ATV

Blog

  • Kërkohej ndërkombëtarisht, kosovari arrestohet në Shqipëri

    Kërkohej ndërkombëtarisht, kosovari arrestohet në Shqipëri

    Një kosovar i kërkuar ndërkombëtarisht u arrestua nga policia shqiptare në pikëkalimin kufitar në Morinë.

    Siç njofton Policia e Shtetit, Jeton Dërvishaj, 38-vjeçar Gjykata në Hungari e ka dënuar atë, me dy vjet burgim, për kalim të kundërligjshëm emigrantësh.

    “Ndërsa Gjykata e Lartë në Serbi ka lëshuar ndaj tij, urdhër arresti, për të njëjtën veprimtari kriminale. Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët, vijon procedurat për ekstradimin e 38-vjeçarit”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu, në dalje u arrestuan në flagrancë shtetasit kosovarë A. M., 26 vjeç dhe L. C., 23 vjeç, pasi kanë paraqitur dy pasaporta që dyshohet se janë të falsifikuara.

    Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan këto dy dokumente.

  • ​Liverpool përshpejton kërkimin për pasardhësin e Jurgen Klopp

    ​Liverpool përshpejton kërkimin për pasardhësin e Jurgen Klopp

    Kërkimi i Liverpoolit për pasardhësin e Jurgen Klopp do të përshpejtohet pas konfirmimit të emërimit të Richard Hughes si drejtor sportiv.

    Hughes është ardhja e parë kyçe që kur Michael Edwards u emërua nga Fenway Sports Group si shef i futbollit. Çështja e parë e ngutshme e Hughes është vlerësimi i kandidatëve kryesorë për t’u bërë trajneri i ardhshëm i Liverpoolit, raporton KP.

    Shumë nga emrat në listën e ngushtë të Liverpoolit janë të mirë-dokumentuar. Mes tyre Xabi Alonso i Bayer Leverkusen, Roberto de Zerbi i Brighton dhe Ruben Amorim i Sporting Lisbonas.

    Edhe pse Hughes dhe Edwards nuk fillojnë zyrtarisht në postet e tyre të reja deri në qershor, Liverpool tashmë ka filluar kontrolle të gjera për objektivat e tyre kryesore. Hughes, i cili do të krijojë një marrëdhënie të përditshme me trajnerin e ardhshëm, do t’i besohet të gjejë kandidatin e preferuar.

    Klubi e dinte se një drejtor sportiv do të ishte në pozitë përpara se të mund të konsideronin një qasje formale ndaj trajnerëve më të pëlqyer.

    Emërimi i Hughes në “Anfield” u bë një sekret i hapur pasi Bournemouth njoftoi se ai do të largohej nga bregdeti jugor në fund të këtij sezoni pas një periudhe 10-vjeçare si pjesë e operacioneve të tyre të futbollit, dhe loja me hamendje se ku ishte drejtuar ai nuk zgjati, jo shumë kohë pasi që Edwards u konfirmua si suprem i futbollit të FSG-së.

  • Mustafa për rrezikun nga lufta hibride ruso-serbe: Individët që ishin pjesë e administratës 98-99 të mos kenë qasje në media

    Mustafa për rrezikun nga lufta hibride ruso-serbe: Individët që ishin pjesë e administratës 98-99 të mos kenë qasje në media

    Ish-komandanti i UÇK-së në zonën e Llapit, Rrustem Mustafa, ka thënë se personave që kanë qenë pjese e administratës së dhunshme në periudhën e pushtimit serb 1989-’99, nuk duhet t’iu mundësohet qasja në media, si masë preventive kundër luftës hibride ruso-serbe.

