ATV

Blog

  • ​Escobar: Kurti refuzoi propozimet për dinarin

    ​Escobar: Kurti refuzoi propozimet për dinarin

    I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për adresimin e shqetësimeve të Perëndimit që kanë të bëjnë me ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

    “Unë i kërkova kryeministrit ta suspendojë vendimin përderisa ne, bashkë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeverinë e Kosovës, punojmë për një zgjidhje më afatgjate që u përshtatet nevojave tuaja, pra transfereve elektronike në euro përmes sistemit të Kosovës. Por, tani, ne duhet të bëjmë diçka urgjente. Fatkeqësisht, nuk pata sukses për ta bindur atë për këtë”, ka deklaruar Escobar.

    I pyetur nëse ky është lajmi i fundit nga kryeministri, Escobar është përgjigjur duke thënë se “Ky është lajmi i fundit”.

    “Unë ende jam duke shpresuar që, derisa kryenegociatorët do të takohen në Bruksel të martën, ata do ta gjejnë një zgjidhje të menjëhershme për t’i lejuar transferet e parave të gatshme në euro për këta njerëz”, ka deklaruar tutje ai.

  • Konjufca: Gratë kanë dhënë kontribut e shembull të jashtëzakonshëm

    Konjufca: Gratë kanë dhënë kontribut e shembull të jashtëzakonshëm

    Në Kuvendin e Kosovës është mbajtur seanca shënjuese me ish-deputetet e legjislaturave të mëparshme. Aty, u vlerësua lartë roli dhe kontributi i ish-deputeteve ndër vite, raporton Ekonomia Online.

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka theksuar se gratë kanë dhënë kontribut e shembull të jashtëzakonshëm.

    “Në këto ditë si sot nuk mund të mos i kujtojmë gratë intelektuale. Në historinë e re të Kosovës, numri i grave të angazhuara politikisht është rritur vazhdimisht, dhe roli i tyre është i pazëvendësueshëm”, ka deklaruar Konufca.

    Në seancë ishin ish-deputete si Kaqusha Jashari, Flora Brovina, Besa Gaxherri e shumë të tjera.

    Ish-deputetja, Flora Brovina ka thënë se rruga deri tek këto ulëse nuk ka qenë e lehtë.

    “Askush nuk na i dhuroi këto ulëse sepse jemi gra, por ishte dëshira të marrim pjesë në çdo lëvizje” , ka theksuar ajo

    Ish deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu, u shfaq në foltore me një bluzë mbi të cilën ishte fotografia e të ndjerës Liridona Ademaj e cila u vra muaj më parë.

    “Në memorien time dua të kthej tri momente të grupit të grave deputeteve kur jemi bërë bashkë e ka pas momente kur unë përkundër grupin tim parlamentar kam votuar diçka tjetër se ka qenë në interes të gruas. Për herë të parë është ndarë buxhet me propozimin e grave, e unë dua të falënderoj ato qe kanë filluar e krijuar këtë grup duke iu dalluar historia që keni dhënë”, tha ajo.

    Ajo përmendi vrasjen e Liridona Ademajt duke thënë se edhe sot e kësaj dite ndihet ë trishtuar nga ajo ngjarje që pasqyron realitetit ne vend.

    “Jo rastësisht vendosa ta përmend këtë rast në këtë takim, kur këto ngjarje janë shndërruar ne dukuri. Nuk duhet të lejojmë që kjo dukuri të lëshoj rrënjë, nuk mund të mendohet një shoqëri demokratike kur ka ngjarje të tilla andaj të nderuara deputete kudo që jeni të rrisim përgjegjësinë që kemi”, tha Haxhiu.

  • Mbahet procesi zgjedhor për anëtar të Këshillit Prokurorial nga Prokuroria Speciale

    Mbahet procesi zgjedhor për anëtar të Këshillit Prokurorial nga Prokuroria Speciale

    Komisioni Zgjedhor nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i kryesuar nga Dardan Vuniqi dhe dy anëtarët, prokurori Agron Qalaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i SKPK-së, Sami Istrefi, kanë mbajtur sot procesin zgjedhor për anëtar të KPK-së nga radhët e Prokurorisë Speciale.

