ATV

Blog

  • Licenca e avancimit, mësimdhënësit do të mund të kenë rritje page

    Licenca e avancimit, mësimdhënësit do të mund të kenë rritje page

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Mësimdhënësit që tashmë mbushin 7 vjet përvojë pune, së shpejti gjatë këtij viti do të kenë mundësi të aplikojnë për licencën e avancuar.

    Licenca, sipas Ministrisë së Arsimit, do t’iu mundësojë edhe rritje të pagës.

    “Nënkupton dy pjesë të provimit, atë me shkrim dhe e dyta nga inspektorati. Për këtë licencë mësimdhënësit do të kenë ngritje të pagës dhe kemi mendu që të jetë 1.2 e vlerës së koeficientit, që nëse e shohim me koeficientin që është sivjet, i bie diku 140 euro shtesë për mësimdhënësit e dalluar”, ka thënë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

    Mundësinë e licencimit e ka mirëpritur Sindikata e Bashkuar e Arsimit, pasi deri më tani një licencë të tillë nuk e posedon asnjë nga mësimdhënësit.

    Ndërkohë, në nivel vendi, sipas Ministrisë së Arsimit, janë 750 mësimdhënës që kanë mundësi t’i nënshtrohen këtij provimi.

    Ndërkohë, MASHTI është në fazën finale të përgatitjes së platformës digjitale për procesin e aplikimit dhe pajisjen me licencë të mësimdhënësve, platformë e cila do të lansohet në e-Kosova.

  • Dënimet për errësim të xhamave, paqartësi në ligjin e ri

    Dënimet për errësim të xhamave, paqartësi në ligjin e ri

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Errësimit të xhamave me letër ngjitëse ua panë sherrin qindra qytetarë në Ferizaj.

    Vetëm gjatë muajit prill, Policia në këtë qytet gjobiti plot 222 qytetarë që errësuan xhamat e automjeteve.

    Por nuk dihet se mbi cilin nen u bazuan policët kur shqiptuan gjobat, meqë ligji i ri i cili hyri në fuqi më 3 prill nuk parasheh gjobë për këtë kundërvajtje.

    Polica tha shkurt se u bazua në ligj.

    “Ju njoftojmë se edhe me Ligjin e ri Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, Ligjin Nr. 05/L-132 për Automjete dhe Udhëzimin Administrativ (MPB) Nr. 04/2023 për Regjistrimin e Mjeteve rregullohet përdorimi i xhamave të errët në mjet, andaj bazuar në këto akte ligjore dhe nënligjore, policia do të shqiptojë gjobë ndaj kundërvajtësve që bëjnë shkelje të këtyre ligjeve”, thuhet në njoftimin e PK-së.

    Por ligjet e aktet nënligjore që i përmendi policia, në asnjë rast nuk i specifikojnë gjobat. Derisa ligji për trafikun rrugor nuk përmend askund decidivisht errësimin e xhamave, ai për automjete rregullimin e kësaj çështjeje e parasheh me akt nënligjor.

    Por as udhëzimi administrativ të cilit i referohet policia nuk specifikon dënim, vetëm se parasheh mënyrën e përdorimit.

    Andaj juristët konsiderojnë se këto gjoba janë të jashtëligjshme.

    “Natyrisht gjobat janë të paarsyeshme, të padrejta dhe të paligjshme, sepse asnjë kundërvajtje dhe asnjë dënim tjetër nuk mund të shqiptohet pa ekzistimin e bazës ligjore, në këtë rast ligji i ri për rregullat e trafikut rrugor nuk e ka parapa si dënim të veçantë, apo gjobë të veçantë specifike errësimin e xhamave”, tha Visar Rrecaj, avokat.

    Errësimi i xhamave ishte i rregulluar me ligjin paraprak, por sipas Rrecajt, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, i vjetri shfuqizohet. Sidoqoftë, me a pa të drejtë, policia tha se do të vazhdojë me shqiptimin e gjobave për këto kundërvajtje.

