ATV

Blog

  • Disa pjesëtarë të KFOR-it kanosen në Prizren, policia jep detaje

    Disa pjesëtarë të KFOR-it kanosen në Prizren, policia jep detaje

    Disa pjesëtarë të KFOR-it, derisa kanë qenë duke qëndruar në një lokal janë kanosur dje nga dy të dyshuar në fshatin Lubiqevë të Prizrenit.

    Policia e Kosovës, në raportin e saj 24-orësh thuhet se pas një pune hetimore janë ndaluar dhe arrestuar të dyshuarit.

    “Pas intervistimit të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

    Gjatë kontrollit në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie, derisa rasti është nën hetime.

    “Fsh. Lubiqevë, Prizren 26.02.2024 – 09:00. Disa pjesëtarë të KFOR-it, derisa kanë qenë duke qëndruar me një lokal, dy të dyshuar meshkuj kosovarë i kanë kanosur. Të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes. Pas një pune hetimore janë ndaluar dhe arrestuar dy të dyshuarit meshkuj kosovarë. Pas intervistimit të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. Gjatë kontrollit në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar pushkë gjuetie. Rasti nën hetime”, thuhet në raport.

  • Ekspertët japin paralajmërimin, ja pse nuk duhet të merrni paracetamola rregullisht

    Ekspertët japin paralajmërimin, ja pse nuk duhet të merrni paracetamola rregullisht

    Shumë njerëz mbështeten në hapa qetësues për sëmundje dhe lëndime të ndryshme.

    Problemet e zakonshme si dhimbja e kokës, dhimbjet e shpinës dhe temperaturat mund të lehtësohen duke marrë pilula si paracetamol dhe ibuprofen, shkruan Express.co.uk.

    Ndonëse këto janë të sigurta për t’u përdorur në përputhje me udhëzimet e paketimit, hulumtimi ka treguar se ka rreziqe për t’i marrë ato rregullisht.

    Megjithatë, një studim i vitit 2022 zbuloi se përdorimi afatgjatë i paracetamolit mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru tek njerëzit me hipertension.

    Efekti në presionin e gjakut është i ngjashëm me atë të anti-inflamatorëve josteroidë (NSAIDs), siç është ibuprofeni, thonë studiuesit.

    “Paracetamoli, është ilaçi më i përdorur në botë, rrit presionin e gjakut, një nga faktorët më të rëndësishëm të rrezikut për sulmet në zemër dhe goditjet në tru”, deklaroi profesori James Dear farmakologjisë klinike në Universitetin e Edinburgut. /Telegrafi/

  • Katër pijet që duhet të shmangni në mëngjes pasi ju shkaktojnë fryrje

    Katër pijet që duhet të shmangni në mëngjes pasi ju shkaktojnë fryrje

    Për shkak të nxitimit në jetën tonë të përditshme, shumë prej nesh konsumojmë pije me sheqer në mëngjes për të nisur ditën me një shpërthim energjie.

    Nga kafetë dhe çajrat e ëmbël deri te lëngjet e frutave dhe pijet energjike, këto pije ofrojnë një zgjedhje të shpejtë që mund të jenë të këndshme për ata që kërkojnë një fillim të këndshëm të mëngjesit të tyre.

    Megjithatë, është thelbësore të jeni të vetëdijshëm për dobësitë e mundshme që lidhen me konsumimin e pijeve me sheqer, pasi ato mund të lidhen me parehati dhe fryrje për disa individë.

    Sipas ekspertëve, është e rëndësishme të shmangim këto katër pije në mëngjes, pasi mund të shkaktojnë fryrje.

    Lëngjet e frutave me sheqer të lartë, kafeja me plot qumësht, pijet me proteina pluhur dhe pijet energjike janë ato që duhet të shmangni në mëngjes.

