ATV

Blog

  • Yndyrat, shkaktarët e diabetit 2

    Yndyrat, shkaktarët e diabetit 2

    Diabeti është ndër sëmundjet më të përhapura dhe shqetësuese në të gjithë globin. Nga vitit 1980 deri në vitin 2014, numri i diabetikëve në botë u rrit nga 108 milionë në 422 milionë njerëz. Kjo sëmundje shfaqet kur niveli i glukozës dhe i sheqerit në gjak janë më të larta nga normalja. Kështu trupi nuk prodhon më insulinë për të balancuar sheqerin.

    Rekomandimet dhe mënyrat e parandalimit të saj janë të shumta, por duket se vetëm disa prej tyre funksionojnë siç duhen. Ushqimi dhe stili i jetesës janë sigurisht faktorë kyç si në shfaqjen ashtu edhe në zhdukjen e tipeve të diabetit. Sipas ekspertëve, vetëm disa mënyra dhe një stil i caktuar jetese mund të jetë efikas në parandalimin e kësaj sëmundje.

    Shkencëtarët zbulojnë shkaktarin e vërtetë të diabetit

    Një studim i ri argumenton se diabeti i tipit 2 është një sëmundje që shkaktohet nga grumbullimi i yndyrnave në mëlçi. Kjo e fundit nxit më pas ndjeshmërinë ndaj insulinës dhe rrit prodhimin e sheqerit në gjak. I gjithë ky mekanizëm rrit edhe nivelet e insulinës në plazmë, duke përshpejtuar kështu prodhimin e yndyrës në mëlçi. Më pas, lipidet prekin shumë zona të tjera në organizëm, përfshirë edhe pankreasin. Ky i fundit është vendi ku ndodhen qelizat beta të cilat janë përgjegjëse për krijimin e insulinës. Ekspozimi afatgjatë ndaj acideve të yndyrnave të ngopura është shumë i dëmshëm ndaj qelizave beta, thonë ekspertët.

    Mënyra më e mirë për luftimin e diabetit

    Sipas ekspertëve në fjalë, ushqyerja e duhur dhe aktiviteti fizik mund të nxisin humbjen e depozitave të tepërta dhjamore në organizëm. Sa më i shpejtë dhe më i qëndrueshëm të jetë ndryshimi në stilin e jetesës aq më i mirë do të jetë shëndeti i një diabetiku. Dieta me bazë perimet është mënyra më e mirë për të mbajtur në nivelin e duhur të sheqerit. Megjithëse mund të përfshijë një shumësi përbërësish dhe ushqimesh, jo të gjitha janë të rekomanduara për diabetin.

    Nëse konsumoni shumë drithëra, ushqime që përmbajnë niseshte apo sheqer nga frutat sëmundja me shumë mundësi do të avancojë. Sipas mjekëve edhe mishi apo vitaminat e marra nga kafshët mund të jenë faktorë kyç të zhvillimit të diabetit. Kjo gjë ndodh kur ushqimet që ju merrni janë të përpunuara, pra edhe nëse janë dietike përbërësit e tyre të shtuar gjatë përpunimit në fabrika janë të dëmshëm. Kjo për shkak se këto ushqime nëse konsumohen në sasi të mëdha bëhen rezistente ndaj insulinës duke krijuar disbalanca në organizëm.

    Çfarë duhet të konsumoni?

    Sigurohuni që të merrni sa më shumë ushqime të pa përpunuara, pra sa më shumë perime të freskëta. Kini kujdes me racionet, thonë ekspertët duke këshilluar që pjatat me mish të alternohen me sasi më të mëdha perimesh. Perimet jeshile si spinaqi, lakrat apo sallatat do t’ju bëjnë të ndiheni të ngopur dhe do të mbajnë organizmin në formë. Këto perime dhe barishte janë shumë të pasur me fibër e cila të mban të ngopur për shumë gjatë.

  • ​Sulmuan fizikisht një punëtor të burgut, arrestohen 4 persona në Prishtinë

    ​Sulmuan fizikisht një punëtor të burgut, arrestohen 4 persona në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona tre burra e një grua, pasi që në bashkëveprim kanë sulmuar fizikisht një punëtor të burgut.

    Sipas policisë rasti ka ndodhur rreth orës 03:20 në rrugën “Ahmet Krasniqi”, në Prishtinë.

