ATV

Blog

  • “Qershor përvëlues”, meteorologia: Fundjava mund të shënojë deri në 39 gradë në Shqipëri

    “Qershor përvëlues”, meteorologia: Fundjava mund të shënojë deri në 39 gradë në Shqipëri

    Shqipëria po përballet me një valë të pazakontë të nxehti për muajin qershor, ndërsa temperaturat pritet të arrijnë deri në 39°C gjatë fundjavës.

    Meteorologia Tanja Porja paralajmëroi në A2 CNN se vendi po regjistron vlera termike rreth 6 gradë mbi normat klimatike të sezonit.

    “Këtë javë kemi vetëm rritje të temperature por që sot rriten më shumë nga sa prisnim. Sot më shumë, të enjten më shumë. Me shumë gjasa deri të dielën mund të kemi 39 në territorin shqiptar një maksimum ky ekstremisht i lartë për muajin qershor. Maksimumet e kësaj dekadës së fundit që t’i quajmë në thonjëza normale sepse asnjë nga këto 10 vitet e fundit nuk ka qenë normal, por 30-33 gradë, por mbi 35 është jashtëzakonisht shumë për muajin qershor dhe në fakt sapo ka filluar”, tha Tanja Porja në dita Jonë në A2 CNN.

    Sipas saj, temperaturat do të vijojnë të rriten çdo ditë, duke kaluar lehtësisht 35 gradë celsius në disa zona të vendit. Më të prekura nga i nxehti pritet të jenë Berati, Fieri, Elbasani, Shkodra dhe Gjirokastra, ndërsa Tirana do t’i afrohet gjithashtu kufirit të 35 gradëve.

    “Sot do të kapërcehet dhe 35 gradë celsius dhe në vijim çdo ditë që kalon kemi të paktën nga një gradë rritje dhe presim 39 deri në fundjavë. Sot presim Berat, Fier, Elbasan me të paktën 35 gradë celsius, shumë pranë 35-ës edhe Gjirokastra dhe Shkodra, Tirana afër 35-ës sot, por Berati, Fieri, Elbasani dhe Shkodra janë dhe qytetet më të nxehta. Kryesisht Berat, Elbasan, Fier. Ky është trekëndëshi do të thosha që pret dhe temperaturat më të larta dhe kapërcen edhe 35 gradëshin. Por mos harroni që maksimumet nga pikëpamja e normalitetit klimatik, për qershorin duhet të jetë jo më shumë se 30°C, ndërsa për korrikun dhe për gushtin rreth 32-33 gradë celsius. Maksimumi që ne ta quajmë një ditë normale vere mesatare në territorin shqiptar”, theksoi meteorologia në A2 CNN.

    Meteorologia theksoi se vera e këtij viti pritet të jetë ndër më të nxehtat, si pasojë e ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimatike, duke shtuar se periudha 2026-2029 parashikohet të jetë një ndër më të nxehtat e viteve të fundit.

    “Kjo verë do të jetë mjaft e nxehtë për dy arsye. Arsyeja kryesore është tendenca në rritje e temperaturës mesatare globale. Pra ngrohja globale që kemi disa vite për të cilën ne flasim dhe ndryshimet klimatike. Kjo është arsyeja kryesore. Çdo vit paraqitej si temperaturë mesatare vjetore më i nxehtë sesa paraardhësi. Kështu ka ndodhur që nga vitit 2015. Me parashikimet disi më afatgjata 2026 deri në 2029-ën është një trevjeçar shumë i nxehtë. Përveç kësaj ne jemi edhe në fenomenin e famshëm El Nino”, theksoi meteorologia.

    Megjithëse mesditat do të jenë përvëluese, orët e natës dhe mëngjesit vijojnë të mbeten relativisht të freskëta, sidomos në zonat malore, ku temperaturat zbresin deri në 10-12°C. Ndërkohë, bregdeti paraqitet më komod për pushuesit falë ndikimit freskues të erës.

  • Marrëveshja SHBA-Iran nënshkruhet elektronikisht, ceremonia zyrtare të premten

    Marrëveshja SHBA-Iran nënshkruhet elektronikisht, ceremonia zyrtare të premten

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mund të vendosë të publikojë përpara ditës së premte marrëveshjen paraprake që synon t’i japë fund konfliktit me Iranin.

    Lajmi është konfirmuar nga zëvendësi i tij, JD Vance, i cili tha se dokumenti është një memorandum mirëkuptimi prej rreth një faqe e gjysmë.

