ATV

Blog

  • ​Incident në Komunën e Mitrovicës Veriore

    ​Incident në Komunën e Mitrovicës Veriore

    Një incident i rëndë ka ndodhur sot në Komunën e Mitrovicës së Veriut pasi gazetari i Agjencisë së Lajmeve KosovaPress Alidin Damati është dëbuar nga objekti komunal.

    Truproja e kryetarit të Komunës Erden Atiq, pas një polemike gjatë pauzës së seancës se Kuvendit Komunal në mes të gazetarit dhe kryetarit të kësaj komune, duke e kapur në kraharor gazetarin, i bën me shenjë që ky i fundit duhet të del jashtë.

    Duke mos u mjaftuar me kaq, shefi i kabinetit të kryetarit Visar Syla, gjithnjë me urdhër të kryetarit Erden Atiq, urdhëroi sigurimin e objektit që gazetarit të KosovaPress-it të mos i lejohet hyrja pas pauzës.

    Shkak i krejt kësaj situate ishte një deklaratë e njërës prej këshilltarëve dhënë gazetarit jashtë sallës, përkatësisht në njërën prej korridoreve të objektit të komunës, derisa seanca zhvillohej brenda në sallë. Më pas, mësohet se të gjitha mediat nuk janë lejuar ta përcjellin seancën me arsyetimin se ajo duhet të vazhdojë e mbyllur. /KP/

  • Këto janë punët më stresuese në botë

    Këto janë punët më stresuese në botë

    Çdo person i punësuar ndihet i stresuar herë pas here. Niveli i stresit që e përjetojmë varet nga ajo se çfarë profesioni dhe pozite kemi.

    Sipas një raporti të vitit 2017 nga Shoqata Amerikane Psikologjike, sasia e stresit që e ndjejmë është rritur për herë të parë në një dekadë.

    Siç duket, shkaktarët kryesorë për këtë janë çështjet e parasë dhe karrierës.

    Sidoqoftë, më poshtë i keni rezultatet e një anketimi të kryer nga ‘Careercast’, ku janë zbuluar punët më stresuese në botë!Taksist

    Ballafaqimi me pasagjerë të dehur e të çmendur dhe me trafik të ngarkuar, e bën punën e taksistit të renditet e 10’ta në listën e punëve më stresuese në botë.

    Niveli i stresit sipas pikëve të anketimit: 48.11.

    Ekzekutiv i lartë në korporatë

    Çfarë mund t’ju stresojë nëse jeni në pozitat më të larta të një korporate dhe të keni rrogë të mahnitshme? Epo, gjithçka! Në mënyrë që organizata të funksionojë mirë, ekzekutivi duhet të punojë orë të gjata, të merr vendime të cilat ndikojnë në organizatën dhe punëtorët, e gjithashtu duhet të qëndrojnë të informuar me konkurrentët.

    Niveli i stresit: 48.71.

    Ekzekutiv i marrëdhënieve me publikun

    Ekzekutivët e PR-it janë përgjegjës për reputacionin e klientëve për të cilët punojnë. Ata duhet të jenë të gatshëm të punojnë orë të gjata, në çfarëdo periudhe të ditës. E gjithashtu, siç e dimë edhe vet, puna me figurat publike dhe yjet e ndryshme, si dhe menaxhimi i aferave të tyre nuk është aspak gjë e lehtë.

    Niveli i stresit: 49.44.

    Moderator lajmesh

    Dalja para kamerës dhe paraqitja në publik janë që të dyja stresuese, ndërkaq moderatorët e lajmeve duhet t’i bëjnë që të dyja këto çdo ditë. Moderatorët e lajmeve duhet të jenë të gatshëm të dalin para kamerës tërë ditën, gjithashtu të ballafaqohen me njerëz shumë të fuqishëm.

    Niveli i stresit: 49.83.

    Gazetar-reporter

    Gazetarët reporterë shpeshherë punojnë në zona të rrezikshme me orë të tëra, dhe jo rrallëherë kanë paga të ulëta.

    Niveli i stresit: 49.90.

    Koordinator ngjarjesh

    Koordinatorët e ngjarjeve punësohen vetëm për ngjarje të cilat janë të rëndësishme për klientët e tyre, që do të thotë se çdo gjë që e bëjnë duhet të jetë e përsosur. Qoftë nëse është fjala për një takim të korporatave apo një dasmë, klientët gjithmonë duan që çdo gjë të jetë e përkyer. Për të mbijetuar në këtë industri, është e domosdoshme të keni aftësi të mira të krijimit të lidhjeve dhe të jeni të mirë në zgjidhjen e problemeve.

