ATV

Blog

  • Krasniqi kthehet sonte në ring, do të përballet me Silvan

    Krasniqi kthehet sonte në ring, do të përballet me Silvan

    Robin (Haxhi) Krasniqi do të ngjitet sonte në ring, nëntë muaj pas meçit të fundit të cilin e zhvilloi në Kosovë.

    Boksieri nga Kosova do të përballet me portugezin, Jorge Silva.

    Ky meç do të zhvillohet në “Neue Sporthalle”, në Augsburg të Gjermanisë – teksa pritet të fillojë rreth orës 23:00.

    Përballja mes tyre është e planifikuar për 10 raunde.

    Meçi nuk është i vlefshëm për ndonjë titull në boks apo kualifikim për ndonjë titull, teksa i takon kategorisë gjysmë të rëndë.

    Për Krasniqin do të jetë ky meçi i 61-të në boksin profesionist. Ai ka 53 fitore dhe shtatë humbje. 20 prej fitoreve i ka arritur me nok-aut.

    37-vjeçari meçin e fundit e kishte zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku kishte triumfuar ndaj Nadjib Mohammedi, në një meç që ishte shoqëruar me polemika të shumta.

    Në anën tjetër, 40-vjeçari nga Portugalia i ka 22 fitore dhe nëntë humbje në karrierë. 12 prej fitorve i ka me nok-aut.

    Vlen të theksohet se sonte do të boksojnë edhe shqiptarë të tjerë si Granit Stein (Bylygbashi), Isuf Kelmendi, Kushtrim Tahirukaj e Atdhe Delijaj. Në total do të jenë nëntë meçe.

    Mbrëmja e boksit është e organizuar nga vet ekipi i Robin Krasniqit.

  • Arrestohet një burrë në Malishevë, dyshohet se vazhdimisht ushtroi dhunë psikike dhe tentoi ta rrah nënën

    Arrestohet një burrë në Malishevë, dyshohet se vazhdimisht ushtroi dhunë psikike dhe tentoi ta rrah nënën

    Është arrestuar një mashkull në Malishevë, pasi dyshohet se vazhdimisht ka ushtruar dhunë psikike, si dhe ka tentuar ta sulmonte fizikisht nënën e tij.

    “Malishevë  03.05.2024 – 13:10.  Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi i njëjti në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë psikike, si dhe tentuar dhe ta sulmonte fizikisht nënën e tij”, thuhet në raportin policor.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

     

  • Dy persona tentuan ta djegin me benzinë një shkollë në Prishtinë

    Dy persona tentuan ta djegin me benzinë një shkollë në Prishtinë

    Të premten në Prishtinë, dy persona të maskuar kanë tentuar të hedhin lëndë djegëse në një shkollë të Prishtinës, për t’ia vënë zjarrin.

    Të dyshuarit të maskuar kanë thyer dritaren e objektit të shkollës.

    Pasi janë hetuar nga personeli i shkollës, të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur.

    “Raportohet se dy persona të panjohur, të maskuar, duke thyer dritaren e objektit të shkollës, kanë hedhur lëndë djegëse-benzinë dhe kanë tentuar t’ia vunë zjarrin, por pasi janë diktuar nga personeli i shkollës të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur. Është njoftuar prokurori, rasti vazhdon të hetohet”, shkruhet në raportin e Policisë.

    Policia e Kosovës bën të ditur se rasti po vazhdon të hetohet.

  • Zhduket një vajzë 16-vjeçare në Ferizaj

    Zhduket një vajzë 16-vjeçare në Ferizaj

    Një vajzë 16 vjeçe në Ferizaj është zhdukur.

    Për zhdukjen e vajzës, në Polici ka raportuar babai i saj, i cili ka bërë të ditur se nuk e di vendndodhjen e vajzës së tij që nga data 1 maj.

    Rasti është në procedurë hetimore.

    “Me 03.05.2024 një mashkull kosovar ka raportuar se vajza e tij (16 vjeç) ishte larguar nga shtëpia dhe nuk kanë njohuri për vend ndodhjen e saj. Rasti në procedurë hetimore”, njofton Policia e Kosovës.

  • Vdes një grua shtatzënë në Spitalin e Prizrenit, Policia nis hetimet

    Vdes një grua shtatzënë në Spitalin e Prizrenit, Policia nis hetimet

    Një grua ka vdekur dje në repartin e Gjinekologjisë në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Lidhur me rastin, Policia tashmë ka nisur hetimet.

    Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se, sipas mjekëve, viktima ishte pranuar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

    “HETIM I VDEKJES  – Spitali Rajonal, Prizren 03.05.2024 – 07:46.   Në repartin e Gjinekologjisë të Spitalit Rajonal Prizren, ka ndërruar jetë viktima femër. Sipas mjekëve viktima ishte pranuar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.

  • Presidenti kinez do të vizitojë Serbinë, Francën dhe Hungarinë

    Presidenti kinez do të vizitojë Serbinë, Francën dhe Hungarinë

    Presidenti i Kinës, Xi Jinping, do të vizitojë Evropën javën e ardhshme për herë të parë në pesë vjet.

