ATV

Blog

  • 79 vjet nga vrasja e Shaban Polluzhës

    79 vjet nga vrasja e Shaban Polluzhës

    Më 21 shkurt të vitit 1945 në fshatin Tërstenik të Drenicës vritet Shaban Polluzha, njëri ndër komandantët më të njohur të zonës së Drenicës gjatë Luftës së Dytë Botërore.

    Shaban Polluzha rrjedh nga një familje me gjendje ekonomike mesatare. Shabani nuk ishte i arsimuar, por si i ri u inkuadrua në jetën politike, të cilën ia imponuan rrethanat dhe padrejtësitë e regjimeve pushtuese.

    U përball me bullgarë e austriak gjatë Luftës së Parë Botërore, dhe me regjimin e Jugosllavie borgjeze. Gjatë mbretërisë jugosllave ishte i inkuadruar në jetën politike, kryetar e deputet. Shpesh konfrontohej me qarqet e regjimit antipopullorë dhe për një kohë u detyrua të kalojë në ilegalitet në Shqipëri.

    Gjatë Luftës se Dytë Botërore ishte komandant i një pjese të frontit në Mal të Zi, Kollashin dhe Sanxhaku i Tregut të Ri, ku u dallua për organizim e strategji. Ishte anëtar i Këshillit të Islihatit (gjyqit paqetues) dhe me propozimin e Miftar Bajraktarit e emërojnë kryetar të Islihatit në Drenicë. Shaban Polluzha kishte edhe taktikë politike.

    Ai me strategji politike kishte bërë njëfarë lidhje formale dhe mashtruese me qarqet komuniste, por në realitet ai asnjëherë këtë ideologji nuk e pranoi si ideologji që do të zgjidhte çështjen shqiptare. Për këtë paria dhe këshilli organizativ i Kuvendit të Skenderajt e propozuan për komandant të Brigadës së Drenicës. Dihet mirëfilli se pas kapitullimit të Italisë fashiste (shtator 1943) Shtabi Suprem i UNÇJ-së shtoi aktivitetin e vet ushtarak, në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare dhe deri në nëntor 1944 (por edhe më herët) në këto hapësira, u formuan njësitë e shumta të “UNÇJ-së”, duke filluar nga çetat, aradhet, batalionet e deri në brigada.

    Këto formacione partizane edhe pse u formuan në truallin shqiptar nuk u formuan për të mirën e shqiptarëve. Në gjysmën e dytë të vitit 1944,derisa forcat aleate (amerikane-angleze-ruse…)përparonin në të gjitha frontet e luftës kundër ushtrisë hitleriane, Titoja do t´i shfrytëzojë këto rrethana, për luftimin e forcave të mbrojtjes kombëtare shqiptare dhe ripushtimin e Kosovës. Për t´i realizuar më lehtë synimet e saj ,udhëheqja jugosllave, në fillim të janarit 1945 urdhëron mobilizimin e “brigadave të Kosmetit” për t´i dërguar në Frontin e ashtuquajtur të Sremit-në Serbi.

    Ndonëse qendra e rezistencës shqiptare në gjysmën e dytë të dhjetorit 1944-janar 1945 ishte përqendruar në Drenicë, ”Shtabi Operativ i Kosmetit”,urdhëroi Shaban Polluzhën që ta lëshonte Drenicën dhe të nisej në drejtim të Podujevës, për t´u bashkuar me Brigadën VII, e cila po marshonte për Serbi.

    Shtabi i Brigadës së Drenicës largimin nga Kosova do ta kushtëzojë me ndërprerjen e vrasjeve dhe të plaçkitjeve mbi popullsinë civile nga ana e ushtrisë jugosllave, mirëpo pas dështimit të nënshtrimit të Shaban Polluzhës më 25 janar, nisin operacionet ushtarake në shkallë të gjerë për asgjësimin e Brigadës së tij.

