ATV

Blog

  • Lëkundje tërmeti në Pejë

    Lëkundje tërmeti në Pejë

    Një tërmet me magnitudë 2.6 të shkallës së Rihterit ka goditur sot Kosovën.

    Sipas EMSC, epiqendra ishte në rajonin e Pejës dhe se thellësia hipoqendrore ishte 2 km.

  • Rohde e përgëzon Qeverinë, e quan moment historik zbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit

    Rohde e përgëzon Qeverinë, e quan moment historik zbatimin e vendimit për Manastirin e Deçanit

    Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ka thënë se vendimi i sotëm i Qeverisë Kurti për të urdhëruar kalimin e 24 hektarëve tek Manastiri i Deçanit është një moment historik.

    Rohde ka thënë se edhe pese zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është shumë i vonuar, ai shënon një hap të rëndësishëm të Kosovës për sundimin e ligjit.

    Ambasadori gjerman ka falënderuar të gjithë aktorët politikë, përfshirë edhe Manastirin e Deçanit.

    “Vendimi i Deçanit ishte shumë i vonuar, ai shënon një hap të rëndësishëm në angazhimin e 🇽🇰 për sundimin e ligjit. Urojmë qeverinë e Kosovës, të gjithë aktorët politikë të përfshirë dhe Manastirin e Deçanit në këtë moment historik”, ka shkruar Rohde.

  • Shefi i BE-së në Kosovë mirëpret vendimin e qeverisë për Manastirin e Deçanit

    Shefi i BE-së në Kosovë mirëpret vendimin e qeverisë për Manastirin e Deçanit

    Shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me Manastirin e Deçanit.

    Szunyog theksoi se ruajtja e sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë parakushte të nevojshme për rrugën e Kosovës drejt BE-së, njofton Klankosova.tv.

    “Një ditë e mirë për sundimin e ligjit në Kosovë! Zbatimi i shumëpritur i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për çështjen e Manastirit të Deçanit & regjistrimi i tokës së manastirit më në fund bëhet realitet”, shkroi Tomas Szunyog në platformën X.

    “BE-ja bazohet në sundimin e ligjit. Ruajtja e sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë parakushte të nevojshme për rrugën e Kosovës drejt BE-së. Vendimi i sotëm është një hap i mirëpritur, i cili tregon përkushtimin e Kosovës”.

  • “Së bashku për autizëm” – organizohet turneu i madh nga Ujë Rugove në CS2

    “Së bashku për autizëm” – organizohet turneu i madh nga Ujë Rugove në CS2

    Korporata Rugove ka vazhduar me aktivitete e saj, ku kësaj radhe kanë organizuar një turne të madh në CS 2.

    Ujë Rugove së bashku me Federatën Esports Kosova kanë organizuar një turne të madh që do të zhvillohet më 23 dhe 24 mars të këtij viti.

    Ky turne është organizuar në mbështetje të fëmijëve me autizëm përmes ‘Turneut Bamirës Rugove CS2 2024’. Në këtë event do të sigrohen fonde për Asociacioni Nacional i Autizimit në Kosovë, derisa realizohet nga XPortal Esports.

    Vlen të theksohet se Ujë Rugove tashmë ka ndarë 1000 euro për Asociacionin Nacional të Autizmit në Kosovë. Gjithashtu, gjatë turnirit çdo donacion tjetër që shtohet do të shkojë direkt për ANAK për të mbështetur fëmijët me Autizëm.

    Vendi i parë në këtë turne do të marrë shpërblim prej 1000 eurove, derisa për vendin e dytë ka dhurata nga Korporata Rugove.

    Xhirollogaritë për donacione:

    Asociacioni Nacional i Autizmit ne Kosove, Adresa: Rrustem Statovci, nr.41 Prishtinë,

    Banka Ekonomike 1401000001748216,

    ProCredit Bank 1180003412000197,

    BKT 1970879220031157.

