ATV

Blog

  • Rreth 4 mijë përdorues të karrocave në Kosovë, mbetet sfidë lëvizja e lirë e tyre

    Rreth 4 mijë përdorues të karrocave në Kosovë, mbetet sfidë lëvizja e lirë e tyre

    Shoqata “HANDIKOS” sot ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës, me ç‘rast u organizua aktiviteti i një shëtitje 30 minutëshe me karrocë në njërën nga rrugët e kryeqytetit.

    Pjesëmarrës të këtij aktiviteti ishin nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Jehona Lushaku – Sadriu, dhe anëtar të kabinetit të cilët u shoqëruan nga drejtori i “HANDIKOS”, Afrim Maliqi.

    Nga shoqata u përmendën sfidat që përballen personat me karrocë, ndërsa nga autoritetet komunale premtuan më shumë angazhim në krijimin e kushteve për lëvizje më të lehtë të tyre.

    Drejtori Maliqi tha se në Kosovë janë rreth 4 mijë persona që përdorin karrocën dhe se të njëjtit e kanë të vështirë që të lëvizin lirshëm në rrugët e Prishtinës dhe në vende të tjera.

    Ndërkaq nënkryetarja e Komunës të Prishtinës, Jehona Lushaku – Sadriu u shpreh se ndjenja për të qenë në karrocë qenka e fortë, pasi sipas saj, liria e lëvizjes varet nga karroca.

    Ajo theksoi se e dinë që në Prishtinë këta persona hasin në vështirësi për të lëvizur, teksa shtoi se kanë vullnet politik për të ju qëndruar pranë dhe se në të ardhmen do të ketë mbështetje konkrete ndaj tyre.

    Dita e Përdoruesve të Karrocës për herë të parë u shënua më 2019 në Kosovë me qëllim të arritjes së ndikimit pozitiv të karrocës në jetën e një personi, rikujtimit të numrit të përdoruesve të karrocës në vend dhe në botë, si dhe vetëdijesimit të shoqërisë për ta bërë botën një vend të qasshëm për të gjithë. /kp

  • Gjakovë: 5936 gjoba të trafikut të shqiptuara e 93 patentë shofera të konfiskuara gjatë shkurtit

    Gjakovë: 5936 gjoba të trafikut të shqiptuara e 93 patentë shofera të konfiskuara gjatë shkurtit

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, është duke vazhduar me zbatimin e planit operativ “siguria në trafikun rrugor” me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

    “Njësitet dhe stacionet policore në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, gjatë muajit shkurt, kanë ndërmarr një sërë aktivitetesh bazuar në planin operativ “siguria në trafikun rrugor”. Në zbatim të këtij plani, janë ndërmarrë masa të duhura preventive me qëllim vetëdijesimin e pjesëmarrësve në trafikun rrugor dhe parandalimin e aksidenteve”, thuhet në njoftimin zyrtar.

    Në zbatim të planit operativ “siguria në trafikun rrugor “, dhe planeve të tjera operative, gjatë muajit shkurt janë shqiptuar gjithsej 5936 gjoba të trafikut dhe janë konfiskuar si93 patentë shoferi. Prioritet në planet operative, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë, identifikimi dhe marrja e masave në përputhje me ligjin për rregullat e trafikut rrugor ndaj kundërvajtësve të cilët drejtojnë automjetet duke tejkaluar shpejtësinë e lëvizjes, përdorin telefonin e dorës gjatë ngasjes, bëjnë tejkalime të parregullta, bëjnë gara shpejtësie etj.

    Gjatë muajit shkurt ndër të tjera janë shqiptuar:

    •2646 gjoba për tejkalim të shpejtësisë,
    •115 gjoba për tejkalimet e parregullta (në vendet e ndaluara),
    •210 gjoba për kundërvajtësit të cilët gjatë ngasjes kanë përdorur telefonin e dorës,
    •796 gjoba për mos vendosje të rripit të sigurisë etj.

