ATV

Blog

  • Vazhdon lirimi i të dyshuarve për dhunë në familje

    Vazhdon lirimi i të dyshuarve për dhunë në familje

    Përgatiti: Nora Luta

    Brenda 24 orëve të fundit është arrestuar një person i dyshuar për dhunë në familje, dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Por, rastet kur të dyshuarit lirohen në procedurë të rregullt nuk janë të rralla.

    Derisa flasin për mënyrën e vlerësimit deri te ky vendim, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thonë se caktimi i masës së paraburgimit nuk është i mundur në çdo rast.

    Por, juristi Visar Rrecaj, ish-zyrtar policor, thotë se në rastet kur i dyshuari ka të kaluar kriminale paraburgimi është i domosdoshëm.

    Rrecaj e hulumtuesja Arrita Rezniqi thonë se për të shmangur rastet me fatalitet, nuk është efikas vetëm paraburgimi, por bashkëpunimi i institucioneve në parandalim, sikurse vlerësimi i rrezikshmërisë dhe ofrimi i sigurisë për viktimat.

    Brenda pak ditësh dy gra, njëra në Ferizaj dhe tjetra në Pejë, dyshohet se u vranë nga burra me të kaluar kriminale.

  • Eurodeputeti Reuten: Arrestimi i policëve kosovarë në Serbi “provokim i rrezikshëm”

    Eurodeputeti Reuten: Arrestimi i policëve kosovarë në Serbi “provokim i rrezikshëm”

    Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten e ka quajtur fëmijërore, të parashikueshme dhe të rrezikshme qasjen e autoriteteve serbe në ditët e fundit, sidomos pas arrestimit të policëve kosovarë.

    Ai ka thënë se zëvendësdrejtori Jankoviq duhet të lirohet menjëherë.

    “Provokime të parashikueshme, fëminore dhe të rrezikshme nga autoritetet serbe. Zëvendës shefi i policisë së Kosovës Jankoviq është ende në paraburgim. Ai duhet të lirohet menjëherë. Ne e dimë këtë model të përshkallëzimit dhe po ashtu të frikësimit të qytetarëve serbo-kosovarë dhe duhet ta ndalojmë atë” ka shkruar Reuten në “X”.

  • Ora e parë mësimore të premten mbahet ndryshe në kryeqytet

    Ora e parë mësimore të premten mbahet ndryshe në kryeqytet

    Drejtoresha e Arsimit në Kryeqytet, Jehona Lushaku Sadriu, ka marrë vendim që të premten ora e parë e mësimit në shkolla të nisë më ndryshe.|

    Kjo orë në në të gjitha shkollat e ciklit të mesëm të ultë dhe të mesëm të lartë të Kryeqytetit do të jetë orë sensibilizuese kundër dhunës në baza gjinore.

    Kështu u bë e ditur në faqen zyrtare të Kryeqytetit ne Facebook.

  • ​Kurti: Komiteti i Ministrave ta trajtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës

    ​Kurti: Komiteti i Ministrave ta trajtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se votimi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës është thirrje për Komitetin e ministrave të jashtëm që të trajtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në muajin maj.

    Kurti, tha se rezultati i suksesshëm i votimit në asamble është sukses i jashtëzakonshëm për vendin që tregon vitalitetin dhe angazhimin e suksesshëm të diplomacisë kosovare.

    “Rezultati i votimit të martën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ishte një sukses i jashtëzakonshëm për Republikën e Kosovës për dy arsye kryesore. E para, e përmbylli etapën më komplekse të procesit të anëtarësimit. Dhe e dyta, edhe pse kishim nevojë për 2/3 e votave në favor, pra afër 67%, ne i arritëm 82% të votave në favor. Kjo është një shenjë e qartë e vitalitetit dhe angazhimit të suksesshëm të diplomacisë së Republikës së Kosovës…Këto fakte dhe mbështetja e fuqishme e para dy ditëve, me 16 prill, ku në favorin e anëtarësimit ishin 131 deputetë, janë thirrje të qarta për Komitetin e Ministrave që ta trajtojë aplikimin tonë në muajin maj dhe që Kosova ta pranojë ftesën për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës po atë muaj. Nga anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë, përfitues do të jenë qytetarët e vendit. Ndërkohë që përfituesit më të mëdhenj në të drejta dhe mbrojtjen e tyre do të jenë pikërisht komunitetet joshumicë dhe grupet e margjinalizuara të shoqërisë”, tha Kurti.