    Ai do të vizitojë Serbinë, Francën, dhe Hungarinë.

    Vizita vjen pasi Kina po përpiqet të shmangë një luftë tregtare me BE-në, ndërsa qëndrimet ndaj Pekinit në bllok po forcohen pas skandaleve të shumta të spiunazhit dhe mbështetjes së vazhdueshme të Kinës për Rusinë në luftën në Ukrainë.

    Vizita e parë e Xi do të jetë Parisi, raporton The Guardian.

    Të hënën ai do të takohet me presidentin francez Emmanuel Macron dhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

  • Zgjedhjet evropiane të qershorit, Kurti udhëton drejt Gjermanisë për t’iu bashkuar konferencës së socialistëve

    Zgjedhjet evropiane të qershorit, Kurti udhëton drejt Gjermanisë për t’iu bashkuar konferencës së socialistëve

    Zyra për Media e Qeverisë së Kosovës ka njoftuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Gjermani për të marrë pjesë në konferencën e Partisë së Socialistëve Evropianë.

    “Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar sot për në Berlin të Gjermanisë ku do të marrë pjesë në konferencën e nivelit të lartë të Partisë së Socialistëve Evropianë (PES) me titull “Qëndrojmë bashkë – për Evropën tonë” (We stand together – for our Europe)”, thuhet në njofitmin e ZKM-së.

    Kjo konferencë e radhës e PES po organizohet në kuadër të përgatitjeve të partive socialiste për zgjedhjet evropiane të qershorit.

  • (VIDEO) Në njërën dorë kryqin, gruaja djeg Kuranin në mes të Malmos një javë para nisjes së Eurovizionit

    (VIDEO) Në njërën dorë kryqin, gruaja djeg Kuranin në mes të Malmos një javë para nisjes së Eurovizionit

    Një grua dogji një kopje të Kuranit në qytetin suedez të Malmos, një javë para fillimit të Eurovizionit.

    Një video që tregon një grua duke mbajtur një kryq në njërën dorë dhe në tjetrën kishte librin e shenjtë të myslimanëve duke u djegur është transmetuar drejtpërdrejt në TikTok.

    Gjatë incidentit jo shumë larg dy sallave ku do të mbahet festivali evropian i muzikës është djegur edhe flamuri palestinez, shkruajnë mediat.

    Kujtojmë se edhe javën e kaluar, po e njëjta grua, gati në të njëjtën mënyrë ka vepruar në zonën Skarholmen në periferi të kryeqytetit suedez, Stokholm.

    Rreth 300 qyetatarë dhe dhjetëra oficerë policie ishin në vennngjarje përpara djegies së Kuranit.

    Djegia e Kuranit në Danimarkë dhe Suedi vitin e kaluar shkaktoi reagime të zemëruara dhe nganjëherë protesta të dhunshme në vendet me shumicë myslimane, por në Suedi akti bie nën ligjin për lirinë e fjalës dhe është i ligjshëm.

    Duke filluar nga nesër, një javë me koncerte dhe festa të shumta do të mbahet në këtë qytet jugor, duke kulmuar në finalen e madhe të Eurovizionit më 11 maj.

    Mbi 100 mijë njerëz pritet të vizitojnë Malmon gjatë javës së Eurovizionit.

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Për të shtunën parashikohet fillimisht të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje shiu të intensitetit të ndryshueshëm, të pranishme në pjesën dërrmuese të Kosovës që nga orët e para të 24-orëshit e deri në orët e mëngjesit.

    Gjatë ditës priten vranësira të pjesshme, përderisa reshjet do të reduktohen, duke mbetur të pranishme vetëm në zona të caktuara, kryesisht në formë të rrebesheve kalimtare, të shoqëruara me ndonjë vetëtimë dhe bubullimë.

    Era do fryjë kryesisht nga drejtimi i veriut, e cila në momente të veçanta pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 15-50 km/h!

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 8 deri në 10°C, ndërsa ato maksimale prej 15 deri në 19°C.

  • Hapet dyqani i parë social në Prishtinë

    Hapet dyqani i parë social në Prishtinë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Që nga sot, rastet sociale të kryeqytetit mund të pajisjen me produkte të ndryshme nga ky dyqan.

    Dyqani i parë social bamirës, i cili u hap të premten, përmban produktet esenciale, nga ato ushqimore e deri tek ato higjienike.

    Në hapjen e dyqanit i pranishëm ishte edhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj. Ai tha se familjet nevojtare mund të vijnë pa hezitim, madje kishte menduar edhe për ata që nuk kanë mundësi transporti.

    Hapja e dyqanit u bë në bashkëpunim me shoqatën “Bereqeti”.

    Ndërkaq, një familje nevojtare do të ketë një shumë të caktuar brenda muajit, të cilën mund ta shfrytëzojë në këtë dyqan.