ATV

Blog

  • Tërmeti me magnitudë 6.6 ballë godet Paqësorin Jugor

    Tërmeti me magnitudë 6.6 ballë godet Paqësorin Jugor

    Një tërmet i fortë me magnitudë 6.6 u regjistrua këtë të hënë, arkipelagun Tonga, në Oqeanin Paqësor Jugor, njoftoi Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS).

    Tërmeti kishte një thellësi fokale prej rreth 112 kilometrash dhe epiqendra e tij ishte më pak se 200 kilometra në veri të Nuku’alofa, kryeqyteti i arkipelagut Tonga, sipas të dhënave të institutit.

    Ndërkohë, nuk ka pasur raportime të menjëhershme për dëme në Tonga, shkruajnë mediat e huaja.

  • Dialogu dhe zgjerimi – pre e së djathtës në BE

    Dialogu dhe zgjerimi – pre e së djathtës në BE

    Nëse sondazhet dalin të sakta, zgjedhjet për Parlamentin e ri Evropian do të tregojnë rritje të mbështetjes për partitë populiste të krahut të djathtë dhe për ato të ekstremit të djathtë – tashmë pjesë e disa parlamenteve kombëtare.

    Këto forca mbështesin një mendim politik që ka tendenca të jetë më konservator dhe më nacionalist. Janë kundër imigrimit, kundër multikulturalizmit e disa edhe kundër zgjerimit të BE-së.

    Me fjalët e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, “populistët e krahut të djathtë janë gati të shkatërrojnë atë që kemi ndërtuar për fëmijët tanë; ata ngjallin ndjenja kundër refugjatëve dhe pakicave”.

    Zgjedhjet për Parlamentin Evropian do të mbahen nga data 6 deri më 9 qershor. Deputetët e këtij institucioni zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët – mbi 400 milionë syresh në të 27 vendet anëtare.

    Një sondazh i kryer nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë ka gjetur se ky proces do të sjellë forcim të ndjeshëm të së djathtës radikale.

    Arsyet variojnë – nga rritja e vazhdueshme e kostos së jetesës deri te frika se kufijtë e hapur rrezikojnë identitetin kombëtar dhe vlerat tradicionale.

    Për pasojë, dy grupet kryesore politike – Partia Popullore Evropiane dhe Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve – do ta ruajnë shumicën, por me rezultate më të dobëta, sipas sondazhit. Ato kanë përjetuar rënie edhe në zgjedhjet e vitit 2019 tashmë – grupi i parë për 2.8 për qind, ndërsa i dyti për 5.9 për qind.

    Në përbërjen në largim të Parlamentit Evropian, e djathta ka 128 vende nga 705 gjithsej. Në përbërjen e ardhshme, sipas sondazheve, ajo mund të fitojë pothuajse një të katërtën e tyre.

    Vesko Garçeviq, i cili ka shërbyer si ambasador i Malit të Zi në Bruksel, shpjegon për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se Parlamenti Evropian ka më pak ndikim se dy institucionet e tjera të BE-së – Komisioni Evropian dhe Këshilli Evropian – por shton se ai nuk mund të anashkalohet për disa çështje të rëndësishme. Për shembull, Komisioni Evropian nuk mund ta marrë detyrën pa u konfirmuar me shumicë votash në Parlamentin Evropian.

    “Trendi i rritjes së partive të djathta do të reflektohet në përbërjen e Parlamentit të ri Evropian. Por, çështja është nëse ato parti do të jenë vendimmarrëse, kur të bëhet fjalë për Komisionin e ri, apo do të jenë pakicë e konsiderueshme brenda Parlamentit. Kjo është shumë e rëndësishme dhe jam i sigurt se do ta përcaktojë mënyrën se si Parlamenti dhe institucionet tjera evropiane do të punojnë në vitet në vazhdim”, thotë Garçeviq.

