ATV

Blog

  • DHTIK kërkon ndryshime urgjente në kalendarin e festave zyrtare

    DHTIK kërkon ndryshime urgjente në kalendarin e festave zyrtare

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) kërkon nga Kryeministri dhe Qeveria e Kosovës që me urgjencë të propozojë ndryshim plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës, në mënyrë që të veprojmë ashtu siç vepron çdo vend Evropian.

    Sipas njoftimit të DHTIK, praktika e deritanishme që ditët e festave që bien në ditë vikendi, të zëvendësohen me pushim gjatë ditëve të punës, përkatësisht Neni 4 i Ligjit për Festat Zyrtare, sipas të cilit “Kur ditët e festave zyrtare të cekura në nenin 2 të këtij ligji bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi do të jenë ditët pasardhëse të punës”, është praktikë e cila ka dëmtuar dhe po e dëmton vendin jo vetëm në aspektin financiar por edhe në aspektin e reputacionit ndërkombëtar, sepse asnjë vend tjetër nuk e zëvendëson pushimin në një datë tjetër.

    “DHTIK kërkon që festat zyrtare të mos zëvendësohen me ditë punë në rastet kur ato bien gjatë ditëve të vikendit, por ditë pushimi të jetë vetëm dita e cila është ditë pushimi. Gjithashtu DHTIK kërkon që të festohen por mos të jenë ditë pushimi, ditët: 9 Prilli, Dita e Kushtetutës dhe 9 Maji Dita e Evropës”, thuhet në njoftim.

    Më tej DHTIK kërkon po ashtu që festat e komuniteteve të jenë ditë pushimi për këto kategori, por jo edhe për gjithë vendin.

    “DHTIK, mbetët me shpresë se këto rekomandime do të merren parasysh në mënyrë që të kontribuohet në rritjen e ditëve të punës dhe rritjen e ardhjes së investimeve nga Evropa aq shumë të nevojshme për vendin tonë me papunësinë më të madhe në Evropë dhe me të ardhurat më të vogla për kokë banori në Evropë”, thuhet në komunikatë.

  • ​Haradinaj: Sunduesve i pengon liria e shprehjes dhe liria e mediave

    ​Haradinaj: Sunduesve i pengon liria e shprehjes dhe liria e mediave

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se është obligim institucional e shoqëror ta ruajmë dhe avancojmë këtë segment të lirisë sonë.

    Kështu ka thënë Haradinaj me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Mediave.

    “Mbrojtja e gazetarëve dhe medias së lirë është ndër parimet e panegociueshme dhe është obligim institucional e shoqëror ta ruajmë dhe avancojmë këtë segment të lirisë sonë! Sot në Ditën Botërore të Lirisë së Mediave, reflektojmë mbi rëndësinë e lirisë së fjalës dhe lirisë së medias”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

    Sipas tij, shqetësuese mbetet qasja e eksponentëve të pushtetit me sulmet e orkestruara që i bëjnë mediave dhe tendenca për kontroll ndaj tyre, duke shënuar regres alarmant sa i përket lirisë së medias, i vërtetuar edhe nga raportet e instituicioneve kredibile ndërkombëtare.

    “Qëndrojmë krah medias, në mbrojtje e respekt ndaj fjalës së lirë”, shkruan Haradinaj.

  • ​Dënohet sulmi në Banjskë, Parlamenti britanik miraton mocionin e Alicia Kearns për Kosovën

    ​Dënohet sulmi në Banjskë, Parlamenti britanik miraton mocionin e Alicia Kearns për Kosovën

    Dhoma e Ulët e Parlamentit të Britanisë së Madhe ka miratuar një mocion për Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën të propozuar nga deputetja Alicia Kearns, me të cilën Britania mbështet integritetin territorial të Kosovës dhe dënon sulmin në Banjskë ndaj Policisë së Kosovës. Ky mocion u propozua nga Kearns pas një debati që u zhvillua mbi sigurinë në Ballkanin Perëndimor raporton TopChannel.

    Ndwrkaq, deputetja Alicia Kearns në fjalimin e saj gjatë debatit mbi sigurinë në Ballkanin Perëndimor në Parlamentin britanik ka pwrmendur sulmin në Banjska, anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, asociacionin dhe kërcënimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

    Kearns kishte bërë të ditur se SHBA ka përfunduar një raport mbi përgjegjësit e sulmit në Banjska, i cili ende nuk është publikuar.

    Ajo tha se ky raport duhet të publikohet për t’u ditur e vërteta rreth sulmit për të cilin përgjegjësinë e mori Milan Radojçiq, i kërkuar tashmë nga Interpoli dhe i cili sipas saj gjendet i lirë në Serbi.