    Niveli i stresit: 51.15.

    Polic

    Policët kanë shumë gjëra me të cilat ballafaqohen. Orare të ndryshme të punës, protesta, ballafaqimi me kriminelë, etj.

    Niveli i stresit: 51.97.

    Pilot

    Të qenit përgjegjës për sigurinë e qindra pasagjerëve dhe orët e gjata të fluturimeve, kombinuar me mot të keq, normalisht se është gjë stresuese.

    Niveli i stresit: 61.07.

    Zjarrfikës

    Nuk e mohon kush se profesioni i zjarrfikësit është tejet stresues. Zjarrfikësit çdo ditë e rrezikojnë jetën e tyre për t’i shpëtuar ato të të tjerëve.

    Niveli i stresit: 72.43.

    Ushtarak

    Përderisa shërbimi në ushtri është çështje e krenarisë, qëndrimi i gjatë larg shtëpisë dhe familjes normalisht se është gjë stresuese. Kjo është edhe më stresuese për ushtarët që gjinden në zona lufte, ku i shikojnë miqtë dhe kolegët duke u plagosur apo duke e humbur jetën.

    Niveli i stresit: 72.47.

    Punë tjetër stresuese është edhe të jesh President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Ndonjëherë punët më stresuese në botë mund të jenë ato që nuk na merr mendja.

  • Sulm me thikë në Gjermani, plagoset aktivisti i ekstremit të djathtë

    Sulm me thikë në Gjermani, plagoset aktivisti i ekstremit të djathtë

    Disa persona janë goditur me thikë nga një person me thikë gjatë një organizmi politik të ekstremit të djathtë në qytetin gjerman të Manheim.

    Sulmuesi me thikë goditi disa njerëz, duke përfshirë aktivistin e ekstremit të djathtë Michael Stürzenberger, 59 vjeç rreth orës 11:30 të mëngjesit me kohën lokale, sipas The Mirror.

    Pamjet e transmetuara drejtpërdrejtë në YouTube treguan aktivistët anti-islamik nga Pax Europa duke u përgatitur për të mbajtur një tubim të vogël kur një person me thikë iu afrua një burri dhe filloi ta godiste me thikë.

    Kalimtarët e rastit u panë duke nxituar për të ndihmuar viktimën që u sulmua nga autori, i cili u përplas përtokë.

    Pak çaste më vonë sulmuesi nisi të qëllonte me thikë kë t’i dilte përpara. Kalimtarët më pas u përleshën me autorin dhe u përpoqën të largonin të plagosurin e parë që mbeti në dysheme.

    Ai pësoi një plagë me thikë në pjesën e pasme të këmbës. Sulmuesi më pas goditi me thikë pas shpine një oficeri policie.

    Në këtë moment policë të tjerë ndërhynë dhe qëlluan mbi të. Sipas gazetës gjermane Bild , Stürzenberger ishte një nga viktimat në sulm.

    Politikani i ekstremit të djathtë është dënuar dy herë për fyerje të policisë dhe “nxitje dhe denigrim të mësimeve fetare”, tha gazeta.

    Pas sulmit, mjekët u panë duke trajtuar të paktën tre persona në vendngjarje. Rreth zonës ku ndodhi goditja me thikë u vendos edhe një kordon policie.

  • KFOR-i: Çdo vendim rreth urës mbi Ibër të merret në kuadër të dialogut

    KFOR-i: Çdo vendim rreth urës mbi Ibër të merret në kuadër të dialogut

    Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë thirrje që çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Karabinierët e KFOR-it kanë prezencë të përhershme në këtë urë.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara për të garantuar një ambient të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme, përfshirë praninë në urën e Mitrovicës dhe patrullimet në zonën përreth”, ka thënë KFOR-i në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

    Në paraditen e së premtes, asamblistët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin komunal të Mitrovicës së Veriut, kanë kërkuar që të zbatohet një vendim i marrë vitin e kaluar për hapjen e urës së Ibrit.

    Mirëpo, kryetari i Kuvendit komunal, Nexhad Uglanin, ka thënë se zbatimi i vendimit për çështje të urës u takon autoriteteve lokale.

    “Ne e përkrahim çdo lëvizje, ura s’na duhet si simbolikë, por na duhet për bashkëjetesë mes komuniteteve”, ka thënë ai gjatë mbledhjes.

    Nënkryetari i këtij Kuvendi komunal, Skënder Sadiku, ka thënë të premten se ura nuk është nën juridiksionin e Kuvendit komunal dhe as nuk ruhet nga ai, por nga karabinierët e KFOR-it.