  • As gjysma e planit të tenderimit s’u realizua nga qeveria për vitin 2023

    As gjysma e planit të tenderimit s’u realizua nga qeveria për vitin 2023

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Ministritë dhe Zyra e Kryeministrit nuk e kanë përmbushur as gjysmën e planit të prokurimit për vitin 2023. Nga 935 aktivitete të tenderimit të planifikuara, vetëm 336 janë realizuar, sipas një raporti të Iniciativës për Progres.

    “Për nga vlera, këto 935 aktivitete kanë pasur vlerë të përbashkët 442 milionë euro, ndërsa kontratat të cilat janë nënshkruar e kanë vlerën afro 84 milionë euro, apo 19 %”, tha Arbër Kabashi, hulumtues në INPO.

    Krahas kësaj, nga 952 kontrata, 463 janë nënshkruar pa qenë fare të planifikuara nga Autoritetet Kontraktuese.

    “Për nga vlera nga 112 milionë euro, 83 milionë euro është vlera e kontratave të planifikuara, ndërkohë 28 milionë euro është vlera e kontratave të cilat nuk kanë qenë të planifikuara”, tha Kabashi.

    Këto statistika, sipas Albulena Nrecaj nga INPO, tregojnë për keqplanifikim nga Ministritë dhe Zyra e Kryeministrit.

    “Në atë plan të prokurimit nuk janë parapa nevojat dhe shërbimet reale që ata kanë nevojë t’i kontraktojnë, në mënyrë që të ofrojnë shërbime më të mira për qytetarët. Në anën tjetër, flet për një mungesë të gatishmërisë për t’i adresuar problemet që paraqiten gjatë vitit, brenda aktiviteteve të prokurimit”, tha Nrecaj.

    Derisa Qeveria e ka realizuar vetëm 35% planin e prokurimit, vlerësohet se më së shumti e pësojnë qytetarët.

    “Anomalia më e madhe është mosrealizimi i investimeve kapitale ku dihet se këto investime luajnë rol kyç në përmirësimin e jetës së qytetarëve”, tha Nrecaj.

    Ministria e Drejtësisë e ka tejkaluar planin e prokurimit për 311% ngase ka planifikuar vetëm 700.000 mijë euro, ndërsa ka nënshkruar kontrata në vlerë 2.6 milionë euro.

    Kurse, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e ka realizuar vetëm 4.17% të planit. MINT-i kishte planifikuar 18 milionë euro, teksa 14 milionë i takojnë rezervës shtetërore.

  • 25 vjet burgim për Enver Sekiraqa

    25 vjet burgim për Enver Sekiraqa

    Përgatiti: Nora Luta

    Për herë të tretë, Enver Sekiraqa është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

    Sekiraqa është dënuar me 25 vjet burgim për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, dhjetë më pak se Arben Berisha, i dënuar për vrasjen e ish-policit.

    Por, plotfuqishmërinë e vendimit të paktën deri në një vendim tjetër, Sekiraqa do ta presë në liri, pasi gjykata ia ndërpreu masën e arrestit shtëpiak.

    I zhgënjyer me vendimin e gjykatës është shprehur babai i Triumfit, Shefqet Riza.

    Në shpalljen e aktgjykimit nuk ishte i pranishëm Sekiraqa, e as avokatja Kosovare Kelmendi.

    Pjesëtari i Njësisë Speciale të Kosovës, Triumf Riza, është vrarë 17 vjet më parë, në moshën 27-vjeçare.

    Për vrasjen e tij është dënuar Arben Berisha me 35 vjet burgim, i cili e ka pranuar se e kreu veprën penale.

    Ndërkohë, gjykimi maratonik ndaj Sekiraqës, kishte nisur në vitin 2014.

    Në gjykimin e parë i ishte shqiptuar dënim unik prej 37 vjetësh burgim, por rasti ishte kthyer në rigjykim nga Apeli.

    Apeli e ktheu në rigjykim edhe në vitin 2020, një vit pasi ishte dënuar me 30 vjet burgim.

