ATV

Blog

  • Një vit i plotë i kryetarëve shqiptarë në Veri, pa përkrahje të komunitetit serb

    Një vit i plotë i kryetarëve shqiptarë në Veri, pa përkrahje të komunitetit serb

    PËRGATITI: ARTON HAMITI 

    Nën përcjellje të njësive elite të Policisë, kryetari shqiptar i Zveçanit kishte hyrë për herë të parë në objektin komunal me 26 maj të vitit të kaluar.

    Për shkak të protestave të dhunshme nga komunitetit serb, për gati 10 muaj Ilir Peci drejtoi komunën nga zyra alternative në fshatin Lipë.

    Një vit pas, ai po e ushtron detyrën krejtësisht i papenguar nga objekti i komunal.

    “Ka qenë një situatë shumë e vështirë me 26 maj të vitit të kaluar. Mirëpo për atë arsye ne jemi pas ndal në kuptim e asaj që deri para një muaji ne kemi qenë duke funksionu nga fshati Lipë. Tash jemi duke punuar nga këtu dhe është një dallim jashtëzakonisht i madh me e krahasu me vitin e kaluar. Për momentin është një situatë shumë e qetë”, deklaroi Ilir Peci, kryetar i Zveçanit.

    Teksa qytetarët tashmë po i marrin shërbimet e nevojshme dhe gjithçka i është kthyer normalitetit, fillimi sipas Pecit ka qene shumë sfidues.

    “Sfida më e madhe faktikisht që në disa raste kemi qenë para një bllokade ka qenë fakti se 4 muaj kemi qenë pa buxhet. Si komunë me gjithë ata zyrtarë me disa projekte ka qenë shumë e vështirë të punohet me buxhet të bllokuar. Mirëpo sa kemi punu në ato kushte të rënda ne nuk jemi ndalur asnjëherë. Mund të themi që 90% të kërkesave të qytetarëve i kemi plotësuar”, shtoi tutje ai.

    Shumë javë kundërshtime, protesta e dhunë, pati edhe në Zubin Potok. Por, normaliteti tashmë është kthyer edhe në komunën që udhëhiqet nga Izmir Zeqiri.

    “Pas 24 shtatorit, kur ndodhi sulmi në Banjskë, ku u vra polici dhe largimi i bandave terroriste ka fillu që ndryshimi të jetë më i hovshëm me lëvizjen e këtyre bandave dhe tani mund të themi që situata ë normalizu në tërësi dhe jemi në procese e sipër të integrimit përmes punësimit dhe angazhimeve të komunitetit serb ku ka kërkesa të mëdha”, tha Zeqiri.

    Mungesa e përkrahjes nga qytetarët e komunitetit serb sipas Zeqirit ishte pengesa më e madhe gjatë këtyre 365 ditëve.

    “Bojkotimi në një formë i tërësishëm sepse serbet kishin frikë. Edhe ata që dëshironin të integroheshin kishin frikë nga bandat terroriste andaj fillimi ishte shumë hezitues nga ana e tyre por kontakti vazhdojë me ta dhe tani mund të themi qe kam kontakte të drejtpërdrejta me ta”, tha tutje ai.

    Sidoqoftë, në këto katër komunat veriore që llogaritet se jetojnë rreth 60 mijë qytetarë, shumica e projekteve kanë ngecur që nga viti 2022.

    Katër kryetaret shqiptarë, Lulzim Hetemi, Ilir Peci, Izmir Zeqiri dhe Erden Atiq, morën pushtetin në zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar, pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës.

    Mandati i tyre përfundon në vitin 2025, meqë votimi që i hapte rrugë largimit u bojkotua nga komuniteti shumicë në komunat veriore./atvlive.tv/

  • Mungesa e prokurorëve serbë, në konkursin e ri asnjë kandidat

    Mungesa e prokurorëve serbë, në konkursin e ri asnjë kandidat

    Nga 24 pozita të lira në konkursin për prokurorë të rinj, katër kanë qenë të rezervuara për komunitetin serb.

    Por Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka pranuar asnjë aplikacion nga ky komunitet.

    Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thonë se situatë e njëjtë mund të vazhdojë derisa nuk zgjidhet çështja e dorëheqjeve nga institucionet në katër komunat veriore.

    Mungesa e prokurorëve serbë vazhdon të vërehet nëProkurorinë Themelore të Mitrovicës, nga e cila dhanëdorëheqje 10 prokurorë, bashkë me stafin administrativtë komunitetit serb.

    Nga kjo Prokurori presin që transferimi i katër prokurorëve të ketë ndikim në efikasitetin e organit tëakuzës.

    Ndërkohë nga Këshilli Prokurorial thonë se për mënyrat e integrimit të serbëve në sistemin prokurorial,do të diskutohet në takimet e radhës të KPK-së.

