ATV

Blog

  • Saga për renovimin e stadiumit të Gjilanit

    Saga për renovimin e stadiumit të Gjilanit

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Stadiumi i qytetit të Gjilanit, këtë pamje mund ta ketë edhe për një kohë. Në rast se paneli i Organit Shqyrtues i Prokurimit e merr parasysh rekomandimin e ekspertit pas ankesave, tenderi 15 milionësh i hapur në dhjetor të vitit të kaluar do të kthehet në pikën zero.

    Pretendimet e kompanisë ankuese se Komuna e Gjilanit në dosjen e tenderit ka vendosur kritere që favorizojnë operatorë të caktuar, janë mbështetur nga ekspertja e autorizuar për këtë rast.

    “Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit të OSHP-së që ankesa e kompanisë ankuese të aprovohet si e bazuar, ndërsa njoftimi për kontratë të anulohet në mënyrë që Komuna e Gjilanit të bëjë përmirësimet e nevojshme në harmoni me nenin 53 të LPP-së”, thuhet në rekomandimin e ekspertit shqyrtues.

    Rastet kur paneli i Organit Shqyrtues i Prokurimit vendos ta dëgjojë rekomandimin e ekspertit janë të shumta. Por, bazuar në dinamiken e punës së OSHP-së, duhet kohë.

    Megjithatë Komuna e Gjilanit tha se nuk do të deklarohet për tenderin në fjalë deri në një vendim përfundimtar të OSHP-së.

    Ndërkohë, kritika ndaj qeverisjes lokale, sa i përket procedurave të tenderimit ka edhe opozita në Gjilan.

    Projekti për stadiumin e Gjilanit filloi në vitin 2016, teksa Zyra Kombëtare e Auditimit, gjatë vitit 2023 kishte konstatuar se MKRS-ja dhe Komuna e Gjilanit, nuk kanë ndjekur procedurat e duhura të prokurimit duke cenuar transparencën dhe konkurrencën.

    Sidoqoftë, funksionalizimi i stadiumit të Gjilanit, është pjesë e planit për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Plani i rritjes: Qeveria nuk e ka dorëzuar ende listën e projekteve

    Plani i rritjes: Qeveria nuk e ka dorëzuar ende listën e projekteve

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Qeveria ende nuk e ka finalizuar listën e projekteve për të cilat synon të përfitojë mbështetje financiare nga Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor.

    Deri tani, Qeveria ka dorëzuar listën e reformave, përmes realizimit të së cilave mund të përfitojë pjesë nga fondi në vlerë të përgjithshme 6 miliardë euro, për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

    “Sa i përket listës së projekteve, ai është aspekt drejt të cilit puna vijon. Momentalisht jemi në fazën e përcaktimit të planit të reformave me Komisionin Evropian, ndërsa faza e përpilimit të listës së projekteve do të vijojë pas dakordimit dhe vlerësimit të reformave në Planin e Rritjes. Kjo për arsye sepse projektet pritet që të ndihmojnë dhe lehtësojnë realizimin e reformave për rritje ekonomike. Kur të vijë momenti, lista e projekteve do të dorëzohet konform reformave e planit të dakorduar, dhe për këtë diskutimet e konsultimet me BE-në po vijojnë”, tha këshilltari i zëvendëskryeministrit Bislimi, Klisman Kadiu.

    Pasi përmendi efektet e masave ndëshkuese të BE-së, eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu, theksoi se në rastin e Kosovës, krahas reformave, niveli i përfitimit është i lidhur direkt me procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

    “Duhet të kuptohet që mekanizmi kyç i absorbimit të mjeteve janë projektet e gatshme dhe ato që kanë arsyeshmëri apo fizibilitet ekonomik dhe këto në Kosovë mungojnë. Në anën tjetër, është utopike të mendohet se ne mund të jemi përfitues të këtyre projekteve pa stabilitet politik”, tha Gërxhaliu.

    Përtej kësaj, referuar aspekteve përgatitore dhe diplomacisë ekonomike, ai shtoi se Kosova rrezikon të marrë vetëm një pjesë vogël nga mjetet në dispozicion.

    “Duhet të them me keqardhje që shumë vende të rajonit janë të parapërgatitura dhe përgatitura, aplikacionet i kanë ndërtuar shumë më herët, sepse kanë pasur informacione të dorës së parë përmes kanaleve diplomatike se këto mjete do të jenë në qarkullim. Në Kosovë shumë më tepër jemi marrë me agjendë politike sesa ekonomike”, tha Gërxhaliu.

