ATV

Blog

  • ​Rikthimi i fuqishëm i Ligës së Kampionëve

    ​Rikthimi i fuqishëm i Ligës së Kampionëve

    Gara më prestigjoze evropiane në nivel klubesh, Liga e Kampionëve rikthehet sot me dy super ndeshje në kuadër të fazës çerekfinale. Sot do të ballafaqohen katër më të fuqishme që gjithashtu shihen edhe si pretendente për ta fituar këtë garë.

    Në stadiumin “Emirates” Arsenali e pret Bayernin e Mynihut në një sfidë që premton spektakël duke parë formën e mirë të këtyre dy skuadrave dhe futbollit të shpejtë që aplikojnë. Kjo sfidë zhvillohet me fillim nga ora 21:00, raporton KosovaPress.

    Një tjetër ballafaqim po aq i jashtëzakonshëm do të jetë ai ndërmjet Real Madridit dhe Manchester Cityt. Anglezët janë kampion ën fuqi të kësaj gare dhe synojnë ta mbrojnë atë, derisa gjiganti spanjoll është skuadra me më së shumti trofe të Ligës së Kampionëve. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Santiago Bernabeu” me fillim nga ora 21:00.

  • Forumi Rinor i LDK-së: Qeveria shkeli shtatë herë Kushtetutën

    Forumi Rinor i LDK-së: Qeveria shkeli shtatë herë Kushtetutën

    Forumi i Rinor i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka zhvilluar një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke shtruar një tepih të shkruar “Gjykata Kushtetuese”.

    Në përvjetorin e 16-të të Kushtetutës, e cilësuan Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti si shkelësit më të mëdhenj të aktit më të lartë juridik në vend.

    Kryetari i Forumit Rinor të LDK-së, Paris Guri, tha se në vend të urimit sot Qeverisë duhet t’i rikujtohet se Kushtetuta është shkelur shtatë herë nga kjo qeveri.

    Kryetari Guri, tha se “në vend të urimit Qeverisë duhet t’i rikujtohet se e ka shkelur Kushtetutën shtatë herë”.

    Ai përmendi edhe ministrat e Qeverisë Kurti që kanë bërë shkelje të Kushtetutës.

    “Sot jemi këtu para objektit të Qeverise së Kosovës me një aksion simbolik në Ditën e Kushtetutës. Fatkeqësisht në vend të urimit sot duhet t’ia rikujtojmë kësaj qeverie se gjatë mandatit të saj, Kushtetuta e vendit tonë është shkelur plotë shtatë herë. Ministrja e Arsimit, Arberie Nagavci, ka bërë shkelje kushtetuese duke ndërhyrë ne kompetencat e komunës se Kamenicës për reformën në Arsim. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shkelur Kushtetutën me Ligjin për Këshillin Prokurorial. Gjykata Kushtetuese ia rrezoi Ligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste te Veçanta te Destabilizimit ne Treg ministres së Tregtisë, Rozeta Hajdari”, ka thënë Guri.

  • Krasniqi: Në tri vitet e fundit kemi pasur nevojë që Kushtetutën tonë ta mbrojmë më së shumti nga vet Qeveria e Kosovës

    Krasniqi: Në tri vitet e fundit kemi pasur nevojë që Kushtetutën tonë ta mbrojmë më së shumti nga vet Qeveria e Kosovës

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se këto tri vjet Kushtetuta e Kosovës më së shumti ka pasur nevojë që të mbrohet nga Qeveria e Kosovës.

    Krasniqi në një postim në Facebook ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka arritur t’i dalë zot mbrojtjes së Kushtetutës, të cilën e ka obligim ligjor, institucional e kombëtar.

    “Fatkeqësisht, në tri vitet e fundit kemi pasur nevojë që Kushtetutën tonë ta mbrojmë më së shumti nga vet Qeveria e Kosovës – që e ka obligim ligjor, institucional dhe kombëtar t’i dalë zot asaj.

    Angazhimi që duke ndjekur parimet e Kushtetutës tonë, të ndërtojmë një shtet të drejtë, të sigurt dhe barabartë për të gjithë, ka qenë, është dhe mbetet zotimi ynë i përhershëm!”, shkruan Krasniqi.

