ATV

Blog

  • Strehimorja e Prishtinës, pa kushte për gratë dhe fëmijët

    Strehimorja e Prishtinës, pa kushte për gratë dhe fëmijët

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Për gjithë rajonin e Prishtinës, që përfshin pesë komuna, gratë që përjetojnë dhunë në familje, kanë vetëm një strehimore.

    Ajo gjendet në kryeqytet, por nuk i plotëson kushtet për të gjitha gratë dhe fëmijët që strehohen në të, pasi ka kapacitet vetëm për 12 persona.

    Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Blerim Shabani, thotë se investimet në këtë sektor janë të domosdoshme.

    Qeveria i ka subvencionuar me 300 mijë euro organizatat joqeveritare që i menaxhojnë strehimoret, në kuadër të 1.5 milionëve për të gjitha qendrat që përkujdesen për kategori të ndryshme në nevojë.

    Shabani thotë se ndihma qeveritare është më se e nevojshme që gratë të cilat përjetojnë dhunë, të ndihen të sigurta.

    Njëri prej qyteteve që prin me raste të dhunës në familje, Fushë-Kosova, po konsiderohet se i nevojitet një strehimore vetëm për këtë komunë.

    Drejtori i Qendrës për Punë Sociale të Fushë Kosovës, Abaz Gjigoli, thotë se për këtë kanë bërë kërkesë në Ministrinë e Drejtësisë.

    Në gjithë Kosovën, janë vetëm shtatë strehimore në të gjitha qendrat kryesore të vendit, në të cilën strehohen gratë me fëmijët e tyre, të cilat kanë raportuar dhunë në familje, dhe që nuk ndihen të sigurta të jetojnë në shtëpi.

  • Shkarkimi “i vonuar” dhe milionat “në duart” e ushtruesve të detyrës

    Shkarkimi “i vonuar” dhe milionat “në duart” e ushtruesve të detyrës

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Përkundër që Kodi i Punës i Korporatës Energjetike parasheh vendimmarrje brenda 6 muajsh, bordi vendosi për shkarkimin e Nagip Krasniqit nga pozita e kryeshefit, saktësisht 365 ditë pas pezullimit nga detyra.

    Pos vendimmarrjes për shkarkim ose kthim në detyrë, të cilat i parasheh ky akt i brendshëm i KEK-ut – bordi shkeli edhe afatin e funksionimit me ushtrues detyre të kryeshefit.

    Kohë të çuar dëm e vlerësoi këtë periudhë gazetari Zekirja Shabani, i cili vonesën në vendimmarrje e ndërlidhi me atë që e quajti besim të Qeverisë në pafajësinë e Krasniqit.

    “Vendimi i djeshëm është shumë i vonuar, sidomos në kohën kur po flasim për investime potenciale në KEK, të nevojshme për të operuar, për të mbajtur gjallë KEK-un, dhe për të mos pasur dilema se me një drejtor tjetër ish bë më mirë ose me këtë drejtor ishte bë më mirë, por kemi pasë fatin e keq me operua me një drejtor në burg e me shpresua që kthehet një ditë, por u pa që krejt koha u harxhua kot”, tha Shabani.

    Pa paragjykuar epilogun e hetimeve ndaj tashmë ish-kryeshefit, Shabani foli për implikimet në aspektin menaxherial, pasi këtë vit ishin paraparë rehabilitime të thella në të dyja termocentralet, në vlerë totale rreth 200 milionë euro.

    “Një drejtor që nuk varet prej kryeministrit, që nuk varet shumë prej politikës, për shkak se KEK-u ka nevojë për investime të mëdha dhe domosdo ka nevojë për profesionistë. Nuk ka nevojë për politikanë brenda KEK-ut. Prandaj, krejt kjo zvarritje më shumë ngjan me një plan të politikës për të mos bërë asgjë në KEK, sesa me një vizion për të zhvilluar KEK-un”, tha Shabani.