    Ju njoftojmë se lidhur me mënyrat e integrimit të pjesëtarëve të komunitetit serb, në radhët e sistemit prokurorial nuk ka ende asgjë konkrete, porse kjo çështje do të diskutohet dhe trajtohet në takimet e radhës së Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe për çfarëdo vendimi që merret nga ana e anëtarëve të Këshillit do t’ju informojmë me kohë.

    Përveç angazhim nga KPK-ja, Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson se duhet edhe angazhim nga faktori ndërkombëtar edhe ekzekutivi, në mënyrë që çështja e dorëheqjeve të marrë një epilog.

    Në nëntor të vitit 2022, prokurorët, gjyqtarët dhe stafi administrativ i nacionalitetit serb dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre në institucionet në veri, shkaku i vendimit të Qeverisë për targa dhe arrestimit të ish-drejtorit të Policisë në këtë pjesë./atvlive.tv/

  • Arrestohet një person në Ferizaj, tentoi ta rrëmbejë me forcë një 19-vjeçare

    Arrestohet një person në Ferizaj, tentoi ta rrëmbejë me forcë një 19-vjeçare

    Sot rreth orës 09:35 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë me telefon nga një femër e moshës 19-vjeçare, e cila rreth orës 08:00 dyshohej se ishte rrëmbyer në Fushë Kosovë nga GJ.H. (23) dhe se ajo ndodhej në një pikë karburanti në Bibaj të Ferizajt, ku i dyshuari e kishte sjellë me veturë dhe ishin ndaluar aty.

    Ekipe të policisë menjëherë janë nisur në drejtim të fshatit Bibaj dhe aty kanë hasur të dyshuarin, i cili ishte jashtë në oborr të pikës së karburantit, duke e pritur viktimën femër të dalë jashtë.

    I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj, gjithashtu në stacionin e policisë është sjellë edhe viktima femër.

    Në bashkëpunim me policët e stacionit në Fushë Kosovës, i dyshuari dhe viktima janë dërguar për procedura të intervistimit dhe hetimit atje, ngaqë rasti i dyshuar për rrëmbim me forcë dyshohet se ka ndodhur në qytetin e Fushë Kosovës.

  • Kurti për regjistrimin e popullsisë: Kemi mbledhur të dhëna të rëndësishme për planifikimin e së ardhmes

    Kurti për regjistrimin e popullsisë: Kemi mbledhur të dhëna të rëndësishme për planifikimin e së ardhmes

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se me përfundimin e procesit të regjistrimit të popullsisë kanë nxjerrë të dhëna shumë të rëndësishme që do të ndihmojnë në planifikimin e së ardhmes, raporton Ekonomia Online.

    Këto komenti, kreu i ekzekutivit i ka bërë në shënim të përfundimit të procesit të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë, i nisur më 5 prill 2024, të organizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në bashkëpunim me UNDP-në

    “Të dhënat e mbledhura do të jenë baza për politika, strategji e vendime më të mira, për një zhvillim edhe më të hovshëm e më të qëndrueshëm të vendit tonë. Në veçanti i falënderoj edhe partnerët tanë ndërkombëtarë për bashkëpunimin. Së bashku mund të arrijmë gjithçka, të jemi edhe të numëruar edhe të lumtur”, tha kryeministri Kurti në fjalën e tij para të pranishmëve.

    Ai u shpreh i lumtur për përfundimin me sukses të regjistrimit të popullsisë, pas plot 13 viteve kur ishte bërë për herën e fundit, duke theksuar se kjo është një etapë shumë e rëndësishme e progresit të vendit tonë dhe padyshim se këtij suksesi i gëzohemi të gjithë.

    Kryeministri Kurti ka falënderuar të gjithë qytetarët të cilët kanë hapur dyert dhe zemrat e tyre për regjistruesit tanë, për të cilët tha se kanë mbledhur të dhëna të rëndësishme që do të ndihmojnë në planifikimin e ardhshëm. Ai i falënderoi edhe ekipet e regjistruesve, tërë stafin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, dhe të gjithë përkrahësit e këtij procesi.

    Për realizimin dhe përfundimin e suksesshëm të këtij procesi, mbështetje dhe kontribut të çmuar kanë dhënë edhe institucionet ndërkombëtare përfshirë: Eurostat, UNECE, UNFPA, UNDP dhe shumë organizata të tjera ndërkombëtare në Kosovë, për të cilat gjithashtu jemi mirënjohës dhe falënderues.

  • Mbappe e zhvillon sonte ndeshjen e fundit me Paris Saint-Germanin

    Mbappe e zhvillon sonte ndeshjen e fundit me Paris Saint-Germanin

    Kylian Mbappe do ta zhvillojë sonte ndeshjen e tij të fundit me fanellën e Paris Saint-Germanit.

