ATV

Blog

  • Agjentja e Erling Haaland mohon çdo marrëveshje me Enrique Riquelmen te Real Madridi

    Agjentja e Erling Haaland mohon çdo marrëveshje me Enrique Riquelmen te Real Madridi

    Spekulimet që lidhnin sulmuesin norvegjez Erling Haaland me projektin e kandidatit për presidencën e Real Madridit, Enrique Riquelme, kanë marrë një goditje të fortë pas zhvillimeve të fundit.

    Sipas mediumit spanjoll Marca, agjentja e Haalandit, Rafaela Pimienta, ka kontaktuar personalisht presidentin aktual të klubit, Florentino Pérez, për të mohuar kategorikisht ekzistencën e ndonjë marrëveshjeje mes sulmuesit të Manchester City dhe Riquelmes.

    Raporti thekson se Pimienta ka ndërmarrë këtë hap për të sqaruar situatën pas zërave që qarkulluan në mediat spanjolle dhe rrjetet sociale, ku pretendoheshin akorde të fshehta në rast se Riquelme do të fitonte zgjedhjet presidenciale te Real Madrid.

    Kontakti i drejtpërdrejtë me Perezin shihet si një përpjekje për të shmangur keqkuptimet dhe për të ndalur spekulimet që kanë marrë hov ditët e fundit për të ardhmen e sulmuesit norvegjez.

    Haaland mbetet një nga emrat më të përfolur në tregun e transferimeve, dhe lajmet për një kalim të mundshëm te Real Madrid nuk kanë munguar, por informacioni i fundit i publikuar nga Marca konfirmon se nuk ekziston asnjë marrëveshje mes lojtarit dhe Enrique Riquelmes.

  • Hungaria kufizon vizat e punës për tre shtete – vendim i ri për punëtorët e huaj

    Hungaria kufizon vizat e punës për tre shtete – vendim i ri për punëtorët e huaj

    Qeveria e Hungaria ka vendosur të ndalojë lëshimin e vizave të punës për shtetasit nga Filipinet, Gjeorgjia dhe Armenia, duke nisur nga dita e premte.

    Sipas autoriteteve hungareze, masa është pjesë e një politike të re për rregullimin e hyrjes së punëtorëve të huaj, me arsyetimin se prania e tyre mund të ndikojë në nivelin e pagave në tregun lokal të punës.

    Qeveria thekson se vendimi nuk prek punëtorët që tashmë ndodhen në Hungari, të cilët do të mund të aplikojnë për zgjatje të lejeve të qëndrimit, ndërsa aplikimet ekzistuese do të vazhdojnë të shqyrtohen.

    Megjithatë, disa sektorë të ekonomisë, përfshirë prodhimin dhe shërbimet, kanë shprehur shqetësime se kufizimi mund të ndikojë në mungesën e fuqisë punëtore dhe në funksionimin e bizneseve.

    Autoritetet e cilësojnë këtë si një hap të parë drejt një rregullimi më të gjerë të politikave të migracionit për punë në të ardhmen.

  • FIFA prezanton ceremoni të re para ndeshjeve të Botërorit 2026: Të gjithë lojtarët do të jenë në fushë për himnet kombëtare

    FIFA prezanton ceremoni të re para ndeshjeve të Botërorit 2026: Të gjithë lojtarët do të jenë në fushë për himnet kombëtare

    FIFA ka zbuluar një ndryshim të rëndësishëm në ceremoninë para ndeshjeve të Kupës së Botës 2026, që synon të rrisë unitetin dhe emocionin për lojtarët dhe tifozët. Nga tani e tutje, jo vetëm formacioni titullar, por edhe të gjithë lojtarët rezervë do të jenë në fushë për këndimin e himneve kombëtare.

    Ceremonia e re parashikon që të gjithë lojtarët e secilës skuadër kombëtare të vendosen rreth rrethit qendror në fushë, duke hequr praktikën e mëparshme ku zëvendësuesit ndiqnin himnet nga distanca. Ky ndryshim synon të krijojë një atmosferë më gjithëpërfshirëse dhe emocionale, duke përfshirë gjithashtu flamuj shumë të mëdhenj të vendeve dhe hyrjen e lojtarëve përmes një harku të veçantë më pranë tunelit.