    “Preventiva e luftës hibride ruso-serbe… Individëd të cilët kanë qenë pjesë e administratës së dhunshme në periudhën e pushtimit serb 1989-99, nuk duhet vazhduar t’u adresohen mediave. Ata kanë qenë dhe mbeten njerëz që përvjedhin fokusin e autoritetit duke u vardisur rreth liderëve dhe pa hezitim vihen në shërbim të së keqes. Në rrethana të jashtëzakonshme siç jemi ne sot, është mëse e nevojshme që të tillët të menjanohen nga mediat dhe platformat publike, dhe në këtë mënyrë të evitohen dëmet nga spekulimet dhe lufta hibride ruso-sërbe që mund t’i shkaktohen vendit. Asnjërit nga të tillët nuk mbajnë barrë për ata që ikën dhe nuk kthehen më, ndihuni të sigurt në vendin tuaj, tani të PAVARUR!”, ka shkruar ai në Facebook.

  • ​Rriten sërish çmimet e cigareve në Itali

    ​Rriten sërish çmimet e cigareve në Itali

    Çmimet e cigareve në Itali janë rritur sërish të mërkurën, raporton ANSA.

    Pas një rritjeje mesatare prej 10-12 centë për pako më 2 shkurt, çmimet u rritën për 20 cent të tjerë, sipas ligjit për buxhetin e vitit 2024.

    Duhanpirësit që shpenzojnë një pako në ditë tani do të paguajnë rreth gjashtë euro më shumë në muaj, apo 72 euro më shumë në vit.

  • ​Osmani: Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në avancimin e sundimit të ligjit

    ​Osmani: Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në avancimin e sundimit të ligjit

    Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në avancimin e sundimit të ligjit në përputhje me strategjinë e miratuar gjithëpërfshirëse kombëtare, një nga rezultatet më të rëndësishme në kuadër të zotimeve në Samitin për Demokraci.

    Në kuadër të Samitit të tretë për Demokraci, i mbajtur në Republikën e Koresë, e para e vendit tonë tha se Kosova ka dëshmuar gjithashtu edhe përkushtimin ndaj standardeve ndërkombëtare dhe bashkëpunimit, duke miratuar Deklaratën kundër ndalimit arbitrar në marrëdhëniet ndërshtetërore; duke u bërë pjesë e Deklaratës së Parimeve për ta luftuar represionin transnacional së bashku me gjashtë vende të tjera demokratike, në tetorin e kaluar, si dhe duke punuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara drejt avancimit të përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar manipulimin e informacioneve nga ndonjë shtet i huaj.

    Osmani ka thënë se zotimet e marra në kuadër të Samitit për Demokraci i kanë prirë rrugëtimit të Kosovës në politikë dhe vendimmarrje.

    “Teksa po flas para jush, ne jemi duke i bërë përgatitjet për ta mbajtur edicionin e dytë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili do të mbahet në muajin prill në Prishtinë. Në këtë edicion, ne do të fokusohemi jo vetëm në partneritetet dhe dialogun për ta ndërtuar paqen e qëndrueshme përmes sigurimit të përfaqësimit më të madh të grave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes. Jam e lumtur ta ndajë me ju lajmin për themelimin e Qendrës së parë Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Ballkanin Perëndimor, në partneritet me Zyrën e Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, në përputhje me Strategjinë për Gratë, Paqen dhe Sigurinë 2023 të SHBA-ve, si dhe Planin Kombëtar të Veprimit”.

    “Këto masa përfaqësojnë në tërësi një qasje të fuqishme drejtë forcimit të sundimit të ligjit, duke shfaqur përkushtimin e Kosovës ndaj reformës ligjore, transparencës si dhe mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të njeriut. Në këtë rrugëtim, angazhimi i brezit të ardhshëm në proceset demokratike është jetik. Jam e bindur se nëpërmjet njohurive të tyre digjitale gjithnjë në zhvillim, ne kemi mundësi të jashtëzakonshme për ta zhvilluar tutje demokracinë. Veprimet e të rinjve tanë, pasioni i tyre dhe përkushtimi ndaj demokracisë mund ta nxisin një epokë të re prosperiteti. Kjo, ngase, ku ka qëndrueshmëri, këmbëngulje, unitet dhe ambicie, demokracia gjithmonë fiton”, ka përfunduar Osmani.

  • ​Rrahmani: Jam i lumtur që jam pjesë e Kombëtares, i gatshëm të jap 100% tim

    ​Rrahmani: Jam i lumtur që jam pjesë e Kombëtares, i gatshëm të jap 100% tim

    Ylli i Kombëtares së Kosovës, Albion Rrahmani foli sot gjatë stërvitjes së radhës së “Dardanëve” para ndeshjeve të këtij muaji.

