ATV

Blog

  • ​Delegacioni i BQK-së zhvillon takime me Bankën e Rezervës Federale të New York-ut

    ​Delegacioni i BQK-së zhvillon takime me Bankën e Rezervës Federale të New York-ut

    Një delegacion i nivelit të lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, kryesuar nga Guvernatori Ahmet Ismaili, është takuar në Washington D.C. për diskutime konstruktive, me zyrtarë të lartë të Bankës së Rezervës Federale të New York-ut, të udhëhequr nga Matthew Nemeth, Zëvendëspresident dhe Drejtor i Shërbimeve të Llogarive të Klientit dhe Phatak, Drejtues i Politikave dhe Strategjive Ndërkombëtare me ekipin e tyre.

    Takimi kishte për qëllim mirënjohjen dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy bankave qendrore. Në takimin e zhvilluar me ekipin e FED-it të New York-ut, delegacioni i BQK-së nënvizoi bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet dy bankave qendrore, duke përfshirë programet e ngritjes së kapaciteteve në mbështetje direkte që nga themelimi i BQK-së.

    Veçanërisht, delegacioni potencoi përgjegjësinë e BQK-së në menaxhimin e të gjitha rezervave në Dollarë Amerikan (USD) me Rezervën Federale dhe theksoi rëndësinë e marrëdhënieve bankare korrespondente ndërmjet dy institucioneve.

    Guvernatori Ismaili shprehi përkushtimin e BQK-së për të mbajtur lidhje të forta me FED-in, duke njohur rolin e saj kryesor në asistencën e menaxhimit të rezervës ndërkombëtare dhe partneriteteve strategjike, duke përfshirë praktikat më të mira për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.

    Këto angazhime vënë në pah përkushtimin e BQK-së për të nxitur partneritete të qëndrueshme me akterët kryesorë ndërkombëtarë, duke avancuar më tej misionin e institucionit për promovimin e stabilitetit financiar dhe ndikimin e qëndrueshëm në ekonomi, pasi ne vlerësojmë partneritetin strategjik ndërmjet dy kombeve dhe institucioneve.

    Ky takim dypalësh, është mbajtur gjatë qëndrimit të delegacionit të BQK-së në Washington D.C., për takimet pranverore me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bankën Botërore (BB), si dhe institucionet kryesore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

  • Shpërthim në Mitrovicën veriore, dëmtohen xhamat e një shtëpie

    Shpërthim në Mitrovicën veriore, dëmtohen xhamat e një shtëpie

    Policia e Kosovës njofton se në Mitrovicë në një shtëpi private nga persona të panjohur është hedhur një mjet shpërthyes. Siç njofton policia, si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar xhamat e derës hyrëse të një shtëpie.

    Në raportin 24 orësh të policisë, potencohet se nuk ka të lënduar nga ky shpërthim.

    “Mitrovicë / 18.04.2024-NN. Raportohet se në një shtëpi private nga persona të panjohur është hedhur një mjet shpërthyes. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar xhamat e derës hyrëse të shtëpisë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore. Nuk raportohet për të lënduar. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

  • Të shtëna me armë zjarri tek një pompë derivatesh në Prishtinë

    Të shtëna me armë zjarri tek një pompë derivatesh në Prishtinë

    Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar mbrëmjen e së enjtes në afërsi të një pompe derivatesh, në Prishtinë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti, e cila ka njoftuar se nga rasti nuk ka të lënduar.

    “Sot rreth orës 19:30, kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në afërsi të një pompe derivatesh, në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme”.

    “Bazuar në të dhënat e deritanishme në këtë rast nuk ka ndonjë person të lënduar. Hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit, ndërkohë që prezenca e njërit prej personave të përfshirë në rast është siguruar nga ana e policisë”, tha Ahmeti.

  • Bruksel dështon rundi i pestë “për rregulloren e BQK-së”

    Bruksel dështon rundi i pestë “për rregulloren e BQK-së”

    Raporti: Fatlum Jashari

    Pa dakordim përfundoi edhe rundi i pestë i diskutimeve në Bruksel, në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme në raport me ndikimet e rregullores së BQK-së, për pagesat me para të gatshme te komuniteti serb, respektivisht dinarin.