    Sondazhi i Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë ka gjetur se partitë e së djathtës radikale kanë tendencë të dalin të parat në nëntë vende të Evropës, përfshirë: Francën, Austrinë dhe Italinë, ndërsa të dytat ose të tretat në nëntë vende të tjera, përfshirë: Gjermaninë dhe Spanjën.

    Garçeviq thotë se kjo është problematike, sepse ndikimi që kanë këto zgjedhje në debatet kombëtare, implikon edhe vendimet e Komisionit dhe të Këshillit Evropian. Garçeviq përmend në mënyrë të veçantë Ballkanin Perëndimor.

    “Këtu jam i shqetësuar sidomos për zgjedhjet në Francë. Ato mund ta ndryshojnë lojën, sepse janë shtetet individuale ato që e formësojnë qasjen e Bashkimit Evropian kur bëhet fjalë për Ballkanin”, thotë ai.

    Këtij qëndrimi i bën jehonë edhe Andi Hoxhaj, ligjërues në Kolegjin Universitar të Londrës. Duke folur për Exposenë, ai pret që partitë e ekstremit të djathtë ta zgjasin mbylljen e BE-së ndaj rajonit të Evropës juglindore.

    “Shumë prej tyre janë kundër zgjerimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor për shkak të, siç thonë, çështjeve kulturore dhe problematikave institucionale. Nëse partitë e ekstremit të djathtë do të kenë fuqi më të madhe seç kanë aktualisht, atëherë politika e zgjerimit do të jetë në pikëpyetje goxha të madhe”, thotë Hoxhaj.

    Hoxhaj thotë se kjo politikë do ta lërë edhe një rrezik pas – atë të influencës edhe më të madhe nga Rusia dhe Kina. Si vende më të cenueshme, ai përmend Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën. Dhe për këtë bën përgjegjëse vetë BE-në.

    “… sepse BE-ja ka lënë një vakum në Ballkanin Perëndimor, duke qenë se politika e zgjerimit, në 15 vjetët e fundit, është përdorur vetëm për influencë në Ballkan, por pa pasur një qasje afatgjate se kur këto vende do të integrohen, apo si do të integrohen. Ky vakum pastaj ka bërë që fuqitë e mëdha, si Kina dhe Rusia, të ndërhyjnë me investime të jashtëzakonshme në infrastruktura specifike, si: ekonomia, transporti e kështu me radhë”, thotë Hoxhaj.

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila këtë vit do të kandidojë për rizgjedhje, ka thënë në fjalimin për gjendjen e BE-së shtatorin e kaluar, se blloku duhet t’i përgjigjet “thirrjes së historisë” dhe të pranojë një numër të madh vendesh, përfshirë nga Ballkani Perëndimor.

    “E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Unionin tonë”, ka thënë ajo.

    BE-ja ka shprehur mbështetje për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor qysh në vitin 2003, në një samit në Selanik të Greqisë. Por, që nga ajo kohë, vetëm Kroacia nga vendet e këtij rajoni është anëtarësuar në BE në vitin 2013.

    Të tjerat janë në faza të ndryshme të integrimit, ndërsa Kosova është më së largu – ajo vetëm ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022.

    Me rritjen e së djathtës ekstreme, Garçeviq, tani profesor i Praktikës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Bostonit, thotë se Kosovës do t’i vështirësohet tutje edhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

    “Për shkak të ideologjisë dhe jo interesave në rajon, partitë e ekstremit të djathtë do të dalin në anën e Serbisë dhe do ta mbështesin atë kundrejt Kosovës. Kjo, pastaj, do ta zgjasë edhe më shumë procesin e negociatave mes tyre. E, nëse ndryshon edhe administrata amerikane, ajo po ashtu mund të anojë më shumë nga Serbia. Në një skenar të tillë, mund të imagjinoj edhe rikthimin e idesë për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë në vitet e ardhshme”, thotë Garçeviq.

