ATV

Blog

  • Clintoni kujton 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, Osmani e falënderon

    Clintoni kujton 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, Osmani e falënderon

    Ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton i cili pati rolin kyç në ndërhyrjen e NATO-së për të ndal gjenocidin në Kosovë, ka kujtuar 25-vjetorin e çlirimit të vendit tonë.

    Clinton ka publikuar një video në platformën “X” në të cilën flet për ndërhyrjen e NATO-së, ndërsa ka kujtuar 25 vjet paqe në Kosovë.

    “Sot po falënderoj për 25 vjet paqe në Kosovë”, ka shkruar Clinton.

    Këtë postim e ka shpërndarë edhe presidentja Vjosa Osmani.

    ““…dhe Republika e Kosovës ju falënderon, zoti President, që e keni bërë të mundur këtë paqe”, ka shkruar ajo në Tëitter”, ka shkruar Osmani.

  • Hajdari: Roli i Avokatit të Popullit të mos involvohet në procedura gjyqësore

    Hajdari: Roli i Avokatit të Popullit të mos involvohet në procedura gjyqësore

    Zëvendësavokati i Popullit të Kosovës, Niman Hajdari, ka thënë për EO se numri i ankesave nga qytetarët ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të parashtruara te Avokati i Popullit janë një numër shumë i vogël, mirëpo pavarësisht kësaj ankesat e qytetarëve janë proceduar tutje për shqyrtim nga institucionet ligjore.

    “Sipas ligjit aktual, ne jemi palë të cilës qytetarët mund të ia drejtojnë ankesën e tyre kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve, numri i ankesave të parashtruara te avokati i popullit është i vogël, megjithatë ne çdo rast sa herë që kemi pranuar ankesa nga qytetarët ashtu siç parasheh ligji ne menjëherë i kemi proceduar tutje për shqyrtim të metejm të autoritetet kompetente qofshin ato gjykata apo prokurori ose KGJK ose KPK”, ka thënë Hajdari.

    Ndërsa në ndryshim plotësimin e ligjit ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, Hajdari tha se roli i Avokatit të Popullit, të mos involvohet në procedura gjyqësore për të cilat ligji ia parasheh të mos ndërhyjë.

    “Roli i avokatit të popullit në këtë ligj, në këto procedime të jetë në pajtim me ekspertizën e dhënë nga mekanizmat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Këshillit të Europës por edhe të Komisionit të Venedikut në mënyrë që Avokati i Popullit të mos involvohet në procedura të cilat nuk janë në pajtim me natyrën e funksionimit të institucioneve e sidomos në procedura gjyqësore për të cilat vetë ligji për Avokatin e Popullit parasheh se Avokati i Popullit mund të ndërhyjë vetëm në një rast jo të ndërhyjë në kuptimin e pengimit të procedurës apo vlerësimit të procedurave në Gjykatë”, u shpreh ai.

    Hajdari shtoi se Avokati i Popullit përmes raportit vjetor e njofton Kuvendin për rrjedhën e punës së sistemi gjyqësor në total.

    “Në raste kur ka zvarritje të dukshme për trajtimin e një çështje gjyqësore dhe rasti tjetër është kur avokati i popullit nëpërmjet raportit vjetor ose raporteve tjera e njofton Kuvendin e Republikës për mbarëvajtjen dhe mbarë funksionomin e sistemit gjyqësor në përgjithësi, por pa u futur në raste konkrete”, u shpreh Hajdari.

  • Moti sot me diell, temperaturat deri në 33°C

    Moti sot me diell, temperaturat deri në 33°C

    Për të mërkurën parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ku kryesisht në veri të vendit pritet të ketë rrebeshe lokale shiu, të shoqëruara me disa shkarkesa rrufesh.

    Si pasojë e pluhurit Saharian, në ato zona ku ka të reshura do të jenë të përziera me baltë.

    Era do fryjë nga kuadrati i perëndimit, e cila kohë pas kohe pritet të jetë mjaft e fuqishme, me shpejtësi prej 16-58 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 14 deri në 17°C, ndërsa ato maksimale prej 28 deri në 33°C.

  • FSK-ja dhe Policia parakalojnë sot për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës

    FSK-ja dhe Policia parakalojnë sot për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës

    Për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, do të bëhet parakalimi i njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë së Kosovës.

    Parakalimi pritet të fillojë në orën 12:00 ku edhe do të ekspozohen sisteme të ndryshme të armatimit.

    “Nisja bëhet me fillim në ora 12:00, nga objekti i Qeverisë deri te Sheshi “Zahir Pajaziti”, thuhet në njoftim.

    Ndryshe, 25 vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas një fushate ajrore 78-ditëshe kundër caqeve ushtarake e policore serbe.

