ATV

Blog

  • Kurti: Rregullorja e BQK-së ka qëllim ligjshmërinë, jo ndëshkimin e dënimin

    Kurti: Rregullorja e BQK-së ka qëllim ligjshmërinë, jo ndëshkimin e dënimin

    Nga dje euroja është valuta e vetme për transaksione në Kosovë. Periudha transitore e Bankës Qendrore të Kosovës ka përfunduar. Nga sot sipas Rregullores, do të ketë masa ndëshkuese për ata që përdorin dinarin. Bankat komerciale që operojnë në Kosovë, ndërkaq janë udhëzuar që të hapin degë të reja në veri.

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur rreth rregullores së BQK-së për përdorim të parasë së gatshme.

    “Banka Qendrore e Republikë së Kosovës, e ka sqaruar se qëllimi është ligjshmëria, transparenca dhe jo ndëshkimi dhe dënimi. Janë ata të cilët janë më lartë se para nesh dhe prin në këtë proces të tranzicionit sa më të lëmuar të kalimit si mjet pagese”, tha Kurti një deklaratë për RTK, nga Kamenica ku po viziton këtë komunë.

    Kurti përsëriti se rregullorja e BQK-së nuk është kundër dinarit, por është për euron si i vetmi mjet pagese në Kosovë.

  • Bislimi udhëton drejt Hungarisë, priten takime të rëndësishme

    Bislimi udhëton drejt Hungarisë, priten takime të rëndësishme

    Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar drejt Hungarisë.

    Gjatë qëndrimit dy ditor në Budapest, ai do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Institutit të Kosovës për Administratë Publike dhe Universitetit të Shërbimeve Publike të Hungarisë, Ludovika.

    Në këtë vizitë, ndër të tjera, zëvendëskryeministri Bislimi pritet të takohet edhe me ministrin e Jashtëm dhe të Tregtisë, Peter Szijjarto si dhe me ministrin për Çështje të BE-së, Janos Boka.

  • Hodaj në Komisionin për Siguri: Gjatë viti 2023 kemi rekomanduar suspendimin e 71 punonjësve policor

    Hodaj në Komisionin për Siguri: Gjatë viti 2023 kemi rekomanduar suspendimin e 71 punonjësve policor

    Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, ka thënë se gjatë viti 2023 kanë rekomanduar suspendimin e 71 punonjësve policor të gradave dhe niveleve të ndryshme për përfshirje në vepra të ndryshme kriminale, raporton EO.

    Hodaj këto të dhëna i dha gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes për raportin vjetor të punës për vitin 2023, ku tha se gjatë viti të kaluar kanë hetuar 178 të dyshuar, prej tyre 156 punonjës policor dhe 22 qytetarë që kanë qenë në raste të përbashkët me zyrtarët policor.

    Ai ka thënë se kanë arrestuar edhe 35 punonjës të PK dhe qytetarë.

    “Viti 2023 ka qenë një vit i suskesshëm në përmbushjen e mandateve tona. Lufta kundër korrupsion vazhdon që të jetë një ndër prioritete tona. Kemi arritur ta rrisim besueshmërinë tek qytetarët. Jemi angazhuar që të rrisim besimin qytetar në sistemin e trajtimit të ankesave. Kemi pranuar 1697 ankesa gjatë vitit 2023, të pranuar nga qytetarët. 32 për qind të këtyre ankesave i kemi orientuar për hetim penal. Jemi angazhuar Në parandalimin dhe luftimin e krimit dhe keqmenagjimit. Kemi hetuar 178 të dyshuar, prej tyre 156 punonjës policor dhe 22 qytetarë që kanë qenë në raste të përbashkëta me zyrtarët policor. Kemi ngritur 74 kallëzime penale ndaj të dyshuarve, kemi arrestuar 35 punonjës dhe qytetarë. Kemi rekomanduar suspendimin e 71 punonjësve policor të gradave dhe niveleve të ndryshme”, ka thënë ai.

  • Mbyllet për publikun seanca ndaj të akuzuarit për krime lufte gjatë 1999-s në Izbicë

    Mbyllet për publikun seanca ndaj të akuzuarit për krime lufte gjatë 1999-s në Izbicë

    Me kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit për krime lufte, Muhamet Alidemaj, avokatit Milosh Deleviq është mbyllur seanca për publikun.

