ATV

Blog

  • Memli Krasniqi fton qytetarët të regjistrohen: Proces jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen e vendit

    Memli Krasniqi fton qytetarët të regjistrohen: Proces jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen e vendit

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka njoftuar se bashkë me familjen e tij kanë përfunduar procesin e regjistrimit të popullsisë.

    Ai i ka ftuar të gjithë qytetarët të cilët ende nuk janë regjistruar, që të bëhen pjesë e këtij procesi.

    “Këtë javë, bashkë me familjen time, edhe ne e përfunduam procesin e regjistrimit të popullsisë. Një proces i shpejtë, i lehtë, por edhe jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen e vendit tonë. Përmes regjistrimit të popullsisë, ne do të dijmë saktë se sa janë dhe ku jetojnë qytetarët tanë anekënd vendit – por edhe në mërgatë. Do të kemi shumë të dhëna të vlefshme, mbi të cilat do të mund të planifikojmë efektivisht politika zhvillimore për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim, nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat”, ka shkruar Krasniqi.

    “Andaj, nëse ende s’e keni bërë, ju ftoj që të shfrytëzoni edhe këto dy ditë të mbetura për t’u regjistruar”, ka përfunduar lideri i PDK-së.

  • 27-vjeçari nga Kosova përplas për vdekje këmbësorin në Rrugën e Kombit

    27-vjeçari nga Kosova përplas për vdekje këmbësorin në Rrugën e Kombit

    Një shofer nga Kosova ra në prangat e policisë në Kukës pasi përplasi për vdekje një person.

    Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi mbrëmjen e së martës në autostradën “Milot-Morinë”. Viktimë nga kjo ngjarje mbeti një këmbësor rreth të 60-tave, identiteti i të cilit nuk dihet ende.

    “Shërbimet e Njësisë së Sigurisë Rrugore në autostradën “Milot-Morinë” arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 27 vjeç, banues në Prishtinë, pasi rreth orës 21:30, të datës 14.05.2024, në fshatin Gjegjan, me automjetin që drejtonte, ka përplasur një shtetas ende të paidentifikuar, këmbësor, rreth 60 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën në vendngjarje. Vijon puna për identifikimin e këtij shtetasi. Materialet  procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme”, tha policia në një njoftim për mediat, shkruan tvklan.

  • Vdekja e polices në Gjilan, Sindikata e PK-së: Urgjentisht të merren hapa për përmirësimin e mirëqenies së policëve

    Vdekja e polices në Gjilan, Sindikata e PK-së: Urgjentisht të merren hapa për përmirësimin e mirëqenies së policëve

    Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së zyrtares policore, Lumnije Dervodeli Borovci.

    Përmes një komunikate për media, SPK vlerëson se Policia e Kosovës duhet të marrë urgjentisht hapa në drejtim të përmirësimit të kushteve të punës, mirëqenies dhe gjendjes shëndetësore të pjesëtarëve të Policisë.

    “Me rastin e vdekjes së koleges tonë, zyrtares policore Lumnije Dervodeli Borovci, Sindikata e Policisë së Kosovës i shprehë ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve dhe gjithë atyre që e njohën të ndjerën.

    SPK vlerëson se Policia e Kosovës duhet urgjent të ndërmarr hapa konkret në drejtim të përmirësimit të kushteve të punës, mirëqenies dhe gjendjes shëndetësore të pjesëtareve të PK-së.

    SPK do të jetë në dispozicion të familjes së të ndjerës për të ofruar gjithçka që është në fuqinë tonë me shpresën që në të ardhëm raste të tilla asnjëherë të mos na përsëriten”, thuhet në komunikatë.

  • Konjufca priti në takim Zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Nik Gjeloshaj

    Konjufca priti në takim Zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Nik Gjeloshaj

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim Zëvendëskryeministrin për Çështje Ekonomike, njëherazi Ministër për Zhvillim Ekonomik i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj.

    Duke e falënderuar zëvendëskryeministrin Gjeloshaj për vizitën në Kosovë, kryetari Konjufca vlerësoi lart marrëdhëniet midis Kosovës dhe Malit të Zi, si dy shtete me raporte të mira bashkëpunimi.

    Konjufca vlerësoi mbështetjen e Malit të Zi ndaj Republikës së Kosovës, duke e konsideruar këtë si tregues të vullnetit dhe gatishmërisë për thellimin e këtyre raporteve.

    Kreu i Kuvendit vuri në pah se Republika e Kosovës i bashkëndan dhe i qëndron përkrah synimeve zhvillimore dhe atyre të integrimit evropian të Malit të Zi. Sipas tij, ky qëndrim forcohet edhe më shumë prej faktit të nevojës së përparimit të rajonit tonë dhe dëshirës për t’i parë gjithnjë e më mirë bashkëkombasit tanë shqiptarë të Malit të Zi.