    “Janë arrestuar katër të dyshuar, tre meshkuj dhe një femër kosovarë, pasi që në bashkëveprim e kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar (punëtor i burgut). Me vendim të prokurorit, katër të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • ​Kryeziu: Kushtetuta e Kosovës më e avancuara në Evropën Juglindore

    ​Kryeziu: Kushtetuta e Kosovës më e avancuara në Evropën Juglindore

    Profesori i të drejtës kushtetuese, Kadri Kryeziu, thotë se Kushtetuta e Kosovës është më e avancuara në Evropën Juglindore. Në ditën e aktit më të lartë politik dhe juridik të shtetit, Kryeziu, i cili është edhe njëri nga hartuesit e Kushtetutës, thekson se ky dokument është hartuar për të qenë jetëgjatë në Kosovë. Sipas tij, vakumi kryesor në Kushtetutë është kur nuk mund të arrihen qëllimet e shumicës, për shkak të kompromiseve që janë bërë për komunitetin serb dhe votën e dyfishtë në Kuvendin e Kosovës.

    Ish gjyqtari në Kushtetuese, në një intervistë për KosovaPress, akuzon edhe qeverinë Kurti se përmes ligjeve disa herë ka pasur tendencë për të shkelur Kushtetutën.

    “Duke përgatitur shpalljen e pavarësisë kemi punuar në hartimin e Kushtetutës së Kosovës, e cila bazament ka qenë Pakoja e Ahtisarit. Kjo Kushtetutë hyn në kuadër të kushtetutave të kushtëzuara ose të ndikuara. Faktikisht Kushtetuta duhet me qenë referendare ose me referendum me vullnetin e plotë të popullit. Kushtetuta jonë ka kaluar në parlament nga përfaqësuesit e popullit… Kushtetuta e Kosovës në krahasim me 11 kushtetuta të Evropës Juglindore është njëra prej Kushtetutave më demokratike në Evropë, në kuptimin e normës kushtetuese. Është një kushtetutë ku gjejnë shprehje minoritetet në të gjitha fushat në aspektin e së drejtave. Qofshin ato në të drejtat njerëzore, fetare, kulturore dhe trashëgimore. Bazamentin kjo kushtetutë e ka në Pakon e Ahtisarit, quhet kushtetutë me elementë të jashtëm. Aty është favorizuar kryesisht minoriteti serb i cili ka qenë një kompromis për Pavarësinë e Kosovës. Kushtetuta ka vakume ende, për shkak se ndonjëherë nuk mund të arrijmë qëllimet e shumicës, pasi votimi bëhet në bazë të sistemit të Banditerit, që nënkupton dy të tretat plus dy të tretat e minoriteteve që në ligjet vitale duhet t’i kemi edhe votat e dyfishta të minoriteteve në parlament”, thotë Kryeziu.

    Sipas tij, s’ka ndonjë mekanizëm të veçantë për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, por thotë se në bazë të nenit 116 të Kushtetutës, autoritetet që nuk i zbatojnë vendimet kryejnë vepër penale.

    “Shteti jonë duhet me qenë shtet juridik me sundimin e ligjit. Kjo nënkupton se çdo vendim, qoftë ai i parlamentit, apo gjykatave shteti ka për detyrë me i zbatu. Nëse një shtet merr vendime, qofshin ato në karakterin e aktgjykimeve apo të parlamentit dhe nuk i zbaton nuk konsiderohet shtet që mundet me u integru në nivele ndërkombëtare. Vendimi për Manastirin e Deçanit kam thënë disa herë se duhet të zbatohet nuk është tradhti kombëtare… Nuk ka ndonjë mekanizëm të veçantë për zbatimin e vendimeve (të Gjykatës Kushtetuese). Por në bazë të nenit 116 të Kushtetutës së Kosovës, autoritetet që nuk i zbatojnë vendimet kryejnë vepër penale. Prokuroria ka për detyrë që me i nis hetimet penale për moszbatimin e vendimit dhe dënimet janë deri në gjashtë vite”, shton ai.

    Duke folur për numrin e projektligjeve që Gjykata Kushtetuese i ka rrëzuar gjatë qeverisjes Kurti, Kryeziu kërkon kujdes më të madh në hartimin e tyre.

