ATV

Blog

  • Përfitimet shëndetësore nga uji me limon

    Përfitimet shëndetësore nga uji me limon

    Limoni përmban vitamina C, një antioksidant, i cili mbron qelizat kundër efekteve të radiokaleve të lira. Radikalet janë molekula që prodhohen kur trupi shpërbën ushqimet, ose kur ka ekspozime ndaj ambientit si p.sh ndaj duhanit, tymrave dhe rrezatimit.

    Vitamina C është e rëndësishme për lëkurën, kockat dhe indet lidhëse. Ajo përshpejton shërimin dhe ndihmon trupin të përthithë hekurin. Vitamina C gjendet në fruta dhe perime. Një burim i mirë janë specat e kuq jo djegës, specat jeshil, qitrot, agrumet, brokoli dhe perimet me gjethe jeshile.

    Disa njerëz mund të kenë nevojë për vitaminë C ekstra, p.sh. gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë fëmijët me qumësht gjiri, njerëzit që pinë duhan, njerëzit që dalin nga një operacion etj.

    Limoni është një nga frutat më të rëndësishme në planet pasi mbron nga shumë tipe sëmundjesh. Limonat përmbajnë bioflavonoid, pektinë, acid folik, vitamina C, A, B1, B6, kalium, magnez dhe fosfor. Ky frut i shkëlqyer ka efekte shumë të mëdha për zorrët, stomakun, sistemin imunitar dhe për shëndetin kardiovaskular.

    Nëse konsumoni limona rregullisht, mund të parandaloni sëmundje si laringit, bronkit, grip, artrit, tension i lartë i gjakut, infeksione bakteriale dhe gurët në veshka. Sipas kërkimeve të fundit, limoni mund të parandalojë kancerin.

    Shumë njerëz e përdorin ujin me limon edhe si një zëvendësues të kafesë, ndaj, nëse po përpiqesh t’i largohesh sadopak kafeinës, uji i ngrohtë me limon mund të të ndihmojë në këtë proces. Më poshtë do të lexoni 10 arsyet se pse duhet të pini rregullisht ujë me limon përgjatë ditës:

    1. Reduktohet risku për infarkt në zemër.

    2. Pastron lëkurën dhe redukton shenjat e plakjes, duke përfshirë edhe eliminimin e rrudhave.

    3. Përmirëson humorin dhe ekuilibron emocionet.

    4. Përmirëson shenjat e inflamacionit dhe vepron si një reduktues i dhimbjes së lehtë.

    5. Lehtëson infeksionet e traktit urinar.

    6. Parandalon dehidratimin dhe lodhjen e veshkave.

    7. Parandalon lodhjen e trurit në punë, apo në shkollë.

    8. Forcon sistemin tuaj imun.

    9. Pastron organet e brendshme dhe i ndihmon ato të funksionojnë në mënyrë optimal.

    10. Nxit funksionimin normal të aparatit tretës.

  • Temperaturat e larta mund t’ju çojnë drejt pirjes së ujit të ftohtë, por cilat janë dobitë dhe dëmet që shkakton?

    Temperaturat e larta mund t’ju çojnë drejt pirjes së ujit të ftohtë, por cilat janë dobitë dhe dëmet që shkakton?

    Temperaturat e larta, sidomos ato që kemi përjetuar gjatë këtyre ditëve, mund t’ju shtyjnë që të konsumoni ujin e ftohtë, ndonjëherë edhe shumë të ftohtë, gjë e cila ka dobitë (padyshim të freskuarit është i pari), por edhe anët e veta negative

    Në fakt, mendohet se pirja e ujit të ftohtë mund të ketë më shumë efekte negative sesa pozitive, ndërsa ekspertët sugjerojnë se uji i ftohtë mund të bëjë që stomaku juaj të kontraktohet, duke e bërë kështu procesin e tretjes më të vështirë.

