ATV

Blog

  • ​BE-ja pret që Qeveria e Mickoskit të respektojë Marrëveshjen e Prespës

    ​BE-ja pret që Qeveria e Mickoskit të respektojë Marrëveshjen e Prespës

    Ndryshimet kushtetuese dhe respektimi i Marrëveshjes së Prespës duhet të jenë në fokus të qeverisë së re. Zëdhënësja e Komisionit Evropian thotë se do të bashkëpunojnë edhe me qeverinë e Mickoskit në përmbushjen e reformave kyçe të nevojshme për lëvizjen e Maqedonisë së Veriut në rrugën evropiane, por me një mesazh të qartë që pritet nga vendi.

    “Mesazhi është shumë i qartë, Maqedonia e Veriut duhet të shfrytëzojë sa më shumë momentumin që ekziston për zgjerimin për të ecur përpara në rrugën e saj drejt BE-së. Këshilli Evropian e ka bërë të qartë se çfarë pret nga Maqedonia e Veriut, kjo natyrisht i referohet edhe ndryshimeve kushtetuese për të cilat Maqedonia e Veriut është zotuar për të avancuar në rrugën drejt BE-së. Na vjen keq për mospërdorimin e emrit kushtetues nga disa prej liderëve të Maqedonisë së Veriut, është obligim i marrë nga Marrëveshja e Prespës. Është e qartë se të gjitha palët duhet të respektojnë dispozitat e marrëveshjes dhe t’i zbatojnë ato me mirëbesim”, thotë Anna Pisonero.

    Ish-kryeministri grek Tsipras, i cili pardje kryesoi Komitetin për Ballkanin Perëndimor të Këshillit të Evropës, kërkon që komuniteti ndërkombëtar dhe veçanërisht Bashkimi Evropian të shprehin qartë pasojat e mosrespektimit të Marrëveshjes së Prespës në rajon dhe veçanërisht për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut.

    “Lufta kundër nacionalizmit dhe destabilizimit në rajon duhet të bëhet në mënyrë aktive, dhe kjo në radhë të parë nënkupton mbështetjen e Marrëveshjes së Prespës dhe një rol dinamik diplomatik të BE-së në Ballkanin Perëndimor para se ajo të humbasë plotësisht kredibilitetin e saj. Komuniteti ndërkombëtar dhe veçanërisht BE-ja duhet të shprehin qartë pasojat që do të ketë mosrespektimi i Marrëveshjes në rajon dhe veçanërisht në të ardhmen e Maqedonisë së Veriut”, tha Tsipras.

    Për kryeministrin Mickoski, përdorimi i mbiemrit “e Veriut” është çështje e mbyllur. Mbetet i qëndrimit se Marrëveshja e Prespës do të respektohet vetëm në kontekst zyrtar, qëndrim që u mirëprit edhe nga Departamenti i Shtetit.

    Në një periudhë të acarimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, takimi i parë mes Mickoskit dhe Mitsotakis pritet në samitin e NATO-s në Washington nga 9 deri më 11 korrik./ALSAT.M/

  • Kërcënohet gazetari Vullnet Krasniqi

    Kërcënohet gazetari Vullnet Krasniqi

    Gazetari Vullnet Krasniqi është kërcënuar nga një qytetar në TikTok. Për rastin ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës që ka thënë se është jashtëzakonisht i shqetësuar.

    “Unë jam në Prishtinë, dhëmbët kam me t’i shkulë me dane, kam me ta q* f*miljen, këtu kam me ta rrasë plumbin…Ta di adresën ku e ke saktë, ta dish, të banesës, mos shko në katund, mos thirr polici…”, dëgjohet ndër të tjera duke thënë personi në video.

    Gazetari Krasniqi ka njoftuar se është duke e raportuar kërcënimin në Policinë e Kosovës.

    AGK-ja i ka bërë thirrje Policisë ta lokalizojë kërcënuesin dhe t’ia ofrojë gazetarit mbrojtjen e duhur.

  • Sulmi terrorist në Banjskë, tre të dyshuarve iu vazhdohet paraburgimi edhe nga dy muaj

    Sulmi terrorist në Banjskë, tre të dyshuarve iu vazhdohet paraburgimi edhe nga dy muaj

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ashtu që ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe nga dy muaj (secilit veç e veç) tre të dyshuarve Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, për sulmim terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë.

    Lajmin e ka konfirmuar bashkëpunëtorja profesionale nga zyra e kryetares së kësaj gjykate, Medina Gashi.

