ATV

Blog

  • Jepet tenderi 1.7 milionë euro për zgjerimin e rrugës nga Ura e Veternikut deri në Hajvali

    Jepet tenderi 1.7 milionë euro për zgjerimin e rrugës nga Ura e Veternikut deri në Hajvali

    Komuna e Prishtinës e ka përzgjedhur fituesin e kontratës për zgjerimin e rrugës nga Ura e Veternikut deri në hyrje të Graçanicës, një segment i cili ka shkaktuar tollovi në trafik gjatë viteve të fundit.

    Oferta fituese është shpallur ajo e kompanisë Papenburg & Adriani Company SH.P.K., ka njoftuar sot Zyra e Prokurimit të Ministrisë së Infrastrukturës.

    Vlera e kontratës është 1.7 milion euro.

    Ky segment i rrugës, i cili do të zgjerohet, është i gjatë 3.66 kilometra, bëhet e ditur në Dosjen e Tenderit, raporton Paparaci.

    Afati për përfundimin e punimeve është 135 ditë pune. Rrjedhimisht, sipas këtij kriteri, punimet në këtë rrugë priten të përfundojnë pas rreth katër muajsh.

  • ​Raporti i punës, IKD: Kuvendi ka marrë vendime në kundërshtim me Kushtetutën

    ​Raporti i punës, IKD: Kuvendi ka marrë vendime në kundërshtim me Kushtetutën

    Puna e Kuvendit të Kosovës, në vitin 2023, është karakterizuar nga vendimmarrja në kundërshtim me Kushtetutën, thuhet në raportin e Institutit të Kosovës për Drejtësi, që u publikua të premten.

    Hulumtuesi në IKD, Naim Jakaj, tha se të zgjedhurit e popullit kanë përdorur gjuhë joparlamentare dhe shpesh herë homofobe dhe seksiste.

    Krahas kësaj, sipas tij, shpesh herë Kuvendi ka vepruar edhe në kundërshtim me rregulloren.

  • “Kriminell”, kënga më e re e artistes Donna Dafi

    “Kriminell”, kënga më e re e artistes Donna Dafi

    Ylli i muzikës pop, Donna Dafi, në projektin e saj më të ri “Kriminell”, me mesazhin që shpërndan, ka bërë bujë të madhe në industrinë e muzikës botërore.

    E veçanta e projektit të sapopublikuar “Kriminell” është se teksti dhe videoklipi janë të lidhur saqë nuk kuptohet mesazhi i këngës pa njëri-tjetrin. Në këtë këngë, Donna Dafi, nëpërmjet imazheve dhe fjalës artistike, e paraqet mentalitetin patriarkal të atyre meshkujve që abuzojnë me bashkëshortet e tyre, ndërsa prapaskena tjetër tregon se si këta meshkuj, derisa të arrijnë t’ua vjedhin zemrat këtyre grave, bëhen engjëj. Këta meshkuj, këngëtarja Donna Dafi i quan kriminelë.

    Përmes kësaj kënge, artistja Donna Dafi bën thirrje njëherë e përgjithmonë ndalimin e këtij fenomeni dhe fuqizimin e grave në shoqëri.

    Ky projekt me ndërlidhje ndërkulturore, afro – gjermane, është duke e fascinuar audiencën botërore. Kënga është realizuar me një kast profesional të artistëve në Gjermani dhe këndohet në gjuhën gjermane.

  • Si ka votuar diaspora e Maqedonisë së Veriut?

    Si ka votuar diaspora e Maqedonisë së Veriut?

    Janë publikuar rezultatet zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve nga raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale. Nëse marrim parasysh vetëm votimin e diasporës, rezultatet tregojnë edhe një epërsi bindëse të kandidates së VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova me 369 vota, ndërsa kandidati i Frontit Europian, Bujar Osmani, ishte në pozitën e dytë me 182 vota. Presidenti aktual Stevo Pendarovski fitoi 175 vota nga diaspora.

    Nga 2569 votues, 158 votuan për kandidaten e së Majtës, Biljana Vankovska Cvetkovska, 66 i dhanë besimin Maksim Dimitrievskit nga Lëvizja ZNAM, 37 votues votuan për Arben Taravarin dhe i fundit në listë është Stevço Jakimovski nga GROM me 18 vota. Siljanovska-Davkova fitoi para kandidatëve të tjerë presidencialë në Vjenë, Nju Jork, Sofje, Venecia, Bon, Stokholm, Detroit, Hagë, Çikago, Londër, Lubjanë dhe Pragë. Osmani fitoi në Berlin, Mynih dhe Toronto. Pendarovski, nga ana tjetër, fitoi në Pekin dhe Uashington.