    Këtë herë nuk pati takim trepalësh, teksa Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun, Miroslav Lajcak, bisedoi ndaras me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkovic.

    Në vlerësimin e zëvendëskryeministrit Bislimi, diskutimet dështuan pasi Serbia, në kundërshtim me dakordimin paraprak, paraqiti një propozim të ri që do ta kthente procesin në pikën zero.

    “Ata në takimin e sotëm, në mënyrë perfekte treguan kotësinë dhe pamë jovërtetësinë e konstatimit të tyre të hershëm që kemi një çështje urgjente ku disa qytetarë serbë nuk kanë arritur të marrin benefitet e tyre. Njësoj si herët e kaluara ka patur zero interesim nga pala serbe që të merren me këta qytetarë dhe gjithë energjia e tyre është sërish e orientuar drejt licencimit të një subjekti ekonomik të Serbisë në Kosovë, gjë që për ne është e papranueshme dhe këtë e kemi bërë të qartë në vazhdimësi”, tha Bislimi.

    Teksa foli për ndalimet dhe arrestimet e fundit të kosovarëve në Serbi, Bislimi akuzoi shtetin fqinj për sjellje mesjetare, qasje destruktive në raport me procesin e normalizimit dhe mungesë vullneti për arritjen e zgjidhjes për pagesat.

    “Ky takim i sotëm mund të quhet takim i kotë, i parezultat dhe ndoshta si sukses i politikës obstruktive të palës serbe, e cila vetëm ka dëshiruar të blejë kohë në vazhdimësi dhe me çka na konfirmon qëndrimin tonë se në këtë problematikë me të cilën ballafaqohemi me gjasë nuk ka kurrfarë urgjence dhe nuk ka kurrfarë interesimi të palës serbe që brengat e qytetarëve serbë të trajtohen”, tha Bislimi.

    Në anën tjetër, përfaqësuesi i Qeverisë së Serbisë, Petkoviq, tha se delegacioni i Kosovës nuk ishte i interesuar të dëgjojë propozimin e tyre.

    Një takim i ri, me qëllim diskutimin dhe dakordimin eventual për propozimin e konsoliduar të përfaqësuesit Lajcak, u paralajmërua për javën e ardhshme.

  • Diplomoi gjenerata e 59 të e policëve

    Diplomoi gjenerata e 59 të e policëve

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Tash e tutje detyrën do ta ushtrojë krah bashkëshortit, si pjesëtare e policisë së Kosovës.

    Shqipdona Jaha-Mustafa, në ditën që po e cilëson të jetë ndër më të rëndësishmet për të, përveç diplomës, në krah po e mban edhe vajzën me po të njëjtat rroba që ajo vetë i kishte ëndërruar gjatë.

    “Jam shumë e lumtur që tash jam pjesë e policisë, është ndjenja më e mirë që e kom përjetua pas asaj të nënës”, tha Shqipdona Jaha Mustafa, police e re.
    Kaq i lumtur të ishte në mesin e 445 policëve të rinj, thotë të jetë edhe Rron Maxhari.

    “Krenari shumë e madhe sepse e kam ndjekur rrugën e babës”, tha Rron Maxhari, polic i ri.

    Përveç gëzimit, prindërit e policëve thonë se kanë edhe ndjenja krenarie.

    Policët e rinj i uruan edhe prijësit e shtetit e të institucioneve.

    “Tani e tutje jeni në mbrojtje të secilit qytetar të Republikës sonë pa dallim. Kushtetuta e Kosovës është udhërrëfyese e juaja. Ju do t’i bashkoheni radhës së policisë për të ofruar siguri dhe përgjegjësi për ruajtjen e kufirit tonë”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Prej tyre, 345 janë djem dhe 100 vajza. Ndërsa, prej 20%-shit që vijnë nga komunitetet joshumicë, ka edhe serbë.