    Sot bëhen 16 vjet që nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Miratimi i saj ishte një moment historik që shënoi fillimin e një epoke të re për Kosovën.

    Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor të të njëjtit vit. Si akti më i lartë juridik në vend, Kushtetuta e Kosovës u garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

    Nëpërmjet Kushtetutës së saj, Kosova është definuar si një shtet i pavarur dhe sovran, me një sistem demokratik të qeverisjes dhe me respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut si vlera themelore të shoqërisë. Kushtetuta e Kosovës gjithashtu mbron dhe promovon diversitetin kulturor dhe gjuhësor të vendit dhe siguron një ambient të sigurt dhe paqësor për të gjithë qytetarët e saj.

    Kushtetuta e Kosovës, e cila në pjesë të madhe rrjedh nga pakoja e Ahtisarit, i dha të drejta specifike minoriteteve që jetojnë në Kosovë.

    16 vjet pas miratimit të kushtetutës, Kosova vazhdon të përballet me sfida, por ka arritur të promovojë vlerat e saj kushtetuese, duke ndërtuar një shoqëri të lirë, demokratike dhe të hapur për të gjithë qytetarët e saj. Për këto vite Kushtetuta e Kosovës ishte amendamentuar disa herë.

  • Ndërron jetë poetesha Lindita Ahmeti

    Ndërron jetë poetesha Lindita Ahmeti

    Lindita Ahmeti ka ndërruar jetë në moshën 50-vjeçare. Lajmi i trishtë është konfirmuar nga babai i saj, shkrimtari Xhabir Ahmeti, në Facebook, në orët e hershme të mëngjesit të 9 prillit.

    “Lajm i tmerrshëm. E humbëm edhe vajzën tonë të mrekullueshme Linditën para një gjysmë ore”, shkroi Ahmeti në orët e hershme të mëngjesit të 9 prillit.

    Pas përfundimit të shkollës së mesme në Shkup, ajo vazhdoi studimet në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Shkupit, ku u specializua në filologjinë klasike. Me një pasion të flaktë për letërsinë, ajo ligjëroi letërsinë antike në Universitetin e Tetovës dhe punoi në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve.

  • Hovenier: Jemi partnerë me popullin e Kosovës për vizionin e Kushtetutës

    Hovenier: Jemi partnerë me popullin e Kosovës për vizionin e Kushtetutës

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, teksa ka uruar Kosovën për përvjetorin e 16-të të Kushtetutës, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare që janë partnere të kosovarëve në vizionin e Kushtetutës.

    “Gëzuar Ditën e Kushtetutës, Kosovë! Kosovarët e kanë mishëruar në kushtetutën e tyre vendosmërinë për të ‘ndërtuar një të ardhme të Kosovës si vend i lirë, demokratik e paqedashës, që do të jetë atdhe për të gjithë qytetarët…’ Jemi krenarë për mbështetjen tonë teksa si jemi partnerë me popullin e Kosovës për ta arritur vizionin e përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës”, ka shkruar ai në Twitter të martën.

    Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008. Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

    Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaarit, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

  • Sulm ndaj personit zyrtar, punëtor i burgut

    Sulm ndaj personit zyrtar, punëtor i burgut

    Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët e organeve të rendit ballafaqohen me kërcënime serioze në Kosovë. Një rast i tillë ka ndodhur të hënën në Prishtinë dhe këtë herë cak i sulmit ka qenë një zyrtar i Shërbimit Korrektues të Kosovës.

    Si pasojë e sulmit, zyrtari korrektues ka pësuar lëndime trupore, për çka ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa Policia ka arritur t’i identifikojë të dyshuarit.

    Të njëjtit janë intervistuar nga hetuesit policorë dhe kanë dhënë deklaratat e tyre për rastin.

    Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, katër të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë dhe brenda afatit ligjor pritet të ndërmerren veprimet e nevojshme.