    Disa studiues të tjerë gjithashtu besojnë se trupi duhet të punoj më shumë nëse pini ujë në temperaturën nën 4 gradë, çka po ashtu konsiderohet si një efekt negativ, ndërsa po ashtu, një tjetër studim ka dalë në përfundimin se konsumimi i ujit të ftohtë ndikon në trashjen e mukozës së hundës, duke e bërë më të vështirë ajrin të kaloj nga hundët, rrjedhimisht edhe frymëmarrjen më të vështirë.

    Meqë jemi tek dëmet që mund të shkaktojë, një tjetër studim thotë se pirja e ujit të ftohtë është e lidhur me migrenën apo dhimbjen e kokës, ndërsa mjekësia kineze sugjeron se konsumimi i tij gjatë vakteve krijon një çekuilibër brenda trupit, prandaj ushqimi sipas kinezëve, duhet të hahet me ujë të ngrohtë. Gjithsesi, nuk ka prova të mjaftueshme për këtë teori, të paktën shkencërisht.

    Megjithatë, sigurisht që uji i ftohtë ka edhe benefite, të cilët mund të jenë:

    Balancimi i temperaturave të trupit pas stërvitjeve. Pirja e ujit të ftohtë mund të parandalojë mbingrohjen e trupit tuaj pas një seance të vështirë stërvitje dhe konsumimi i saj ja bën trupit më të lehtë të rikthej temperaturën normale. Mund të sigurojë energji, teksa pirja e ujit në këto temperatura është dëshmuar se mund t’i sigurojë trupit më shumë energji gjatë ditës, edhe pse nuk ka ndonjë studim të mirëfilltë në këtë aspekt. Mund të promovojë humbjen e kalorive.

    Sipas disa ekspertëve, uji i ftohtë ndihmon në mirëmbajtjen e peshës, duke e rritur shpenzimin e energjisë apo kalorive. /Telegrafi/

     

     

     

  • KQZ-ja me fushatën për edukimin dhe informimin e votusve të rinj: Zëri yt, vota jote!

    KQZ-ja me fushatën për edukimin dhe informimin e votusve të rinj: Zëri yt, vota jote!

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me fushatën informuese dhe edukuese për të rinjtë të cilët mund të jenë votues për herë të parë në procesin e ardhshëm zgjedhor.

    Gjatë ditëve të fundit, KQZ takoi të rinjtë nga komunat Ferizaj, Skënderaj, Klinë, Deçan, Hani i Elezit dhe Viti, për t’i informuar lidhur me aspekte të ndryshme për procesin zgjedhor në Republikën e Kosovës.

    Kush ka të drejtë vote? Kush garon në zgjedhje? Pse duhet të votosh? Çka është vota? – janë vetëm disa nga pyetjet me përgjigjet e të cilave po informohen të rinjtë gjatë fushatës edukuese dhe informuese: Vota jote, zëri yt!

    Deri më tani, ligjëratat dhe takimet e tilla janë mbajtur në komunat tjera, si: Prishtinë, Prizren, Gllogoc, Gjilan, Istog, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë, Obiliq, Pejë, Podujevë, Shtime, Novëbërd, Gracanicë. Kaçanik, Vushtrri, Dragash, Rahovec, Shtërpcë dhe Junik.

  • Tërmet në Maqedoninë e Veriut, lëkundjet ndihen edhe në Kosovë

    Tërmet në Maqedoninë e Veriut, lëkundjet ndihen edhe në Kosovë

    Një tërmet prej 2.4 ballësh ka ndodhur sot në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht në Shkup.

    Siç raportohet, lëkundjet janë ndjerë edhe në Kosovë.

  • Lansohet në e-Kosova paraqitja online e Provimit të Maturës

    Lansohet në e-Kosova paraqitja online e Provimit të Maturës

    Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka njoftuar se është lansuar në platformën e-Kosova paraqitja online e Provimit të Maturës Shtetërore.

    Sipas MAShTI-it, paraqitja online e provimit ka për qëllim të lehtësojë punën e të gjithë maturantëve, shkollave, komunave dhe MAShTI-t në këtë proces.

