ATV

Blog

  • ​Murati takohet me Zëvendës Shefin për Ekonomi në Zyrën për Zhvillim të Mbretërisë së Bashkuar

    ​Murati takohet me Zëvendës Shefin për Ekonomi në Zyrën për Zhvillim të Mbretërisë së Bashkuar

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, priti në takim Fergus Cumming, Zëvendës Shefin për Ekonomi në Zyrën për Zhvillim dhe Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar (FCDO)

    Gjatë takimit, Ministri Murati e njoftoi Cumming për disa nga prioritetet e qeverisë, siç janë rritja e punësimit dhe krijimi i kushteve për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Rritja ekonomike si dhe thjeshtimi i procedurave tatimore në vitet e fundit u konsideruan si tregues për përshtatshmërinë e Kosovës në tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

    Fokus i takimit ishte gjithashtu thellimi i ndërveprimit ekonomik mes dy vendeve ku u përmendën disa sektorë potencialë për investime përfshirë: minierat, kapacitetet e reja energjetike, teknologjinë e informacionit si dhe industrinë e përpunimit të drurit.

    Cumming e vlerësoi potencialin e Kosovës për bashkëpunim të ndërsjellë, duke theksuar nevojën për rritje të tregtisë dypalëshe. Ndër të tjera, Cumming premtoi vazhdim të mbështetjes së Republikës së Kosovës drejt një zhvillimi gjithpërfshirës ekonomik.

    Të dyja palët u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit në fusha të cilat janë në interes të qytetarëve të Kosovës, dhe për rritje të vëllimit tregtar në mes të dyja vendeve.

  • Irani mban sot zgjedhjet e para pas protestave masive

    Irani mban sot zgjedhjet e para pas protestave masive

    Në Iran janë hapur të premten kutitë e votimit, për herë të parë prej protestave kundër udhëheqësisë, më 2022.

    Zgjedhjet e së premtes po konsiderohen si shumë të rëndësishme për legjitimitetin dhe mbështetjen kombëtare për udhëheqësinë e Iranit – ndonëse pritet të ketë dalje të vogël.

    Apatia në mesin e votuesve mbetet e lartë, pas një periudhe trazirash të lidhur me vdekjen e një gruaje të re, e cila ka vdekur ka qenë në mbajtje policore për mosvendosje të hixhabit në “mënyrën e duhur”.

    Më shumë se 61.2 milionë njerëz kanë të drejtë vote.

    Në këtë vend janë duke u zhvilluar dy lloje zgjedhjesh, njëra për deputetët e rinj parlamentarë, dhe tjetra për të zgjedhur anëtarët e Asamblesë së Ekspertëve.

    Asambleja zgjedh dhe mbikëqyr figurën më të fuqishme të Iranit, njëherësh komandantin e përgjithshëm të ushtrisë, liderin suprem, i cili merr vendime kyçe për votuesit, sikurse liritë sociale dhe kushtet ekonomike.

    Të enjten, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei – i cili është në pushtet për më shumë se tri dekada – i ka inkurajuar votuesit që të dalin në votime.

    Ai ka thënë se mosdalja në zgjedhje “nuk zgjidh asgjë”.

    Media shtetërore ka tentuar t’i inkurajojë njerëzit që të dalin dhe të votojnë duke krijuar edicione maratonike për kandidatët.

    Megjithatë, dalja në zgjedhje pritet të jetë e ulët. Një agjenci për sondazhe publike, e lidhur me shtetin, ka parashikuar dalje prej 41 për qind për zgjedhjet parlamentare.

    Nëse shifra është e saktë, ajo do të jetë më e ulëta në 12 zgjedhjet e fundit.

    Prej protestave mbarëkombëtare të vitit 2022, dhe shtypjes së tyre nga dora e shtetit, atmosfera në Iran është bërë shumë e rëndë dhe publikut i është shtuar ndjenja e pakënaqësisë ndaj qeverisë.

    Këtë vit, një numër rekord prej 15.200 kandidatëve kanë të drejtë të garojnë për 290 ulëset e parlamentit, por vetëm 30 prej tyre janë prej kampit reformist.

    Ata i kanë përshkruar zgjedhjet si “pa asnjë kuptim, të padrejta, dhe joefektive”.

    Të enjten, zyrtari amerikan Mathhew Miller, ka thënë se “një numër i madh i iranianëve” nuk kanë pritshmëri që zgjedhjet do të jenë të lira dhe të drejta./REL/

  • Bordi i Drejtorëve miraton shpërndarjen e mjeteve të 20% për pesë Ndërmarrje Shoqërore

    Bordi i Drejtorëve miraton shpërndarjen e mjeteve të 20% për pesë Ndërmarrje Shoqërore

    Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti mbledhjen e tij të rregullt ku u informua lidhur me aktivitetet mujore të AKP-së.

