ATV

Blog

  • Vjen urimi nga ShBA për Siljanovskën: Zgjedhje historike, presidentja e parë grua e Maqedonisë së Veriut

    Vjen urimi nga ShBA për Siljanovskën: Zgjedhje historike, presidentja e parë grua e Maqedonisë së Veriut

    Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Angela Aggeler, e ka uruar presidenten e re të zgjedhur të Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, duke e quajtur zgjedhje historike, meqë është presidentja e parë grua në këtë shtet.

    Aggeler ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin synimet e Maqedonisë për siguri, prosperitet dhe integrim të plotë euroatlantik.

    “Urimet e mia të përzemërta Gordana Siljanovska-Davkova për zgjedhjen e saj historike si presidentja e parë grua e Maqedonisë së Veriut. Urime edhe për të gjithë ata qytetarë që ushtruan të drejtën e votës dje në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin synimet tuaja për sigurinë, prosperitetin dhe integrimin e plotë euroatlantik të këtij vendi”, ka shkruar ajo në Twitter.

    Siljanovska-Davkova fitoi dje zgjedhjet, duke lënë pas Presidentin aktual, Stevo Pendarovski.

  • Dodik: Na pret lufta për çlirim nga Bosnja dhe Hercegovina

    Dodik: Na pret lufta për çlirim nga Bosnja dhe Hercegovina

    Kryetari i enklavës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë të quajtur Republika Serbe, Millorad Dodik, ka thënë në Banjallukë se “populli serb” në Republikën Serbe do të përballet me një luftë të re – luftën për çlirim nga Bosnja dhe Hercegovina”.

    “Ne kemi një luftë tjetër që na pret dhe ajo është lufta për çlirimin nga Bosnja dhe Hercegovina”, ka thënë Dodik në ceremoninë shënimit të Ditës së Fitores mbi Fashizmin. Ai ka pretenduar se “Bosnja dhe Hercegovina është një grumbullim i pamundur i popujve”, transmeton Paparaci.

    Ai gjithashtu ka pretenduar se sot është ditë pune në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës dhe se në Republikën Serbe Dita e Fitores mbi Fashizmin festohet si festë kombëtare dhe nuk punohet.

    “Le të punojnë ata, por neve nuk do të na imponojnë se kur dhe çfarë do të shënojmë. A do të përpiqeni të impononi që të mos festojmë 9 janarin (Ditën e Republikës Serbe, festimi i së cilës u kundërshtua nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjë-Hercegovinës)”, ka thënë Dodik.

    Ai ka thënë se RS është antifashiste dhe se është “një republikë ku të gjithë mund të jetojnë dhe të praktikojnë fenë dhe kombin e tyre, pa ofenduar të tjerët”.

    “Myslimanët mund të praktikojnë besimin e tyre në RS, por nuk mendoj se Bosnja dhe Hercegovina është e mirë për ne. Tridhjetë vjet përpjekje për të krijuar një model dështoi, pavarësisht se me hipokrizi duan të na japin statusin në Evropë”, ka pretenduar Dodik.

  • Daut Haradinaj kujton Ilir Konushevcin e Hazir Malën: Ishin shtyllë e fortë e luftës sonë çlirimtare

    Daut Haradinaj kujton Ilir Konushevcin e Hazir Malën: Ishin shtyllë e fortë e luftës sonë çlirimtare

    Anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka kujtuar bashkëluftetarët e tij tani heronj të kombit, Ilir Konushevci e Hazir Mala në përvjetorin e rënies.

    Daut Haradinaj ka thënë se Ilir Konushevci ishte fjalëpak e i guximshëm.

    “Në fillet e para të angazhimit tim në UÇK kisha nderin të takoj ilir Konushevcin dhe Adrian Krasniqin. Për gati dy vjet rrugëtonim së bashku nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas. Iliri fjalëpak dhe tepër i guximshëm, bashkë me Adrianin, në shumicën e rasteve ishte përgjegjës per rrugëtimin tonë. As bora e shiu nuk e ndalte djaloshin sypatrembur për t’ju sjellë shokëve barutin. Ai më 25 -26 mars 1998 bashkë me Qerimin ishin të parët që erdhën në Jabllanicë për të na përkrahur në luftën e sapo nisur në Dukagjin”, ka thënë Daut Haradinaj.

    Ai ka thënë se është e paimagjinushme lufta çlirimtare pa angazhimin e Ilir Konushevcit, Ali Ahmetit, Mustafë Selmanajt, Agim Nuhës e shumë të tjerëve si ata.

    “Është e paimagjinushme lufta jonë pa angazhimin e Ilir Konushevcit, Ali Ahmetit, Mustafë Selmanajt e shumë të tjerëve që e bënë të pamundurën të mundshme, në furnizimin e Dukagjinit, dhe jo rastësisht Serbia organizoi pritë duke i kthyer në përjetësi Hazir Malën dhe Ilir Konushevcin në Qafë Mali duke sjellë armatim për shokët.