    Ajo që është interesante për votimin në Lubjanë është se “beteja zgjedhore” është zhvilluar mes dy kandidateve femra. Këtu Siljanovska Davkova fitoi 52 vota dhe Vankovska 34.Në ditën e zgjedhjeve, kandidati Stevçe Jakimovski kritikoi votimin në diasporë, pasi siç theksoi ai ishte ditë pune dhe qytetarët kishin problem të largoheshin nga puna./Alsat-M/

  • Përfundon seanca/ Zeqiri: Kemi punë përpara në funksionalizimin e objektit të Komunës

    Përfundon seanca/ Zeqiri: Kemi punë përpara në funksionalizimin e objektit të Komunës

    Ka përfunduar seanca e parë në Kuvendin Komunal të Zubin Potokut. Në seancë mori pjesë edhe kryetari i Komunës, Izmi Zeqiri. Në rend dite ishte themelimi i Komisionit për pranimin e objektit.

    “Kemi punë përpara në funksionalizimin e objektit. Pikë e rendit të ditës ka qenë themelimi i komisionit për pranimin e objektit, kjo në fakt ka qenë arsyeja kryesore pse e kemi thirre seancën me urgjencë. Kemi shumë pune, do të fillojmë punën për të funksionalizuar objektin. Ne kemi funksionuar prej disa aneks zyrave, do te funksionojmë ende. Objekti ka probleme elementare. Ka me rrymën me ujin, problem me internetin. S’do të thotë që nuk funksionojmë edhe prej aneks zyrës por në afatin sa ma të shkurt do jem këtu”, ka thënë kryetari Zeqiri pas seancës në Kuvendin Komunal.

    “Është thirre seancë urgjente. Për shkak të lajmërimit të shkurtë kohor nuk kanë marrë pjesë të gjithë. Prej 19 asamblistëve kanë qenë 11, por kemi pasur kuorum për mbajtjen e seancës”, ka thënë kryesuesi i Kuvendit Komunal në Zubin Potok, Vedat Mehmeti./rtk

  • Hoteli “Grand” do të shndërrohet në Hotel “Hyatt”

    Hoteli “Grand” do të shndërrohet në Hotel “Hyatt”

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka dhënë lajmin e madh. Rama ka premtuar se Hoteli “Grand” do të merr pajme tjeter. “Ishte kënaqësi të mirëpres z. Takuya Aoyama, Zëvendëspresident për Zhvillim për Evropë, Afrikë dhe Lindje të Mesme nga korporata hoteliere me renome botërore Hyatt”, ka shkruar Rama duke bërë të ditur interesimin e korporatës Hyatt.

    Zëvendëspresidenti Aoyama më përcolli lajmin fantastik për interesimin e korporatës Hyatt për hapjen e një hoteli të zinxhirit të tyre në qendër të Kryeqytetit. Një prej opsioneve të përmendura për hapjen e Hyatt në Kryeqytet është transformimi i ikonës sonë, Hotelit Grand, duke ruajtur trashëgiminë dhe vlerat e këtij objekti.

    Falënderova përzemërsisht z. Aoyama dhe shpreha gatishmërinë e organeve të Kryeqytetit për të ndihmuar korporatën hoteliere Hyatt në hapjen e hotelit në kryeqytet.

  • Nis seanca e parë në Kuvendin Komunal të Zubin- Potokut

    Nis seanca e parë në Kuvendin Komunal të Zubin- Potokut

    Ka filluar të mbahet seanca e parë në Kuvendin Komunal të Zubin-Potokut. Në seancë po merr pjesë edhe kryetari i Komunës, Izmi Zeqiri. Në rend dite është themelimi i Komisionit për pranimin e objektit.

    Seanca po zhvillohet e mbyllur.

    Kryetari Izmir Zeqiri tash e një vit detyrën e ka ushtruar nga zyra alternative në fshatin Çabër, ndërsa sot ka hyrë në objektin e komunës në Zubin-Potok për të marrë pjesë në seancë.

    Kryetarët e këtyre dy komunave veriore, patën hyrë në objektet e komunave që udhëheqin më 26 maj të vitit të kaluar, nën mbrojtjen e Policisë së Kosovës. Por më 29 maj 2023 iu pamundësua hyrja nga protestuesit serbë.

    Para komunës së Zveçanit, protesta kishte eskaluar në dhunë, duke lënë të plagosur dhjetëra ushtarë të KFOR-it. Nga atëherë, kryetarët e këtyre dy qyteteve kishin ushtruar detyrën nga zyrat alternative në fshatra.

    Shkuarjen e tyre në zyrat e komunës e ka kërkuar edhe kryeministri Albin Kurti, pas bojkotit të votimit të së dielës nga serbët, për shkarkim të kryetarëve shqiptarë.

