ATV

Blog

  • ​Mbi 1 mijë e 600 persona mbesin ende në kërkim nga lufta e fundit në Kosovë

    ​Mbi 1 mijë e 600 persona mbesin ende në kërkim nga lufta e fundit në Kosovë

    Institucioni i Avokatit të Popullit ka mbajtur një tryezë diskutimi me rastin e shënimit të Ditës Kombëtare të Personave të Pagjetur.

    Në fjalën e tij, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se edhe pse kanë kaluar 25 vite nga lufta e fundit në Kosovës, ende mbetet i pazbuluar fati i mbi 1 mijë e 600 personave të zhdukur dhe se sipas tij ky është një fakt shqetësues.

    Ai u bëri thirrje institucioneve vendore dhe komunitetit ndërkombëtar që të bëjnë presion mbi autoritetet përgjegjëse në mënyrë që të zbardhet fati i personave të zhdukur.

    Qelaj tha se vendosja e fatit të personave të zhdukur në tavolinën e dialogut politikë Kosovë-Serbi është i papranueshëm dhe nëse nuk vendoset si kërkesë e qartë për palët dhe të imponohet si detyrim dhe parakusht i çdo iniciative tjetër duke e vlerësuar si prioritet që nuk lejohet të kalohet.

    “Kur kanë kaluar më shumë se 25 vite nga përfundimi i luftës në Kosovë ende nuk dihet fati i mbi 1 mijë e 600 personave të zhdukur. Ky është fakt shqetësues dhe pa drejtësi për viktimat. Andaj avokati i popullit bën thirrje institucioneve vendore dhe të gjithë komunitetit që pa kompromis të shtroj presion të detyrojnë autoritetet përgjegjëse të ofrojnë të gjithë mbështetjen dhe të dhënat që të çojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Vendosja ne tavolinën e dialogut politik dhe qëllimi që të arrihet kompromis me fatet e personave të zhdukur është i pa pranueshëm dhe nëse nuk vendoset si kërkesë e qartë për palët dhe të imponohet si detyrim dhe parakusht i çdo iniciative tjetër duke e vlerësuar si prioritet që nuk lejohet të kalohet”, tha Qelaj.

    Ndërkaq, Andin Hoti, Kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur në këtë tryezë tha se për vitin 2024 janë gërmuar 4 lokacione në territorin e Kosovës, ndërsa në vitin 2000/2001 në varrezat masive në Serbi janë gjetur mbi 900 persona të zhdukur.

    Ai tha se çështja e personave të zhdukur tashmë është ndërkombëtarizuar.

    “Rreth 20 persona apo eshtra të personave që janë të zhdukur ia kanë arrit me i zhvarrosë, kanë arritur me i marrë dhe janë nën procedurat e mëtutjeshme. Shumicën e rezultateve i kemi marr dhe për të tjerat jemi në pritje me ja dërguar familjarëve eshtrat e familjarëve të tyre. Ndërkaq në vitin 2024 deri më tani i kemi gërmuar 4 lokacione me ç’rast i presim edhe 12 lokacione tjera që t’i realizojmë në kuadër të viti 2024. Në numër total janë mbi 2 mijë e 800 lokacione të tjera të gërmuara në Republikën e Kosovës. Kur flasim për territorin e Serbisë është çështje tjetër. U përmend që 950 persona kanë arritur që të gjinden në varrezat masive të Serbisë. 95 për qind nga ta janë gjetur në vitin 2000-2001 në tri varreza masive. Mendoj që Kosovës jo vetëm tashti por edhe në të kaluarën iu ka nevojitur një dokumentim, një hartim i asaj çka ka ndodh nuk nevoja asnjë klasifikim shpikje apo përgënjeshtrim por thjesht një dokumentim i gjithë atyre krimeve një bashkëpunim i tyre krimeve ose një bashkim i atyre dokumenteve në një institucion të vetëm. Kanë punuar pa rreshtuar edhe në forma të ndryshme edhe në kushte të ndryshme megjithatë shteti deri sot nuk është që ka pasur një institucion të qartë se ku dhe si do të ruhen gjitha këto dokumente. Përveç kësaj mendoj jam i bindur plotësisht që delegacioni i Serbisë i ka të gjithë informacionet për Kosovën, thjesht duhet me pas vullnetin, kurajën me i dhënë ato dhe mu përball me drejtësi mandej. Deri sa kjo nuk arrihet natyrisht që kjo do të jetë e vështirë. Natyrisht që ne do të kemi edhe gishtin të drejtuar nga ne sepse është normale përderisa kjo nuk arrihet e kemi shumë të vështirë. Jemi munduar 2 vite, kemi shkuar në Bruksel me ekipin e dialogut dhe kemi futur në kuadër të dialogut personat e zhdukur. E kemi ndërkombëtarizuar çështjen e personave të zhdukur. E kemi ndërkombëtarizuar e kemi ngrit në nivel demokratik në mënyrë që me pas një garancion e ai garancion të jetë BE. Më në fund, më 2 maj kemi arritur ta miratojmë, jo ta nënshkruajmë, deklaratën e personave të zhdukur si rrjedhojë e Aneksit të Ohrit”, tha Hoti.

