ATV

Blog

  • Qeveria përsëri paguan punëtorët e “Trepçës”

    Qeveria përsëri paguan punëtorët e “Trepçës”

    Përgatiti: Armand Hoti

    Pagat i morën dy ditë me vonesë, përkundër marrëveshjes së nëntorit, e cila bëri që minatorët e Stan Tërgut të tërhiqeshin nga greva dhjetëditëshe.

    “Si pasojë e vonesës, te minatorët ka ndikuar negativisht dhe duke pasur parasysh edhe inflacionin dhe rritjen e çmimeve, kjo vonesë e pagave është e papranueshme dhe nuk duhet të ndodhë tutje”, tha Destan Kërleshi, sindikalist.

    Sipas nënkryetarit të sindikalistëve të minierës më të madhe në Kosovë, udhëheqësia e ndërmarrjes ka shkelur marrëveshjen që ndali grevën.

    Por, edhe pse vonë, “Trepça” përsëri nuk arriti t’i paguajë punëtorët e vet.

    Kryeshefi i ri i ndërmarrjes, Bashkim Kurti, tha se pagat e punëtorëve u siguruan me ndihmën Qeverisë përmes subvencionimit.

    “Pagat janë ekzekutuar me përkrahje nga Qeveria përmes subvencionit, me vlerë prej një milion eurosh”, tha kryeshefi i “Trepçës”, Bashkim Kurti.

    Tash “Trepça”, sipas Kurtit, po përballet edhe me çmime të ulëta të metaleve në berzë.

    Sipas tij, punëtorët e njësisë veriore të “Trepçës” duhet të presin akoma për t’i marrë pagat, meqë edhe rreth 400 mijë euro taksa të qytetarëve, nuk janë transferuar ende në xhirollogari të “Trepçës”.

    Ministria e Ekonomisë kishte ndarë rreth dy milionë e 800 mijë euro në formë subvencioni për gjigantin metalurgjik, edhe gjatë muajit dhjetor.

    Mjetet u shpenzuan për mbulimin e pagave të punëtorëve, energjisë elektrike, ujit si dhe obligimeve të tjera.

    Ndërkaq, është bërë mbi një javë, që kur furnizimi me derivateve e eksploziv i minierës së “Trepçës” në Stan Tërg, është ndërprerë. Edhe flotacioni në Tunelin e Parë, nuk ka reagenca.

  • Shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale vendos në favor të Ministrisë së Bujqësisë

    Shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale vendos në favor të Ministrisë së Bujqësisë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Këto shërbime nuk dihet edhe sa gjatë do t’i japë.

    Kjo pasi ky vend shumë shpejt duhet të lirohet për ndërtimin e objektit të Ministrisë së Bujqësisë.

    Këtë vendim nuk e komentoi pronari i kompanisë, duke thënë se nuk është në dijeni për këtë vendim.

    Ndërkaq, sipas aktvendimit të Gjykatës Komerciale të shkallës së dytë, të siguruar nga ATV-ja, është arsyetuar ankesa e Ministrisë së Bujqësisë dhe refuzuar si e pabazuar kërkesa e paditësit “PATRONI”.

    “Dhomat e shkallës së dytë, nisur nga kjo gjendje e çështjes, vlerëson se përfundimi dhe qëndrimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është i drejtë dhe si i tillë nuk mund të pranohet, pasi që aktvendimi i atakuar është i përfshirë me shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore te nenit 181, par. 1, e lidhur me nenin 182, par. 2, pika të LPK-së, për shkak se aktvendimi i atakuar përmban të meta pasi që nuk janë dhënë arsye për faktet vendimtare, ndërsa arsyet e dhëna janë të paqarta dhe kontradiktore”, thuhet në Aktvendimin e Gjykatës Komerciale.

    Vendimi u mirëprit edhe nga Ministri Faton Peci, i cili e konsideroi fitore dhe tha se angazhimi i tij në kthimin e pronave të tjera nuk do të ndalet.