  • Kosova shënon sot 25 vjetorin e çlirimit

    Kosova shënon sot 25 vjetorin e çlirimit

    Kosova sot shënon 25-vjetorin e Ditës së Lirisë apo Çlirimit të Kosovës, kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas fushatës ajrore të Aleancës së Veri-Atlantikut kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi.

    Fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova.

    Rezoluta 12 44 e OKB-së në Kosovë vendosi administratën e përkohshme të OKB-së, UNMIK, për të administruar me vendin e shkatërruar nga lufta, për një periudhë transitore deri në ngritjen e kapaciteteve vendore dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës.

    Ajo, po ashtu, siguroi bazën ligjore për vendosjen e 50.000 trupave paqëruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja për ta siguruar paqen në Kosovë, që njëherësh ishte edhe misioni më i madh paqëruajtës i Aleancës veriatlantike.

    Vendosjes së trupave paqeruajtëse i parapriu Marrëveshja Teknike e Kumanovës, që parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë.

    Tërheqja e plotë e trupave serbe përfundoi më 20 qershor 1999.

    Ushtarët e parë që u futën brenda territorit të Kosovës më 1999 ishin pjesëtarë të ushtrisë norvegjeze. Ata ishin pjesë forcave paqeruajtëse nga 36 vende të botës – prej të cilëve 30.000 ishin të shteteve të NATO-s – që erdhën në Kosovë.

    Me hyrjen e trupave ndërkombëtare u mundësua kthimi në shtëpitë e tyre i më shumë se 800.000 refugjatëve, persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës, të dëbuar nga shtëpitë e tyre, që po strehoheshin në kampe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.

    Ndërhyrja ushtarake e NATO-a ndodhi pas gati një dekade përpjekjesh diplomatike ndërkombëtare për t’i ndalur luftërat në ish-Jugosllavi. Në Kosovë, asaj i parapriu Konferenca e Rambujesë dhe e Parisit, ku Serbia refuzoi kompromisin që të ndalte dhunën e forcave të saj në Kosovë.

    Në luftën e viteve 1998-’99 janë vrarë më shumë se 13.000 persona dhe janë zhdukur më shumë se 6.000 persona.

    Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Trupat e tyre janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshehen krimet.

    Udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të Serbisë janë arrestuar, gjykuar dhe dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për ish-Jugosllavi për krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë.

    Ndër ta ishte edhe Slobodan Millosheviqi, i cili vdiq në burg pa arritur të dënohet për përgjegjësinë në urdhërimin e krimeve të luftës në Kosovë.

  • Kuvendi mban seancë solemne për 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës

    Kuvendi mban seancë solemne për 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës

    Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë solemne në shënim të 25-vjetorit të Ditës së Çlirimit.

    Në këtë seancë do të marrë pjesë dhe presidentja Vjosa Osmani.

    Po ashtu, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot do të takohet me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.

    Për sot në orën 17:00 është paralajmëruar edhe pritja shtetërore nga presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, në 25-vjetorin e çlirimit.

  • Rrustem Mustafa flet për koordinimet me zyrën e UÇK-së në Prishtinë, si dhe takimet me Albin Kurtin

    Rrustem Mustafa flet për koordinimet me zyrën e UÇK-së në Prishtinë, si dhe takimet me Albin Kurtin

    Ish-komandanti i UÇK-së në zonën e Llapit, Rrustem Mustafa, në emisionin CONTEXT në ATV, ka folur për rolin e zyrës së UÇK-së në Prishtinë, udhëheqës i së cilës ishte Adem Demaçi.

    “Zyra e Adem Demaçit në Prishtinë ka qenë përfaqësuese legjitime nën okupim në Prishtinë, politike e UÇK-së. Kanë qenë raporte ditore, kanë qenë njerëz këshilltarë të zotit Demaçi, me mua personalisht rutinë ditore kemi pasur kontakte dhe kemi koordinuar atë që është dashur me qenë e koordinuar. Normalisht që ne nuk kemi pasur pse t’i informojmë këshilltarët apo dikë në zyrë, jashtë strukturave operative të ushtrisë, për numrin, saktësinë e armëve e këto, por ka pasur shumë elemente që ne kemi biseduar dhe e kanë kryer punën e tyre me sukses të mirë”, tha Mustafa.

    Ai tregoi se gjatë asaj kohe, kishte pasur kontakte edhe me Albin Kurtin, i cili ishte Sekretar i Zyrës së Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të UÇK-së.
    Mustafa thotë se me Kurtin kanë pasur kontakte edhe përmes telefonit, por edhe kontakte të drejtpërdrejta.

