Malsor Gjonbalaj analisti i futbollit i ftuar në emisionin ‘EKIPI A’ në ATV, e ka komentuar fitoren e Ballkanit përballë Dukagjinit.
Gjonbalaj ka deklaruar se Dukagjini edhe sikur t’i aktivizonte gjithë futbollistët përballë Ballkanit nuk do të dilte fitues.
‘Dukagjini edhe me komplet skuadrën nuk mund t`i rezistojë Ballkanit, nuk ka shumë futbollistë cilësor kjo skuadër që me pas synime kreun e tabelës’ tha Gjonbalaj.
Ka përfunduar me sukses turniri dy ditor i organizuar në Slloveni për nder të përvjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Për dy ditë radhazi qyteti Celje i Sllovenisë ka frymuar shqip.
Përveç duleve të forta në fuboll, në tribuna kanë qenë një numër i madh i bashkëatdhetarve tanë në Slloveni dhe vende tjera të Evropës.
Ndarjen e çmimeve e ka bërë, ambasadori i Kosovës në Slloveni, Valdet Sadiku, dhe aktori i njohur, Kreshnik Ibrahimi.
Organizatori i këtij turniri, Armend Berisha ka thënë se ky turnir do të jetë tradicional dhe se vitin e ardhshëm do të ketë më shumë ekipe pjesmarrëse.
Fitues i këtij turniri ku morën pjesë 32 ekipe ishte “Gazi AV”, ku në finale mposhten ekipin e “Gradnje Geni D.O.O”, ndërsa vendi i tretë i takoi “Gradnje Ademi D.O.O”.
Çmimi për lojtarin më të mirë të turneut e ka fituar, Ramadan Alaj, ndërsa portieri më i mirë, Bajram Ramadani.
KFOR-i ka njoftuar se sot ka vdekur në gjumë një ushtar turk i KFOR-it, që ishte në Ekipin Monitorues Ndërlidhës të Gjilanit. KFOR ka thënë se ushtari ka vdekur në gjumë dhe shkaqet e sakta të vdekjes së tij nuk janë bërë të ditura.
“Ushtari shërbeu me dallueshmëri dhe kontribuoi me shërbimin e tij të përditshëm në përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovës. Përkushtimi i tij ndaj misionit gjithmonë do të mbahet në mend dhe do të nderohet”, ka thënë KFOR.
KFOR ka treguar se janë njoftuar familjarët e të ndjerit.
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ozkan Ulutash, ka ofruar ngushëllime.
“Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për këtë humbje tragjike. Mendimet e mia janë me familjarët dhe shokët e ushtarit të vdekur. Humbja e tij ndihet në gjithë komunitetin e KFOR-it. Ne do ta nderojmë kujtimin e tij me angazhimin tonë të palëkundur për misionin e KFOR-it”, ka thënë Ulutash.
Përfundimisht, pas një serie vonesash, Kosova përuroi funksionalizimin e Bursës Shqiptare të Energjisë ALPEX dhe bashkimin e tregjeve energjetike me Shqipërinë.
Hapja e zonës ofertuese të Kosovës në “tregun një ditë para”, u bë gati një vit pas asaj të Shqipërisë.
Krahas vlerësimit “moment historik për sektorin e energjisë”, kryeministri Albin Kurti tha se funksionalizimi i ALPEX-it do të ndihmojë në rritje të konkurrencës dhe në zhvillim.
Lansimi i bursës dhe bashkimi i tregjeve të dy vendeve në ditën e njëjtë, sipas kryeshefit të KOSTT-it, Evetar Zeqiri, e bën unik ALPEX-in.
Në vlerësim e drejtores së USAID-it në Kosovë, ky hap, mes tjerash, mund të ndikojë në rritjen e sigurisë së furnizimit, integrimin energjetik rajonal e evropian, si dhe shtim eventual të investimeve.
“Kemi mbështetur këtë iniciativë për bashkimin e tregjeve, duke ditur se integrimi rajonal është kyç për sigurimin e një të ardhme të pastër, sigurt dhe efiçiente të energjisë në Kosovë. ALPEX, veçmas, do të stimulojë konkurrencën, do t’i ndikojë çmimet dhe do t’i zgjerojë opsionet e zgjedhjes për konsumatorët”, tha Eileen Devitt, drejtore e misionit të USAID-it në Kosovë.
Krahas bilanceve të tregtimit, në ceremoni u prezantuan edhe shkëmbimet e ditës Kosovë-Shqipëri.
Hapi i radhës i synuar nga institucionet e Kosovës është funksionalizimi i “tregut brenda ditës”.
Bursa Shqiptare e Energjisë – ALPEX është shoqëri aksionare në bashkëpronësi të Operatorëve të Sistemeve të Transmisionit të Kosovës dhe Shqipërisë, KOSTT dhe OST, e themeluar në bazë të marrëveshjes ndërmjet tyre më 2020.
Afro një muaj nga rifillimi i punimeve në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë, ka filluar asfaltimi i segmentit Lumë i Madh – Maxhunaj.
Punimet në rrugën që nisi të rregullohej mbi një dekadë më parë, të hënën doli t’i përcjellë kryeministri Albin Kurti bashkë me Ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Për zvarritje të këtij projekti, i pari i Qeverisë nuk la pa akuzuar pushtetet e kaluara.
“Në të kaluarën ka pasur plane të dobëta, përgatitje të pakta e zvarritje të gjata, dhe me qeverisjen aktuale ka plane të hollësishme dhe punët janë të rregullta sipas procedurave, ligjit me mbikëqyrje dhe me shpejtësi ku nuk do të mungojë angazhimi ynë, por edhe mbikëqyrja e këtyre kompanive si operatorë ekonomikë që i zbatojnë punët”, tha Kurti.