    Ndërkaq, në gjykimin e tretë u dëgjuan dy dëshmitarë për herë të parë. Arben Selmanaj, shok dhe koleg i Triumift, u dëgjua përmes video-lidhjes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai gjatë dëshmisë kishte shprehur bindjen se Sekiraqa e kishte orkestruar vrasjen.

    Pas propozimit të PSRK-së që Selmanaj të dëgjohet, mbrojtja kishte propozuar Gjon Kqirën, i cili kryesisht paraqiti versionin e tij rreth incidentit në “Swiss Casino”.

    Gjatë këtij procesi dëshmoi edhe këngëtarja Adelina Ismajli dhe familjarë të saj, por seancat ishin të mbyllura për publikun.

    Ndërkohë, Sekiraqës iu ndryshua masa e sigurisë edhe më 9 shkurt të këtij viti, duke iu caktuar vetëm masa e paraqitjes në stacionin policor, por në fund të muajit Apeli e ktheu në arrest shtëpiak.

    Ai ishte në arrati për rreth pesë vjet.

    Në arrati ishte deri në korrik të vitit të kaluar edhe i dyshuari tjetër Ilir Abdullahu, kur edhe u arrestua, por ndaj tij aktualisht nuk ka aktakuzë.

  • “Reporterët pa kufij” Kosova shënon regres në lirinë e medias

    “Reporterët pa kufij” Kosova shënon regres në lirinë e medias

    Përgatiti: Sara Shehu

    Kosova është renditur 19 vende më poshtë në Indeksin vjetor të Lirisë së Shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij. Këtë vit Kosova u rendit në vendin e 75 në botë nga 180 shtete, për dallim nga viti i kaluar kur ishte në vendin e 56-të.

    Raporti, sipas kryetarit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, duhet të jetë sinjal për Qeverinë.

    Në raportin e organizatës Reporterët pa Kufij, gazetarët në Kosovë, pavarësisht se vazhdojnë t’i mbajnë përgjegjës politikanët, vazhdojnë të jenë “cak edhe i sulmeve politike”. Por pavarësisht rënies në indeks, Kosova qëndron më mirë se mediat në rajon.

    Derisa AGK-ja bashkë me misionin e OSBE-së në Kosovë dhe Këshillin e Mediave të Shkruara organizuan një diskutim rreth sfidave të ruajtjes së standardeve profesionale dhe kodit të etikës gjatë raportimit, theksuan se Qeveria duhet të bëjë veprime konkrete në përmirësimin e situatës aktuale.

    “Sot është dita për ta festuar rolin vital të mediave në demokraci, për ta informuar publik dhe për t’i mbajtur autoritetet përgjegjëse. Nuk është keq që të kujtojmë sot që gazetarët duhet të ndihen në gjendje të mirë dhe të fortë, për ta bërë punën e tyre të lirë së pari. Raporti i Reporterëve pa Kufij e ka vendosur Kosovën në vendin e 75-të dhe nuk ka dyshim që në 12 muajt e fundit kemi pasur rritje të dhunës ndaj gazetarëve”, tha shefi i misionit të OSBE-së, Michael Davenport.

    Ndryshe, gazetarët e Kosovës vitin e shkuar ishin edhe cak i sulmeve fizike gjatë raportimeve nga veriu.

  • Faturat e KEDS-it tashmë mund t’i paguani edhe përmes platformës eKosova

    Faturat e KEDS-it tashmë mund t’i paguani edhe përmes platformës eKosova

    KESCO në bashkëpunim me platformën shtetërore eKosova, kanë krijuar mundësinë e pagesave të energjisë elektrike, por edhe për ta shikuar atë në mënyrë digjitale.

    Nga kjo kompani bëjnë të ditur se përpos pagesave në arkat e tyre, institucioneve financiare bankare dhe jobankare, si dhe aplikacionit eKesco, qytetarët e Kosovës dhe bashkëqytetarët nga diaspora mund të kryejnë pagesat shpejt dhe lehtë edhe përmes kësaj platforme.