    “Rr. Ahmet Krasniqi, Prishtinë / 08.04.2024 – 03:20. Janë arrestuar katër të dyshuar, tre meshkuj dhe një femër kosovarë, pasi që në bashkëveprim e kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar (punëtor i burgut). Me vendim të prokurorit, katër të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Iu gjetën ëmbëlsira pa dokumentacion në veturë – arrestohet serbi në Zveçan

    Iu gjetën ëmbëlsira pa dokumentacion në veturë – arrestohet serbi në Zveçan

    Një serb është arrestuar në komunën e Zveçanit.

    Të njëjtit, policia i kanë gjetur mallra (ëmbëlsira) pa dokumentacion përkatës në automjetin e tij.

    Ato dyshohet që janë të kontrabanduara nga Serbia.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, ndërsa automjeti me mallra do të dërgohet në terminal doganor.

  • Kosova nuk po arrin të rigjenerojë mjek të rijnë, migrimi nuk po ndalet

    Kosova nuk po arrin të rigjenerojë mjek të rijnë, migrimi nuk po ndalet

    Rreth 5700 mjek të licencuar në Kosovë, vetëm 4700 prej tyre janë të punësuar në sektorin publik dhe pjesa tjetër janë të papunë ose në sektorin privat. Të dy palët e mjekëve të punësuar ose jo qëllimin e kanë që të inkuadrohen në tregun e punës në shtetet jashtë Kosovës. Ritmi i migrimit të mjekëve tashmë vite me radhë në mënyrë të vazhdueshme po konsiderohet alarm shqetësues për vendin, sepse kjo situatë e migrimit të punëtorëve shëndetësor Kosovën do ta lërë pa mjek në qendra mjekësore. Kosova në pesë vitet e ardhshme nuk do të mund të rigjenerojë asnjë mjek të ri dhe mjekësia do të mbizotërojë në mosha të shtyra dhe kualiteti i mjekësisë do të jetë zero. Kështu ka deklaruar, Pleurat Sejdiu nga Oda e Mjekëve. Ai tha se mjekët po refuzojnë të punësohen në QMF-të e qyteteve të tyre sepse të njëjtit nuk kanë interes për të punuar në kushte aktuale të cilat është kuadri mjekësor.

    “Ne të licencuar i kemi mbi 5700 ku prej tyre 441 me 1 janar kanë qenë të papunë, 800 janë në sistemin privat që punojnë dhe disa të huaj, diku rreth 4000 janë të punësuar në sektorin publik në të gjitha nivelet. Ky numër nuk është i pamjaftueshëm dhe nuk i plotëson kriteret për kokë banorë, nëse ata sistemohen në lami të ndryshme. 03:06 Janë arsyeje reale dhe mund të akuzohen edhe mjekët për disa raste ku p.sh. shumica që po largohen janë të rijnë, janë të sapo diplomuar dhe të pa specializuar dhe ata duhet të punësohen në shtëpitë e shëndetit por ata refuzojnë sidomos në qytetet e vogla. 07:24 Ne nuk po mundemi me regjenruar asnjë gjeneratë dhe kur shohim që për 10 vitet e ardhshme jemi minus krejt kohen, dhe pesë vitet ardhshme do të gjejë Kosovën në minus sekondarë, pastaj vjen edhe QKUK e cila do të ngarkohet me pacientë, një moshë e shtyrë që mbesin këta dhe cili do të jetë kualiteti i tyre, shumë i vogël”, tha Sejdiu.

    Se mjekët nuk janë të interesuar për punë në spitalet në Kosovë jo vetëm për çështjen e pagave të pakënaqshme, por edhe për çështje të sigurimit shëndetësor e çështje të tjera e thotë edhe kryetarja e Federatës Sindikale të Shëndetësisë në Kosovë, Tevide Imeri.

    Imeri tha se qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë gjë për plotësimin e kërkesave të mjekëve dhe se për këtë arsyeje edhe konkurset për pranim të mjekëve nuk janë më siç kanë qenë.

    Ajo tha se edhe nëse ka konkurse të hapura për punë në spitalet dhe qendrat mjekësore familjare , mjekët dhe infermierët nuk aplikojnë sepse qëllimi i tyre është migrimi jashtë Kosovës.