  • Haradinaj: Fatkeqësisht arsimi s’është prioritet i Qeverisë Kurti, problemet janë shtuar dhe janë alarmante

    Haradinaj: Fatkeqësisht arsimi s’është prioritet i Qeverisë Kurti, problemet janë shtuar dhe janë alarmante

    AAK e Ramush Haradinajt bashkë me partnerët e koalicionit kanë organizuar sot një tryezë në të cilën kanë diskutuar për gjendjen e arsimit në vend, për sfidat dhe rrugën përpara për përmirësimin e gjendjes.

    Haradinaj ka thënë se sallat mësimore, amfiteatrot e laboratorët janë fabrikat më të rëndësishme për një shtet. Ai ka thënë se me arsim s’bëhet pazar, pasi që përcaktohet e ardhmja e vendit.

    Ai ka kritikuar Qeverinë, duke thënë se nuk e ka prioritet arsimit dhe sipas Haradinajt problemet janë alarmante.

    Postimi i plotë i Haradinajt:

    Sallat mësimore, amfiteatrot e laboratorët janë fabrikat më të rëndësishme për një shtet. Me Arsimin nuk bëhet pazar sepse është përcaktues për të ardhmen e vendit.

    Fatkeqësisht Arsimi nuk është prioritet i kësaj qeverie. Problemet janë shtuar dhe janë alarmante. Ndikimi i dëmshëm politik, mungesa e investimeve kapitale, mungesa e fondeve për hulumtime shkencore, pagat e ulëta si dhe kushtet e dobëta infrastrukturore dhe lufta e hapur ndaj sindikatave dhe mësimdhënësve, kanë sjellur këtë sektor buzë kolapsit.

    Në tryezën e dytë për Arsimin, kësaj radhe organizuar në bashkëpunim me Forumin Intelektual Evropa 2030, gjatë diskutimit me panelistët, profesionistë të fushave të ndryshme me kontribut të shquar në sektorin e Arsimit, u ngrit shqetësimi për degradimin e skajshëm që kjo qeveri i ka sjellur Arsimit.

    Bashkëpunimi ynë politik me Forumin E30 dhe sindikatat e Arsimit, ka nisur të japë rezultatet e para, që do të kulmojnë me një plan të përbashkët për ta rikthyer dinjitetin e mësimdhënësve dhe ndryshimin pozitiv të gjendjes arsimore në vend.

  • ​Shqipëria heq vizat me Azerbajxhanin

    ​Shqipëria heq vizat me Azerbajxhanin

    Shqipëria ka nënshkruar marrëveshjen për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt Azerbajxhanit.

    Lajmi u bë i ditur në një postim në rrjetin social X nga ambasadori i Azerbajxhanit në Shqipëri, Anar Huseynov.

    Nënshkrimi i marrëveshjes u bë ndërmjet zëvendësministrit të Jashtëm Besart Kadia dhe homologut të tij nga Azerbajxhani.

    Marrëveshja e nënshkruar në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, hap mundësi të reja për turizëm, zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim mes dy vendeve. /Euronews.al/

  • Tahiri: Fatkeqësi e madhe që vendimi i brendshëm i BQK-së të bëhet temë ndërkombëtare

    Tahiri: Fatkeqësi e madhe që vendimi i brendshëm i BQK-së të bëhet temë ndërkombëtare

    Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se është fatkeqësi e madhe që vendimi  brendshëm i Bankës Qendrore të Kosovës të bëhet temë ndërkombëtare.

    Tahiri ka thënë se AAK I mbështetë marrëveshjet ndërkombëtare përderisa kanë kërkesa eksplicite për reflektim sa i përketë dy temave që i ka parashtruar Aleanca.

    “Pas mbledhjes së kryesisë së kuvendit theksova se Grupi Parlamentar i AAK-së do t’i mbështesë marrëveshjet ndërkombëtare, përderisa kemi kërkesa eksplicite që të ketë reflektim mbi dy kërkesat tona kryesore: të votohet rezoluta për sigurimet shëndetësore si dhe amandamentimi i Ligjit të Pagave”, ka thënë Tahiri.