    Pasi tha se partia në pushtet ka shkelur parimet e saj në rastin e Krasniqit, drejtori i organizatës Çohu, Arton Demhasaj, vlerësoi se mos-zgjedhja me kohë e kryeshefit të ri pengon planet investive.

    “Ndërmarrja kryesore publike që është KEK-u, më profitabilja, me buxhetin më të madh, me mbetë një vit me ushtrues detyre, dhe, potencialisht kjo mund të zgjasë edhe tre apo katër muaj derisa të kryhen procedurat e drejtorit të ri, d.m.th. kjo tregon se çfarë serioziteti ka pasur qeverisja e tanishme sa i përket KEK-ut”, tha Demhasaj.

    Më 19 Prill 2023, Nagip Krasniqi ishte arrestuar nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës, ushtrim ndikimi dhe konflikt interesi.

    Ai ishte suspenduar gjashtë ditë më vonë, 25 Prill të vitit të kaluar – ndërsa, sipas njoftimit, konkursi për kryeshefin e ri pritet të shpallet ditët në vijim.

    Prokuroria nuk ka ngritur aktakuzë ndaj Krasniqit, ndërsa ai aktualisht është i lirë dhe ndaj tij nuk ka ndonjë masë kufizuese.

  • Gjykimi për krime lufte në Vushtrri/ Mehdi Gashi vazhdon dëshminë, ballafaqohet me pyetjet e mbrojtjes

    Gjykimi për krime lufte në Vushtrri/ Mehdi Gashi vazhdon dëshminë, ballafaqohet me pyetjet e mbrojtjes

    Përgatiti: Nora Luta

    Për të vazhduar ballafaqimin me dëshminë e Mehdi Gashit, këtë të enjte nga Burgu i Sigurisë së Lartë, Sladan Trajkoviq, u soll në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Në gjykimin që po zhvillohet ndaj Trajkoviqit për krime lufte në Komunën e Vushtrrisë, Gashi ka përshkruar se si katër persona, në mesin e tyre i akuzuari, hynë në oborrin e shtëpisë së tij.

    Gashi, vetëm 14 vjeç në atë kohë, tha se vetëm Zoran Bogovici ishte i maskuar, dhe ai, sipas tij, kishte shtënë në babanë e tij, duke e lënë të vdekur.

    Mbrojtja duke tentuar ta vërë në lajthitje dëshmitarin insistoi disa herë të marrë përgjigje për përshkrimin e personave, duke e ballafaquar edhe me deklaratën e dhënë në Polici.

    Mbrojtja u përsërit disa herë në pyetje, për çka Gjykata nuk ia lejoi njërën nga to, avokatit Dejan Vasiq, i cili mori vërejtje për gjuhën e përdorur në seancë.

    Me deklaratën e dhënë në polici, Gashi u sfidua me pyetje edhe nga i akuzuari.

    Gashi e identifikoi Trajkovicin edhe kur me kërkesë të mbrojtjes iu paraqitën fotografitë nga dosja e Prokurorisë.

    Trajkovic ishte arrestuar mes tensioneve në veri, në dhjetor të vitit të kaluar.

    Përveç për pjesëmarrje në vrasjen e civilëve dhe dëbimin e tyre, ai akuzohet edhe për dhunim seksual gjatë luftës.

    Trajkovic ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës deri në nëntor të 2022-tës kur dha dorëheqje bashkë me zyrtarët e tjerë serbë, në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë për targa.

  • Mbi 200 mijë vota shqiptare, s’mund të jenë përcaktuese për postin e presidentit

    Mbi 200 mijë vota shqiptare, s’mund të jenë përcaktuese për postin e presidentit

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Gordana Davkova, kandidatja opozitare, e ka fituar bindshëm rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, teksa do të përballet me presidentin aktual, Stevo Pendarovski, në rundin e dytë që mbahet më 8 maj.

    Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Davkova nga partia opozitare VMRO DPMNE mori 40,10% të votave, ndërsa Pendarovski nga Lidhja Social Demokrate, i fitoi 19,93% të votave.