    Lëngje frutash me përmbajtje të lartë sheqeri

    Lëngjet e frutave me përmbajtje të lartë sheqeri, edhe pse në dukje freskuese, mund të kontribuojnë në fryrjen e barkut tek disa njerëz. Këto lëngje shpesh përmbajnë nivele të larta të fruktozës, një sheqer natyral që gjendet në fruta.

    Kafe me plot qumësht

    Qumështi i plotë, i cili përdoret zakonisht në kafe, përmban laktozë, një sheqer që mund të jetë i vështirë për t’u tretur për disa njerëz.

    Intoleranca ndaj laktozës mund të çojë në fryrje. Disa njerëz janë të ndjeshëm ose intolerantë ndaj këtyre aditivëve të tillë si produktet e qumështit, sheqeri i rafinuar ose ëmbëlsuesit dhe aromat artificiale. Është e mundur të përkeqësoni fryrjen tuaj duke shtuar përbërës ndaj të cilëve jeni të ndjeshëm pa e kuptuar.

    Pije me pluhur proteinash

    Pluhuri i proteinave, një suplement popullor për ndërtimin dhe rikuperimin e muskujve, ndonjëherë mund të shoqërohet me fryrje në disa individë. Kjo fryrje mund të shkaktohet nga disa faktorë, duke përfshirë praninë e disa aditivëve, laktozës ose alergeneve në disa pluhura proteinash.

    Pije energjike

    Pijet energjike, të njohura për efektet e tyre stimuluese dhe përmbajtjen e kafeinës, mund të kontribuojnë në fryrjen e barkut tek disa njerëz. Këto pije shpesh përmbajnë nivele të larta sheqeri, ëmbëlsues artificialë dhe karbonacion, të cilat mund të çojnë në rritjen e formimit të gazit dhe fryrje. /Telegrafi/

  • Prepolli: Ballkani nuk bën dot pa Ilir Dajën, ai bëri diçka që nuk kishte ndodhur kurrë në Kosovë

    Prepolli: Ballkani nuk bën dot pa Ilir Dajën, ai bëri diçka që nuk kishte ndodhur kurrë në Kosovë

    Analisti i përhershëm i emisionit ‘EKIPI A’ Arsim Prepolli ka komentuar vazhdimin e kontratës nga Ballkani me trajnerin Ilir Daja.

    Prepolli ka deklaruar që Ballkani nuk bën dot pa Ilir Dajën dhe se ky klub ka shkruar historinë nën drejtimin e strrategut të lindur në Tiranë.

    ‘Veprim shumë i duhur sepse e dina se çfarë ka bërë Ilir Daja me klubin e Ballkanit. Po te isha unë në kryesi të Ballkanit edhe mos me dal në Evropë nuk e kisha shkarku këtë trajner. Ilir  bëri diçka që nuk kishte ndodhur kurrë në Kosovë’ tha Prepoilli.

    Kujtojmë që Ilir Daja dhe Ballkani e kanë vazhduar bashkëpunimin deri në vitin 2026.

  • Macron: Aleatët janë pajtuar për të furnizuar Ukrainën me raketa

    Macron: Aleatët janë pajtuar për të furnizuar Ukrainën me raketa

    Udhëheqësit evropianë janë pajtuar të krijojnë një koalicion për të furnizuar Ukrainën me raketa me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi dhe bomba, për të mbështetur përpjekjet e Kievit për të luftuar pushtimin e nisur nga Rusia. Kështu tha presidenti i Francës, Emmanuel Macron, pas një samiti të liderëve të kontinentit të mbajtur në Paris.

    Kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti polak Andrzej Duda, dhe udhëheqësit nga shtetet e Baltikut po ashtu morën pjesë në samit që zgjati deri në hënën mbrëma. Shtetet e Bashkuara u përfaqësuan në samit me diplomatin kryesor për Evropë, James O’Brien, ndërkaq në samit mori pjesë edhe sekretari i Jashtëm i Britanisë, David Cameron.