    Alidemaj ngarkohet se kishte marrë pjesë bashkë me policë dhe ushtarë serbë në vrasjen e civilëve shqiptarë në masakrën e Izbicës që kishte ndodhur në mars 1999, e ku ishin vrarë e masakruar mbi 130 shqiptarë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Fillimisht, mbrojtësi i të të akuzuarit, avokati Deleviq kërkoi nga trupi gjykues që seanca në të cilën është paraparë të dëgjohen dy dëshmitarë Sh.A dhe R.D, të jetë e mbyllur për publikun për shkak të ndjeshmërisë së rastit.

    Këtë propozim të avokatit Deleviq, prokurori special Ilir Morina e konsideroi të vonuar dhe se sipas tij e njëjta kërkesë është dashur të bëhej kur është propozuar dëgjimi i dëshmitarëve.

    Ai tha se këtë nuk e kundërshton edhe pse nuk ka arsye ligjore pasi që nuk rrezikohet jeta e tyre.

    “Nëse gjykata vlerëson unë jam për, por arsye ligjore nuk ka sepse jeta e tyre nuk rrezikohet, jetojnë në një zonë të Istogut dhe Pejës ku të gjithë i njohin. Nga dita kur është arrestuar deri më sot të gjithë i njohin kush janë dëshmitarët dhe nuk ka pasë ndonjë raport apo informacion se dikush ka kryer ndonjë veprim në kundërshtim me ligjin në raport me familjen e të pandehurit apo anëtarët e gjerë të rrethit”, ka thënë prokurori special Ilir Morina.

    Ndërsa, trupi gjykyues mori vendim që seanca të jetë e mbyllur për dëgjimin e dëshmitarëve.

    Sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj po ngarkohet se gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 – 11 qershor 1999, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës kundër popullsisë civile dhe pasurisë së tyre.

  • ​Universitetet italiane bien në renditjen e raportit të Universiteteve Botërore

    ​Universitetet italiane bien në renditjen e raportit të Universiteteve Botërore

    Universitetet e Italisë humbën pozicionet në raportin vjetor të vitit 2024 të Qendrës për Renditjen e Universiteteve Botërore (CWUR).

    Edhe pse në listën e këtij viti janë 67 universitete italiane, 75% e tyre kanë rënë nga pozicionet.

    Për shembull, La Sapienza i Romës, i cili është universiteti më i lartë i Italisë, ra me tetë pozicione në vendin e 124-të.

    Universiteti i Padovës ra nga vendi i 171-të në vendin e 173-të dhe Universiteti i Milanos zbriti nga vendi 180 në vendin e 186-të. /ANSA/

  • 1 milionë e 420 mijë e 148 qytetarë janë regjistruar deri tani, bëhet thirrje të vazhdojnë të regjistrohen

    1 milionë e 420 mijë e 148 qytetarë janë regjistruar deri tani, bëhet thirrje të vazhdojnë të regjistrohen

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) mbajti konferencën e radhës për media lidhur me ecurinë e punës gjatë Javës së gjashtë në terren për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë, raporton EO.

    U.D. i kryeshefit Ekzekutiv të ASK-së, Avni Kastrati ka theksuar se disa komuna kërkojnë shtyerjen e procesit të regjistrimit, ndërsa deri më tani janë regjistruar 1 milionë e 420 mijë e 148 qytetarë.

    Kastrati, ka thënë se procesi i regjistrimit po vazhdon edhe në javën e gjashtë.

    Ai tha se procesi i votimit ka shkuar mirë, disa komuna kanë kërkuar të shtyhet afati i regjistrimit, mirëpo, Kastrati tha se sipas mënyrës që ka shkuar procesi i regjistrimit deri më tani nuk e shohin të arsyeshme shtyerjen e afatit.

    “Një komunë ka kërkuar përmes një shkresë të shtyhet në aspektin statistikor nuk ka arsye me u shty. Në përgjithësi regjistrimet kanë qenë aktiv, ka thirrje masive me u rregjistru ka një lloj frike te qytetarët se nëse nuk regjistrohen. Bëj thirrje regjistruesve të bëjnë edhe një vizitë sidomos te banesat e shprazta mos ka mbet dikush pa u regjistru”, tha ai.

