ATV

Blog

  • Opozita me kritika për gjendjen në shëndetësi, Vitia ua hedh përgjegjësinë qeverive të kaluara

    Opozita me kritika për gjendjen në shëndetësi, Vitia ua hedh përgjegjësinë qeverive të kaluara

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Si rrallë në rend dite, deputetët kishin vetëm një pikë, atë të shqyrtimit të propozim-rezolutës për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore.

    Por, si rëndom rezoluta e propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk e mori mbështetjen e pushtetit.

    “Ekspertë të cilët pastaj është parë që nuk dinë as për vete dhe janë paguar për t’i trajnuar ekspertët, për të shkuar për t’i trajnuar stafin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Fatkeqësisht kjo ka ndodhë që unë pajtohem komplet me konkluzat e juaja, staf i patrajnuar, por kur i kanë bërë qeveritë e papërgjegjshme këto, nuk kam fjalë”, tha Vitia.

    Për situatën në shëndetësi mospajtime gjatë debatit, ministri Arben Vitia pati me shumë deputetë të tjerë opozitarë.

    Replika Vitia pati edhe me paraardhësin e tij. Ata i përmendën keqmenaxhimet e dështimet e njëri-tjetrit.

    Ligji për sigurime shëndetësore ishte miratuar në Kuvend para një dekade, por nuk është zbatuar asnjëherë.

  • Prishtina G Talks, “Gruaja Lidere” me Grida Duma vjen në Klan Arena

    Prishtina G Talks, “Gruaja Lidere” me Grida Duma vjen në Klan Arena

    Prishtina G Talks, një ngjarje e organizuar nga Grida Duma Event, do të mbahet më 9 Mars në Klan Arena, duke sjellë temën “Gruaja Lidere”. Ky event është pjesë e nismës për të nderuar dhe promovuar rolin e gruas në shoqëri, duke theksuar fuqinë dhe ndikimin e tyre në çdo sferë të jetës.

    Ky aktivitet do të udhëhiqet personalisht nga Grida Duma, një personalitet i njohur dhe frymëzues në skenën mediale dhe shoqërore në Kosovë. Gjatë kësaj ngjarjeje, do të ketë biseda dhe diskutime rreth roli dhe sfidat që hasin gratë në udhëheqje.

    Tema “Gruaja Lidere” ka bërë që shumë njerëz të jenë të interesuar për këtë ngjarje, treguar nga shumë reagime dhe entuziazëm.

    Biletat me zbritje për këtë event mund të blihen duke kontaktuar në numrin e telefonit 048 488-882 apo përmes e-mailit: [email protected].

    Prishtina G Talks sjell një mundësi të shkëlqyer për të mësuar dhe frymëzuar nga rrugëtimi i grave në lidership. Ngjarja pritet të sjellë energji dhe motivim për të gjithë pjesëmarrësit, duke pasuar me histori dhe eksperienca të fuqishme nga gratë lidere në fusha të ndryshme.

  • Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi për ofrimin e zbritjes në produkte për zjarrfikësit dhe zyrtarët policorë

    Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi për ofrimin e zbritjes në produkte për zjarrfikësit dhe zyrtarët policorë

    Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, bashkë me drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha dhe drejtorit të departamentit të gatishmërisë në kuadër të Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, Mustafë Gashi, ka pritur sot në takim kryetarin e Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, i shoqëruar nga anëtarët e bordit të AKB-së, Shkëlzen Jusaj, Xhevdet Rexhepi dhe Lumnije Ajdini.

    Ky takim sot i parapriu nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Aleancës Kosovare të Bizneseve, përmes së cilit do të ofrohen zbritje në produkte dhe shërbime në bizneset anëtare të AKB-së për pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe Zjarrfikësit e Kosovës.