    Deklaratat vijnë pasi Trump njoftoi se marrëveshja është tashmë e nënshkruar.

    Gjatë një takimi me presidentin francez Emmanuel Macron në kuadër të samitit të G7 në Francë, ai u shpreh: “Jam shumë i lumtur të them se është nënshkruar, marrëveshja është plotësisht e nënshkruar”.

    Sipas zyrtarëve të lartë amerikanë, dokumenti është firmosur në mënyrë elektronike nga Trump, JD Vance dhe kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf.

    Zyrtarët amerikanë kanë zbuluar gjithashtu disa detaje të marrëveshjes, duke bërë të ditur se Ngushtica e Hormuzit pritet të rihapet të premten, në të njëjtën ditë kur marrëveshja do të nënshkruhet zyrtarisht në Gjenevë.

  • Rritet numri i vdekjeve në Kosovë, mbi 12 mijë raste të regjistruara gjatë vitit të kaluar

    Rritet numri i vdekjeve në Kosovë, mbi 12 mijë raste të regjistruara gjatë vitit të kaluar

    Në vitin 2025, janë regjistruar 12 119 vdekje brenda dhe jashtë Kosovës. Prej këtyre vdekjeve të regjistruara, 10 351 vdekje kanë ndodhur brenda territorit të Kosovës, nga të cilat 5 507 ishin meshkuj ose 53,2 % dhe 4 844 ishin femra ose 46,8 %.

    Kosova ka regjistruar më shumë vdekje gjatë vitit 2025 sesa në vitin paraprak.

    Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, gjatë vitit të kaluar janë regjistruar gjithsej 12.119 vdekje brenda dhe jashtë vendit, që paraqet një rritje krahasuar me vitin 2024.

    Nga numri i përgjithshëm i vdekjeve të regjistruara, 10.351 kanë ndodhur brenda territorit të Kosovës. Prej tyre, 5.507 persona ose 53,2 për qind ishin meshkuj, ndërsa 4.844 ose 46,8 për qind ishin femra.

    Krahasuar me vitin 2024, kur ishin regjistruar 10.137 vdekje brenda vendit, në vitin 2025 numri është rritur për 214 raste.

    Ndërkaq, jashtë Kosovës janë regjistruar 1.768 vdekje të shtetasve të Kosovës. Në raport me vitin paraprak, kur ishin regjistruar 1.673 raste, numri është rritur për 95 vdekje.

    Sipas ndarjes komunale, numri më i madh i vdekjeve është regjistruar në Prishtinë me 2.979 raste ose 24,6 për qind të totalit. Pas saj renditen Prizreni me 1.050 raste ose 8,7 për qind dhe Peja me 736 raste ose 6,1 për qind.

    Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2025 janë regjistruar edhe 198 foshnja të vdekura në Kosovë, që përbëjnë 1,9 për qind të të gjitha vdekjeve të regjistruara. Nga to, 109 ishin meshkuj dhe 89 femra.

    Shumica e vdekjeve të foshnjave kanë ndodhur në ditët e para të jetës. Sipas statistikave, 139 foshnja ose 70,2 për qind kanë vdekur deri në moshën gjashtëditore. Ndërsa 41 raste ose 20,7 për qind kanë ndodhur nga dita e shtatë deri në ditën e 27-të të jetës, kurse 18 raste ose 9,1 për qind nga dita e 28-të deri në moshën njëvjeçare.

    Mosha mesatare e personave të vdekur gjatë vitit 2025 ishte 72 vjeç. Tek meshkujt mosha mesatare e vdekjes ishte 70 vjeç, ndërsa tek femrat 74 vjeç, duke treguar se gratë vazhdojnë të kenë jetëgjatësi më të lartë se burrat në Kosovë.

  • Lushtaku: Projektet që PDK-ja i ka ndërtuar ndër vite, Qeveria Kurti nuk është në gjendje as t’i mirëmbaj

    Lushtaku: Projektet që PDK-ja i ka ndërtuar ndër vite, Qeveria Kurti nuk është në gjendje as t’i mirëmbaj

    Ish-deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka reaguar për kontratën për largimin e dheut në autostradën “Ibrahim Rugova”.

    Lushtaku deklaroi se projektet që PDK-ja i ka ndërtuar nder vite, Qeveria Kurti nuk është në gjendje as t’i mirëmbajë.