    Rrahmani është pjesë e grumbullimit të trajnerit Franco Foda për dy ndeshjet e këtij muaji kundër Armenisë dhe Hungarisë, raporton KosovaPress.

    Rrahmani tha se është i lumtur që është rikthyer në Kombëtare pas lëndimit të rëndë që e pati, ndërsa shtoi se është i gatshëm ta jap 100% nga vetja për të ndihmuar “Dardanët”.

    “Jam shumë i lumtur që përsëri jam pjesë e Kombëtares, siç dihet pas një lëndimi të rëndë që e kam pasur. Jam kthyer në formën time më të mirë të mundshme dhe jam i gatshëm që ta jap 100% për kombëtaren tonë. Janë ndeshje shumë të rëndësishme edhe pse miqësore por do të na shërbejnë që ta njohim më shumë trajnerin, taktikat e tij dhe gjithë bashkëlojtarët njëri-tjetrin me taktikat e reja, dhe shpresoj që do të dalim me rezultat pozitiv se do të jetë shtysë e madhe për neve që në shtator të jemi sa më të gatshëm”, tha Rrahmani.

    Kosova përballet me Armeninë më 22 mars, ndërsa më 26 mars do të luajë kundër Hungarisë.

  • ​Kampioni i tenisit, Jannik Sinner viziton “Azzurrët” në Miami

    ​Kampioni i tenisit, Jannik Sinner viziton “Azzurrët” në Miami

    Kombëtarja e Italisë kishte një vizitor të veçantë gjatë kohës së inspektimit të “Chase Stadium”, ku kampioni i tenisit, Jannik Sinner iu bashkua skuadrës së Luciano Spallettit.

    “Azzurrët” udhëtuan drejt Miamit mbrëmë para dy ndeshjeve miqësore të këtij muaji për tu përgatitur për Kampionatit Evropian Euro 2024, raporton KosovaPress.

    Italia do të përballet me Venezuelën në “Fort Lauderdale’s Chase Stadium”, dhe më pas me Ekuadorin në “Red Bull Arena” në New Jersey.

    Ndërkohë që skuadra po e inspektonte fushën në stadiumin i cili zakonisht përdoret nga Inter Miami i Lionel Messit, ata morën një vizitë befasuese nga kampioni i tenisit, Sinner.

    Sinner ishte në Miami për turneun Masters 1000 dhe dëshironte që të përshëndet kombëtaren italiane, kështu që kjo e fundit ndërpreu stërvitjen për ta përshëndetur kampionin e tenisit me duartrokitje dhe për t’i bërë disa foto.

    Pjesë e fotove ishte edhe fituesi i Kupës së Botës 2006 me Italinë, Gigi Buffon, i cili po punon tani si pjesë e stafit të Spallettit.

    Sinner u bë italiani i parë që e fiton një titull të Grand Slam pas më shumë se 30 vitesh, kur ai e fitoi Australian Open 2024.

  • ​Manastiri i Deçanit, historiani Muhadri: Me kompromise nuk prosperohet ardhmëria e vendit

    ​Manastiri i Deçanit, historiani Muhadri: Me kompromise nuk prosperohet ardhmëria e vendit

    Në mbledhjen e Qeverisë më 15 mars, kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për t’ia regjistruar pronën Manastirit të Deçanit.

    Historianët e Kosovës një gjë të tillë po e konsiderojnë si jo të drejtë, pasi nuk përkon me realitetin dhe të dhënat historike dhe se me këtë po cenohet identiteti historik dhe kulturor i Kosovës.

    Bedri Muhadri nga Instituti i Historisë, thotë për KosovaPress se ky vendim cenon identitetin historik dhe kulturor të Kosovës. Sipas tij, arsyeja që ka ardhur në këto vendime bazohet në faktin që në vitin 2021 organizata “Europa Nostra” e ka cilësuar Manastirin e Deçanit si “të rrezikuar.”

