ATV

Blog

  • ​Të miturit me alkool e duhan në duar, për një vit u dënuan vetëm dy biznese

    ​Të miturit me alkool e duhan në duar, për një vit u dënuan vetëm dy biznese

    Dukuri brengosëse dhe në rritje po konsiderohet konsumimi i duhanit dhe alkoolit nga të miturit, për çka po kërkohet kujdes nga prindërit e shkollat, por edhe nga bizneset që shesin këto produkte. E derisa monitorimi i bizneseve që nuk respektojnë ligjin që ndalon shitjen e duhanit dhe alkoolit, po duket të jetë sfidues për institucionet, bëhet e ditur se gjatë vitit që shkojë, janë gjobitur vetëm dy biznese.

    MINT në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, thekson se ligji për mbrojtjen e konsumatorit ndalon edhe ekspozimin e duhanit, për të cilën inspektorët e tregut kurdo që hasin raste të tilla ndërmarrin veprime ligjore. Dhe as kjo pjesë nuk respektohet nga marketet.

    “Inspektorët e Tregut në baza ditore, gjatë çdo inspektimi, kanë për obligim të kujdesen që këto dispozita të ligjit të respektohen nga subjektet ekonomike që ndër të tjera merren edhe me shitjen e alkoolit dhe duhanit. Meqenëse si dukuri është e vështirë të evidentohet gjatë inspektimeve, sepse momentin që inspektorët janë prezent operatorët ekonomikë janë të kujdesshëm, mirëpo gjatë vitit 2023, janë evidentuar se në dy raste u është lejuar të miturve të blejnë duhan dhe alkool, pasi që shitësja nuk ka kërkuar që konsumatori të dëshmojë moshën me anë të dokumentit identifikues. Ndaj dy subjekteve ekonomike është iniciuar procedurë në Gjykatë. Gjithashtu, Ligji i lartpërmendur ndalon ekspozimin e duhanit për çka po ashtu inspektorët e tregut, kurdo që hasin në raste të tilla ndërmarrin veprimet ligjore,” thekson MINT në një përgjigje me email.

    Neuropsikiatri Sami Rexhepi thotë për KosovaPress, se është shumë brengosëse shitja dhe konsumimi i pijeve nga të miturit, pasi që është rritur numri i të rinjve të cilët kanë filluar të abuzojnë me duhan dhe alkool, dhe se dëmi i këtyre moshave të reja është shumë i madh në tru dhe mushkëri.

    “Ajo çka është shumë brengosëse është se numri i të rinjve të cilët kanë filluar me abuzuar me duhan dhe alkool është në rritje, brengosëse është edhe vet fakti se mosha gjithnjë më të reja po fillojnë me abuzim, që për pasojë e ka sa më e re të jetë mosha e fillimit të përdorimit apo abuzimit me alkool dhe duhan dëmtimet po flasim për një tru i cili nuk është plotësisht i formuar i pjekur dëmtimet janë shumë të mëdha, sa më e re të jetë mosha dëmi është shumë më i madh, çoftë në tru si organ ,çoftë në mushkëri. Mjerisht që disa ndryshime të cilat shkaktojnë atë moshë të re janë invizibile që do të thotë kur nuk e kemi në rimarrjen e plotë të trurit apo të mushkërive,” thotë Rexhepi.

    Sipas tij, prindërit duhet të jenë më të ndërgjegjshëm rreth kësaj çështje, punëtorët ta respektojnë ligjin për të mirën e fëmijëve. Ai rekomandon që shkollat të bëjnë më shumë kontrolle, pasi që nxënësit gjatë shëtitje të organizuara nga shkolla, përdorin lëndë narkotike dhe substanca të tjera, por gjithashtu gjatë këtyre organizimeve, të mos lejohet hyrja e të miturve në klube të natës.