  • Kaq mjekë dhe profesorë e deklaruan pasurinë në AKK, Buleshkaj jep detaje

    Kaq mjekë dhe profesorë e deklaruan pasurinë në AKK, Buleshkaj jep detaje

    Shumica e mjekëve dhe profesorëve i janë përgjigjur pozitivisht obligimit ligjor për deklarimin e pasurisë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Kështu thotë drejtori i AKK-së, Yll Buleshakaj në një intervistë për KosovaPress derisa potencon se rreth 2 mijë e 100 mjekë dhe profesorë kanë deklaruar pasurinë e tyre brenda periudhës së rregullt kohore, e cila filloi me 12 shkurt dhe përfundoi dje me 12 mars.

    Ndërkaq, Buleshkaj tregon se vetëm 90 persona nga këto dy kategori nuk kanë bërë ende deklarimin e pasurisë. Ai shton se këto ditë janë në proces të pastrimit të listës, për të parë nëse dikush prej mjekëve dhe profesorëve që nuk iu janë përgjigjur thirrjes, është në mesin e atyre që e kanë deklaruar pasurinë, por si pjesë të një detyre tjetër të tyre.

    Buleshkaj për KosovaPress thotë se pas përfundimit të pastrimit të listës, janë të obliguar të shqiptojnë një gjobë prej 30 për qind të pagës së tyre mujore për secilin që është vonuar.

    Përveç kësaj, ai tregon se të njëjtëve u jepet një afat shtesë prej 15 ditëve për ta kryer këtë obligim dhe nëse nuk e bëjnë, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit në mënyrë automatike do të përgatisë kallëzime penale dhe do t’i dërgojë ato në prokurorinë e shtetit.

    “Pasurinë e kanë deklaruar nga numri i mjekëve dhe profesorëve rreth 2100. Ndërsa, nuk e kanë kryer këtë obligim rreth 90. Në mesin e 90-ve, po besojmë që mund të ketë plot, të cilët për shkak të detyrave të tjera, kanë mundur ta deklarojnë si pjesë të detyrës tjetër. Për shembull, ka plotë profesorë të universitetit të cilët punojnë edhe mjekë, apo në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe ata nuk kanë pasur nevojë ta bëjnë deklarimin dy herë… Këto ditë do të jemi në proces të pastrimit të kësaj liste, të shohim nëse dikush nga këta që rezultonin në data bazë që nuk e kanë kryer këtë obligim, është në mesin e atyre që e kanë deklaruar pasurinë, por si pjesë të një detyre tjetër të tyre…Pas përfundimit të pastrimit të listës, ne jemi të obliguar sipas ligjit të shqiptojmë për secilin që është vonuar një gjobë prej 30 për qind të pagës së tyre mujore. Pastaj u jepet një afat shtesë prej 15 ditëve për ta kryer këtë obligim. Në qoftë se nuk kryhet obligimi edhe në afatin 15 ditor, atëherë agjencia në mënyrë automatike do të përgatisë kallëzime penale dhe do t’i dërgojë këto në prokurorinë e shtetit, për shkak se konsiderohet vepër penale”, thotë Buleshkaj.

    Ndërkaq, është raportuar në media se mbi 300 mjekë kanë nënshkruar një peticion dhe e kanë dërguar tek Institucioni i Avokatit të Popullit për të kundërshtuar vendimin për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion.

    Lidhur me këtë, drejtori i AKK-së, Yll Buleshkaj thotë se është e drejtë e secilit që të dërgojë raste tek Avokati i Popullit, porse sipas tij deklarimi i pasurisë nuk shkel të drejtë të njeriut, sepse nuk është në kundërshtim me parimet bazë të njeriut.

    Ai shton se ka plotë kategori të cilët paguhen më pak se mjekët dhe profesorët, e të cilët janë të obliguar ta bëjnë deklarimin e pasurisë.