    Kjo goditje mori kohë që furnizuesit tonë të riorganizoheshin pas një thyerje të madhe”, ka përfunduar Daut Haradinaj.

  • OKB: Rreth 80.000 njerëz u larguan nga qyteti Rafah

    OKB: Rreth 80.000 njerëz u larguan nga qyteti Rafah

    Rreth 80.000 njerëz u larguan nga qyteti Rafah i Gazës që nga e hëna, tha Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRWA).

    “Njerëzit po përballen me një tjetër zhvendosje të detyreshme në Rripin e Gazës. Askund nuk është sigurt. Kemi nevojë për armëpushim tani”, shkroi UNRWA në platformën X.

    Deri më tash, më shumë se një milion palestinezë të zhvendosur – gjysma e tyre fëmijë – ishin të strehuar në Rafah.

    Por, të hënën, ushtria izraelite kërkoi nga të strehuarit në pjesët lindore të Rafahut, që të largohen drejt një “zone të zgjeruar humanitare”, ku tha se do të gjejnë spitale fushore, tenda dhe furnizime të tjera.

    Izraeli nisi tashmë bombardimin e qytetit, ku beson se ka mijëra luftëtarë të grupit islamik palestinez, Hamas, i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera.

    Ky grup ka sulmuar Izraelin në tetor të vitit të kaluar, duke vrarë mbi 1.200 persona.

    Në ofensivën hakmarrëse të Izraelit në Gazë, e cila vazhdon ende, janë vrarë afro 35.000 njerëz, sipas autoriteteve në enklavë.

    Ushtria e Izraelit thotë se fitorja kundër Hamasit është e pamundur pa e marrë kontrollin e qytetit Rafah.

    Por, zyrtarët amerikanë paralajmërojnë se operacioni në këtë qytet – ku popullsia është shtuar me refugjatë nga pjesë të tjera të Gazës – mund të çojë në numër të madh të viktimave civile.

    Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se SHBA-ja do t’i ndalojë furnizimet e Izraelit me disa armë, nëse ai nis operacion të madh tokësor në Rafah./REL/

  • Rohde nga sheshi i Prishtinës: Shpresoj një ditë që Kosova të jetë pjesë e BE-së

    Rohde nga sheshi i Prishtinës: Shpresoj një ditë që Kosova të jetë pjesë e BE-së

    Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, po shënon Ditën e Europës në sheshin kryesor të Prishtinës ku u mbajtën disa aktivitete për këtë ditë.

    Ai tha se Europa për të simbolizon liri, prosperitet e paqe dhe se pa Ballkanin Perëndimor projekti i BE-së është i pakompletuar.

    “Dhe BE mendoj që është projekti më i suksesshëm i paqes në historinë globale. Është një projekt i papërfunduar dhe shpresoj që shumë shpejt të ketë anëtarë të rinj dhe në mesin e këtyre shpresoj të jetë Kosova një ditë. Gjermania është duke bërë gjithçka që të mbështesë këtë proces”.

  • Trump akuzon Biden: Po na çon drejt Luftës së Tretë Botërore

    Trump akuzon Biden: Po na çon drejt Luftës së Tretë Botërore

    Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka akuzuar presidentin aktual Joe Biden se po është krah grupit të Hamasit pasi kreu i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se nuk do ta furnizonte me armë Izraelin nëse pushton zonën Rafah.

    “I pandershmi Joe Biden, pavarësisht nëse e di apo jo, sapo deklaroi se nuk do të furnizojë me armë Izraelin, ndërsa ai lufton për të çrrënjosur terroristët e Hamasit në Gaza”- shkruan Trump.

    Trump shkruan në rrjetin e tij social “Truth” se Biden është krah terroristëve dhe u reshtua kundër protestave në kampet universitare. Ai shkoi më tej duke e akuzuar Biden se po e çon globin në Luftën e Tretë Botërore.

    “Biden është i dobët, i korruptuar dhe po e çon botën drejt e në Luftën e Tretë Botërore. Mos harroni, kjo luftë në Izrael, ashtu si ajo në Ukrainë, nuk do të kishte filluar kurrë nëse do të kisha qenë në Shtëpinë e Bardhë”– shtoi ai.

  • SHBA rrit presionin ndaj Izraelit

    SHBA rrit presionin ndaj Izraelit

    Shtetet e Bashkuara janë i vetmi vend që ka ndikim të vërtetë mbi Izraelin. E megjithatë, gjatë gjithë luftës në Gaza, Izraeli ka zgjedhur të injorojë shumë nga këshillat e aleatit të tij më të ngushtë.

    Për shtatë muaj të gjatë, SHBA ka rritur gradualisht presionin ndaj Izraelit. E megjithatë, shumë nga këto këshilla dhe sharje kanë rënë në vesh të shurdhër. Kështu që tani SHBA ka filluar të përdorë shkopin e saj më të madh.