    Bujar Osmani nga Fronti Evropian i mori 13,36% të votave, ndërsa Arben Taravari nga koalicioni opozitar VLEN 9,21% të votave. Megjithatë, mbi 200 mijë vota të shqiptarëve, sipas opinionistit Bekim Kabashi mund edhe të mos jenë përcaktuese për rundin e dytë.

    Në rast se partitë shqiptare në Maqedoni, nuk do të ndaheshin në dy blloqe politike, Kabashi shtoi se lehtësisht një kandidat shqiptar do të garonte në rundin e dytë për postin e presidentit.

    Teksa ende nuk dihet se cilin kandidat do ta mbështesin dy taboret shqiptare, Arben Taravari, mori një mesazh nga kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili e ka uruar për rezultatin e arritur në zgjedhje dhe i ka shprehur gatishmërinë për të biseduar për pjesëmarrjen e opozitës shqiptare në qeverinë e ardhshme pas 8 majit.

    Ndërkohë, kandidati i Frontit Evropian, Bujar Osmani, nuk ka deklaruar deri më tani për pozicionim para rundit të dytë, por ka përsëritur thirrjen për unitet në rrugën e integrimit evropian.

  • Dështon sërish votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare

    Dështon sërish votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Në seancën e së enjtes në rend dite ishin planifikuar 20 pika.

    Mirëpo, Partia Demokratike e Kosovës kërkoi të shtohet edhe një pikë tjetër, për të diskutuar për gjetjet e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, për Kosovën.

    Megjithatë, një gjë e tillë u pamundësua. Partia në pushtet votoi kundër ndryshimit të rendit të ditës.

    Pjesë e seancës ishin edhe marrëveshjet ndërkombëtare.

    “Janë diku rreth 300 milionë euro vlerë në marrëveshjet ndërkombëtare që po presin dritën e gjelbër, ratifikimin nga ky kuvend. E di që disa subjekte dhe grupe parlamentare kanë shprehur mbështetjen, mirëpo kisha kërkuar dhe ju kisha lutur që si kuvend ta kryeni obligimin në mënyrë që të mundësohet përdorimi i këtyre mjeteve”, tha ministri i Financave, Hekuran Murati.

    As këtë herë, pushteti nuk arriti ta bindë opozitën të votojë pro këtyre marrëveshjeve ndërkombëtare.

    Madje, ata lëshuan edhe sallën.

    Ndërkohë, shumë nga pyetjet parlamentare mbetën pa përgjigje.

    Mirëpo, Kuvendi ka miratuar në shqyrtim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë, e po ashtu ka emëruar anëtarin e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Me 59 vota është zgjedhur anëtare Batisha Ibrahimi.

    Ndërkaq, shqyrtimi i parë i Projektligjit për provimin e maturës shtetërore ka kaluar në seancë tjetër në mungesë të votave.

  • Ndërpritet për disa minuta gjysmëfinalja, lëndohet gjyqtari Xhelal Mumini

    Ndërpritet për disa minuta gjysmëfinalja, lëndohet gjyqtari Xhelal Mumini

    Ndeshaj gjysmëfinale mes Prishtinës e Trepçës është ndërprerë për disa minuta.

    Kjo për faktin se gjyqtari Xhelal Mumini u lëndua.

    Ai u godit papritmas nga një lojtar dhe e kishte të pamundur vazhdimin e ndeshjes.

    Ndeshja vazhdoi më pas nën drejtimin e dy gjyqtarëve të huaj.

  • Toni Kuka e quan mbretëreshë të Evropës Distria Krasniqin pasi u shpall kampione në Evropian

    Toni Kuka e quan mbretëreshë të Evropës Distria Krasniqin pasi u shpall kampione në Evropian

    Distria Krasniqi është shpallur kampione e Evropës në Kampionatin Evropian që po mbahet në Zagreb të Kroacisë.