    “Përveç paraqitjes online të Provimit Shtetëror të Maturës, kjo platformë do të mundësojë edhe gjenerimin e të dhënave për orientimin dhe sistemimin e maturantëve në qendrat e testimit, shpalljen e rezultateve dhe përgatitjen e certifikatës së maturës online”.

    “Procesi i aplikimit për maturantët në platformën e e-Kosova do të jetë shumë i lehtë, i shpejt dhe efektiv në procesimin e të dhënave dhe adresimin e informatave”, thuhet në njoftim.

    Më tej, ministria ka shpjeguar edhe procedurat e procesit të aplikimit për maturantë në platformën e-Kosova.

    “Nxënësi (maturanti) sapo të ketë krijuar llogarinë në adresën https://ekosova.rks-gov.net/ , duhet të orientohet te dritarja duke zgjedhur opsionin Shërbime → Arsimi → Apliko për paraqitje të provimit të maturës dhe të ndjekë hapat sipas përshkrimit të paraqitur në linkun më poshtë”, shkroi MAShTI-i.

    Për detaje tjera gjeni Udhëzuesin për paraqitjen e provimit shtetëror të maturës në Platformën eKosova.

  • ​Situata në Ukrainë, Borrell: Ndihma ushtarake e BE-së është vendimtare

    ​Situata në Ukrainë, Borrell: Ndihma ushtarake e BE-së është vendimtare

    Situata në Ukrainë tregon se ndihma ushtarake e BE-së është “vendimtare”, tha të martën shefi i politikës së jashtme të bllokut.

    “Situata bën që ndihma jonë ushtarake është ende më e rëndësishme, vendimtare, kritike, ajo mund të bëjë një ndryshim,” u tha Josep Borrell gazetarëve në pragun e takimit të ministrave të mbrojtjes të BE-së në Bruksel.

    “Mendoj se gjëja e rëndësishme është të vendoset baza për financim më të mirë të zhvillimit të mbrojtjes evropiane.

    “Ne kemi nevojë për më shumë financime private dhe më shumë financime publike,” tha ai, transmeton AA.

    I pyetur në lidhje me qëndrimin bllokues të Hungarisë ndaj fondit të Fondit Evropian të Paqes (EFF) për Ukrainën, Borrell tha se Budapesti “ka shqetësime që nuk lidhen saktësisht me çështjen e mbrojtjes”.

    “Firmat hungareze janë marrë me problemet në Ukrainë. Ukraina po merret me minoritetin hungarez në territorin e saj. Ne po bëjmë maksimumin për t’i zgjidhur këto probleme,” tha ai.

    Edhe Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg është deklaruar se Rusia shkeli ligjin ndërkombëtar duke sulmuar Ukrainën dhe se Kievi ka të drejtën të vetëmbrohet dhe vendet e NATO-s kanë të drejtën ta ndihmojnë atë.

  • ​Euro 2024/ Spalletti pranon se ka skuadra më të mira se Italia

    ​Euro 2024/ Spalletti pranon se ka skuadra më të mira se Italia

    Trajneri i Kombëtares së Italisë, Luciano Spalletti pranon se ka skuadra në një nivel më të lartë në Euro 2024, por është i bindur se “Azzurrët” mund të luajë në nivel ‘nëse bëhemi ekip’ dhe zbulon objektivin e tij në Gjermani.

    Spalletti foli për “Sky Sport Italia” të hënën mbrëma teksa po merrte pjesë në Premio Cesarini. “Azzurrët” do të fillojnë stërvitjet në Coverciano këtë të premte me 30 lojtarë në dispozicion dhe Spalletti do të shpallë listën e tij të fundit me 26 lojtarë më 6 qershor.

    “Sigurisht, Mancini bëri punë të shkëlqyer, dhe ne duhet të fillojmë nga kjo, duke u përpjekur të bëjmë edhe më shumë”, tha Spalletti. Duhet të jemi gati sepse ky është një kompeticion shumë i rëndësishëm. Jemi entuziastë dhe ndjejmë dëshirën e të gjithë italianëve për të na ndihmuar. Jemi të lumtur që jemi ata që sjellim këtë mesazh dhe këtë ndjenjë në fushë. Synimi ynë është të kthehemi nga Gjermania dhe të dëgjojmë italianët të thonë: “Ne jemi krenarë për ju”.