    Teksa biseduan për zhvillimet politike në Kosovë dhe Mal të Zi, kryetari Konjufca tha që me Gjeloshaj u pajtuan se zhvillimi dhe siguria e shteteve tona, si dhe e rajonit kërkon angazhim të pandërprerë në mbrojtje të sovranitetit, shtetit të së drejtës dhe demokracisë, kërkon qëndrim të palëkundur kundër agjendës dhe influencës ruse në rajon.

    Zëvendëskryeministri Gjeloshaj e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen, duke shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit të mëtejmë për të avancuar interesat e përbashkëta.

  • Fillon takimi trepalësh në Bruksel

    Fillon takimi trepalësh në Bruksel

    Pak para orës 10:00, ka nisur rundi i gjashtë i diskutimeve në nivel kryenegociatorësh në Bruksel.

    Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë janë takuar sot në Bruksel për të gjetur zgjidhje pas skadimit edhe të periudhës kalimtare të BQK-së, e cila e përcakton euron si valutën e vetme për transaksione në Kosovë.

    Kur bëhet fjalë për pritshmërisë e BE-së nga ky takim, ata janë shprehur optimistë edhe këtë herë.

    Një gjë të tillë, Lajçak e tha edhe gjatë ditës së hënë.

    Ndërmjetësi evropian ka konfirmuar se do të jetë nikoqir i takimit të kësaj jave mes ndërmjetësuesve nga Kosova dhe Serbia.

    Ai është shprehur i bindur se do të ketë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dinarit.

    Takimi i pestë ndërmjet palëve ishte në javën e fundit të prillit.

    Pas takimit të fundit me 25 prill, i dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet, Miroslav Lajçak tha se u ka paraqitur palëve një dokument kompromisi në një përpjekje për të tejkaluar dallimet, por pa dhënë hollësi se për çfarë propozimi bëhet fjalë.

    Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë pas takimit akuzuan njëri tjetrin për dështimin e bisedimeve.

    Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi më 25 prill tha se Serbia kishte “qëndrime shqetësuese” sa i përket çështjes së transferimit të mjeteve financiare në valutën dinar nga Serbia në Kosovë”.

    Pas takimit me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, Bislimi tha se tani ndërmjetësi evropian, Mirosllav Lajçak ka dalë me një propozim të ri rreth zgjidhjes së kësaj çështjeje.

  • Ligji i ri i trafikut rrugor, për një muaj shqiptohen mbi 36 mijë gjoba

    Ligji i ri i trafikut rrugor, për një muaj shqiptohen mbi 36 mijë gjoba

    Mbi 36 mijë gjoba janë shqiptuar për një muaj nga Policia e Kosovës pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri të trafikut rrugor.

    Sipas një njoftimi nga Policia bëhet e ditur se 27,003 gjoba janë shqiptuar për tejkalim të shpejtësisë dhe 4,548 për rrip të sigurisë.

    Tutje bëhet e ditur se për mjete të paregjistruara deri në 30 ditë janë shqiptuar gjithsej 659 gjoba, dhe 317 gjoba të shqiptuara për mjete të pa regjistruara mbi 30 ditë.

    Ndërkaq, janë konfiskuar 511 vetura të cilat nuk kanë qenë të regjistruara si dhe 11 kamion e 100 motoçikleta.

    “Me qëllim të rritjes së sigurisë rrugore, mbrojtjen e jetës dhe zhvillimin normal të rrjedhës së trafikut, Policia e Kosovës gjatë muajit të parë të implementimit të ligjit të ri të trafikut ka ndërmarrë fushata për vetëdijesimin dhe sensibilizimit e qytetarëve në respektim të rregullave dhe kontributit të përbashkët për parandalimin e aksidenteve në trafik”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Policia e Kosovës, ka apeluar të gjithë pjesëmarrësit në trafik të respektojnë rregullat e trafikut që të kontribuohet në në sigurinë rrugore duke shpëtuar veten dhe pjesëmarrësit tjerë në trafik.

  • Presidentja Osmani bisedon me homologun gjerman – kërkon përkrahjen për anëtarësim në Këshill të Evropës

    Presidentja Osmani bisedon me homologun gjerman – kërkon përkrahjen për anëtarësim në Këshill të Evropës

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në prag të takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës ka folur me presidentin gjerman, Frank-Walter Steinmeier lidhur me anëtarësimin e Kosovës në KiE.