    Në këto operacione antishqiptare morën pjesë divizionet 24, 26, 44, 46, 52 të Serbisë. Divizionet 41 dhe 50 të Maqedonisë, grupi i brigadave të Malit të Zi (brigada e I e Bokës dhe brigada e VI) dhe repartet speciale të OZN-s të drejtuara nga Spasoje Gjakoviq. Në kohën kur forcat jugosllave zhvillonin operacionet më të përgjakshme në Drenicë, më 8 shkurt 1945, komandanti suprem i UNÇJ-së J.B. Tito me urdhër të veçantë nr.31 vendosi administrimin ushtarak në Kosovë.

    Këtë vendim Titoja e mori më 7 shkurt 1945 në Beograd, në një takim me ushtarakët serb Savo Dërleviqin, Gjuro Medenicën dhe Kërsto Filipoviqin. Me këtë urdhër, i tërë pushteti në Kosovë do t´i kalojë një grupi të caktuar ushtarakësh serbo-malazez, të cilët do të ushtronin pushtetin politik, ekzekutiv dhe atë gjyqësor.

    Kjo makineri ushtarake në Kosovë duke i marrë të gjitha masat gjoja për “spastrimin” e terrenit nga “mbeturinat e fashizmit” dhe “kundërrevolucionarët” vrau e masakroi pamëshirë mijëra shqiptarë gjithandej Kosovës.

    Në këtë fushatë të egër ushtarake më 21/22 shkurt 1945 u shua me gjak edhe kryengritja e Drenicës, pas vrasjes së tribunëve popullorë Shaban Polluzha e Mehmet Gradica në kullat e Dvoranëve në Tërstenik.

    Shaban Polluzha në vitin 2009 është dekoruar me medaljen “Heroi i Kosovës” nga ish-presidenti, Fatmir Sejdiu./KP/

  • Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Të matën në këtë proces ka dëshmuar dëshmitari i 45-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar me kodin W04576, Hajrush Kurtaj, në gjykimin ndaj Hashim Thaci, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

    Ky dëshmitar dëshminë e tij e pati filluar me 1 shkurt.

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dje ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari i i 46-të i ZPS-së në me kodin W00498, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

  • Mblidhet Kryesia e Kuvendit

    Mblidhet Kryesia e Kuvendit

    Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës.

    Anëtarët e kryesisë do të mblidhen me fillim nga ora 13:00, për të diskutuar pikat e rendit të ditës.

    Rendi i ditës është si në vijim:

    I. Miratimi i procesverbalit të mbledhjes së mëparshme të Kryesisë së Kuvendit,

    II. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 8 dhe 14 shkurt 2024:

    1. Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,
    2. Votimi në lexim të dytë i Projekt Kodit doganor dhe të akcizave, nr. 08/L-247,
    3. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra,
    4. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-243 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L–037 për metrologji,
    5. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-186 për rregullat e trafikut rrugor,
    6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
    7. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-207 për tekstet shkollore,
    8. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-262 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin nr.05/L-031 për procedurën e përgjithshme administrative faza e dytë,
    9. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-265 për regjistrin e pronarëve përfitues,
    10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-264 për rininë,
    11. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-268 për shpronësimin e pronës së paluajtshme,
    12. Shqyrtimi i parë Projektligjit nr.08/L-272 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-010 për Noterinë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-149,
    13. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile,
    14. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-267 për letërnjoftimin,
    15. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-269 për kontrollin e kufirit shtetëror,
    16. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-274 për Shërbimet Private të Sigurisë,
    17. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-282 për statusin, qëndrimin e përkohshëm dhe kalimin transit të forcave të huaja të armatosura në territorin e Republikës së Kosovës,
    18. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-286 për shtetësinë e Kosovës,
    19. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-287 për Këshillin e Sigurisë së Kosovës,
    20. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-275 për rrugët,
    21. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-278 për faturat e kulturave bujqësore dhe fletëmagazinave,
    22. Votimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028,
    23. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
    24. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2022,
    25. Shqyrtimi i Raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2022,
    26. Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vitin 2022,
    27. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.02/L-65 Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes,
    28. Shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.2003/5 për farërat,
    29. Shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.04/L-114 për pasurimin e miellit,
    30. Shqyrtimi i Rekomandimeve për Raportin e auditimit të performancës “Të hyrat nga qiraja në Agjencinë Kosovare të Privatizimit për periudhën 2012 – 2021”.