    “Nuk do t’i shpjegoj më tutje, por e di që ka qenë zyrtarisht element i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Zyra ka qenë udhëheqja politike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, baci Adem Demaçi ka qenë drejtor i kësaj drejtorie. Ne e kemi numëruar si instrument tonin të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kemi këmbyer ato punë që është dashur të këmbehen me ata. Unë personalisht kam pasur fatin të bashkëpunoj më shumë nga njerëzit e Adem Demaçit, duke shkuar edhe në Shtabin e Përgjithshëm bashkë me ta”, tha Mustafa. /atvlive.tv

  • ASK-ja cakton datën për publikimin e rezultateve paraprake të regjistrimit të popullsisë

    ASK-ja cakton datën për publikimin e rezultateve paraprake të regjistrimit të popullsisë

    Agjencia e Statistikave të Kosovës, ka caktuar datën për publikimin e rezultateve paraprake të procesit të regjistrimit të popullsisë, raporton Ekonomia Online.

    Në një njoftim për media, bëhet e ditur se më 12 korrik, ASK-ja do të dalë me të dhënat paraprake.

    “Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ju njofton se është caktuar data e Konferencës për shpalljen e rezultateve paraprake të Regjistrimit të Popullsisë (ReKos2024). Projekti i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos 2024) është projekti më madhor i një vendi në kohë paqeje, që u realizua nga 05 Prill deri më 24 Maj 2024. Ky ishte rundi i dytë i Regjistrimit të Popullsisë në vend, që nga Regjistrimi i vitit 2011. Shpallja e rezultateve paraprake do të bëhet me organizmin e një konference që planifikohet të mbahet më 12 korrik 2024”, thuhet në njoftim.

    Agjencia e Statistikave të Kosovës ka falënderuar të gjithë qytetarët e Kosovës për bashkëpunimin që kanë treguar gjatë këtij procesi, të gjithë stafin e përfshirë në Regjistrim, institucionet që kanë mbështetur këtë proces, si dhe të gjitha mediat për korrektësinë dhe raportimin e drejt gjatë gjithë procesit të Regjistrimit të Popullsisë në Kosovë (ReKos2024).

  • Policia kërkon ndihmë për identifikimin dhe arrestimin e dy personave

    Policia kërkon ndihmë për identifikimin dhe arrestimin e dy personave

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin dhe arrestimit e dy personave, të cilëve ua ka publikuar fotografinë.

    Ato po kërkohen për përfshirje në një rast, për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, që ka ndodhur në qershor të vitit të kaluar.

    “Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personave apo vendodhjes së tyre, kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192”, thuhet në njoftim.

  • Katër edukatorë amerikanë theren me thikë në Kinë

    Katër edukatorë amerikanë theren me thikë në Kinë

    Katër edukatorë amerikanë nga një universitet i vogël i Ajovës janë plagosur në një sulm me thikë në një park publik në provincën verilindore Xhilin të Kinës, njoftuan të martën zyrtarët amerikanë dhe kinezë.

    Policia kineze tha se incidenti ndodhi pak para mesditës të hënën në një park në qytetin Xhilin dhe se i dyshuari, një vendës 55 vjeç, u arrestua në ditën e njëjtë.

    “Cui u përplas në një të huaj derisa po ecte në Parkun Beishan, dhe pastaj i theri me thikë të huajin dhe tre të huaj të tjerë, si dhe një turist kinez i cili tentoi ta ndalte”, tha policia në Xhilin.

    Policia theksoi se të plagosur nuk janë në rrezik për jetë. Ajo nuk dha hollësi për motivet e sulmuesit.

    Ministria e Jashtme e Kinës tha të martën se ky ishte një “incident i izoluar” dhe se ai “nuk do të kenë ndikim në shkëmbimin e zakonshëm mes njerëzve mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara”.

    Ajo tha se do të vazhdojë të ndërmarrë masa efektive për të garantuar sigurinë e të huajve në Kinë.

    Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha se SHBA-ja është e vetëdijshme për raportimet për një “incident me thikë” në Xhilin, Kinë, dhe se po e vëzhgon situatën.

    Edukatorët nga Kolegji Cornell në Ajova ishin në Kinë si pjesë e programit të shkëmbimit arsimor me universitetin partner Beihua në Xhilin.

    Presidenti i Kinës, Xi Jinping, u zotua këtë vit se do t’i ftojë në Kinë 50.000 të rinj amerikanë për programe studimore për t’i përforcuar marrëdhënies mes popujve. Megjithatë, një paralajmërim i shkallës së tretë i Departamentit të Shtetit për arrestime të mundshme arbitrare dhe ndalim të largimit nga vendi gjatë udhëtimit në Kinë, ende është aktiv./REL