    “Ceremonia do të përfshijë të gjithë lojtarët dhe flamujt e mëdhenj të vendit, duke sjellë një moment të veçantë uniteti dhe krenarie për çdo ekip,” ka deklaruar Dan Sheldon nga The Athletic.

    Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, theksoi se kjo është pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar përvojën e ditës së ndeshjes dhe për të rritur rëndësinë emocionale të përfaqësimit të vendit në skenën më të madhe të futbollit botëror.

    “Kur të gjithë lojtarët dhe gjyqtarët do të jenë në rrethin qendror gjatë himneve kombëtare, do të krijohet një moment i veçantë uniteti, krenarie dhe emocioni që i përket vërtet ekipeve dhe tifozëve. Kupa e Botës i dedikohet çdo lojtari dhe çdo tifozi, dhe kjo ceremoni e re para ndeshjes e pasqyron këtë,” u shpreh Infantino.

    Ky ndryshim vjen ndërsa Botërori 2026 pritet të jetë më i madh në histori, me 48 ekipe, 104 ndeshje dhe tre vende pritëse, duke synuar që çdo ndeshje të jetë një ngjarje e plotë dhe gjithëpërfshirëse

  • FSK realizon ushtrimin “Ujku i Pamposhtur 01” – rriten kapacitetet operacionale dhe gatishmëria luftarake

    FSK realizon ushtrimin “Ujku i Pamposhtur 01” – rriten kapacitetet operacionale dhe gatishmëria luftarake

    Forca e Sigurisë së Kosovës (Forca e Sigurisë së Kosovës) ka zhvilluar ushtrimin fushor validues “Ujku i Pamposhtur 01”, në kuadër të ngritjes së kapaciteteve dhe avancimit të aftësive operacionale.

    Sipas njoftimit zyrtar, ushtrimi është realizuar në zonat e Aeroportit të Gjakovës dhe Babaj të Bokës, ku kanë marrë pjesë njësi të ndryshme të FSK-së, përfshirë Komandën e Forcave Tokësore, njësi logjistike dhe Policinë Ushtarake.

    Qëllimi i stërvitjes ka qenë validimi i aftësive operacionale, rritja e gatishmërisë luftarake, si dhe forcimi i koordinimit ndërmjet njësive në përputhje me standardet profesionale.

    FSK thekson se ushtrime të tilla janë të rëndësishme për përgatitjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të saj në detyra të ndryshme operacionale.

  • Real Madridi përgatit ofertë rekord për Joao Nevesin-Florentino Perez i vendosur ta transferojë me çdo kusht

    Real Madridi përgatit ofertë rekord për Joao Nevesin-Florentino Perez i vendosur ta transferojë me çdo kusht

    Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, është gati të thyejë rekordin e transferimeve të klubit me një ofertë marramendëse për mesfushorin e Paris Saint-Germain, Joao Neves.

    Pak ditë para zgjedhjeve presidenciale të klubit, Perez zbuloi se do të paraqesë një ofertë prej 150 milionë eurosh për një futbollist të nivelit të lartë, duke e cilësuar atë si investimin më të madh në historinë e klubit madrilen.

    “Të martën do t’i dërgoj një ofertë një klubi të madh për një lojtar të nivelit të lartë. Do të ofroj 150 milionë euro, që do të jetë shuma më e lartë që Real Madridi ka paguar ndonjëherë. Nuk do ta merrni kurrë me mend se kush është”, deklaroi Perez, duke mohuar se bëhej fjalë për Michael Olise, Erling Haaland apo ndonjë futbollist nga Liga Premier.

    Megjithatë, mediat spanjolle nuk vonuan të zbulojnë identitetin e objektivit kryesor të madrilenëve. Sipas gazetares së njohur Arancha Rodriguez, oferta rekord e Real Madridit do të jetë për yllin portugez të PSG-së, Joao Neves.

