ATV

Blog

  • “Sërish vjen marsi” në Kuvend nga Ilir Shaqiri

    “Sërish vjen marsi” në Kuvend nga Ilir Shaqiri

    Këngëtari Ilir Shaqiri, për herë të parë ka kënduar në Kuvendin e Kosovës.

    Ai këndoi këngën e tij të njohur “Sërish vjen marsi” për nder të përvjetorit të Epopesë së UÇK-së.

  • Kurti thotë se nuk është e vërtetë se është duke i prishur marrëdhëniet me ndërkombëtaret

    Kurti thotë se nuk është e vërtetë se është duke i prishur marrëdhëniet me ndërkombëtaret

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se nuk janë të vërteta akuzat që ai është duke i prishur marrëdhëniet me aleatët, pas zhvillimeve të fundit sa i përket hyrjes në fuqi të rregullores së BQK-së e që lidhte me dinarin serb, raporton Ekonomia Online.

    Ai këto deklarime i bëri gjatë ceremonisë inauguruese të objektit të ri të Departamentit për Prodhimin e Dokumenteve, i cili funksionon në kuadër të Agjencisë për Regjistrim Civi.

    Ai u pyet sa i përket akuzave te oponentëve politike, të cilët janë duke akuzuar Kurtin se është duke i bërë dëm të madh Kosovës e duke përkeqësuar raportet me ndërkombëtaret.

    Kësaj pyetje, Kurti iu përgjigj shkurt: “Nuk është e vërtet”, tha ai.

    Sa i përket çështjes së dinarit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe Bashkimi Evropian, kanë qenë të përbashkuar në kritikën ndaj Qeverisë Kurti, duke kërkuar që vendimi i BQK-së të shtyhet.

    ShBA-ja, aleati më i besuar i kosovarëve, në disa raste e ka shprehur publikisht kritikën ndaj Qeverisë së Kosovës, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, përveç kritikave, kishte edhe një paralajmërim për mundësinë e tensionimit etnik.

    Në lidhje me rregulloren e BQK-së, janë mbajtur diskutime edhe në Bruksel ndërmjet delegacionit të lartë të Kosovës dhe Serbisë.

  • Lajçak mbërrin te ndërtesa e Qeverisë

    Lajçak mbërrin te ndërtesa e Qeverisë

    Emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka mbërritur te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, ku do të pritet nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, raporton ATV.

    Së bashku me emisarin Lajçak, në këtë takim do të jetë prezent edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomasz Szunyog.

    Në takim do të diskutohet për ecjen përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike të arritur në Bruksel dhe aneksin e zbatimit të arritur në Ohër.

    Kosova dhe Serbia më 27.02.2023 në Bruksel ishin dakorduar për marrëveshjen bazë për normalizimin e marrëdhënieve që në publik njihej si “Plani franko-gjerman”, përderisa më 18.03.2023 në Ohër, u dakorduan edhe për aneksin e zbatimit të saj. Kjo marrëveshje, e njohur edhe si propozimi evropian, kërkon nga të dyja palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka nisur qysh nga viti 2011.Ajo nuk parasheh njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, por kërkon prej tyre që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese. /atvlive.tv

  • Sekuestrohen mbi 1 mijë e 300 monedha nga dy euro false në Prishtinë

    Sekuestrohen mbi 1 mijë e 300 monedha nga dy euro false në Prishtinë

    Policia e Kosovës njofton se në Prishtinë janë sekuestruar një shumë e konsiderueshme e parave të falsifikuara, monedha nga dy euro.

    Siç njofton policia nga dy banka janë deponuar, 1 mijë e 330 monedha metalike nga 2 euro, që dyshohet të jenë të falsifikuara.

    “Rr. Luan Haradinaj, Prishtinë / 22-27.02.2024. Ankuesi kosovar ka raportuar se, nga dy banka janë deponuar, 1330 monedha metalike nga 2 € që dyshohet se janë të falsifikuara. Monedhat janë sekuestruar nga forenzika. Rasti nën hetime”, thuhet në njoftimin 24 orësh të policisë.

  • Koreja e Veriut paralajmëron për pasoja Uashingtonin dhe Seulin

    Koreja e Veriut paralajmëron për pasoja Uashingtonin dhe Seulin

    Koreja e Veriut tha më 5 mars se Uashingtoni dhe Seuli do të paguajnë “çmim të lartë” për shkak të stërvitjeve të mëdha ushtarake që këto vende nisën gjatë kësaj jave, duke u bërë thirrje që të ndalojnë “stërvitjet e luftës”.