    Ndeshjen e fundit me PSG-në do ta luajë në Lille, kundër Lyonit, në finale të Kupës së Francës, që për Mbappen do të jetë paraqitja e 308-të.

    Mbappe në edicionin aktual e ka fituar titullin në Ligue 1, ndërsa synon tjetër trofe me parisienët.

    Me PSG-në e ka fituar gjashtë herë elitën e futbollit francez dhe dy herë Kupën e Ligës.

    Në Kupën e Francës e kërkon trofeun e katërt kundër Lyonit.

    Mbappe ka shënuar 42 gola në 64 paraqitje për Parisin në garën elitare të UEFA-s, por PSG-ja nuk e ka fituar trofeun në shtatë vjetët me Mbappen.

    Sulmuesi francez erdhi tek Parisi nga Monaco në vitin 2017 për 180 milionë euro.

    Real Madridi pritet të jetë destinacioni i ardhshëm i Kylian Mbappes.

  • Rusia pretendon se ka marrë nën kontroll edhe një vendbanim ukrainas

    Rusia pretendon se ka marrë nën kontroll edhe një vendbanim ukrainas

    Rusia tha më 25 maj se ushtria e saj ka marrë kontrollin edhe të një fshati tjetër në lindje të Ukrainës. Ky është përfitimi i fundit territorial nga Moska gjatë pushtimit të saj të Ukrainës.

    Ministria ruse e Mbrojtjes tha se trupat “kanë marrë kontrollin e fshatit Arhengelske” në rajonin e Donjeckut.

    Ky fshat i vogël në vijën e frontit gjendet afër qytetit Oçertejne, të cilit Rusia pretendoi më herët gjatë këtij muaji se e ka marrë nën kontroll.

    Policia ukrainase, ndërkaq, tha se tre persona u vranë dhe dy të tjerë u plagosën gjatë sulmeve ruse në Donjeck, ku janë regjistruar më shumë se 1.800 sulme ditën e kaluar.

    Rusia nisi një ofensivë në rajonin e Harkivit më 10 maj, teksa forcat ukrainase po përballen me mungesë të armatimit./REL/

  • Haradinaj kujton heroin Fadil Nimani: Ishte i pari në rezistencë e aksione

    Haradinaj kujton heroin Fadil Nimani: Ishte i pari në rezistencë e aksione

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar heroin e kombit Fadil Nimani në përvjetorin e rënies, raporton Ekonomia Online.

    Haradinaj ka thënë se ai u dallua për guximin dhe trimërinë në fushëbeteja.

    “Që nga organizimet e para të luftës çlirimtare, bashkëluftëtari im, Heroi i Kosovës Fadil Nimani u dallua për guximin dhe trimërinë nëpër fushëbeteja. Ai ishte i pari në rezistencë e aksione, kudo që e kërkonte nevoja. Do të kujtohet ndër breza për atdhedashurinë dhe qëndresën e palëkundur”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka kujtuar edhe masakrën e Lybeniqit dhe të rënët e fshatit Kamenicë.

    “Po sot, kujtojmë 26-vjetorin e masakrës në Lybeniq, ku u ekzekutuan anëtarë të familjes Hamzaj, Alimehaj e Gogaj. Më 25 maj 1999, në kodër të fshatit Kamenicë, në luftë fyt për fyt me armikun, ranë heroikisht bashkëluftëtarët e mi; Fetah Selca, Ardian Kelmendi, Islam Berisha dhe Muharrem Kelmendi, e në Kotradiq, Arsim Ramaj. Asgjë më shumë se liria e popullit të Kosovës nuk e shpërblen gjakun e të rënëve për liri. I përjetshëm kujtimi për ta!” është shprehur Haradinaj.

  • Gërvalla pritet në takim nga O’Brien, diskutohet anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare

    Gërvalla pritet në takim nga O’Brien, diskutohet anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare

    Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, është pritur në takim nga Ndihmëssekretari i Byrosë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike i Departamentit të Shtetit Amerikan, James O’Brien.

    Takimi u zhvillua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atje ku zëvendëskryeministrja po qëndron për vizitë zyrtare.

    Në mesin e pikave të cilat u trajtuan gjatë takimit ishte edhe anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare.

    “Në frymën e marrëdhënieve të posaçme ndërmjet dy shteteve gjatë takimit janë trajtuar aspekte të shumta të thellimit të bashkëpunimit dypalësh, forcimit të sundimit të ligjit e demokracisë dhe jetësimit të aspiratave për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare”, shkruan në njoftimin e MPJD-së.

    Gjatë takimit u diskutua edhe për përkushtimin e institucioneve në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, sipas asaj që thuhet në komunikatën e Ministrisë.

    “Ministrja Gërvalla dhe Ndihmës Sekretari O’Brien diskutuan po ashtu rreth zhvillimeve të tjera aktuale në vend, duke vënë theksin në përkushtimin e institucioneve në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon si dhe zmbrapsjen e kërcënimeve të sigurisë”.