    “Nuk ka një formulë e cila do të respektohej, kjo duhet të filloj me ndërgjegjësimin e prindërve në radhë të parë, sepse nuk ka prindër që dëshiron që fëmija të konsumojë duhan apo alkool në moshë të re, zakonisht ajo bëhet fillimisht fshehurazi, është ndërgjegjësimi i prindërve për mbikëqyrje më të madhe të fëmijëve, jo në kuptimin e një kufizimi apo ndalese se ai e bënë më kureshtarë një fëmijë për ta provuar se si duket, pastaj është ndërgjegjësimi i punëtorëve në ato shitore që ta respektojnë ligjin për të mirën e fëmijëve, jo vetëm për mos sanksionim si punëtorë, por me mendu gjithmonë se ata fëmijë janë fëmijët e tyre dhe çka kur ata fillojnë të abuzojnë me këto dyja, dhe vjen edhe shkolla se shpeshherë të rinjtë nëpër shëtitje ekskursione kanë gjithmonë disa kënde të fshehta ku marrin duhan, fillojnë me duhan pastaj fillojnë me abuzu edhe me bari dhe substanca tjera psikoaktive edhe njësoj mos me lënë qasje nën moshën 18 vjeçare të rinjve nëpër diskoteka, klube të ndryshme dhe mos me i lënë shumë qasje në jetën e natës për të rriturit,” shton ai.

    Ndërsa, sociologu Gent Xërxa shprehet se në Kosovë, marketet të cilat furnizohen me alkool janë afër shkollave. Por një problem tjetër, sipas tij, është se vet të miturit , shesin alkool apo duhan si shitës ambulativ.

    “Tek të miturit ndikon mjaft keq, ashtu se ligji për mbrojtjen e konsumatorit, neni 15 dhe thotë se nuk duhet t’iu ofrohet, shërbehet apo shitur të miturve, sipas kësaj predispozite lidhet edhe me raportimin e tyre në çoftë se vërehen këto fenomene në drejtori të punës, që mendoj se nuk është një mekanizëm i fortë parandalues me krahasim me vendet e tjera, ku shumica e duhanit dhe alkoolit janë larg shkollave,… 00:39 nuk është si në vendin tonë në çdo 100 metra apo çdo market apo vend tjetër shërbyes… 00:51 Kemi edhe raste të tjera, kemi parë vetë edhe për shkak kushteve të rënda ekonomike, e kemi pa se edhe të miturit shesin vet si shitës ambulativ të cigareve, ashtu si iu imponohet pak nga kureshtja, adoleshenca, jo edukimi adekuat, nga kushtet e rënda që iu imponohet të shesin dhe të jenë afër këtyre gjërave të cilat janë të ndjeshme,” shprehet Xërxa.

    Përndryshe, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kërkon nga konsumatorët që në rast se hasin në shkelje të ligjit ndonjë operator ekonomik, ta deponojnë ankesën pranë Departamentit të Mbrojtjes së Konsumatorit, në numrin pa pagesë: 0800 11000 ose në ueb faqen https://konsumatori.rks-gov.net/.

  • “Kosova një vend special që meriton sukses”, Ambasadori Abbott përshëndetet me kosovarët nëpërmjet një video

    “Kosova një vend special që meriton sukses”, Ambasadori Abbott përshëndetet me kosovarët nëpërmjet një video

    Ambasori i Britanisë së Madhe Nicholas Abbott tashmë është në përfundim të mandatit të tij në Kosovë.

    Ai sot nëpërmjet një videoje disa minutëshe, ka zgjedhur fjalët e tij më të mira për Kosovën dhe kosovarët.

    Thotë se nga të gjitha vendet që ka vizituar, Kosova është një vend i veçantë që meriton sukses

    “Ka qenë një eksperiencë e veçantë. Mirëpritja e ngrohtë e popullit këtu ka bërë që puna dhe jetesa këtu të jetë ndryshe nga çdo gjë tjetër që kam bërë ndonjëherë. Ndërkohë që ka pasur sfida në katër vjet e gjysmë të fundit përfshirë COVID-in”.

    Ai ka vazhduar duke thënë se marrëdhënia e ngushtë dhe e fortë mes vendeve tona do të thotë që ne të mbetemi partnerë dhe aleatë.

    “Mburrem me trajnimin që ua ofruam FSK-së, dhe fokusi ynë do të jetë i vazhdueshëm për mbështetjen e familjeve që janë ende në pritje të lajmeve për të dashurit e tyre të rezultojnë ende të zhdukur”.

    Abbott ka një porosi edhe për udhëheqësit e në Kosovë.