  • ​KMShK shpreh shqetësim për përkeqësimin e lirisë së medias në Kosovë

    ​KMShK shpreh shqetësim për përkeqësimin e lirisë së medias në Kosovë

    Me rastin e 3 majit, Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës vlerëson se liria e medias është pjesë thelbësore e një shoqërie demokratike.

    KMShK ka shprehur shqetësimin për përkeqësimin e lirisë së medias në Kosovë, gjegjësisht regresin që ka shënuar Kosova në Indeksin e Reporterëve Pa Kufij, duke rënë për 19 vende – nga pozita 56 në 75.

    KMShK bën thirrje që mediat dhe gazetarët të mos pengohen gjatë punës së tyre.

    “Sulmet politike ndaj mediave dhe gazetarëve, si dhe fushatat linçuese ndaj tyre janë kërcënim serioz për një gazetari të pavarur dhe profesionale, si dhe për integritetin dhe jetën e gazetarëve”, thuhet në njoftim.

    KMShK i vlerëson të dëmshme dhe të papranueshme përpjekjet e autoriteteve për kontroll mbi mediat dhe cenimin e fjalës së lirë.

  • Rama paralajmëron: Spitali i Kryeqytetit po bëhet

    Rama paralajmëron: Spitali i Kryeqytetit po bëhet

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka deklaruar se sot kanë diskutuar për detajet finale të projektit të Spitalit të Kryeqytetit.

    Ai ka shkruar në Facebook se Spitali i Kryeqytetit, një projekt i shumëpritur do të bëj më të lehtë qasjen në shërbimet shëndetësore dytësore për qytetarët e Prishtinës.

    “Spitali i Kryeqytetit po bëhet. Sot diskutuam detajet finale të projektit të Spitalit të Kryeqytetit. Një projekt i shumëpritur që do të bëj më të lehtë qasjen në shërbimet shëndetësore dytësore për qytetarët e Prishtinës. Kardiologji, pediatri, gjinekologji e shumë reparte të tjera me kushte e standarde të nivelit evropian. Shumë shpejt projekti do të tenderohet dhe do të filloj ndërtimi”, shkruan Rama.

  • ​Beaux Arts: Ish-vila e diktatorit Hoxha shndërrohet në rezidencë artistësh

    ​Beaux Arts: Ish-vila e diktatorit Hoxha shndërrohet në rezidencë artistësh

    Ish-vila e diktatorit Enver Hoxha do të shndërrohet në një rezidencë artistësh, shkruan Florelle Guillaume në një artikull të botuar në revistën franceze “Beaux Arts”.

    Ky është projekti i ri i fondacionit “Art Explora”, i cili nuk pushon së habituri me nismat e tij origjinale në favor të krijimit dhe demokratizimit kulturor.

    “Vila 31”, e vendosur në zemër të kryeqytetit të Tiranës, është shtëpia e dikurshme e ish-kryeministrit shqiptar Enver Hoxha, stalinist i egër që sundoi vendin për katër dekada të shënuara nga shtypja e përgjakshme dhe izolimi, por edhe nga dhuna e madhe ndaj artistëve.

    “Që nga vdekja e diktatorit në vitin 1985, ky vend historik kishte mbetur një vilë fantazmë e ngrirë në kohë, me dekorin e saj të stilit hollivudian të viteve 1970”, sipas drejtorit të përgjithshëm të “Art Explora”, Bruno Julliard.

    Tunelet e fshehura, dritat e zbehta neoni, mobiljet prej kadifeje, pishina e pashfrytëzuar dhe bunkerët e fshehtë kontribuojnë në atmosferën e çuditshme dhe të modës së vjetër të kësaj vile, sa të frikshme aq edhe të admiruar nga banorët.

    Në kërkim të një “fati të ri” prej disa vitesh, kryeministri aktual Edi Rama, vetë artist, i shkolluar në Ecole des Beaux-Arts në Paris në vitet 1980, nuk kishte se si të mos e vlerësonte projektin kulturor të Frédéric Jousset, atë të shndërrimit të një meke të intolerancës në një parajsë krijimi për artistë nga e gjithë bota. Një përbuzje e bukur ndaj historisë!

    Rinovimi i “Vilës 31” do t’i besohet kompanisë arkitekturore NeM, e cila realizoi transformimin spektakolar të “Bursës së Tregtisë” në Paris.

    “Qëllim është që as të mos bëhet një muze i diktaturës dhe as të shkelet trashëgimia e saj historike”, tha Bruno Julliard.

    Pjesërisht e hapur vjeshtën e ardhshme, rezidenca prej 4000 metrash katrorë me tetë studio rezidenciale do të mirëpresë që nga dhjetori një valë të parë artistësh dhe krijuesish ndërkombëtarë dhe nga Ballkani.