    “Ne po ashtu kemi vendosur t’i japim një shtysë të re koalicionit të mbrojtjes ajrore, gjë për të cilën ka bërë thirrje presidenti ukrainas [Volodymyr Zelensky], dhe të krijojmë koalicionin e nëntë këtë mbrëmje, një koalicion për raketa dhe bomba me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi, me të cilat mund të kryhen sulme të thella”, tha Macron gjatë një konference për media të mbajtur pas takimit.

    Zelensky, që iu adresua samitit përmes video-lidhjes, u bëri thirrje udhëheqësve evropianë që të sigurohen që presidenti rus, Vladimir Putin, “nuk mund të shkatërrojë arritjet tona dhe të mos mund të zgjerojë agresionin e tij në shtete të tjera”.

    Ukraina varet shumë nga armët e avancuara dhe furnizimet me municion nga aleatët perëndimorë, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, për t’iu bërë ballë sulmeve intensive nga forcat ruse, të cilat nisin pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

    Trupat ukrainase, që janë më të pakta në numër dhe me mungesë armatimesh, së fundi u detyruan të tërhiqen nga disa pozicione mbrojtëse në lindje, teksa një paketë e ndihmës ushtarake e SHBA-së në vlerë prej 61 miliardë dollarësh mbetet e bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët.

    Evropa do të ndihmojë Ukrainën “të marrë iniciativën dhe të veprojë së bashku në një kohë kur ka pasiguri në SHBA sa i përket ndihmës”, tha Macron, duke shtuar se në mesin e udhëheqësve që morën pjesë në samit kishte “konsensus të gjerë për të bërë më shumë dhe në mënyrë më të shpejtë”.

    Ai tha se “asnjë konsensus” nuk ekziston për dërgimin e trupave tokësore perëndimore në Ukrainë, por shtoi se “asgjë nuk duhet të përjashtohet për të arritur objektivin tonë. Rusia nuk mund të fitojë luftën”, tha Macron.

    Ndaras, presidenti polak Duda, tha për gazetarët pas takimit se “nuk kishte entuziazëm” në mesin e pjesëmarrësve lidhur me mundësinë e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë.

    Pjesëmarrësit në takim thanë se ka rritje të mbështetjes nga shtetet evropiane, përfshirë Francën, për një nismë të Çekisë për të blerë municione dhe predha jashtë Bashkimit Evropian dhe për t’i dërguar në Ukrainë.

    Kryeminsitri Mark Rutte tha se Holanda ka vullnet që të ofrojë mbi 100 milionë euro për këtë qëllim./REL/

  • Kastriot Rexha nuk beson se ndonjë klub ka bërë ofertë prej 1.7 milionë euro për Hazrollaj

    Kastriot Rexha nuk beson se ndonjë klub ka bërë ofertë prej 1.7 milionë euro për Hazrollaj

    Analisti i përhershëm i emisionit ‘EKIPI A’ në ATV, Kastriot Rexha duke e analizuar ndeshjen Malisheva – Feronikeli 74, të cilën Malisheva e fitoi 2:1 me golat e futbollistit Drilon Hazrollaj ka deklaruar që 20 vjeçari po e bën dallimin te skuadra e trajnerit Qendrim Kida.

    Megjithatë, Rexha ka thënë se nuk beson në shifrat te cilat po përmenden në media që Malishevës i ka ardhur oferta 1.7 milionë euro për 20 sulmuesin.

    ‘Hazrollaj është duke e marrë përsipër në një moshë kaq te re barrën e skuadrës pasi po është vendimtar me golat e tij. Mendoj që është lojtari më i vlefshëm i kampionatit tonë. Ka cilësi shumë të mira indivudale, ka teknikë  mirë po ashtu e nuhat golin. Nëse Malisheva del në Evropë unë mendoj që këtij lojtari do t`i rritet vlera. Unë kam lexuar lajme se Malishevës i ka ardhur një ofertë mbi 1 milionë, por unë mendoj që nuk janë të vërteta aspak. Me qenë një milionë këta nuk e fusin në lojë thonë hajdeni merreni’ tha Rexhaj.