    Mesfushori 21-vjeçar ka shkëlqyer që nga transferimi i tij në Paris në verën e vitit 2024 nga Benfica për 66 milionë euro. Ai është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës franceze dhe konsiderohet si një nga talentet më premtues në futbollin evropian.

    Deri më tani, Neves ka regjistruar 97 paraqitje me fanellën e PSG-së, duke kontribuar me 14 gola dhe 11 asistime në të gjitha garat.

    Sipas raportimeve të mediumit spanjoll Cope, Perez është i gatshëm të shkojë edhe përtej shumës prej 150 milionë eurosh për ta bindur PSG-në të heqë dorë nga mesfushori portugez. Presidenti i Real Madridit thuhet se e sheh Nevesin si një figurë kyçe për të ardhmen e mesfushës së klubit dhe nuk ka ndërmend të heqë dorë nga transferimi i tij.

  • Policia jep detaje për arrestimin e dy zyrtarëve komunalë në Mitrovicë të Veriut

    Policia jep detaje për arrestimin e dy zyrtarëve komunalë në Mitrovicë të Veriut

    Policia e Kosovës, sot me datën 05.06.2026 ka pranuar vendimin e komunës së Mitrovicës Veri për largim të mbishkrimit ‘I Love Mitrovica’.

    Në vend të ngjarjes menjëherë kanë dalë njësitet policore, si dhe sipas procedurave të parapara ligjore janë njoftuar inspektorët komunalë, që vendimi në fjalë duhet të shtyhet derisa të pranohet vendimi nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

    Në vendin e ngjarjes, ka ardhur kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut me rreth njëzetë (20) persona, ku në mesin e tyre ka qenë edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal Mitrovicë Veri, të cilët pasi janë njoftuar nga komandanti i stacionit policor rreth situatës, kryetari pas dhënies së intervistës për media, iu është drejtuar zyrtarëve policorë me fjalë “tani do të ngjyrosim me ngjyrë emblemën “.

    Derisa zyrtarët policorë kanë njoftuar se një gjë e tillë nuk lejohet të ndodhë, njëherit kanë kërkuar dhe tentuar të ndalojnë dëmtimin/ngjyrosjen e objektit publik.

    Edhe përkundër kërkesës dhe urdhrit që të ndalohet dëmtimi/ngjyrosja e objektit publik, të njëjtit kanë filluar ta ngjyrosin atë, me ç’rast është dashur intervenimi i zyrtarëve policorë të cilët kanë shoqëruar dy personat në stacion policor.

    Sipas procedurave të parapara të njëjtëve iu është shqiptuar kundërvajtje për vandalizëm. Me urdhër të prokurorit kompetent janë liruar, për të vazhduar me procedurat e mëtejme.

  • Rreth 8 mijë maturantë kanë aplikuar deri tani për testin e maturës shtetërore

    Rreth 8 mijë maturantë kanë aplikuar deri tani për testin e maturës shtetërore

    Që nga 1 qershori e deri tani, në platformën online kanë aplikuar rreth 8 mijë maturantë nga 18 mijë sa pritet të aplikojnë për testin e maturës shtetërore, i cili do të mbahet më 20 qershor. Kështu kanë bërë të ditur drejtues të Ministrisë së Arsimit. Ndërkaq, njohës të fushës së arsimit vlerësojnë se ligji i ri i maturës do të rrisë kontrollin sa i përket mbarëvajtjes së testit. Rezultatet e testit do të shpallen, më 29 qershor.

    Më 20 qershor rreth 18 mijë maturantë do t’i nënshtrohen testit të maturës shtetërore. Edhe këtë vit aplikimi po bëhet në platformën online eKosova. Udhëheqësi i divizionit për vlerësim, standarde dhe monitorim në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Elezi, në një përgjigje për Radio Kosovën dha detaje rreth zhvillimit të këtij procesi.