    “Unë nuk kam recetë të lehtë për zgjidhje, por u bëj thirrje atyre që udhëheqin Kosovën të krijojnë një vizion të një vendi modern demokratik, i cili mbështet, inkurajon dhe mbron qytetarët e tij të të gjitha komuniteteve pa dallim”.

  • Musliu: U diagnostikova me një problem në zemër, tërhiqem përkohësisht nga puna

    Musliu: U diagnostikova me një problem në zemër, tërhiqem përkohësisht nga puna

    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu do t`i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale, e cila do të kryhet jashtë vendit.

    Deputetja Musliu ka thënë se është diganostifikuar që dy vite më një problem në zemër.

    Ajo ka shkruar në Facebook se do të largohet përkohësisht nga puna e saj si deputete e Kuvendit të Kosovës.

    “Tani, me rekomandim të mjekëve kosovarë, më duhet t’i nënshtrohem një ndërhyrjeje kirurgjikale, e cila (për fat të keq) do të kryhet jashtë vendit, pasi që mjekëve në Kosovë, përkundër kompetencës së shkëlqyer profesionale, ende nuk u janë krijuar kushtet që ata i meritojnë”, ka shkruar ajo.

    Ajo ka falënderuar repartin e Kardiologjisë dhe Kardiokirurgjisë në QKUK, Spitalin Amerikan që janë kujdes për të dhe të gjithë ata të cilët janë lutur dhe i kanë uruar gjithë të mirat.

    “Gjatë gjithë kohës jam trajtuar në Kosovë dhe dua të falënderoj të gjithë mjekët që punojnë në repartin e Kardiologjisë dhe Kardiokirurgjisë në QKUK dhe në Spitalin Amerikan që u kujdesën për mua. E falënderoja po ashtu çdo institucion dhe çdo individ që ishte pranë meje dhe më ofroi mbështetje”, ka shkruar Musliu në Facebook.

  • Gërvalla takon ministrat e Jashtëm të Kroacisë, Portugalisë dhe Lihtenshtajnit, flasin për sigurinë

    Gërvalla takon ministrat e Jashtëm të Kroacisë, Portugalisë dhe Lihtenshtajnit, flasin për sigurinë

    Në takime të ndara, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla takoi ministrin e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grlic Radman, ,inistrin e Punëve të Jashtme të Portugalisë, João Gomes Cravinho si dhe ministren e Punëve të Jashtme të Lihtenshtajnit, Dominique Hasler.

    Në komunikatë thuhet se gjatë këtyre takimeve, ministrja Gërvalla i njoftoi homologët e saj rreth proceseve nëpër të cilat po kalon Kosova, duke përfshirë sigurinë dhe tendencat destabilizuese të Serbisë, të cilat e rrezikojnë hapur sigurinë dhe stabilitetin jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe më gjerë.

    “Bashkëpunimi në fushën e ekonomisë dhe mbështetja për Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në mekanizma ndërkombëtarë ishte gjithashtu pjesë e rëndësishme e diskutimit të frytshëm bilateral me Kroacinë, Portugalinë dhe Lihtenshtajnin”, thuhet në njoftim.

  • Sarrazin: Kosova dhe Serbia duhet ta çojnë përpara zbatimin e Ohrit

    Sarrazin: Kosova dhe Serbia duhet ta çojnë përpara zbatimin e Ohrit

    Në kuadrin e Konferencës së Sigurisë në Mynih, i ngarkuari i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, thekson për DW se qëllimi është integrimi i suksesshëm i Ballkanit Perëndimor në BE.

    DW: Në Konferencën e Sigurisë në Mynih kësaj radhe të binte në sy, që në programin zyrtar nuk kishte asgjë për Ballkanin Perëndimor. Ndonëse pati dy evente anësore, ku shënohej Ballkan, ishte evidente mospërfshirja në rend dite. Si duhet shpjeguar?