    “E përshëndes vendimin e Shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, i cili hedh poshtë vendimin amatoresk e joprofesional të shkallës së parë, karshi kontestit për lirimin e pronës së Ministrisë së Bujqësisë, e cila po shfrytëzohet pa marrëveshje kontraktuale nga operatori ekonomik “Patroni”!”, thuhet në reagimin e ministrit Peci.

    Përpos kësaj, janë edhe disa prona të tjera të uzurpuara që i takojnë Ministrisë së Bujqësisë.

    Në fshatin Stankaj të Rugovës janë evidentuar 41 parcela të uzurpuara, me sipërfaqe prej 90 hektarësh ku janë ndërtuar 26 vila banimi, për të Prokuroria në Pejë ka ngritur aktakuzë.

    Edhe për një pjesë të objektit që ndodhet në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet, është pronë e Ministrisë së Bujqësisë, ndërkaq edhe për të kanë nisur hetimet.

  • Faturat e fryra për 40.8 milionë euro, ZRRE-ja po i analizon opsionet për kompensim

    Faturat e fryra për 40.8 milionë euro, ZRRE-ja po i analizon opsionet për kompensim

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Ani pse përmenden disa opsioneve, i ndërlikuar vlerësohet procesi i kompensimit të konsumatorëve nga 34 komuna për dëmin e shkaktuar nga faturat e fryra të energjisë elektrike, si mbulim për katër komunat në veri në periudhën 2012-2017.

    Pasi pranoi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, Zyra e Rregullatorit për Energji po i sheh opsionet për zbatim.

    “ZRRE-ja është duke e analizuar këtë aktgjykim dhe do të shqyrtojë të gjitha opsionet e mundshme ligjore, që i ka në dispozicion në lidhje me këtë rast. Pavarësisht që ky aktgjykim është mjaft kompleks, ZRRE-ja do t’i kryejë detyrat e saj, konform mandatit ligjor dhe për të gjitha veprimet që do të ndërmerren, opinioni publik do të njoftohet me kohë”, thuhet në reagimin e ZRRE-së.

    Aktgjykimi i Supremes, tashmë i vërtetuar nga gjykata më e lartë në vend, obligon ZRRE-në të detyrojë KEDS-in të kompensojë konsumatorët në vlerë të totale 40.8 milionë euro.

    Por, meqë periudha e kompensimit përfshin vitin 2012, para privatizimit të distribucionit dhe furnizimit, mund të ketë implikime dhe për KEK-un.
    Në KESCO, KEDS dhe KEK nuk u deklaruan lidhur këtë temë.

    Duke i dhënë rëndësi edhe kontekstit politik të problemit, eksperti i energjisë Naim Bujupi përmendi tri opsione për kompensim.

    “Forma e parë është që kjo të bëhet përmes subvencionimit nga Qeveria e Kosovës. Forma e dytë është që të bëhet përshtatje në tarifa, që nënkupton se duhet të zbriten kostot për investime kapitale. Dhe, mënyra e tretë është t’i kërkohet KESCO-s të mbulojë këtë kosto nga fitimi i saj, që kam dyshimet e mia sepse ajo nuk do ta pranojë”, tha Bujupi.

    Kompensimi përmes buxhetit të shtetit, respektivisht taksave, sipas gazetarit të ekonomisë Zekirja Shabani, nuk duhet të pranohet në asnjë rast.

    “E vetmja formë e pranueshme dhe e obligueshme do të ishte që KESCO dhe KEDS-i, bashkërisht të gjejnë formën që t’i kompensojnë qytetarët direkt në faturat e energjisë elektrike. Për shkak se ne e kemi paguar njëherë energjinë elektrike, KESCO-ja ka fituar prej taksave tona, duke na faturuar më shumë energjinë elektrike, të shpenzuar nga qytetarët serbë në komunat veriore dhe çfarëdo forme tjetër, do të ishte e papranueshme për shkak se KESCO, KEDS, i ka marrë paratë dhe duhet t’i kthejë”, tha Shabani.

