ATV

Blog

  • Elezi sqaron pse mandatet mund të kalojnë nga një subjekt te tjetri gjatë numërimit

    Elezi sqaron pse mandatet mund të kalojnë nga një subjekt te tjetri gjatë numërimit

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka sqaruar mënyrën e publikimit të rezultateve zgjedhore, duke theksuar se procesi i shfaqjes së tyre është dinamik dhe përditësohet në kohë reale me numërimin e çdo kutie votimi.

    Sipas tij, diferencat mes subjekteve politike për mandatet e fundit janë shpesh shumë të vogla, çka bën që edhe disa dhjetëra apo qindra vota të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në renditjen e koeficientëve dhe në ndarjen përfundimtare të mandateve.

    Elezi ka shpjeguar se në disa raste një subjekt politik mund të arrijë përkohësisht koeficientin e nevojshëm për të fituar mandat, i cili më pas mund të ndryshojë me përfshirjen e kutive të reja të votimit.

    “Mund të ndodh që në një moment të caktuar të procesimit të rezultateve, subjekti të arrijë koeficientin e nevojshëm dhe mandati shfaqet në rezultatet e publikuara. Mirëpo, me përfshirjen e rezultateve nga kuti të tjera votimi, raporti i koeficientëve mund të ndryshojë dhe përparësia e mëparshme të humbasë, duke bërë që mandati të kalojë te një subjekt tjetër politik”, ka deklaruar Elezi.

    Ai ka theksuar se kjo është një rrjedhë normale e procesit zgjedhor, pasi rezultatet përditësohen vazhdimisht dhe çdo kuti e numëruar mund të ndikojë në shpërndarjen përfundimtare të mandateve.

  • Rritet interesimi i të rinjve për FSK, 234 aplikime për 44 vende

    Rritet interesimi i të rinjve për FSK, 234 aplikime për 44 vende

    Interesimi për karrierë ushtarake në Forcën e Sigurisë së Kosovës po vazhdon të rritet. Në konkursin e fundit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, 234 të rinj kanë aplikuar për vetëm 44 vende kadetësh, duke e bërë garën një nga më konkurrueset e viteve të fundit dhe duke reflektuar rritjen e besimit ndaj institucioneve të sigurisë së vendit.

    234 të rinj kanë aplikuar për vetëm 44 vende të hapura për kadetë në Forcën e Sigurisë së Kosovës nga 1 qershori deri më sot, kur ka përfunduar edhe afati për aplikim. Konkursi i hapur nga Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja përfshin pranimin e kadetëve për studime në Qendrën e Studimeve Universitare, si dhe në akademitë ushtarake të Turqisë, Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut. Me mbi pesë kandidatë që konkurrojnë për një vend, interesimi konsiderohet ndër më të lartit në vitet e fundit.

    Në Ministrinë e Mbrojtjes kanë thënë se ky interesim i madh dëshmon besimin e të rinjve në institucionet e sigurisë dhe atraktivitetin në rritje të profesionit ushtarak. Për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, ky është tregues i qartë i përkushtimit të gjeneratave të reja për t’i shërbyer vendit dhe për të kontribuar në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës.

    Ndërkohë, njohës të çështjeve të sigurisë e vlerësojnë interesimin e të rinjve për t’u bërë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës si një zhvillim pozitiv për sigurinë dhe të ardhmen e vendit. Profesori i sigurisë, Fatmir Çollaku, tha se rritja e interesimit për t’iu bashkuar FSK-së tregon ngritje të vetëdijes së qytetarëve për rëndësinë e këtij institucioni.

    “Kjo është një tregues i ngritjes së vetëdijes së qytetarëve të Kosovës për të aderuar, gjegjësisht për të aplikuar në radhët e ushtarëve të FSK-së, si një subjekt i rëndësishëm, premtues dhe garantues për sigurinë e Kosovës, si dhe një institucion ku puna, përkushtimi dhe disiplina janë vlerat kryesore”, tha Fatmir Çollaku, profesor i sigurisë.