    Në prezantimin e planit në Prishtinë, në fund të Tetorit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, tha se përfitimi varet nga reformat e brendshme dhe avancimi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

    Në fillim të muajit Shkurt, liderët e shteteve anëtare të BE-së i dhanë mbështetje Planit të Rritjes në Këshillin Evropian, teksa vijojnë diskutimet për marrëveshjen me Parlamentin lidhur me aspektet e financimit.

    Plani i Rritjes me qëllim përafrimin ekonomik dhe infrastrukturor të Ballkanit Perëndimor me BE-në ndahet në mbështetje përmes granteve në vlerë 2 miliardë euro dhe 4 miliardë euro të tjera përmes kredive.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Ideja e Ramës s’kreu punë, vetëm 54 qytetarë adoptuan qenë

    Ideja e Ramës s’kreu punë, vetëm 54 qytetarë adoptuan qenë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Për ta ulur numrin e qenve endacakë, komuna e Prishtinës premtoi nga 50 euro në muaj për këdo që adopton një kafshë të tillë.

    Mirëpo ky projekt nuk i doli siç priste pushteti në kryeqytet, i udhëhequr nga Përparim Rama. Për 6 muaj, vetëm 54 qenë u morën nën përkujdesje.

    Derisa nëpër rrugë mendohet se sillen edhe mbi 4900 tjerë.

    “Ne kemi pasur një shpresë të madhe që me udhëzimin e ri administrativ të bëhet një ndryshim në trajtimin e kësaj problematike por përsëri mbeten kritere të njëjta përveç që ka kushte të reja për strehimoren”, tha shefi i sektorit për Shërbime Publike në Prishtinë, Habib Qorri.

    Krahas kësaj, komuna ende as nuk e ka gjetur vendin e përshtatshëm për ta ndërtuar strehimoren për rreth 100 qenë endacakë.

    “Veç se është duke u kërkuar një lokacion i përshtatshëm për t’i adoptuar qentë endacak, jemi në shqyrtim të kësaj…”, tha drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Bekim Brestovci.

    Opozitari Leutrim Retkoceri nga Partia Demokratike, po kërkon zgjidhje urgjente të këtij problemi.

    “I kam dyshimet e mija, para gjitha këtyre fjalëve ata që po pësojnë më së shumti janë qytetarët andaj le të fillojnë dhe të veprojnë, të shihen rezultatet…”, tha Retkoceri.

    Çdo ditë, 7 deri në 8 pacientë marrin trajtim mjekësor prej sulmeve nga qentë endacakë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Kafshët e mbrojtura me ligj, në rrezik nga gjuetarët ilegalë

    Kafshët e mbrojtura me ligj, në rrezik nga gjuetarët ilegalë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Kështu kaq lirshëm si këta kaproj po lëvizte edhe një dre në Malësinë e Marecit, në komunën e Prishtinës, derisa u vra nga gjuetar ilegal.

    Dy javë më parë, koka e kësaj kafshe u gjet e varur në pemë, e gëzofi në qese.

    Vrasja e drerit është shkelje e ligjit për gjuetinë, dhe dënohet nga 1 mijë deri në 10 mijë euro.

    Kryetari i Federatës së Gjuetarëve, Nuredin Ibishi, thotë se këtë vepër e kanë bërë ilegalët.

    “Si specie janë të mbrojtura nuk ka të drejt askush me i gjuajt ata. Para pak kohësh e kemi pa një drerë të vrarë në teren në Marec. Kjo flet për gjuetinë ilegale, është e dënueshme, së pari nuk janë dhanë në menaxhim terrenet e Prishtinës. Gjuetarët ilegal që i vrasin në mënyrë të kundërligjshme, speciet e mbrojtura dhe speciet e tjera që janë në mungesë në Kosovë”, tha Ibishi.

    Ndërsa fotografi i botës së egër, Arian Mavriqi, ngrit alarmin se ka edhe kafshë tjera që mbrohen me ligj në Kosovë, por janë në rrezik të vriten.