    Aktgjykimi i Gjykatës Supreme, i vërtetuar nga Kushtetuesja, ka klauzolën e detyrimit në zbatim brenda 15 ditësh nga hyrja në fuqi.

    Nga Shkurti 2012 e deri në fund të Tetorit 2017, konsumatorët nga 34 komuna, përmes faturave të fryra të energjisë, paguan për qytetarët në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin-Potok. Kjo ndryshoi më 2017, kur barra i kishte kaluar KOSTT-it.

    Në një llogaritje jozyrtare, një konsumator i cili gjatë kësaj periudhe ka paguar mesatarisht 30 euro në muaj, mund të kompensohet në total rreth 70 euro.

  • Ende nuk dihen shkaktarët e zjarrit në Fabrikën e Plastikës

    Ende nuk dihen shkaktarët e zjarrit në Fabrikën e Plastikës

    Përgatiti: Sara Shehu

    Më shumë se 24 orë nuk u kanë mjaftuar zjarrfikësve të komunës së Drenasit dhe Skenderajt për ta shuar tërësisht zjarrin në fabrikën e plastikës në Parkun e Biznesit të Drenasit.

    Derisa zjarri u lokalizua mbrëmjen e së hënës, puna për ta shuar tërësisht atë ka vazhduar gjatë gjithë ditës së martë.

    Komandanti i zjarrfikësve në komunën e Drenasit, Afrim Gjeli, tha se prodhimet e plastikës të kësaj fabrike ua kanë vështirësuar edhe më shumë punën.

    “Është masa plastike që na ka vështërsu lokalizimin e zjarrit. Jemi duke përdorur ujin si materie për shuarjen komplet të këtij zjarri, kemi përdorur edhe shkumë. Rreziku është i madh nëse hymë në objekt, për shkak se është dëmtuar në masë të madhe, ka llasra që janë të varura dhe mund të bijnë poshtë, mi dëmtu zjarrfiksat. Nuk ka rrezik në pjesën e jashtme, vetëm brenda. Operacioni s’e di sa mund të zgjasë, mund të zgjas ndoshta 3 orë, ndoshta edhe 5 orë, por ndoshta edhe 7 orë”, tha komandanti i Zjarrfikësve në Komunën e Drenasit, Afrim Gjeli.

    Pronari i fabrikës, as të martën nuk ka pranuar të flasë për media, megjithatë atij mbështetje i ka shprehur agjencia KIESA që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

    “Ne si e kemi marrë lajmin kanë ardhë kolegët në vendin e punës, është një nga fabrikat e para në Drenas që nga viti 2010 ka shumë punë në këtë fabrikë, gjithsesi është një rast mjaft i vështirë për neve, si institucione, ne jemi në mbështetje të bizneseve”, tha kryeshefi i Agjencisë Kiesa në kuadër të MINT-it, Zef Dedaj.

    Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se rrethanat e zjarrit mbetën ende të paqarta.

    “Ende nuk dihen shkaktarët e zjarrit, sepse organet e policisë po e kryejnë detyrën e vet. Zjarri shumë i madh, zjarr ka edhe sot. Vlerësimi do të bëhet nga ekspertët e çështjes, falënderoj zjarrfikësit për punën e tyre….”, tha Lladrovci.

    Ta kontaktuar nga ATV-ja Policia dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë thanë se janë ende në fazën e hetimeve fillestare, për të kuptuar nëse ka elemente të veprës penale.

    Nga kompania “Plastika” që merret me përpunimin e plastikës, është thënë se dëmi nga zjarri në tri objektet e fabrikës vlerësohet të jetë rreth 10 milionë euro.

  • Aeroporti i Prishtinës me linja të reja direkte

    Aeroporti i Prishtinës me linja të reja direkte

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari” do t’i shtohen disa linja të reja fluturimi.

    Qytetarët do të mund të udhëtojnë direkt në dy destinacione që nga fundi i këtij muaji, në Luksemburg e Frankfurt.