    Kastrati tha se në disa komuna janë hapur zyre ku qytetarët munden me shku me u regjistru, këto komuna janë Prishtina dhe Prizreni, por e njëjta mund të ndodh edhe në komuna tjera nëse e shohin të nevojshme. Ndërsa në Prishtinë, qytetarët mund të regjistrohen në ASK, edhe në komunë.

    Kurse, sa i përket regjistrimit në komunat veriore, Kastrati tha se ka hezitime, por pritet edhe këto ditë të vazhdojë regjistrimi. Regjistruesve iu bë thirrje të bëjnë edhe një rishikim në shtëpi të pabanuara.

    “Regjistrimi po shkon sipas planit. Komunitetet po marrin pjesë, në veri ka hezitim, presim edhe këto ditë të regjistrohen”, tha Kastrati.

  • Kurti viziton Kamenicën, pritet nga kryetari i Komunës

    Kurti viziton Kamenicën, pritet nga kryetari i Komunës

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti sot në Kamenicë është pritur nga kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj.

    Kurti ka zhvilluar një takim të mbyllur me kryetarin Rahimaj ndërsa pas takimit do të bëjë edhe një vizitë tek prodhuesit e produkteve të bletëve.

    Pastaj do të bëhet vendosja e gurthemelit të urës për këmbësor në fshatin Hajnoc.

    Së bashku me Kurtin është edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

  • Në mungesë të një anëtari të trupit gjykues, anulohet seanca për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

    Në mungesë të një anëtari të trupit gjykues, anulohet seanca për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

    Pejë-Në mungesë të anëtarit të trupit gjykues, Leon Përlaska është anuluar seanca për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, e cila ishte paraparë të mbahej këtë të hënë, në Gjykatën Themelore të Pejës.

    Për këtë rast, Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj po akuzohen se më 26 nëntor 2021, të shtyrë nga hakmarrja e paskurpullt, privojnë nga jeta tre persona, dy prej tyre fëmijë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Njoftimin për anulimin e seancës e ka dhënë zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti, e cila bëri të ditur se anëtari i trupit gjykues Përlasku mungon për arsye familjare.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 5 maj 2023 nga Prokuroria Themelore në Pejë, të pandehurit Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, ngarkohen se më 26 nëntor 2021, në fshatin Gllogjan, Komuna e Deçanit, saktësisht në rrugën “Ismajl Haradinaj”, të shtyrë nga hakmarrja e paskrupullt, në marrëveshje e bashkëveprim me njëri-tjetrin, privojnë nga jeta tre persona, dy prej tyre të cilët ishin fëmijë. Pra, të vdekur mbetën shoferi i autobusit G.Gj, si dhe nxënësit L.H (17 vjeçar) dhe G.M (17 vjeçare).

  • Xhakli zbulon objektivat kryesore si trajner i Kosovës në boks

    Xhakli zbulon objektivat kryesore si trajner i Kosovës në boks

    Me vendim të Bordit të Federatës së Boksit, Faton Xhakli është emëruar trajner i Përfaqësuese së Kosovës në Boks. Më të marrë këtë post, Xhakli ka thënë për KosovaPress se arsyeja pse e ka marrë këtë përgjegjësi është se ka shumë për t’i dhënë boksit dhe me synimin për të sjellë medalje elitarë në Kosovë.

    Duke folur për KosovaPress, Xhakli ka theksuar se udhërrëfyesi i të gjithë boksierëve të rinj duhet të jetë medalistja botërore, Donjeta Sadiku.

    “Arsyeja e parë ka qenë që jam shumë i lidhur me boksin dhe kam filluar shumë herët si sportist dhe si trajner…dhe kam treguar rezultate të mira në klubin tim dhe arsyeja e parë ka qenë ajo sepse unë edhe kam qenë selektor në boksin e femrave trajner ku me Donjeta Sadikun kemi rrëmbyer medaljen e argjendtë në Kampionatin Botëror. Te Donjeta, udhërrëfyesi ynë është ajo dhe ajo ka qenë arsyeja më e madhe që unë tani edhe prej Donjetës mendoj edhe te meshkujt ku te meshkujt shihet një masovitet më i madh se sa te vajzat dhe besoj që unë jam i duhuri që mund të kontribuojë më shumë”, tha fillimisht Xhakli.