    “Duhet pasur kujdes në hartimin e projektligjeve sidomos departamentit ligjore që janë në ministri. Më duket se nuk po koncentrohen shumë dhe aty konsiderohen se shkelet disa të drejta, të natyrës së punës, financiare dhe të tjera. Nëse shkelen disa të tjera dhe nuk janë në harmoni me Kushtetutën, Gjykata Kushtetuese i konsideron në kundërshtim me kushtetutën dhe i hedh si të pabaza… Kushtetutën nuk munden me shkel pasi Gjykata Kushtetuese nuk lejon, por tendencat për me shkel kushtetutën ka pasur. Gjykata Kushtetuese i mbron liritë dhe të drejtat e njeriut, pa marrë parasysh gjininë, racën, fenë e kështu me radhë. Përmes ligjit kanë pasur tendenca për me shkel të drejtën kushtetuese, sidomos në punësim, paga dhe kështu me radhë”, deklaron Kryeziu.

    Sa i përket rrezikut që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, me kompetenca ekzekutive dhe mbi Kushtetutën e vendit, Kryeziu thotë se asnjë dispozitë e tillë nuk mund të kalojë në Gjykatën Kushtetuese.

    “Asociacioni i komunave serbe mund të krijohet në bazë të marrëveshjes së vitit 2013. Marrëveshja e vitit 2013 e përshkruan edhe statutin, këto veprime të tjera kanë qenë shumë politike, të cilat qeveria ka pasur për detyrë të hartojë një projekt-statut vet. Duke marrë parasysh se nuk e ka hartuar atëherë faktori ndërkombëtar e ka marrë përsipër. Ky projekt-statut është konglomerat i disa projekt-statuteve… Ka disa elemente, është i paqartë 1244, pastaj është arbitrazhi që është një element që i tejkalon institucionet tona. Unë besoj si profesor i të drejtës kushtetuese se këto dispozita nuk mund të kalojnë në Gjykatën Kushtetuese”, përfundon Kryeziu.

    Kushtetuta e Kosovës është miratuar më 9 prill të vitit 2008, dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. /kp

  • Publikoi foto me armë në ‘TikTok’, arrestohet i dyshuari në Rahovec

    Publikoi foto me armë në ‘TikTok’, arrestohet i dyshuari në Rahovec

    Një person është arrestuar në Rahovec pasi i njëjti kishte publikuar foto me armë zjarri në rrjetin social TikTok.

    Policia bën me dije se i është kontrolluar shtëpia dhe lokali ku janë gjetur dhe konfiskuar dy pistoleta me katër copë fishekë.

    I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

  • Vidhet një veturë te ‘rruga C’ në Prishtinë, policia nis hetimet

    Vidhet një veturë te ‘rruga C’ në Prishtinë, policia nis hetimet

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një veturë është vjedhur në rrugën C në Prishtinë. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 22:00.

    Sipas ankueses në veturë kishe pasur edhe një fustan.

    “Ankuesja femër kosovare ka informuar se persona të pa njohur i kanë vjedhur veturën e saj, ku në veturë kishte pasur edhe një fustan. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e PK-së.

  • Kontrabandë me mallra nga Serbia, i dyshuari shoqërohet në stacionin policor

    Kontrabandë me mallra nga Serbia, i dyshuari shoqërohet në stacionin policor

    Policia e Kosovës e ka shoqëruar në stacionin policor një person të dyshuar, pasi në automjetin e tij në Zveçan janë gjetur mallra që dyshohet se janë kontabanduar nga Serbia.

    “Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull serb, pasi që në automjetin e tij janë gjetur mallra (ëmbëlsira) pa dokumentacion përkatës dhe dyshohet që janë të kontrabanduara nga Serbia”, thuhet në raportin e policisë.

  • Sot Dita e Kushtetutës

    Sot Dita e Kushtetutës

    Sot bëhen 16 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

    Ajo u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor të po atij viti.

    Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

    Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i ish-presidentit finlandez Martti Ahtisaari, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

    Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë – neni 8. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.