    Megjithatë, ai shtoi se pas këtij suksesi të Kosovës, Serbia u hakmor duke ndaluar mbi 20 orë qindra qytetarë të Kosovës në pikat kufitare.

    Ai tha se në mesin e të ndaluarve është edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç, i cili është dërguar në paraburgim në Rashkë.

    “Pas kalimit të suksesshëm të votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Serbia u hakmor. Ndaloi në kufi për mbi 20 orë qindra qytetarë të vendit tonë, të cilët Serbinë e shfrytëzonin jo si destinim por si tranzit për t’u kthyer apo për të shkuar në vendet e Bashkimit Evropian. Në mesin e të ndaluarve dhe të arrestuarve ishte edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, nga radhët e komunitetit joshumicë serb në Kosovë. Sipas informacioneve që kemi, zëvendësdrejtori Jankoviq është dërguar në Rashkë. Nga e kaluara e dimë që në rast të dërgimit atje, ata që ndalohen intervistohen nga akterë të ndryshëm shtetërorë të Serbisë…Veprimi i Serbisë është akt i ulët i hakmarrjes ndaj suksesit të Kosovës drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës. Ndërkaq keqtrajtimi i qytetarëve të Republikës së Kosovës është po ashtu akt i shkeljes së rëndë të të drejtave të njeriut, lëvizjes së lirë dhe parimit të fqinjësisë së mirë. Me veprimin e djeshëm, Serbia ka shkelur një grumbull marrëveshjesh duke përfshirë marrëveshjen e korrikut të vitit 2011 për lëvizje të lirë të qytetarëve, marrëveshjen e nëntorit të vitit 2022 për lëvizje të lirë me karta identiteti në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Marrëveshjen Bazike të shkurtit të vitit 2023 në Bruksel për normalizim marrëdhëniesh e për fqinjësi të mirë”, theksoi Kurti.

    Në mbledhjen e sotme të qeverisë, u ndan 10 milionë euro për zbatimin e masës 2.2 mbështetje bizneseve për qasje në financa të pakos për ringjallje ekonomike./KP/

  • ​“Serbia do të vazhdojë t’i dënojë zyrtarët policorë”

    ​“Serbia do të vazhdojë t’i dënojë zyrtarët policorë”

    Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi ka deklaruar se reagimi i qeveritarëve të Kosovës, por edhe i Bashkimit Evropian dhe i Shteteve të Bashkuar të Amerikës, duhet të jetë më i theksuar karshi Serbisë, pas rastit të fundit me ndalimin e zyrtarëve policorë të Kosovës, e po ashtu edhe pas maltretimit të qytetarëve të vendit tonë gjatë ditës së djeshme.

    Ibishi për KosovaPress thotë se e gjithë kjo situatë ndodhi si shenjë hakmarrje pas votimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, për çfarë thekson se Serbia nuk do të ndalet me këto veprime, porse nuk sheh ndonjë rrezik për vendin.

    “Ndalja në mënyrë arbitrare dhe keqtrajtimi i tyre tregon se politika serbe vazhdon të hakmerret për dy çështje. E para është që është miratuar përkundër lobimit të tyre në Asamblenë Parlamentare të KiE, vendimin për pranimin e Kosovës në KiE, dhe tjetra është se vet Vuçiq, vet deklarimi i tij ka qenë që ai do të marrë masa ndaj qytetarëve që janë përgjegjës, në këtë rast janë ndaluar pesë qytetarë, ndër ta vazhdon të mbahet në ndalim që nuk po dihet nëse është në trajtim, në intervistë nga BIA, që zakonisht bëhet për autoritetet publikë por edhe zyrtare siç është rasti Jankoviqit, pra, tregon si ata shkelin të drejtat e njeriut, ngase në mënyrë kompetente BIA merret me intervista, që një vend demokratik nuk e ka atë, porse Serbia vazhdon ta ketë sistemin e famëkeqes së mëhershme. Për këtë arsyeje reagimi edhe i qeveritareve të Kosovës, por edhe autoriteteve të BE-së, ShBA-ve, duhet të jetë në mënyrë më të theksuar me qëllim që kjo çështje që po vazhdon akoma nuk ka arsyeje personale, por është vendim politik i autoriteteve serbe ndaj të Kosovës për praninë e Kosovës në KiE”, thotë Ibishi.