    Paraardhësi i Xhaklit, Besim Brahimi kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë me arsyetimin se kishte mungesë të mbështetjes financiare, por Xhakli thotë kjo pjesë për të nuk paraqet fare problem

    “Unë për pagesë, thash edhe më herët që pagesën nuk e kam parë shumë të arsyeshme, sa e shoh të arsyeshme rezultatin. Nëse ne kemi rezultat, pagesat janë shumë të mira. Unë e di që boksierët Bajoku marrin nga Komiteti Olimpik dhe ministria përkrahje dhe normal që ne shumicën e sportistëve e boksierëve ne duhet t’i përkrahim nga klubi, kurse unë si trajner i kam mëditjet që janë të parapara. Unë për vete jam i kënaqur vetëm atëherë kur tregoj rezultat”, theksoi Xhakli.

    Ndërsa, sa i përket bokseires Donjeta Sadiku, Xhakli ka pohuar se është një aset për sportin e Kosovës dhe treguesi më i mirë se si me punë arrihet një rezultat kulminant.

    “Donjeta Sadiku e ka planin e vet, e ka vendosmërinë dhe besimin shumë të madh dhe me ato gjëra ka arritur aty ku është. Unë gjithmonë i kam përcjellë kampionatet botërore, por kurrë nuk e kam ditur që kampionen botërore e kemi mbrapa, por aty u vërtetua që vetëm me punë arrihen ato gjëra. Ajo është duke punuar me trajneren shumë të mirë Marjola Sallauka e cila është një trajnerë shumë e kuptueshme dhe kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë në Kampionatin Botëror dhe mendoj që ajo na ka sjellë deri te rezultati i Donjeta Sadikut”, bëri të ditur Xhakli.

    Sa i përket synimeve, Xhakli ka zbuluar se ka dy objektiva kryesxore

    “Synimi im është të jem sa më afër sportistëve, bashkëpunimi me klubet tjera, me trajnerët tjerë, me të gjithë do të mundohemi bashkarisht dhe besoj që do të kemi rezultate. Rezultati normal që do të vie, tani është edhe Kampionati Evropian U22 në Sofie të Bullgarisë, pastaj vitin tjetër është Kampionati Botëror, duhet të mendojmë që tani që të përgatitemi për Kampionatin Botëror”, shtoi ai.

    Në fund, Xhakli konfirmoi se Federata e Boksit të Kosovës është duke bashkëpunuar më Federatën Botërore të Boksit që në Kosovë të vie edhe një trajner i huaj me qëllimin që të bëhet një punë më efikase dhe pre të pasur pastaj rezultate kuliminane të boks.

  • ​Edhe pesë ditë afat: ASK tregon sa banorë janë regjistruar deri më tani

    ​Edhe pesë ditë afat: ASK tregon sa banorë janë regjistruar deri më tani

    Kur kanë mbetur edhe pesë ditë deri në përfundimin e procesit të regjistrimit të popullsisë së Kosovës, mbi 1 milionë e 420 mijë banorë janë regjistruar deri më tani.

    Ndonëse pritshmëritë e Agjencisë së Statistikave të Kosovës janë që procesi të përfundojë me kohë, ka kërkesa prej disa komunave që kjo datë të shtyhet.

    Kështu ka bërë të ditur ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në këtë institucion, Avni Kastrati.

    Në një konferencë për media, Kastrati ka njoftuar se deri më tani çdo gjë ka shkuar sipas planifikimeve, pa ndonjë sfidë madhore.

    Ndërkaq ka shtuar se sa i përket kërkesave për shtyrje të datës, do të shikojnë nëse e njëjta ka bazë që të aprovohet. Ai tha se meqenëse një pjesë e madhe e regjistrueseve kanë kryer zonat e caktuara, të njëjtit mund t’i dalin në ndihmë komunave tjera në mënyrë që mos të ketë shtyrje të procesit.