    9 Prilli është zyrtarisht festë shtetërore në Kosovë që do të thotë se institucionet sot e kanë ditë pushimi.

  • ​63 vjet nga vdekja e Ahmet Zogut – si u bë mbret dhe si iku nga Shqipëria

    ​63 vjet nga vdekja e Ahmet Zogut – si u bë mbret dhe si iku nga Shqipëria

    Ahmet Zogu u lind në Burgajet të Matit, më 8 tetor 1895. Ishte politikan shqiptar, ministër i Brendshëm (30 janar, 1920 – 14 nëntor, 1920), kryeministër i Shqipërisë (1922-1924), president (1925 – 1928) dhe mbret, 1 shtator 1928 – de facto 7 prill 1939 pas pushtimit italian, ndërsa, de-jure më 2 janar 1946 pas shpalljes së Shqipërisë Republikë. Më 9 prill 1961, Ahmet Zogu shuhet në Spitalin e Sursnes afër Parisit në orën 16.00, në moshën 66-vjeçare.

    Mësimet e para i mori në vendlindje nga mësues privat si Sali Toron, Hysen (Efendi) Cekën dhe Dervish Himën për gjuhën shqipe, Hafiz Muharremin për gjuhën turke, deri në moshën 13-vjeçare. Më 15 qershor 1905, largohet për në Stamboll dhe fillon studimet në Lyce Imperial de Galatasaray, qendra e atëhershme e Perandorisë Osmane në rënie, që kontrollonte Shqipërinë dhe më vonë në akademinë ushtarake deri më 1912. Pas vdekjes së t’atit më 1908, u bë Beu i Matit, i quajtur edhe Beu i vogël. U zgjodh në vend të vëllait Xhelal bej Zogolli.

    Gjatë Lufta e Parë Botërore doli vullnetar në krah të Perandorisë Austro-Hungareze. U mbajt në Vjenë në 1917 e 1918, e në Romë në 1918 e 1919 përpara se të kthehej në Shqipëri më 1919. Gjatë kohës në Vjenë, ai shijonte stilin e jetës së Evropës Perëndimore, dhe thuhet të ketë qenë shumë i pëlqyer mes grave vjeneze. Mori mësimet në gjuhën gjermane dhe thelloi njohuritë në artin ushtarak dhe në diplomacinë perëndimore.

    Mbas vdekjes së babait të tij Xhemal Pasha Zogu, ai u bë i zoti i shtëpisë së tij dukë u mbështetur nga nëna ë tij, Sadije Toptani që më pas u bë nëna mbretëreshë. Në këtë kohë 13 vjeç, Ahmet Zogu bëhet kështu shef i krahinës së Matit.

    Më 20 korrik 1912 Ahmeti, u kthye në Shqipëri, për arsye se Fuqitë Ballkanike, të përkrahur hapur nga Rusia, po përgatiteshin që ti shpallnin luftë Perandorisë Osmane, si rrjedhojë Shqipëria do të vuante pasojat e kësaj lufte. Në 1 Nëntor 1912, ai merr pjesë me 2000 matjanët e tij në luftë kundër ushtrive serbo-malazeze duke i ardhur në ndihmë qytetit të Shkodrës i cili mbrohej nga Hasan Riza Pasha dhe daja i tij Esat Pashë Toptani. Por thyhet keq nga serbët në Zadrimë.

    Më 28 Nëntor 1912, në shpalljen e pavarësisë në Vlorë nga Ismail Qemali, Matin, Dibrën dhe Mirditën do ta përfaqësonte Beu i Vogël, i cili kryesonte delegacionin prej 26 vetash. Ndërkohë që luftonte, u njoftua se Dibra u pushtua dhe u dogj nga forcat serbe, si dhe po i drejtoheshin Matit. Atëherë Ahmet Zogu me shpejtësi të madhe u nis për në Mat, ku filloi menjëherë përgatitjet për të mbrojtur të paktën Matin nga sulmi.

    Mbas përfundimit të kuvendit u kthye në vendlindje, ku organizoi mbrojtjen e krahinave të Matit dhe Dibrës, kundër ushtrisë serbo-sllave. Në Mat Zogu, kishte shumë armatim dhe municione për të cilët kishin nevojë kryetarët e Kosovës e të Dibrës, të cilët vinin në Mat për t’u furnizuar. Edhe një herë Mati u bë qendra e Shqipërisë dhe bijtë e tij nuk i braktisën të ardhurit por i mbajtën në familjet e tyre të pa ndarë në ushqime.