    “Vendimi si i tillë mbetet për të mos u përkrahur, sepse në radhë të parë cenohet identiteti historik, kulturor i Dardanisë dhe Kosovës që bart në vete. Si pjesë e tërë kulturës shpirtërore, arkeologjike dhe historike është edhe Manastiri i Deçanit dhe manastireve tjera në specifiket e veta historike në një kohë të sunduesit… është cenim i identitetit tonë historik, por edhe qasja e kryeministrit lë për të dëshiruar dhe jo shumë e admirueshme për faktin se thotë vendimin po e zbatojmë edhe pse është vendim i dëmshëm… Arsyeshmëria pse ka ardhur deri te këto vendime, bazohen në faktin që në 2021 organizata “Evropa Nostra” e ka cilësuar Manastirin e Deçanit se është në gjendje të rrezikshmërisë, që rrezikohet nga popullata vendase”, ka thënë Muhadri.

    Sipas tij, vendimi nuk është dashur të zbatohet si kompromis, pasi kompromiset po derivojnë me kompromise të ardhshme.

    “Për mendimin tim është një vendim jo i drejtë, i cili nuk përkon me realitetin dhe të dhënat historike, vendim për të cilin kanë thënë vetë institucionet, krerët tanë pak para se të vjen në zbatim, sepse kanë kontestuar mënyrën se si ka ardhur deri te vendimi i Gjykatës Kushtetuese…Nëse thuhet po bën kompromis për të hyrë në Këshillin e Evropës, po njohim pronat e manastirit ortodoks, pastaj mund të vijë një ditë që për t’u futur në UNESCO si pjesë e organizatës të ruajtjes të trashëgimisë botërore, atëherë mund të jetë që të avancohet statuti i këtyre institucioneve…Vendimi nuk është dashur të zbatohet si kompromis, sepse kompromiset po derivojnë me kompromise të ardhshme, rrjedhat politike gjithherë kanë shkuar duke u avancuar në kompromise të mëtejshme. Institucionet e shtetit gjithherë duhet të kenë parasysh që me kompromise nuk prosperohet ardhmëria e vendit”, ka shtuar ai.

    Për Manastirin e Deçanit, historiani Muhadri ka theksuar se është ndër më të rëndësishmit të trashëgimisë kulturore mesjetare dhe ballkanike.

    “Manastiri i Deçanit është institucion i rëndësishëm kulturor, mesjetar i cili rezulton si vlerë mjaft e rëndësishme e trashëgimisë historike, kulturore të Kosovës. Kur themi trashëgimi e Kosovës domosdo duhet të them se Manastiri i Deçanit e ka historiken e vet të formimit dhe veprimtarisë si institucion kulturor dhe religjioz…Manastiri i Deçanit sot është ndër manastiret më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore mesjetare dhe ballkanike dhe është në listën e trashëgimisë kulturore, botërore të UNESCO-s… Historia e manastirit dhe trashëgimia që bart Manastiri i Deçanit është pjesë e kulturës historike dhe mesjetare të Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi si real arbëror”, ka theksuar Muhadri.

    Ndryshe, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë sot ka konfirmuar se Manastiri i Deçanit ka regjistruar në emër të tij 24 hektarë tokë në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, pasi kryeministri Albin Kurti më herët gjatë këtij muaji urdhëroi të bëhej një gjë të tillë.

    Kurti kishte deklaruar se Qeveria e Kosovës ka qenë para dy opsioneve, të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të mundësohet ecja tutje me qëllim të anëtarësimit në Këshillin e Evropës këtë vit ose heqja e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit./kp/

  • Osmani: Turqia është ndër shtetet me kontributin më të madh në kuadër të KFOR-it në Kosovë

    Osmani: Turqia është ndër shtetet me kontributin më të madh në kuadër të KFOR-it në Kosovë

    Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se Turqia ka qindra ushtarë në Kosovë dhe se është ndër shtetet me kontributin më të madh në kuadër të KFOR-it.

    Ajo ka njoftuar se mbrëmë në një iftar të përbashkët, i ka falënderuar të gjithë ushtarakët që shërbejnë larg vendit e familjeve të tyre në mënyrë që të ketë paqe e siguri në Kosovë..