    Përveç tyre, linja të tjera të reja do të nisin edhe në muajin qershor.

    “Muajin qershor kemi të konfirmuara për Heraklion Bulgas për Gothenburg, dhe të tjera që janë paraparë gjatë këtij sezoni. Ajo që vlen të përmendet është se gjatë këtij viti do ta kemi edhe kompaninë “Skandinavia airlines”, që është një kompani me renome të gjerë botërore”, zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Valentina Gara.

    Shtimi i linjave po mirëpritet nga udhëtarët.

    “Po, shumë mirë. Është më pak e lodhshme edhe më ekonomike. Nuk kemi nevojë me u ndalë në vende tjera. Unë erdha tash me dy ndalesa, aspak mirë”, thotë një qytetar.

    Ndërkohë, këtë vit, në krahasim me vitin e kaluar, aeroportit të Prishtinës i janë shtuar edhe numri i udhëtarëve.

    Ndërkaq, që nga fillimi i këtij viti janë regjistruar mbi gjysmë milion udhëtarë, vajtje-ardhje.

  • “Serbia është agresive e nevrike, por Kosova nuk frikësohet”

    “Serbia është agresive e nevrike, por Kosova nuk frikësohet”

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se konfliktet në rajon nuk ndodhin për shkak të dallimeve etnike, por për shkak të qasjes së Serbisë dhe Rusisë. Teksa e ka quajtur agresive e nevrike Serbinë, kryeministri kosovar u shpreh se kjo e bën Kosovën më të kujdesshme e jo të frikësuar.

    “Konfliktet nuk janë ndër-etnike, nuk është dallimi etnik ai që shkakton konflikt, por është autokracia në Beograd e ndërlidhur me despotin në Moskë. Ne kemi paralajmëruar kaherë që shtetet jodemokratike edhe në rajonin tonë, jo vetëm në lindje të Evropës, janë në rrezik për sigurinë dhe paqen, por natyrisht që këtë gjë hollësisht dhe thellësisht, sikurse SHBA-ja nuk mund ta dijë askush”, tha Kurti.

    Duke marrë parasysh këtë fakt, Kurti tha se Kosova vazhdimisht po përgatitet maksimalisht për t’u mbrojtur.

    “Ajo çfarë bëjmë ne është që ne përgatitemi maksimalisht atë çka mundemi dhe dimë, andaj përuruam këtë Qendër Shtetërore për Siguri Kibernetike për trajnime, të cilat do të merren dhe do të ofrohen aty”, tha Kurti.

    Kryeministri foli pas inaugurimit të Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike. Në ambientin gjithnjë e më të brishtë online, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se qendra do të ofrojë trajnime me qëllim të ngritjes së ndërgjegjësimit për rreziqet në fushën e sigurisë kibernetike.

    “Synimi ynë është që përmes kësaj qendre të trajnojmë institucionet e sigurisë t’i bëjnë ballë çdo sulmi të kësaj natyre, qendra shtetërore trajnuese për siguri kibernetike do të ofrojë trajnime me qëllim të ngritjes së ndërgjegjësimit për rreziqet në fushën e sigurisë kibernetike, të përmirësojë aftësitë profesionale dhe të ndihmojë në ngritjen e niveleve të sigurisë kibernetike të institucioneve qeveritare, operatorëve të shërbimeve esenciale dhe ofruesve të shërbimeve digjitale, për të arritur kapacitetin për mbrojtjen e infrastrukturës kritike në vend”, tha Maqedonci.

    Kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes panë nga afër edhe 15 kamionë të cilët iu shtuan Forcës së Sigurisë. 10 prej tyre janë blerë nga kuleta e shtetit, ndërkohë 5 të tjerë janë donacion.

  • Ushtarët e rinj gjerman, Rohde: Gjermania vazhdon të marrë përgjegjësitë e saj në kuadër të KFOR-it në Kosovë

    Ushtarët e rinj gjerman, Rohde: Gjermania vazhdon të marrë përgjegjësitë e saj në kuadër të KFOR-it në Kosovë

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde përmes një postimi të bërë në platformën “X”, ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme kanë zbarkuar trupa të rinj gjerman në Kosovë.