    “Arsyeje ka plot që kushtet e punës dhe nuk janë vetëm pagat që jemi ankuar për paga, por nuk është arsyeja e vetme që i bënë me ik mjekët dhe infermierët në përgjithësi, edhe profile tjera po ikin prej shëndetësisë. 02:48 Edhe sigurimet shëndetësore po presim me vite që të bëhen dhe nuk po bëhen njëra prej shtyrjeve është edhe kjo, edhe kushtet e punës janë të mjerueshme, edhe një buxhet i shëndetësisë ka shkuar në suficit dhe nuk është shfrytëzuar as 15%….Nuk po shoh rezultat që është i pritshëm , derisa shkon ai buxhet në suficit unë mendoj që është menaxhim jo i duhur.04:25 Në bazë të këtij trendi ne kemi qenë dëshmitarë që do të ketë mungesë të stafit shëndetësor….nuk po trajtohet si prioritet shëndetësia si lami e rëndësishme për popullatën. 05:27 Me i përcjellë konkurse do të shihni që konkurrimi është më i vogël që kjo po i bie që po ikin shuma nga Kosova, po ashtu edhe për ata që janë të punësuar po ikin”, theksoi Imeri.

    Po ashtu, anëtari i komisionit për shëndetësi, Bekim Haxhiu nga Partia Demokratike e Kosovës, theksoi se duhet të gjendet një zgjidhje për mjekët sepse brenda tre muajve kanë ikur rreth 300 profesionistë mjekësorë.

    Haxhiu tha se për ndaljen e mjekëve duhet të gjendet një zgjedhje për të mos ikur.

    “Nuk ka kthim të mjekëve, kanë ikur të profesionistë shëndetësor nga Kosova dhe nëse ky trend vazhdon atëherë do të jemi në fund të sistemit shëndetësor, sepse profesionistët ikin nga Kosova dhe duhet shumë mund dhe angazhim për ti kthyer në Kosovë. 04:02 Shpresojmë që sa më shpejt të shkojmë në zgjedhje dhe si parti politike të i ofrohemi para qytetarëve me platformën konkrete për ndaljen e mjekëve për të mos ikur nga Kosova, sepse brenda tre muajve mjek e infermier kanë ikur nga Kosova afërisht 300 dhe nëse ky trend vazhdon kështu për një vit do të kemi 100 më pak dhe kjo do të bëjë një brengë më të madhe për sistemin shëndetësor”, shtoi Haxhiu./KP

  • “Prishtina të respektojë zotimet, si dhe zgjedhjet në komunat me shumicë serbe” – Deklarata e Macron për Kosovën

    “Prishtina të respektojë zotimet, si dhe zgjedhjet në komunat me shumicë serbe” – Deklarata e Macron për Kosovën

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se Parisi do të sigurohet që çdo hap i Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, që është arritur mes Kosovës dhe Serbisë, do të përmbushet.

    Gjatë konferencës për media, para takimit që zhvilloi në Paris me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Macron tha se “çështja e Kosovës është një premtim dhe zotim për të ardhmen e rajonit” dhe se e gjithë kjo është përfshirë në marrëveshjen e arritur vitin e kaluar.

    “Franca do të sigurohet që çdo hap i marrëveshjes do të përmbushet”, tha Macron.

    Udhëheqësi francez po ashtu tha se është e rëndësishme që të gjithë pjesëmarrësit në sulmin në Banjskë të arrestohen.

    Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup serbësh të armatosur sulmuan policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter. Gjatë shkëmbimit të zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Kosova ka akuzuar Serbinë se qëndron prapa sulmit, akuzë që është hedhur poshtë nga Beogradi.
    Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

    “Po ashtu dua që Prishtina të respektojë zotimet e saj, si dhe që zgjedhjet të respektohen me legjitimitet të plotë demokratik, veçanërisht në komunat me shumicë serbe”, tha Macron.

    Ndërkaq, Vuçiq tha se qëndrimi se Prishtina dhe Beogradi “kanë bërë diçka” në dialogun për normalizimin e raporteve nuk është i vërtetë, pasi “njëra palë nuk ka bërë asgjë”, duke iu referuar Kosovës.