  • Dështon mbledhja e komisionit hetimor për rezerva, shkak mungesa e kuorumit

    Dështon mbledhja e komisionit hetimor për rezerva, shkak mungesa e kuorumit

    Në mungesë të kuorumit, ka dështuar mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore. Në pikë të rendit të ditës ishte diskutimi rreth kërkesave për sjellje të dokumentacionit.

    Deputeti i VV-së, Driton Hyseni, pati kritika për mungesë të opozitës. Tha se në mbledhjen e mëhershme janë marrë vendime pa u konsultuar mazhoranca.

    “Nuk kemi kushte për fillimin e punës së këtij takimi mirëpo konsideroj të papranueshme thirrjen e mbledhjes së komisionit hetimor dhe mos gatishmërinë e opozitës për të marrë pjesë në këtë mbledhje. Gjithsesi ne do dëshironim të trajtonim disa çështje që kanë rrjedh nga mbledhja e fundit e komisionit hetimor, çështjet  të cilat nuk kanë filluar mirë vendimmarrjen në këtë komision. Nga koleget e opozitës janë marrë hapa në mënyre të njëanshme duke dërguar shkresa pa ndonjë vendimmarrje të komisionit hetimor”, tha Hyseni.

    “Konsideroj që mungesa e sotëm është mungesë serioziteti pa marrë parasysh angazhimeve të tjera. Mbledhja është thirr nga kryesuesi zotëri Qalaj dhe unë nuk e di pse është dashur të thirret mbledhja kur të paktën ai e ka dit qe është jashtë vendit. Ne koleget këtu jemi prezentë për të shprehur gatishmërinë për trajtimin e subjektit i cili kuvendi Kosovës na ka  mandatuar ta trajtomë pra  hetimin e çështjes së rezervave shtetërore, respektivisht pretendimet që janë dhënë nga opozita që mund të kemi ndonjë keqpërdorim të mundshëm nga këto rezerva”, u shpreh Hyseni.

    E deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi, e cila e kryesoi këtë mbledhje, tha se për mungesë të Qalajt ka qenë e njoftuar. Ndërsa theksoi se fajtor për dështim të mbledhjes janë edhe deputetët e VV-së.

    “Nuk bën me luajt rolin duke u viktimizua që jeni të interesuar me zbardh të vërteten sepse ne si opozitë ju kemi ftuar që katër muaj dhe katër muaj na kanë dështuar mbledhjet e komisionit dhe opozita këtë rast është hera parë që e ka dështu mbledhjen është hera parë që ka mungu tjetër është që kanë dështuar mbledhjet mes përplasjeve por me prezencë është hera parë si opozitë që po mungojmë, kështu që nuk është mirë me luajt rolin e viktimës që ju jeni të interesuar me zbardh të vërteten”, tha ajo.

    “Mos u bëni viktimë se është hera e parë që kanë munguar si opozitë. Ku ishit ju që katër muaj”, ju kundërpërgjigj tutje Bunjaku.

    Por për mungesën e deputetëve të pozitës, reagoi deputeti i VV-së, Driton Hyseni. Ai tha se bojkoti i tyre ndërlidhet me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Ai tha se në momentin që kanë kaluar ato, kanë qenë pjesëmarrës në mbledhje.

    “Nuk po e shoh shumë të nevojshme të thellohemi në detaje rreth qëndrimit politik. Kur ka qenë qëndrim publik politik i vëreni edhe në seancën e Kuvendit, në Komision e në çdo  intervistë që kemi dhënë rreth çështjes që është duke trajtu në komision hetimor.  Krejt ideja ka qenë  ta  bindim opozitën t’i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare dhe ne të marrim pjesë në konstutuimin e këtij komisioni dhe të vazhdojmë me punën. Në momentin që kaluar marrëve veshjet ndërkombëtare dhe janë votuar në seancë të Kuvendit marrëveshjet ndërkombëtare në vlerë mbi 310 milionë euro në të mirë të qytetareve”, tha Hyseni.