    Kujtojmë që vet trajneri Qendrim Kida në një nga emisionet sporitive në Kosovë kishte deklaruar që për lojtarin ka ardhur oferta 1.7 milionë.

    Mbetet për tu parë në merkaton e verës se ku do të transferohet sulmuesi.

  • Anulohet seanca e sotme ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Anulohet seanca e sotme ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dje ka vazhduar seancës gjyqësore në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Kurse seanca e paraparë për sot është shtyrë më 28 shkurt.

    Dje, në Dhomat e Specializuara e ka dëshmuar dëshmitari i mbrojtur, i 47-ti me radhë, i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Prokurorja Sarah Clanton, në përmbledhjen për dëshmitarin e prezantoi atë si banor të Prizrenit që është ndaluar e keqtrajtuar prej pjesëtarëve të UÇK-së.

    Në seancën e djeshme është folur edhe për ecurinë e çështjes, ku u bë e ditur se seanca e paraparë për sot është shtyrë. Kryetari i trupit gjykues, njoftoi të hënën se dëshmia e dëshmitarit të radhës do të dëgjohet të mërkurën, më 28 shkurt, përmes video-lidhjes.

    Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, për këtë javë ishin paraparë të mbahen tri seanca, por me gjasë do të mbahen vetëm dy, kjo pasi që seanca e 27 shkurtiti është shtyrë për nesër.

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill të vitit të kaluar, kurse të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

    Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

  • Del raporti i policisë për vdekjen e 26 vjeçarit në Prishtinë

    Del raporti i policisë për vdekjen e 26 vjeçarit në Prishtinë

    Një i ri ka vdekur dje si pasojë e një aksidenti në rrugën “Agim Ramadani”, në Prishtinë.

    Sipas policisë lidhur me rasti është arrestuar një grua dhe e njëjta është dërguar në mbajtje.

    Ndërkaq, trupi i të riut është dërguar në IML për obduksion.

    “Rr. Agim Ramadani, Prishtinë 26.02.2024 – 12:50. E dyshuara femër kosovare duke e drejtuar veturën e saj ka goditur këmbësorin mashkull kosovar, i cili si pasojë e lëndimeve të marra ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Ndërsa me vendim të prokurorit e dyshuara është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje, kurse trupi i pa jetë është dërguar për obduksion në IML-Prishtinë. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin e policisë.

  • Gjendet i vdekur një burrë në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali

    Gjendet i vdekur një burrë në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali

    Një person derisa ka qenë në vuajtje të dënimit në Qendra e Paraburgimit në Hajvali të Prishtinës, është gjetur pa shenja jete.

    Rasti është raportuar dje në mëngjes dhe vdekjen e personit e ka konstatuar mjeku kujdestar.

    “Qendra e Paraburgimit Hajvali, Prishtinë 26.02.2024 – 07:51. Derisa ka qenë në vuajtje të dënimit një mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete, vdekjen e personit e ka konstatuar mjeku kujdestar. Raportohet se i njëjti ka qenë përdorues i substancave narkotike”, thuhet në raportin policor.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.

  • Osmani do ta përfaqësojë Kosovën në samitin për Ukrainën në Tiranë

    Osmani do ta përfaqësojë Kosovën në samitin për Ukrainën në Tiranë

    Sonte në Shqipëri, pritet të arrijë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i cili do të pritet nga kryeministri Edi Rama.

    Në Samitin e parë mes Ukrainës dhe gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor që mbahet në Tiranë, e pranishme do të jetë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Kjo është konfirmuar për klan kosova nga presidenca.

    Ndërkohë, pak ditë më parë në një mesazh në platformën “X”, kreu i shtetit të Ukrainës vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës dhe shprehu padurimin për një të ardhme më të sigurt për gjithë Evropën. Shqipëria ka vendosur disa sanksione ndaj Rusisë, ndërsa ka dënuar luftën e saj në Ukrainë.