    Manuel Sarrazin: Unë besoj se secili e di, që ne ndodhemi në një fazë, kur lufta në Ukrainë, çështja e rendit të ardhshëm botëror, zgjedhjet në SHBA dhe Trumpi, duket se qëndrojnë në plan të parë një herë për një herë. Besoj se nuk duhet të harrojmë, se në të gjitha këto çështje aftësia strategjike e Evropës për ta zhvilluar pozitivisht Ballkanin Perëndimor, do të jetë vendimtare për pyetjen, nëse do të na marrin seriozisht në çështjet e tjera. Sigurisht që nga BE kërkohet që të furnizojë Ukrainën, por tema së paku e dyta për nga rëndësia është Ballkani Perëndimor. Nëse atje kapaciteti i BE nuk funksionon në mënyrë adekuate, si mund të na marrë seriozisht dikush shumë, shumë larg nesh, në konkurrencën globale për çështjet e mëdha botërore, transmeton KosovaPress.

    DW: Pati një panel lidhur me zgjerimin e BE. Në të mori pjesë presidentja e Gjeorgjisë, një përfaqësuese e Ukrainës, Ballkani Perëndimor mungonte edhe atje. Dhe kur je në rajon, ke shpesh përshtypjen se njerëzit në fakt kanë frikë, se tema e tyre margjinalizohet si rrjedhojë e sfidave të mëdha që sjell Ukraina. Si e interpretoni këtë situatë?

    Manuel Sarrazin: Unë e kuptoj që shumë njerëz kanë, të themi frikë, se e shohim veten prej shumë kohësh duke pritur dhe tani të tjerët duket sikur po e parakalojnë Ballkanin. Së pari mendoj se duhet të kemi parasysh, se çdo histori suksesi e secilit vend drejt zgjerimit do t`i sjellë dobi të gjithëve. Ukraina ka bërë që Evropa të jetë e vendosur për ta dashur zgjerimin edhe me Ballkanin Perëndimor, të gjitha kryeqytetet, jo vetëm Berlini apo Brukseli, edhe të tjerët. Kancelari dhe ministrja e Jashtme janë shumë të lidhur me zgjerimin e Ballkanit Perëndimor në biografinë dhe mendësinë e tyre. Ukraina dhe Ballkani Perëndimor për ne nuk përbëjnë kundështi, por të dy kanë një rëndësi të jashtëzakonshme gjeostrategjike.

    DW: Kurrë më parë nuk ka pasur një formacion kaq të mirë të përfaqësuesve për Ballkanin në BE. Nga ana tjetër koha po ikën, ne jemi tani pak para zgjedhjeve evropiane dhe do të ketë me siguri shumë ndryshime në nivel evropian. Çfarë duhet të nxjerrim nga kjo për politikën ndaj Ballkanit Perëndimor. Çfarë duhet të ndodhë në këtë dritare të shkurtër që është ende aty?

    Manuel Sarrazin: Unë mendoj se është e qartë, të gjithë e kanë të qartë, që në këto kohë po shkruhet histori. Historia shkruhet shpesh më shpejt nga ç`e mendon. Unë mund të them se nuk kam përshtypjen, se punës, veprimtarisë sime po i ikën koha, por çështja është që të punojmë së bashku, që ne, politika e qeverisë gjermane si shtet anëtar i BE-së, të japim kontributin tonë, në mënyrë që koncerti evropian të jetë i suksesshëm në Ballkanin Perëndimor. Dhe ne të gjithë punojmë për një qëllim, që është integrimi i suksesshëm i Ballkanit Perëndimor në BE. Dhe komisioni do të bëjë së shpejti propozime të reja, për ta bërë më të besueshëm rrugëtimin drejt këtij qëllimi.

    DW: Le të ndalemi edhe tek Bosnja e Kosova: Për Bosnjën 12 marsi është një moment i rëndësishëm. A nuk të krijohet përshtypja se vendi po bën një zhvillim politik për të plotësuar më mirë klauzolat e tij. Çfarë duhet të ndodhë nga këndvështrimi juaj si i Ngarkuar për Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që nga 12 marsi të hapet ndoshta një kapitull i ri?