    Në këtë takim Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit shqyrtoi dhe miratoi Planin e azhurnuar të Punës dhe Performancës së AKP-së për vitin 2024. Këtu Bordi i Drejtorëve pas shqyrtimit miratoi Raportin e Shqyrtimit të Ankesave dhe shpërndarjen e mjeteve ndaj listave të 20% për: 1) N.Sh “Mofast”, Pejë (PEJ106); 2) N.Sh “Stacioni i Veterinës”, Gjilan (GJI145); 3) N.Sh KB “Morava”, Partesh (GJI018); 4) N.Sh “Bagat”, (MIT152) dhe 5) N.Sh “Borovo”, (MIT144) si dhe Raportin e për 5 raste Komisionit të Banesave në pronësi shoqërore.

    Veç kësaj Bordi i Drejtorëve shqyrtoi dhe miratoi Propozimet e Autoritetit të Likuidimit për heqje dorë nga 16 asete të Ndërmarrjeve Shoqërore, të cilat janë rajone ujore si përrenj dhe lumenj ndërkaq disa janë rrugë. Përmes këtij procesi prona bartet në regjistrat kadastral të komunave përkatëse dhe hapet rruga për likuidim të ndërmarrjeve shoqërore.

    Bordi i Drejtorëve gjithashtu shqyrtoi dhe miratoi shpërndarjen e mjeteve në likuidim për NSH Energomontimi në vlerë prej 308,985.68 € duke ju siguruar punëtorëve që të marrin pagesat për të cilën kanë pritur kohë të gjatë.

    Në pamundësi të gjetjes së një kandidati adekuat për të menaxhuar kompleksin Brezovica në këtë mbledhje Bordi i Drejtorëve anuloi konkursin për Drejtor Menaxhues të N.Sh-së Inex Sharr Planina dhe vendosi që pozita të mbulohet me ushtrues detyre deri në përfundim të sezonit dimëror.

  • ​Gjermani: 4 të vrarë nga të shtënat me armë zjarri në një familje

    ​Gjermani: 4 të vrarë nga të shtënat me armë zjarri në një familje

    Katër persona u vranë nga të shtënat me armë në një familje në veriperëndim të Gjermanisë, raportuan mediat të premten.

    Personi i armatosur, i cili qëlloi tre të rritur dhe një fëmijë në qytetin verior të Rotenburgut, ishte një ushtar gjerman, tha një zëdhënës i policisë për transmetuesin publik NDR.

    I dyshuari është në mbajtje pasi është dorëzuar tek autoritetet, ka konfirmuar zëdhënësi, pa dhënë detaje të mëtejshme.

    Sipas të përditshmes Bild, viktimat ishin ish-gruaja e ushtarit dhe një fëmijë, partneri i ri i gruas dhe nëna e tij. /Anadolu Agency/

  • Lojëra bixhozi në veri, policia konfiskon pajisje në një lokal

    Lojëra bixhozi në veri, policia konfiskon pajisje në një lokal

    Policia e Kosovës gjatë kontrollit në një lokal të të dyshuarit si prova materiale ka konfiskuar një sprej dhe disa pajisje të dyshuara për organizimin e lojërave bixhozi.

    Kontrolli i këtij lokali, sipas Policisë, është bërë mbrëmë në veri të Mitrovicës, ku lidhur me rastin i njëjti është intervistuar dhe me vendim të prokurorit, është liruar.

  • Pesë organizata e padisin deputeten e VV-së dhe Kuvendin për diskriminim ndaj komunitetit LGBTIQ+

    Pesë organizata e padisin deputeten e VV-së dhe Kuvendin për diskriminim ndaj komunitetit LGBTIQ+

    Organizatat Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS), Qendra për Barazi dhe Liri (CEL Kosova), Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD), Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) dhe Civil Rights Defenders, kanë dorëzuar padi në Gjykatën Themelore ndaj Kuvendit të Kosovës dhe deputetes Labinotë Demi- Murtezi.

    Ata janë paditur për “Cenim të dinjitetit, trajtim çnjerëzor apo poshtërues dhe diskriminim ndaj personave LGBTIQ+”, që sipas këtyre organizatave ka ndodhur në seancën e 16 marsit 2022.

    Sipas tyre në atë seancë deputetja Demi-Murtezi kishte thënë se “personat LGBTIQ+ shpërndajnë sëmundje”.

    Demi-Murtezi është deklaruar kundër projektkodit civil i cili dështoi të miratohej në mars të vitit 2022. Si arsye ishte përmendur pika e dytë e nenit 1138, që lejon bashkësitë civile mes personave të seksit të njëjtë.

  • Dështon seanca ndaj 70-vjeçarit që akuzohet për vrasjen e bashkëshortes, kjo është arsyeja

    Dështon seanca ndaj 70-vjeçarit që akuzohet për vrasjen e bashkëshortes, kjo është arsyeja

    Në mungesë për mbrojtësit të viktimave Gentrit Begolli ka dështuar të mbahet seanca e rigjykimit ndaj Izet Godenit, i cili akuzohet se kishte privuar nga jeta gruan e tij S.G në mënyrë mizore.