    Ky memorandum bashkëpunimi do të ofrojë zbritje për zyrtarët policor dhe zjarrfikësit në produkte dhe shërbime nga 5-50% në sektorin e ushqimit, veshmbathjeve, derivateve të naftës, shërbime mjekësore, shërbime juridike, transport me taksi, hoteleri dhe gastronomi, si dhe qiramarrje të mjeteve. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe Zjarrfikësit do të njoftohen për fazat e implementimit të kësaj marrëveshje përmes personave të caktuar brenda institucioneve të tyre.

    Ministria e Punëve të Brendshme do të vijojë angazhimin me qëllim të mbështetjes së zyrtarëve dhe agjencive të saj.

  • Kurti takon Sekretarin e Shtetit për Irlandën Veriore, Chris Heaton-Harris

    Kurti takon Sekretarin e Shtetit për Irlandën Veriore, Chris Heaton-Harris

    Dita e dytë në Belfast nisi me një takim të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me Sekretarin e Shtetit për Irlandën Veriore, Chris Heaton-Harris, në kështjellën historike “Hillsborough Castle”.

    Në bisedën mes tyre, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën prej dekadash. Ai foli mbi sfidat dhe mundësitë që i ka Kosova si një shtet multigjuhësor e gjithëpërfshirës. Kryeministri theksoi angazhimin e përkushtimin e Qeverisë sonë për integrimin e komuniteteve joshumicë, sidomos në institucionet shtetërore.

    Në lidhje me ballafaqimin me të kaluarën, Sekretari Heaton-Harris tha se është e rëndësishme që e kaluara të kujtohet, por edhe të ndërtohet mbi të, për një të tashme e të ardhme më të mirë, veçanërisht për të rinjtë dhe gjeneratat e reja të cilat duan prosperitet, pavarësisht se nga cili komunitet vjen.

    Kurti përmendi trysninë dhe kërcënimet me të cilat ballafaqohet komuniteti serb në Kosovë, dhe veçanërisht zyrtarët policorë të këtij komuniteti, nga Beogradi zyrtar. Kryeministri evidentoi se qytetarët serbë të Kosovës duan të ndihen të sigurt dhe të mbrojtur si të gjithë qytetarët e tjerë të shtetit. Ata bashkëpunojnë me policinë në veri të Kosovës për të luftuar kundër krimit të organizuar dhe veprimtarive kriminale që ndikojnë negativisht në jetën e tyre të përditshme.

    Në dritën e këtij diskutimi, por edhe më gjerë, rreth sfidave me të cilat përballet vazhdimisht shteti, kryeministri Kurti shfaqi interesin për të dëgjuar më shumë për përvojat e Irlandës Veriore në bashkimin e komuniteteve. Palët theksuan gatishmërinë për të zgjeruar bashkëpunimin edhe në fusha si ekonomia, kultura dhe teknologjia.

  • Oda Ekonomike e Kosovës dhe Federata e Odave Ekonomike të Arabisë Saudite nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

    Oda Ekonomike e Kosovës dhe Federata e Odave Ekonomike të Arabisë Saudite nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

    Sot, në një ceremoni të mbajtur para shumë përfaqësuesve të kompanive nga Kosova dhe Mbretëria e Arabisë Saudite, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, si dhe Kryetari i Federatës së Odave Ekonomike të Arabisë Saudite, Hassan Al Hawaizy, firmosën zyrtarisht Marrëveshjen e Bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

    Gjithashtu, gjatë Forumit Ekonomik të organizuar sot, kompanitë nga Kosova dhe Mbretëria e Arabisë Saudite ishin pjesë të takimeve të strukturuara B2B, për të eksploruar më në detaje mundësitë e investimeve dhe partneriteteve biznesore.

    Ky Forum paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve ekonomike dhe të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Arabisë Saudite.

    Oda Ekonomike e Kosovës dhe Federata e Odave Ekonomike të Arabisë Saudite shprehin gëzimin e tyre për këtë marrëveshje të rëndësishme dhe angazhohen për të përforcuar më tej lidhjet ekonomike dhe të promovojnë bashkëpunimin reciprok në të ardhmen.