    Manuel Sarrazin: Koalicioni ka dhënë disa sinjale subtile, se është i gatshëm të bëjë disa reforma paraprakisht, për të na mundësuar që ta ndjekim pozitivisht rrugën. Këtë do ta shohim, shenjat subtile i shohim, por duam t`i shohim vërtet. Kjo më duket se është situata, ashtu siç është, dhe ne sigurisht që do ta mbajmë të fortë presionin, me qëllim që të shohim sa më shumë zhvillime pozitive. Vendimtare është besueshmëria, që ne të jemi të bindur se rruga e reformave do të vazhdohet më tej në mënyrë të qëndrueshme. Dhe për këtë ne duam të marrim sinjale nga Sarajeva.

    DW: Sfera e dytë e konfliktit, apo ndoshta më e madhja në rajon, vazhdon të jetë çështja Kosovë – Serbi – dialogu. Shumë janë të dekurajuar, bëhen dy hapa përpara dhe pastaj dy prapa, nganjëherë tri hapa prapa dhe një hap para, dhe për këtë shumë edhe kanë thënë, ndoshta dritarja tani mbyllet, kush e di çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve evropiane, pas zgjedhjeve në SHBA. Cila është qasja e të Ngarkuarit për Ballkanin Perëndimor për të sjellë atje një përparim, në mënyrë që dikur të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme në marrëdhënien ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

    Manuel Sarrazin: Së pari duhet thënë se dritarja nuk është mbyllur ende. Ne kemi të dërguarin e posaçëm të BE, Miroslav Lajcak, i cili punon, ai ka një agjendë dhe do që të arrijë zbatimin dhe implementimin e Ohrit. Dhe qasja jonë është që ta mbështesim atë dhe të bëjmë gjithçka, që kjo dritare të shfrytëzohet, të cilën Miroslav Lajcak e plotëson tani. Ai është shumë aktiv dhe kjo është qasja jonë. Më duket se nuk ka kuptim të mendosh shumë, se çfarë do të vijë paskëtaj. Ne jemi për Ohrin dhe duam që të dyja palët ta çojnë përpara zbatimin e Ohrit dhe mendoj se kjo është vendimtare. Unë shoh në të dyja palët se politika e brendshme do të bëhet një faktor i rëndësishëm. Dua ta them në mënyrë eksplicite; e ardhmja e të gjithë rajonit është në BE dhe kjo duhet të qëndrojë nganjëherë mbi politikën e brendshme.

    DW: Si Vuçiç ashtu edhe Albin Kurti ishin në Mynih. Ka ndonjë lajm pozitiv pas bisedimeve me këto dy politikanë për t`u treguar apo ndonjë shenjë shprese? Pati ndonjë impuls për të cilin mund të thuhet se po ndodh diçka?

    Manuel Sarrazin: Jo diçka për cilën unë mund të flisja këtu. Por një gjë mund të dihet me siguri, se qeveria gjermane mbetet e angazhuar për të bërë gjithçka, në mënyrë që këtu së shpejti të këtë përparim./DW

  • O’Brien shkon për vizitë në Mal të Zi, pak ditë pas deklaratës për partneritetin me qeverinë e Kosovës

    O’Brien shkon për vizitë në Mal të Zi, pak ditë pas deklaratës për partneritetin me qeverinë e Kosovës

    Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien do të vizitojë sot Malin e Zi.

    Në mesin e shumë takimeve, ai do ta zhvillojë një të tillë edhe me kryeministrin malazez, Milojko Spajiq, pas të cilit do të ketë edhe deklarime për media, raporton RTCG.

    Më pas, është paralajmëruar një takim i dialogut ekonomik malazezo-amerikan.

    Zyrtari i lartë amerikan i cili sot viziton Malin e Zi, në një intervistë dhënë ditë më parë për Zërin e Amerikës “deklaroi se SHBA-ja është e shqetësuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit.

    O’Brien deklaroi mes tjerash se me këtë qëndrim, Qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

    “Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thosha, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tha O’Brien.

    “Kosova duhet të tërhiqet nga vendimi për dinarin, thotë zyrtari i lartë amerikan. Ndonëse Shtetet e Bashkuara e kishin këshilluar qeverinë e Kosovës kundër një veprimi të tillë, ajo vendosi ta zbatojë atë, pa konsideruar këshillat e partnerëve kryesorë”, shtoi ai.