    “Është e drejtë e secilit që të dërgojë raste tek Avokati i Popullit. Avokati i Popullit merret me raste të cilët i shkelin të drejtat e njeriut. Po besoj që deklarimi i pasurisë nuk shkel të drejtë të njeriut, sepse nuk është në kundërshtim me parimet bazë të njeriut. Ka plotë kategori të cilët edhe paguhen më pak se mjekët dhe profesorët, e të cilët janë të obliguar ta bëjnë deklarimin e pasurisë dhe marrin më pak nga paraja publike sesa këto kategori. Por, është e drejtë e tyre, ndërsa është obligim i yni që ta zbatojmë ligjin dhe të kërkojmë që të gjithë mjekët dhe gjithë profesorët e universiteteve publike të bëjnë deklarimin e pasurisë saktë dhe në kohë”, potencon Buleshkaj.

    Ndërkaq, më 1 mars ka filluar edhe deklarimi i rregullt i pasurisë për të gjithë zyrtarët publikë që e kanë kryer këtë obligim edhe vitin e kaluar.

    Buleshkaj thekson se nga 10 mijë zyrtarë publikë që janë të obliguar ta deklarojnë pasurinë, deri më tani mbi 1 mijë të tillë i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes.

    Për këtë, Buleshkaj thotë se po ndodhë për herë të parë, që deklarimi i pasurisë të bëhet në fillim të afatit, ngase sipas tij trendi ishte që deklarimi të bëhej në fund të periudhës së caktuar.

    “Më 1 mars ka filluar deklarimi i rregullt i pasurisë për të gjithë zyrtarët publikë që e kanë kryer këtë deklarim edhe vitin e kaluar, për periudhë nga fillimi nga 1 janari i viti 2023 deri në fund të viti 2023. Dhe ky proces po shkon, c’është e vërteta, fillimisht po duket që po shkon mjaftë mirë . I kemi rreth 1 mijë të cilët e kanë kryer në javët e para deklarimin e pasurisë, sepse historikisht ka qenë që në javën e fundit ka qenë grupi më i madh i deklarimit. kemi një trend më pozitiv, ndoshta edhe pse është shumë më lehtë për ata që e kanë deklaruar më herët. Vetëm duhet t’i përmirësojnë ndryshimet të cilat kanë ndodhur gjatë vitit të kaluar me pasuritë e tyre. Ta llogarisin pagën nëse ka qenë ndryshe me vitin pararak, apo të shtojnë apo të largojnë nëse pasuritë, qofshin të luajtshme apo të paluajtshme ka pasur ndryshime… Janë rreth 10 mijë, i kemi 10 për qind që e kanë deklaruar javën e parë, që nuk ka ndodhur në historinë e agjencisë që të ketë një numër kaq të mirë”, thekson Buleshkaj për KosovaPress.

    Mbi 2 mijë mjekë dhe profesorë në Kosovë për herë të parë kanë qenë të obliguar që ta deklarojnë pasurinë e tyre në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Brenda afatit një mujor, i cili ka përfundua dje më 12 mars, 1500 mjekë nga spitalet rajonale dhe të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke përfshirë edhe 800 profesorë nga shtatë universitetet publike, kanë qenë të detyruar ta kryejnë këtë obligim ligjor.

  • Escobar e konsideron Osmanin si garantuesen kryesore të raporteve ShBA-Kosovë

    Escobar e konsideron Osmanin si garantuesen kryesore të raporteve ShBA-Kosovë

    Emisari amerikan, Gabriel Esocbar, i është drejtuar presidentes Vjosa Osmani me disa fjalë në fillim të fjalimit të tij në konferencën e përbashkët për media pas një takimi që mbajtën.

    “Faleminderit zonja Presidente për mikpritjen e ngrohtë në Kosovë. Ju jeni karakteri kryesor dhe trashëgimia e marrëdhënieve bilaterale mes SHBA-së dhe Kosovës dhe dua të them se kjo trashëgimi është e bazuar në një përkushtim të qëndrueshëm për sigurinë, integritetin territorial dhe pavarësinë e Kosovës”, ka theksuar mes tjerash emisari amerikan.