    Sipas tij, hapja e urës është edhe në juridiksionin e Komunës së Mitrovicës së Jugut, dhe të KFOR-it dhe se për këtë ka edhe marrëveshje të Brukselit.

    “Fati në fatkeqësi është që kjo urë nuk varet vetëm nga ne, por kjo çështje është edhe e institucioneve të sigurisë. Ne, si Kuvend, kemi bërë pjesën tonë. Duhet të hapemi me njëri-tjetrin”, ka thënë mes tjerash Sadiku.

    Vendimi për hapje të urës është marrë në prill të vitit 2023, por nuk janë marrë asnjëherë hapa drejt zbatimit të tij.

    Aktualisht në krye të komunës së Mitrovicës së Veriut është Erden Atiq, po ashtu nga Lëvizje Vetëvendosje.

    Pas thirjeve për hapje të urës ka reaguar edhe Bashkimi Evropian.

    Zëdhënësi i bllokut evropian, Peter Stano ka thënë, po ashtu, se çështja e hapjes së urës duhet të diskutohet në kuadër të dialogut.

    “Hapja e urës është pjesë e dy marrëveshjeve. Por, përkundër përpjekjeve tona, kjo urë ka mbetur e mbyllur për trafik. Pasi kjo është pjesë e dialogut, gjithçka duhet të diskutohet dhe të vendoset në dialog me pjesëmarrjen e Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Stano të premten.

    Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe, qysh prej vitit 1999.

    Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, palët janë pajtuar që ura të hapet për qarkullim, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë. Është hapur vetëm njëra anë e saj për këmbësorë.

    Kundër hapjes së urës ka dalë Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Sipas saj, hapja e urës për automjete është “absolutisht e panevojshme, e papranueshme dhe një lëvizje përshkallëzuese, që synon destabilizimin e mëtejshëm të situatës në terren”.

    Qytetarët me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë në Mitrovicë të Veriut janë të ndarë.

    Disa e kanë komentuar si vendim që rrit tensionet, ndërsa për të tjerë është parë si “gjë e mençur”. /REL

  • Kryeministri Kurti takohet me presidentin turk Erdogan

    Kryeministri Kurti takohet me presidentin turk Erdogan

    Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi dhe zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi ka udhëtuar mbrëmë për në Turqi.

    Në kryeqytetin e Turqisë, në Ankara, ai është mirëpritur nga presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, si edhe do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme, Hakan Fidan.

    Qëndrimin në Turqi, kryeministri Kurti do ta vijojë në Stamboll, ku do të marrë pjesë në forumin e parë ekonomik të bizneseve ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

     

  • Vdes e moshuara që u rrah në shtëpinë e pleqve në Pejë

    Vdes e moshuara që u rrah në shtëpinë e pleqve në Pejë

    Ka ndërruar jetë më 29 maj e moshuara që u keqtrajtua nga punëtoret e Qendrës për të Moshuar në Pejë” Orenda”.

    Këtë e ka bërë të ditur Meshar Selimaj, avokati i familjes së të moshuarës në emisionin “Rreth e Rrotull”.

    Në nëntor të vitit 2022, e moshuara ishte keqtrajtuar nga punëtoret e Qendrës për të Moshuar në Pejë” Orenda”, rast ky i cili kishte tronditur opinionin publik.

    Ku mbeti rasti “Orenda”?

    Avokati, Selimaj ka thënë se tashmë rrethanat e rastit janë ndryshe pasi e dëmtuara në këtë rast ka ndërruar jetë.
    Ai ka thënë se nga 31 tetori nuk është mbajtur ndonjë seancë gjyqësore për këtë rast ndonëse prokuroria në Pejë ka dërguar aktakuzën në Gjykatë që nga prilli i vitit të kaluar.

  • ​Leonat Vitija largohet nga Drita

    ​Leonat Vitija largohet nga Drita

    Drita ka njoftuar se me marrëveshje të dyanshme ka ndërprerë bashkëpunimin me futbollistin Leonat Vitija.

    Vitija iu bashkua Dritës në sezonin 2022/23 dhe ka arritur të bëjë deri tani 55 paraqitje në të gjitha garat për klubin gjilanas, raporton KosovaPress.

    “Klubi jonë FC DRITA i dëshiron shumë suksese Leonatit në vazhdim të karrierës”, shkroi Drita në “Facebook”.

  • Haradinaj nderon heronjtë Safet Boletini dhe Ejup Kasumi: I përjetshëm kujtimi për ta

    Haradinaj nderon heronjtë Safet Boletini dhe Ejup Kasumi: I përjetshëm kujtimi për ta

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar të rënët e 31 majit të vitit 1999.