    “Vlen të theksohet që për ta realizuar pagesën e energjisë elektrike në eKosova, secili konsumator fillimisht duhet ta përzgjedhë distriktin, varësisht regjionit, dhe më pas ta shkruajnë edhe shifrën e konsumatorit e cila është e veçantë dhe individuale për secilin. Psh: DPR 1234”, thuhet në njoftim.

    Tutje bëhet e ditur se pavarësisht se në cilën bankë jeni klientë, mjafton të keni një kartelë VISA ose MasterCard, për të vazhduar me hapat që u kërkohen për ta kryer pagesën. Banka që ju shfaqet gjatë kryerjes së pagesës është vetëm ndërmjetësuese, dhe transaksioni juaj realizohet në kohë reale, pa tarifë shtesë.

  • ​EURO 2024/25 – Grupmoshat U17 dhe U19 të Kosovës mësojnë kundërshtarët

    ​EURO 2024/25 – Grupmoshat U17 dhe U19 të Kosovës mësojnë kundërshtarët

    Sot në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës u bë tërheqja e shortit për raundin e parë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2024/25, ku Kombëtarja e Kosovës në grupmoshat U17 dhe U19 tanimë ka mësuar kundërshtarët.

    Ekipet kombëtare të grupmoshave U17 janë ndarë në 14 grupe, ku shorti i sotëm e ka vendosur Kosovën U17 në Grupin 4 së bashku me Belgjikën, Ukrainën dhe Kazakistanin, raporton KosovaPress.

    Me datën 6 maj do të vendoset shteti nikoqir i turneut kualifikues të këtij grupi, ndërsa Evropiani 2025 me tetë ekipet finaliste do të zhvillohet në Shqipëri.

    Ndërkaq, sot shorti i raundit kualifikues për Kampionatin Evropian 2024/25 u hodh edhe për Kosovën U19, i cili ka përcaktuar 13 grupet që do të fillojnë rrugëtimin drejt turneut final me tetë ekipe, që do të mbahet në Rumani në verën e vitit 2025.

    Kosova U19 është pozicionuar në Grupin 10 së bashku me Spanjën, Austrinë dhe Ishujt Faroe.

  • MPJD-ja konfirmon se Petkoviqit iu refuzua vizita në Kosovë

    MPJD-ja konfirmon se Petkoviqit iu refuzua vizita në Kosovë

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, i është refuzuar vizita në Kosovë.

    Nga kjo ministri nuk treguan arsyet e refuzimit të kërkesës për vizitë.

    Më herët gjatë 3 majit, Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe tha se Petkoviqi kishte kërkuar që të vizitonte Kosovën për Pashkët Ortodokse gjatë fundjavës.

    Sipas një njoftimi të kësaj zyreje, Petkoviq gjatë kësaj vizite ishte paraparë të merrte pjesë në liturgjinë e mesnatës për Pashkët në Manastirin e Deçanit, pastaj në shërbesën në Manastirin e Graçanicës në mëngjesin e Pashkëve dhe në një takim me të rinjtë në Manastirin e Draganacit.

    “Ndonëse vizita ishte ekskluzivisht e karakterit fetar dhe përfshinte ekskluzivisht vizita në manastire dhe në vendet e shenjta të Kishës Ortodokse Serbe, në frymën e festës më të madhe për serbët, pa qëllime politike, autoritetet në Prishtinë e ndaluan vizitën e tij pa asnjë shpjegim”, tha Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe.

    Kjo zyrë tha se për më shumë se një vit, Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, po e pengon Petkoviqin që të vizitojë serbët në Kosovë.

    “Këto ndalime [të vizitave] jo që janë të pabaza, por paraqesin edhe shkelje të drejtpërdrejtë të Marrëveshjes për lëvizjen e lirë dhe atë për vizita zyrtare, veçmas kur bëhet fjalë për kryenegociatorin në dialog nga pala serbe”.