    Në anën tjetër, njohësi i çështjeve të sigurisë, Arben Dashevci, tha se interesimi i të rinjve për t’u bërë kadetë të FSK-së është një përfitim i madh si për shtetin, ashtu edhe për oficerët e ardhshëm.

    “Është një plus shumë i madh. Të rinjtë tanë duhet të interesohen që të bëhen kadetë të FSK-së, sepse benefitet janë të mëdha si për Republikën e Kosovës, ashtu edhe për oficerët e ardhshëm. Ata kanë të drejtë të marrin pjesë në shkollim në Kroaci, Shqipëri, Maqedoni ose Mbretërinë e Bashkuar, pasi janë plotësuar kushtet dhe janë shkolluar shumë oficerë”, tha Arben Dashevci, njohës i çështjeve të sigurisë.

    Rritja e numrit të ushtarëve të rinj në Forcën e Kosovës jo vetëm që forcon kapacitetet mbrojtëse të vendit, por edhe krijon mundësi profesionale dhe akademike për të rinjtë, duke kontribuar në zhvillimin e një force më të përgatitur dhe më profesionale për të ardhmen e Kosovës./RTK

  • VV për pak i arrin 52 mandate bie përsëri në 51, PDK që humbi një, rikthehet në 23

    VV për pak i arrin 52 mandate bie përsëri në 51, PDK që humbi një, rikthehet në 23

    Partia Demokratike e Kosovës ka rikthyer mandatin e 23-të në Kuvendin e Kosovës, pas përditësimit të fundit të rezultateve zgjedhore, ku janë numëruar 92.58 për qind e votave.

    Ndryshimi vjen pas një lëvizjeje të mëhershme në rezultat, ku me numërimin e 92.51 për qind të votave, Lëvizjes Vetëvendosje i ishte shtuar mandati i 52-të, duke e marrë një ulëse nga PDK-ja.

    Aktualisht, procesi i numërimit të votave me postë është ende në zhvillim, ndërsa sipas të dhënave të fundit, ndarja e mandateve është, Vetëvendosje 51 ulëse, PDK me 23, LDK ka 19 ulëse dhe AAK me 7 ulëse.

  • Humbi bashkëshorten në aksidentin në autostradë, kjo është gjendja e burrit të lënduar

    Humbi bashkëshorten në aksidentin në autostradë, kjo është gjendja e burrit të lënduar

    Një grua e humbi jetën dhe një burrë u lëndua rëndë dje në një vetaksident në autostradën “Ibrahim Rugova”.

    Si pasojë e lëndimeve të rënda, burri u dërgua për trajtim në QKUK ku edhe iu nënshtrua një operimi.

    Ai më pas u dërgua në Mjekimin Intensiv Qendror.

    E lidhur me gjendjen e tij shëndetësore u deklaruan nga MIQ.

    Shaqir Uka, shef në Mjekimin Intensiv tha për Klankosova se gjendja e pacientit në fjalë është stabilizuar.

    “Pacienti që ju i referoheni është sjell për trajtim në Mjekimin intensiv, është stabilizuar gjendja e tij dhe sot është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor në Klinikën e Maksillofaciales”, deklaroi Uka.

    Derisa kjo ngjarja ka shkaktuar reagime të ashpra, ku dyshohet se ky vetaksident ka ndodhur si pasojë e rrëshqitjes së dheut në atë pjesë.

  • Behrami i reagon Mihalit që e quajti përdorues të narkotikëve Ramën: Inskenim i ngjarjeve kundër oponentëve politike

    Behrami i reagon Mihalit që e quajti përdorues të narkotikëve Ramën: Inskenim i ngjarjeve kundër oponentëve politike

    Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, ka përdorë gjuhë të rëndë ndaj kryetarit të Prishtinës, duke thënë “Përparim Rama, ti narkotikun si e merr? Me kontratë njëburimore apo me ofertën me çmimin më të lirë, nga tre ofertat?”.

    Ndaj kësaj deklarate, ka reaguar kandidati i PDK-së, Artan Behrami, i cili tha se Mihali po bën “100% propagandë të pastër”.

