ATV

Blog

  • Von der Leyen: Udhëheqja dhe përvoja e Rutte janë vendimtare për NATO-n

    Von der Leyen: Udhëheqja dhe përvoja e Rutte janë vendimtare për NATO-n

    Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen tha sot se udhëheqja dhe përvoja e kryeministrit holandez Mark Rutte, i cili u zgjodh si Sekretari i Përgjithshëm i ardhshëm i NATO-s, është i një rëndësie kyçe për Aleancën në këto kohë sfiduese.

    Ajo uroi Ruten dhe theksoi se mezi të punojnë së bashku.

    “Mezi pres të punoj me ju për të forcuar më tej partneritetin BE-NATO”, shkroi von der Leyen në rrjetin X.

  • Një pusetë tjetër e hapur i rrezikon banorët e kësaj lagje të Prishtinës

    Një pusetë tjetër e hapur i rrezikon banorët e kësaj lagje të Prishtinës

    Pusetat e hapura në shumë lagje të kryeqytetit po paraqesin rrezik për qytetarët.

    Në rrugën “Ukshin Kovaqica” e cila lidhet me rrugën “Muharrem Fezja”, është një e tillë.

    Një qytetar i ka thënë Insajderit se pas reshjeve të fundit është kjo gjendje, ku shihet puseta e hapur.

    Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme një vajzë ka rënë në pusetë. Ngjarja ka ndodhur në qendër të Prishtinës saktësisht tek “Neë Born”.

    Menjëherë pas raportimeve mediale, Komuna e Prishtinës u vu në lëvizje. Thanë se po shkojnë ta rregullojnë këtë problem.

  • Publikohet agjenda e re e takimeve Borrell – Kurti – Vuçiq

    Publikohet agjenda e re e takimeve Borrell – Kurti – Vuçiq

    Bashkimi Evropian në faqen zyrtare ka publikuar orare tjera të takimeve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

    Takimet, që fillimisht ishin planifikuar për orën 15:00, do të nisin nga ora 16:30.

    Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, do të takojë fillimisht kryeministrin Albin Kurti nga ora 16:30, ndërsa gjysmë ore më pas do të zhvillojë takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimi i përbashkët trepalësh është planifikuar të nisë në orën 18:00 dhe pas këtij takimi Borrell do të deklarohet për media.

    Kryeministri Kurti tashmë ka udhëtuar për në Bruksel.

    “Takimet do të analizojnë atë që është arritur në dialog nën udhëheqjen e Përfaqësuesit të Lartë dhe do të fokusohen në rrugën përpara”, thuhet në njoftimin e BE-së për takimin e sotëm.

    BE tha se do të ketë deklarata për mediat nga kryediplomati Borrell përpara dhe në fund të takimeve.

  • Për një muaj diaspora solli rreth 120 milionë euro në Kosovë

    Për një muaj diaspora solli rreth 120 milionë euro në Kosovë

    Rreth 120 milionë euro është vlera preliminare e dërgesave të mërgatës që janë sjell në Republikën e Kosovës për muajin maj 2024.

    Kështu thuhet në statistikat e remitencave dhe institucioneve të tjera financiare (jobanka) për muajin maj 2024 të publikuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), duke shtuar se vlera totale e tyre për pesë muaj, sipas vlerësimeve preliminare, ka arritur në 513.99 milionë euro.

    Sipas raportit, prurjet më të mëdha të remitencave ishin nga institucionet financiare jobankare (IFJB) me pjesëmarrje prej 56.31%, pasuar nga kanalet e tjera me 23.34% dhe bankat me 14.98%.

    Për sa u përket aseteve të kompanive të sigurimit, BQK-ja tregon se deri në këtë muaj vlera e tyre ishte 318.62 milionë euro, duke shënuar rritje prej 1.62 milionë euro krahasuar me muajin paraprak.

    Ndërsa, asetet e fondeve pensionale kanë arritur vlerën e 2.90 miliardë eurove, e dominuar nga Letrat me Vlerë të Kapitalit me 78.14% të gjithsej aseteve.

    Në fund, BQK-ja tregon se asetet e ndërmjetësve të tjerë financiarë në fund të muajit maj 2024 janë rritur për 11.42 milionë euro, duke arritur vlerën e 583.67 milionë eurove.

  • Maqedoni e Veriut: Një pjesë e vendit është përfshirë nga zjarret, një pjesë nga reshje të rrëmbyeshme

    Maqedoni e Veriut: Një pjesë e vendit është përfshirë nga zjarret, një pjesë nga reshje të rrëmbyeshme

    Katër zjarre në ambiente të jashtme dhe disa ndërhyrje të lehta ka regjistruar në 24 orët e fundit Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) në Maqedoninë e Veriut.

    Prej atje njoftojnë se përmes numrit të vetëm të emergjencës 112 janë marrë njoftime për dëme të shkaktuara nga stuhia që ka përfshirë rajonin Shën Nikollës dhe Negotinës.

