ATV

Blog

  • PDK- ja lëshon pe, do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare

    PDK- ja lëshon pe, do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat janë paraparë të jenë në rend dite në seancën e së enjtes, këtë herë mund të miratohen.

    Kjo pasi që, Partia Demokratike e Kosovës ka ndryshuar qëndrim sa i përket votimit të tyre.

    Kandidati për kryeministër nga kjo parti, Bedri Hamza, ka thënë se PDK-ja do të veprojë në interes të vendit.

    “PDK-ja do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare. Për mua si kandidat, prioritetet janë të qarta, interesi i vendit, i partisë dhe së fundi i neve si individë. Mbi të gjitha interesi i qytetarëve. Kosova është nën masa sanksione, janë qindra milionë euro të bllokuara… përtej aspektit financiar kemi të bëjmë me një dëmtim të reputacionit të vendit”, tha Hamza.

    Derisa për marrëveshjet ndërkombëtare ka dakordim, për koalicion me Vetëvendosjen, Hamza ka thënë jo.

    Në zgjedhje, PDK-ja do të garojë e vetme.

    “Nuk bëhet fjalë për kurrfarë koalicioni. Nuk jemi duke folur për koalicione. Ne jemi në garë për të punuar fort që t’i bindim qytetarët me program, me ekip, me listë e me gjithçka që kërkon fushata, që ne të jemi parti fituese dhe të krijohet situata që ne ta udhëheqim qeverinë”, tha Hamza.

    Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, edhe gjatë të mërkurës ka shprehur gatishmërinë e tij për zgjedhje të jashtëzakonshme.

    “Opozita duhet të bëhet gati për zgjedhje. Ne jemi gjithmonë gati, përndryshe nëse ata janë rehat, shkon mandati deri në fund”, tha Kurti.

    Ndonëse, Qeveria Kurti e ka shumicën parlamentare për t’i miratuar ligjet, për marrëveshjet ndërkombëtare nevojiten së paku 80 vota të deputetëve.

    Ndërkohë, vlera e tyre kalon shifrën e 300 milionë eurove.

  • Regjistrimi i popullsisë, qytetarët s’pyeten për punën e dytë

    Regjistrimi i popullsisë, qytetarët s’pyeten për punën e dytë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Punën që e ushtron tash e 3 vjet si drejtor i shkollës fillore “Emin Duraku”, Visar Osmani, e deklaroi, gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë. Por ai nuk u pyet fare për punën e dytë të tij që e bën tash e 30 vjet.

    “Merrem edhe muzikë, me një intensitet më të ulët për shkak të punës si drejtor, po e bëj tash shumë vite punën si vokalist, për punën e parë jam pyetur, për të dytën jo”, tha Osmani.

    Regjistruesit e ASK-së, as profesorin Fidan Qeriqi, nuk e pyetën për punën e dytë, derisa në formularin e regjistrimit, ai deklaroi vetëm pozitën prej profesori.

    Mirëpo, ndryshe thonë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Sipas tyre, pyetja e 42-të e sqaron këtë dilemë, e cila ka të bëjë me dy burimet kryesore të mjeteve të jetesës.

    “Nga pyetja 30 deri në 33 është pyetja për punën primare, ndërkaq në pyetjen 42 vendoset biznesi apo puna dytësore, që e bën pra janë të ardhurat kryesore prej nga i merr”, tha Hazbije Qeriqi, zëdhënëse në ASK..

    Por kjo pyetje, sipas Qeriqit, nuk definon nëse qytetari bën më shumë se një punë.

    “Pyetja e 42-të mundohet me i nda të hyrat a janë prej pagës, biznesit apo kategori të tjera që një person, nëse ka dy profesione dhe dytat janë prej pagave, i bie që janë me një kategori. Pra këtu tregohen prej nga janë të hyrat”, tha profesori Fidan Qeriqi.

    Procesi i regjistrimit të popullsisë është paraparë të përfundojë më 17 maj. Ndërkaq, deri më tani janë regjistruar afro 1.5 milion banorë.

  • Stërzgjaten punimet në rrugën “27 nëntori” në Vranjevc

    Stërzgjaten punimet në rrugën “27 nëntori” në Vranjevc

    Përgatiti: Sara Shehu

    Këtë të mërkurë, do të duhej të përfundonin punimet në këtë rrugë në njërën prej lagjeve më të mëdha në kryeqytet.