  • Cilat vitamina mungojnë nëse ju bien flokët, ju mpihen duart apo keni ngërçe në stomak – çfarë duhet patjetër të hani

    Cilat vitamina mungojnë nëse ju bien flokët, ju mpihen duart apo keni ngërçe në stomak – çfarë duhet patjetër të hani

    Mënyra e sotme e ushqimit lehtë mund të çojë deri në mungesën e vitaminave në organizëm, qoftë të mos hani sasi të mjaftueshme të artikujve përkatës apo për shkak të problemeve të tretjes nuk ndodh absorbimi i tyre.

    Kjo nuk do të thotë që do të sëmureni, mirëpo mund të përfundoni me funksionim të dëmtuar, sepse vitaminat janë bashkëfaktorë për të gjitha reaksionet biokimike në organizëm.

    Ato ju janë të nevojshme për funksionim të rregullt. Këto janë pesë shenja të pazakonshme paralajmërimi që po ju mungojnë vitaminat, transmeton Telegrafi.

    Të çara në këndet e buzëve

    Ju mungojnë: Hekuri, zinku dhe vitaminat e grupit B, siç janë niacina, (B3), riboflavina (B2) dhe B12.

    Zgjidhja: Hani më shumë mish pule dhe mish gjeldeti, mish toni, vezë, panxhar, kikirikë dhe bishtajore.
    Vitamina C përmirëson absorbimin e hekurit, andaj artikujt e përmendur kombinoni me prokoli, lakër me gjethe të gjelbra, lulelakër dhe speca.

    Puçrra të kuqe në fytyrë të cilat shkaktojnë zbokth dhe rënie të flokëve

    Ju mungojnë: Biotina, e cila është e njohur edhe si vitaminë për flokë.

    Zgjidhja: Duhet të hani vezë të ziera shumë apo vezë të pjekura, salmon, avokado, kërpudha, lulelakër, sojë, fruta arrore, mjedra dhe banane.

    Puçrra të kuqe apo të bardha të cilat ngjajnë me aknet – më së shpeshti në fytyrë, duar, kërdhokulla dhe vithe

    Ju mungojnë: Thartira yndyrore esenciale dhe vitaminat A dhe D.

    Zgjidhja: Shtoni marrjen e yndyrave të shëndetshme. Shtoni konsumimin e frutave arrore, siç janë arrat dhe bamjet dhe farërat (farat e lirit dhe farat chia). Për të shtuar marrjen e vitaminës A, hani më shumë perime me fletë të gjelbra, karota dhe speca. Kur është fjala për vitaminën D, konsumoni më shumë produkte qumështi apo shfrytëzoni shtesat e ushqimit të cilat përmbajnë këtë vitaminë.

    Djegie dhe mpirje të duarve, shputave dhe të pjesëve të tjera të trupit

    Ju mungojnë: Vitaminat e grupit B, siç janë thartira folike (B9), B6 dhe B12.

    Zgjidhja: Në këto raste mund t’ju ndihmojnë spinaqi, shpargulli, panxhari, fasulja, vezët.

    Ngërçet në muskuj në formë të dhembjeve therëse (në gishta të këmbëve, në pulpa, tabanë dhe këmbë)

    Ju mungojnë: Magnezi, kalciumi dhe kaliumi.