  • ​Bëhet thirrje që edukimi mediatik të përfshihet në planprogramet shkollore

    ​Bëhet thirrje që edukimi mediatik të përfshihet në planprogramet shkollore

    “Edukimi mediatik duhet të përfshihet në planprogramet mësimore shkollore”. Kështu u tha në përfundim të sesionit trajnues në Ferizaj, ku u diskutua me temën “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për nxënësit nga komunitetet jo-shumicë në Kosovë”.

    Të rinjtë e komuniteteve rom, ashkali e egjiptian të shkollave të mesme kanë ndarë përvojat e tyre, ku treguan për rastet kur janë atakuar me lajme të rreme.

    Rreth 20 nxënës nga Ferizaj, në grupe të ndara, kanë ilustruar rastet e informimit keqdashës, lajmit të rremë, keqinformimit e propagandës që bëhen nga mediat në Kosovë.

    Profesori Emin Sadiku nga shkolla ekonomike “Faik Konica” thotë se të rinjtë e komuniteteve po atakohen në masë të madhe nga lajmet e rreme.

    “Nxënësit shpesh ka mundësi debatojnë mes vete përmes rrjeteve sociale, nganjëherë mund të vie edhe deri tek ndonjë ngatërresë e vogël, shtyrje apo sharje apo ndonjë mosmarrëveshje…vijnë si pasojë e keqinformatave dhe keqpërdorimeve që mund të bëjnë”, tregon ai.

    Ai flet edhe për rastet se si pas pushimeve, nxënësit kanë paqartësi nëse do të rifillojë mësimi, si shkak i shpërndarjes së dezinformatave.

    “Kur përfundojnë pushimet dimorore, ka raste nganjëherë ku si shkak i keqinformimit thuhet “jo s’po fillojmë këtë të hëne, jo shtyhet mësimi’. Këto raste shkaktojnë ndonjëherë huti tek nxënësit e tek të rinjtë”, shton ai teksa flet për raste të keqinformimit.

    Teksa flet për trajnime mbi edukimin mediatik, ai konsideron se të tillat ndihmojnë të rinjtë që të arrijnë të identifikojnë lajmet e rreme dhe të mos bijnë pre e tyre.

    Ndërkaq, sipas trajneres Linda Baleta, edukimi mediatik duhet të përfshihet në programet mësimore shkollore në mënyrë që të rinjtë të kenë sa më shumë njohuri rreth rrezikut që vijnë nga lajmet e rreme.

    “Ajo çfarë kemi identifikuar gjatë këtyre sesioneve që nga fillimi i këtij projekti, është sa e madhe është nevoja që të rinjtë dhe jo vetëm të rinjtë por edhe grupmoshat e tjera të kenë sa më shumë njohuri rreth rrezikut dhe kërcënimit qe na vjen nga lajmet e paverifikuara, nga lajmet e pavërteta dhe nga dezinformata. Ndoshta është koha që të mendohet seriozisht që edukimi mediatik të përfshihet në planprogramet mësimore shkollore”, shprehet ajo.

    Më tej, ajo thekson se në sesionet trajnuese është identifikuar nevoja e madhe që të rinjtë e komuniteteve të arrijnë të dallojnë lajmin e pavërtetë.

    “Programi ‘edukimi mediatik’ e ka fokusin tek të rinjtë që vijnë kryesisht nga komunitetet rom, ashkali e egjiptian, duke qenë edhe kërkesa e Ambasadës amerikane. Ne kemi qenë në shumë komuna dhe do të vazhdojmë të shkojmë edhe në komuna të tjera, akoma nuk kanë përfunduar. I mbulon të gjitha komunat e Kosovës, besoj që do të jemi të paktën një herë në secilin qytet për t’u takuar me të rinjtë e këtyre grupmoshave dhe profesorët e tyre të cilët po ashtu bëhen pjesë e trajnimeve”, përfundon Baleta.