    “Objektivi është zhvillimi i një programi afatgjatë të kërkimit dhe eksperimentimit artistik, i hapur ndaj botës, por edhe duke nxjerrë në pah dinamizmin e jashtëzakonshëm artistik të Ballkanit”, tha Blanche de Lestrange, drejtoresha artistike e “Art Explora”, shkruan ATSh, transmeton KosovaPress.

    “Vila 31” do të jetë e hapur për publikun përmes seminareve, shfaqjeve të filmave dhe festivaleve.

  • ​Aksident në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë

    ​Aksident në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë

    Në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë, ka ndodhur një aksident trafiku.

    Sipas dëshmitarëve, në vendin ku është bërë aksidentit ka dal Policia e Kosovës dhe ekipi mjekësor.

    Ende nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e të lënduarve dhe dëmeve materiale.

  • Parashikimi i motit për sot, temperaturat pësojnë ulje – pritet reshje shiu

    Parashikimi i motit për sot, temperaturat pësojnë ulje – pritet reshje shiu

    Ditën e sotme parashikohet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe intervale të shkurta me diell.

    Fillimisht gjatë orëve të para të 24-orëshit priten reshje lokale shiu, të cilat në zona të caktuara do të jenë në formë të rrebesheve, të shoqëruara me pak vetëtimë dhe bubullimë, njofton Meteo Kosova.

    Era do fryjë nga drejtimi i jugperëndimit, e cila në momente të veçanta pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 15-61 km/h, transmeton Sinjali.

    Temperaturat do të pësojnë ulje, me minimale që do të lëvizin prej 8 deri në 11°C, ndërsa ato maksimale prej 13 deri në 17.

  • Ambasadori finlandez: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do bëhet realitet

    Ambasadori finlandez: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do bëhet realitet

    Ambasadori i Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, beson shumë se edhe Kosova do të jetë pjesë e aleancës euroatlantike, NATO.

    Madje Nissinen ka thënë se Finlanda do të përkrahë aspiratat e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

    ”Në këndvështrimin afatgjatë mendoj që kjo sigurisht do të ndodhë dhe kjo është nënvizuar vazhdimisht nga liderët e mi politikë. Finlanda do të përkrahë të gjitha aspiratat ndërkombëtare që Kosova ka, dhe kjo përfshinë anëtarësimin në organizata të ndryshme. Besoj që kjo do të bëhet realitet një ditë, por e kam të pamundur të jap afat kohor. Por në aspektin afatgjatë, kam shumë besim që kjo do të ndodhë”, ka thënë Nissinen në tëvë 1.

    Finlanda u bë anëtare e NATO-s në prill të vitit 2023. Ky shtet aplikoi për anëtarësim pas nisjes së agresionit rus ndaj Ukrainës.

  • BBC: Netanyahu potencialisht pjesë e listës së urdhër-arresteve

    BBC: Netanyahu potencialisht pjesë e listës së urdhër-arresteve

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, mund të jetë në mesin e listës për urdhër-arrest nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, shkruan BBC, sipas raportimeve, mes një shqetësimi izraelit për veprime ligjore në Gaza, nga ICC

    Zyrtarët izraelitë janë gjithnjë e më shumë të shqetësuar se gjykata e lartë penale e OKB-së po planifikon të kërkojë urdhër-arreste për udhëheqësit e tyre ushtarakë dhe politikë nën dyshimin për krime lufte,

    Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) ka hetuar veprimet e Izraelit në territoret e pushtuara për tre vitet e fundit – dhe së fundmi edhe veprimet e Hamasit. Ajo ka fuqinë për të akuzuar dhe gjykuar individë për krimet më të rënda sipas ligjit ndërkombëtar.

    Ajo ka lëshuar më parë urdhër-arreste për liderët, duke përfshirë Vladimir Putin të Rusisë, Muammar Gaddafi të Libisë dhe kryekomandantin e Ugandës, Joseph Kony.

    Netanyahu e ka quajtur mundësinë që figura të larta izraelite t’i bashkohen listës së të kërkuarve “një fyerje me përmasa historike”, duke akuzuar ICC-në se po përpiqet të paralizojë aftësinë e Izraelit për t’u mbrojtur.

    Ndërsa ICC nuk i ka konfirmuar pretendimet izraelite, kur kryeprokurori Karim Khan KC vizitoi Izraelin dhe Bregun Perëndimor të pushtuar dhjetorin e kaluar mesazhi i tij ishte i qartë.

    Fakti që ai është zgjedhur për të bërë komente kaq të ashpra publike sugjeron se në prapaskenë, një skenar i tillë po diskutohet në mënyrë aktive.