  • Rritja spetakolare e çmimit të Bitcoin/ Niveli më i lartë në historinë 15 vjeçare të tij

    Rritja spetakolare e çmimit të Bitcoin/ Niveli më i lartë në historinë 15 vjeçare të tij

    Nga Adrian CIVICI

    Bitcoin sapo mbushi 15 vjeç. Krijuesi i saj misterioz, Satoshi Nakamoto, e projektoi bitcoin në fund të vitit 2008 si “një sistem monetar që nuk menaxhohet nga një bankë qendrore ose një autoritet sovran, por ku shkëmbimet vërtetohen nga subjekte të barabarta, të regjistruara në një arkiv të përhapur, por jo të ruajtur nga çdo institucion publik, i quajtur “blockchain”. Bitcoin, që shpesh ka ndarë në pro dhe kundra opinionin publik dhe ka sfiduar skeptikët, sapo ka arritur një kulm historik. Në vitin 2024, Bitcoin është ngritur në radhët e gjigantëve, duke u bërë aktivi i 8-të më i kapitalizuar në botë, me një vlerësim që kalon 1.3 trilion dollarë. Ky është një sinjal i fortë dërguar botës së financave tradicionale. Në qendër të vëmendjes është më shumë se kurrë kjo kriptomonedhë e cila sapo ka arritur cmimin 70,000 dollarë. Perspektiva : optimistët dhe ata që besojnë në këtë sistem vlerësojnë se shpejt cmimi mund të arrijë e tejkalojë 100000 usd, ndërsa skeptikët vlerësojnë se është një spekullim dhe një flluckë që do shpërthejë shpejt!

    Si ndikon Oferta dhe kërkesa për Bitcoin?

    Në përgjithësi, oferta dhe kërkesa varen nga një sërë faktorësh – kushtet ekonomike, duke përfshirë luhatjet në tregjet e aksioneve dhe obligacioneve, si dhe ngjarje të caktuara globale, si pandemia e Coronavirus dhe lufta e Rusisë kundër Ukrainës – që mund të ndikojnë të gjitha në ofertën dhe kërkesën e mallrave, përveç cikleve të rregullta ekonomike, të cilat përfshijnë fazat e inflacionit, stagnimit dhe recesionit, të cilat kërkojnë që qeveritë dhe institucione si Bankat Qendrore të ndërmarrin veprime për të ruajtur vlerën e një monedhe. Por ndryshe nga monedhat fiat, të cilat i nënshtrohen politikave monetare të Bankave Qëndrore, ekosistemi Bitcoin është një sistem monetar plotësisht i decentralizuar. Kjo do të thotë se asnjë autoritet qendror nuk e rregullon monedhën dhe se krijimi i Bitcoin është një protokoll i integruar në një proces të quajtur mining.

    Që nga krijimi i bllokut të parë, të gjitha transaksionet në rrjetin Bitcoin kanë qenë pjesë e një procesi të saktë dhe të pandryshueshëm. Minatorët krijojnë blloqe të reja duke zgjidhur një enigmë matematikore dhe Bitcoin të rinj hidhen në qarkullim. Cilësimi i vetëm në protokollin e Bitcoin që përfshin një ndryshim është shuma e shpërblimit të bllokut që minatorët marrin përmes procesit të quajtur përgjysmimi i Bitcoin. Vlera e shpërblimit të bllokut përgjysmohet çdo 210,000 blloqe ose afërsisht çdo katër vjet. Qëllimi i përgjysmimit është të zvogëlojë sasinë e monedhave të reja që hyjnë në rrjet. Përgjysmimet mund të ndikojnë në çmimin e Bitcoin. Ndërsa shpërblimet përgjysmohen, Bitcoin-et e reja bëhen të pakta. Dhe kjo mungesë zakonisht rrit çmimin. Çmimi i Bitcoin varet gjithashtu nga faktorë të tjerë të ofertës dhe kërkesës si dhe nga ngjarjet kryesore në perceptimin masiv dhe interesi i përgjithshëm për kriptovalutat dhe teknologjinë blockchain.

    Pse çmimi i Bitcoin është i paqëndrueshëm?