    Gjatë së enjtes, të rinjtë e shkollave të mesme në Ferizaj janë trajnuar në lidhje me burimet e informatës, me synimin që të zhvillojnë mendimin kritik sa i përket përmbajtjeve mediatike.

    Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për mësimdhënësit, nxënësit dhe aktivistët e shoqërisë civile nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian” mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.

  • Parlamenti Evropian: Të hiqet vetoja në procesin e zgjerimit

    Parlamenti Evropian: Të hiqet vetoja në procesin e zgjerimit

    Parlamenti Evropian ka miratuar të enjten një rezolutë për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), përmes së cilës kërkoi që ky proces të bëhet më efikas, përfshirë duke e hequr përdorimin e vetos për vendet anëtare.

    Rezoluta kërkon gjithashtu që BE-ja ta ketë një buxhet më efikas, në mënyrë që të jetë në gjendje ta përballojë zgjerimin me vende të reja anëtare.

    Rezoluta u mbështet nga 305 deputetë, ndërsa 157 deputetë votuan kundër dhe 71 abstenuan.

    Bashkimi Evropian, aktualisht, për secilin vendim në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë, ku hyn edhe procesi i zgjerimit, duhet të gjejë konsensus. Kjo ka bërë që shpesh vendimet të bllokohen nga ndonjë shtet anëtar përmes vetos, edhe kur të gjitha tjerat ishin në favor.

    Kjo është rezoluta e fundit për procesin e zgjerimit që miraton Parlamenti Evropian në këtë përbërje, pasi zgjedhjet e reja në bllok do të mbahen në qershor.

    Ky institucion i BE-së e ka mbështetur fuqishëm procesin e zgjerimit, ndërkaq me këtë rezolutë kërkon që BE-ja të reformohet para se të zgjerohet.

    Parlamenti Evropian mbështet edhe integrimin gradual të vendeve kandidate në tregun unik të BE-së përgjatë procesit të zgjerimit, edhe para se ato të bëhen anëtare formale të bllokut.

    “BE-ja ka nevojë për një vizion afatgjatë politik dhe për reforma institucionale dhe financiare për të siguruar kapacitete për absorbimin e anëtarëve të ri”, thuhet në tekstin e rezolutës të cilën e kanë miratuar deputetët e Parlamentit Evropian të enjten.

    Eurodeputetët kërkojnë që përgatitjet për zgjerim të zhvillohen paralelisht edhe në Bashkimin Evropian edhe në vendet kandidate. Ata kërkojnë po ashtu edhe mbrojtje më të fuqishme të vlerave demokratike të Bashkimit Evropian dhe sundimit të ligjit.

    Sa i përket reformave institucionale të Bashkimit Evropian, rezoluta kërkon që ato reforma ta lehtësojnë procesin e miratimit të vendimeve, të hiqet miratimi i vendimeve me konsensus dhe të ketë mekanizma më fleksibil. Ajo propozon që të përdoret votimi me shumicë të kualifikuar për të përmirësuar baraspeshën mes vendeve më të mëdha anëtare dhe atyre më të vogla.

    Parlamenti Evropian po ashtu kërkon që institucionet e BE-së të fillojnë ta adresojnë ndikimin që pranimi i vendeve të reja anëtare do të ketë në përbërjen e Komisionit Evropian dhe të Parlamentit Evropian.

    Ndonëse kërkojnë që BE-ja të vendosë qëllime konkrete për reformat e vendeve kandidate, ata janë kundër vendosjes së afateve kohore për anëtarësim të ndonjë vendi në BE. /REL

  • Xhaferi për një vizitë të mundshme në Kosovë: Në dasmë kur shkohet, shkohet me ftesë

    Xhaferi për një vizitë të mundshme në Kosovë: Në dasmë kur shkohet, shkohet me ftesë

    Kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, tha se nuk ka marrë ftesë ende për ta vizituar Kosovën.

    I pyetur nga gazetarët pse nuk e ka vizituar Kosovën, ai tha se “në dasmë shkohet me ftesë”, derisa shtoi se nuk është çështje ftese, por shkak i agjendave.