    Zgjidhja: Hani më shumë banane, bajame, lajthi, qershi, mollë, grejpfruta, lulelakër, lakër me gjethe të gjelbra dhe spinaq. /Telegrafi/

  • “Dasma e Skënderbeut”, festa e përvitshme me vënien në skenë të martesës në Ardenicë

    “Dasma e Skënderbeut”, festa e përvitshme me vënien në skenë të martesës në Ardenicë

    573 vite më parë, në Manastirin e Ardenicës është organizuar martesa e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu me Donikn.

    Çdo 26 prill është bërë traditë që banorët e Ardenicës organizojnë festën lokale në përkujtim të dasmës së madhe. Tradita ri-inskenohet nga dy gjimnazistë te veshur me kostume popullore.

    Ky organizim është një mundësi që tradita të përçohet edhe për brezat e rinj.

    Ardenica është zona turistike me e rëndësishme e qytetit të Lushnjës, ndaj festa të tilla organizohen edhe për promovimin e saj.

    Në këtë ditë, përveç këngëve dhe valleve popullore, organizohet edhe panairi i gatimeve tradicionale. /tch

  • ​Subvencionimi i teksteve shkollore, formohet komisioni hetimor parlamentar

    ​Subvencionimi i teksteve shkollore, formohet komisioni hetimor parlamentar

    Është bërë konstituimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024.

    Kryesuesi i këtij komisioni, Shemsedin Dreshaj ka thënë se qëllimi i formimit të komisionit është që të shikohet se si ka shkuar procesi për tekstet shkollore.

    “Ky komision hetimor veprimtarinë dhe strukturën e ka të aprovuar bazuar në ligjin për hetim parlamentar. Qëllimi tij është të shohim si ka shkuar ky proces, a ka lëshime apo ka qenë çdo gjë në rregull. Kanë qenë informatat në opinion për dështimin me kohë të teksteve mësimore, ka pasur fjalë tjera që janë ndërlidhur rreth kostove dhe mënyrës së blerjeve, shpërndarjes. Ka qenë një opinion për dëmtimin e buxhetit të shtetit gjatë këtij procesi. Ne e kemi bërë një draft-propozim për agjendën që do të punojmë”, tha Dreshaj.

    Deputeti nga LVV, Armend Muja ka propozuar që javën që vjen t’i përkushtohen këtij qëllimi dhe të bëhet një plan pune. Ndërsa, deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vlora Dumoshi është shprehur e shqetësuar me gjendjen aktuale në arsim. Sipas saj, edhe sot shumë nxënës nuk janë të pajisur me libra shkollorë.

    “Është e dhimbshme se për tri vjet kjo qeveri ka bërë që procesi mësimor të mos fillojë me kohë, ku rreth 220 mijë nxënës kanë humbur me mijëra orë për shkak të mungesës së librave. Jemi të vetëdijshëm që edhe sot shumë nxënës nuk i kanë librat”, tha Dumoshi.

    Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Arjeta Fejza, e cila tha se ky është konstatim i vetë deputetes.

    Dreshaj ka propozuar që ky komision të mbahet të premten në orën 13:30. Me këtë u pajtuan deputetet prezentë. /kp

  • ​Deputetja e PDK-së: Aleatët e Kosovës kanë humbur besimin në Qeverinë Kurti

    ​Deputetja e PDK-së: Aleatët e Kosovës kanë humbur besimin në Qeverinë Kurti

    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Ariana Musliu-Shoshi ka folur mbi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, votimi për të cilin do të mbahet kah mesi i muajit maj.

    Ajo në një postim në Facebook ka thënë se aleatët ndërkombëtarë të Kosovës kanë humbur besimin te Qeveria Kurti.

    “Kërkesat me ngulm për anëtarësim në KiE tregojnë qartë që aleatët tanë kanë humb besimin në qeverinë Kurti. Ata nuk besojnë në zotime, përfshi letrën e dërguar ku premtojnë implementimin e asociacionit, miratimin e Kodit Civil dhe shumë çështje tjera, nënshkruar nga Vjosa, Albini e Glauku!

    Kauzat e Albinit të përdorura vetëm sa me ardhur në pushtet duke mos kursyer asnjë mjet ndaj partive në pushtet, sot po i kthehen bumerang! Pavarësisht kësaj, interesi i Kosovës mbi të gjitha! Kosova dhe qytetarët e saj meritojnë anëtarësimin në KiE! E pafalshme do të jetë humbja e një momentumi të tillë”.