    Tahiri ka thënë se valuta e vetme në Kosovë është Euro dhe ajo duhet të jetë.

    “Sa i përket çështjes së dinarit, qëndrimi ynë është i saktë: Euro është valuta e vetme në Kosovë dhe ajo duhet të jetë. Për këtë temë duhet të ketë diskutim të brendshëm në Kosovë me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe me argumentimet që i ka qeveria në mënyrë që të arrihet deri tek një zgjidhje dhe assesi kjo temë nuk duhet që të bëhet temë e dialogut në Bruksel”, është shprehur Tahiri.

    Sipas tij, është fatkeqësi e madhe që vendimi I brendshëm i Bankës Qendrore të Kosovës të bëhet temë ndërkombëtare.

    “Është fatkeqësi e madhe, që ky vendim i brendshëm i Bankës Qendrore të Kosovë të bëhet temë ndërkombëtare! Të gjithë hapat e qeverisë kanë qenë dhe janë të gabuar – është dashur që të ketë një njoftim paraprak, të jepet një afat kohor dhe të merret një vendim i pakthyeshëm dhe jo kjo çështje të bëhet problem ndërkombëtar”, ka përfunduar Tahiri.

  • ​Javën e ardhshme përfundon procesi i verifikimit të peticionit në veri

    ​Javën e ardhshme përfundon procesi i verifikimit të peticionit në veri

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të diskutojë javën e ardhshme lidhur me procesin e verifikimit të nënshkrimeve. Në mbledhjen e sotme të KQZ-së u tha se nuk ka përfunduar ende procesi i verifikimit të nënshkrimeve të serbëve për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat me shumicë serbe.

    Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi tha se java e ardhshme do të jetë përfundimtare për këtë proces dhe se paraprakisht do të miratojnë disa rregullore të brendshme.

    “Ju njoftojë që javën tjetër, diku ka fundi i javës do ta trajtojmë atë çështje. Nuk jemi të gjithë, në tërësi të gatshëm me të. Java tjetër do të jetë përfundimtare lidhur me peticion. Procesi nuk ka përfunduar, javën tjetër do të jemi në një takim të tillë dhe do ta trajtojmë. Afër jemi, por nuk ka përfunduar tërësisht procesi. Javën tjetër, unë po besoj kah fundi i javës e mbajmë një mbledhje, paraprakisht do të miratojmë disa rregullore të brendshme zgjedhor çka janë të nevojshme për çfarëdo procesi zgjedhor në të ardhmen”, ka thënë Radoniqi.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 29 janar kishte njoftuar se ka filluar procesin e verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri të Kosovës.

    Në mbledhjen e sotme të KQZ-së është vendosur edhe për regjistrimin e një partie serbe në Kosovë.

    Drejtori i Zyrës për Regjistrimin, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala tha se kjo parti politike do të ketë numrin rendor 51.

    “Zyra i rekomandon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve aprovimin e kërkesës për regjistrim të partisë politike-Srpski Narodni Pokret (SNS). Në rast të regjistrimit, marrjes së vendimit për aprovim, iniciativa politike Srpski Narodni Pokret (SNS) do të përfshihet në regjistrin e partive politike të regjistruara dhe do të jetë partia me numër rendor 51”, tha ai.

    Srpski Narodni Pokret (SNS) është partia e katërt serbe që regjistrohet në Republikën e Kosovës dhe që do të funksionojë në mesin e shumë partive të tjera në vendin tonë.

    Pas vendimit të KQZ-së për regjistrim, kjo parti do të listohet në regjistrin e partive politike me numër 51.

    Deri më tani nga radhët e komunitetit serb janë të regjistruara edhe tri parti politike, Srpska Lista me kryetar Zlatan Elek, Partija Kosovskih Srba me kryetar Aleksandër Jabllanoviq dhe Srpska Demokratija me kryetar Aleksandar Arenijeviq.