    Tutje, sa i përket raporteve ai tha se nuk ka pengesa në komunikim në mes të dy qeverive.

    “Në dasmë kur shkohet, shkohet me ftesë, s’kemi marrë ftesë ende . Nuk është çështje e ftesë, është çështje e agjendave, dihet që ne jemi edhe para zgjedhjeve, kështu që raportet janë raporteve të dy vendeve miqësore, që udhëheqin institucionet përkatëse, nuk ka kurrfarë pengese në komunikim, personale janë çështje tjera, nuk i ngatërrojë unë institucionale me ato personale”, ka deklaruar ai.

  • Vrasja në Bellanicë të Malishevës, dorasi dënohet me 19 vjet burgim

    Vrasja në Bellanicë të Malishevës, dorasi dënohet me 19 vjet burgim

    Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykim dënues kundër të pandehurit I.Z., për veprën penale, “Vrasja” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Pas shqyrtimit fillestar ku i pandehuri e ka pranuar fajësinë sipas akuzës, gjykata të akuzuarin I.Z. e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim unik me burg për dy veprat penale në kohëzgjatje prej 19 vjet, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 20 shtator 2023.

    I pandehuri I.Z., akuzohet se “Me datë 20 shtator 2023, rreth orës 07:15 minuta, në fshatin Bellanicë, Komuna Malishevës, në parkingun e marketit “M…”, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin A. B. nga fshati Vraniq, Komuna Suharekës, në atë mënyrë që me të arritur në vendin e cekur më lartë, tani i ndjeri me veturën Fiat, ngjyrë e bardhë, i cili ishte duke shkuar në punë, ndërsa i pandehuri ndodhej në lokal së bashku me dëshmitarin B. E., dhe me të vërejtur se kishte arritur në parking tani i ndjeri A.B., i pandehuri ngritët nga tavolina, del jashtë dhe afrohet tek automjeti i të ndjerit, hap derën e automjetit dhe menjëherë me armën e llojit SIG SAUER- P320, shtënë pesë herë në kokë të tani të ndjerit, viktima bie përtokë, i pandehuri vazhdon duke shtënë edhe dy here prapë në drejtim të trupit të tij, përderisa trupi ishte i shtrirë për tokë, e ku nga plagët e mara i ndjeri ndërro jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa i pandehuri largohet me veturën e tij nga vendi i ngjarjes dhe lajmërohet në polici.”

    Po ashtu, është konfiskuar një pistoletë e tipit SIG SAUER – P320, 57 fishekë të kalibrit 9×19 mm, një karikator me 7 fishekë të kalibrit 9×19 mm, të cilën armë ditën kritike e kishte përdorur i pandehuri, si objekte të kryerjes së veprës penale.

    Pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, arma e konfiskuar do të shkatërrohet në rast se e njëjta nuk evidentohet se është përdorur në ndonjë rast tjetër të hapur, nga Libri i Rasteve të Hapura.

    Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

  • ​Qytetari nga Kaçaniku i dorëzon në polici paratë e gjetura

    ​Qytetari nga Kaçaniku i dorëzon në polici paratë e gjetura

    Më 28 shkurt 2024 rreth orës 16:30 qytetari E.Dema nga Kaçaniku, i moshës 29-vjeçar, në rrugën “Ismail Raka” në Kaçanik i ka gjetur një shumë të caktuar të parave dhe i ka dorëzuar në stacionin e policisë në Kaçanik.

    Policia kërkon nga pronari i vërtetë i këtyre parave të paraqitet në stacionin e policisë në Kaçanik, çdo ditë nga ora 08:00-16:00 dhe të vërtetohet pronësia, në mënyrë që t’i dorëzohen më pas.

    Me këtë rast policia rajonale e Ferizajt e ka falënderuar qytetarin E. Dema për gjestin human dhe shembullor me rastin e dorëzimit të parave në stacionin e policisë.