ATV

Blog

  • Zelensky jep detaje nga biseda me Ramën

    Zelensky jep detaje nga biseda me Ramën

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka dhënë pak detaje nga biseda e tij me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

    Përmes një postimi në Facebook, ai thotë se pos tjerash, kanë folur për nevojat e mbrojtjes së Ukrainës dhe mundësinë e prodhimit të përbashkët të armëve.

    Zelensky po ashtu shkruan se falë qeverisë dhe popullit të Shqipërisë, nuk do ta harrojnë kurrë qëndrimin e ngrohtë të shoqërisë shqiptare ndaj ukrainasve.

    “Që në ditët e para të pushtimit, Shqipëria mbështeti Ukrainën, luftën tonë për liri dhe integritet territorial. Gjatë takimit me kryeministrin Edi Rama, nënshkruam Marrëveshjen e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Ukrainës dhe Shqipërisë. Ky dokument do të kontribuojë në zhvillimin e bashkëpunimit tonë dhe forcimin e pozitave të Ukrainës në rajonin e Ballkanit. Sot folëm edhe për nevojat e mbrojtjes së Ukrainës dhe mundësinë e prodhimit të përbashkët të armëve. Falë qeverisë dhe popullit të Shqipërisë, ne nuk do ta harrojmë kurrë qëndrimin e ngrohtë të shoqërisë suaj ndaj ukrainasve!”, ka shkruar Zelensky.

  • Specialja merr vendim për kërkesën e Selimit lidhur me vizitat dhe komunikimin e tij në paraburgim

    Specialja merr vendim për kërkesën e Selimit lidhur me vizitat dhe komunikimin e tij në paraburgim

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është marrë vendim lidhur me kërkesën e të akuzuarit Rexhep Selimi lidhur me vizitat dhe komunikimin e tij në paraburgim.

    Sipas vendimit të 27 shkurtit 2024 të kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, është refuzuar kërkesa e Selimit për anulimin e vendimit të Administratores lidhur me monitorimin aktiv të thirrjeve në mes atij dhe një personi tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Për arsyet e lartpërmendura, Paneli: (a) REFUZON kërkesat e Mbrojtjes së Selimit për anulimin e vendimit të Sekretarit në lidhje me monitorimin aktiv të thirrjeve ndërmjet z. Selimi dhe [REDAKTUAR]”, thuhet në vendim.

    Ndërsa, është pranuar kërkesa e tij për anulimin e një vendimi të Administratores lidhur me refuzimin e një telefonate ndërmjet Selimit dhe një personi tjetër

    “PRANON kërkesat e Mbrojtjes së Selimit për anulimin e vendimit të Sekretarit në lidhje me refuzimin e një telefonate ndërmjet z. Selimi dhe [REDAKTUAR] dhe URDHËRON Sekretarin që të mos refuzojë thirrje të tilla, përveç nëse rrethanat e reja e kërkojnë këtë”, thuhet në vendim.

    Ndërsa, është rrëzuar kërkesën e Selimit për të anuluar vendimin e Administratores për të monitoruar në mënyrë aktive videolidhjet dhe vizitat ndërmjet Selimit dhe një personi tjetër.

    “HEDHË si të diskutueshme kërkesën e Mbrojtjes së Selimit për të anuluar vendimin e Sekretarit për të monitoruar në mënyrë aktive video-vizitat ndërmjet z. Selimi dhe [REDAKTUAR]; (d) HEDHË si të diskutueshme kërkesën e Mbrojtjes së Selimit për të anuluar refuzimin efektiv të pretenduar të Sekretarit të një Vizite Private ndërmjet z. Selimi dhe [REDAKTUAR]; dhe (e) UDHËZON Mbrojtjen Selimi dhe Sekretarinë të paraqesin versionet e redaktuara publike të dosjeve të tyre përkatëse ose një kërkesë që dosjet e tyre të mëparshme të riklasifikohen si publike deri të enjten, 7 mars 2024”, thuhet tutje në vendim.

    Në arsyetimin të këtij vendimi thuhet se lidhur me monitorimin aktiv të thirrjeve telefonike ndërmjet Selimit dhe dikujt tjetër për të cilin DhSK-ja ka vendosur redaktime, trupi gjykues ka konstatuar se Administratorja ka vepruar brenda autorizimeve ligjore.

    “Lidhur me monitorimin aktiv të thirrjeve telefonike ndërmjet z. Selimi dhe [REDAKTUAR], Paneli konstaton se Sekretari ka vepruar brenda autorizimeve të parapara me ligj, rregullore dhe vendime të këtij Paneli. Paneli përcaktoi, për më tepër, se Sekretarja nuk ka abuzuar me diskrecionin e saj në këtë çështje, se masa është e nevojshme dhe proporcionale, është në përputhje me mbrojtjen efektive të të drejtave të të interesuarve, nuk ka shkelur parimet themelore të drejtësisë natyrore dhe drejtësisë procedurale”, thuhet në arsyetimin e vendimit.