    Gjatë konferencës për media me Macronin, Vuçiq foli për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Udhëheqësi serb pretendoi se Serbia ka përmbushur “tri gjëra” sa i përket Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit – të arritur vitin e kaluar – dhe parakusht i saj, sipas tij, ka qenë formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që Kosova nuk e ka përmbushur.

    “[Kosova] po kryen shpronësim në veri, nuk ka hetim për plagosjen e serbëve në Kosovë”, tha Vuçiq.

    Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit shkurtin e vitit të kaluar në Bruksel, ndërkaq në mars të vitit 2023, në Ohër u pajtuan për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.

    Zyrtarët në Beograd vazhdimisht kanë thënë se nuk do të zbatojnë të 11 pikat e marrëveshjes. Kosova po ashtu deri më tani nuk ka zbatuar obligimet e saj, veçmas ato që kanë të bëjnë me themelimin e Asociacionit.

    Paraprakisht, Brukseli kishte akuzuar të dyja palët për moszbatimin e marrëveshjes.

    Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

    Para takimit në Paris, Vuçiq kishte thënë se do të diskutonte 14 tema me Macronin, duke nisur nga industria, bujqësia, inteligjenca artificiale e deri tek energjia bërthamore.

    Pallati Elize njoftoi më herët se dy zyrtarët po ashtu do të bisedonin për integrimin evropian të Serbisë, raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe Macron “do të riafirmojë zotimin e tij për mbështetjen e plotë të integrimit evropian të Serbisë” dhe se “normalizimi i raporte me Kosovën është pjesë integrale e procesit të pranimit” në Bashkimin Evropian.

    Ky është takimi i njëzetë ndërmjet Vuçiqit dhe Macronit deri më sot, raporton Radio Evropa e Lirë.

  • Bota regjistron marsin më të nxehtë në histori

    Bota regjistron marsin më të nxehtë në histori

    Bota përjetoi marsin e saj më të ngrohtë në histori, tha të martën Shërbimi i Monitorimit të Ndryshimeve Klimatike i Bashkimit Evropian.

    Në fakt, secili nga 10 muajt e fundit u rendit si më i nxehti ndonjëherë, krahasuar me muajt korrespondues të viteve të mëparshme, thuhet në buletinin e tij mujor.

    Dymbëdhjetë muajt që përfunduan me marsin, u renditën gjithashtu si periudha më e nxehtë 12-mujore e regjistruar ndonjëherë në planet.

    Nga prilli 2023 deri në mars 2024, temperatura mesatare globale ishte për 1.58 gradë Celsius mbi mesataren e temperaturës në periudhën para-industriale, nga viti 1850 deri më 1900.

    “Është trend afatgjatë me rekorde të jashtëzakonshme që na shqetëson shumë”, tha zëvendësdrejtoresha e Shërbimit të Monitorimit të Ndryshimeve Klimatike e BE-së, Samantha Burgess, për agjencinë e lajmeve, Reuters.

    “Duke parë rekorde të tilla – muaj pas muaji – shohim vërtet se klima jonë po ndryshon me shpejtësi”, shtoi ajo.

    Moti ekstrem dhe temperaturat e jashtëzakonshme bënë kërdi këtë vit.

    Thatësira e nxitur nga ndryshimet klimatike në rajonin e pyjeve tropikale të Amazonës, shkaktoi një numër rekord zjarresh në Venezuelë nga janari deri në mars, ndërsa thatësira në Afrikën e Jugut shkatërroi të korra dhe bëri që miliona njerëz të përballen me urinë.

    Shkaku kryesor i nxehtësisë së jashtëzakonshme ishin emetimet e gazrave serrë, të shkaktuara nga njerëzit, tha Shërbimi i Monitorimit të Ndryshimeve Klimatike i BE-së.

    Faktorët tjerë që i rritën temperaturat, përfshijnë El Ninon – fenomenin e motit që ngroh ujërat sipërfaqësore në Oqeanin Paqësor lindor./REL/