    Gjatë qeverisjes së Ismail Qemalit, Zogu mbrojti interesat e kësaj qeverie duke kundërshtuar edhe Esat Pashë Toptanin. Në kohën e ardhjes dhe përpjekjeve të Princ Vidit që të instalonte qeverinë e tij në Shqipëri, ai e përkrahu atë. Në pranverën e 1914, plasi një kryengritje kundër Vidit (e cila mendohej se ishte ideuar nga Esat Pashë Toptani).

    Zogu u vu në ndihmë të Princ Vidit dhe kërkoi nga forcat rebele që të tërhiqeshin dhe mos të rrezikonin interesat kombëtare. Mbas një përgjigje negative nga ana e rebelëve, ai marshon drejt Elbasanit dhe Krujës, i thyen forcat rebele dhe vendoset në Krujë. Gjatë kohës që ishte në Krujë, Princ Vidi largohet nga Shqipëria dhe ia lë administrimin e vendit një përfaqësie ndërkombëtare, kjo bëri që edhe Zogu, të tërhiqej nga Kruja drejt Matit.

    Në luftën e parë botërore Mbreti Zog u rreshtua ne krah te Austro-Hungarisë dhe vuri në dispozicion të luftës 10.000 luftëtarë (çliron Skraparin dhe Durrësin). Më 3 Mars 1916, Zogu, thërret Kongresin Kombëtar, në Elbasan për të diskutuar mbi fatin e Shqipërisë.

    Kjo iniciativë e tij, në fillim pati mbështetjen nga Austro-Hungaria, e cila më vonë u tremb dhe e pengoi. Ky akt bëri që Zogu, të tërhiqej nga Lufta e Parë Botërore, si shenjë revolte kundër këtij veprimi. Austriakët, ngaqë ishte nip i Esat Toptanit donin ta internonin. E ëma, i kërkon ndihmë At Pal Dodajt, atëherë në Rubik, që t’i shpëtonte të birin. At Dodaj, shkon në Burgajet, e vesh si frat Ahmetin e merr në Kuvendin e Rubikut. Me ndërhyrjen e At Dodajt, Zogu shkon me studime në Austri në një Akademi Ushtarake.

    Në janarin e 1917, mbas vdekjes së Franc Jozefit, në Vjenë u bë kurorëzimi i Karlit dhe u ftua një delegacion nga Shqipëria. Mbas kësaj ceremonie austriakët i kërkuan Zogut, që të qëndronte në Vjenë, vend i cili kishte ofruar bursa për një grusht shqiptarësh, e kishte plane për vendin tonë. Atje takon dhe Çatin Saraçin.

    Ai u detyrua të vendosej në Vjenë deri në përfundim të Luftës. Në 1919, Shqipëria rrezikonte realisht ndarjen, kështu që Zogu, rikthehet në aktivitetin politik duke kërkuar që të mbahej një kongres kombëtar për të mbrojtur fatet e Shqipërisë, kongres që u mbajt në Lushnjë me 21-31 janar 1920 i siguruar me 9,000 vete nga ai (Kongresi e emëroj ministër te brendshëm).

    Më 11 shkurt 1920 pas kundërshtisë italiane për të mos lejuar vendosjen e qeverisë në kryeqytetin e vendit në Durrës, Zogu çan barrikadën dhe siguron vendosjen e qeverisë dhe Këshillit të Naltë në Tiranë. Më 6 mars 1920 së bashku me ministrin e Drejtësisë bën bashkimin e Shkodrës me pjesën tjetër të vendit. Në shkurt–nëntor 1920 stabilizon rendin në Shqipëri. Në nëntor 1920 suksesi i tij ngjall xhelozi dhe si pasojë e saj, qeveria jep dorëheqjen. Më 5 prill 1921 zgjidhet deputet i Partisë Popullore në Këshillin Kombëtar. Më 4 nëntor 1921, emërohet nga qeveria, komandant të operacioneve ushtarake për krahun lindor kundër serbëve. Më 14 dhjetor 1921 pas shtypjes së grushtit të shtetit vjen në Tiranë dhe siguron qetësinë e vendit. Më 24 dhjetor 1921 emërohet sërish ministër i Punëve të Brendshme.

    Më 1922 ndryshon mbiemrin, duke hequr mbrapa-shtesën turke -olli, dhe duke lënë thjesht Zogu.