    SHBA është deri tani burimi më i madh i armëve dhe municioneve të Izraelit. Sipas ligjit, ajo i siguron Izraelit 3.8 miliardë dollarë (3 miliardë £) ndihmë ushtarake çdo vit. Tani administrata Biden ka vonuar për herë të parë një dërgesë municionesh në Izrael.

    Pra, pse më në fund SHBA po synon ndoshta leven e saj më të madhe të ndikimit mbi Izraelin?

    Një përgjigje e parë është operacioni ushtarak i propozuar kundër Hamasit në Rafah. SHBA dhe shumë vende perëndimore kanë frikë se kjo do të çonte në viktima masive civile dhe një katastrofë humanitare.

  • “Apartament, dyqan, garazh dhe 1 mijë euro në muaj”, zbardhet divorci mes Elia Zaharisë e Leka Zogut

    “Apartament, dyqan, garazh dhe 1 mijë euro në muaj”, zbardhet divorci mes Elia Zaharisë e Leka Zogut

    Marrëdhënia mes Leka Zogu II dhe Elia Zaharias tashmë ka marrë fund edhe zyrtarisht pasi gjykata ka vendosur zgjidhjen e martesës së tyre të lidhur në vitin 2016 ne një ceremoni madhështore.

    Sipas gjykatës zgjidhja e martesës është e dakordësuar nga të dy, por gjithsesi do të duhen 15 ditë që ky vendim të marrë formë të prerë.

    Në vendim thuhet se Elia Zogu do të mbaje mbiemrin që ka patur para martese “Zaharia” ndërsa është pranuar se zgjidhja e martesës do të bëhet në bazë të marrëveshjes së firmosur mes tyre më 15 janar 2024 që përcakton përfitimet pas divorcit si dhe takimet që Leka ZOGU I II do të ketë me të bijën Geraldinën.

    Nga ky divorc Elia Zaharia do të përfitojë në një apartament 257 m2 i cili është në emrin e të bijës. Po ashtu artistja do të ketë në pronësi të plotë një dyqan 134 m2 si dhe një parking rreth 47 m2.

    Sipas kësaj marrëveshje të hartuar në janar të këtij viti kur Geraldina të jetë në moshë madhore Elia do të humbasë të drejtat mbi pronat në rast të krijimit të një marrëdhënieje të re martesore ose bashkëjetese”.

    Sipas marrëveshjes Leka Zogu do të paguajë 1 mijë euro vlerë monetare mujore si detyrim ushqimor kundrejt vajzës Geraldin. Kjo shumë përfshin shpenzimet për nevojat e përditshme të fëmijës dhe do të paguhet në llogarinë bankare të Nënës.

    Interesi më i lartë është fëmija prandaj është çmuar që vajza të takohet çdo ditë me të atin 2 orë dhe të shkojë në shtëpinë e tij në fundjave.

    Në gjykatë palët janë shprehur se arsyeja e divorcit është mungesa e komunikimit si dhe ndërprerja e bashkëjetesës.

  • Osmani uron presidenten e parë grua të RMV-së: Mezi pres të thellojmë bashkëpunimin mes dy shteteve

    Osmani uron presidenten e parë grua të RMV-së: Mezi pres të thellojmë bashkëpunimin mes dy shteteve

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Gordana Silanovska-Davkova, për zgjedhjen si presidente e Maqedonisë së Veriut.

    Osmani mes tjerash potencoi se mezi pret të vazhdojë bashkëpunimin me presidenten e re për të thelluar marrëdhëniet mes dy shteteve.

    “Kosova dhe Maqedonia e Veriut gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera fqinjësore dhe ndajnë një angazhim të fortë për integrimin euroatlantik. Mezi pres të punoj me presidenten e zgjedhur për të arritur këtë qëllim të përbashkët dhe për të thelluar më tej marrëdhëniet Kosovë-Maqedoni e Veriut”, shkroi Osmani në rrjetin e saj social në platformën X.

    Ndryshe, Gordana Silanovska-Davkova, është presidentja e parë grua në Maqedoninë e Veriut që nga pavarësimi nga Jugosllavia.

  • ​Hetuesit e IPK-së arrestuan një zyrtar policor për ngacmim seksual

    ​Hetuesit e IPK-së arrestuan një zyrtar policor për ngacmim seksual

    Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë arrestuar dje një zyrtar policor në Gjakovë me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale “Ngacmim seksual“ ndaj një viktime të mitur.

    Hetuesit e IPK-së janë njoftuar përmes telefonit lidhur me dyshimet se ky zyrtar policor kishte kryer veprime të kundërligjshme.

    Hetuesit në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore ku pas këtyre veprimeve fillestare hetimore zyrtari policor është arrestuar dje kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

    Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.