    Bitcoin ka vëllimin më të lartë të tregtimit nga të gjitha kriptovalutat, por është ende një treg i vogël në krahasim me tregjet e tjera globale. Kjo do të thotë që çmimet rriten ose bien më shpejt me më pak para në rrezik. Nëse Bitcoin do të kishte të njëjtin vëllim tregtar si ari, sjellja e tij do të ishte shumë e ngjashme në aspektin e paqëndrueshmërisë. Meqenëse ka vetëm një numër të kufizuar të Bitcoin-ve në qarkullim dhe krijimi i Bitcoin-ve të rinj ndjek rregulla strikte me një kthim vazhdimisht në rënie (për shkak të uljes së shpërblimeve për minatorët), kërkesa pritet të ndjekë evolucionin deflacionist të Bitcoin për të ruajtur teorikisht stabilitetin e çmimeve.

    “Lajme që dëmtojnë ose lavdërojnë reputacionin e Bitcoin, pasiguria në lidhje me vlerën e brendshme të së ardhmes së kriptomonedhës si një rezervë vlere, rreziqe që lidhen me luhatjet e monedhës për mbajtësit e mëdhenj të Bitcoin në lidhje me likuidimin, si dhe se shkeljet e sigurisë, mund të ndikojnë në çmimin e Bitcoin”. Për Bitcoin, inflacioni i lartë nuk është i mundur pasi Bitcoin nuk mund të krijohen në mënyrë arbitrare dhe prodhimi i tyre fiksohet në një sasi të caktuar. Shkaqet që mund të ndikojnë në rënien e çmimit të Bitcoin janë : presioni politik, dështimet teknologjike dhe çdo mbulim mediatik që mund të përhapë potencialisht “frikë, pasiguri dhe dyshim”, etj. Faktorët teknikë dhe rregullatorë dhe një kontekst makro më i favorshëm për asetet e rrezikshme shpjegojnë bumin aktual të bitcoin.

    10 kapitalizimet më të mëdha botërore të vitit 2024

    Asetet më të kapitalizuara në botë janë ato me vlerën më të madhe të tregut, qofshin ato kompani, fonde, monedha apo mallra. Këto asete përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të pasurisë globale dhe shpesh konsiderohen si tregues të fuqisë ekonomike dhe financiare të vendeve ose sektorëve që i mbajnë ato. Bitcoin, që disa e identifikojnë si “ari dixhital”, së fundmi iu bashkua Top 10, në pozicionin e 8-të, të aseteve me kapitalizimin më të madh në botë.

    • Ari (XAU): 13,695 miliardë dollarë kapitalizim;
    • Aksionet e Saudi Aramco: kapitalizimi 7.66 trilion dollarë;
    • Aksionet e Microsoft: kapitalizimi 2.99 trilionë dollarë;
    • Aksionet e Apple: kapitalizimi 2,630 miliardë dollarë;
    • Aksionet e Nvidia: kapitalizimi 2.15 trilion dollarë;
    • Aksionet e Amazon: kapitalizimi 1.81 trilion dollarë;
    • Stoku i Alphabet (Google): kapitalizimi 1,650 miliardë dollarë;
    • Bitcoin: kapitalizimi 1,310 miliardë dollarë;
    • Argjendi (XAG): 1,275 miliardë dollarë kapitalizim;
    • Meta action (Facebook): kapitalizimi 1,250 miliardë dollarë;

    Megjithëse kapitalizimi i Bitcoin përfaqëson ende vetëm një të tretën e kapitalizimit të aksioneve të Microsoft ose pak më pak se gjysmën e aksioneve të Apple, pozicionimi i kësaj kriptomonedhe në renditjen e 10 aktiveve që dominojnë botën e financave është një sinjal i fortë për investitorët institucionalë.

    Tre vendet që mbajnë më shumë bitcoin janë: Shtetet e Bashkuara, me rreth 1.9 milionë BTC, ose 10.6% të totalit. Rumania, me rreth 1.2 milionë BTC, ose 6.7% të totalit. Kina, me rreth 1.1 milion BTC, ose 6.1% të sasisë totale.

