ATV

Blog

  • Çmime të larta të produkteve bujqësore

    Çmime të larta të produkteve bujqësore

    Përgatiti: Sara Shehu

    Prodhimet bujqësore në Kosovë po vazhdojnë të shtrenjtohen.

    Në tre muajt e parë të këtij viti, sipas Agjencisë së Statistikave, këto produkte patën çmim më të lartë për 5.3%, krahasuar me periudhën e njëjtë të 2023-ës.

    Kjo kategori ndahet në prodhime bimore dhe blegtorale. Të parat, që përfshijnë drithërat, perimet e pemët, u shtrenjtuan për 2.8%, ndërsa dallim vërehet më shumë te çmimi i produkteve të kafshëve, për 7.3%.

    Njohësi i ekonomisë , Zekirja Shabani, thotë se këto çmime ndikojnë drejtpërdrejt në xhepin e qytetarëve.

    Një nga tregjet më të frekuentuara është ai i Bresjes në Fushë Kosovë. Qytetarët ankohen se për çmimet e larta.

    Sipas tyre, problem tjetër vazhdon të jetë edhe dallimi i çmimeve të produkteve ushqimore nëpër dyqane. Norma vjetore e inflacionit për muajin mars në Kosovë ishte 2.3%.

  • E dhimbshme: Invalidi i luftës mbeti me vite brenda në shtëpi se nuk e ndërronte dot protezën

    E dhimbshme: Invalidi i luftës mbeti me vite brenda në shtëpi se nuk e ndërronte dot protezën

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Mbajtja e protezës më gjatë se që ishte parashikuar, nuk e la pa pasoja.

    Qazim Hajdari, ndërrimin e protezës në këmben tij duhet ta bëjë çdo 2 vjet, por kësaj here e mbajti më shumë se 5.

    Derisa nuk kishte fonde të ndara nga Qeveria për këtë kategori, Hajdari nuk arriti që shumën e protezës ta përballonte i vetëm, dhe kështu për disa vjet ai lëvizi me karrocë.

    “2 vjet e 8 muaj kom nejt pa protezë, nuk u kanë hiq lehet, veç kush mujke mem nimu, dikur ma sjellën ni kolic..”, tha Hajdari.

    Mirëpo, Hajdari arriti ta ndërrojë protezën, para 3 jave, pasi që Qeveria së fundmi ekzekutoi mjetet për këtë kategori.

    “Proteza më ka kushtua 5 mijë euro, jam shumë i kënaqur edhe ma i kënaqur që e kom ba në Kosovë te një shqiptar..”, tha Hajdari.

    Ndërkaq, nga 105 invalidët që kanë nevojë për proteza deri më tani 45 e kanë fituar këtë të drejtë.

    “45 invalid e kanë marrë dokumentacionin prej Qendrës Klinike Universitare dhe e kanë dorëzuar në Fondin për Sigurime Shëndetësore, janë marr masat dhe po punohet intensivisht aty ku dëshiron vet invalidi”, tha Fadil Shurdhaj nga shoqata e Invalidëve.

    Ani pse me shumë vonesë, sipas Shurdhaj paratë që Qeveria i ndau janë të mjaftueshme.

    “Është shumë e mjaftueshme pasi protezat kanë dy vite garancion, do të thotë ata që e marrin sivjet edhe dy vite nuk kanë nevojë, meqë institucionet publike shëndetësore nuk i ofrojnë këto shërbime”, tha Shurdhaj.

    Pas shumë kërkesave, në fund të muajit mars Qeveria ndau mbi 2 milionë euro për mbulim të trajtimit mjekësor të personave me status të invalidit të luftës, për qëllim të ndërrimit, mirëmbajtjes apo vendosjes së protezave jashtë institucioneve shëndetësore publik.

    Kjo shumë do të shfrytëzohet për tri vitet e ardhshme.

  • Lajcak e Escobar në fund të mandatit, analistët s’kanë arritur asnjë rezultat

    Lajcak e Escobar në fund të mandatit, analistët s’kanë arritur asnjë rezultat

    Përgatiti: Haris Ademi

    Miroslav Lajcak tha se u zhyt në diskutime të thella me Gabriel Escobar, në takimin e së martës, në Uashington.

    Dy emisarëve tw Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, planifikon t’i bashkohet edhe Ndihmës-sekretari Amerikan i Shtetit, James O’Brien, për ta koordinuar mbështetjen SHBA-Be për Ballkanin Perëndimor.

    Njohësit thonë se këto mund të jenë ndër aktivitetet e fundit të Lajcak e Escobar në postet aktuale.

    Amerikani tashmë është konfirmuar se do të lëviz javët në vijim në një detyrë tjetër diplomatike. Ndërsa sllovenit i përfundon mandati në gusht, si ndërmjetësues në dialog.