    Të revoltuar, banorët shprehen se punimet e stërzgjatura u kanë nxjerrë telashe të shumta.

    “Komuna e ka neglizhu lagjen, sidomos ketë rrugë me këto anësore që i ka vendosë janë të tmerrshme plus kompania ka punu me punëtor 15-16 vjeç, inspeksioni duhet me i denu… Pushteti lokal duhet të kenë parasysh që votat tona ma nuk do t’i marrin asniherë me kësi gjendje që s’kanë punu”, tha Ilmi Sherifi, banor.

    “Kjo gjendje është shqetësuese po na pengon në qarkullim neve këmbësorëve, komuna e Prishtinës nuk e ka kryer punën si duhet. Duhet të merren masa sa më shpejt”, tha Agim Abazi, banor.

    Madje, për shkak të gjendjes së keqe të rrugës, banorët kanë mbetë edhe pa transport publik.

    “U dëmtun me kerre me këmbë e me fëmijë e me kejtë oshtë njo prej lagjeve ma të banueshme të qytetit po tash s’ka as autobus veturat i banëm llom… Përsëri ju vjen koha për zgjedhje e dimë kujt ia japim votën, kryetari që o tash kurrë e përjetë ma se ka votën tonë”, tha Isuf Zena, banor.

    Lidhur me këtë situatë, zyrtarë komunalë, nëpërmjet një përgjigje me shkrim për ATV-në, kanë hedhur fajin te punëkryesi.

    “Operatori ekonomik është treguar i papërgjegjshëm dhe do të ketë masa jo vetëm ndaj tij, por edhe menaxherit të mbikëqyrësit të kontratës nga Komuna e Prishtinës. Së shpejti do të përfundojnë punimet, por jemi jashtë afatit të premtuar”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.

    Në kuadër të shpenzimeve kapitale për vitin 2023, Drejtoria e Investimeve Kapitale në Komunë të Prishtinës kishte ndarë 600 mijë euro për zgjerimin e rrugëve në Kodrën e Trimave, përfshirë edhe rrugën 27 nëntori.

  • Telekomi kërkon shkarkimin e ekspertëve, kërkesa refuzohet

    Telekomi kërkon shkarkimin e ekspertëve, kërkesa refuzohet

    Përgatiti: Armand Hoti

    Me rezultatet e nxjerra nga plotësimi i ekspertizës financiare në kontestin përmbarimor me kompaninë “Dardafon”, nuk po pajtohet assesi.

    Por, ata po kërkojnë edhe shkarkimin e tre ekspertëve që bënë këtë ekspertizë, të caktuar nga shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale.

    Përfaqësuesi ligjor i Telekomit, Durim Ahmetaj, pretendon se eksperti Blerim Pushkolli, është i përfshirë në konflikt interesi, meqë, sipas tij, ai është zëvendësdrejtor i një shoqate, ku anëtare e Bordit është Shpresa Mustafa, e cila punon për Korporatën Devolli.

    Mban pozitën e zëvendësdrejtorit ekzekutiv. Ndërlidhja këtu qëndron direkte me biznesin e kreditorit, pasiqë në të njëjtën shoqatë mban pozitën e anëtares së Bordit, zonja Shpresa Mustafa e cila nga uebfaqja e të njëjtës shoqatë e ka të deklaruar që punon në një kompani të grupit “Devolli Corporation”, tha Ahmetaj.

    Pretendimet e Ahmetajt, për konflikt interesi, i mohoi eksperti Pushkolli.

    “Përzgjedhja ime është përgjegjësi ekskluzive e drejtorit ekzekutiv”, tha Pushkolli.

    Avokati i ndërmarrjes tha se edhe eksperti Bashkim Uka, është jokredibil, pasi ai dhe Shpresa Mustafa janë anëtarë të një komisioni në po të njëjtën shoqatë.
    Këto pretendime nuk e bindën gjykatësin Dren Rugova.

    “Refuzohet propozimi i debitorit për përjashtimin e grupit të ekspertëve”, tha Dren Rugova, gjyqtar i rastit.

    Vendimi e nervozoi gjithë menaxhmentin e Telekomit, por më së shumti drejtorin financiar, Feim Kelmendi.

    Madje, ata kërkuan edhe përjashtimin e gjyqtarit të çështjes.

    Llogaritë e Telekomit vazhdojnë të jenë të bllokuara nga muaji shkurt, duke i lënë rreth 1800 punëtorë pa paga.