  • Kusari-Lila: Nuk ka shpërndarje të Kuvendit pa dakordim edhe të LDK-së e AAK-së

    Kusari-Lila: Nuk ka shpërndarje të Kuvendit pa dakordim edhe të LDK-së e AAK-së

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se nuk do të pranojnë shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës pa dakordimin e përbashkët të opozitës. Ajo thekson se mazhoranca nuk do të pranojë të votojë  për shpërndarjen e legjislaturës së tetë pa unifikim të opozitës, madje këtë gjë thotë se ia kanë bërë të ditur edhe Partisë Demokratike të Kosovës.

    Rrjedhimisht, sipas saj, javën e ardhshme nuk do të ketë asgjë të jashtëzakonshme dhe se Kuvendi do të vazhdojë punën normalisht. Megjithatë, ajo shton se pushteti ka interes të ketë një legjitimitet të ri popullor para zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Kusari-Lila në një intervistë për KosovaPress, deklaron se nisma për shpërndarje të Kuvendit me vetëm kërkesën e PDK-së nuk mund të jetë e garantuar të ketë sukses.

    Përkundër kësaj, Kusari-Lila thotë se mbesin të hapur për diskutim nëse vjen një kërkesë e përbashkët e opozitës për shpërndarje të Kuvendit. Kjo e fundit sipas saj është e vetmja mundësi për zgjedhje të parakohshme.

    Shefja e deputetëve të LVV-së shton se pushteti jo domosdoshmërish është i interesuar për zgjedhje të parakohshme, por ka shprehur gatishmërie që të bisedojë duke marrë parasysh proceset e tjera zgjedhore në BE dhe SHBA.

    Ajo potencon se preferencë e pushtetit është që zgjedhjet të mbahen në vjeshtë edhe për shkaqe logjistike, por shton se të njëjtat do të jenë të rregullta në bazë të kalendarit zgjedhor.

  • Analistët politikë: Qeveria Kurti pa program të qartë, po synohet përçarja e opozitës

    Analistët politikë: Qeveria Kurti pa program të qartë, po synohet përçarja e opozitës

    Qeverinë aktuale të Kosovës, analistët e përshkruajnë me një notë kaluese shumë të dobët, pa një program të qartë, objektivë dhe fokus. Sipas analistëve, kryeministri Kurti më shumë se shkuarja në zgjedhje, i intereson përçarja e opozitës në mënyrë që të mos ketë një frymë të fuqishme e cila do ta dëmtonte në kuptim të numrave.

    Ndërsa, rreth qasjes së opozitës për zgjedhje, ata e komentojnë se ka filluar të shkojë në drejtim të gabuar, sepse në vend që të sulmojë dhe kritikojë për të rrëzuar qeverinë si zakonisht, tashmë ka filluar një luftë e brendshme ndërmjet opozitës duke kritikuar njëra-tjetrën se po i bënë favore pushtetit.

    Sipas analistit e profesorit universitar, Rrahman Paçarizi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me një veprim finok ka arritur që ta orientojë energjinë e opozitës në një luftë të brendshme ndërmjet vete në vend se ajo luftë të bëhej kundër Qeverisë.

    Ndërsa, analisti tjetër politik, Dritëro Arifi, ka thënë për KosovaPress se opozita përveç deklaratave në rrjete sociale dhe konferencë për shtyp nuk ka pasur ndonjë lëvizje tjetër më serioze për ta lëkundur pozitën e qeverisë.

    Tema e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë është riaktualizuar pas takimit në mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të PDK-së, Memli Krasniqi, takim ky që ndodhi pas ftesës së shefit të ekzekutivit ndaj krerëve të partive opozitare, por që u refuzua nga LDK e AAK.

    Krasniqi, i cili ishte i vetmi nga opozita që iu përgjigj ftesës së Kurtit për të diskutuar agjendën legjislative, kishte thënë se zgjedhjet janë të domosdoshme.

    Ai tha se PDK-ja është e gatshme të gjejë dakordim me të gjitha partitë parlamentare për të shpërndarë Kuvendin “përmes një mocioni të përbashkët”.

    Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media, të lëshuar më 14 maj, kishte thënë se nuk do të bëhet pjesë e asnjë “marrëveshjeje të pre-aranzhuar prapa dyerve të mbyllura e darkave”.

    Dorëheqjen apo shkarkimin e kryeministrit Kurti e kërkoi edhe partia tjetër në opozitë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Data për mbajtjen e zgjedhjeve caktohet nga presidentja e vendit, pas konsultimeve me partitë politike. Kjo ndodh pasi të shpërndahet Kuvendi.

    Në bazë të kalendarit zgjedhor zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të duhej të mbaheshin në vitin 2025.