    Njohësi i këtij procesi, Dorajet Imeri, thotë se nuk pret dinamikë në ditët e fundit të punës së dyshes.

    “Nuk ka asnjë indikacion, Kosova e ka të qartë që nuk është e gatshme për Asociacionin, përderisa Serbia nuk është e gatshme për ta nënshkruar marrëveshjen… Të dy nuk kanë arritur asnjë rezultat, për shkakun se si e kanë parë negociatat”, tha Imeri.

    Krejt 2024-ta në raportet Kosovë-Serbi do të jetë e qetë, sipas politologut Fidan Ukaj.

    “Dinamika e facilitimit nga emisarët e SHBA dhe BE do të bie, në qershor kemi zgjedhje në BE, kurse në fundvit në SHBA. Shto kësaj edhe largimin nga përgjegjësitë të Lajcakut dhe Escobarit”, tha Ukaj.

    Ndryshe mendon Gëzim Qerimi, që thotë se pret dinamikë, sidomos nga Bashkimi Evropian, pas miratimit të Planit Financiar për Ballkanin Perëndimor, nga ku Kosova e Serbia mund të përfitojnë vetëm nëse përparojnë në dialog.

    Mirëpo ky thotë se nga cilitdo emisarë të rinj që mund të emërohen, nuk mund të priten ndryshime të mëdha.

    “Një emër tjetër do ta ndryshonte klimën, por jo procesin, sepse procesi nuk varet nga përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së, por nga politikat e Bashkimit Evropian, ata vetëm i përfaqësojnë interesat”, tha Qerimi.

    Për ta zëvendësuar Lajcakun, ka treguar ambiciet ish-presidenti slloven, Borut Pahor. Ndërsa ende nuk është bërë e ditur se kë mund ta dërgojë SHBA-ja për t’u marrë me Ballkanin Perëndimor.

  • Mbi 1,2 milion kosovarë marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë

    Mbi 1,2 milion kosovarë marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë

    Përgatiti: Armand Hoti

    Mbi 1,2 milion kosovarë morën pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë proces i cili do të përmbyllet më 17 maj.

    “Deri më tani po i shihni të dhënat ku janë regjistruar mbi 1,204,560 dhe regjistrimi është duke shkruar sipas planit. Edhe komunitetet, të gjitha janë duke marrë pjesë, disa komuna në veri nga serbët ka ende hezitim, një pjesë e tyre po regjistrohet, ka një hezitim por një pjesë po regjistrohet”, tha Avni Kastrati, u.d i kryeshefit të ASK-së.

    Mazllum Baraliu, ekspert i programit për zhvillim i OKB-së shprehet i kënaqur me gatishmërinë e qytetarëve për t’u regjistruar. Ai pret që këtë herë Kosova të numërojë më pak banorë, krahasuar me vitin 2011.

    “Lajm i mirë sepse ka pasur lajme, pritshmëri edhe më pesimiste do thoja pra shumë njerëz nga brenda dhe jashtë Kosovës, miq dhe armiq të Kosovës kanë menduar se jemi shumë më pak dhe do të dalim edhe më pak sa që jemi”, tha Baraliu.

    Edhe demografi Sami Behrami, është skeptik se Kosova ka banorë sa kishte 13 vjet më parë duke e përmendur migrimin si faktorin kryesor dhe rënien e natalitetit.

    “Popullsia e Kosovës do lëviz mes 1.5 ose 1.6 milion banorë…Faktori kryesor dhe më i rëndësishmi është emigrimi dhe fluksi shumë i lartë i migrimeve nga Kosova. Për informacionin tuaj dhe shikuesve tuaj, Kosovën në vitin 2021 dhe 2022 e kanë braktisur 40 mijë banorë, brenda vitit…nga migrimet përfshihen gjeneratat dhe grupmoshat më të afta për riprodhim, për punë dhe për siguri të vendit”, tha Behrami.

    Referuar të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, komuniteti serb në veri të vendit, del të jetë më hezituesi karshi procesit të regjistrimit.

  • Mbi 172 mijë qytetarë e kaluan fundjavën jashtë Kosovës

    Mbi 172 mijë qytetarë e kaluan fundjavën jashtë Kosovës

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Për të 5 herë që nga viti i ri, punonjësit e sektorit publik e lidhën pushimin edhe të hënën.

    Së fundmi për pashkët ortodokse që rastisën të jenë të dielën.

    E qytetarët që e shfrytëzuan këtë pushim për vizita jashtë vendit nuk qenë hiç pak.

    Nga e premtja tek e hëna, plot 172.560 qytetarë kaluan përmes pikave kufitare në vendet e rajonit.

    Fluks më i madh ishte në pikë kalimin me Shqipërinë në Morinë, të cilin e shfrytëzuan 94.826 qytetarë.