    Pas fitores në finale, Krasniqit i ka thurur lavde trajneri Toni Kuka, duke e quajtur atë “Disi, mbretëresha e Evropës nga Kosova ime e dashur”.

    “Kampione Evropiane qofsh faqebardhë krejt jetën! Xhudo gjithmonë dhe kurdoherë për shtetin e popullin Shqiptar me punë e sakrificë”, shkroi Kuka.

    Tutje, ai tha se xhudo e Kosovës është institucioni më i fuqishëm i vendit e bëri thirrje që kjo të mos harrohet asnjëherë.

  • Distria Krasniqi kampione e Evropës në Xhudo

    Distria Krasniqi kampione e Evropës në Xhudo

    Krenaria e Kosovës, Distria Krasniqi, arriti të sjellë edhe një medalje të artë për Kosovën, kësaj radhe duke triumfuar në Kampionatin Evropian për Senior që po mbahet në Zagreb të Kroacisë, në kategorinë deri në 52 kilogram.

    Jo më kot është e para e botës në kategorinë e saj, dhe këtë e dëshmon në çdo garë që merr pjesë.

    Distria e nisi nga raundi i dytë garën në Kroaci, ku u përball me ukrainasen Anna Borodina, të cilën e mposhti me dy Waza-ari, për të kaluar në çerekfinale.

    Në 1/4 e finales kishte punë me kroaten Ana Viktorija Puljiz, por që krenaria jonë dëshmoi edhe një herë formën fantastike, duke e rrëzuar atë me Ippon në Tatami, për ta fituar ndeshjen.

    Pas fitores ndaj kroatës, Krasniqi siguroi gjysmëfinalen, aty ku u takua me garuesen nga Spanja Ariane Toro Soler, të cilën fillimisht e përplasi në tokë për një Waza-ari, duke e vendosur atë në presion, dhe nga presioni i madh spanjollja mori tre shido, për t’u eliminuar nga gara.

    Me fitoren ndaj Soler, Distria Krasniqi siguroi një medalje për Kosovën, duke arritur në finalen e madhe, ku u përball me italianen Odette Giuffrida, e cila është në vendin e pestë në botë në këtë kategori.

    Përballja finale shkoi në Golden Score, por Distria dominoi gjatë tërë kohës, duke çuar drejt dy ndëshkimeve kundërshtaren e saj në kohën e rregullt.

    Kjo i ndihmoi shumë asaj që me të filluar Golden Score e fitoi ndeshjen me një pikë për t’u shpallur kampione e Evropës në Xhudo, në kategorinë deri në 52 kilogram.

    Për Distria Krasniqin, kjo është medalja e dytë e artë në vitin 2024, pasi kishte fituar në shkurt Paris Grand Slamin, ndërsa në mars mori medaljen e bronztë në Tbilisi Grand Slam.

  • ​E pranon Pentagoni: Ne u dërguam raketa të fuqishme ukrainasve

    ​E pranon Pentagoni: Ne u dërguam raketa të fuqishme ukrainasve

    Shtetet e Bashkuara kanë dërguar një sistem të ri raketash me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë, konfirmoi Pentagoni.

    Arma me precizitet të lartë është pjesë e një pakete ushtarake emergjente për Ukrainën e shpallur nga SHBA në mars, por nuk u rendit në mënyrë specifike në listat e dorëzimit me kërkesë të Ukrainës.

    Presidenti Joe Biden udhëzoi ekipin e tij që të kryejë dorëzimin pasi Rusia bleu raketa balistike nga Koreja e Veriut dhe i përdori ato kundër Ukrainës, tha Pentagoni.

    Sistemet raketore taktike të ushtrisë – të njohura si ATACMS – do të ndihmojnë Ukrainën të kërcënojë forcat ruse në çdo pjesë të territorit të okupuar ukrainas, tha ministria.