    Spalletti pranon se Italia nuk është favorite në Euro 2024 dhe zbulon objektivin e “Azzurrëve”. “Është momenti më i lartë i karrierës sime. Është sikur po jetoj në parajsë sepse po përgatis kombëtaren për në Euro”, tha ai.

    “Siç e kam thënë tashmë, do të përpiqem të jap më të mirën. Nuk e di nëse do të mjaftojë. Duhet të sqarojmë disa gjëra: kemi futbollistë të fortë, ndaj duhet t’i bëjmë ata të bëhen ekip dhe nëse ia dalim, jam i bindur se mund të luajmë në të njëjtin nivel me ekipet që për momentin janë në një nivel më të lartë. . Megjithatë, ne kemi këtë periudhë për të punuar së bashku. Ne kemi historinë tonë që është thelbësore.”

    Spalletti konfirmoi se pesë legjenda të Italisë do të ndjekin një seancë stërvitore të “Azzurrëve” të hënën javën e ardhshme.

    “Ne duam të sjellim edhe pak nga kjo histori. Baggio, Del Piero, Totti dhe Antognoni njihen nga ekipi. Doja gjithashtu një nr.10 të kohës sime, ndaj do të sjell Gianni Rivera. Për t’i pasur të gjitha do të ketë një gjë të bukur për të parë dhe do të qartësojë menjëherë sjelljen që duhet të kemi.”, tha ai në fund.

  • Diplomati austriak nis dëshminë në Hagë, ZPS thotë se ka takuar katër të akuzuarit gjatë luftës në Kosovë

    Diplomati austriak nis dëshminë në Hagë, ZPS thotë se ka takuar katër të akuzuarit gjatë luftës në Kosovë

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë dëshmitari i 68-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Jan Kickert, i cili mban kodin W02144 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selmit dhe Jakup Krasniqit.

    Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurori John Capin, ky dëshmitar gjatë vitit 1997 deri në vitin 1999 ka punuar si diplomat austriak në Kosovë dhe se është takuar me krerë të UÇK-së duke përfshirë katër të akuzuarit,

    “Nga fundi i vitit 1997 deri në mars të vitit 1999, Jan Kickert ka punuar në Beograd si diplomat austriak. Në fillim të vitit 1998 ka udhëtuar në Kosovë i ngarkuar për t’u takuar me udhëheqësit e partive, ndërkombëtarë dhe anëtarëve të tjerë. Vizitat e Kickert në Kosovë janë bërë më të shpeshta në pjesën e dytë të vitit 1998 pasi ai ishte udhëzuar të krijojë një pikë kontakti me udhëheqjen e UÇK-së për t’i angazhuar ata në procesin politik. Për të arritur këtë qëllim, ai ka marrë pjesë në disa takime me anëtarë të Shtabit të Përgjithshme; përfshirë Hashim Thacin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin”, ka thënë prokurori Capin.

    Prokurori Capin ka thënë se dëshmitari ka marrë pjesë në një takim për të diskutuar lidhur me lirimin e disa ushtarëve serbë.

    “Në korrik të vitit 1998, Kickert u takua me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe pastaj ndaras me Jakup Krasniqin. Më 1999, Kickert mori pjesë në takim për të negociuar lirimin e ushtarëve serbë. Kickert ishte vëzhgues gjatë negocitave gjatë dhe pas Konferencës së Paqes në Rambuje, duke ndërvepruar me udhëheqjen UÇK-së, duke përfshirë edhe Hashim Thaçin. Në mars të vitit 1999, Kickert mori pjesë në një takim për të diskutuar marrëveshjen e Rambujesë me udhëheqësit e UÇK-së duke përfshirë Rexhep Selimin, Jakup Krasniqit”, ka deklaruar Capin, raporton Betimi për Drejtësi.

    Më 1999, është thënë se ishte këshilltar politik i UNMIK-ut.