    Postimi i tij i plotë:

    Hajde që halucinacionet e Dejones qenkan të vërteta! E unë mendoj që janë 100% propagandë e pastër!

    Ku i ka marrë ato informacione?

    Këto dezinformata janë pjesë e planit për inskenim të ngjarjeve kundër oponentëve politikë.

    Dejona, përveç që kontrollon grupin parlamentar, ajo kontrollon edhe organet vitale të sigurisë.

    Albin Kurti parpolitiken e ka institucionalizuar!

    Keqpërdorimi i organeve të sigurisë për qëllime politike, për përndjekjen e oponentëve politikë, është kërcënim i sigurisë kombëtare!

  • “Kush je ti, Dejona Mihajlli?” – Rrezarta Krasniqi me reagim të ashpër pas sulmit ndaj Ramës

    “Kush je ti, Dejona Mihajlli?” – Rrezarta Krasniqi me reagim të ashpër pas sulmit ndaj Ramës

    Deputetja e Rrezarta Krasniqi ka reaguar ashpër ndaj postimit të zyrtares së Lëvizja Vetëvendosje, Dejona Mihali, e cila kishte sulmuar kryetarin e Prishtina, Përparim Rama.

    Përmes një reagimi publik, Krasniqi ka akuzuar Mihalin dhe kryeministrin Albin Kurti për mungesë përgjegjësie në garantimin e sigurisë së qytetarëve.

    “Kush je ti Dejona Mihajlli? Qytetarët e Prishtinës për dy mandate e kanë zgjedhur Përparim Ramën para ‘kukullave’ të propozuara nga ti”, ka shkruar Rasniqi.

    Ajo ka thënë se sulmet ndaj Ramës janë tregues i, sipas saj, shqetësimit që ka pushteti nga përballjet politike me Lidhja Demokratike e Kosovës në kryeqytet.

    “Kur një figurë pa identitet sikur Dejona e sulmon kryetarin e Prishtinës, tregon sa shumë janë traumatizuar nga humbjet që kanë përballë LDK-së dhe kryetarit Përparim Rama në Prishtinë”, ka deklaruar deputetja.

    Në fund të reagimit, Krasniqi ka adresuar kritika të drejtpërdrejta ndaj Mihalit dhe Kurtit, duke i bërë përgjegjës për çështjet e sigurisë në vend.

    “Ti Dejona dhe Kryeministri Kurti keni përgjegjësi që të ofroni siguri për qytetarët e vendit dhe turp ju qoftë për papërgjegjësinë e treguar”, ka përfunduar ajo.

  • Kepi i Gjelbër ndal Spanjën, kampionët e Evropës zhgënjejnë në debutimin e tyre në Botëror

    Kepi i Gjelbër ndal Spanjën, kampionët e Evropës zhgënjejnë në debutimin e tyre në Botëror

    Spanja e nisi me hapa fals aventurën në Kupën e Botës 2026, duke mos shkuar më shumë se një barazim pa gola ndaj Kepit të Gjelbër, në një ndeshje ku favoritët evropianë u përballën me një kundërshtar tejet të organizuar dhe një portier në formë të jashtëzakonshme.

    Skuadra e Luis de la Fuente kontrolloi lojën për pjesën më të madhe të takimit dhe krijoi rastet më të rrezikshme, por hasi në një mur të pakalueshëm të quajtur Vozinha. Gardiani i Kepit të Gjelbër ishte protagonisti absolut i mbrëmjes, duke mohuar vazhdimisht përpjekjet e spanjollëve.

    Rasti më i mirë për “La Rojan” erdhi në minutën e 39-të, kur Ferran Torres goditi traversën nga afërsia. Në vazhdim të aksionit, Mikel Oyarzabal provoi me kokë, por Vozinha reagoi në mënyrë spektakolare për të mbajtur portën të paprekur.

    Torres pati edhe një mundësi tjetër të artë pak minuta më vonë, por sërish nuk arriti të gjejë rrugën e rrjetës, duke simbolizuar vështirësitë e Spanjës në finalizim.