    Në bazë të kompetencave ligjore, nga radhët e PS-së, nga 16 prokurorë sa ka kjo prokurori, të drejtën për t’u kandiduar për anëtar të KPK-së e kanë shfrytëzuar prokurorët Milot Krasniqi dhe Habibe Salihu.

    Në këtë proces zgjedhor kanë marrë pjesë pesëmbëdhjetë (15) prokurorë. Pas procesit të votimit, Komisioni Zgjedhor konstatoi se nga ky votim, prokurori Milot Krasniqi ka marrë dhjetë (10) vota, ndërkaq prokurorja Habibe Salihu tre (3) vota, si dhe dy (2) vota të tjera shpallen të pavlefshme.

    Komisioni Zgjedhor do të njoftojë Këshillin Prokurorial se nga ky proces i votimit, prokurori që ka marrë më së shumti vota është Milot Krasniqi.

    Procesi zgjedhor në Prokurorinë Speciale është zhvilluar pas përfundimit të mandatit të anëtares së KPK-së nga radhët e kësaj prokurorie, prokurores Merita Bina-Rugova.

  • Zjarrvënia në gjykatën e Kaçanikut, ndalohen tre të mitur

    Zjarrvënia në gjykatën e Kaçanikut, ndalohen tre të mitur

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, njoftoi përmes një komunikate për media se janë ndaluar tre të mitur, lidhur me shkaktimin e zjarrit në objektin e Gjykatës Themelore në Ferizaj-Dega, në Kaçanik.

    Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi se tre (3) të miturit, kanë kryer veprën penale “Zjarrvënia” nga neni 322 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    “Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të njëjtëve, brenda afatit ligjor, do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente në Ferizaj’, thuhet tutje në komunikatë.

    Kujtojmë se nga ky zjarr ishin djegur dy zyre në katin e dytë të këtij objekti, e që të njëjtat i përkisnin gjykatësve derisa në to kishte dosje të ndryshme.

    Çkado që është djegur nga dokumentet, sipas zyrtarëve të Gjykatës, do të rikthehet meqë janë të ruajtura edhe në mënyrë elektronike. Dëmet, sipas zyrtarëve të gjykatës, ishin vetëm materiale./atvlive.tv/

     

  • Haxhiu për pronën që iu regjistrua Manastirit: E zbatuam vendimin e padrejtë të Kushtetueses për shkak të anëtarësimit në KiE

    Haxhiu për pronën që iu regjistrua Manastirit: E zbatuam vendimin e padrejtë të Kushtetueses për shkak të anëtarësimit në KiE

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një prononcim për media ka thënë se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetues të vitit 2016, për transferimin e 24 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit, ka qenë kërkesë ndaj Kosovës për anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës, raporton Ekonomia Online.

    Ajo ka thënë se sado që ai vendim i Kushtetutës ka qenë i padrejtë, duke e pasur parasysh rendësi që ka anëtarësimi i Kosovës në këtë mekanizëm ka ë konsideruar që duhet të adresohet kjo çështje.

    “Për interesimin e Kosovës në Këshillin e Evropës siç e ka përmendur edhe kryeministri Kurti na është vendosur që Kosova ta zbatojë një vendim të padrejtë të Gjykatës Kushtetues të vitit 2016. Duke e pasur parasysh rëndësinë që ka anëtarësimi i Kosovës në këtë mekanizëm tejet të rëndësishëm për qytetarët e Kosovës por edhe vet për shtetin e Kosovës kemi konsideruar që duhet të adresohet dhe kemi vazhduar tutje. Tani përpjekja jonë është për hapat e radhës të Komiteti, Asambleja dhe tek Ministrat”, ka thënë ajo.