    Tani që është e vështirë të nënvlerësohet apo të kundërshtohet rëndësia dhe roli i Bitcoin në tregjet financiare e monetare, le të përpiqemi të krahasojmë kapitalizimin e 5 kriptomonedhave më të mëdha (bitcoin, Ether, BNB, Solana, XRP) me kapitalizimin e GAFAM-it të famshëm (Google, Apple, Facebook, Amazon dhe Microsoft). Gjatë dekadës së fundit, sytë janë drejtuar nga GAFAM, madje mund të thuhet se 5 aksionet kryesore të teknologjisë kanë diktuar një pjesë të madhe të tendencave të tregut të aksioneve nga 2010 deri në 2020. Më 6 mars 2024, kapitalizimi kumulativ i GAFAM përfaqësonte 10,330 miliardë dollarë amerikanë. Kjo është më shumë se PBB-ja e Francës, Italisë dhe Gjermanisë së bashku.

    Arsyet e rritjes spetakolare të cmimit të Bitcoin

    Analistët dhe ekspertët e tregjeve të kriptomonedhave, duke analizuar rritjen spetakolare të cmimit të Bitcoin-it në ditët apo javët e fundit identifikojnë disa arsye apo faktorë fondamentalë që kanë ndikuar e vazhdojnë të ndikojnë në cmimin e tij që tashmë është 70000 usd me një perspektivë rritje të mëtejshme më të lartë. Shumë muaj më parë, mjedisi i kriptomonedhave ishte mjaft i lëkundur e me pikëpyetje të mëdha: viti 2022 u shënua nga kriza e FTX (një nga platformat kryesore të shkëmbimit), me një mashtrim kolosal të bërë nga themeluesi i saj. Viti 2023 filloi me një mijë e një të panjohura, shpresa e dyshime, me interesin e investitorëve por me çmimet e kriptove në rënie. Aktualisht, tregu i monedhave dixhitale po përjeton një pranverë të re dhe Bitcoin, po kalon dhe rekordin e saj historik. Në 9 mars 2023 bitcoin vlente vetëm 20000 usd, ndërsa sot vlen gati 70000 usd, niveli më i lartë i të gjitha kohërave. Përse?

    Ekspertët e tregjeve të kriptomonedhave identifikojnë disa arsye të mundshme për këtë rritje:

    Fluksi i kapitalit në ETF-të e bitcoin

    Një rritje në numrin e ETF-ve (exchange-traded fund) të lidhura me kriptomonedhën. Që nga miratimi i SEC (U.S. Securities and Exchange Commission) për ETF-të që gjurmojnë çmimin e bitcoin në Shtetet e Bashkuara, kanë parë një fluks kapitali, me afro 7.9 miliardë dollarë. Ekspertët e SEC evidentojnë faktin se flukset e deritanishme prej 7.7 miliardë dollarësh në ETF-të e bitcoin tejkaluan hyrjen rekorde të mëparshme prej 5.2 miliardë dollarësh, të realizuar në vitin 2021. Megjithatë, akoma shumë investime apo fonde të mëdha hezitojnë të përfshihen në këtë treg.

    Shtimi i ETF-ve të reja

    Faktori tjetër që shpjegon rritjen e çmimit të kriptomonedhës është përhapja e ETF-ve të reja të aseteve dixhitale. Në SHBA, autoritetet rregullatore kanë dhënë miratimin e tyre për nisjen komerciale të ETF-ve të lidhura me Ethereum, kriptomonedha e dytë më e rëndësishme mbas Bitcoin. “Bota e kriptomonedhave po evoluon drejt institucionalizimit më të madh me ardhjen e lojtarëve tradicionalë financiarë në treg”, deklaron Deutsche Bank. Duke vepruar kështu, hyrja në treg “nga dera kryesore” e lojtarëve institucionalë të rrinj që përqafojnë teknologjinë ndihmon për t’i dhënë asaj besueshmëri dhe për ta bërë atë një kategori më të besueshme asetesh. Kësaj i shtohet një vëmendje më e madhe e interesit për ETF-të të ekspozuara ndaj kriptomonedhave dhe teknologjisë “blockchain”, duke i bërë ato instrumente shumë të njohura e të vlerësuara.