    Në pjesën e dytë, De la Fuente aktivizoi yjet si Lamine Yamal, Nico Williams dhe Dani Olmo për t’i dhënë më shumë ritëm sulmit, por mbrojtja e disiplinuar e Kepit të Gjelbër vazhdoi të rezistonte me sukses.

    Madje, afrikanët ishin vetëm pak centimetra larg një fitoreje historike në kohën shtesë. Diney Borges kërcënoi seriozisht portën spanjolle me një goditje të fuqishme me kokë, por Unai Simón realizoi një pritje vendimtare që shpëtoi kampionët e Evropës nga humbja.

    Në fund, Spanja u detyrua të kënaqej me vetëm një pikë, ndërsa Kepi i Gjelbër fitoi admirimin e tifozëve me një paraqitje plot karakter, disiplinë dhe guxim në debutimin e tij në skenën më të madhe të futbollit botëror.

  • Zyrtare: Real Madridi siguron shërbimet e Marc Cucurellas nga Chelsea

    Zyrtare: Real Madridi siguron shërbimet e Marc Cucurellas nga Chelsea

    Real Madridi ka finalizuar një tjetër lëvizje të rëndësishme në merkato, duke konfirmuar zyrtarisht transferimin e mbrojtësit spanjoll Marc Cucurella nga Chelsea.

    Klubi madrilen ka arritur marrëveshje me londinezët për një shumë prej 55 milionë eurosh, ndërsa marrëveshja parashikon edhe 5 milionë euro shtesë në formë bonusesh, në varësi të objektivave të arritura.

    Përmes një njoftimi zyrtar, kampionët e Spanjës bënë të ditur se 27-vjeçari do t’i bashkohet skuadrës pas përfundimit të Kupës së Botës, duke nisur një kapitull të ri në karrierën e tij.

    “Real Madridi dhe Chelsea kanë arritur marrëveshje për transferimin e Marc Cucurellas. Lojtari do të jetë pjesë e klubit tonë për gjashtë sezonet e ardhshme, deri më 30 qershor 2032”, thuhet në deklaratën e publikuar nga klubi madrilen.

    Cucurella vjen në “Santiago Bernabéu” pas një periudhe të rëndësishme në futbollin anglez, ku spikati me paraqitjet e tij si një nga mbrojtësit më të qëndrueshëm dhe energjikë në krahun e majtë.

    Megjithatë, merkatoja e Real Madridit nuk pritet të mbyllet me kaq. Drejtuesit e klubit po vazhdojnë punën për të forcuar më tej repartin defensiv, me emra si Josko Gvardiol dhe Ruben Dias që mbeten objektiva të rëndësishëm për muajt në vijim.

  • Van Dijk kritikon rregullin e ri të FIFA-s: Ndërprerjet për hidratim po dëmtojnë ritmin e lojës

    Van Dijk kritikon rregullin e ri të FIFA-s: Ndërprerjet për hidratim po dëmtojnë ritmin e lojës

    Kapiteni i Holandës, Virgil van Dijk, është bërë një nga figurat më të njohura të futbollit që ka shprehur hapur pakënaqësinë ndaj rregullit të ri të FIFA-s për pushimet e detyrueshme të hidratimit në Kupën e Botës 2026.

    Sipas rregullores së re, çdo pjesë e ndeshjes përfshin një ndërprerje të detyrueshme treminutëshe për hidratim, pavarësisht kushteve atmosferike. Ky mekanizëm ishte përdorur më parë vetëm në ndeshjet e zhvilluara në temperatura ekstreme, por tashmë është bërë pjesë e çdo takimi të turneut.

    Vendimi ka shkaktuar reagime të shumta në botën e futbollit, veçanërisht për faktin se gjatë këtyre ndërprerjeve transmetuesit televizivë kanë mundësi të transmetojnë reklama. Kjo ka shtuar shqetësimet se futbolli po i afrohet gjithnjë e më shumë modelit komercial të sporteve amerikane, si NFL dhe NBA, ku ndalesat e shpeshta janë pjesë e strukturës së lojës.