    Deri më tani gjatë këtij viti, Pheniani e ka shpallur Korenë e Jugut si “armiken kryesore”, teksa vendi hoqi dorë nga bashkimi i dy Koreve, duke u zotuar për luftë nëse do të shkelet një centimetër tokë e Veriut.

    Uashingtoni dhe Seuli kanë nisur stërvitjet e tyre vjetore ushtarake të hënën. Në stërvitjet e sivjetme marrin pjesë numër më i madh i trupave krahasuar me vitin 2023. Këto stërvitjet kanë për synim që të forcohet përgatitja në përgjigje ndaj kërcënimeve bërthamore të Veriut, kanë thënë dy shtetet.

    Në këto stërvitjet do të zhvillohen 48 ushtrime fushore, por edhe stërvitje për pengimin e raketave, bombardime dhe sulme nga ajri.

    Një zëdhënës i paidentifikuar i Ministrisë së Mbrojtjes të Koresë së Veriut u bëri thirrje Uashingtonit dhe Seulit që të ndalin stërvitjet “e pamatura” dhe “të luftës”.

    Ushtria e Phenianit “dënon fuqishëm stërvijet e pamatura ushtarake të SHBA-së dhe Koresë së Jugut dhe i paralajmëron ashpër që të ndalin çdo lëvizje që mund të shkaktojë provokim të mëtejmë dhe paqëndrueshmëri”, tha zëdhënësi përmes deklaratës, raportoi agjencia verikoreane e lajmeve, KCNA.

    Koreja e Veriut për një kohë të gjatë ka dënuar stërvitjet e përbashkëta ushtarake mes Uashingtonit dhe Seulit, duke i quajtur ato si përgatitje për një pushtim.

    Në të kaluarën kur janë mbajtur stërvitje të tilla, Koreja e Veriut ka kryer testime armësh.

    Seuli tha të martën se ushtria e tij është e përgatitur për provokimet e mundshme të Koresë së Veriut.

    “Nëse Koreja e Veriut do të na provokojë drejtpërdrejt nën pretekstin e stërvitjeve tona ushtarake, ne do të përgjigjemi në bazë të parimit të veprimit të menjëhershëm, të shpejtë dhe final”, tha përmes një deklarate Ministria e Mbrojtjes në Seul.

    Muajin e kaluar, lideri verikorean, Kim Jon Un, tha se Pheniani nuk do të hezitojë që “t’i japë fund” Koresë së Jugut, nëse sulmohet./rel/

  • Planifikonte sulm ndaj komunitetit LGBTI: Blend Vrajolli dënohet me 3 vjet e gjysmë burg

    Planifikonte sulm ndaj komunitetit LGBTI: Blend Vrajolli dënohet me 3 vjet e gjysmë burg

    Prishtinë- Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për përgatitje të sulmit terrorist ndaj komunitetit LGBTI, Blend Vrajolli, duke e dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim.

    Vrajolli, akuzohej nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Aktgjykimi ndaj Vrajollit u shpall të martën nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj.

    Në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

    Gjykatësja Musliu-Selimaj tha se të akuzuarit me vendim të veçantë do t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të vendimit.

    Ndryshe, aktgjykimi u shpall në mungesë të të akuzuarit Vrajolli.

    Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 15 shtator 2023, ka ngritur aktakuzë kundër Blend Vrajollit, me nofkën “Ebu Ubejdi“, i cili ngarkohet se më 21 shkurt 2023, me rastin e udhëtimit nga Arabia Saudite përmes Aeroportit të Shkupit për në Kosovë, e me rastin e ndaljes dhe kontrollit në pikën kufitare Hani i Elezit, në stop-listë e duke sjellë mesazhin dhe harta të pranuara përmes profilit të tij “Proxyal“ në rrjetin social “Telegram“ të pranuar nga personi me emrin “Dagllas” Muhaxheri, ka bërë përgatitje të sulmeve terroriste në Kosovë.

    Sipas aktit akuzues, thuhet se Vrajolli kishte bërë përgatitje të sulmeve terroriste në Kosovë, me materie të rrezikshme dhe vdekjeprurëse për jetën e njerëzve në kombinim me nitrate dhe kalcium, në sheshin e Prishtinës ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBTI dhe në pikën kufitare Merdar, ku në të njëjtën ditë ai arrestohet nga Policia e Kosovës.

    Me këto veprime, Vrajolli akuzohej se ka kryer veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 138, paragrafi 1 lidhur me veprën penale kryerja e veprës terroriste nga neni 129, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi

  • Kurti kërkon armëpushim të menjëhershëm në Gaza

    Kurti kërkon armëpushim të menjëhershëm në Gaza

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha i është bashkuar thirrjes së zëvendëspresidentes së SHBA-së, Kamala Harris për armëpushim të menjëhershëm në Gaza.