    “Për fat të keq numri i drerëve nuk ka qenë i kënaqshëm që një kohë të gjatë. Këtë na vërteton edhe kamerat kurth që i kemi vendosur. Jemi në kulmin e rrezikshmërisë për tu zhdukur fare për shkak të gjuetisë ilegale. Për fat të keq në shënjestër eshët edhe ariu, e disa shpezë. Por më së shumti problemin e kemi te vrasja e kaprojve autokton edhe dhive të egra”, tha Mavriqi.

    Sezoni i gjuetisë është hapur më 5 nëntor 2023, dhe tashmë është mbyllur më 29 janar.

    Ndërkaq, dënimi sipas ligjit, nëse gjuetari gjuan kafshë të egra jashtë sezonit të hapur, është nga 1.000 deri 10.000 €.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Mjeti shpërthyes në Rrugën B, ende enigmë

    Mjeti shpërthyes në Rrugën B, ende enigmë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Veturë e markës së njëjte u parkua në po të njëjtin vend edhe të shtunën mbrëma, në Rrugën B në Prishtinë.

    Por pronari me të shkuar tek vetuar e tij, hasi në një mjet të dyshimtë, për të cilin u tha se është mjet shpërthyes.

    Por se a ishte eksploziv apo jo, ende nuk është bërë e ditur, madje një gjë e tillë nuk u tha as në raportin 24 orësh të policisë.

    “Prishtinë / 17.02.2024 – 19:40. Viktima mashkull kosovar ka raportuar se person-a të panjohur dyshohet se i kanë montuar diçka të dyshimtë në veturën e tij të parkuar. Njësit relevante policore, zjarrfikësit, ndihma e shpejtë dhe prokurori kujdestar për krime të rënda kanë dalur në vendin e ngjarjes, ku njësiti i EOD-së kanë bërë tërheqjen e mjetit të dyshimtë nga vetura, në mënyrë të sigurt dhe pa incidente”, thuhet në raportin e Policisë.

    Gjatë ditës ATV, foli edhe me zyrtarë të policisë për rajonin e Prishtinës, por ata nuk treguan nëse kanë marrë konfirmim nga njësia për deminim, se a ishte apo jo mjet shpërthyes.

    Krejt kjo situatë e krijuar u pa me shqetësim nga banorët e kësaj lagjeje.

    “Kemi dëgjuar për një mjet të dyshimte, në një veturë, kjo është shumë shqetësuese, sepse ka frekuentim të madh të qytetarëve. Është një pasiguri te qytetarët”, tha Ismet Hashani, banor në “Rrugën B”.

    “Nuk ka ndodh më parë këso sene, edhe është shumë tragjike nëse ndodhin raste te tilla”, tha Elion Ademaj, banor në “Rrugën B”.

    Pas largimit të automjetit nga policia, rruga ishte liruar për qarkullim, mbrëmjen e së shtunës.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Lëndimi nga acidi klorhidrik, KPMM i gjen shumë shkelje “Trepçës”

    Lëndimi nga acidi klorhidrik, KPMM i gjen shumë shkelje “Trepçës”

    Përgatiti: Armand Hoti

    Dy minatorë rrezikuan ta humbasin shikimin, e 11 të tjerë morën lëndime më të lehta nga acidi klorhidrik, një muaj më parë, në minierën e Trepçës në Stan Tërg.

    I gjithë procesi i bartjes së këtij lëngu për pastrim të gypave, po del se është bërë pa masa mbrojtëse, e nga minatorë të pakualifikuar.

    Shkelje të tjera të rënda konstatoi Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, në raportin për këtë ngjarje, të siguruar nga ATV-ja.

    “Dimensionet e bidonit me acid kanë qenë shumë më të mëdha se ato të karrocës, dhe ena nuk ka qenë e lidhur për platforme. Pas arritjes së materialit në horizontin e XI-të, gjatë nxjerrjes nga kafazi të bidonit, si rezultat i peshës së liruar dhe tundjes së acidit, bidoni ka rrëshqitur nga platforma dhe është rrëzuar, duke u qarë dhe derdhur acidi klorhidrik”, thuhet në raportin e KPMM-së.

    Gjetjet thonë se minatorët u rrezikuan në vend pune, meqë as nuk e dinin se dikush po e sillte acidin në atë kohë.