    Në mars 1922 i bën ballë rebelimin të forcave opozitare duke ruajtur kryeqytetin nga anarkia. Më 2 dhjetor 1922 për herë të parë emërohet kryeministër. Në këtë post, Zogu ishte i pari që nisi punën për hartimin e ligjeve organike të ministrive. Për këtë qëllim ai ngriti grupet e ekspertëve me nga dy përfaqësues për çdo ministri. Në shtator 1923 Zogu konfirmohet edhe si kryetar i Partisë Popullore. Në dhjetor 1923 Zogu arrin të sigurojë numrin më të madh të votave në zgjedhjet për Kuvendin Kushtetues, por pa arritur numrin e duhur për krijimin e qeverisë së re. Për herë të parë ai zgjidhet me dy mandate, në Dibër dhe në Durrës.

    Më 23 shkurt 1924 për shkakun se Zogu me anë të një koalicioni me independentistët siguroi një shumicë të re, iu organizua një atentat brenda Kuvendit Kushtetues. Zogu plagoset gjatë hyrjes së tij në parlament nga Beqir Valteri me 24 shkurt. Te Zogu po hynte në derë Valteri, i cili qëlloi me qetësi tre herë mbi trupin e Ahmet Zogut. Zogu mori tre plumba, një në dorë, një në kofshë dhe një në bark.

    Në sallën e parlamentit pllakosi një atmosferë tepër e rëndë, pasi duke qenë se shumica e deputetëve ishin të armatosur, ekzistonte rreziku i një përleshjeje të armatosur mes palëve kundërshtare.

    Pas disa sekuencave të frikshme Beqir Valteri u ndalua dhe Eljaz Vrioni mori fjalën për të qetësuar situatën, ndërsa Zogu nga vendi dhe me zë të lartë foli: “Zotërinj, nuk është hera e parë që ngjet një gjë e tillë, ndaj ju lutem miqve të mi ta harrojnë për një çast atë çfarë ngjau dhe të merren me vonë me këtë punë”.

    Kjo ndërhyrje e Zogut dhe e Vrionit shmangu një kasaphanë të vërtetë në sallën e Asamblesë.

    Iu afrua Eqrem Bej Vlora me dr. Simonidhin që verifikoi dëmin që kishin bërë dy plumba që e kishin marrë kalimthi duke e çarë thellë, njëri në kofshë e tjetri në baqth; plagët u lidhën përkohësisht.

    I shoqëruar me një eskortë të fuqishme, kryeministri u strehua në shtëpinë e tij, dhe filloi të kurohej pa problem nga që plagët ishin shumë më të lehta se sa që ishin pritur, plagë të cilat nuk penguan të priste as vizitat e miqve. Madje Zogu përfitoi nga rasti të takohej vetë me atentatorin. Më tej jep dorëheqjen. Gjendja acarohet.

    Në maj–qershor 1924 opozita organizon një grusht shteti. Qeveria “Vrioni” që u rrëzua më 10 qershor 1924 e kishte emëruar ditët e fundit të saj, komandant për shtypjen e grushtit të shtetit në veri.

    Në qershor 1924 për të mos i dhënë rrugë gjakderdhjes, Zogu largohet në Jugosllavi. Gjykata politike e kundërshtarëve të tij politikë e dënon me vdekje në mungesë. Në dhjetor 1924 me vendim të qeverisë “Vrioni” dhe me përkrahjen e fuqive të mëdha, Zogu rikthen legjitimitetin e rrëzuar në qershor 1924. Më 6 janar 1925 Këshilli i Naltë e dekreton kryeministër dhe ministër të Brendshëm.

    Presidenti i parë i Republikës Shqiptare, Ahmet Zogu

    Më 25 janar 1925 Kuvendit Kushtetues shpalli Republikën Shqiptare. Dhjetë ditë më vonë, Ahmet Zogu u zgjodh nga Kuvendi Kushtetues, kryetar i republikës, duke qenë në të njëjtën kohë edhe kreu i pushtetit ekzekutiv. Gjatë kësaj kohe, Ahmet Zogu riktheu stabilitetin në vend, si dhe mundësoi nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme ekonomike, politike e ushtarake që forcuan pozitën e Shqipërisë.

    Paqëndrueshmëria e stabilitetit politik të vendit në vitet ’20, detyroi një grup parlamentarësh të propozonin shqyrtimin e regjimit shtetëror në Shqipëri, parlamenti vendosi në favor të këtij propozimi.