  • ​Nadal dëshiron që ai të mund të luajë aq gjatë sa djali i tij ta kujtojë atë në fushë

    ​Nadal dëshiron që ai të mund të luajë aq gjatë sa djali i tij ta kujtojë atë në fushë

    Rafael Nadal (37 vjeçar) tha se do të dëshironte të vazhdonte të luante aq gjatë sa që djali i tij ta kujtonte atë në fushë, megjithëse 22 herë kampioni i Grand Slam pranon se koha nuk është në anën e tij.

    Spanjolli, i cili ka thënë se pret të pensionohet pas sezonit 2024, u rikthye në garë në Brisbane në janar pas pothuajse një viti jashtë fushave për shkak të një lëndimi, raporton KosovaPress.

    Ai më pas mungoi sërish për një kohë për shkak të një problemi në kofshë dhe ndërsa u kthye në Barcelonë javën e kaluar, ai thotë se është larg të qenit në formë të lartë dhe nuk e di nëse do të luajë në French Open të muajit të ardhshëm.

    Nadal mundi Darwin Blanch 6-1 6-0 në raundin e parë të Madrid Open të enjten, me gruan dhe djalin e tij njëvjeçar Rafael Jr. që ishin të pranishëm duke e shikuar atë.

    “Epo, do të doja të luaja pak më gjatë dhe t’i kujtoja atij veten duke luajtur tenis,” tha Nadal për faktin që djali i tij ta shikojë atë duke luajtur.

    “Kjo do të jetë gjëja ideale për mua dhe për gruan dhe familjen time. Ndoshta nuk do të mund ta bëj këtë. Por të paktën jam i lumtur që kam një ekip të shkëlqyer, familje dhe miq rreth meje gjatë gjithë jetës sime që më ndihmuan në çdo mënyrë për të qenë i lumtur”, tha më tej Nadal.

    Nadal, një kampion i pesëfishtë në Madrid, do të përballet të shtunën me tenistin australian Alex de Minaur.

  • Osmani: Të vërtetën s’mund ta mohoj Serbia, gjërat që kam thënë në OKB-së janë të konfirmuara nga raportet ndërkombëtare

    Osmani: Të vërtetën s’mund ta mohoj Serbia, gjërat që kam thënë në OKB-së janë të konfirmuara nga raportet ndërkombëtare

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se fjalimi i saj në Asamblenë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është e vërteta dhe se këtë fakt nuk mund ta mohoj as shteti serb. I pyetur nga Ekonomia Online për deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, Osmani i ka quajtur “postraumatike”.

    E para e shtetit ka deklaruar se të vërtetën e thënë në Asamblenë e OKB-së nuk mund ta mohojë askush e as Serbia.

    “Ai ka bërë tërë një sëre deklaratash postraumatike. Ajo çfarë kemi bërë ne thjesht e kemi thënë  të vërtetën vetëm të vërtetën para syve të botes dhe nuk mundet askush ta sulmoj apo ta mohoj e as Serbia. Të gjitha gjërat që kam thënë në seancë janë të gjitha të konfirmuara nga raportet ndërkombëtare dhe vendimet e gjykatave ndërkombëtare”, ka thënë Osmani.

  • ​Kurti kërkon mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësimin e Kosovës në KiE

    ​Kurti kërkon mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësimin e Kosovës në KiE

    Në ditën e dytë të qëndrimit në kryeqytetin e Gjermanisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vazhdoi takimet me përfaqësues politikë dhe deputetë të Bundestagut nga radhët e Partisë Socialdemokrate (SPD), Bashkimit Demokristian (CDU), Partisë së Gjelbër dhe Partisë së Lirë Demokratike (FDP).

    Takimet i filloi me Rolf Mützenich, deputetin dhe Kryetarin e Grupit Parlamentar të SPD-së, të cilin kryeministri e falënderoi për ftesën që të merr pjesë në ngjarjen e organizuar mbrëmë nga SPD në shënim të 75-vjetorit të Këshillit të Evropës.

    Ndërkaq në një drekë pune takoi deputetët Michael Roth (SPD), Andreas Schwarz (SPD), Knut Abraham, (CDU), Michael Brand (CDU), Jürgen Hardt (CDU), Volkmar Klein (CDU), Volker Ulrich (CDU), Philip Krämer (Grüne), Max Lucks (Grüne), Boris Mijatovic (Grüne), Ulrich Lechte (FDP) dhe Thomas Hacker (FDP).