    “Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, Gjykata themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 21.06.2024 ka marrë Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që masa e paraburgimit tre të pandehurve iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”, thuhet në përgjigjen e gjykatës për Betimi për Drejtësi.

    Toliq, Spasojeviq dhe Maksimoviq gjenden nën masën e paraburgimit nga data 26 shtator 2023.

    Ata dyshohen për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Në Banjskë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Banjskës.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kishte publikuar pamje të Milan Radoiçiq, ku kishte theksuar se Radoiçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

    E vetë Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist.

  • Beogradi thotë se Petkoviqit iu ndalua hyrja në Kosovë për festën e Vidovdanit

    Beogradi thotë se Petkoviqit iu ndalua hyrja në Kosovë për festën e Vidovdanit

    Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha të mërkurën se drejtorit të saj, Petar Petkoviq, i është ndaluar vizita në Kosovë për “të qenë pranë serbëve për Vidovdan”.

    “Që një vit e gjysmë, Petkoviqit është duke iu ndaluar dhëtimi në Kosovë dhe kremtimi i festave më të mëdha me serbët në provincë dhe mbështetja e tyre për shkak të ndalesave të jashtëligjshme nga Prishtina”, tha Zyra serbe në një njoftim.

    Ajo tha se vizita e tij u paralajmërua në “përputhje me të gjitha marrëveshjet e vlefshme për lëvizje të lirë” dhe se qëllimi i vizitës ishte kryekëput “i natyrës fetare”, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “e ndaloi vizitën dhe kështu i shkeli të gjitha arritjet e bisedimeve në Bruksel”.

    Autoritetet në Kosovë, deri më tash, nuk kanë dhanë ndonjë njoftim.

    Serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit tradicionalisht festojnë Vidovdanin çdo 28 qershor në Gazimestan – rreth 10 kilometra larg Prishtinës.

    Në vitet e kaluara ka pasur edhe arrestime për “nxitje të urrejtjes fetare dhe kombëtare”.

    Zyra serbe e akuzoi Kurtin se me ndalimin e Petkoviqit “deshi të tregonte se nuk është i interesuar për normalizimin e marrëdhënieve”, në ditën kur ai dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ndodhen në Bruksel për një takim të ri të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Vidovdani është gjithashtu një festë fetare, që e shënon Kisha Ortodokse Serbe, si përkujtim të vuajtjeve të serbëve në betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë, në vitin 1389.

    Vitin e kaluar, qytetarë serbë u mblodhën në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë, ku u paraqit një dokument i quajtur “Deklarata e Vidovdanit”.

    Në deklaratën, që e lexuan zyrtarë të partisë më të madhe serbe në Kosovë – Lista Serbe – thuhej se komuniteti serb në Kosovë ishte “i ekspozuar ndaj dhunës”.

    Vitin e kaluar, Vidovdani nuk u festua në Gazimestani, pasi Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe vendosën ta mbajnë atë në Manastirin e Graçanicës për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.

    Gazimestani në Kosovë njihet edhe për fjalimin e ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, i cili, më 28 qershor 1989, nuk i përjashtoi “betejat e armatosura”.

    Ai fjalim i Millosheviqit u pa nga shumë njerëz si paralajmërim i luftërave që pasuan në vitet ‘90 në ish-Jugosllavi.

    Në të njëjtën ditë në vitin 2001, Millosheviq u ekstradua në Tribunalin e Hagës, i cili e akuzoi atë për krime lufte. Ai vdiq në paraburgim në vitin 2006, para gjykimit përfundimtar./REL/

     

     

  • Presidentja Osmani uron Rutten: Urime mikut tonë të dashur, mezi pres të punojmë së bashku

    Presidentja Osmani uron Rutten: Urime mikut tonë të dashur, mezi pres të punojmë së bashku

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Mark Rutten për emërimin e tij në krye të NATO-s.

    Osmani e ka cilësuar Rutten si mik të dashur të Kosovës, ndërsa tha se lidershipi dhe njohuritë e tij do të jenë të paçmueshme për Aleancën.

    “Urime mikut tonë të dashur Mark Rutte që u emërua si sekretar i përgjithshëm i NATO-s. Përvoja, lidershipi dhe njohuritë e tij do të jenë të paçmueshme për Aleancën!”, shkroi Osmani.

    Ajo shtoi se gjatë viteve kanë punuar së bashku për shumë çështje të rëndësishme dhe se nuk ka dyshim se bashkëpunimi i fortë do të vazhdojë derisa ai të marrë këtë përgjegjësi të re.

    “Mezi pres të punojmë së bashku për të avancuar anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe të punojmë drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në të gjithë kontinentin tonë dhe më gjerë”, shkroi Osmani në “X”.