    Nga ta mbi 32 mijë përdorën veturat si mjet udhëtimi. Sipas ekonomistëve qytetarët shpenzuan mbi 200 milionë euro në vendet tjera.

    Shpenzimi i parasë në vendet e huaja, thonë se e rendon ekonominë e vendit.

    “Ka efekte të dëmshme në ekonomi për shkak se këto të hyra nuk shpenzohen në brenda por dalin jashtë territorit të Kosovës, por duhet të kemi të qartë sepse Kosova nuk mund t’i ndaloj derisa nuk e kemi një kësi lloj turizmi”, tha Mustafë Kadrijaj, ekonomist.

    Ekonomistët thonë se dhe më shumë ndikon fakti që Kosova nuk ofron mundësi për turizëm sikurse vendet tjera, dhe rrjedhimisht, shumë më shumë para dalin nga Kosova se sa që hyjnë.

    Veç të hënës, administrata shtetërorë do të pushoi edhe të enjten, kësaj radhe për festën e ditës së Evropës.

  • Raporti për heqjen eventuale të masave, “në prag të finalizimit”

    Raporti për heqjen eventuale të masave, “në prag të finalizimit”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Heqja eventuale e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës mund të jetë në rend dite, së shpejti.

    Shefi i politikës së jashtme të unionit 27-anëtarësh, Josep Borrell, është në fazën përmbyllëse të hartimit të dokumentit, i cili do të shërbejë si bazë për vendim-marrje.

    “Unë mund vetëm të konfirmoj, pa diskutuar për procesin që po vijon në Këshill, që raporti është gati të finalizohet dhe përfundimisht t’u dërgohet shteteve anëtare. Por, nuk do të komentonim për afatet kohore dhe përmbajtjen, për shkak se janë procedura të brendshme”, tha zëdhënësi për Punë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano.

    Përkundër që ishin vendosur pa votim, përfshirja në konkluzat e Këshillit të BE-së, më vonë, e bën të domosdoshëm pajtimin e plotë nga shtetet anëtare për heqjen masave.

    “Procedura në thelb është përcaktuar në konkluzat e Këshillit për Çështje të Përgjithshme, më 12 Dhjetor, ku qartësohet se Këshilli do të diskutojë heqjen eventuale të masave ose shtimin e tyre, varësisht zhvillimeve në terren, bazuar në një raport të Përfaqësuesit të Lartë për nivelin e përmbushjes së kërkesave të BE-së drejtuar Kosovës, paraprakisht, kur masat ishin vendosur”, tha Stano.

    Me mbajtjen e votimit për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat me shumicë serbe në veri më 21 Prill, i cili u bojkotua nga Lista Serbe, Qeveria konsideron se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave.

  • Një tjetër fitore për Kosovën në Washington

    Një tjetër fitore për Kosovën në Washington

    Nga Ruben Avxhiu

    Javën e kaluar botuesi i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, Vehbi Bajrami zhvilloi disa takime me kongresistë dhe këshilltarë të tyre në Kongresin Amerikan.

    Një nga rezultatet e para të këtyre bisedave ishte vendimi i kongresistit Seth Moulton nga Distrikti 6 në Massachusetts për t’iu bashkuar Kaukusit të Çështjeve Shqiptare.

    I drejtuar nga dy kongresistë demokratë dhe dy republikanë, Kaukusi bashkon anëtarë të Kongresit Amerikan që tregojnë interes dhe veprojnë në mbështetje të kauzave shqiptare në Dhomën e Përfaqësuesve dhe institucione të tjera në Washington.

    Kongresisti Moulton e njoftoi për vendimin e tij botuesin Bajrami me anë të një mesazhi personal në të cilin shpreh edhe kënaqësinë për takimin e një jave më parë si dhe e fton për të bashkërenduar veprimet në të ardhmen.

    Me këtë rast kongresisti Seth Moulton ka lëshuar edhe një deklaratë publike në të cilën thotë: Jam krenar që i jam bashkuar Kaukusit të Çështjeve Shqiptare. Si grupi kryesor i anëtarëve kongresionalë që përqendrohet në çështje që kanë të bëjnë me Kosovën, Shqipërinë dhe diasporën shqiptare, Kaukusi siguron një platformë të vlefshme për të çuar përpara paqen, sigurinë dhe demokracinë në rajon. Pres me padurim që të punoj me udhëheqës të këtij komuniteti duke përfshirë edhe me shumë lexues të gazetës “Illyria” për të çuar përpara këto kauza të rëndësishme”.

    Seth Moulton ka shërbyer si oficer i Marinsave Amerikanë dhe në Kongresin Amerikan është veç të tjerash anëtar i Komitetit të rëndësishëm të Forcave të Armatosura.