    Tema kryesore e bashkëbisedimeve ishte aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe rruga drejt anëtarësimit të plotë në këtë organizatë.

    Kryeministri Kurti u bëri thirrje deputetëve gjermanë dhe qeverisë gjermane që të vazhdojnë ta përkrahin Kosovën për anëtarësim në votimin final më 16 maj dhe regjistrit të kornizës ligjore, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë në Kosovë.

    Ndryshe, shumica e deputetëve kanë mbështetur më 16 prill anëtarësimin e Kosovës në debatin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës lidhur me raportin për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Serbia kundërshton anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

    Serbia kishte propozuar disa ndryshime në tekstin për rekomandimin që Kosova të pranohet në këtë organizatë. Përmes tyre, kërkohej që Kosova të mos pranohet në Këshillin e Evropës derisa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të mos vendosë për statusin e Kosovës.

    Serbia po ashtu kërkoi që në vazhdim të procesit, Kosovës t’i vihet si kusht themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe. Delegacioni serb po ashtu ka kërkuar që nga teksti të hiqen të gjitha pikat në të cilat vlerësohet përparimi i Kosovës në respektimin e të drejtave të njeriut dhe pakicave dhe në vend të kësaj, Kosova të kritikohet për shkelje të të drejtave. Të gjitha amendamentet e Serbisë janë hedhur poshtë.

  • ​Legjenda e Brazilit njofton se do të pensionohet nga kombëtarja

    ​Legjenda e Brazilit njofton se do të pensionohet nga kombëtarja

    Golashënuesja më e mirë e të gjitha kohërave të Brazilit, si në futbollin e meshkujve ashtu edhe në të femrave, Marta, do të tërhiqet nga futbolli me kombëtare këtë vit, tha të enjten vetë sulmuesja 38-vjeçare.

    Marta, e cila luan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Orlando Pride që nga viti 2017, shpreson të bëjë paraqitjen e saj të gjashtë në Lojërat Olimpike në Olimpiadën e këtij viti në Paris, raporton KosovaPress.

    “Nëse shkoj në Olimpiadë, do të shijoj çdo moment, sepse, pavarësisht nëse shkoj në Olimpiadë apo jo, ky është viti im i fundit me ekipin kombëtar”, tha Marta në një intervistë për “CNN” të enjten.

    ”Nuk do të ketë më Marta nga viti 2025 në kombëtare si sportiste. Jam shumë e qetë për këtë, sepse e shoh me shumë optimizëm këtë zhvillim që po kemi në raport me sportistët e rinj”, tha më tej Marta.

    Marta, e njohur me dashuri si “Mbretëresha Marta”, është golashënuesja më e mirë e të gjitha kohërave për Brazilin me 116 gola në 175 ndeshje.

    E cilësuar si një nga futbollistet më të mira të gjitha kohërave, ajo është edhe golashënuesja më e mirë në Botërorin e Femrave me 17 gola. Ndërsa ajo nuk e ka fituar Kupën e Botës, ajo ishte një finaliste humbëse në vitin 2007 kur Brazili humbi 2:0 ndaj Gjermanisë në Shangai, Kinë.

    Ajo ka fituar tre tituj të Copa America Femenina dhe ishte pjesë e ekipit të Brazilit që fitoi medalje argjendi në Lojërat Olimpike 2004 dhe 2008.

    Marta e filloi karrierën e saj në klub me Vasco da Gama, ndërsa luajti në skuadrat suedeze Umea IK, Tyreso FF dhe Rosengard. Në SHBA, ajo ka luajtur gjithashtu për Los Angeles Sol, Western New York Flash dhe Gold Pride.

  • Gjendet i vdekur një burrë në Parkun e Taukbashqes në Prishtinë

    Gjendet i vdekur një burrë në Parkun e Taukbashqes në Prishtinë

    Ekipi i mjekëve emergjent kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është konfirmuar se viktima, mashkull është pa shenja jete, ka bërë me dije për tëvë1.info, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci.

    “Sot rreth orës 12:45, policia ka pranuar informatën për një person të shtrirë në tokë në parkun e Taukbashqes në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia dhe ekipi i mjekëve emergjent kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga ekipi mjekësor është konfirmuar se viktima, mashkull është pa shenja jete. Aktualisht policia me kujdes të shtuar po trajton të gjitha rrethanat që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë ai.