    Pas zgjedhjeve të parakohshme më 25 Gusht 1928, u propozua ndërrimi i formës së qeverisjes, u formua komisioni statusor, i cili propozoi ndërrimin e formës së regjimit nga republikë në monarki. Ky propozim u hodh në votim dhe parlamenti më 30 gusht 1928, vendosi që Asambleja Kushtetuese të proklamojë Shqipërinë Mbretëri Demokratike Parlamentare të Trashëgueshme.

    Më 1 Shtator 1928, Asambleja Kushtetuese proklamoj: “Mbret të Shqiptarëve” nën emrin “Zog I”. Ceremonia e kurorëzimit ishte planifikuar për në orën pesë, por në katër e gjysmë dhoma e bardhë e parlamentit ishte mbushur plot me deputetë, punonjës civilë, kryetarë të fiseve disa të veshur me frakë dhe të tjerë me feste prej leshi të bardhë. Krerët e misioneve të huaja ishin gjithashtu të pranishëm, edhe pse përpiqeshin të mos binin në sy. Rasti ngrinte pyetje të vështira protokolli, ndaj duke reflektuar verdiktet pezull të qeverive të tyre, diplomatët kishin zgjedhur veshje mëngjesi, pa dekorime. Për të dëshmuar se pjesëmarrja e tyre ishte informale ato u rrasën në turmën e mbledhur në hollin modest, duke ua lënë hapësirën e rezervuar për to korrespondentëve të “Associated Press”.

    Ai u betua (Formula e betimit):

    “Unë Zogu, Mbret i Shqiptarëve, në çastin në të cilin po hedh këmbën mbi Thronin e Mbretnis Shqiptare dhe po marr në duer Pushtetin Mbretnuer, betohem përpara fuqisë së Zotit me mbajte Bashkimin Kombëtar, Independencën e Shtetit dhe Tokat. Betohem edhe të mbahem besnik ndaj Statutit dhe të veproj mbas pikave të tij dhe mbas ligjeve që ndodhen në zbatim, duke pas parasysh kurdoherë të mirën e popullit. Zoti më ndihmoftë”.

    Më 7 prill 1939 duke mos pranuar kushtet e pushtimit fashist, largohet nga Shqipëria. Më 8 prill 1939 vendoset në Greqi dhe fillon jetën në mërgim. Duke iu trembur një reagimi negativ nga ana e qeverisë italiane autoritetet greke informuan menjëherë Romën se mbreti dhe suita e tij prej 113 vetash nuk do të lejoheshin që të organizonin kurrfarë veprimtarie politike në Greqi.

    Hapi tjetër ishte ushtrimi i një presioni të vazhdueshëm ndaj mbretit që ky i fundit të largohej nga Greqia. Gjithashtu fillon organizimin e rezistencës së armatosur. Më 3 maj 1939 mbërrin në Turqi, ku pritet nga autoritet më të larta të vendit dhe nga shqiptarët.

    Më 30 qershor 1939 niset për në Evropë. Më 2 maj 1939 familja mbretërore e shoqëruar nga tetë vetë mbërriti në Turqi, ku qëndrimi i saj ishte më i këndshëm. Në Stamboll mbreti gjeti shumë përkrahës të tij me të cilët pati mundësi të takohej pasi turqit u ruheshin më pak italianëve sesa grekët.

    Për shkak të fjalëve që u përhapen në lidhje me ngjitjen sërish në fron, e kjo mund të bëhej e mundur vetëm me ndihmën e një Fuqie të Madhe, shumë shpejt ai u largua dhe nga Turqia dhe i hodhi sytë drejt Britanisë. Ai e informoi ambasadorin në Ankara për dëshirën e tij për t’u vendos në Londër. Përgjigja i erdhi në mes të qershorit pasi mbreti u zotua se nuk do të përfshihej në asnjë aktivitet politik. Me qëllim që të shmangte një udhëtim pranë kufijve të Italisë ose përmes Gjermanisë, Zogu dhe suita e tij u detyruan të ndërmarrin një udhëtim të gjatë përmes Evropës Lindore e Qendrore, i cili përfshiu etapa ndalesash në Rumani, Poloni, Lituani, Finlandë e Suedi.

