq i përgjigjet Ramës

    “Çdo sulm mbi Kosovën, është sulm mbi Shqipërinë”- Vuçiq i përgjigjet Ramës

    Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili në emisionin “Context”, në ATV deklaroi se “çdo sulm ndaj Kosovës është sulm ndaj Shqipërisë”.

    Vuçiq tha se Serbia nuk ka ndërmend të sulmojë askënd.

    “Sot u dëgjua nga një shtet fqinj se nëse dikush sulmon Kosovën, edhe pse nuk e di kush do të sulmonte, Shqipëria nuk do ta lejojë dhe do të jetë në atë anë. Pas një deklarate kaq të tmerrshme, dëgjohej vetëm një heshtje e madhe, aq e fortë saqë heshtja ishte e pakëndshme. Për sa i përket neve, nuk kemi nevojë të sulmojmë askënd dhe nuk do ta bëjmë”, tha Vuçiq gjatë ceremonisë së Ditës së Shtetit.

    Vuçiq shtoi se Serbia do të mbrojë marrëdhëniet e saj me Evropën, por edhe se “nuk do t’i shkelë marrëdhëniet e saj me Rusinë, Kinën dhe askënd tjetër”./ATVLIVE.TV/

  • Deponohen 732 monedha metalike në një bankë në Fushë Kosovë dyshohen se janë të falsifikuara

    Deponohen 732 monedha metalike në një bankë në Fushë Kosovë dyshohen se janë të falsifikuara

    Menaxherja e një banke në Fushë Kosovë ka raportuar në Policinë e Kosovës se në bankomatin e tyre janë deponuar 732 monedha prej dy euro në vlerë prej 1464 euro, që dyshohen të jenë të falsifikuara.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, paratë e dyshuara janë konfiskuar, teksa rasti vazhdon të hetohet.

    Rasti raportohet se ka ndodhur gjatë ditës së enjte.

  • Nesër finalja e madhe e Kupës së Kosovës në basketboll

    Nesër finalja e madhe e Kupës së Kosovës në basketboll

    Sigal Prishtina u kualifikua në finale të Kupës së Kosovës pas fitores ndaj Bashkimit me rezultat 66:71 (19:23, 17:21, 14:16, 16:11).

    Çereku i parë ishte i baraspeshuar dhe i luftuar në parket, ku asnjëra skuadër nuk arrinte të shkëputej, duke përfunduar 19:23, derisa edhe periudha e dytë ishte e ngjashme me bardhekaltrit që për një nuancë ishin më të mirë, për të shkuar në pushim me rezultat 36:44.

    Lojë e barabartë u zhvillua edhe në periodën e tretë, me prizrenasit që tentonin të afrohen në rezultat, por bardhekaltrit menaxhuan lojën mirë, ku shifrat pas 30 minutash ishin 50:60. Edhe pse Bashkimi afroi shifrat, nuk arriti përmbysjen dhe Sigal Prishtina triumfoi 66:71 dhe u kualifikua në finale.

    MVP i gjysmëfinales së dytë është shpallur Shaheed Davis i Sigal Prishtinës, i cili e mbylli ndeshjen me 21 pikë e pesë kërcime.

    Finalja e madhe zhvillohet të shtunën në Gjakovë nga ora 17:00.

  • ​Tri ndeshje interesante sot zhvillohen në Albi Mall Superligë

    ​Tri ndeshje interesante sot zhvillohen në Albi Mall Superligë

    Superliga e Kosovës në futboll do të vazhdojë sot me tri ndeshje tejet interesante.

    Në kuadër të xhiros së 20-të, sot do të kemi përballje mjaftë interesante, por vëmendja më e madhe pa dyshim se do të jetë në qytetin e Gjilanit. Atje Gjilanit e pret Prishtinën me shpresën për të gjetur rrugën drejt rikthimit te fitorja pas në pesë ndeshjet e fundit ka dy barazime, dy humbje dhe një fitore.

    Nga ana tjetër, Prishtina e nisi stinorin pranveror me fitore ndaj Feronikelit, ndërsa vjen edhe pas suksesit në Kupën e Kosovës duke kaluan në fazën çerekfinale, raporton KosovaPress.

    Sfidë tjetër interesante do të jetë edhe ajo që zhvillohet në Prizren ndërmjet Lirisë dhe Dritës. Të dy këto skuadra e nisën stinorin pranveror me humbje dhe do të kërkojnë pikë të reja.

    Kampioni i Kosovës Ballkani pritet të ketë punë më të lehtë pasi e pret Feronikelin në Suharekë.

    Të gjitha ndeshjet nisin nga ora 13:00.

  • Abazi për deklaratën e ambasadorit amerikan: Kurti po shihet si cenues i sigurisë

    Abazi për deklaratën e ambasadorit amerikan: Kurti po shihet si cenues i sigurisë

    Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi komentuar deklaratat e ambasadorit të SHBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së janë lëkundur, për shkak të çështjes së dinarit.

    Ai ka thënë se sot kryeministri Albin Kurti nga ShBA-ja dhe aleatët shihet si cenues i sigurisë dhe provokator i interesave të ShBA-së.

    “Nuk ka asnjë dyshim, ShBA-ja po thotë ne jemi këtu për të iu dhënë të gjithë ndihën e mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial dhe këtë gjë e kemi dëshmuar shumë herë. Por në të njëjtën kohë me shumë qartësi ambasadori e tha se marrëdhëniet tona janë të dëmtuara, marrëdhëniet tona nuk janë të mira dhe deklarata e kryeministrit në Prizren se nuk kemi asnjë lajthitje në marrëdhënie sot nuk është e vërtetë. Unë mendoj që sot Kurti shihet si kryeministër i Kosovës, i cili e cenon sigurinë dhe shihet si provokator i interesave të SHBA dhe BE-së. Shumë e rëndë por ky është realiteti”, ka thënë deputeti Abazi.

    Në emisionin e ATV-së, ‘DPT te Fidani’, ai është pyetur edhe nëse kryeministri Kurti mund të futet në listën e zezë të SHBA-së.

    “Unë nuk mund të spekuloj nëse ka listë të zezë. Mua do të më vinte keq që kryeministri i Kosovës të vendoset në listën e zezë”, ka thënë ai.