    Sipas tij, gjitha këto janë shkelje e marrëveshjes të dakorduara në mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Nuk shoh ndonjë rrezik, por Serbia do të vazhdon me mënyra të ndryshme që t’i dënojë edhe në këtë formë zyrtarët policorë edhe që vepron të shkelë marrëveshjen e Brukselit të dakorduar mes palës kosovare dhe Serbisë, por njëkohësisht edhe menaxhimin e integruar të kufirit që është zbatuar në Ballkanin Perëndimor, gjithë këto janë shkelje flagrante edhe konventave evropiane por edhe të drejtave të njeriut dhe marrëveshjeve dy palëshe”, thekson Ibishi.

    Sa i përket qytetarëve që u ndaluan në Serbi me orë të tëra mbrëmë, ai thotë se ka ërnë vendim politik, pa infromacione të sakta.

    “Maltretimi ka zgjat, edhe pyetjet kanë qenë të paartikuluara dhe pa përmbajtje. Zyrtarët policor serbë kur i kanë ndaluar në kufi me Kroacinë, në bisedë mes tjerash ndër vete kanë thënë se është vendim politik dhe nuk ka informacione të sakta”, shton Ibishi.

    Ibishi kërkon që Qeveria e Kosovës të kërkojë në mënyrë strikte ndalimin e këtyre masa ndaj qytetarëve të Kosovës që kalojnë kufirin, përfshirë edhe ata që kanë destinacionin e Serbisë, siç është rasti i zëvendës drejtorit të përgjithshëm të policisë, Jankoviq, për çfarë konsideron se është e padrejtë.

    “Qeveria duhet të kërkojë në mënyrë strikte ndalimin e këtyre masave ndaj qytetarëve të Kosovës që kalojnë kufirin, por edhe të tjerëve që vizitojnë familjarët, apo që kanë destinacionin e Serbisë, siç është rasti i zëvendës drejtorit të përgjithshëm të policisë, Jankoviq”, përfundon Ibishi.

    Në anën tjetër, gjatë ditës së sotme, në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Kurti ka bërë të ditur se janë ndaluar 10 zyrtarë policore, nëntë prej të cilëve janë liruar, porse ka thënë se zëvendësdrejtori i Policisë nga radhët e komunitetit serb, Dejan Jankoviq po vazhdon të mbahet në paraburgim në Rashkë.

  • Kurti: Krimet kundër grave tregojnë dështimin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial

    Kurti: Krimet kundër grave tregojnë dështimin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se krimet kundër grave tregojnë dështimin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial. Ai para kabinetit qeveritar tha se ndëshkimet e ulëta dhe dënimet e mangëta janë shkelje të mbi të drejtat e viktimave.

    “Krimet kundër grave tregojnë pasojat e ndëshkimeve të ulëta dhe jo rrallë herë mosndëshkueshmërisë. Tregojnë dështimin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial për vendosjen e drejtësisë në shtetin tonë. Dënimet e mangëta janë shkelje mbi të drejtat e viktimave. Këto të mbuluara me mungesën e llogaridhënies dhe transparencës në detyrë nga sistemi i drejtësisë nuk falen nga qytetarët tanë. Si zë i tyre kemi përgjegjësinë të ndërmarrim masa për të vendosur llogaridhënien aty ku është e domosdoshme dhe për të kërkuar drejtësinë me çdo kusht ku ajo mungon”, tha Kurt.

    Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kërkoi nga sistemi i drejtësisë dënime më rigoroze ndaj dhunuesve të grave.

    Ai tha se rreth 200 raste raportohen çdo muaj për dhunë ndaj grave dhe dhunë në familje.

    “Kosova që prej çlirimit të saj ka 99 gra të vrara nga këto 64 gra janë vra nga burrat e tyre. Bazuar në data bazën që është në Ministrinë e Drejtësisë kemi 200 raste të cilat raportohen çdo muaj për dhunë ndaj grave apo në familje. Si rrjedhojë kërkohet angazhim maksimal i të gjitha institucioneve të republikës së Kosovës. Niveli qendror me politika dhe masa dhe të gjitha hallkat institucionale me zbatim strikt të ligjit. Këtu natyrisht përfshihet edhe domosdoshmëria e angazhimit të nivelit komunal. Në secilin rast të femicidit po del se personat e dyshuar janë recidivist të dhunës. Pra kur nuk ka veprime të duhura institucionale dhunuesit shndërrohen në vrasës”, theksoi Haxhiu.

    Haxhiu prezantoi edhe disa nga masat që do t’i ndërmarrin për parandalimin siç tha të femicidit.

    “Në raport me përgjegjësitë e Ministrisë së Drejtësisë do të bëjmë edhe një herë rishikimin e kodit penal dhe kodit të procedurës penale për të gjitha rastet e veprave penale që lidhen me dhunën në familje dhe vrasjet në bazë të gjinisë. Po ashtu edhe në bashkëpunim me ministrinë e Punëve të Brendshme jemi duke punuar në ndryshimin në raport me armbajtës pa leje. Për shkak të politikës së ulët ndëshkimore dhe mosveprimit nga sistemi prokuroroial ne duhet të rishikojmë këto dispozita në mënyrë që të pamundësojmë që prokurorët t’i neglizhojnë këto raste dhe gjykatat të marrin dënime të ulëta ndaj këtyre rasteve”, theksoi Haxhiu./KP/

  • ​Vdes atletja e njohur në moshën 17 vjeçare

    ​Vdes atletja e njohur në moshën 17 vjeçare

    Maria Herranz, një atlete e re e ekipit kombëtar të Spanjës në gjimnastikë, vdiq në moshën 17-vjeçare. Vdekja e gjimnastes së re u shkaktua nga meningjiti (sëmundja e trurit). Atletja u transportua me urgjencë në spitalin universitar të Guadalajara të mërkurën më 16 prill dhe vdekja e saj u konfirmua njëzet e katër orë më vonë.

    Banore në Cabanillas del Campo (Guadalajara), Maria praktikoi gjimnastikë ritmike në klubin lokal Ruditramp. Pas përfundimit të studimeve në gjimnazin San Blas de Cabanillas dhe frekuentimit të Liceut Artistik “Elena de la Cruz” në kryeqytetin e provincës, 17-vjeçarja me ëndrrën për të shkuar në Olimpiadë, ishte bërë pjesë e botës së gjimnastikës, përcjellë KosovaPress.

    Lajmi për vdekjen e atletes tronditi të gjithë. Këshilli i qytetit të Cabanillas del Campo shpalli dy ditë zie duke pezulluar aktivitetet e ndryshme socio-kulturore, duke shprehur ngushëllimet publike me një postim të publikuar në mediat sociale:

    “Këshilli i qytetit të Cabanillas del Campo dëshiron të shprehë dhimbjen dhe pikëllimin më të thellë për këtë rrethanë tragjike dhe u dërgon ngushëllimet më të thella të gjithë familjes dhe miqve të Marías, veçanërisht prindërve të saj, Raquel dhe Alfonso, vëllait të saj të vogël, dhe gjyshërve, xhaxhallarëve dhe kushërinjve të tyre”, thuhet në reagim.

    .

  • Petkoviq: Takimi në Bruksel për dinarin përfundoi pa marrëveshje

    Petkoviq: Takimi në Bruksel për dinarin përfundoi pa marrëveshje

    Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se takimi i sotëm me delegacionin e Kosovës në Bruksel ka përfunduar pa marrëveshje për përdorimin e dinarit.