Teksa foli për intensitetin e punimeve, ministri Aliu nuk la pa përmendur edhe vëmendjen që ia kanë kushtuar rëndësisë së cilësisë.
“Po bëhet fjalë për një segment prej 9.78 km dhe të dyja bashkë edhe kompani mbikëqyrëse edhe ajo që ka fituar punën kanë marrë seriozisht rëndësinë e veprimit sa më cilësor dhe të shpejtë, në mënyrë që të kemi sa më shpejt zgjidhje të problemit për segmentin nga pjesa e Vushtrrisë deri te Lumi i madh ku jemi këtu”, tha Aliu.
Në rregullimin e kësaj rruge të gjatë afro 10 kilometra, iu dha një konsorciumi pjesë e të cilit janë kompani nga Kosova e Bullgaria, të dyja të mbikëqyrura nga një kompani austriake.
Sipas Ministrisë, punët ndërtimore përfshijnë zgjerimin e rrugës ekzistuese, me katër korsi, me dy drejtime të ndara, me korsi secila prej 3.75m gjerësi, e po ashtu edhe me korsi ndihmëse në të dyja anët me gjerësi prej 2.0m, si dhe objekte ndihmëse dhe struktura të tjera infrastrukturore.
Në gusht të vitit 2022, Malit të Zi, iu cenua siguria kibernetike, duke dëmtuar mes tjerash paltformat e Qeverisë dhe duke rrezikuar sistemin bankar.
Shteti bregdetar, atë verë iu desh të kërkonte edhe ndihmën e miqve për t’i shpëtuar sulmit kompjuterik.
“Mali i Zi është ballafaquar me situatë të cilën nuk ka mundur ta përballojë edhe në atë moment kemi pasur kërkesa ndaj faktorit ndërkombëtar për të na ndihmuar. Tre grupe ekspertësh kanë ardhur në Mal të Zi, prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Francës”, tha ish-kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.
Ndërkaq, për t’iu shmangur sulmeve të mundshme kibernetike, Ministri Xhelal Sveçla, tha se institucionet po punojnë në ruajtje të paqes kibernetike. Këtë e tha, në konferencën “Cyber ZERO”, që po mbahet për herë të parë në Prishtinë.
“Vizioni dhe synimi i Qeverisë së Kosovës është të krijojë një mjedis kibernetik të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë, duke parashikuar dhe zvogëluar rreziqet, si dhe duke zhvilluar aftësitë dhe kapacitetet për të trajtuar çështjet e sigurisë kibernetike. Ky vizion është paraqitur përmes strategjisë kombëtare për siguri kibernetike 2023-2027”, tha Sveçla.
Zëdhënësja e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Katherine Judd, tha se kjo konferencë shërben për të mësuar rreth praktikave më të mira, që do siguronin një të ardhme të sigurt kibernetike.
“Unë shpresoj se kjo mund të shërbejë si një platformë për zgjidhjen proaktive të problemeve, duke fuqizuar të rinjtë dhe njerëzit me prejardhje të ndryshme dhe duke forcuar mbrojtjen tonë kolektive kundër kërcënimeve kibernetike”, tha Judd.
Kjo konferencë do të zgjasë dy ditë dhe do të marrin pjesë rreth 60 folës.
Me shfaqje avionësh Euro-Fighter F200, F-16 si dhe helikopterësh Black Hawk, Shqipëria përuroi bazën taktike ajrore në NATO-s, në Kuçovë.
Për renovimin dhe vënien në funksion të kësaj baze, që gjenden në atë që dikur njihej si “Qyteti i Stalinit”, Aleanca Veri-Atlantike investoi rreth 50 milionë euro, ndërsa Qeveria e Shqipërisë rreth 5 milionë të tjera.
Baza që shtrihet në një hapësirë prej 350 hektarësh dhe e cila do të jetë qendër mbështetëse operacionale dhe stërvitore, vlerësohet e rëndësisë strategjike.
Shpresa e Qeverisë shqiptare është që investimi i radhës madhor në fushën e mbrojtjes të jetë baza e re detare e NATO-s në Durrës.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, foli për rëndësinë e bazës, në kontekstin e zhvillimeve globale në fushën e sigurisë, mbrojtjes, si dhe stabilitetit në rajon.
Përfaqësues të NATO-s vlerësuan se baza në qytezën e vogël në qarkun e Beratit, është një stacion modern dhe i rëndësishëm për operacionet e aleancës.
“Këto instalime ndihmojnë të kemi më tepër mundësi e gatishmëri ushtarake. Pikësëpari e mbi të gjitha, duhet të jemi e do të jemi të gatshëm jo vetëm për këtë, por edhe për planet dhe operacionet e NATO-s. Kjo do të kontribuojë në përpjekjen e përgjithshme të parandalimit dhe për të dëshmuar veprimin e pandalshëm të NATO-s për siguri e paqe”, tha gjenerallejtënanti i NATO-s, Juan Pablo Sanchez De Lara.
Në ceremoninë inauguruese mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci.
Në një reagim, presidentja Vjosa Osmani mirëpriti inaugurimin e bazës, duke thënë se ajo shërben në rritjen e sigurisë në rajon dhe më gjerë.
Ndërkaq, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, krahas urimit për Shqipërinë, kritikoi Qeverinë për qasjen e saj në raport me integrimin në NATO.