    Van Dijk ishte protagonist në barazimin 2-2 të Holandës ndaj Japonisë në Dallas, ku pushimet e hidratimit u aplikuan në të dy pjesët e takimit, edhe pse ndeshja u zhvillua në stadiumin AT&T me çati të mbyllur dhe temperaturë të kontrolluar.

    Pas sfidës, mbrojtësi i Liverpoolit nuk i kurseu kritikat.

    “Pushimet për hidratim janë një çështje interesante. Kam ndjekur pothuajse të gjitha ndeshjet e turneut dhe ajo që më shqetëson është fakti se çdo ndërprerje shoqërohet menjëherë me reklama. Nuk mendoj se kjo është pozitive, as për tifozët që e ndjekin futbollin nga stadiumi dhe as për ata para ekranit”, deklaroi ai.

    Sipas holandezit, ndërprerje të tilla janë të arsyeshme vetëm kur kushtet klimatike e kërkojnë.

    “Nëse temperaturat janë vërtet të larta, atëherë këto pushime kanë kuptim. Por mendoj se çdo ndeshje duhet të vlerësohet individualisht dhe jo të zbatohet i njëjti rregull në çdo rast”, shtoi Van Dijk.

    Ai e mbylli komentin me një buzëqeshje, duke lënë të kuptohet se nuk dëshironte të hynte më thellë në debat: “Besoj se kam thënë mjaftueshëm për këtë temë”.

    Deklaratat e kapitenit holandez i shtohen zërave kritikë ndaj formatit të ri të FIFA-s, ndërsa tifozë dhe analistë të shumtë argumentojnë se ndërprerjet e shpeshta po ndikojnë negativisht në ritmin e lojës dhe po e bëjnë përvojën e shikimit më pak tërheqëse.

  • Gërvalla: Nuk flasim për koalicione e as për vija të kuqe pa u certifikuar rezultatet

    Gërvalla: Nuk flasim për koalicione e as për vija të kuqe pa u certifikuar rezultatet

    Kryetarja e partisë Guxo, parti kjo në koalicion parazgjedhor me Vetëvendosjen, Donika Gërvalla deklaroi se bisedimet me partitë e tjera për koalicion të mundshëm do të zhvillohen pas certifikimit të rezultateve nga zgjedhjet e 7 qershorit, raporton KosovaPress.

    Zëvendëskryeministrja Gërvalla është optimiste që vendi nuk do të ballafaqohet përsëri me bllokada për formimin e institucioneve të reja.

    Ajo tha se duhet të respektohet mesazhi i qytetarëve.

    “Nuk i kemi ende rezultatet përfundimtare, kur ti kemi rezultatet e certifikuara do të shohim se cilat janë mundësitë që na ofrohen. Unë shpresoj që nuk do të ballafaqohemi edhe njëherë me bllokadat e pakuptimta dhe me bllokim të institucioneve të shtetit, por siç e keni parë edhe para zgjedhjeve të fundit nuk ka qenë në dorën tonë, sepse ofertat kanë qenë më shumë se gjeneroze, mirëpo janë refuzuar. Shpresoj që mandati i fuqishëm i qytetarëve këtë herë të respektohet”, tha Gërvalla.

    Më tej Gërvalla tha se nuk është diskutuar as për vija të kuqe e koalicione.

    “Nuk diskutojmë ne as për vija të kuqe, e as për koalicione të cilat do ti shohim pasi të kemi marrë rezultatin përfundimtarë të certifikuar, me qëllim që ta dimë cili është mesazhi i qytetarëve. Ne përsëri kemi fituar zgjedhjet bindshëm, përsëri kemi më shumë vota se të gjitha partitë shqiptare tjera, prandaj nuk shoh asnjë arsyeje. Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë më e vogël, ky është një mesazh të cilin duhet ta analizojmë dhe kuptojmë drejtë të gjithë ne që jemi aktiv në skenën politike”, tha ajo.

    Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka arrit 45.25 për qind ose 339,348 vota (51 mandate).

    PDK-ja është renditur e dyta, me 21% ose 151,595 vota (23 mandate). E treta LDK-ja me 17.19% ose 128,891 vota (19 mandate) dhe AAK e katërta me 6.94% ose 52,086 vota (7 mandate).