    Në zgjedhje, pas atyre për Parlamentin Evropian, do të jetë edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së – përgjegjës edhe për ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi. Në pesë vjetët e kaluar, këtë pozitë e ka mbajtur Josep Borrell, diplomat nga Spanja – vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

    Analistët tërheqin vërejtjen se disa udhëheqës nacionalistë në Ballkan mund të përpiqen edhe ta shfrytëzojnë vakumin politik, që rezulton nga këto procese zgjedhore, për ta komplikuar situatën në terren. Në mënyrë të veçantë përmendet presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe presidenti i Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik – që të dy me pikëpamje shpesh pro-ruse.

    Shqetësim në vete, sipas tyre, përbën edhe Maqedonia e Veriut, ku, këtë muaj, partia nacionaliste VMRO-DPMNE është kthyer në pushtet, duke i fituar zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.

    “Së pari Ballkani, pastaj Brukseli”, ka thënë presidentja e re e këtij vendi, Gordana Silanovska-Davkova.

    Analistët nuk presin që nga rritja e së djathtës, të ketë ndonjë ndryshim politik sa i përket Rusisë dhe Ukrainës – dy vendeve në luftë – apo mbrojtjes së lirisë në Evropë.

    Për t’i ndalur hovin kësaj rryme, ata thonë se, mes tjerash, duhet përmirësuar kushtet sociale dhe ekonomike – gjë që pastaj do ta frenojë edhe tërheqjen nga populizmi.

    Zgjedhjet në Evropë këtë vit do të jenë të parat prej se është finalizuar dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian në vitin 2020.

    Ato do të jenë të parat edhe pas disa krizave të rëndësishme, të cilat kanë ndikuar rrënjësisht politikën në BE dhe në vendet e saj anëtare, të tilla si: pandemia COVID-19, pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia dhe lufta në Gazë.

    Pjesëmarrja, si rëndom, pritet të jetë më e ulët se në zgjedhjet parlamentare kombëtare.

    Por, me fjalët e kryeministres italiane, Giorgia Meloni – partia e së cilës ka rrënjë neo-fashiste – “koha e patriotëve ka ardhur”. (Radio Evropae Lirë)

  • ASK jep sot detajet finale nga regjistrimi i popullsisë në Kosovë

    ASK jep sot detajet finale nga regjistrimi i popullsisë në Kosovë

    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) mban sot konferencën përmbyllëse për medie për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë.

    Konferenca pritet të filloj nga ora 10:00 në zyrat e ASK-së.

  • Kryesia e Kuvendit mban mbledhje, ky është rendi i ditës

    Kryesia e Kuvendit mban mbledhje, ky është rendi i ditës

    Sot do të mblidhet Kryesia e Kuvendit. Mbledhja është njoftuar të fillojë në ora 10:00.

    Në rend të ditës janë disa pika, përfshirë shqyrtimin e projekt-rezolutës për tri vjet qeverisje, si dhe propozimin e rendit të ditës për seancën plenare të radhës.

    Ky është rendi i plotë i ditës:

    I. Miratimi i procesverbalit të mbledhjes së mëparshme të Kryesisë së Kuvendit,
    II. Pika e papërfunduar nga Seanca e Jashtëzakonshme, e mbajtur më 28 mars 2024:

    Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore.III. Seanca plenare e shtyrë nga data e paraparë që të mbahet më 24 maj 2024:

    Shqyrtimi i Projekt-Rezolutës për tre vjet qeverisje.

    IV. Propozimi i rendit të ditës për Seancën plenare të radhës:

    Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

    Deklarimet jashtë rendit të ditës,

    Pyetjet parlamentare,

    Votimi i Projektligjit nr.08/L-309 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “Financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër”, në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,
    Votimi i Statutit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në Prishtinë,

    Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,

    Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile,

    Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-300 për provimin e maturës shtetërore,

    Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-296 për të huajt,

    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-277 për Sport,

    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-264 për Rininë,

    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-265 për regjistrin e pronarëve përfitues,

    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-304 për bankat,

    Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti,

    Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

    Votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH,

    Shqyrtimi i Projektkodit të sjelljes për deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës,

    Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,

    Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,

    Raportimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin mbi zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe reflektimin e Agjendës Transformuese të Kosovës në buxhet dhe politika qeveritare.