  • Bashkëpunimi Rusi-Kinë në teknologjinë 5G ‘përbën rrezik për Ukrainën’

    Bashkëpunimi Rusi-Kinë në teknologjinë 5G ‘përbën rrezik për Ukrainën’

    Rusia është duke e rritur bashkëpunimin me Kinën në teknologjinë satelitore dhe atë 5G, dhe diçka e tillë mund të lehtësojë luftën e Moskës në Ukrainë, është thënë në një raport të institutit britanik The Royal United Services Institute (RUSI).

    Në raportin e publikuar më 1 mars, është thënë se ndonëse integrimi i rrjetit 5G në zonat e fushëbetejës mund të përcillet me komplikime, infrastruktura për ndihmën kineze ndaj satelitëve rusë veçse ekziston dhe mund të lehtësojë “veprimet ushtarake ruse në Ukrainë”.

    Kina, e cila ka lidhje të ngushta me Moskën, ka refuzuar të dënojë luftën e Rusisë në Ukrainë dhe i ka ofruar ndihmë ekonomike Rusisë, duke ia bërë më të lehtë Kremlinit përballjen me sanksionet e Perëndimit.

    Pekini ka thënë se nuk i shet armë vdekjeprurëse Rusisë për luftën në Ukrainë, mirëpo qeveritë e Perëndimit e kanë akuzuar vazhdimisht Kinën se i ka ofruar ndihmë teknologjike Moskës, pavarësisht sanksioneve të Perëndimit.

    Në raportin e RUSI-t jepen më shumë detaje se si bashkëpunimi në mes të Rusisë dhe Kinës në sektorin 5G dhe teknologjinë satelitore mund të ndihmojë Rusinë në fushëbetejë.

    “Dronët dhe pajisjet tjera të avancuara teknologjike kanë qenë kyçe në të gjitha frontet në Ukrainë, duke nisur prej mbledhjes së informacioneve, e deri të fushata e sulmeve ajrore”, është thënë në raport.

    Sipas raportit, zhvillimi i rrjetit 5G ka rezultuar me ndikim të madh në marrëdhëniet strategjike ruso-kineze në vjetët e fundit.

    5G është teknologji standarde, e cila mundëson shpejtësi më të madhe të transferimit të të dhënave, në krahasim me rrjetin 4G.

    Sipas raportit të RUSI-t, 5G ka potencial të riformësojë fushëbetejën.

    Më 2019 Rusia dhe Kina janë pajtuar për ndërtim të tri stacioneve vëzhguese në Kinë dhe tri tjerave në Rusi.

    Kjo teknologji mundëson mbledhjen e pamjeve, përmirëson menaxhimin logjistik, mundëson vëzhgimin e lëvizjeve ushtarake dhe saktëson identifikimin dhe eliminimin e shënjestrave tokësore.

    Ky raport është publikuar teksa qeveritë perëndimore janë duke i rritur përpjekjet për t’i luftuar tentimet e Rusisë për t’iu ikur sanksioneve të vëna për nisjen e luftës në Ukrainë.

    Më 23 shkurt, në prag të përvjetorit të dytë të nisjes së luftës, Shtetet e Bashkuara u kanë vënë sanksione rreth 100 entiteteve, që janë duke i ndihmuar Rusisë t’iu ikë sanksioneve dhe janë duke ofruar ndihmë për makinerinë ruse të luftës.

    Në këtë luftë përfshihen kompanitë kineze, të akuzuara për ofrimin e mbështetjes për “bazën ushtarake të Rusisë”.

  • ​Vazhdon greva e punëtorëve teknikë në UP, ndërpritet ajo në Qendrën Studentore

    ​Vazhdon greva e punëtorëve teknikë në UP, ndërpritet ajo në Qendrën Studentore

    Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka bërë të ditur se po vazhdon greva e punëtorëve teknikë të Universitetit të Prishtinës, ndërsa greva në Qendrën Studentore ka përfunduar pas vendimit për rritjen e pagave.

    Në një postim në Facebook, Azemi ka shkruar se rritja e pagave për punëtorët teknikë në Qendrën Studentore do të fillojë menjëherë.