    Edhe në të kaluarën, Kosova ka refuzuar kërkesat e parashtruara nga Petkoviq për të zhvilluar vizita, duke thënë se refuzimi ishte për shkak të “deklaratave provokuese”.

    Ndërkaq, në janar të këtij viti, Serbia ia refuzoi kërkesën për vizitë ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla. Ai kishte planifikuar që të vizitonte komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, që janë të banuara me shqiptarë.

    Çështja e vizitave zyrtare mes Kosovës dhe Serbisë rregullohet përmes një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Këto vizita duhet të paralajmërohen përmes zyrtarëve ndërlidhës të Kosovës dhe Serbisë. Ndërkaq, autoritetet e shteteve përkatëse duhet t’i autorizojnë ato./REL/

  • ​Këto dy ministri nënshkruan marrëveshje për energji më të pastër me MCA-Kosova

    ​Këto dy ministri nënshkruan marrëveshje për energji më të pastër me MCA-Kosova

    Një hap i rëndësishëm në peizazhin energjetik të Kosovës është shënuar, pasi u nënshkruan marrëveshjet kyçe ndërmjet Qeverisë dhe MCA-Kosova. Ministria e Ekonomisë nënshkroi Marrëveshjen e Entit Zbatues (IEA) me MCA-Kosova për Aktivitetin Multifunksional të Ruajtjes së Energjisë (MFES), ndërsa Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me (Millenium Challenge Acount – Kosova) MCA-Kosova për Energjinë dhe Aktivitetin e Mbështetjes së Politikave Klimatike në kuadër të Programit Kompakt.

    Në njoftim thuhet se këto marrëveshje janë thelbësore për zbatimin e suksesshëm të aktiviteteve të Kompaktit, të cilat janë komponentë integrale të strategjisë së Kosovës për rritjen e sigurisë energjetike dhe kalimin në burime më të pastra të energjisë.

    “Pothuajse 2 milionë njerëz do të përfitojnë nga Programi Kompakt, investim ky në energji, më i madhi në 50 vitet e fundit. Deri në përfundim, Kosova pritet të ketë më së shumti ruajtje të baterive për kokë banori në botë”, citohet Florina Duli – Sefaj, kryeshefe ekzekutive e MCA-Kosova.

    Më tej thuhet se në mënyrë të veçantë, aktiviteti i MFES-it synon të mbështesë sigurinë energjetike të Kosovës dhe tranzicionin në një të ardhme me energji më të pastër, duke përdorur sistemet e ruajtjes së energjisë për rezerva, duke siguruar disponueshmërinë e sistemeve të magazinimit dhe duke reduktuar kostot për të siguruar energji adekuate për Kosovën.

    “Programi është hartuar dhe negociuar në një mënyrë që e vendos pronësinë e shtetit në qendër, një vlerë thelbësore e MCC-së që ne e vlerësojmë shumë. Ne jemi të përkushtuar që ta implementojmë programin me sukses dhe në kohë, e që Kosova të merret si shembull i suksesit kur flitet për programet e MCC-së”, citohet ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në komunikatë.

    Sipas njoftimit, në mars të vitit 2024, Qeveria e Kosovës ndërmori një hap të rëndësishëm duke krijuar strukturën e pronësisë së Ndërmarrjes Publike “Korporata për Ruajtjen e Energjisë” (KRE). KRE është vendosur të zotërojë dhe operojë rreth 125 MË për dy orë (ekuivalente me 250 MËh) të një ose më shumë sistemeve të ruajtjes së energjisë së baterive dhe sistemeve të tjera potenciale të ruajtjes së energjisë elektrike.

    Ministri Liburn Aliu ka theksuar se bashkë me Ministrinë e Ekonomisë dhe MCC-në, po fillojmë bashkëpunimin për një qasje sistematike për llogaritjen e gazrave serrë, kështu për të ndihmuar për Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës dhe sektorin e tyre të ri për inventarin e GS.