  • ​Kushtetuesja i jep të drejtë Qeverisë për Ligjin për Pagën Minimale

    ​Kushtetuesja i jep të drejtë Qeverisë për Ligjin për Pagën Minimale

    Gjykata Kushtetuese sot përmes një njoftimi ka bërë të ditur se i jepet të drejtë Qeverisë së Kosovës lidhur me Ligjin për pagën minimale, duke konstatuar se neni 2 (Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit Nr. 04/L-261 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 05/L-141) i dhe se i njëjti nuk është në kundërshtim me nenin 24 (Barazia para Ligjit) dhe nenin 46 (Mbrojtja e Pronës) të Kushtetutës së Kosovës.

    “Gjykata, ka vendosur (i) njëzëri, që të deklarojë kërkesën të pranueshme; dhe (ii) njëzëri, që të konstatojë që neni 2 (Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit Nr. 04/L-261 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 05/L-141) i Ligjit të kontestuar, nuk është në kundërshtim me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (ii) me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, që neni 3 (Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit nr.04/L-092 për Personat e Verbër) i Ligjit të kontestuar, nuk është në kundërshtim me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iii) njëzëri, që neni 4 (Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit nr.05/L-067 për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik) i Ligjit të kontestuar, nuk është në kundërshtim me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iv) me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, që të konstatojë që neni 6 (Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit nr.03/L-212 të Punës) i Ligjit të kontestuar, nuk është në kundërshtim me nenin 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; dhe (v) njëzëri, të shpallë, që në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit nr.03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Ligji nr.08/L-142 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përcaktojnë Shumën e Beneficionit në Lartësi të Pagës Minimale, Procedurat e Caktimit të Pagës Minimale dhe Shkallët Tatimore në të Ardhurat Personale Vjetore, i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

    Në korrik të vitit të kaluar, Ligji për pagën minimale ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

    Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, bashkë me një grup tjetër deputetësh kanë dërguar kohë më parë në Gjykatë Kushtetuese plotësim ndryshimet që janë bërë nga Qeveria e Kosovës rreth pagës minimale.

    Ligji i ri parashihte rritjen e pagës minimale në Kosovë, që ishte miratuar më 13 korrik 2023 në Kuvend, por kishte hasur në kundërshtime nga veteranët e luftës në Kosovë.

  • ​Servwer: S’ka gatishmëri nga palët për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi

    ​Servwer: S’ka gatishmëri nga palët për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi

    Analisti amerikan, Daniel Servwer, ka thënë se s’ka gatishmëri nga palët për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ai tha se synimi përfundimtar i dialogut duhet të jetë njohja reciproke, por shtoi se këtë nuk po e sheh të mundshme të ndodh në këtë moment.

    Në diskutimin me temën “E ardhmja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë: Mundësitë për dinamika të reja dhe ndikimi i zgjedhjeve në BE dhe SHBA”, Server, i cili njeh zhvillimet në Ballkan, tha se për Kosovën dhe rajonin më mirë do të ishte të rrinte presidenti aktuali ShBA-së, Joe Biden sesa të rikthej ish-presidenti, Donald Trump.

    Pjesë e diskutimit ishte edhe deputetja nga LDK, Dorasa Kica-Xhelili, e cila tha se Serbia ka bërë hapa të vegjël në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit.

    Ndërkaq, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, tha se BE-ja duhet të merr rol më aktiv në dialog.

  • ​Munishi e nis sot aventurën te Dukagjini

    ​Munishi e nis sot aventurën te Dukagjini

    Skuadra e Dukagjinit ka njoftuar se do të nis sot fazën përgatitore për sezonin e ri të Superligës së Kosovës.

    E sot do të jetë dita e parë e trajnerit Ismet Munishi në krye të skuadrës së Dukagjinit, raporton KosovaPress.

    “Ju njoftojmë se sot duke filluar nga ora 17:00 në stadiumin ’18 Qershori’ në Klinë do të fillojmë përgatitjet për sezonin e ri 2024/25”, shkruante në komunikatën e Dukagjinit.

    Po ashtu, klubi nga Klina paralajmëroi se gjatë ditëve në vazhdim do të njoftojë edhe për transferimet e reja.

  • Stoltenberg me lëvdata për Rutten: Po e lë NATO-n në duar të mira

    Stoltenberg me lëvdata për Rutten: Po e lë NATO-n në duar të mira

    Shefi aktual i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka lavdëruar pasardhësin e tij në krye të Aleancës, Mark Rutte.