    “4.6 milionë euro kontratë për heqjen e dheut! Ato që PDK-ja i ka ndërtuar ndër vite, këta nuk janë në gjendje as t’i mirëmbajnë. Ndërkohë, kontrata prej 4.6 milionë eurosh vetëm për heqjen e dheut duhet të trajtohet me urgjencë nga Prokuroria. Gjithsesi, e vetmja e mirë në gjithë këtë turp dhe në këtë kontratë skandaloze është se njerëzit nuk do ta humbin jetën si pasojë e këtyre rrëshqitjeve të dheut dhe mungesës së reagimit me kohë. Qytetarët meritojnë siguri, përgjegjësi institucionale dhe transparencë për çdo cent të parasë publike”, ka shkruar Lushtaku.

  • Kryetari i Obiliqit : Prej 1 qershorit qytetarët nuk i detyrohen kompanisë për mbeturinat

    Kryetari i Obiliqit : Prej 1 qershorit qytetarët nuk i detyrohen kompanisë për mbeturinat

    Kryetari i Obiliqit Halil Thaçi ka dhënë detaje se cilat projekte e presin komunën për vitin 2026

    Këto komente, Thaçi i bëri në një lidhje direkte në Kanal 10

    Madje ai e ka ndau edhe një lajm shumë të mirë për qytetarët e Obliqit të cilët prej 1 qershorit nuk i detyrohen më kompanisë për mbeturinat, por tash e tutje atyre do të jua paguaj vetë komuna.

  • Oficeri i FSK-së përfundon me sukses Kolegjin e ushtrisë amerikane në Gjermani

    Oficeri i FSK-së përfundon me sukses Kolegjin e ushtrisë amerikane në Gjermani

    Major Getoar Rexhepi, ka përfunduar me sukses Kolegjin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm të realizuar pranë Detaçmentit të 7-të ILE të Ushtrisë Amerikane në Gjermani.

    Përmes një postimi në Facebook, Forca e Sigurisë së Kosovës ka bërë të ditur se programi CGSC ILE ofron arsimim profesional ushtarak me qëllim përgatitjen e oficerëve të gradave të mesme për detyra udhëheqëse, komanduese dhe të shtabit në nivelet operacional dhe strategjike.

    Ky program kontribuon në zhvillimin e aftësive profesionale për planifikim, vendimmarrje dhe udhëheqje në mjedise komplekse të sigurisë, duke forcuar aftësinë për të vepruar në kuadër të operacioneve të përbashkëta, shumëkombëshe dhe ndërinstitucionale”, thuhet në njoftim.

  • Specialja: Avokati i Popullit nuk ka juridiksion mbi Dhomat e Specializuara

    Specialja: Avokati i Popullit nuk ka juridiksion mbi Dhomat e Specializuara

    Mungesa e përfaqësuesve të Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë së Specializuar në një diskutim të mbajtur në Hagë për raportin e Avokatit të Popullit lidhur me të drejtat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka nxitur reagime dhe kritika.

    Ndërkohë, Specialja ka përsëritur se Avokati i Popullit i Kosovës nuk ka mandat mbi këtë gjykatë.

    Javën e kaluar qyteti i drejtësisë në Holandë mblodhi një numër i madh përfaqësuesish të ambasadave të shteteve të ndryshme evropiane, si dhe pjesëmarrës të tjerë të interesuar për çështjet që ndërlidhen me sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

    Haga u bë vendtakim për diskutimin e raportit të Avokatit të Popullit të përpiluar nga ekspertët britanik lidhur me të drejtat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit që mbahen në paraburgim nga Dhomat e Specializuara.

    Por, në këtë takim nuk morën pjesë askush nga Specialja e as nga Prokuroria e Specializuar e Hagës. Në një përgjigje për RTK-në nga Specialja kanë përsëritur se Avokati i Popullit të Kosovës nuk ka mandat për një gjë të tillë.

    “Dhomat e Specializuara lëshuan një deklaratë më 11 maj që u publikua në faqen e tyre të internetit për të korrigjuar keqkuptimet e mediave që raportonin në Kosovë dhe deklaratat publike të Avokatit të Popullit të Kosovës në lidhje me përmbajtjen dhe përfundimet e raportit të BHRC. Siç u reflektua në deklaratë, Avokati i Popullit të Kosovës nuk ka mandat ose juridiksion mbi Dhomat e Specializuara. Duke qenë se këto çështje tashmë u trajtuan në deklaratën e 11 majit, Dhomat e Specializuara nuk kanë komente të tjera për këtë çështje”, thuhet në Përgjigjen e Speciales.

    Ndërkohë, nga Prokuroria e Specializuara nuk kanë dashur të komentojnë këtë takim te së enjtes së kaluar në Hagë.