  • Përballje titanësh, këto janë duelet çerekfinaliste në Ligën e Kampionëve

    Përballje titanësh, këto janë duelet çerekfinaliste në Ligën e Kampionëve

    Me hedhjen e shortit tashmë është kompletuar edhe faza çerekfinale në Ligën e Kampionëve.

    Tetë skuadrat e kualifikuara kanë mësuar kundërshtarët e tyre me synimin që të kalojnë në fazën e radhës.

    Shorti i plotë:

    Arsenal – Bayern Munich,

    Atletico Madrid – Dortmund,

    Real Madrid – Manchester City,

    Barcelona – Paris Saint-Germain.

  • ZPS-ja kërkon vazhdimin e paraburgimit për Jakup Krasniqin

    ZPS-ja kërkon vazhdimin e paraburgimit për Jakup Krasniqin

    Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit për Jakup Krasniqin.

    Në parashtrimet e veta, është theksuar se në modifikimin e fundit për kushtet e paraburgimit, Paneli ka konstatuar saktë se ato masa ishin të nevojshme dhe proporcionale me të drejtat e Krasniqit dhe se nuk ia bëjnë të paarsyeshëm vazhdimin e paraburgimit.

    “Lidhur me modifikimin e fundit të kushteve të paraburgimit, si çështje paraprake, Paneli e ka diferencuar saktë çështjen e menjëhershme si çështje në lidhje me paraburgimin ose lirimin e përkohshëm dhe jo kushtet e paraburgimit, e para bie nën rregullën 57 dhe e dyta sipas rregullës. 56(6).Në çdo rast, Paneli tashmë ka konstatuar se asnjë nga rrethanat e identifikuara nga Krasniqi në lidhje me kufizimet e vendosura ndaj të akuzuarve të tjerë nuk do të ndikonte materialisht në konsideratat që kanë të bëjnë me paraburgimin e tij. Paneli më tej ka konstatuar se ato masa janë të nevojshme dhe proporcionale dhe kompatibile me të drejtat e Krasniqit dhe se nuk ia bëjnë të paarsyeshëm vazhdimin e paraburgimit”, thuhet në përgjigjen e ZPS-së.

    Si rrjedhojë e këtyre arsyetimeve të përmendura, ZPS-ja ka potencuar se trupi gjykues duhet ta vazhdojë paraburgimin për Krasniqin.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit./BetimipërDrejtësi

  • Publikohet lista e Sylvinhos, mësohet vendimi për Arbër Hoxhën

    Publikohet lista e Sylvinhos, mësohet vendimi për Arbër Hoxhën

    Trajneri Sylvinho ka publikuar listën e futbollistëve të grumbulluar për ndeshjet miqësore të muajit mars.

    Shqipëria do të luaj me Kilin dhe me Suedinë për tu përgatitur për Kampionatin Evropian Euro 2024.

    Në listën e Sylvinhos është ftuar edhe sulmuesi kosovar Arbër Hoxha.

    Hoxha kishte paraqitje fantastike me Dinamon e Zagrebit por nuk ka marrë ftesë nga Kosova.

    Për dallim nga radhët e kaluara, trajneri Sylvinho nuk ka ftuar Mirlind Dakun dhe Arbnor Mujën.

  • Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë shënon 15-vjetorin e themelimit, Angjeli: Me bindje të plotë, ne ja kemi dalë

    Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë shënon 15-vjetorin e themelimit, Angjeli: Me bindje të plotë, ne ja kemi dalë

    Mes qindra të ftuarve Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë festoi 15 vjetorin e krijimit të tij në një ceremoni mjaft të veçantë.

    Në këtë ceremoni morën pjesë, poltikanë, diplomatë, anëtarë të kabinetit qeveritarë, pedagogë e ish studentë të UMSH.

    Presdenti i Universitetit Mesdhetar, Anastas Angjeli, në fjalën e tij pohoi se rrugëtimi për të ndërtuar një Universitet elitar ka qenë jo i lehtë, i mbushur me sfida, por gjithmonë frymëzues.