    Ndërsa, lidhur me refuzimin e thirrjes ndërmjet Selimit dhe një personi për të cilin DhSK ka vendosur redaktime, trupi gjykues ka konstatuar se Administratorja ka gabuar në përcaktimin e saj se masat ishin të nevojshme dhe proporcionale me rrethanat.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • ​Osmani: Njohja e pavarësisë nga Ukraina do të vjen bashkë me fitoren e saj

    ​Osmani: Njohja e pavarësisë nga Ukraina do të vjen bashkë me fitoren e saj

    Presidentja, Vjosa Osmani, ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Ukraina do të vjen bashkë me fitoren e saj në luftën ndaj Rusisë.

    Osmani, në margjinat e Samitit “Ukrainë – Europa Juglindore”, që po mbahet në Tiranë të Shqipërisë, tha para mediave se Kosova do të vazhdojë mbështetjen ndaj Ukrainës, kundër agresionit ushtarak rus.

    Ajo iu përgjigj pyetjeve, nëse do të kërkojë që Ukraina të njohë Kosovën.

    “Këto janë çështje bilaterale. Ne gjithnjë e kemi bërë një kërkesë të tillë dhe do të vazhdojmë të bëjmë. Me mirëkuptimin e plotë se Ukraina është në një gjendje të jashtëzakonshme, gjendje lufte, duke luftuar për lirinë dhe pavarësinë e saj dhe vlerat demokratike. Jam e bindur se ai moment do të vjen bashkë me fitoren e Ukrainës”, tha ajo.

    Osmani bëri të ditur se në Samit do të flas për hapat konkret që Kosova po i merr në mbështetje të Ukrainës.

    “Sot në Samit do të flas për hapat konkret që Kosova po i merr në këtë drejtim, së bashku me aleatë dhe partnerë. Do të jemi këtu deri në fitoren e Ukrainës”, tha Osmani.

    E pyetur për mundësitë e një ballafaqimi me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në këtë Samit, Osmani tha se gjithmonë do të ketë të tilla, pasi sipas saj Vuçiq jeton me të kaluarën.

    “Gjithmonë do të kemi ballafaqime me ta pasi ata jetojnë me të kaluarën”, theksoi Osmani.

  • Presidentja Osmani pritet në Tiranë nga Rama e Zelensky

    Presidentja Osmani pritet në Tiranë nga Rama e Zelensky

    Liderët e shteteve të Evropës Juglindore kanë filluar të mbërrijnë në Samitin Ukrainë – Europa Juglindore”, që po mbahet në Tiranë të Shqipërisë.

    Fillimisht kanë mbërritur dy nikoqirët e samitit, kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të cilët po mirëpresin homologët e tyre.

    E para që arriti ishte presidentja e Moldavisë, e pasuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Osmani, iu përgjigj pyetjeve, nëse do të kërkojë që Ukraina të njohë Kosovën.

    “Ne gjithnjë e kemi bërë një kërkesë të tillë, do ta vazhdojmë ta bëjmë, por me mirëkuptimin e plotë për situatën ku është Ukraina. Jam e bindur se ai moment do të vijë, bashkë me fitoren e Ukrainës”, theksoi ajo.

  • Kurti mori pjesë në përurimin e nismës “Labour Friends of Kosova”

    Kurti mori pjesë në përurimin e nismës “Labour Friends of Kosova”

    Gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti, mori pjesë mbrëmë në përurimin e nismës “Labour Friends of Kosova” (Miqtë Laburistë të Kosovës).

    “Labour Friends of Kosova” është një grup i Parlamentarëve Laburistë në Mbretërinë e Bashkuar, me qëllim promovimin e marrëdhënieve të forta dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

    Në fjalën e tij, kryeministri tha se është i bindur që kjo nismë do t’i fuqizojë edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

    Duke folur për raportet dhe lidhjet ndërmjet dy vendeve, ai veçoi personalitetet e shquara nga kultura dhe sporti, si Dua Lipa e Rita Ora, Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri gjatë kohës sa luanin në Premier Ligën e Futbollit britanik, por edhe personalitete të tjera veprimtaria e të cilëve ka luajtur rol të rëndësishëm në marrëdhëniet tona.