    “Që nga 1 qershori ka filluar aplikimi për testin e maturës përmes platformës eKosova dhe deri tani kanë aplikuar rreth 8 mijë maturantë. Koordinatorët e shkollave kanë filluar aprovimin e këtyre aplikimeve, që do të thotë se përgjegjës për aprovimin janë koordinatorët e shkollave. Aplikimi do të zgjasë deri më 12 qershor. Testi i maturës, siç e dini, do të organizohet më 20 qershor, kurse rezultatet pritet të publikohen më 29 qershor”, tha Elezi.

    Elezi bëri thirrje që të gjithë maturantët që hasin probleme gjatë aplikimit të kontaktojnë koordinatorët e shkollave, në mënyrë që të mos e lënë aplikimin për ditën e fundit.

    “Të gjithë nxënësit që ende nuk e kanë kryer aplikimin, nëse kanë probleme me llogarinë në eKosova, të kontaktojnë koordinatorët e shkollave dhe sigurisht do të gjejnë zgjidhje, në mënyrë që të mos e lënë për ditën e fundit aplikimin për maturë”, theksoi ai.

    Ndërkaq, sa i përket ligjit të ri të maturës, që këtë vit i jep kompetenca më të mëdha Inspektoratit Arsimor, njohës të fushës së arsimit vlerësojnë se ai do të ketë efekt pozitiv në menaxhimin e testit.

    Xhavit Rexhaj, në një përgjigje për Radio Kosovën, e vlerësoi si të nevojshëm ligjin e ri të maturës, por tha se është e domosdoshme të ndryshohet tërësisht koncepti i testit të maturës.

    “Ligji i ri i maturës besoj që ndihmon shumë, sepse ata që dëshirojnë t’i thyejnë rregullat tash e kanë parasysh çka mund t’i gjejë dhe se mund të ketë sanksione. Sanksionet janë ato që kanë munguar më parë. Mirëpo, unë konsideroj që ministria duhet ta rimendojë krejt konceptin e maturës, në mënyrë që të bëhet ashtu siç duhet për të reflektuar dijen dhe shkathtësitë e vërteta të nxënësve, duke i rishikuar pyetjet, duke i riformuluar ato dhe duke e rishikuar administrimin e testit”, theksoi Rexhaj.

    Në testin e maturës shtetërore, nxënësit do t’i nënshtrohen testit në tri lëndë të përgjithshme: Gjuhë shqipe, Matematikë, Gjuhë angleze, si edhe në një lëndë me zgjedhje që përzgjidhet nga nxënësi. Rezultatet e testit të maturës shtetërore do të shpallen më 29 qershor.

  • Ancelotti beson te Brazili: Mund ta fitojmë Kupën e Botës 2026

    Ancelotti beson te Brazili: Mund ta fitojmë Kupën e Botës 2026

    Trajneri i Kombëtares së Brazilit, Carlo Ancelotti, ka shprehur optimizëm të madh për shanset e ekipit të tij në Kupën e Botës 2026, duke deklaruar se beson se “Seleçao” mund të arrijë deri te trofeu më i rëndësishëm në futbollin botëror.

    I pyetur drejtpërdrejt nëse Brazili do ta fitojë Botërorin e ardhshëm, tekniku italian dha një përgjigje pozitive dhe plot besim.

    “Unë mendoj se po. Dua të krijoj pritshmëri të larta te lojtarët. Kur pritshmëritë janë të larta, motivimi është më i madh”, deklaroi Ancelotti.

    Megjithatë, ai theksoi se talenti individual nuk mjafton për të arritur sukses në një kompeticion kaq të madh, duke nënvizuar rëndësinë e ndërtimit të një grupi të bashkuar dhe të përkushtuar.

    “Talenti mund të shfrytëzohet vetëm kur ekziston një ekip i bashkuar. Pikërisht për këtë duhet të punojmë dhe do ta bëjmë”, shtoi trajneri brazilian.

    Ancelotti vlerësoi gjithashtu aspektin psikologjik si një element kyç për suksesin e skuadrës, duke kërkuar përulësi, sakrificë dhe punë të vazhdueshme nga futbollistët.