    “Efekti i mungesës” ose përgjysmimit (efekti halving)

    Viti 2024 pritet të karakterizohet nga një përgjysmim i numrit të bitcoin-ve që mund të minohen. Ky efekt i mungesës së shkaktuar artificialisht rezulton në një reduktim të numrit të aktiveve, të cilat pritet të absorbohen lehtësisht dhe të kundërbalancohen pikërisht nga ardhja e ETF-ve. Minierat e Bitcoin përfshijnë përdorimin e një sasie të madhe të fuqisë kompjuterike për të zgjidhur problemet që shpërblehen me alokimin e bitcoin. Ky reduktim në numrin e bitcoin-ve të alokuara për minatorët do të thotë se efekti i mungesës pritet të nxisë një rritje të çmimit të kriptomonedhës. “Duke pasur parasysh natyrën shumë të pritur të këtyre ngjarjeve, nëse një rritje çmimi do të ishte e sigurt, investitorët racionalë bëhen aktivë në treg duke blerë paraprakisht, duke e rritur çmimin përpara se të ndodhë përgjysmimi”.

     

    Një mjedis i favorshëm për asetet e rrezikshme

    Interesi i ripërtërirë për bitcoin stimulohet edhe nga një kontekst makro ku investitorët janë më të prirur drejt aseteve më të rrezikshme por me norma fitimi të larta. Rënia e inflacionitpothujase në shumicën e vendeve të botës dhe perspektiva e normave bazë të interesit më të ulëta të bankave qëndrore është një mbështetje e fuqishme për aktivet me rrezik. Bitcoin duke qenë një nga aktivet financiare me fluktuacion të lartë ka më shumë shanse që të vazhdojë të ketë cmim të lartë me perspektivë që të rritet shpejt e në përmasa akoma më të mëdha në të ardhmen e afërt.

    Një kontekst rregullator që po stabilizohet cdo ditë e më tepër

    Në Evropë, rregullorja e aseteve dixhitale – MiCA për “Tregun në Crypto-Assets” – ka hyrë gradualisht në fuqi që nga viti i kaluar me objektivin e vendosjes së rregullave unike në të gjithë BE-në për sa i përket transparencës, informacionit, autorizimit dhe mbikëqyrjes së transaksioneve. E gjithë paketa rregullatore pritet të zbatohet deri në fund të këtij viti. Në Shtetet e Bashkuara, ndërhyrja nga autoritetet ka ndodhur përmes fillimit të procedurave ligjore kundër platformave të tregëtimit të kriptomonedhave si Binance ose Coinbase Global. Sipas Deutsche Bank : “Krijimi i një kuadri që lejon zhvillimin e menaxhimit pasiv në botën e kriptoaseteve përbën një faktor mbështetës për çmimin e bitcoin dhe kriptomonedhave të tjera” dhe të ndihmojë në uljen e paqëndrueshmërisë.

     

  • Qeveria ndan 520 mijë euro për renovimin e IML-së

    Qeveria ndan 520 mijë euro për renovimin e IML-së

    Qeveria e Kosovës ka ndarë sot 520 mijë euro për renovimin e kulmit dhe hapësirave të brendshme të objektit të Institutit të Mjekësisë Ligjore pas dy zjarreve në këtë objekt.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati se ndarja e këtyre mjeteve vjen pas kërkesës nga Ministria e Drejtësisë.

    “Nga MD-ja kemi pranuar kërkesë për ndarjen e mjeteve buxhetore prej 520 mijë eurove dhe kjo kërkesë ndërlidhet për renovimin e kulmit dhe rikonstruksionin e hapësirave në objektin e brendshëm të IML-së, pas zjarrit dhe dëmeve që kanë ndodhur në atë objekt. Mjetet nga kjo pikë merren nga shpenzimet e paparashikuara, kategoria e shpenzimeve kapitale dhe transferohen në Ministrinë e Drejtësisë, tek Instituti i Mjekësisë Ligjore”, ka thënë ai.