    Haradinaj ka thënë se muaji maj shënon heroizmin dhe sakrificën e jashtëzakonshme të luftëtarëve të lirisë.

    “31 Maji shënon heroizmin dhe sakrificën e jashtëzakonshme të luftëtarëve të lirisë, Safetit nga familja e Heroit Isa Boletini, dhe Ejup Kasumi nga Strofci i Vushtrrisë.

    Sot, me kryetarin e Aleancës në Mitrovicë, Qazim Nimani, bashkëpunëtorë e bashkëluftëtarë, nderuam sakrificën e tyre sublime për liri. Po ashtu, ndaluam për të shprehur ngushëllime në familjen Salihu, pas humbjen e djalit të tyre, Qlirimit”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka kujtuar edhe sakrificën e familjes së Selatin Gërxhaliut.

    “Gjithashtu, sot kujtojmë sakrificën e familjes së Selatin Gërxhaliut, që 25 vjet më parë u ekzekutuan pa mëshirë vetëm pse ishin shqiptarë në tokën e tyre. Në përpjekje për të mbrojtur familjen, ra heroikisht edhe i zoti i shtëpisë Selatini, luftëtar i dalluar i Brigadës 142 “Mehë Uka”. Kujtimi për ta do të jetë i përjetshëm, duke frymëzuar brezat e ardhshëm me dashurinë për atdheun dhe përkushtimin ndaj kauzës kombëtare.

    Paqe e lavdi për të rënët. U jetësoftë ëndrra e tyre!”, është shprehur Haradinaj.

  • Të paktën 12 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

    Të paktën 12 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

    Të paktën 12 persona u vranë, përfshirë fëmijë, gjatë dy sulmeve ajrore më 31 maj në Gazën qendrore, sipas zyrtarëve shëndetësorë dhe gazetarëve në terren të Associated Press.

    Sulmet ajrore goditën Nuseiratin dhe Burejin dhe trupat e pajetë të dy fëmijë dhe katër grave, që u vranë në sulm, u dërguan në spitalin Al Aksa në Deir al-Balah.

    Varrimi i 12 personave të vrarë u mbajt të premten.

    Lufta në Gazë nisi më 7 tetor, pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë.

    Si pasojë e ofensivës ajrore, tokësore dhe detare të Izraelit, në Gazë deri më tani janë vrarë më shumë se 36.000 palestinezë dhe janë plagosur më shumë se 80.000 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Ky institucion nuk bën dallimin mes civilëve të vrarë dhe luftëtarëve të Hamasit.

    Izraeli ka thënë se nuk do të ndalë luftën në Gazë derisa të arrijë dy qëllimet: shkatërrimin e Hamasit dhe kthimin e pengjeve./REL/

  • Prokuroria mohon se është hapur sërish grupi “AlbKings”: Nëse ka tendencë, do t’i ndërmarrim hapat e nevojshëm

    Prokuroria mohon se është hapur sërish grupi “AlbKings”: Nëse ka tendencë, do t’i ndërmarrim hapat e nevojshëm

    Prokuroria Themelore e Prishtinës ka mohuar të jetë hapur sërish grupi famëkeq “AlbKings”, që funksionon në rrjetin social “Telegram”, ku shpërndaheshin fotografi e numra të telefonave, me qëllim shqetësimin e ngacmimin seksual.

    Nga kjo prokurori bëjnë me dije se raportimet janë bazuar në grupin e mbyllur së fundmi nga organet e hetuesisë.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë me qëllim të informimit të saktë të opinionit publik, demanton lajmin i cili është duke qarkulluar në portalet vendore se është hapur përsëri grupi “Albkings”, pra ky lajm iu bëjmë me dije se i njëjti është i bazuar në grupin e mbyllur së fundmi nga organet e hetuesisë, për çka iu kemi njoftuar përmes konferencës së mbajtur gjatë ditës së djeshme. Përmes këtij reagimi, Prokuroria Themelore në Prishtinë iu bën apel të gjitha mjeteve informuese të kenë parasysh vërtetësinë e lajmit para se të plasohet në opinionin publik, pasi lajme të tilla të pavërteta cenojnë sigurinë juridike të qytetarëve tonë dhe kanë për qëllim ndikimi në imazhin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

    Prokuroria ka thënë se janë në monitorim të kësaj çështje dhe në qoftë se ka tendencë të hapjes së këtij grupi apo çfarëdo grupi tjetër të ngjashëm, prokuroria në koordinim me policinë do t’i ndërmerre masat e nevojshme.