    Vehbi Bajrami punon prej dekadash në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare në SHBA. Ai është botues i librit të njohur voluminoz “Shqiptarët e Amerikës”, si dhe ka shërbyer si Drejtor i Programit të “Zërit të Amerikës” në gjuhën shqipe. Përpara se të bëhej botues i gazetës “Illyria” ai ka qenë gazetar dhe redaktori menaxhues i saj. Për punën e tij në shërbim të kombit është nderuar me Urdhërin e Kalorësit të Skënderbeut nga Presidenti i Shqipërisë.

  • Sylvinho, trajneri i 13-të më i ranguar për Euro 2024

    Sylvinho, trajneri i 13-të më i ranguar për Euro 2024

    Sajti i njohur “FourFourTwo” ka bërë rangimin e selektorëve që do të udhëheqin përfaqësueset në Euro 2024.

    Selektori i Shqipërisë, Sylvinho, sipas këtij mediumi është ranguar i 13-ti.

    Didier Deschamps i Francës është në krye të listës e pas tij janë Luciano Spalletti i Italisë e Julian Nagelsmann i Gjermanisë. Në dhjetëshe janë edhe Gareth Southgate i Anglisë, Zlatko Daliq i Kroacisë, Roberto Martinez i Portugalisë, Domenico Tedesco i Belgjikës, Luis de la Fuente i Spanjës, Kasper Hjulmand i Danimarkës e Marco Rossi i Hungarisë.

    Selektori i Serbisë, Dragan Stojkoviq është renditur i fundit.

  • Stano: Raporti i Borrellit për heqjen ose jo të masave ndaj Kosovës pranë finalizimit

    Stano: Raporti i Borrellit për heqjen ose jo të masave ndaj Kosovës pranë finalizimit

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se raporti i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Kosovën po shkon drejt finalizimit dhe se heqja apo jo e masave do të varet nga ky raport por edhe nga vendet anëtare.

    “ Unë vetëm mund të konfirmoj, pa diskutuar publikisht proceset aktuale në Këshill, se raporti është para finalizimit dhe do t’u dorëzohet vendeve anëtare”, tha Stano në një konferencë për media në Bruksel.

    Derisa sa i përket afatit dhe përmbajtjes, Stano theksoi se nuk mund të bëjë komente, pasi këto janë procedura të brendshme në kuadër të Këshillit Evropian.

    Stano lidhur me këtë çështje ka folur edhe ditë më parë duke komentuar kërkesën e Kosovës për heqje masash. Ai kishte deklaruar se janë shtetet anëtare ato që marrin vendim për heqje masash dhe jo politikanët e Kosovës.

  • Ukraina thotë se e parandaloi një komplot rus për ta vrarë Zelenskyn

    Ukraina thotë se e parandaloi një komplot rus për ta vrarë Zelenskyn

    Hetuesit e kundërinteligjencës ukrainase e kanë shpartalluar një komplot rus për ta vrarë presidentin, Volodymyr Zelensky, si dhe figura të tjera ushtarake dhe politike, tha të martën Shërbimi i Sigurisë Shtetërore i Ukrainës (SBU).

    Dy kolonelë të Gardës Shtetërore të Ukrainës, e cila i mbron zyrtarët e lartë, u arrestuan nën dyshimin se po e zbatonin planin e përpiluar nga Shërbimi i Sigurisë Federale i Rusisë, sipas njoftimit.

    Kolonelët në fjalë ishin rekrutuar para se Rusia ta fillonte pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, sipas SBU-së.

    Vaysl Maliuk, shefi i SBU-së, u citua të ketë thënë se, sipas komplotit, parashihej një sulm para se presidenti rus, Vladimir Putin, ta bënte betimin për mandatin e pestë presidencial të martën.

    Maliuk tha se ai personalisht e ka udhëhequr operacionin e fshehtë për ta parandaluar komplotin.

    Pretendimet e Ukrainës për përpjekjet ruse për vrasjen e Zelenskyt nuk janë diçka e re.

    Më 2022, Zelensky tha se kishte së paku 10 tentime për ta vrarë atë.

    Ndërkohë, prokurorët në Poloni thanë muajin e kaluar se e kishin arrestuar një polak nën akuzat se ishte i gatshëm të spiunonte për inteligjencën ushtarake të Rusisë në një komplot të dyshuar për ta vrarë Zelenskyn.

    SBU-ja tha se agjentët rusë të inteligjencës kërkonin anëtarë të ushtrisë ukrainase, që janë të afërt me sigurimin e presidencës, të cilët do të mundë ta merrnin peng presidentin dhe pastaj ta vrisnin më vonë.

    Plani gjithëpërfshirës i komplotit ishte identifikimi i lokacionit të zyrtarëve të lartë ukrainas dhe sulmimi i tyre me predhë fillimisht, pastaj me dronë dhe raketa./REL/