    I pyetur lidhur me marrëdhëniet Kosovë Serbi që pas marrëveshjeve të Ohrit, O’Brien tha se zbatimi i tyre, i përket secilës palë të ndërmarrë veprimet e veta, e pakushtëzuar nga pala tjetër. Serbia tha ai, ka marrë dy hapa të rëndësishëm drejt njohjes de-fakto të Kosovës, si çështja e targave dhe dokumenteve doganore.

  • Propaganda e re e ministrit serb: E kemi ushtrinë e fortë, Kurti e ata që e mbështesin do të kishin bërë lëvizje shumë më të vështira drejt nesh

    Propaganda e re e ministrit serb: E kemi ushtrinë e fortë, Kurti e ata që e mbështesin do të kishin bërë lëvizje shumë më të vështira drejt nesh

    Kryetari i Partisë Progresive Serbe (SNS), Millosh Vuçeviq, tha sot se qeveria në Beograd do të formohet “nëse do të ketë një konsensus të plotë” me partitë politike që do të formonin koalicionin qeverisës me SNS-në.

    Vuçeviq i tha RTS-së, me rastin e seancës konstituive të Kuvendit të qytetit të Beogradit, e cila është planifikuar të fillojë në orën 10:00, se nëse nuk ekziston një “vullnet i qartë politik”, zgjedhjet e reja lokale do të mbahen brenda afatit të caktuar me ligj.

    Ai shtoi se në parlamentin republikan, ku SNS ka shumicën absolute, gjithçka është “shumë më e sigurt” dhe se vazhdimi i seancës konstituive të Parlamentit serb do të caktohet “në ditët dhe javët në vijim”.

    I pyetur nëse mund të thuhet më saktë se kur do të jetë, Vuçeviq tha se vazhdimi i seancës së Kuvendit të Serbisë do të caktohet “kur të krijohen kushtet politike, kur të arrihet një marrëveshje politike”.

    “Shteti funksionon, nuk jemi vonë”, tha ai.

    Me rastin e seancës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, e cila u mbajt së fundi me kërkesë të Serbisë për shkak të vendimit të autoriteteve në Prishtinë për të anuluar transaksionet e pagesave me Serbinë në dinarë, Vuçeviq tha se mbajtja e saj ishte “një nga suksese”, dhe se suksesi ishte që seanca ishte publike.

    Vuçeviq shtoi se “ajo betejë politike do të vazhdojë”.

    “Me aftësi politike, diplomatike, të gjitha të njohura dhe të panjohura, ta shpëtojmë popullin serb në Kosovë”, tha Vuçeviq, i cili është edhe ministër i Mbrojtjes i Serbisë.

    “Nëse nuk do të kishim ushtrinë që kemi, Kurti dhe ata që e mbështesin do të kishin bërë lëvizje shumë më të vështira drejt nesh”, tha Vuçeviq.

    Ai shtoi se “ekziston rrezik” për përkeqësim të situatës së sigurisë, por se pala serbe po përpiqet ta zvogëlojë atë “në masën më të vogël të mundshme”.

  • Mbappe nënshkruan me Real Madridin deri në vitin 2029

    Mbappe nënshkruan me Real Madridin deri në vitin 2029

    Real Madrid thuhet se ka siguruar nënshkrimin e Kylian Mbappes tashmë, më shumë se një dekadë pasi ata u përpoqën për herë të parë të nënshkruanin me francezin.

    Sipas MARCA, marrëveshja u nënshkrua dy javë më parë pas rreth një muaji bisedimesh mes nënës dhe agjentes Fayza Lamari, avokates së tij Delphine Verheyden dhe Drejtorit Menaxhues Jose Angel Sanchez. U tha se marrëveshja do të ndodhte vetëm me kushtet e Real Madridit këtë herë, dhe duket se ata kanë arritur rrugën e tyre.

    Ndërsa Real Madridi ka kompromentuar me të drejtat e imazhit – më herët u raportua se Mbappe do të fitonte rreth 60 për qind të tyre – Mbappe ka bërë një ulje të madhe pagash. Marrëveshja e tij do ta bëjë atë të fitojë një pagë neto prej 15-20 milionë euro në vit, për një periudhë pesëvjeçare. Kjo është një ulje që i afrohet gjysmës së pagës së tij prej 32 milionë euro në vit në PSG.