    Njoftimi erdhi disa orë pasi Biden tha se ndihma e re ushtarake do të fillojë të rrjedhë në Ukrainë “në disa orët e ardhshme” pasi ai nënshkroi legjislacionin e luftuar fort që siguron miliarda dollarë në shpenzime të reja për të mbështetur luftën e Ukrainës kundër Rusisë.

    Biden: Putini mund të sulmojë drejtpërdrejt aleatët tanë

    “Do të sigurohem që dërgesat të fillojnë menjëherë. Në orët e ardhshme – fjalë për fjalë pas disa orësh – do të fillojmë të dërgojmë municione të mbrojtjes ajrore, artileri për sistemet raketore dhe automjete të blinduara në Ukrainë,” tha Biden në Shtëpinë e Bardhë. Ai theksoi se rivendosja e rezervave të Ukrainës të armëve amerikane është një investim “jo vetëm në sigurinë e Ukrainës, por edhe në sigurinë e Evropës dhe sigurinë tonë”.

    Biden paralajmëroi se nëse Ukraina dështon, masa e radhës e presidentit rus Vladimir Putin mund të jetë një sulm i drejtpërdrejtë ndaj aleatëve të NATO-s: “Ne nuk do të kishim zgjidhje tjetër veçse t’u vinim në ndihmë. Ashtu si aleatët tanë të NATO-s na erdhën në ndihmë pas 11 shtatorit. sulmet”.

    Disa media amerikane, duke cituar zyrtarë të qeverisë amerikane, raportuan se raketat me rreze të gjatë kishin mbërritur javën e kaluar dhe tashmë ishin përdorur. NBC News raportoi se Ukraina nisi një sulm në gadishullin e okupuar të Krimesë javën e kaluar dhe këtë javë në qytetin e okupuar të Berdyansk në Ukrainën juglindore.

    Kievi mori për herë të fundit raketa me rreze të shkurtër veprimi

    Sipas raportimeve, raketat shtesë ATACMS do të përfshihen gjithashtu në paketën ushtarake të njoftuar nga presidenti amerikan Biden të mërkurën pas miratimit nga Kongresi. Pentagoni nuk deklaroi në mënyrë specifike nëse raketat e dorëzuara ishin modele ATACMS me një rreze veprimi prej rreth 300 kilometrash apo ato me një rreze më të shkurtër.

    Tetorin e kaluar, Ukraina vendosi raketa ATACMS që vinin nga SHBA. Në atë kohë, ato ishin modele me një distancë më të shkurtër prej rreth 165 kilometrash. Qeveria ukrainase ka kërkuar raketa që mund të godasin caqe shumë më të largëta.

    Senatorët në Kongresin e SHBA miratuan një paketë ndihme prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën pasi Dhoma e Përfaqësuesve dha miratimin e saj pas disa muajsh grindje politike dhe kundërshtime të ashpër nga republikanët e ekstremit të djathtë.

  • ​Mbi 100 të burgosur arratisen kur shiu dëmtoi burgun në Nigeri

    ​Mbi 100 të burgosur arratisen kur shiu dëmtoi burgun në Nigeri

    Më shumë se 100 të burgosur janë arratisur në Nigeri pasi shiu i madh dëmtoi një ndërtesë të vjetër burgu, thanë autoritetet.

    BBC raporton se 10 nga 118 të arratisurit nga burgu Suleja pranë Abuja, kryeqyteti i Nigerisë, u kapën shpejt.

    Autoritetet deklaruan se ndërtesa e burgut daton në epokën e sundimit kolonial britanik (1861-1960) dhe se që atëherë ajo pothuajse nuk është rinovuar, kështu që është e rrënuar.

    Dy vjet më parë, më shumë se 400 të burgosur u arratisën gjatë një sulmi islamik në një burg në Abuja. Më pas u vranë katër të burgosur, një roje dhe disa sulmues.

    Qe nga viti 2020, vlerësohet se më shumë se 5,000 të burgosur janë arratisur nga burgjet e mbipopulluara në të gjithë Nigerinë.