  • Escobar përshëndet vendimin e Qeverisë për pronat e Manastrit të Deçanit

    Escobar përshëndet vendimin e Qeverisë për pronat e Manastrit të Deçanit

    Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës që Manastirit të Deçanit t’i jepen tokat sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhje të Qeverisë ka deklaruar se ka urdhëruar bartjen e pronave.

    E Escobar në konferencë të përbashkët për media në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përshëndetur vendimin.

    “Dua të përmendi se është shumë i rëndësishëm vendimi i sotëm për Manastirin, ishte i vështirë, por i domosdoshëm. Falënderojmë institucionet për këtë hap”, ka thënë Escobar.

    Ai ka thënë se me presidenten e Kosovës ka pasur bisedë të hapur e të sinqertë edhe për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku. Escobar e ka quajtur Osmanin garantuese kryesore të raporteve mes SHBA-së dhe Kosovës.

    “Jemi të shqetësuar për ngjarjet e 24 shtatorit. Presim dhe e ftojmë Serbinë që të gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë e të marrin dënimin e merituar. Kemi shumë për të diskutuar për sfidat, përfshirë edhe vendimin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, për të gjetur mënyra për të ecur para me dialogun. Këtu përfshihet edhe Asociacioni, por jo vetëm. Siç e përmendi presidentja Osmani, të dyja palët duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë për të pasur marrëveshje historike. Ftojmë Serbinë të vazhdojë me zbatimin. Nuk duhet vetëm përpjekja unilaterale e Kosovës dhe marrja e vendimeve të zorshme e të vështira nga ajo, që marrëveshja e Ohrit të bëhet realitet”, ka thënë Escobar.

    LEXONI EDHE:

    https://cms.atvlive.tv/kurti-i-kam-kerkuar-agjencise-kadastrale-ta-zbatoje-vendimin-per-manastirin-e-decanit/

  • ​Zbulohet çmimi i çmendur i shtëpisë së Mbappes në Madrid

    ​Zbulohet çmimi i çmendur i shtëpisë së Mbappes në Madrid

    Real Madridi po përgatitet për ardhjen e Kylian Mbappes këtë verë dhe duket se edhe ylli francez po përgatitet për një kalim në Spanjë.

    Parashikohet të jetë një vit i ngarkuar për Mbappe, i cili planifikon të luajë si në Evropian ashtu edhe në Olimpiadën në Gjermani dhe Paris, por tashmë ai është në kërkim të një shtëpie, raporton KosovaPress.

    Duke folur me eksperten e pasurive të patundshme luksoze, Lydia Martinez, “Marca” raporton se prona e re e Mbappes ka të ngjarë të kushtojë 12 deri në 16 milionë euro.

    Mbappe ka të ngjarë të jetojë në një nga dy zonat e quajtura “La Moraleja”, ku jetojnë shumica e yjeve të Real Madrid, përfshirë Vinicius Junior dhe La Finca.

    I pari është më afër terrenit stërvitor të Valdebebas. Këto janë dy lagjet e pasura në Madrid që garantojnë privatësi në një distancë të mjaftueshme nga qyteti, por edhe me hapësirë të mjaftueshme për të qenë në gjendje për tu stërvitur.

    Martinez vazhdon duke thënë se shumica e futbollistëve dëshirojnë të jetojnë në periferi të qytetit dhe nëse nuk mund të gjejnë një pronë që i përshtatet specifikave të tyre të sakta, do të marrin me qira një apartament ndërsa mund të ndërtojnë një të tillë.

    Në të kundërt, menaxherët Carlo Ancelotti dhe Diego Simeone jetojnë më në qendër.

    Mbappe do të ketë pak kohë për t’u përshtatur me mjedisin e tij të ri, për shkak të orarit të ngjeshur.

    Real Madridi është gjithashtu në turne parasezonal gjatë kohës që Mbappe është në Lojërat Olimpike, dhe ndeshja e parë në ligë ka të ngjarë të jetë rreth një javë pasi sulmuesi përfundon punë në Paris, nëse Franca arrin në finale. Mes fillimit të Olimpiadës dhe finales së Euros, ka vetëm 10 ditë.