    Ai ka kërkuar që edhe pengjet të lirohen dhe të shtohen ndihmat humanitare për civilët.

    “Vdekjet dhe vuajtjet e civilëve në muajt pas sulmit terrorist të Hamasit janë një thirrje urgjente për veprim të shpejtë dhe vendimtar”, ka shkruar Kurti të martën në rrjetin social X.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë bërë thirrje që të ndërpriten sulmet e Izraelit ndaj civilëve në Gazë.

  • Njësia italiane e Batalionit Rezervë Operacional përfundon dislokimin katërmujor – ishin angazhuar në Zubin Potok e Zveçan

    Njësia italiane e Batalionit Rezervë Operacional përfundon dislokimin katërmujor – ishin angazhuar në Zubin Potok e Zveçan

    Njësia italiane e Batalionit Rezervë Operacional në misionin e KFOR-it e ka përfunduar dislokimin e saj katërmujor, me një ceremoni të mbajtur në Pejë. Njësia përbëhej nga regjimenti 186 i parashutistëve italianë “Folgore” dhe personel shtesë nga ushtria italiane dhe karabinierët.

    Koloneli Giovanni Corrado, komandant i regjimentit “Folgore”, u nderua me medaljen jashtë nenit 5 të NATO-s, në shenjë mirënjohjeje për shërbimet e tij të shkëlqyera, njofton KFOR-i nëpërmes një komunikate shtypi.

    “Do të doja që ky të ishte një moment njohjeje e shpirtit me të cilin ky grup i shkëlqyer dhe heterogjen njerëzish u përball dhe realizoi misionin e tyre,” tha ai.

    Zëvendëskomandanti i KFOR-it, gjeneral brigade Federico Bernacca, shprehu mirënjohjen e tij për kolonelin Corrado dhe trupat e tij për kontributin e tyre të paçmuar.

    “Gra dhe burra të Batalionit të Rezervës Operacionale, veprimet tuaja të përditshme kanë treguar besueshmërinë dhe efektivitetin e rolit tuaj. Ju jeni përballur me sfidën dhe keni nderuar prestigjin e flamurit italian në këtë rajon me rëndësi strategjike për Aleancën, me shërbimin tuaj të pakushtëzuar”, theksoi ai.

    Gjeneral brigade Bernacca gjithashtu theksoi përpjekjet e vazhdueshme të sigurisë së KFOR-it në mbarë Kosovën për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të mirën e të gjitha komuniteteve.

    Zëvendës ambasadori italian, Dr Ugo Ferrero, tha: “Dëshiroj të nënvizoj fjalët e mirënjohjes që komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ndau me ne vetëm pak ditë më parë për gatishmërinë që keni shfaqur në zbatimin e të gjitha detyrat që ju janë caktuar, përfshirë ato që kanë të bëjnë me ruajtjen e ndërtesave të komunave serbe dhe aktiviteteve të tjera të sigurisë në veri të Kosovës, veçanërisht në komunat e Zubin Potok dhe Zveçan, si dhe në Mitrovicën e Jugut dhe Podujevë”.

    “Kontributet e rëndësishme të Italisë në KFOR gjatë 25 viteve të fundit kanë qenë sinonim i besimit dhe profesionalizmit, të cilat janë njohur nga të gjitha palët e përfshira.”

    Autoritete të shumta civile dhe ushtarake morën pjesë në ceremoni.

  • Arrestohet një serb në veri të Mitrovicës, dyshohet për krime lufte

    Arrestohet një serb në veri të Mitrovicës, dyshohet për krime lufte

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim me policinë e ka arrestuar një person në veri të Mitrovicës, të dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile.

    I arrestuari është i nacionalitetit serb.

    “Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar një person të nacionalitetit serb, për veprën penale ‘’Krimet e luftës kundër popullatës civile”. I dyshuari Ž.N, (1954) është arrestuar sot me datë 04.03.2024 rreth orës 16:00 në Mitrovicën e veriut. I lartcekuri është i dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile – Dhunë seksuale‘’ të kryer gjatë vitit 1999 në Komunën e Vushtrrisë”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

    Tutje, në njoftim thuhet se i njëjti është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës, dhe me aktvendim të Prokurorit të Prokurorisë Speciale, është dërguar në ndalim për 48 orë.

  • Kurti mbledh ministrat

    Kurti mbledh ministrat

    Qeveria e Kosovës sot mban mbledhjen e radhës.

    Në njoftimin për media nga Zyra e Kryeministrit, bëhet e ditur se mbledhja nis nga ora 14:00.