  • Vazhdon sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Të enjten e ka përfundusr dëshminë e tij dëshmitari i 66-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ky dëshmitar ishte me masa mbrojtëse.

    Gjatë seancës të enjten kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III njoftoi se orari i dy seancave pasuese është paksa i pazakontë dhe në njërën prej këtyre planifikohet që të mbahet një diskutim për ecurinë e çështjes.

    Smith III ka theksuar se ka mundësi që një gjë e tillë të ndodhë sot gjatë seancës së pasdites.

  • Mbledhja e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, sot vendoset për avancimin e statusit të Kosovës

    Mbledhja e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, sot vendoset për avancimin e statusit të Kosovës

    Kosova sot është në agjendën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila shqyrton avancimin e statusit të vendit tonë në këtë organizatë.

    Kuvendi i Kosovës synon ta avancojë statusin e tij nga vëzhgues në anëtar të asocuar të kësaj organizate. Kosova pret që të marrë përkrahje në avancimin e statusit të Kuvendit të Kosovës.

    Kosova përfaqësohet nga deputetët Driton Hyseni dhe Xhavit Halit, të cilët janë shprehur optimistë se epilogu do të jetë pozitivë.

    Ata do të jenë prezentë në punimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila po mbahet në Sofje.

    Ndërsa delegacioni i Parlamentit të Serbisë, që ka marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Sofje, përmes një letre, i ka kërkuar kësaj Asambleje që të mos i japë Kuvendit të Kosovës statusin e anëtarit të asocuar.

    Delegacioni serb u takua me kreun e delegacionit amerikan në NATO, Michael Turner, të cilit iu dorëzua një letër nga kryeparlamentarja e Serbisë, Ana Bërnabiq. Përmes letrës, Serbia u bëri thirrje anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s të mos miratojnë avancimin e statusit të Kosovës nga vëzhgues në anëtar të asocuar, u tha në njoftimin e Parlamentit serb më 26 maj.

    Asambleja Parlamentare e NATO-s, ku Kosova synon të avancojë statusin e saj, është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare.

    Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.

    Përveç tyre, në aktivitete të saj marrin pjesë edhe delegatë nga 9 vende të asocuara, 4 vende të asocuara mesdhetare, si dhe 8 delegacione vëzhguese parlamentare.

    Anëtarët e asocuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asocuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.

    Por, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.

    Aktualisht, anëtare të asocuara janë nëntë, në mesin e tyre edhe Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

  • Nderim Neziri thotë se menaxherat i ndajnë këngëtarët nga gratë

    Nderim Neziri thotë se menaxherat i ndajnë këngëtarët nga gratë

    Në një diskutim mbi skenën muzikore dhe funksionimin e artistëve në “label” dhe me menaxher, Nderim Neziri në një moment deklaron se për shkak të strategjisë, ka menaxher që i ndajnë artistët e tyre nga gratë.

    Ky mendim ka rrjedh gjatë një diskutimi në “The Elite Way”, teksa po flitej me këngëtarin Uki Latifi dhe për atë se pse ai ka vendosur të jetë artist i pavarur.

    Neziri ka shtuar tutje se kjo nuk ndodh vetëm në Kosovë, pasi është një strategji e importuar nga jashtë, nga shoubizi internacional. /atvlive.tv

    Deklarata e plotë në videon më poshtë:

  • Në “The Elite Way”, Teuta Krasniqi thotë se nuk ka liri të tepërt

    Në “The Elite Way”, Teuta Krasniqi thotë se nuk ka liri të tepërt

    Aktorja e njohur kosovare, Teuta Krasniqi, ka qenë pjesë e panelit të të ftuarve në “The Elite Way”.

    Teuta, në këtë emision ka thënë se nuk ka liri të tepruar, ndërkohë që trajneri i futbollit Faruk Statovci e kundërshton.