    III. Propozimi i rendit të ditës për Seancën plenare të radhës:

    1. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,
    2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
    3. Votimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,
    4. Votimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,
    5. Votimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,
    6. Votimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm,
    7. Votimi i Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”,
    8. Votimi i Projektligjit nr.08/L-263 për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës,
    9. Votimi i Projektligjit nr.08/L-271 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike për Projektin e “qëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë”,
    10. Votimi i Projektligjit nr.08/L-273 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFW, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë solare I (solar4kosovo I) Fotovoltaik,
    11. Votimi i Projektligjit nr.08/L-281 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare, për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian,
    12. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-249 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës,
    13. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-289 për Komisionin e Pavarur të Mediave,
    14. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-277 për sport,
    15. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-270 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat,
    16. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-280 për ratifikimin e “amendamentimit nr.3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2015”,
    17. Votimi për themelimin e Organit Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Organit Shqyrtues të Prokurimit,
    18. Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës,
    19. Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti,
    20. Zgjedhja e një (1) anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës, përfaqësues nga shoqëria civile.

    IV. Propozimi i Seancës plenare të veçantë:

    1. Pyetjet parlamentare.

    V. Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave

  • Pagat e ulëta, 250 punëtorë të UP-së dhe Qendrës Studentore në grevë

    Pagat e ulëta, 250 punëtorë të UP-së dhe Qendrës Studentore në grevë

    Sot prej orës 07:00 të mëngjesit të gjithë punëtorët teknik dhe ata të sigurimit fizik të Universitetit te Prishtinës dhe Qendrës Studentore do të hynë në grevë për shkak të pagave të ulëta.

    Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka njoftuar se numri i atyre që do të futen nesër në grevë është rreth 250 për shkak të pagave të ulëta.

    “Nesër me 21.02.2024 që nga ora shtatë e mëngjesit të gjithë punëtorët teknik dhe ata të sigurimit fizik të Universitetit te Prishtinës dhe Qendrës Studentore do të hynë në grevë për shkak të pagave te ulta. Numri i grevistëve është rreth 250”, njofton Azemi.

  • Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare

    Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare

    Nën patronazhin e UNESCO-s dhe Byrosë rajonale për shkencë dhe kulturë në Evropë, sot shënohet Dita ndërkombëtare e gjuhës amtare.

    Mbrojtja e gjuhëve në botë, lufta kundër zhdukjes së tyre dhe ruajtja e identitetit të kombeve nëpërmjet gjuhës, janë qëllimet kyçe të manifestimeve që sot (21 shkurt) do të organizohen në suaza botërore.

    Analizat e UNESKO-s tregojnë se mund të zhduken rreth 2.500 gjuhë nga pothuajse 6.000 që fliten në botë. Në 90 vitet e kaluara janë zhdukur rreth 200 gjuhë, ndërsa 199 i flasin më pak se dhjetë njerëz. E fundit që është zhdukur është gjuha “ajake”, të cilën e folur një grua e cila ka vdekur në vitin 2008 në Aljaskë.

    Arsyet kryesore për zhdukjen e gjuhëve janë luftërat dhe dëbimi i detyrueshëm. Emigrantët gjithashtu e përziejnë gjuhën amtare me gjuhën e shtetit në të cilin jetojnë që të integrohen më mirë. Megjithatë, ka shembuj, më së shumti në Australi, ku gjuhët të cilat janë “nën kërcënim” i flasin të rinjtë, tha një përfaqësues i UNESKO-s.