    “Jemi në javën e fundit të datës së regjistrimit të popullsisë, kanë mbetur edhe pesë ditë deri tek përfundimi. Procesi deri më tani ka kaluar siç është planifikuar në fillim nuk kemi pas sfida madhore në aspektin teknik dhe pritjet janë që gjatë kësaj jave të përfundojë në gjitha komunat e Kosovës. Nuk kemi ndonjë kërkesë zyrtare nga ndonjë komunë që të shtyhet procesi. Por, është një shkresë nga një komunë. Por, pas disa informacioneve janë përgatitur disa shkresa nga disa komuna që kërkojnë të shtyhet procesi, në aspektin e statistikave nuk paraqet sfidë dhe do t’i shqyrtojmë me vëmendje nëse ka bazë ose arsye të mirë. Një pjesë e madhe e kanë kryer regjistrimin dhe mund t’i realizojmë në komuna tjera të njëjtit regjistrues nëse është nevoja. Në përgjithësi sistemi dhe pajisjet kanë punuar mirë, regjistruesit kanë qenë aktiv gjatë gjithë kohës”, tha Kastrati.

    Ndërsa ka shtuar se në disa komuna, si Prizren dhe Prishtinë janë hapur disa zyre, për qytetarët që nuk kanë pasur mundësi të regjistrohen, të shkojnë në ato zyre.

    “Disa qytetarë që nuk kanë mundur të regjistrohen ka thirrje masive që të regjistrohen, pasi ka frikë që nëse sot nuk regjistrohen nuk do të jenë pjesë e procesit, por ka kohë edhe pesë ditë. Ftoj të gjithë regjistruesit që kanë kryer zonat e tyre të bëjnë edhe një vizitë sidomos tek shtëpitë që kanë qenë të zbrazëta të verifikojnë nëse ka mbet ndonjë individ pa u regjistruar. Nga dita e sotme në disa komuna janë hapur disa zyre që qytetarët mund të shkojnë të regjistrohen, pra, mund të shkojnë qytetarët në ato zyre apo në ASK të regjistrohen është kjo mundësi për ata që udhëtojnë ose kanë rast urgjent”, tha ai.

    Kastrati ka thënë se Komuna e Dragashit ka bërë kërkesë që të shtyhet data e përfundimit të procesit së regjistrimit, mirëpo ka thënë se do t’u ndihmojnë me staf në mënyrë që procesi të mos shtyhet.

    Ndërkaq, ka thënë se sipas informacioneve, ka edhe komuna tjera që po e kërkojnë të njëjtën, mirëpo Kastrati ka thënë se do të shikojnë nëse ka bazë të fortë për të aprovuar këtë kërkesë.

    “Do të shikojmë nëse ka bazë ose arsye të fortë për komunën që ka kërkuar të shtyhet, porse regjistrimi është duke shkuar sipas pritjeve dhe shifrat e fundit deri më tani janë regjistruar mbi 1.4 milionë banorë, pjesëmarrja nga komunitetet janë duke marrë pjesë të gjitha…Dragashi ka bërë kërkesë që të shtyhet procesi. Jemi në diskutim që të mos shtyhet pasi do ta mbështesim me staf, arsyeja ka sfidë me komunitet janë disa vendbanime që kanë refuzuar në fillim”, tha ai.

    Sa i përket pjesës veriore, ai ka theksuar se ndonëse kishte hezitim, ka prej tyre që janë regjistruar.

    Tutje, ai njoftoi se numri i banorëve të regjistruar nga diaspora ka kaluar numrin mbi 400 mijë.

    “Në pjesën veriore ka ende hezitim meqenëse qytetarët kanë shprehur gatishmërinë, disa janë regjistruar, presim këto ditë edhe për tjerët që janë të interesuar. Kualiteti i të dhënave do të jetë shumë më i lartë se vitin 2011, kjo për shkak teknologjisë dhe stafit të ASK…Po ashtu diaspora ka kaluar numrin mbi 400 mijë që janë regjistruar në sistemin online dhe përmes formularit S1”, ka shtuar Kastrati.

    Në regjistrimin e popullsisë po ashtu është përfshirë edhe një pyetësor, i cili iu mundëson qytetarëve të deklarohen edhe për dëmet që u ka shkaktuar lufta e fundit në Kosovë.

    Ndërsa, gjatë regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë, të mbajtur në vitin 2011, procesi nuk ishte zhvilluar në katër komunat me shumicë serbe në veri, si dhe ishte bojkotuar pjesërisht edhe në komunat e tjera me shumicë serbe në Kosovë.

    Kujtojmë se regjistrimi i popullsisë ka filluar me 5 prill dhe do të zgjasë deri më 17 maj.