    Ndër ta është Esat Kryeziu i cili ka shërbyer në Forcat Ajrore Mbretërore gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe i cili pas vdekjes së tij, është nderuar nga tanimë e ndjera Mbretëresha Elizabeth me pesë medalje për shërbimin e tij ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe forcave aleate. Një tjetër personalitet është ai i heroit kombëtar shqiptar nga Kosova, Gani beg Kryeziu që luftoi kundër fashizmit përkrah ushtarëve britanikë, në po të njëjtën Luftë, dhe që ishte anëtar i Ekzekutivit të Operacioneve Speciale të formuar nga ministri i atëhershëm i Punës për Luftën Ekonomike dhe më vonë kancelari, Hugh Dalton.

    Diaspora jonë, e cila u largua nga vendi si rezultat i fushatës gjenocidiale të Serbisë gjatë viteve të 90-ta, është integruar me sukses në Mbretërinë e Bashkuar, tha kryeministri. Ai shtoi se ky komunitet përfshin jo vetëm emrat e famshëm, por edhe njerëz të suksesshëm në shumë sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe shoqërisë.

    Ai theksoi rolin e rëndësishëm që Partia Laburiste ka luajtur në momente kritike për popullin dhe shtetin e Kosovës, duke kujtuar që si në rastin e intervenimit të NATO-s në vitin 1999 të mbështetur fuqishëm nga Mbretëria e Bashkuar ashtu edhe me rastin e njohjes së pavarësisë të shpallur në vitin 2008 nga Kosova, qeveria britanike udhëhiqej nga laburistët, përkatësisht nga ish-kryeministri Tony Blair dhe ish-kryeministri Gordon Brown.

    “Kur mendoj për Mbretërinë e Bashkuar, mendoj për vlerat tuaja: tolerancën, modestinë, guximin dhe më e rëndësishmja, nderin. Britania është një vend që nuk ua kthen shpinën miqve dhe aleatëve të saj. Një vend që nuk rri duarkryq dhe nuk shikon përballë agresionit, dhunës dhe terrorit. Ne e dimë shumë mirë këtë dhe vazhdojmë ta ndiejmë dhe ta vlerësojmë atë mbështetje”, u shpreh kryeministri Kurti.

    Të pranishëm në këtë ngjarje mes shumë personalitetesh ishin edhe baronesha Catherine Ashton, deputetët Laburistë David Lammy, Christian Wakeford, Stephen Doughty, Luke Pollard, Nia Griffith, Wayne David, Dan Jarvis, Shabana Mahmood, Liz Twist, Gill Furniss, Anneliese Dodds e cila është dhe Sekretare në Hije e Shtetit për Gratë dhe Barazitë, dhe ish-sekretari i mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar dhe ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, George Robertson.

  • Sekuestrohen para false në Prishtinë dhe Fushë Kosovë

    Sekuestrohen para false në Prishtinë dhe Fushë Kosovë

    Policia e Kosovës njofton se në Prishtinë dhe Fushë Kosovë dje janë sekuestruar një shumë e parave të falsifikuara.

    Sipas Policisë, në Prishtinë ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se ne institucionin ku ai punon janë deponuar një shume e të hollave që dyshohet të jenë të falsifikuara.

    “Të hollat janë sekuestruar si dëshmi për hetime të mëtutjeshme”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

    Po ashtu sipas siç njofton policia në Fushë Kosovë ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se në institucionin ku ai punon janë deponuar një shumë e të hollave të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara.

    “Të hollat janë sekuestruar si dëshmi për hetime të mëtutjeshme”, thuhet po ashtu në raport.

  • Një shtetase e huaj dyshohet se u sulmua seksualisht në Prishtinë

    Një shtetase e huaj dyshohet se u sulmua seksualisht në Prishtinë

    Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh njoftoi se një shtetase e huaj është sulmuar seksualisht, nga një person në ashensorin e një ndërtese, në Prishtinë.

    Siç kishte raportuar viktima, një i dyshuar i pa njohur fillimisht e ka përcjellë e më pas i njëjti kishte hipur në ashensor të ndërtesës së bashku me viktimën dhe të njëjtën e kishte prekur në pjesët intime dhe i kishte shkaktuar lëndime në qafë.

    Tutje, Policia njoftoi se viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa rasti është duke u hetuar.

  • Këta janë liderët që marrin pjesë në samitin për Ukrainën në Tiranë, në mesin e tyre edhe Osmani e Vuçiq

    Këta janë liderët që marrin pjesë në samitin për Ukrainën në Tiranë, në mesin e tyre edhe Osmani e Vuçiq

    Tirana mirëpret sot Samitin Ukrainë-Europa Juglindore që nis në ora 11:00.

    Për herë të parë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ndodhet në Tiranë. Nga fronti i luftës, Zelensky mbërriti mbrëmjen e djeshme në Shqipëri, për të marrë pjesë në Samitin për Ukrainën që mbahet sot.