    Ikje nga përgjegjësia e quan këtë veprim të speciales, avokati Arbër Jashari, sipas të cilit, injorimi i takimit është tregues se Dhomat e Specializuara nuk e kanë kryer punën e tyre siç duhet.

    “Vet fakti që gjykata speciale nuk ka marr pjesë flet shumë, kjo tregon në radhë të parë se ata kanë pas frikë të vijnë dhe të ballafaqohen, e dyta, ata me shumë gjasë janë të vetëdijshëm për këto shkelje që në vazhdimësi u janë bërë të akuzuarve dhe mënyra më e mirë për ta ka qenë injorimi duke u thirrur që avokati i popullit të Kosovës nuk është përgjegjës ose nuk ka kompetencë të bëj raporte të tilla. besoj se Dhomat e specializuara është dashur të jenë në secilën tribunë ku ata konsiderojnë që imazhi i tyre po sulmohet ose reputacioni i tyre po sulmohet për qëllime të caktuara”, tha Arbër Jashari, avokat.

    Pas takimit në Hagë, avokati i Popullit, Naim Qelaj vlerësoi se mungesa e përfaqësuesve të speciales është refuzim për të pranuar kritikat. Ndërsa, dy autorët e raportit, Gus Ëaschefort dhe Lauren Lederle, theksuan shqetësimet lidhur me paraburgimin e zgjatur, kufizimet për lirimin e përkohshëm, transparencën e provave, pabarazinë mes prokurorisë dhe mbrojtjes, si dhe çështje që lidhen me pavarësinë dhe llogaridhënien gjyqësore.

    Ndryshe, deri më 22 korrik pritet që të merret vendimi i shkallës së parë në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve të cilët ndodhen në paraburgim nga nëntori i 2020-tës.

  • NASA shpall të humbur sondën pranë Marsit

    NASA shpall të humbur sondën pranë Marsit

    NASA ka shpallur zyrtarisht të parikuperueshme një nga sondat e saj pranë Marsit, pasi ajo humbi kontaktin pas vëzhgimeve të objektit ndëryjor 3I/ATLAS.

    Agjencia amerikane e hapësirës njoftoi se anija kozmike MAVEN nuk po kryente më funksione shkencore dhe nuk po dërgonte të dhëna drejt Tokës, disa muaj pasi nisi të rrotullohej në mënyrë të pazakontë gjatë orbitimit rreth Marsit.

    Sipas NASA-s, sinjali i fundit nga sonda u regjistrua më 6 dhjetor, pasi ajo kaloi pas Planetit të Kuq. Bordi i rishikimit ka arritur në përfundimin se MAVEN nuk mund të rikthehet më në funksion.

    MAVEN kishte qenë në orbitën e Marsit që nga viti 2014 dhe kishte shërbyer edhe si lidhje komunikimi për roverët që eksplorojnë sipërfaqen marsiane. Problemet nisën pas vëzhgimeve të objektit 3I/ATLAS, të cilin NASA e ka klasifikuar si kometë.

    Në tetor, sonda ishte rreth 18 milionë milje larg objektit kur realizoi disa fotografi gjatë kalimit të tij pranë Marsit. Imazhet u kritikuan gjerësisht për cilësinë e dobët, ndërsa në rrjet u shtuan spekulimet për natyrën e objektit.

    NASA ende nuk ka dhënë një shpjegim për shkakun që bëri sondën 583 milionë dollarëshe të rrotullohej me shpejtësi të madhe. Shkencëtarët besojnë se kjo mund të ketë shkaktuar shkarkimin e baterive dhe ndërprerjen e sistemit të komunikimit.

    Agjencia theksoi se hetimet paraprake nuk kanë përcaktuar ende shkakun kryesor të anomalive teknike.

    Edhe pse MAVEN kishte pasur më parë probleme të vogla teknike, kjo ishte hera e parë në më shumë se një dekadë që një defekt e nxori plotësisht jashtë funksionit dhe ndikoi në orbitën e saj.

    Pas humbjes së kontaktit, në rrjetet sociale u përhapën teori se ndërprerja e komunikimit mund të kishte lidhje me kalimin e 3I/ATLAS pranë Tokës. Megjithatë, deri më tani nuk ka prova që problemet e sondës të jenë shkaktuar nga objekti ndëryjor.

    NASA dhe Agjencia Evropiane e Hapësirës kanë deklaruar se 3I/ATLAS është një kometë e rrallë me përbërje kimike të pazakontë, e cila po kalonte rastësisht përmes sistemit tonë diellor. Sipas tyre, nuk ka shenja jete apo teknologjie në këtë objekt.