    Dëshmitari pohoi se ka dhënë dëshmi edhe në rastin e Fatmir Limajt. Si rrjedhojë e seancës, në prova materiale u pranuan dy dëshmitë e dëshmitarit të dhëna më herët pranë autoriteteve të drejtësisë së bashku me materialet përcjellëse.

    Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë rreth tetë orë e gjysmë e që një prej tyre është parashikuar për pyetjet e ZPS-së ndërsa shtatë e gjysmë për kundërpyetjet e mbrojtjes.

    Vlen të theksohet se të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit, përveç Jakup Krasniqit i cili është i pranishëm përmes video-lidhjes.

  • Zelensky nënshkruan marrëveshje të sigurisë me Belgjikën

    Zelensky nënshkruan marrëveshje të sigurisë me Belgjikën

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e ka nënshkruar të martën një marrëveshje të sigurisë me kryeministrin e Belgjikës, Alexander De Croo në Bruksel.

    Zelensky ka thënë se marrëveshja në vlerë të 977 milionë dollarëve tregon për përkushtimin e Belgjikës për t’i ofruar mbështetjes Ukrainës në periudhë 10-vjeçare.

    Sipas presidentit ukrainas, marrëveshja tregon “për herë të parë” që Ukraina do të pranojë 30 aeroplanë ushtarakë F-16, dhe i pari do të dërgohet më vonë gjatë këtij viti.

    Kjo marrëveshje e sigurisë është rezultat i një vendimi të marrë prej krerëve të shteteve anëtare të NATO-s, përgjatë një samiti në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius, në korrik të vitit të kaluar.

    Atëherë, vendet anëtare janë pajtuar që të nënshkruajnë marrëveshje bilaterale me Ukrainën, për t’ia garantuar sigurinë këtij vendi në periudhë afatgjatë.

    Marrëveshjet garantojnë që Ukraina do të pranojë armë dhe ndihmë financiare, për t’i mbushur zbrazëtirat që ka, derisa vendi të jetësojë synimin për anëtarësim në NATO.

    Marrëveshja vjen teksa Rusia vazhdon të avancojë në fushëbetejë në tokën ukrainase.

    Ushtria ukrainase e ka vuajtur mungesën e armëve dhe municionit në muajt e fundit, derisa Shtetet e Bashkuara e kanë miratuar ndihmën ushtarake në vlerë të 61 miliardë dollarëve për këtë vend.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

  • Ish-ministri Berisha mungon për arsye shëndetësore, anulohet seanca në rastin “Veteranët”

    Ish-ministri Berisha mungon për arsye shëndetësore, anulohet seanca në rastin “Veteranët”

    Për shkak i akuzuari Rrustem Berisha mungoi për arsye shëndetësore, është anuluar seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Veteranët”,

    Nga zyra e gjykatësit Gazmend Bahtiri kanë njoftuar se mbrojtësi i Berishës, avokati Artan Qerkini ka njoftuar me e-mail se i mbrojturi i tij ka probleme shëndetësore, duke bashkëngjitur edhe raporte mjekësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Po ashtu, u bë e ditur se palët janë njoftuar paraprakisht për anulimin e kësaj seance, ndërsa e radhës nuk është konfirmuar ende se kur do të mbahet.

    Në këtë rast, për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2021 të akuzuarit i kishte liruar nga akuza. Por, Gjykata e Apelit më 26 prill 2022 e ka kthyer në rigjykim këtë rast.

    Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.

    Për këto akuza, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues edhe më 19 janar 2021.

    Aktgjykimi në këtë rast ishte përpiluar tre muaj më vonë, ku PSRK brenda 15 ditësh kishte pasur mundësi të ushtrojë ankesë ndaj këtij aktgjykimi.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën për këtë rast, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gusht të vitit 2019.

    Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, të urdhërojë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

    Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

    Kurse pas seancave të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 janar 2021, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve në këtë rast.

    Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë thuhet se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

    Në këtë aktakuzë, janë përfshirë 12 persona, të cilët ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prin Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

    PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar gjykatës, që ta lëshonte masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

    Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara ishte vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

    Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro. /BetimipërDrejtësi