    Po kështu bonusi i nënshkrimit gjithashtu ka rënë ndjeshëm nga 130 milionë euro që ishin rënë dakord, pasi tani do të jetë nën 50 milionë euro. Në PSG, në marrëveshjen e tij të fundit të nënshkruar dy vera më parë, bonusi i nënshkrimit të tij ishte 60 milionë euro, dhe ai gjithashtu kishte një bonus besnikërie prej 80 milionë euro, megjithëse ka raportime kontradiktore nëse Mbappe do të heqë dorë nga disa nga këto para.

    Mbappe do të shkojë drejt e në krye të pagave të Real Madridit, dhe padyshim është më i paguari në historinë e tyre duke marrë parasysh edhe të drejtat e tij të imazhit, por për sa i përket nënshkrimit të përgjithshëm, duhet të konsiderohet si një super marrëveshje për Real Madridin.

    Të mos paguhet për tarifën e tij të transferimit, si dhe duke e vënë atë vetëm disa milionë mbi fituesit më të mëdhenj në skuadër do të thotë se nuk do të jetë një marrëveshje që kushtëzon klubin financiarisht gjatë viteve të ardhshme. Fakti që ai ka nënshkruar një marrëveshje pesëvjeçare do të thotë gjithashtu se Real Madrid mund të ecë përpara pa frikën e bisedimeve për kontratën e Mbappe në horizont në çdo kohë së shpejti, siç ka ndodhur me PSG-në kohët e fundit.

  • Tërmet në Bosnjë e Hercegovinë

    Tërmet në Bosnjë e Hercegovinë

    Një tërmet është regjistruar sot në mëngjes në Bonjë e Hercegovinë me magnitudë 4.2 ballë të shkallës Rihter.

    Qendrës Sizmologjike Euro-Mediterane (EMSC) shkruan se tërmeti ka qenë me epiqendër 11 kilometra në verilindje të Sarajevës, transmeton kp.

  • Qeverisë i kërkohet ta ndal projektligjin që kontrollon mediat online

    Qeverisë i kërkohet ta ndal projektligjin që kontrollon mediat online

    Projektligji i cili është dorëzuar nga Qeveria në Kuvendin e Kosovës lidhur me monitorimin e mediave, përmes të cilit video incizimet dhe audio materialet e mediave online, do të kontrollohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave, nuk është pritur mirë nga vet mediat. Ky projektligj me rregulloret të cilat i përmban, po konsiderohet si sulm dhe tendencë e qeverisë për të penguar mediat në punën e tyre.

    Ndërsa, nga Komisioni i Pavarur për Media, kanë treguar se të gjitha mediat që prodhojnë video dhe programe audiovziuele, para publikimit të materialit, do t’u nënshtrohen rregulloreve të KPM-së.

    Në lidhje me këtë projektligj, kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha ka thënë se qeveria përmes këtij projektligji ka treguar tendenca të tjera kundër mediave në vend.

    “Ne e kundërshtojmë formën se si qeveria e ka paraqitur në Kuvendin e Kosovës, ligjin për KPM. Është një ligj i ri, i cili parasheh rregullimin e mediave online që ofrojnë video përmbajtje nga Komisioni i Pavarur i Mediave. Ne konsiderojmë që kjo është e pamundur sepse do të kufizonte pluralitetin e mediave por qëllimi i qeverisë që të shtojë numrin e anëtarëve të KPM-së, nga shtatë në njëmbëdhjetë, e shohim si tendencë nga kjo qeveri. Pikat kryesore të ligjit kanë të bëjnë përveç tjerash se KPM bënë rregullimi dhe monitorimin e televizioneve dhe radiove dhe futjen në të njëjtin vend edhe të mediave online dhe dënimet mund të shkojnë deri 40 mijë euro, të cilat konsiderohen se janë të papërballueshme për secilën media online…Kjo na lë të kuptojmë që përkundër faktit që ligji në pjesën kryesore mund të jetë i shkruar mirë dhe lidhet me Bashkimin Evropian, në praktike kjo qeveri ka treguar tendenca për të kontrolluar KPM-në, dhe nëpërmjet saj për të disiplinuar mediat që janë kritike ndaj saj. I bëjmë thirrje qeverisë që të mos e dërgojë tutje’, tha Rexha.