    “Nga 88 policët prej pakicave etnike, 37 policë janë serbë, 27 boshnjakë, 7 turq, 7 egjiptianë, 6 ashkali dhe 4 policë janë romë”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Ndërsa, shefi i tyre qendror, tregoi për rëndësinë e uniformës policore.

    Gjenerata e 59-të është e para për këtë vit që u bënë pjesë e policisë së Kosovës.

  • Fotografitë dhe videot nga grupi Albkings përdoreshin në disa rrjete sociale

    Fotografitë dhe videot nga grupi Albkings përdoreshin në disa rrjete sociale

    Përgatiti: Armand Hoti

    Gjykata Themelore në Prishtinë e ka caktuar të enjten masën e paraburgimit prej 30 ditësh për administratorin e grupit “ALBKINGS”.

    Online grupi i krijuar në “Telegram”, shfrytëzohej nga qindra mijëra shqiptarë, për të shpërndarë fotografi intime të vajzave, të cilat më pas edhe shantazhoheshin.

    Mbi këtë bazë, E.N dyshohet për vjedhje të identitetit dhe kredencialeve.

    “Gjyqtarja e procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.N., duke iu caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
    Referuar njoftimit të Gjykatës, grupi dyshohet të ketë operuar nga nëntori i vitit të kaluar e deri më 12 prill të këtij viti.

    Ndërkohë, “Telegrami” nuk qe e vetmja platformë që përdorej nga administratorët e grupit.

    “I pandehuri E.N. dyshohet se në vazhdimësi nga muaji nëntor i vitit 2023 e deri më datë 12.02.2024 në Obiliq dhe qytete të tjera të ndryshme të Kosovës, në cilësi të njërit nga administratorët e grupit “Albkings”, në aplikacionin Telegram e duke vepruar në bashkëkryerje me personat NN ende të paidentifikuar, ka ofruar dhe shpërndarë te personat e tretë pa autorizim fotografi, video intime dhe numër të telefonit të dy të dëmtuarave, si dhe të dhënat e identifikimit edhe të personave të tjerë-kryesisht të gjinisë femërore, në grupin “Albkings” në rrjetin social Telegram, por edhe në rrjete të tjera siç është aplikacioni TikTok, për qëllime të prostitucionit, siç janë: emrat, mbiemrat, adresat dhe numrat e telefonave të tyre”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë u ka apeluar viktimave të këtij grupi, që t’i paraqesin dëshmitë e tyre në polici.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë iu bën apel të gjitha të dëmtuarave në rastin e “Albkings”, përmes së cilit grup iu janë shpërndarë video dhe fotografi intime të tyre, si dhe të dhëna të tjera personale, të mos hezitojnë e të paraqiten në stacionet policore më të afërta të vendbanimit të tyre, në mënyrë që të bashkëpunojnë ngushtë me organet e rendit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    Eksperti i kibernetikës, Mentor Hoxhaj, thotë se qytetarët duhet të jenë të vëmendshëm në aktivitetet e tyre online.

    “Realisht ne jemi mjaft të lëndueshëm në hapësirën kibernetike, çdo ditë jemi duke e shfrytëzuar më shumë. Në këtë rast jemi më shumë shfrytëzues pasiv të themi, sesa aktiv, ne bëjmë apel te qytetarët të jenë të kujdesshëm në atë se çfarë postojnë apo klikojnë”, tha Hoxhaj.

    Administratori i “ALBKINGS” u arrestua të mërkurën. Kjo, u mirëprit edhe nga vetë Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

  • Kërkohet lirimi i menjëhershëm i Dejan Jankoviqit

    Kërkohet lirimi i menjëhershëm i Dejan Jankoviqit

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Në mesin e 10 pjesëtarëve të policisë që u ndaluan nga autoritetet serbe të mërkurën, ishte edhe zëvendësdrejtori Dejan Jankoviq.