    Në këtë samit Kosovën do ta përfaqësojë presidentja e vendit, Vjosa Osmani, derisa prezent në Samit pritet të jetë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ai i Maqedonisë, Stevo Pendarovski e kryeministri kroat Adrej Plenkoviq.

    Pjesë e takimit përmes teknologjisë do të jenë kryeministri grek Kyriakis Mitsotakis dhe presidenti turk Rexhep Taip Erdogan.

    Prezente do të jetë edhe presidentja e Moldavisë Maia Sandu dhe Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, Borjana Kristo.

    Në orën 11:00 pritet që liderët të mbërrijnë në Pallatin e Kongreseve ku do të zhvillohet më pas Samiti.

     

  • ​Bayerni e dëshiron Zidanin si trajner

    ​Bayerni e dëshiron Zidanin si trajner

    Zinedine Zidane dëshiron të punojë sërish si trajner dhe menjëherë pasi e konfirmoi këtë, shumë klube kanë shfaqur interesimin e tyre, duke përfshirë edhe gjigantin bavarez Bayern Mynih.

    Pas tre vitesh, Zinedine Zidane është gati të rikthehet në stolin e trajnerëve. Në premierën e dokumentarit për trajnerin kampion të botës të Italisë, Marcello Lippi (2006), ish- trajneri i Real Madridit zbuloi për Sky Italia se është gati t’i rikthehet punës së trajnerit. “Do të doja patjetër të kthehesha në stol”, tha ai, përcjellë KosovaPress.

    Sipas informacioneve të “Sky”, drejtuesit e Bayernit së fundmi kanë menduar për Zidanin pasi në fund të sezonit Thomas Tuchel do të largohet.

    Zidane së fundmi ka qenë i lidhur me ish-klubin e tij Juventus . “Një e ardhme në Itali? Pse jo, gjithçka mund të ndodhë. Për momentin jam duke bërë gjëra të tjera, por do të shohim”, tha 51-vjeçari.

    Në verën e vitit 2021, Zidane dha dorëheqjen nga pozicioni i tij si trajner në Madrid. Me Los Blancos, ish-lojtari i klasit botëror fitoi Ligën e Kampionëve tre herë dhe fitoi dy tituj kampion në La Liga.

  • DASh: Bisedimet për rregulloren e BQK-së të vazhdojnë me urgjencë

    DASh: Bisedimet për rregulloren e BQK-së të vazhdojnë me urgjencë

    Departamenti amerikan i Shtetit (DASh) tha se bisedimet në Bruksel për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë, “duhet të vazhdojnë me urgjencë”.

    “Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha një zëdhënës i DASh-it, pasi u pyet nga Radio Evropa e Lirë për të komentuar bisedimet që u zhvilluan të martën për çështjen e rregullores.

    Ndërmjetësuesi i tyre, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se shumë pikëpyetje politike për çështjen e dinarit serb në Kosovë, mbetën pa përgjigje, andaj “duhen takime shtesë”.

    Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, i cili udhëhoqi delegacionin e Kosovës, tha se nuk u diskutua për rregulloren, porse për mundësitë që i ofron ajo për transferimin e mjeteve nga shtetet e tjera në Kosovë.

    Delegacionin e Serbisë e udhëhoqi kryenegociatori Petar Petkoviq, i cili tha se rregullorja e BQK-së kërkon zgjidhje në nivel politik.

    Bisedimet pasuan fuqizimin e kësaj rregulloreje, e cila e përcakton euron si valutën e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë.

    Por, rregullorja nxiti reagime të zemëruara të Beogradit zyrtar, i cili mbështet financiarisht komunitetin serb në Kosovë.

    Bashkësia ndërkombëtare shprehu, po ashtu, shqetësime për ndikimin e saj në jetën e qytetarëve serbë dhe kërkoi pezullimin e saj.

    Ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, tha se vendimi për dinarin i ka vënë në pikëpyetje marrëdhëniet Kosovë-SHBA.

    “Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta në shprehjen e shqetësimeve për rregulloren e re”, tha zëdhënësi i DASH-it për REL-in.

    Ai tha se përsërit thirrjet për Kosovën dhe Serbinë që t’i ulin tensionet dhe të angazhohen “seriozisht dhe urgjentisht”, në përpjekje “për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe produktive në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këmbëngul se vendimi i BQK-së nuk mund të anulohet. Sipas tij, rregullorja nuk i ndalon pagesat nga buxheti i Serbisë, por se ato duhet të bëhen në euro.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se qëllim i Kurtit është “spastrimi etnik i popullit serb nga Kosova”./REL/