    Pas raundit të sotëm të dialogut, ai iu tha gazetarëve se Beogradi ka bërë absolutisht gjithçka për të gjetur një zgjidhje për vendimin rreth dinarit.

    “Ne dolëm me një propozim konstruktiv, ai propozim u vlerësua nga Brukseli, gjegjësisht (përfaqësuesi i BE-së për dialog, Miroslav) Lajçak, si një bazë solide për vazhdimin e bisedimeve, e cila edhe një herë tregoi se ne jemi palë që kujdesemi për zgjidhje përfundimtare”, shtoi ai.

    Siç tha Petkoviq, delegacioni i Kosovës, nuk ka komentuar propozimet e BE-së, dhe kjo “tregon se nuk kanë dëshirë të gjejnë zgjidhje për çështjen e dinarit”.

    Petkoviq paralajmëroi se me të arritur në Beograd do të caktojë siç theksoi një takim me përfaqësuesit e Quintit të cilëve do t’ua prezantojë propozimet e Beogradit.

  • Ky është libri që Dua Lipa ua rekomandon ta lexoni

    Ky është libri që Dua Lipa ua rekomandon ta lexoni

    Këngëtarja me origjinë nga Kosova, Dua Lipa ka ndarë me ndjekësit librin e saj të fundit që ua rekomandon për ta lexuar.

    Përmes Klubit të Librit në buletinin e saj Service95, Lipa sugjeroi audiencën që ta lexojnë “Swimming in the Dark” të autorit Tomasz Jedrowski.

    “Leximi im mujor i majit është ‘Swimming in the Dark’, një histori e bukur dashurie e moshës, e vendosur në sfondin brutal politik të Polonisë komuniste në vitin 1980”, shkroi ajo.

    “Të dashuruarit e rinj Ludwik dhe Janusz kalojnë një verë idilike duke kampuar dhe notuar në liqene, por kur të vijë koha për t’u kthyer në Varshavë, kompromiset morale që ata do të duhet të bëjnë për të vazhduar romancën e tyre të ndaluar, bëhen të dukshme. Në të njëjtën kohë, vendi po vuan krizën e vet të identifikimit – komunizmi ka filluar të shkërmoqet dhe Ludwik dhe Janusz zbulojnë se nuk janë të vetmit që jetojnë një gënjeshtër”, shtoi Dua duke përshkruar historinë e librit.

    “Është një histori e bukur, dhe shpresoj të iu pëlqejë po aq sa mua”, përfundoi postimi.

  • Prokuroria del me apel për vajzat e dëmtuara në grupin “Albkings”

    Prokuroria del me apel për vajzat e dëmtuara në grupin “Albkings”

    Prokuroria Themelore e Prishtinës iu ka bërë apel të gjitha vajzave të dëmtuara në rastin e “Albkings”, përmes së cilit grup iu janë shpërndarë video dhe fotografi intime të tyre, si dhe të dhëna të tjera personale, të paraqiten në stacionet policore më të afërta të vendbanimit të tyre, në mënyrë që të bashkëpunojnë ngushtë me organet e rendit.

    Tutje në reagimin e Prokurorisë thuhet se në koordimin të plotë me Policinë janë duke e vazhduar trajtimin e këtij rasti.

    Njoftimi i Prokurorisë:

    Thirrje për bashkëpunim

    Prishtinë, 18 prill 2024– Prokuroria Themelore në Prishtinë iu bën apel të gjitha të dëmtuarave në rastin e “Albkings”, përmes së cilit grup iu janë shpërndarë video dhe fotografi intime të tyre, si dhe të dhëna të tjera personale, të mos hezitojnë e të paraqiten në stacionet policore më të afërta të vendbanimit të tyre, në mënyrë që të bashkëpunojnë ngushtë me organet e rendit, pasi synimi kryesor i Prokurorit të Shtetit është luftimi i suksesshëm i krimit, sigurimi i sundimit të ligjit, si dhe sjellja e kryerësve të veprave penale para drejtësisë.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës janë duke vazhduar me trajtimin e këtij rasti.