    Paraprakisht gjykatësi i rastit Naser Foniqi tha se ka tentuar të kontaktojë më mbrojtësin e viktimave por i njëjti nuk është lajmëruar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gjykata Themelore në Prishtinë kishte dënuar me 25 vite burgim Godenin për shkak të veprës penale vrasje e rëndë.

    Gjykata e Apelit me 26 shtator 2023 kishte kthyer çështjen në rigjykim me arsyetimin se vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë është i përfshirë në shkelje esenciale të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Gjithnjë sipas vendimi të Apelit, thuhet se vendimi i Themelores nuk ka dhënë arsye për çdo pikë të aktgjykimit dhe se nuk është paraqitur në mënyrë të qartë dhe të plotë se cilat fakte konsiderohen të vërtetuara apo të pavërtetuara.

    Sipas aktakuzës thuhet se me 25 nëntor 2022 rreth orës 4 në mënyrë mizore Izet Godeni kishte privua nga jeta anëtarin e familjes, konkretisht bashkëshortë e tij S.G.

    Andaj me këto veprime Izet Godeni po ngarkohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”nga nenin 173 paragrafi 1 pika 1.3 dhe 1.4 e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

  • ​Theret për vdekje një 14-vjeçar në Prilep të Maqedonisë së Veriut

    ​Theret për vdekje një 14-vjeçar në Prilep të Maqedonisë së Veriut

    Një djalë 14-vjeçar është gjetur mbrëmë rreth orës 19:30 pa shenja jete me plagë të shumta therëse dhe gjakderdhje të jashtme në qendër të Prilepit në trotuarin e bulevardit “Goce Dellçev” përballë Shtëpisë së Kulturës “Marko Cepenkov”. Ai nuk dha shenja jete dhe u dërgua në spitalin e qytetit, ku të gjitha përpjekjet për ta ringjallur rezultuan të pasuksesshme.

    Policia dhe prokurori themelor publik kanë bërë kontroll. Në trupin e 14-vjeçarit është urdhëruar autopsia. /Alsat.m/

  • ​Kurti me plis në kokë: Diaspora jonë janë ambasadorët tanë më të mirë

    ​Kurti me plis në kokë: Diaspora jonë janë ambasadorët tanë më të mirë

    Me të filluar vizitën e tij të parë zyrtare në Irlandë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takoi e bashkëbisedoi me mërgatën e Kosovës.

    Ky takim i parë me diasporën tonë atje, u karakterizua nga diskutime për shtetin tonë, për të tashmen e të ardhmen.

    Në komunikatë thuhet se kryeministri Kurti theksoi se diaspora jonë janë ambasadorët tanë më të mirë, që shpërfaqin atë se çfarë përfaqëson Kosova, vlerat unike dhe zellin e punës.

    “U trajtuan në hollësi programet, planet e objektivat e Qeverisë, të cilat synojnë kthimin e trurit dhe bashkatdhetarëve tanë në atdhe. Diaspora ka kontribuar e vijon të kontribuojë për Kosovën, dhe si Qeveri e kemi obligim që ta vendosim mërgatën në pozicion më të volitshëm e të eksplorojmë format e mundësitë për bashkëpunim. Mes shumë iniciativash, kryeministri përmendi edhe Fondin Sovran”, thuhet në komunikatë.

    Më tej thuhet se duke shprehur ngazëllimin e mirënjohjen e thellë për të gjithë pjesëmarrësit, për diasporën tonë dhe për dashurinë e tyre për Kosovën, kryeministri Kurti i falënderoi ata për bisedat e frytshme e produktive.

  • ​Dronët Bayraktar mbërrijnë në Shqipëri

    ​Dronët Bayraktar mbërrijnë në Shqipëri

    Dronët turk Bayraktar kanë mbërritur këtë të premte në territorin shqiptar. Lajmi është bërë me dije nga ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili ka ndarë dhe pamjet e mbërritjes së mjeteve fluturuese.

    Peleshi thekson se pajisja e Forcave të Armatosura me dronët Bayraktar rrit aftësinë e mbrojtjes së Shqipërisë dhe është një dëshmi e angazhimit për të garantuar sigurinë kombëtare.

    “Dronët Bayraktar, të njohur për efikasitetin dhe teknologjinë e tyre të avancuar, tashmë janë në Shqipëri!

    Prej dy ditësh, ka filluar montimi dhe paralelisht po kryhet instalimi i infrastrukturës mbështetëse për operimin dhe kontrollin e tyre.

    Ky zhvillim jo vetëm që rrit aftësitë e mbrojtjes së Shqipërisë, por shërben edhe si dëshmi e angazhimit të vendit për të garantuar sigurinë kombëtare dhe për të përmbushur standardet më të larta të mbrojtjes.

    Kjo arritje, simbol i dedikimit tonë drejt modernizimit dhe inovacionit në Forcat tona të Armatosura”, shkruan Peleshi në facebook. /Euronews/