    Presidentja Osmani në një postim në platformën X thotë se në bisedën me homologun gjerman ka theksua rëndësinë për përfundimin me sukses të këtij procesi.

    “Dje fola me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier për të diskutuar anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

    Theksova rëndësinë për përfundimin me sukses të këtij procesi, për të siguruar që të gjithë qytetarët tanë të përfitojnë sa më shpejt nga instrumentet e Këshillit.

    Anëtarësimi ynë nuk do të ishte vetëm një fitore për të drejtat e njeriut në Kosovë, por edhe një fitore për kontinentin tonë dhe vlerat mbi të cilat ai qëndron fuqishëm”, shkruan Osmani.

  • Zelensky anulon vizitat në Spanjë e Portugali

    Zelensky anulon vizitat në Spanjë e Portugali

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka anuluar vizitat e planifikuara në Spanjë dhe Portugali, bënë të ditur autoritetet të mërkurën. Televizioni “CNN Portugal” dhe media të tjera kanë raportuar se anulimi ka ndodhur për shkak të shtimit të luftimeve në vendin e tij.

    Zelensky pritej të takohej me Mbretin Felipe të Spanjës dhe të nënshkruante një marrëveshje dypalëshe bashkëpunimi në fushën e sigurisë me kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez, pas një deklarate të përbashkët të NATO-s vitin e kaluar.

    Qeveria e Spanjës tha se nuk mund të komentonte anulimin e vizitës për arsye sigurie.

    Bashkë me vende të tjera evropiane, Spanja është zotuar për ta mbështetur Ukrainën me ndihma financiare e ushtarake pas fillimit të pushtimit rus.

  • Knaus: Ka ende një rrugë të mirë përpara që Kosova të anëtarësohet në KiE

    Knaus: Ka ende një rrugë të mirë përpara që Kosova të anëtarësohet në KiE

    Kryetari i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus ka thënë se ende ekziston një rrugë e mirë përpara që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

    Knaus në një postim në “X”, ka shtuar se kjo kërkon lidership dhe që të zbatohen të gjitha standardet e Këshillit të Evropës për të gjitha shtetet anëtare.

    “Përkundër disa raporteve pesimiste, ka ende një rrugë të mirë përpara që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës së shpejti. Kjo kërkon lidership, ashtu siç kërkon çdo përparim në politikë. Dhe një referencë të qartë ndaj standardeve të Këshillit të Evropës që zbatohen për të gjitha shtetet anëtare. As më shumë, as më pak. Mundësi për një përparim në raportin e ri të Iniciativës Evropiane për Stabilitetit më vonë gjatë ditës së sotme”, ka shkruar Knaus.

    Knaus ditë më parë i kishte reaguar ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde lidhur me anëtarësimin e Kosovës në KiE.

    Ai kishte deklaruar se do të ishte fiasko diplomatike ndërsa pyeti se “përse t’i besohet drejtësisë së anëtarëve të BE-së, pavarësisht meritave?”.

  • Dafina Zeqiri publikon fotografi me Rita Orën dhe bashkëshortin e saj, në sy bie shqiponja e vendosur mbi ballin e Taikas

    Dafina Zeqiri publikon fotografi me Rita Orën dhe bashkëshortin e saj, në sy bie shqiponja e vendosur mbi ballin e Taikas

    Këngëtarja shqiptare Dafina Zeqiri ka ndarë një fotografi të rrallë përmes InstaStory me fansat e saj, ku shfaqet së bashku me yllin me famë ndërkombëtare Rita Ora dhe bashkëshortin e saj, regjisorin e njohur hollivudian Taika Waititi.

    Pavarësisht se nuk ka dhënë detaje shtesë në postim, imazhi flet vetë për mikpritjen dhe gëzimin e këtij takimi.

    Fotografia duket se është realizuar në ditëlindjen e 33-të të Ritës, e cila është mbajtur në Prishtinë në nëntorin e vitit të kaluar. Rita Ora dhe Taika Waititi vizituan kryeqytetin shqiptar, duke u takuar me disa prej figurave më të njohura të skenës politike dhe shoqërore të vendit.

    Në foto, Dafina dhe Rita shfaqen duke qeshur dhe duke shkëmbyer momente të lumtura, ndërsa Taika Waititi duket se ka pranuar me krenari simbolet kulturore të Shqipërisë, duke mbajtur në ballë një shqiponjë dykrenare dhe duke formuar me duar një simbol të ngjashëm me shqiponjën.

    Ky takim simbolizon një urë midis yjeve shqiptare me ata ndërkombëtarë, dhe tregon fqinjësinë dhe vlerat e kulturës shqiptare. /Telegrafi/