    “Nuk është bërë vendosja e bllokadave siguruese të kafazit ndaj lëvizjeve/oscilimeve të tij gjatë bartjes dhe transportit të materieve të rrezikshme (acidit klorhidrik); Nuk ka pasur dhe nuk është përfillur procedurë standarde operative për punën/transportin me materie të rrezikshme (acid klorhidrik); Udhëzimet e punës për transport të materieve të rrezikshme kanë munguar; Punëtorët e minierës nuk kanë qenë të informuar lidhur me transportin e materieve të rrezikshme (acidit klorhidrik) në minierë dhe me rastin e aksidentit kanë qenë të rrezikuar”, thuhet në raportin e KPMM-së.

    Komisioni i formuar nga vetë ndërmarrja, nuk ka dhënë asnjë rekomandim se si të parandalohet përsëritja e këtij aksidenti.

    Për këtë joprofesionalizëm, Trepça do të gjobitet me 15 mijë euro, ndërsa KPMM do të iniciojë edhe procedura gjyqësore.

    Dy minatorët e lënduar më rëndë atë ditë, janë liruar nga spitali i Mitrovicës javën e kaluar, kurse ende nuk iu kanë kthyer horizonteve të minierës.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Përvjetori i pavarësisë, PDK në Itali me tubim madhështorë

    Përvjetori i pavarësisë, PDK në Itali me tubim madhështorë

    Dega e PDK-së në Itali ka organizuar një tubim madhështorë për nder të përvjetorit të pavarësisë së Kosovës.

    Në këtë tubim në të cilin morën pjesë një numër i madh i shqiptarëve që jetojnë këtë shtet, prezent ishin edhe strukturat më të larta drejtuese të këtij subjekti.

    Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi në fjalën e tij ka kujtuar gjithë ata që janë më meritorët për lirinë e Kosovës, dëshmorët e Kombit.

    Krasniqi ka folur edhe për krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë, pa të cilët, sipas tij, është e zbehtë çdo festë.

    Kreu i PDK-së ka thënë se zotimi i tij dhe subjektit që ai e drejton është që ta bëjë Kosovën një shtet me të cilin krenohen qytetarët e saj dhe një shtet dinjitoz.

    Ai ka çmuar kontributin e diasporës dhënë para, gjatë dhe pas lufte.

    Krasniqi ka përgëzuar degën e PDK-së në Itali për organizimin e sotëm.

    Ndërsa, kryetari i PDK-së në Itali, Patriot Krasniqi ka thënë se po e shënojnë edhe këtë përvjetor pa prezencën e idetorëve dhe kreatorëve të UÇK-së dhe pavarësisë së Kosovës.

    Krasniqi i ka bërë thirrje të gjithëve që sa më shumë ta mbështesin PDK-në veçanërisht në diasporë, pasi sipas tij, PDK është adresa e dëshmuar në të gjitha etapat.

    Të pranishmëve me nga një fjalë rasti i janë drejtuar edhe Vlora Çitaku, Elmi Reçica dhe Ragip Xhaka.

  • Osmani: Qeveria dhe aleatët të ulen e të merren vesh për një plan për heqjen e dinarit

    Osmani: Qeveria dhe aleatët të ulen e të merren vesh për një plan për heqjen e dinarit

    Presidentja Vjosa Osmani tha se problemi që lindi mes Qeverisë së Kosovës dhe ndërkombëtarëve në lidhje me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës e cila e largon nga përdorimi dinarin serb në vend, është “mënyra se si u komunikua”.

    Osmani tha se “gjithçka që kemi arritur në këtë vend është rezultat i bashkëpunimit me partnerët tanë ndërkombëtarë”.

    Ajo tha se duhet të dilet nga kjo situatë duke arritur një marrëveshje me partnerët për një plan zbatimi të rregullores së re të BQK-së.

    Osmani tha se ka hapësirë “për t’u ulur dhe për të diskutuar mes qeverisë dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë”, për të punuar rreth kësaj çështjeje.

    “Unë mendoj se është vetëm çështje komunikimi”, the presidentja në një intervistë për mediumin arab “Al Aan” dhënë më 8 shkurt, të cilën Presidenca e shpërndau sot në Facebook.

    Osmani u shpreh e sigurt se do të zgjidhet çështja e dinarit, pasi tha se “nuk ka pse të mos zgjidhet”.

    “Do të ishte qesharake të mos zgjidhej”, tha ajo.

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier ka thënë të enjten në një konferencë për media se padëgjueshmëria e Qeverisë në lidhje me dinarin veçse i ka prekur raportet mes shteteve.