    Tridhjetë nga gjuhët që fliten në Francë midis të cilave edhe normane dhe bretonike, janë “nën kërcënim të fuqishëm të zhdukjes”.

  • Sot vazhdon seanca gjyqësore ndaj Konjufcës për gazin lotsjellës

    Sot vazhdon seanca gjyqësore ndaj Konjufcës për gazin lotsjellës

    Këtë të mërkurë nga ora 10:00 pritet të mbahet seanca gjyqësore ndaj kryetarit të kuvendit, Glauk Konjufca, i cili akuzohet për hedhjen e gazit lotsjellës në kuvend.

    Në rastin e Konjufcës sot pritet të dëshmojë deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

    Dëshmitari i fundit në rastin e Konjufcës qe ish-deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti.

    Konjufca akuzohet se në gusht të 2016-s, në cilësinë e deputetit ka hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit dhe ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

  • 35 vjet nga greva e nëndheshme e minatorëve

    35 vjet nga greva e nëndheshme e minatorëve

    Përgatiti: Armand Hoti

    Rezistencën ndaj ish-regjimit kasapit të Ballkanit, minatorët e minierës së “Trepçës” në Stan Tërg, e bënë nën tokë. 1300 minatorë besnikë të idealit kombëtar, për tetë ditë e tetë net qëndruan larg familjeve, në horizontet e errëta të minierës.

    Për dikë, dalja në sipërfaqe do të ishte edhe më e hidhur se qëndrimi në horizontet e minierës.

    “I ka ardhur lajmi që gruaja tashmë i ka vdekur, ai ka thënë nuk dal, që jemi gjallë e shohim të pamën”, tha Rrahman Beqiri, minator grevist.

    Por, greva e ‘89-ës u shndërrua në simbol uniteti për shqiptarët gjatë asaj kohe të cilët u dolën në krah punëtorëve të nëndheshëm. Për t’ua siguruar ushqimin, u mobilizua vetë populli.

    “Unë vetëm podrumet e mensës çfarë kam parë të paketume, miell, sheqer, ilaçe çfarë jo, kanë qenë këtu të rezervuara”, tha Beqiri.

    “Ka qenë një Baran i kanë thënë nuk e di kush kanë qenë ata, që e ka sjellë lopën dhe e kanë lidhur këtu te kapija, lopën e vet e ka sjellë dhe ka thënë se kjo është vetëm për minatorë”, tha Fehmi Hajredini, minator grevist.

    Kurse greva mori edhe vëmendjen rajonale e ndërkombëtare.

    “Telegrame dhe përkrahje kanë ardhur nga të gjitha anët e ish-Jugosllavisë sidomos nga Sllovenia, Kroacia nga viset e banuara me shqiptarë të Malit të Zi, por përkrahje kemi pasur edhe nga minatorët e minierave të perëndimit”, tha Hajredini.

    Ndonëse të lirë, gjeneratat e reja të minatorëve të “Trepçës”, nuk janë të kënaqur me atë që gjiganti metalurgjik ofron. Kjo u manifestua me greva të shpeshta, duke kulmuar me grevën e tetorit të vitit të kaluar që zgjati dhjetë ditë.

    Por, në përvjetorin e 35-të të grevës së lavdishme të minatorëve, për vizitë ishin edhe pushtetarët, të cilët premtuan angazhim për një “Trepçë” më të mirë.

    “Sektorin e minierave do ta modernizojmë me qasje të arsyeshme ekonomike, teknologjike, sociale, por edhe mjedisore”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.

    Minatorët dolën në sipërfaqe, pasi morën lajmin për dorëheqjen e krerëve të Lidhjes Komuniste të Kosovës.