    Deri më tani, në emër të vendimit të shkallës së parë të komerciales, të marrë në shkurt, 2.1 milion euro janë tërhequr nga llogaritë e ndërmarrjes.

  • Plagosja e kryeministrit sllovak, vjen reagimi i parë nga Kosova

    Plagosja e kryeministrit sllovak, vjen reagimi i parë nga Kosova

    Shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz ka reaguar pas plagosjes së kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico.

    Gërvalla ka shkruar se zemrat e kosovarëve janë me kryeministrin sllovak duke i uruar shërim sa më të shpejt. Ministrja e jashtme ka thënë se autorët duhet të ndëshkohen.

    “Zemrat tona dhe urimet më të mira shkojnë për kryeministrin sllovak Fico, i cili u qëllua dhe u dërgua në spital. Ne po mendojmë për të dhe të dashurit e tij. Të gjithë i urojmë shërim të shpejtë. Autorët duhet të ndëshkohen”, ka shkruar Gërvalla.

    (VIDEO) Momenti kur kryeministri i Sllovakisë futet me shpejtësi në veturën e blinduar, pas plagosjes

  • (VIDEO) Momenti kur kryeministri i Sllovakisë futet me shpejtësi në veturën e blinduar, pas plagosjes

    (VIDEO) Momenti kur kryeministri i Sllovakisë futet me shpejtësi në veturën e blinduar, pas plagosjes

    Sipas raportimeve, kryeministri i Sllovakisë Robert Fico është qëlluar dhe plagosur me armë zjarri nga një person i panjohur.

    Incidenti ndodhi në qytetin Handlova, rreth 150 kilometra në verilindje të kryeqytetit Bratislava, sipas stacionit televiziv të lajmeve TA3, raporton SkyNews.

    Një i dyshuar është arrestuar për rastin dhe se Fico ndodhet në spital për trajtim.

    Ngjarja ndodhi para Shtëpisë së Kulturës, ku Fico kishte ardhur për t’u takuar me mbështetësit. Policia bllokoi vendin e ngjarjes.

    Më poshtë mund ta shikoni momentin në video, kur truprojat e futin në makinë kryeministrin e Sllovakisë pas plagosjes.

    https://twitter.com/Wittishit/status/1790740027632136646

  • Disa shenja që tregojnë se po pini më shumë kafe seç duhet

    Disa shenja që tregojnë se po pini më shumë kafe seç duhet

    Mesatarisht, një person pi 3.1 gota kafe në ditë dhe kjo thjesht dëshmon se bota moderne nuk mund të jetojë pa këtë pije, madje është bërë edhe kulturë.

    Por, përveç efekteve pozitive, ka disa anë negative për të cilat duhet të informohen të gjithë përdoruesit e kafesë.

    Më poshtë mund të njiheni me disa shenja që tregojnë se po e teproni me konsumimin e kafesë:

    Probleme me stomakun dhe zorrën e trashë

    Kafeja ka një efekt laksativ. Ajo nxit prodhimin e një hormoni që përshpejton aktivitetin në zorrën e trashë. Kur konsumoni më shumë kafe seç duhet, zakonisht mund të keni probleme me jashtëqitjen, në disa raste edhe diarre.

    Ndiheni të lodhur ditën tjetër

    Kafeja stimulon sistemin nervor për shkak të përmbajtjes së kafeinës dhe gjithashtu përmirëson performancën fizike me 11-12%. Por ka një anë të keqe. Studimet tregojnë se pasi pini shumë kafe, mund të ndiheni të lodhur ditën tjetër dhe të përballeni me një gjendje si përgjumje.

    Keni ankth

    Dozat e larta të kafeinës sjellin një gjendje ankthi dhe nervozizmi. Nëse vini re se bëheni nervoz shumë shpejt, bëni mirë të kontrolloni sasinë e kafeinës.

    Përjetoni pagjumësi

    Kafeina ju mban zgjuar dhe në të njëjtën kohë mund të ketë pasoja për gjumin. Studiuesit kanë treguar se konsumi i lartë i kafesë mund të rrisë sasinë e kohës që ju nevojitet për të fjetur.

    Keni rrahje të shpeshta të zemrës dhe përjetoni lodhje

    Efekti i rrahjeve të shpejta të zemrës nuk shfaqet te të gjithë njerëzit, por gjithsesi është i zakonshëm. Është vërtetuar që një efekt i tillë është më i përhapur te të rinjtë. Pirja e kafesë nuk rekomandohet për personat që kanë probleme me presionin e gjakut.