  • Kurti: Do t’i zgjidhim çështjet e pazgjidhura të pakicave, duke përfshirë minoritetin serb si prioritet

    Kurti: Do t’i zgjidhim çështjet e pazgjidhura të pakicave, duke përfshirë minoritetin serb si prioritet

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen e organizuar nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë, SPD, në hapësirat e Bundestagut gjerman, për nder të 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës.

    Duke nënvizuar se vendi ynë aspiron dhe punon për anëtarësimin në NATO e Bashkimin Evropian, kryeministri Kurti tha se hapi i parë për bashkimin me demokracitë evropiane është anëtarësimi në Këshillin e Evropës.

    “75 vjet nga krijimi i Këshillit të Evropës, 25 vjet që kur NATO, përfshirë Gjermaninë, shkoi në luftë për të mbrojtur dhe shpëtuar qytetarët e Kosovës nga tmerret e masakrave, vrasjeve, përdhunimeve dhe dëbimeve masive. 2024 është viti i duhur që demokracia e fundit në Evropë që nuk është ende anëtare e Këshillit të Evropës t’i bashkohet asaj”, u shpreh Kryeministri Kurti.

    Në fjalimin e tij, Kurti bëri thirrje që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Europës këtë vit. Këtu ai përmendi edhe zotimet e Kosovës që të plotësojë kërkesat që i janë bërë për t’u anëtarësuar në këtë organizatë.

    Njëra prej tyre është Asociacioni për komunitetin serb dhe tjetra lejimi i bashkimit civil mes gjinive të njëjta – Kodi Civil, i cili s’ka gjetur përkrahje në Kuvendin e Kosovës deri tash.

    Ai tha se për këtë personalisht do ta krijojë shumicën parlamentare, duke i bërë thirrje edhe opozitës.

    “Më lejoni t’ju jap një shembull. Kosova do të synojë që së shpejti të bëhet vendi i dytë në Ballkanin Perëndimor, pas fqinjëve tanë Mali i Zi, duke u ofruar qytetarëve të saj të drejtën e bashkimeve civile të të njëjtës gjini. Ne do të punojmë shumë për ta kaluar këtë në të ardhmen shumë të afërt. Për këtë unë personalisht do të ndërtoj një shumicë parlamentare – dhe do të bëj thirrje për mbështetje të gjerë për këtë edhe nga partitë opozitare. Vendimi për mbledhjen e qeverisë për këtë çështje tashmë është marrë”.

    Kurti tha se kjo do të bëhet edhe për shkak që e kërkon që Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut derisa kërkesa për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Europës është në proces.

    “Ne e bëjmë këtë sepse është një e drejtë, sepse është një e drejtë, sepse është në kushtetutën tonë dhe sepse e dimë që Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka nxjerrë aktgjykime duke kërkuar që kjo të bëhet. Ne e dimë se ka vende në Këshillin e Europës për një kohë të gjatë që e kanë injoruar gjykatën për këtë. Kosova do të jetë ndryshe. Në këtë mënyrë duam të frymëzojmë të tjerët”, tha Kurti.

    Ai foli edhe për minoritetet në Kosovë, duke thënë se do t’i zgjidhë “çështjet e pazgjidhura” me komunitetin serb si prioritet.

    “Ne gjithashtu do t’i zgjidhim çështjet e pazgjidhura me të cilat ballafaqohen pakicat tona, të drejtat dhe nevojat e tyre, duke përfshirë minoritetin serb të Kosovës, si prioritet. Edhe për këtë, ne po punojmë me anëtarët gjermanë të Bundestagut për të përshkruar nisma të reja dhe të mëdha. Takimet e mia këtu në Berlin për këtë kanë qenë shumë inkurajuese”.

  • Ruecker: Kosova duhet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe

    Ruecker: Kosova duhet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe

    Ish-shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, tha se Kosova ka bërë arritje të mëdha që nga koha kur ai ishte shef i misionit, duke përmendur mes tjerash mbështetjen që Asambleja Parlamentare i dha vendit për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    I pyetur se a ka ardhur koha që UNMIK-u të përfundojë mandatin në Kosovë, Ruecker tha se Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nuk do të pajtohej që të shfuqizohet rezoluta.

    “Ajo çfarë ka ndodhur kohët e fundit, p.sh në Asamblenë Parlamentare në KiE tregon se integrimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe organizmat euroatlantike është duke përparuar. E di që ende duhet vendimi i Këshillit të Ministrave, megjithatë ky është simbol i asaj se si po progresojnë gjërat”, tha Ruecker në televizionin publik.