  • Dështon nisja e gjykimit në mungesë për dhunë seksuale gjatë luftës

    Dështon nisja e gjykimit në mungesë për dhunë seksuale gjatë luftës

    Përgatiti: Nora Luta

    Autoritetet e sigurisë nuk kanë arritur deri tash ta sigurojnë praninë e Dejan Raçiqit, andaj ndaj tij Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë për gjykim në mungesë. Organi i akuzës e ngarkon atë, se gjatë periudhës së luftës në Kosovë ka kryer dhunë seksuale ndaj një gruaje të nacionalitetit shqiptar.

    Por, gjykimi ndaj tij dështoi të fillojë të martën në Gjykatën Themelore të Prishtinës, për shkak të mungesës së prokurorit.

    Ky është gjykimi i dytë në mungesë që pritet të fillojë, pas rastit të parë vitin e kaluar ndaj Çedomir Aksiqit. Monitorues nga Fondi për të Drejtën Humanitare thonë se gjykimet në mungesë janë sfidë për sistemin gjyqësor në Kosovë, duke konsideruar shembujt në shtetin e Kroacisë.

    Prokuroria Speciale e Kosovës vitin e kaluar, ka ngritur tetë aktakuza në mungesë për krime lufte. Ftesa dhe aktakuza ndaj Dejan Raçiqit, nga komuna e Klinës, ishte bërë publike në nëntor të 2023-s.

    Gjykata, sipas kodit të ri të procedurës penale, kishte bërë thirrje që çdo informacion mbi vendndodhjen e tij t’i komunikohet Policisë së Kosovës.

  • Ekskavatorët përsëri në rrugën Prishtinë – Mitrovicë

    Ekskavatorët përsëri në rrugën Prishtinë – Mitrovicë

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Për të disatën herë brenda 15 vjetësh, makineritë e rënda u rikthyen në rrugën Prishtinë – Mitrovicë. Punimet do të zhvillohen në segmentin nga Lumi i Madh deri në Gojbulë.

    Teksa kompania kontraktuese ka nisur gërryerjen e zhavorrit për siç thanë nivelimin e pjesëve të caktuara, qytetarët kanë mendime të ndryshme për dinamikën e punimeve.

    Sidoqoftë, vlera e kontratës për zgjerimin e rreth 10 kilometrave është 25 milionë euro. Punimet për këtë segment ishin ndërprerë vitin e kaluar, ndërkaq, sipas kontratës, duhet të përfundojë brenda një viti kalendarik.

    Zgjerimi i magjistrales Prishtinë – Mitrovicë ka nisur tash e 15 vjet, ndërkaq nga 38 kilometra sa është gjatësia e kësaj rruge, gjatë gjithë kësaj periudhe kanë përfunduar mbi 20 kilometrat e para nga kryeqyteti.

  • Krimet kibernetike në Leposaviq, i panjohuri la virus në kompjuterin e komunës

    Krimet kibernetike në Leposaviq, i panjohuri la virus në kompjuterin e komunës

    Përgatiti: Haris Ademi

    Qytetarë hyjnë e dalin në objektin komunal të Leposaviqit, për të marrë shërbime.

    Por njëri e alarmoi udhëheqësinë e komunës më veriore të Kosovës, javën që shkoi.

    Dikush arriti të hyjë në njërën nga zyrat dhe dyshohet se krijoi dëm në sistemin kompjuterik. Për këtë, kryetari Lulzim Hetemi e njoftoi menjëherë policinë.

    Zyrtarë nga Komuna nuk pranuan të prononcohen për këtë situatë, duke thënë se ka qenë vetëm dyshim dhe se tanimë sistemi është në rregull. Mirëpo, ata nuk u përgjigjën se si një person civil u la të ketë qasje në kompjuterin e komunës.

    Me këtë rast u mor departamenti i krimeve kibernetike në Polici. Por as ky departament nuk ktheu përgjigje të martën për ATV-në, se çfarë ka qenë rezultati i hetimit.

    Kompjuteri në të cilin punoi ai, ishte i një zyrtareje të etnisë serbe, e angazhuar me kontratë mbi vepër.