    “Gjithashtu, do të ketë ndihmë për Departamentin e Mbrojtjes së Mjedisit, për të trajnuar dhe rritur kapacitetet e stafit përkatës, për të kuptuar më mirë teknologjitë e ruajtjes së baterive dhe mënyrën e trajtimit të anës së vlerësimit të ndikimit mjedisor të këtyre projekteve”, ka pohuar Aliu, thuhet në njoftim.

    Po ashtu në njoftim thuhet se të dyja ministritë po shërbejnë si partnerë qeveritarë në zbatimin e asistencës teknike të financuar nga Kompakti.

    Marrëveshja e Entit Zbatues dhe Memorandumi i Mirëkuptimit janë pjesë e Programit Kompakt të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC). Programi Kompakt MCC prej 202 milionë dollarësh, së bashku me një kontribut prej 34.6 milionë dollarësh nga Qeveria e Kosovës, e çon totalin në 236.6 milionë dollarë.

    “Kjo iniciativë adreson sfidën e furnizimit jo të besueshëm me energji elektrike në Kosovë, përputhet me prioritetet e zhvillimit kombëtar dhe energjetik të qeverisë, dhe synon të ulë varfërinë dhe të nxisë rritjen e qëndrueshme ekonomike në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

  • Gjashtë ushqimet më të mira kundër fryrjes së stomakut

    Gjashtë ushqimet më të mira kundër fryrjes së stomakut

    Dhimbjet e barkut, gazrat dhe fryrja e stomakut janë kryesisht simptoma të një tretjeje problematike por edhe pasoja të ushqyerjes së keqe.

    Ka ushqime të caktuara të cilat shkaktojnë një fryrje artificiale të stomakut por edhe gazra të vazhdueshme dhe një ndjesi parehatie të madhe.

    Në shumë raste, fryrja e stomakut mund të eliminohet falë konsumit të ushqimeve dhe pijeve të caktuara të shëndetshme për tretjen.

    Cilat Janë Ushqimet Që Eliminojnë Fryrjen e Stomakut?
    Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni për ushqimet më të mira të cilat jo vetëm që nuk ju fryjnë por edhe ndihmojnë në mbajtjen e një stomaku të sheshtë.

    Kivi
    Kivi është një frut shumë i pasur me fibër.

    Ekspertët thonë se ngrënia e dy frutave në ditë për katër javë me radhë eliminon konstipacionin dhe fryrjet e stomakut.

    Çaji i Nenexhikut
    Ky çaj është përdorur prej shekujsh për të përmirësuar tretjen dhe zgjidhur problemet e stomakut.

    Studimet thonë se ky çaj ose suplementët e nenexhikut mund të konsumohen rregullisht për katër javë.

    Në këtë mënyrë ato do të përgjysmojnë simptomat e problemeve me tretjen dhe do të shfryjnë stomakun.

    Banania
    Ky frut është një burim shumë i pasur i fibrës e cila ushqen bakteret e mira në stomak dhe përmirëson tretjen.

    Gratë që hanë dy banane në ditë për 2 muaj me radhë kanë një bark më të sheshtë.

    Kefiri
    Kefiri përmban një enzimë të rëndësishme që shpërbën laktozën, një sheqernë tek qumështi që shkakton probleme me stomakun.

    Pirja e kefirit zgjidh problemet me tretjen dhe eliminon fryrjen dhe gazrat me të paktën 70%.

    Xhenxhefili
    Xhenxheri është përdorur prej mijëra vitesh për të qetësuar stomakun dhe përmirësuar tretjen.

    Ai qetëson muskujt dhe lejon trupin të nxjerrë gazrat më me lehtësi.

    Xhinxheri, një prej përbërësve kryesorë të këtij zhardhoku, ofron përfitime të shkëlqyera për stomakun dhe tretjen.

    Pjepri
    Pjepri ka aftësi çliruese dhe ndihmon në eliminimin e ujërave të tepërt nga organizmi.

    Ai shfryn stomakun por edhe shërben si një zëvendësues natyral i elektroliteve sepse është shumë i pasur me kalium./AgroWeb.org