    Ani pse kolegët e tij u liruan, Jankoviq nuk e pati fatin e njëjtë. Ai po mbahet në paraburgim 48 orësh në Rashkë, për prishje të rendit kushtetues të Serbisë.

    Arrestimi i Jankoviqit, sipas kryeministri Albin Kurti, është urdhër direkt nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq, që synon të dërgojë mesazh të frikësimit për serbët që integrohen në institucionet e Kosovës.

    Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, veprimin e autoriteteve serbe e cilëson alarmues dhe kërcënim për tërë rajonin.

    Institucionet në Prishtinë tashmë kanë kërkuar dhe po presin që ndërkombëtarët të ndikojnë në lirimin e Jankoviqit.

    “Është vendim i padrejtë dhe në kundërshtim me çdo rregull të ndërkombëtarëve për qarkullimin e njerëzve, është një agresivitet i paparë deri më tani në këtë aspekt, andaj presim misionet diplomatike dhe ndërkombëtarët ta bëjnë punën e tyre në lirimin e tij”, tha drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha.
    Për këtë rast, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, u takua me presidenten Vjosa Osmani, të enjten. Në një frymë me Bashkimin Evropian, ai tha se Serbia e ka shkelur Marrëveshjen për lëvizjen e lirë.

    “Jemi të shqetësuar sepse është dikush që e njohim për shumë vjet, për investimin e kohës dhe energjisë për komunitetin serb dhe policinë, duke ndihmuar dhe siguruar integrimin e suksesshëm të forcës policore që u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht etnisë së tyre”, tha Hovenier.

    Në anën tjetër, kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, e ka arsyetuar arrestimin e Jankoviqit dhe zyrtarëve tjerë, duke thënë se vetëm është mbrojtur rendi kushtetues i shtetit serb.

    Përveç pjesëtarëve të policisë, policia kufitare serbe mbajti të bllokuar për rreth 20 orë, edhe udhëtarët kosovarë që po kalonin tranzit nëpër pikat kufitare të Serbisë.

  • Kosova ende pa rregullore që kufizon qasjen në internet për fëmijët

    Kosova ende pa rregullore që kufizon qasjen në internet për fëmijët

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Shumë fëmijë në dorë mbajnë telefonin e lirshëm klikojnë gjerat që duan. Jo rrallëherë, edhe faqet për te rritur.

    Qasja e lirshme në internet bëhet ngase në Kosovë nuk ka rregullore që e kufizon qasjen në të, për të miturit.

    “Kosova nuk instrument ligjor që kufizon qasjen e fëmijëve në internet, në përjashtim të Kosovës gjitha shtetet e tjera edhe në regjion kanë kufizime për fëmijë nën moshë të mitur Kosova ende e ka që të ritë i ekspozojnë në rreziqe tjera që ndikojnë në mirëqenien e tyre”, tha ish-avokat i Popullit, Hilmi Jashari.

    Mungesa e kufizimit për qasje në internet po shihet me shqetësim edhe nga Qendra për Studime të Avancuara. Sipas Shkodran Ramadanit, në mungesë të një rregulloreje të veçantë, shpesh nuk raportohen as rastet e abuzimit seksual.

    “Është një problem serioz përshkak që tashmë në kohën kur kosova është future në një vrull të zhvillimit . Të mos kemi një ligj që rregullon sigurinë është mjaft problematike, sepse e pa mundëson ndërhyrjen rregullimin dhe mbikëqyrjen, e përmbajtjeve që qarkullojnë në internet dhe përballje e keqbërësve me drejtësinë. Mungesa po I inkurajojnë keqbërësit dhe I ekspozon më shumë fëmijët e Kosovës. Rastet ku ka abuzim seksual në rrjete sociale janë ende një shifrore, është fenomen I pa identifikueshëm dhe i vështirë për tu adresuar sepse mungon legjislacioni adekuat që e rregullon këtë çështje”, tha Ramadani.

    Sipas Ramadanit, një fenomen tjetër që po ndodh në Kosovë, e që është shqetësues, është pedofilia online.