    “Të gjithë punëtorët unanimisht votuan për fillimin e punës dhe nga ora 10 gjithçka është normale”, ka shkruar ai.

    Azmi ka thënë se greva në UP po vazhdon greva pa asnjë sinjal se ajo do të përfundojë së shpejti.

    “Tani punëtorët po dërgohen në spital dhe kryesisht janë me tension të lartë. Qarkullojnë lajme jozyrtare se për ditët në grevë nuk do të paguhemi. Ne ju bëjmë me dije se çdo shkelje e ligjit mbi grevat nga ana juaj neve na e imponon që të radikalizohemi e që ne nuk e dëshirojmë”, ka shkruar Azemi.

  • Memli Krasniqi, bashkë me presidenten Osmani, pjesë e Forumit të nivelit të lartë Diplomatik të Antalisë

    Memli Krasniqi, bashkë me presidenten Osmani, pjesë e Forumit të nivelit të lartë Diplomatik të Antalisë

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, po merr pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë (ADF), ku do të jenë prezentë përfaqësues nga 147 vende të botës nën temën “Ngritja e diplomacisë në mes të krizës”.

    Këtë vit, në këtë forum do të marrin pjesë rreth 4.500 pjesëmarrës, duke përfshirë 19 krerë shtetesh, 73 ministra dhe 57 përfaqësues ndërkombëtarë.

    Në këtë forum pjesëmarrëse është edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është i vetmi nga liderët e partive politike nga Kosova, i cili është ftuar dhe po merr pjesë në këtë forum ndërkombëtar.

    Kryetari i PDK-së tashmë ka njoftuar për takimin e tij të parë në kuadër të këtij forumi me zëvendësministrin e Jashtëm të Turqisë, Mehmet Kemal Bozay, nga i cili ka kërkuar mbështetjen për njohje të reja dhe anëtarësim të Kosovës në NATO dhe Këshill të Evropës.

    Ende nuk ka ndonjë deklaratë zyrtare nga Lëvizja Vetëvendosoje, Lidhja Demokratike e Kosovës apo Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, për mospjesëmarrjen e liderëve të tyre në këtë Forum të nivelit të lartë.

    Më shumë se 50 panele do të mbahen në forum nga 1 deri më 3 mars dhe do të shfaqen disa ekspozita. Forumi do të mbulojë tema të ndryshme si çështjet globale, diplomacia, siguria, kriza klimatike, migrimi, islamofobia, luftërat tregtare dhe inteligjenca artificiale.

  • ​BE do të lëshojë 54 milionë dollarë për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë javën e ardhshme

    ​BE do të lëshojë 54 milionë dollarë për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë javën e ardhshme

    Komisioni Evropian njoftoi të premten se do të “vazhdojë t’i paguajë” 50 milionë euro (54.1 milionë dollarë) agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) javën e ardhshme.

    Kësti i dytë dhe i tretë prej 16 milionë eurosh do të lëshohen më vonë, thuhet në një deklaratë të komisionit.

    “Përtej mbështetjes së tij për UNRWA, Komisioni mbetet plotësisht i përkushtuar për të adresuar gjendjen e vështirë humanitare të popullit palestinez, veçanërisht në Gaza, por edhe më gjerësisht në rajon,” tha KE, duke shtuar se për këtë qëllim, ai do të ndajë një shtesë prej 68 milionë euro për 2024”.

    Pagesa shtesë do të sjellë shumën totale në 150 milionë euro. Për më tepër, Komisioni ka ndarë 125 milionë euro ndihma humanitare për palestinezët për vitin 2024. Komisioni po kontrakton sot 16 milionë eurot e para”, tha KE.

    Disa vende pezulluan fondet e tyre për UNRWA në janar pas akuzave izraelite se 12 nga mijëra punonjës të agjencisë morën pjesë në sulmin e 7 tetorit të Hamasit ndaj Izraelit. Agjencia po heton pretendimet, por ka paralajmëruar se ndërprerja e financimit rrezikon një katastrofë. /AA