    Emisioni i ri i “The Elite Way” me Elita Rudi e Nderim Neziri, i cili u transmetua mbrëmë në ATV, ka qenë një arenë e debatit të nxehtë mes Albatros Rexhaj, Teuta Krasniqi, Diellza Kolgeci, Faruk Statovci e Uki Latifi. /atvlive.tv

    Emisionin e plotë gjeni në videon më poshtë:

  • Historia e “semaforit me tri ngjyra”, a do të na duhet një ngjyrë e katërt e re?

    Historia e “semaforit me tri ngjyra”, a do të na duhet një ngjyrë e katërt e re?

    Semafori i njohur botërisht nuk ka përjetuar një ridizajnim të rëndësishëm në pothuajse 100 vjet, që kur William Pott, një oficer policie i Detroitit, krijoi semaforin e parë me tre seksione në Shtetet e Bashkuara në vitin 1921.

    Por tani, thonë ekspertët, me rritjen e numrit të “makinave pa shofer” do të thotë se nevojitet një grup i ri udhëzimesh sigurie për të siguruar që ato të ndërveprojnë saktë me sinjalet e trafikut, shkruajnë mediat e huaja.

    Semaforët në mbarë botën zakonisht përdorin dritat e kuqe, të verdhë dhe jeshile për t’u sinjalizuar shoferëve nëse duhet të ndalojnë, të vazhdojnë ose të përgatiten për të vazhduar ose ndaluar në kryqëzime dhe vendkalime këmbësore.

    Ali Hajbabaie, një profesor inxhinierie në Universitetin Shtetëror të Karolinës së Veriut (NCSU), po udhëheq një ekip për të hartuar një sistem trafiku që merr në konsideratë se si makinat pa shofer reagojnë ndaj sinjaleve të trafikut.

    Andaj, Hajbabaie propozon shtimin e një drite tjetër – ndoshta një të bardhë.

    Ndryshe, sipas “2022 Global Traffic Scorecard” nga INRIX, një kompani që krijon produkte dhe shërbime që lidhen me industrinë e transportit dhe automjetet autonome, kostoja e kombinuar për ekonominë gjatë bllokimit të rrugëve në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani dhe SHBA ishte 2.2 miliardë dollarë.

    Dhe semaforët japin një kontribut të rëndësishëm në uljen e kësaj kostoje.

    Kur u shpik semafori?

    Semafori i parë në botë u instalua në Sheshin e Parlamentit në Londër, Mbretëri e Bashkuar, më 10 dhjetor 1868.

    Bllokimi në rritje i karrocave me kuaj në atë kryqëzim specifik po e bënte atë gjithnjë e më të rrezikshëm për këmbësorët në zonë.

    Por fatkeqësisht, dizajni i parë i semaforit pati një fillim të vështirë.

    Një rrjedhje gazi nga tubi i furnizimit për dritat nën të shkaktoi një shpërthim në mekanizmin e semaforit, duke plagosur policin që e drejtonte atë.

    Duke u konsideruar si një rrezik sigurie, semafori u hoq shpejt dhe semaforët u ndaluan fare për 60 vitet e ardhshme.

    Ata u kthyen përfundimisht në rrugët britanike në vitin 1929, pas shpikjes së vitit 1921 të sistemit të sinjalizimit me tri drita në Detroit.

    Ndërkohë semaforët e parë me energji elektrike u shpikën në vitin 1923 nga shpikësi afrikano-amerikan, Garrett Morgan.

    Ai përfundimisht ia shiti dizajnin e tij General Electric për 40,000 dollarë.

    Pse semaforët janë me drita me ngjyrë të kuqe, të verdhë dhe jeshil?

    Sistemi i parë me ngjyra i përdorur në sistemet e sinjaleve të trafikut u bazua në sistemin e dritave të lundrimit të përdorur në anijet në det.

    Dhe drita e verdhë e përdorur në semaforët modernë nuk u prezantua deri në vitin 1921 kur shpikësi William Potts solli semaforin me tri ngjyra në Detroit.