    Siç tha Rohde, Gjermania vazhdon të marrë përgjegjësin në kuadër të KFOR-it në Kosovë.

    “Gjermania🇩🇪 vazhdon të marrë përgjegjësinë në kuadër të KFOR-it në Kosovë. Si hap i parë drejt pranisë më të madhe ushtarake në terren, pionierët nga
    @bundeswehrInfo mbërritën dje në Kosovë për të përgatitur terrenin për kontingjentin gjerman të KFOR-it – përsëri – në rritje”, ka shkruar Rohde në platformën “X”.

  • Arritja e kamionëve ushtarakë, Kurti: 10 janë blerë me buxhet të shtetit, 5 janë donacion

    Arritja e kamionëve ushtarakë, Kurti: 10 janë blerë me buxhet të shtetit, 5 janë donacion

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se bashkë me komandantin e FSK’së, Bashkim Jashari, dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kanë parë nga afër flotën e kamionëve ushtarakë.

    Kurti ka thënë se këta kamionë janë prodhim gjerman dhe se 10 janë blerë me buxhet të shtetit e 5 janë donacion.

    Ai ka shtuar se modernizimi dhe fuqizimi i ushtrisë janë qenësore drejt objektivit për anëtarësim në NATO.

    “Mbrojtje e siguri për shtetin tonë. Pas inaugurimit të Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral Lejtënant Bashkim Jashari pamë nga afër flotën e kamionëve ushtarakë multifunksional RheinMetall MAN HX2, 8X8 të cilët i janë shtuar arsenalit të ushtrisë. Kamionët ushtarakë RheinMetall MAN HX2 janë prodhim gjerman, ku nga 15 gjithsej, 10 janë blerë me buxhet të shtetit, ndërkaq pesë janë donacion. Modernizimi dhe fuqizimi i ushtrisë sonë, janë qenësore drejt objektivit për anëtarësim në NATO”, ka shkruar Kurti.

  • ​Shorti i formatit të ri të Ligës së Kampionëve do të bëhet me kompjuter

    ​Shorti i formatit të ri të Ligës së Kampionëve do të bëhet me kompjuter

    Formati i ri i Ligës së Kampionëve nga sezoni i ardhshëm nënkupton se kompjuterët do të përdoren për të tërhequr shortin.

    Simulimet e shortit të UEFA-s kanë treguar se një short manual për formatin e ri do të merrte tri deri në katër orë, dhe do të duheshin 900 topa për të, raporton KP.

    Në vend të kësaj, një metodë hibride do të përdoret, ku klubet do të pozicionohen në mënyrë manuale e më pas kompjuteri do ta marrë përsipër punën dhe të zgjedhë kundërshtarët në tetë grupe.

    Shorti i ri hibrid pritet të zgjas deri në 35 minuta, e njëjta kohë që i duhet shortit aktual për formatin aktual që e ka Liga e Kampionëve.

  • ​Alpet dhe Apeninet gjithnjë e më shumë të goditura nga mungesa e borës

    ​Alpet dhe Apeninet gjithnjë e më shumë të goditura nga mungesa e borës

    Kriza klimatike dhe rritja e temperaturave globale nënkuptojnë se malet e Italisë kanë gjithnjë e më pak borë dhe kjo tashmë ka një ndikim të madh në vendpushimet e skive të vendit, sipas një raporti të publikuar të martën nga shoqata mjedisore Legambiente.

    Raporti i Nevediversa i vitit 2024 tha se këtë sezon 177 ashensorë të skive u mbyllën përkohësisht në Itali – 92 në Alpe dhe 85 në Apenine – 39 më shumë se vitin e kaluar.

    Raporti shtoi se 93 ishin herë në funksion herë jo, ndërsa 260 kishin rënë plotësisht në mospërdorim, nga 249 sipas raportit të fundit./ANSA