    Më 2 korrik 1939, mbërrin në Rumani ku pritet nga Mbreti Karol i Rumanisë. Më 15 gusht 1939, mbërrin në Paris, ku vendoset dhe merr me qira një shtëpi. Këtu vihet në kontakt me autoritet më të larta të Francës duke u kërkuar atyre leje për të ushtruar njëfarë aktiviteti politik. Kjo kërkesë iu refuzua megjithatë ai qëndroi në Francë deri në prag të pushtimit të saj nga gjermanët. Më 22 qershor 1941, mbërrin në Mbretërinë e Bashkuar. Vendoset dhe fillon aktivitetin e tij në Londër. Fillimisht qëndron në hotelin ‘Ritz’ dhe më vonë merr me qira një shtëpi në Parmoor. Qëndron në Mbretërinë e Bashkuar deri në përfundim të luftës. Më 18 Mars 1946, vendoset në Egjipt mbasi merr një ftesë nga Mbreti Faruk i Egjiptit.

    Në pasluftë, më 29 gusht 1955, mbërrin në Francë dhe vendoset në fillim në Paris. Më 27 prill 1938 martohet me konteshën hungareze Geraldina Appony, ku veshjet e dasmës, si zakonisht, vinin nga dora e Gjon Lacës. Më 9 prill 1961, Ahmet Zogu shuhet në Spitalin e Sursnes afër Parisit në orën 16.00, në moshën 65- vjeçare. /KosovaPress/

  • Kurti sot nderon të rënët në Koshare dhe Kaçanik

    Kurti sot nderon të rënët në Koshare dhe Kaçanik

    Sot shënohet 25 vjetori i Betejës së Koshares, ku ranë 114 Dëshmorë të Kombit dhe 25 vjetori nga lufta e “Lagjes së Re” dhe të Rakocit ku kishin rënë 28 dëshmorë dhe 32 martirë në Kaçanik.

    Për të nderuar të rënët sot, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bën homazhe dhe vendos kurora me lule në vendin e rënies, pranë lapidarit të ngritur në Lagje të Re, në Rakoc si dhe në Kompleksin Memorial “Varrezat e Dëshmorëve”, Kaçanik.

    Po ashtu Kurti, merr pjesë në manifestimin qendror “Ditët e Shqipes” 2024. Ai do të bëj homazhe si dhe merr pjesë në manifestim në Kompleksi Memorial në Koshare.

    25 vjet nga thyerja e kufirit Kosovë-Shqipëri

  • 25 vjet nga thyerja e kufirit Kosovë-Shqipëri

    25 vjet nga thyerja e kufirit Kosovë-Shqipëri

    Beteja e Koshares më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.

    Përpjekjet për të arritur një marrëveshje që forcat serbe të tërhiqeshin nga territori i Kosovës, kishin rezultuar pa sukses. Ndërkohë, pas Rambujesë ishte formuar Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe caqet ushtarake dhe paramilitare serbe ishin sulmuar nga forcat e aleancës veri-atlantike NATO.

    Në aspektin strategjik beteja e Koshares kishte rëndësi të veçantë jo vetëm marrjen dhe pastrimin e kufirit por edhe krijimit të prapavijës së qëndrueshme për mbështetje dhe operacione logjistike, ndihmë mjekësore etj.

    Thyerja e kufirit në Koshare jo vetëm që shënoi një fitore të madhe morale, por ajo edhe praktikisht mundësoi furnizimin e luftës me armatim dhe municion.

    Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë kishte edhe rëndësinë juridike në të drejtën ndërkombëtare. Kjo pamundësonte kontrollin e forcave serbe mbi territorin që ndante në mes një komb të vetëm, shuante ndikimin e dhunshëm shtetëror dhe integritetin territorial të pretenduar.

    Beteja e Koshares mbetet një nga përballjet e suksesshme të forcave të UÇK-së jo vetëm për bilancin e të vrarëve nga pala e armikut, por dhe me efektin që pati ky sukses në forcimin e besimit të popullsisë së zonës tek UÇK-ja dhe aleatët e saj. Kjo betejë u bë motiv për shtimin e radhëve të vullnetarëve që i bashkoheshin UÇK-së në front.

    Triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet e Kosovës, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri gati njëqindvjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

    Beteja e Koshares ishte njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë ndër shqiptarë.