    “Aspekti psikologjik është shumë i rëndësishëm. Lojtarët duhet të jenë vetëmohues, të përulur dhe të punojnë fort për të arritur një qëllim të përbashkët, duke kontribuar maksimalisht për ekipin”, përfundoi ai.

    Brazili synon t’i japë fund pritjes së gjatë për titullin botëror dhe do ta nisë rrugëtimin e tij në Kupën e Botës 2026 me objektiva të qarta, ndërsa Ancelotti synon ta udhëheqë kombëtaren drejt lavdisë së shumëpritur.

  • Drenica dhe Prishtina 01 nisin sonte betejën për titullin kampion në futsall

    Drenica dhe Prishtina 01 nisin sonte betejën për titullin kampion në futsall

    Sot (e premte) nis seria finale e ‘play-off’-it në Superligën e Kosovës në futsall, ku përballë njëra-tjetrës do të jenë FC Drenica dhe FC Prishtina 01.

    Dy skuadrat që kanë dominuar futsallin kosovar në vitet e fundit do të luftojnë për titullin e kampionit për edicionin 2025/26, në një finale që pritet të sjellë rivalitet dhe spektakël.

    Drenica siguroi një vend në finale pasi eliminoi Shtimjën ’26 në gjysmëfinale, duke e mbyllur serinë pas dy ndeshjeve. Në anën tjetër, Prishtina 01 pati më shumë punë për të kaluar Liqenin, duke e siguruar finalen vetëm pas tri përballjeve.

    Ndeshja e parë finale zhvillohet sonte me fillim nga ora 21:00 në palestrën “Ilaz Kodra” në Skenderaj, ku pritet një atmosferë e zjarrtë dhe mbështetje e madhe nga tifozët vendas.

    Kjo nuk është hera e parë që Drenica dhe Prishtina 01 përballen në finale. Dy ekipet u ndeshën edhe sezonin e kaluar në luftën për titull, me skuadrën prishtinase që në fund arriti të triumfojë dhe të ngrejë trofeun e kampionit.

    Tashmë, Drenica do të kërkojë revanshin dhe rikthimin në majën e futsallit kosovar, ndërsa Prishtina 01 synon ta mbrojë titullin dhe të vazhdojë dominimin në këtë sport. Përballja mes këtyre dy skuadrave pritet të jetë një nga finalet më interesante të viteve të fundit në futsallin kosovar.

  • Liverpooli zyrtarizon Andoni Iraolën si trajnerin e ri

    Liverpooli zyrtarizon Andoni Iraolën si trajnerin e ri

    Liverpooli ka konfirmuar zyrtarisht emërimin e Andoni Iraolës si trajnerin e ri të ekipit, me spanjollin që ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare me klubin nga “Anfield”.

    Iraola vjen te “Reds” pasi u identifikua si kandidati kryesor për të zëvendësuar Arne Slotin, i cili u shkarkua të shtunën, më 30 maj, pas dy sezonesh në krye të skuadrës.

    Trajneri spanjoll mbërrin në Liverpool pas një periudhe të suksesshme te Bournemouthi, ku qëndroi për tre sezone dhe arriti ta udhëhiqte klubin drejt kualifikimit në garat evropiane për herë të parë në histori.

    Sezoni 2025/26 shënoi fundin e aventurës së tij në bregdetin jugor të Anglisë, ndërsa puna e Iraolës u vlerësua gjerësisht për mënyrën se si e ngriti nivelin konkurrues të ekipit në Ligën Premier.

    Bournemouthi e mbylli kampionatin në vendin e gjashtë, vetëm tri pikë prapa Liverpoolit, i cili përfundoi në pozitën e pestë, duke e bërë edhe më të dukshëm ndikimin e trajnerit spanjoll në elitën e futbollit anglez.

    Tashmë, Iraola merr drejtimin e një prej klubeve më të mëdha në Angli, me synimin për ta rikthyer Liverpoolin në garën për trofe dhe për të ndërtuar stabilitet në sezonet e ardhshme