  • Ziadin Sela merr drejtimin e Aleancës për Shqiptarët, Kongresi e shkarkon Taravarin

    Ziadin Sela merr drejtimin e Aleancës për Shqiptarët, Kongresi e shkarkon Taravarin

    Aleanca për Shqiptarët (ASh) ka mbajtur sot kongresin e jashtëzakonshëm, të thirrur nga Ziadin Sela.

    Me 591 vota është shkarkuar Arben Taravari nga pozita e kryetarit të ASH-së, pasi vendosi ta vazhdonte rrugën e tij me opozitën shqipatre. Ziadin Sela, si kandidat i vetëm e rimori drejtimin e partisë.

    Kjo mbledhje erdhi si reagim ndaj zhvillimeve të fundit brenda partisë, pas kongresit të organizuar nga Taravari, ku ai u konfirmua si kandidat i opozitës për president të Maqedonisë së Veriut.

    “Së fundmi jam hasur shumë me pyetjen nëse tash më ASH ka ndonjë kauzë, dhe kjo është e vërtet sepse kauzat e ASH nuk bisedohen më, dhe personat tjerë mendojnë mbeti pa kauzë ne takimet e veta nuk flitet për kauza fliste për gjera dytësore, nëpërmjet kauzave janë zgjedhur problematikat për shqiptarët. Dhe këtu jam të tregoj se ne kemi kauza dhe se do vazhdojmë të punojmë për ta”, tha Sela në fjalën e tij para bashkëpartiakëve.

  • Baza e Kuçovës inagurohet në mars – U programua nga traktati Varshavës, tani NATO po e modernizon

    Baza e Kuçovës inagurohet në mars – U programua nga traktati Varshavës, tani NATO po e modernizon

    Në Kuçovë, pranë bazës së parë ajrore taktike të NATO-s në Shqipëri, ndodhet baza që është ndërtuar fillimisht në komunizëm në vitin 1952 me punë vullnetare, ndërsa që prej janarit të vitit 2022 këtu ka nisur puna ku janë investuar rreth 50 mln euro për të krijuar një infrastrukturë moderne dhe me kushte bashkëkohore për të mundësuar dislokimin e mjeteve ajrore të NATO-s të cilat pritet të kryejnë operacione stërvitore apo ta përdorin për nevoja të tjera të Aleancës.

    “Për bazën e Kuçovës kjo është një gjë e mirë se vihet në lëvizje. Është një bazë që do krijojë mundësi dhe për aftësitë mbrojtëse tonat sepse është e përbashkët po ashtu edhe për ekonominë e qytetit sepse do të ketë punësim. Ajo është një bazë logjistike që do jetë gjithmonë në zhvillim. Eshtë në një pozicion jazhtzakonisht të mirë jo vetëm për vendin tonë por për gjithë rajonin”, tha Viktor Vangjeli-ish pilot në regimentin Kuçovë, për Top Channel.

    Baza ajrore e Kuçovës u ndërtua t’i shërbente Traktatit të Varshavës ku Shqipëria ishte anëtare në 1952, por tani ajo do të jetë në dispozicion të NATO-s, aleancës më të madhe ushtarake që ka njohur njerezimi dhe që i shërben paqes dhe vlerave të demokracisë perendimore.

    “Zona është e hapur komplet nga të gjitha drejtimet që lejon edhe kur bie shi i rëndë dhe gjithë të tjerat avionët të ulen pa pasur problem siç kanë në aeroportet e tjera erë të fortë siç ka Gjadri apo mjegull siç ka Rinasi. Pra është zgjedhur jo vetëm strategjikisht sepse aty ka qenë një aerodrome por edhe për kushtet e fluturimit”, tha Astrit Jaupi-ish pilot.

    Nga kjo bazë pritet që të bëhet edhe kontrolli hapsirës ajrore shqiptare si dhe të ndërtohet qendra e komandimit të dronëve të armatosur Bajraktar TB-2 që priten t’i bashkohem flotës së ushtrisë shqiptare.

    Puna në bazën ajrore të Kuçovës është ende duke vijuar megjithse inagurimi është parashikuar të ndodhë në 4 mars. Puna vijon për rindërtimin e pistës dhe të kullës së kontrollit ndërkohë që janë ndërtuar depot e armatimit dhe të karburantit, vendparkimet e avionëve si dhe stacionet e avarive dhe zjarreve.