    Megjithatë, profesori i Harvardit, Avi Loeb, ka vazhduar të ngrejë pikëpyetje rreth disa anomalive të 3I/ATLAS, duke mos e përjashtuar plotësisht mundësinë që objekti të ketë origjinë jo natyrore.

    Loeb ka theksuar se objekti ka lëshuar sasi të pazakonta metani, një gaz që në atmosferat e ekzoplanetëve konsiderohet si një nga shenjat e mundshme biologjike. Ai ka sugjeruar gjithashtu se copa akulli dhe pluhuri të shkëputura nga objekti mund të kenë bartur forma mikroskopike jete, një teori e njohur si panspermia.

    Pavarësisht debatit rreth 3I/ATLAS, NASA vlerësoi misionin e MAVEN si një sukses të rëndësishëm shkencor. Detyra kryesore e sondës ishte të studionte mënyrën se si Marsi po humb atmosferën e tij të hollë në hapësirë.

    Të dhënat e mbledhura nga MAVEN treguan se era diellore dhe stuhitë diellore largojnë gazrat nga atmosfera e Marsit më shpejt nga sa mendohej më parë.

    Shannon Curry, hetuesja kryesore e misionit MAVEN, tha se ky mision ka avancuar ndjeshëm kuptimin e atmosferës dhe evolucionit të Marsit. Ndërsa Louise Prockter nga NASA shtoi se të dhënat e mbledhura do të vazhdojnë të ofrojnë njohuri të vlefshme për Planetin e Kuq për shumë vite.

  • VV-ja i mori 4 ulëse nga diaspora

    VV-ja i mori 4 ulëse nga diaspora

    Lëvizja Vetëvendosje ka mbërritur në 52 ulëse në Kuvend nga numërimi i më pak se 50 mijë votave nga votimi me postë dhe i 22 mijë të votave nëpër përfaqësi diplomatike. E deri në fund kanë mbetur edhe rreth 35 mijë zarfe të ardhura me postë e rreth 11 mijë me vota me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

    Në rezultatet e përgjithshme, Vetëvendosje ka marrë 45.89 për qind si partia e parë. Partia Demokratike e Kosovës ka rënë në 19.96 për qind. Lidhja Demokratike është e treta me 17.04 për qind dhe Aleanca e katërta me 6.89 për qind. Në ulëse deri tash, VV-ja ka marrë 52 ulëse, PDK-ja 22, LDK-ja 19 e AAK-ja 7.

    Tri numërimet e deritashme kanë prodhuar trendë të ndryshëm. Në rezultatet preliminare, VV-ja si parti e parë i mori 42.96% apo 48 ulëse, ndërsa në përfaqësi diplomatike më shumë se 83 për qind. Në votat me postë, ajo mori 70.26.

    Sipas trendit, nëse janë edhe 40 mijë vota për numërim, ndryshimet janë zor të projektuara. Që VV-ja të marrë edhe një ulëse i duhet të mbajë trendin prej më shumë se 70 për qind në numërimin me postë dhe të votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

    Ulëset në Kuvend ndahen me formulën D’Hondt. Pas zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor, duhet të konstituohet Kuvendi si dhe të zgjidhen edhe presidenti e edhe Qeveria. Për shumicën në Kuvend dhe për formimin e Qeverisë duhen 61 vota, e për presidentin kuorum prej 80 deputetësh në dy rundet e para.

  • Mimoza Ahmeti shpallet fituese e Ferma VIP 3

    Mimoza Ahmeti shpallet fituese e Ferma VIP 3

    Poetja Mimoza Ahmeti është shpallur fituese e edicionit të tretë të Ferma VIP.

    Në një mbrëmje me plot emocione, surpriza të bukura e momente të veçanta, Moza arriti të rrëmbejë çmimin e madh prej 129 mijë eurosh.

    Konkurrentja ishte shumë e pëlqyer nga publiku që në fillim të këtij edicioni, që zgjati plot 81 ditë.

    Ajo ishte e sinqertë në garë, pa filtra dhe krijoi përplot situata që bënë bujë edhe jashtë formatit.

    Në finale bashkë me të kanë qenë edhe: Ilir Shaqiri, Elvis Pupa, Soni Malaj e DJ Bujaka.

    Konkurrenti nga Kosova ishte i pari që la garën, duke u klasifikuar si finalisti i pestë.

    Fitorja e Mozës u konsiderua e merituar plotësisht edhe nga publiku, e fansat që përkrahën që nga dita e parë.