    “Mendoj se 1244-shi e ka kryer misionin e vet dhe duhet të tërhiqet, por nuk besoj se do të ndodhë në muajt e ardhshëm. Megjithatë më e rëndësishmja është mënyra se si do të shkojë procesi i anëtarësimit të Kosovës në organizmat evropianë, por edhe në drejtim të anëtarësisë në Kombet e Bashkuara dhe ende ka disa pengesa”, theksoi Ruecker.

    E duke folur për veriun e Kosovës, diplomati gjerman tha se është në interes të minoritetit serb që të integrohet në institucione të Kosovës dhe të marrin pjesë në zgjedhje, megjithatë, sipas tij influenca nga Beogradi po i ndalon ata.

    “Sipas mendimit tim nuk është në interes as të Serbisë, sepse lejimi i minoritetit serb që të integrohet në Kosovë është edhe në interes të Beogradit, sepse, nëse nuk ndodh kjo, Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së”, theksoi tutje Ruecker.

    Ruecker ndër të tjera tha se në procesin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit nuk ka progres, megjithatë, sipas tij, largimi i masave të BE-së ndaj Kosovës do të ndodhë së shpejti.

    “Mendoj se është çështje kohe, sepse të gjitha hapat tashmë janë marrë dhe u bë votimi për tërheqjen e kryetarëve të komunave. Tentimi u bë që të zgjidhet situata politike në katër komunat në veri dhe mendoj se qeveria juaj është në drejtim të duhur dhe besoj se këto përpjekje do të njihen nga BE-ja dhe do të vazhdojnë projektet që janë pezulluar për momentin”, tha ai.

    Ish-shefi i UNMIK-ut theksoi se Kosova duhet të themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe Serbia ta njohë ‘de-fakto’ Kosovën si shtet.

    “Ju e përmendët marrëveshjen e Ohrit dhe hapat e ardhshëm janë të qartë, duhet të formalizohet dhe mendimi im është që duhet të vazhdohet në mënyrë substanciale realizimi i kësaj marrëveshjeje, por Kosova duhet të merret edhe me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe të kemi njohje ‘de-facto’ nga Serbia, ndoshta ata nuk e implementojnë, këtë por kjo duhet të vihet në vijën e finishit. Është mjaft e qartë nga ana e BE-së se këto gjëra duhet të ndodhin”, tha Ruecker.

  • TikTok-u nuk do të shitet, e paralajmëron SHBA-në pronari i tij kinez

    TikTok-u nuk do të shitet, e paralajmëron SHBA-në pronari i tij kinez

    Kompania kineze ByteDance, e cila e ka në pronësi TikTok-un, ka thënë se nuk e ka ndër mend ta shesë aplikacionin e famshëm, pasi Senati amerikan e miratoi një ligj sipas të cilit TikTok-u duhet të shitet, ose do të ndalohet në Amerikë.

    “ByteDance nuk ka plane për ta shitur TikTok-un”, tha kjo kompani në llogarinë e vet zyrtare në Toutiao, një rrjet social të cilin e ka në pronësi gjithashtu.

    Në fillim të kësaj jave, TikTok-u tha se do të ankohet në gjykatë kundër ligjit “jokushtetues”.

    Njoftimi nga ByteDance vjen si përgjigje e një artikulli në media se ajo ishte duke e shqyrtuar shitjen e mundshme të TikTok-ut në SHBA.

    “Raportimet në mediat e huaja për shitjen e TikTok-ut nga ByteDance janë të pavërteta”, tha kjo kompani, raporton Radio Europa e Lirë.

    Presidenti amerikan, Joe Biden, e nënshkroi të mërkurën ligjin i cili do ta ndalojë TikTok-un në Shtetet e Bashkuara, nëse pronari i saj ByteDance nuk e shet atë brenda një viti.

    Ligjvënësit nga të dyja partitë në SHBA – si dhe zyrtarët ligjorë dhe të inteligjencës – kanë shprehur shqetësime se autoritetet kineze mund ta detyrojnë ByteDance-in t’ia dorëzojë të dhënat e më shumë se 170 milionë amerikanëve që e përdorin TikTok-un.

    Shqetësimet e tyre burojnë nga një sërë ligjesh kineze të sigurisë kombëtare – të cilat i detyrojnë organizatat ta ndihmojnë vendin në grumbullimin e të dhënave. ByteDance mund t’i nënshtrohet këtij ligji kinez.

    TikTok-u i ka hedhur poshtë pretendimet se mund të përdoret si mjet i Qeverisë kineze.

    Kjo kompani ka thënë se kurrë nuk i ka ndarë me autoritetet kineze të dhënat e përdoruesve amerikanë dhe se nuk do ta bëjë këtë edhe nëse i kërkohet. /REL