    Edhe drejtori i mediumit online “In Fokus”, Shkelzen Dakaj tha se shumë mediume online i përmbahen atyre rregullave dhe se nuk ka pasur nevojë për asnjë ligj për të kontrolluar mbi ato.

    “E kemi një qeveri që kur ka ardhur në pushtet, ka një tendencë dhe një armiqësi për të kontrolluar mediat. Këtë rast me kontrolluar lirin e fjalës me censuruar atë që edhe vet demokracinë e një shteti. Mediat duhet të rregullohen, ne që jemi, njihemi si emër të kujt jemi, dihen gazetarët të cilët punojnë, pjesën dërmuese të rregullave që kanë paraparë ky ligj, ne as sot nuk i shkelim. Nuk është arsyeja kjo pse ne po e kundërshtojmë këtë ligj. Problemi është që shumë media në Kosovë, ka qenë trend që plot individë kanë krijuar platforma online dhe sot e dëmtojnë edhe reputacionin e mediave, si duhet të kontrollohen ato. 02:56 Ligji i cili nënkupton që nesër do të kontrolloj përmes KPM-së, atëherë kjo është një tendecë për të bërë një kontroll. Ne prej In Fokus kemi propozuar që mediat duhet të identifikohen, mediat të cilat kanë kryeredaktorë, redaktorë, gazetarë, që janë media kredibile duhet të promovohen më tepër që qytetari i rëndomtë të dijë se ku e merr informacionin”, tha Dakaj.

    Kundër këtij projektligji janë shprehur edhe në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), organizoatë kjo e cila shqyrton të gjitha ankesat e qytetarëve dhe institucioneve lidhur me mediat.

    Ndërsa, nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, kanë thënë se synimi i qeverisë përmes këtij projektligji është që të sigurohet një mbrojtje më e mirë për shoqërinë, ndaj transmetimeve mediatike.

    “Misioni i OSBE-së në Kosovë mirëpret synimin e Qeverisë për ndryshim dhe plotësimin e Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) në përputhje me direktivën e BE-së për Shërbimet Mediale Audiovizive. Me këtë do të sigurohet një kuadër më i zbatueshëm për mbrojtjen e konsumatorëve, promovimin e diversitetit kulturor dhe pluralizmin mediatik.Megjithatë, KPM-ja, duhet të ketë kujdes në zbatim të rregullimit, ashtu që të shmang kufizimin e papërshtatshëm të lirisë së shprehjes dhe ndikimin e padrejtë në përmbajtjen mediatike në platformat e shkëmbimit të videove në internet. Në veçanti, projektligji do të synojë artikulimin efektiv të standardeve dhe parimeve sipas së cilave do të nxirren aktet e nevojshme nënligjore”, kanë shkruar OSBE.

    Kryetari i Komisionit të Pavarur për Media, Jeton Mehmeti tha se projektligjit, mediat online duhet të regjistrohen në KPM dhe t’u nënshtrohen rregulloreve që përmban KPM-ja.

    “Projektligji për Komisionin e Pavarur parasheh disa nene dhe njëra prej tyre është edhe mediat online, gjithsesi në këtë kuptim ai projektligj sa e kemi parë ne parasheh që të gjitha mediat të cilat funksionojnë në Kosovë dhe ofrojnë programe audiovizuele, në kuptimin me video, duhet të regjistrohen në KPM. Ato media nuk kanë nevojën për licencë, por vetëm të regjistrohen dhe në atë moment ato duhet të i nënshtrohen rregullave dhe kodit të etikë së KPM. Kështu që qytetari kur sheh ndonjë shkelje të kodit të etikës do të ketë adresë KPM për të u ankuar për përmbajtje vizuele. 55:46 Ju e dini që ky projektligj ka edhe një kosto financiare dhe nëse kuvendi vazhdon me miratimin e këtij ligji, ne dëshirojmë që të ketë parasysh edhe koston financiare në kuptimin e rritjes kapaciteteve njerëzore, pra shtimin e stafit të KPM-së. Dhe rritjen e kapaciteteve pjesëve teknike në kuptimin e monitorimit të mediave të reja”, tha Mehmeti.