    “Teksa kthej kokën pas, dëshiroj të jem objektiv në progresin që ky Universitet ka bërë gjatë një dekadë e gjysmë, që prej ditës kur materializuam me besim e përkushtim vizionin tonë për të udhëhequr të rinjtë në rrugëtimin e dijes.

    Pandaj, sot në këtë përvjetor, unë dua të pohoj me bindje të plotë se: Ne ja kemi dalë!

    Një rrugëtim frymëzues që na bën të mos ndalemi dhe të vijojmë të shohim nga e ardhmja!

    Kjo falë besimit që mijëra të rinj dhe prindër na kanë dhënë duke na lënë në duar përgjegjësinë e edukimit të tyre.

    Ky besim, ka qenë shtysa më e madhe që Universiteti Mesdhetar të jetë sot pas 15 vitesh një lokomotivë e pandalshme e dijes, me mbi 13 mijë të diplomuar, duke pasur si synim parësor, përmirësimin brenda vetes, në mënyrë që t’i ofrojë të rinjve, jo vetëm garancinë se ardhmja e tyre është në duar të sigurta, por një ofertë akademike që i bën ata të denjë e të pregatitur për tregun e punës’’, tha Angjeli.

    Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu e pranishme në aktivitet vlerësoi Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë.

    ‘’Tashmë duhet projektuar ndoshta edhe me një dimension të ri, dimensioni europian i arsimit të lartë’’, tha Manastriliu.

    Universiteti Mesdhetar ka 4 fakultete dhe 3500 studente.

  • Anija me ndihma nga Qipro mbërrin në bregdetin e Gazës

    Anija me ndihma nga Qipro mbërrin në bregdetin e Gazës

    Një anije e mbushur me ushqim ka mbërritur të premten në bregdetin e Rripit të Gazës, raporton Reuters.

    Dërgimi i kësaj anijeje me ndihma u bë për ta testuar dërgimin e ndihmave humanitare përmes detit në enklavën e rrënuar palestineze, e cila është buzë urisë absolute pas një fushate ushtarake pesëmujore tanimë nga Izraeli.

    Anija me gati 200 tonë ushqim pritet të shkarkohet në një dok që po përgatitet në Gazë. Së shpejti pritet ta nisë lundrimin edhe anija e dytë me ndihma.

    Nuk ka shumë hollësi se si do të bëhet dërgimi dhe shpërndarja e ndihmave pasi anija të jetë shkarkuar në bregdetin e Gazës, pasi agjencitë humanitare të Kombeve të Bashkuara kanë thënë se ka shumë pengesa për dërgimin e ndihmave tek njerëzit në nevojë.

    Nëse rruga e re detare është e suksesshme, ajo do të ndihmojë në lehtësimin e krizës së urisë në Gazë, ku shumica e popullit përballet me kequshqyerje.

    Zyrtarët e grupeve humanitare kanë paralajmëruar se Gaza po shkon drejt urisë absolute.

    Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Gazën dhe Bregun e pushtuar Perëndimor, Richard Peeperkorn, tha në fillim të marsit se një në gjashtë fëmijë nën moshën 2-vjeçare në veri të Gazës përballet me kequshqyerje akute.

    Në javët e fundit, të paktën 15 fëmijë kanë vdekur si pasojë e kequshqyerjes dhe dehidrimit në spitalin Kamal Adëan në veri të Gazës, tha të dielën Ministria e Shëndetësisë në enklavën e udhëhequr nga Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga SHBA dhe BE.

    Lufta vdekjeprurëse e Izraelit në enklavën palestineze nisi pasi pjesëtarët e Hamasit u futën vrullshëm në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, duke i vrarë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 250 pengje.

    Më shumë se 31.000 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës prej atëherë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze nga ofensiva ajrore, detare dhe tokësore e Izraelit, e cila ka shkaktuar rrënim të madh në enklavë./REL/