    “Marku është një transatlanticist i vërtetë, një lider i fortë dhe një ndërtues i konsensusit. I uroj atij çdo sukses ndërsa ne vazhdojmë ta forcojmë NATO-n. E di që po e lë NATO-n në duar të mira”, tha ai, raporton The Guardian.

    Mark Rutte, kryeministri holandez në largim, është zgjedhur zyrtarisht si sekretari i ardhshëm i përgjithshëm i NATO-s.

    Aleanca ushtarake tha në një deklaratë se “Këshilli i Atlantikut të Veriut vendosi ta emërojë kryeministrin holandez Mark Rutte si Sekretarin e Përgjithshëm të ardhshëm të NATO-s, duke pasuar Jens Stoltenberg”.

    “Z. Rutte do të marrë funksionet e tij si Sekretar i Përgjithshëm nga 1 tetori 2024, kur mandati i Stoltenberg përfundon pas dhjetë vjetësh në krye të Aleancës”, u tha në njoftim.

  • Mark Rutte emërohet shef i ri i NATO-s

    Mark Rutte emërohet shef i ri i NATO-s

    Aleatët e NATO-s e kanë emëruar të mërkurën kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, si shefin e ardhshëm të NATO-s, njoftoi aleanca ushtarake.

    Emërimi i Ruttes u bë formalitet pasi rivali i tij i vetëm për këtë post, presidenti rumun Klaus Iohannis, njoftoi javën e kaluar dorëheqjen nga gara, pasi kishte dështuar të siguronte mbështetje.

    “Këshilli i Atlantikut Verior vendosi ta emërojë kryeministrin holandez Mark Rutte si sekretar të Përgjithshëm të NATO-s, i cili do ta pasojë Jens Stoltenbergun”, tha NATO-ja në një komunikatë.

    Rutte do ta marrë detyrën e sekretarit të Përgjithshëm të aleancës ushtarake nga 1 tetori 2024, kur i mbaron mandati shefit të tanishëm Jens Stoltenbergut, tha ajo.

    Pasi shfaqi interesim për këtë post vitin e kaluar, Rutte fitoi mbështetje të menjëhershme nga anëtarët kyçë të aleancës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë.

    Të tjerët ishin më të rezervuar, posaçërisht vendet e Evropës Lindore që argumentuan se ky post duhet të mbahet nga dikush prej rajonit të tyre për herë të parë.

    Megjithatë, ata në fund e mbështetën Rutten, i cili është një kritik i ashpër i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, dhe aleat i patundur i Ukrainës.

    Stoltenberg, i cili ka 10 vjet në krye të NATO-s, tha se po e lë aleancën në “duar të sigurta” dhe e quajti Ruttes një lider të “fuqishëm transatlantik”.

    “E mirëpres vendimin e aleatëve të NATO-s për ta zgjedhur Mark Rutten si pasuesin tim. Mark është një transatlantik i mirëfilltë, një lider i fuqishëm. I uroj atij sukses teksa ne vazhdojmë ta forcojmë NATO-n për sfidat e tanishme dhe të ardhshme”, tha Stoltenberg.

    NATO-ja merr vendime me bashkëpajtim, prandaj Rutte, i cili po largohet nga politika në Holandë pas gati 14 vjetësh, mund të konfirmohej vetëm pasi ta fitonte mbështetjen e të gjitha 32 vendeve anëtare.

    Rutte do të përballet me sfidën për ta ruajtur mbështetjen e aleatëve për luftën e Ukrainës kundër Rusisë, duke e siguruar njëkohësisht që NATO-ja të mos zhytet në luftë me Moskën.

    Lidhjet e Mark Ruttes me Kosovën ndër vite

    Te Mark Rutte autoritetet në Kosovë shohin një partner me të cilin mund të bisedojnë për një gamë të gjerë çështjesh – nga avancimi i vendit në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian deri te siguria dhe stabiliteti afatgjatë.

    Vizitën e fundit në Kosovë Rutte e zhvilloi korrikun e kaluar, kur së bashku me homologun e atëhershëm nga Luksemburgu, Xavier Bettel, i bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i ulnin tensionet dhe t’i ktheheshin dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

    Presidentja e Kosovës, Osmani, takoi për herë të fundit Rutten javën e kaluar, në margjina të një samiti për paqen në Ukrainë, që u mbajt në Zvicër.

    “Samiti ishte një mundësi e shkëlqyer për të biseduar me kryeministrin holandez, Mark Rutte, për rëndësinë e së ardhmes euroatlantike të Kosovës”, shkroi Osmani në X./ REL