    Në ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, parashihet mbrojtja e fëmijëve nga masmedia, por jo edhe kufizimi i qasjes në rrjete sociale.

    Neni 45, Mbrojtja e fëmijës në masmedia përfshinë mbrojtjen e fëmijëve nga filmat dhe incizimet e përmbajtjeve pornografike, erotike, të dhunshme, që nxisin mizori, diskriminim, duke përfshirë edhe diskriminimin racor, fetar, seksual, kombëtar dhe etnik.

  • Në Leposaviq nuk dihen cilat objekte do të përdoren për votim të dielën

    Në Leposaviq nuk dihen cilat objekte do të përdoren për votim të dielën

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Qytetarët e Leposaviqit, të dielën, mund të vendosin për shkarkimin ose jo të kryetarit të tyre, Lulzim Hetemi.

    Por, kur kanë mbetur vetëm tri ditë para votimit, shumica e tyre nuk e dinë se ku do t’u drejtohen kutive. Madje, as Komisioni Komunal Zgjedhor nuk ka vendosur në cilat objekte do ta organizojë këtë proces.

    Njësoj kanë refuzuar t’i lëshojnë shkollat, edhe drejtorë tjerë të komunave veriore. Votimi do të organizohet vetëm në institucionet shkollore të udhëhequra nga drejtorët shqiptarë.

    Ky refuzim për t’i dhënë në shfrytëzim objektet shkollore, kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, thotë se është vendim i Listës Serbe, që ka bërë thirrje edhe për bojkotim të gjithë procesit.

    Pavarësisht gjendjes në terren, këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, është i bindur se votimi do të kryhet në objekte publike.

    Sipas raportit dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në Komunën e Leposaviqit për procesin e votimit mund të përdoren vetëm shkolla fillore në Bistricë, një shtëpi private në Kostin Potok dhe një kontejner në Koshtovë.

  • S’pati kuorum, dështoi konstituimi i komisionit hetimor për librat

    S’pati kuorum, dështoi konstituimi i komisionit hetimor për librat

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Tre deputetë nga pushteti e dy nga opozita ishin pjesë e mbledhjes ku pritej të konstituohej komisioni hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore.

    Por, këta nuk mjaftuan për ta bërë kuorumin, andaj kjo u bë shkak i dështimit të të mbledhjes së parë të kësaj trupe parlamentare.

    Arsyeja e mungesave ishin aktivitetet jashtë vendit.

    Megjithatë, kur deputetët të kthehen, kryesuesi i këtij komisioni, Shemsedin Dreshaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, beson se nuk ka arsye që takimi i radhës të dështojë.

    “Mendoj që herën tjetër do të kemi kuorumin e mjaftueshëm dhe do të fillojmë me hetimin. Ky komision ka mandate 6 mujor, përbërja është konstruktive dhe do të kemi mundësi që të punojmë në drejtim të hetimeve dhe rezultatet do t’i shohim më vonë”, tha Dreshaj.

    Edhe nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se do ta përkrahin këtë komision. Anëtarja e partisë në pushtet, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, thotë se nuk e përjashtojnë mundësinë se ka pasur ndonjë gabim gjatë këtij procesi.

    “Procese të tilla që ndodhin për herë të parë nuk e përjashtojmë mundësinë që ka ndodhur ndonjë lëshim, por ne do ta përkrahim. e them se mund të këtë pasur lëshime, sepse kemi prindër që ndoshta nuk kanë pasur qasje në e-Kosova por e di që ministrja ka qenë personalisht e interesuar që shpërndarja e parave të bëhet te secili prind”, tha Tishukaj-Sadiku.

    Themelimin e këtij komisioni e kishte propozuar Partia Demokratike e Kosovës.

    Sipas deputetëve, gjatë procesit të subvencionimit të prindërve për tekste dhe mjete shkollore për vitin shkollor 2023/2024 ka pasur keqpërdorime dhe manipulime, madje pushteti është akuzuar edhe për vjedhje.

    Edhe vetë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, është shprehur e gatshme të nisin hetimet rreth këtij procesi.