    Ndiheni të varur prej saj

    Studimet kanë treguar se kafeina rrit metabolizmin me 3-11%. Sidoqoftë, është e rëndësishme që të tregoheni të kujdesshëm pasi disa njerëz janë jotolerantë ndaj kafesë dhe efekteve të saj negative. Problemi qëndron te fakti se mund të bëheni të varur nga kafeja duke mos konsumuar mjaftueshëm ujë.

  • Hamza: PDK-ja do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare

    Hamza: PDK-ja do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare

    Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se partia e tij do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvend, raporton Ekonomia Online.

    Ai në një konferencë për media tha se prioritet është interesi i qytetarëve dhe jo i individëve.

    Ai ka thënë se ky qëndrim i PDK-së vjen si rezultat i kandidaturës së tij për kryeministër dhe jo për shkak të takimit me kryeministrin Albin Kurti.

    “Votimi i marrëveshje ndërkombëtare, PDK do t’i votojë ato. Për mua si kandidat, prioritetet janë të qarta, interesi i vendit, i partisë, dhe së fundi i neve si individë. Mbi të gjitha interesi i qytetarëve. Kosova është nën masa sanksione, janë qindra milionë euro të bllokuara…përtej aspektit financiar kemi të bëjmë me një dëmtim të reputacionit të vendit. Përveç milionave të bllokuara, ka edhe qindra miliona të tjerë, të ratifikuara në kuvend të cilat nuk janë të shpenzuara, si rezultat i paaftësisë për t’i kryer projektet në dobi të qytetarëve”, tha ai.

     

  • Plagoset kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico

    Plagoset kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico

    Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico është plagosur në një incident me të shtëna pas një takimi të Qeverisë në afërsi të Bratislavës, raporton televizioni sllovak TA3.

    Incidenti ndodhi në qytetin Handlova, rreth 150 kilometra në verilindje të kryeqytetit.

    I dyshuari është arrestuar, sipas TA3.

    Nënkryetari i Parlamentit të Sllovakisë, Lubos Blaha, konfirmoi incidentin gjatë një seance parlamentare, të cilën e shtyu për datë të papërcaktuar, njoftoi agjencia sllovake e lajmeve, TASR.

    Nuk dihet sa rëndë mund të jetë plagosur Fico. Ai u dërgua menjëherë në spital, raportoi TASR, duke e cituar Blahan./REL

  • Mbyllen përkohësisht dy aeroporte në një rajon rus, pas një sulmi me dronë

    Mbyllen përkohësisht dy aeroporte në një rajon rus, pas një sulmi me dronë

    Autoritetet në rajonin Tatarstan të Rusisë i mbyllën për disa orë dy aeroporte të mëdha të mërkurën, për shkak të një sulmi me dronë.

    Aeroporti në kryeqytetin e këtij rajoni, Kazan, dhe një tjetër në qytetin Nizhnekamsk, u mbyllën për “arsye sigurie”, thanë autoritetet ruse.

    Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se “një dron ukrainas i llojit avion” u rrëzua mbi rajonin Tatarstan në orën 7:30 sipas kohës lokale.

    Muajin e kaluar, dronët e goditën një rafineri nafte në Tatarstan dhe një konvikt në zonën e veçantë ekonomike Alabuga, në Nizhnekamsk, e cila është vend i më shumë se 20 ndërmarrjeve industriale, përfshirë i fabrikave të inxhinierisë mekanike dhe të përpunimit të metaleve.

    Raportohet se ky vend është duke prodhuar edhe dronë.

    Ky rajon ndodhet më shumë se 1.200 kilometra larg kufirit mes Ukrainës dhe Rusisë.

    Ky sulm me dronë ndodhi në të njëjtën ditë kur Rusia tha se e ka zmbrapsur një sulm të madh ukrainas në Gadishullin e Krimesë.

    Guvernatori i instaluar nga Moska në rajonin e pushtuar ukrainas të Krimesë, Mikhail Razvozhayev, tha se është zmbrapsur “një sulm masiv” ukrainas me raketa mbi qytetin e Sevastopolit.

    Razvozhayev tha se disa raketa u rrëzuan mbi det dhe në zonën afër bazës ajrore të Belbekut.

    Edhe më herët, kjo bazë ajrore kishte qenë cak i sulmeve./REL/