    Kjo risi shtoi një dritë të verdhë “kujdes” në sinjalet ekzistuese të kuqe dhe jeshile – duke u sinjalizuar shoferëve se dritat do të ndryshonin dhe duke i paralajmëruar ata të ngadalësojnë shpejtësinë.

    A na duhet një ngjyrë e katërt tani?

    Njerëzit dhe makinat autonome përdorin grupe të ndryshme sinjalesh vizuale kur bëhet fjalë për interpretimin e sistemeve të ndriçimit.

    Prandaj, një dritë e katërt – me shumë mundësi e bardhë – do të shtohej për përfitimin e makinave vetë-drejtuese.

    Drita e bardhë do të interpretohej nga një makinë e drejtuar vetë si një udhëzim për të “vazhduar përpara nëse nuk udhëzohet ndryshe”.

    Hajbabaie, profesori i NCSU, shpjegoi: “Nëse drita e bardhë është aktive, thjesht ndiqni automjetin para jush”, raporton telegrafi.

    Kujtojmë se megjithëse ekzistojnë lloje të ndryshme të teknologjisë së sinjaleve të trafikut, shumica e sistemeve të trafikut ndahen në dy kategori: sinjalet e trafikut që funksionojnë sipas një orari fiks; dhe sinjalet e trafikut të cilat mund të rregullojnë kohën bazuar në vëllimin e trafikut.

  • Dodik shkon përtej gënjeshtrës: Ajo qe ndodhi në Bosnje ishte luftë civile, Serbia nuk kishte asnjë njësi ushtarake këtu

    Dodik shkon përtej gënjeshtrës: Ajo qe ndodhi në Bosnje ishte luftë civile, Serbia nuk kishte asnjë njësi ushtarake këtu

    Presidenti i Bosnjës dhe Hercegovinës entiteti Republika Srpska Milorad Dodik pa fije turpi vazhdon dhe e mohon gjenocidin në Srebrenicë.

    Këtë herë, miku i afërt i Putinit dhe marioneta e Aleksandar Vuciqit, e quajti luftë civile agresionin kundër Bosnjë-Hercegovinës. Madje pretendimi i tij shkon edhe më tej.

    Ai thotë se Serbia nuk kishte asnjë njësi ushtarake në Bosnje-Hercegovinë.

    Dodik tha se Kroacia, pas sponsorizimit të Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, duhet të heshtë sepse sic pretendoi ai, ishte NDH ajo që kreu gjenocidin e padiskutueshëm ndaj popullit serb.

    Dodik i tha Srna-s se kreu i diplomacisë kroate, Gordan Grliq Radman, pas sponsorizimit të rezolutës, bëri thirrje për qëndrueshmërinë e BeH-së si një komunitet i dy entiteteve të barabarta dhe tre kombeve përbërëse, “dhe ai nuk e kishte problem që rezoluta e diskutueshme arriti OKB pikërisht në kundërshtim me parimet që ai promovon”.

    “Kroacia mori pjesë aktive në luftën civile në Bosnje dhe Hercegovinë, ndryshe nga Serbia, e cila nuk kishte asnjë njësi të vetme ushtarake në territorin e Bosnje-Hercegovinës. Gjykata deklaroi gjithashtu për pjesëmarrjen e Kroacisë në luftën civile në Bosnje dhe Hercegovinë, duke e cilësuar atë si një ndërmarrje të përbashkët kriminale”, tha Dodik.

    Sipas tij, “Kroacia është shfaqur disa herë si sponsor në BeH, me faktin se do të donte të harronte disa sponsorizime tani, por nuk mundet për shkak të vendimeve të Gjykatës, vendimeve të së cilës i referohet Radman sot, por në një kontekst të ndryshëm”.

    “Kroacia duhet të heshtë të paktën tani sepse ishte NDH ajo që kreu krimet më të mëdha në këtë fushë, ajo bëri një gjenocid të padiskutueshëm ndaj popullit serb”, përfundoi Dodik.