    Në 24 orët e kaluara ka pasur zjarre përballë kazermës së Prilepit ku digjej bimësi e ulët, në Strumicë, në Valandovë dhe në disa vende tjera ku është djegur bimësi e ulët.

    Stuhia që ka goditur dje rajonin e Shën Nikollës ka shkaktuar dëme sidomos në afërsi të fshatit Kadrifakovë.

    QMK njoftoi se kishte marrë raporte për dëme. Në vendngjarje janë dërguar ekipe të policisë, Ndërmarrjes Publike për Mirëmbajtje dhe Mbrojtjen e Rrugëve Magjistare dhe Rajonale, zjarrfikëset nga NJTKZ Shën Nikollë si dhe nga QKM, ndërsa pasojat e stuhisë janë sanuar.

  • Para përballjes me Kurtin, Vuçiq takohet me Varhelyin në Bruksel

    Para përballjes me Kurtin, Vuçiq takohet me Varhelyin në Bruksel

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar në Bruksel Komisionerin Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi

    Pak para përballjes me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti pas mbi 9 muajsh, kreu i shtetit serb ka takuar drejtorin e përgjithshëm të Drejtorisë për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian, Gert Jan Kopman.

    Kreun e shtetit serb, e pret edhe një takim me kryetarin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

    Kujtojmë se sot në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian zhvillohet raundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi.

  • Murati i reagon opozitës: 442 mijë e 383 llogari aktive ishin vjet në Trust

    Murati i reagon opozitës: 442 mijë e 383 llogari aktive ishin vjet në Trust

    Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i është kundërpërgjigjur opozitës me disa statistika të Trustit, sa i përket punësimit.

    Murati ka thënë se numri i llogarive aktive në vitin 2023 ka qenë 442 mijë e 383, e që thotë se është indikatori më i mirë dhe që demanton opozitën.

    Krahasuar me vitin 2022, figuron se numri i llogarive është rritur për rreth 13 mijë e 500.

    “Sipas raportit vjetor të Trustit, numri i llogarive aktive në vitin 2023, pra llogarive që kanë paguar kontribute, ka qenë 442,383. Zakonisht e kemi dëgjuar opozitën të kontestojë shifrat e ATK-së dhe ASK-së, me pretendimin që nuk janë të sakta, dhe se numri i llogarive aktive në Trust është indikatori më i mirë. Pa hyrë në diskutime se cili indikator është më i saktë, ja edhe numrat e Trustit, që edhe kësaj radhe demantojnë opozitën”, ka shkruar Murati.

    Lidhur me numrin e llogarive për vitin 2019 dhe 2021, Murati ka dhënë një sqarim.

    “PS. Në vitet 2019 dhe 2021 ka pasur zgjedhje, prandaj edhe numrat e llogarive aktive në Trust mund të jenë më të fryra në këto dy vite meqenëse ka një numër të konsiderueshëm të vëzhguesve e komisionerëve që raportohen si llogari aktive”, ka shkruar Murati.

  • Komandanti i KFOR-it i shkon për vizitë Hysenit, flasin për sigurinë e dialogun

    Komandanti i KFOR-it i shkon për vizitë Hysenit, flasin për sigurinë e dialogun

    Kryetari i Gjilanit Alban Hyseni, është takuar me komandantin e KFOR-it Ozkan Ulutash.

    Në takim është diskutuar për sigurinë, aktivitetet e KFOR-it dhe mbështetjen ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

    I pari i Gjilanit, tha se kishte nderin që të pres për vizitë shefin e misionit të NATO-s në Kosovë.

    “Bashkëbiseduam për tema e çështje të ndryshme, nga siguria në vendin tonë e deri te përvojat e ndryshme të gjeneralit Ulutaș”, tha Hyseni.

    Kryetari i Gjilanit, shtoi se bashkëpunimi me KFOR-in vazhdon të jetë esencialisht i nevojshëm për sigurinë e regjionit dhe Ballkanit.

    Më tej, ai shtoi se janë për siguri, paqe dhe jetë të qetë, për të gjithë pa dallim në Kosovë.

    Nga ana tjetër , Ulutash theksoi angazhimin e qëndrueshëm të KFOR-it në mbështetje të stabilitetit rajonal.

  • ​Incidenti i Dakut në Euro 2024, trajneri i Rubin Kazanit flet për të ardhmen e yllit shqiptar

    ​Incidenti i Dakut në Euro 2024, trajneri i Rubin Kazanit flet për të ardhmen e yllit shqiptar

    Trajneri i Rubin Kazanit, Rashid Rakhimov ka folur për faqen e klubit për incidentin e Mirlind Dakut në Kampionatin Evropian Euro 2024.

    Pas ndeshjes me Kroacinë në Euro 2024, Daku morri altoparlantin dhe filloi të fyejë serbët dhe maqedonasit, ku reagimet më pas ishin të shumta, ndërsa UEFA e suspendoi sulmuesin e Rubin Kazanit për dy ndeshje, raporton KosovaPress.

    Pezullim për Dakun ka paralajmëruar edhe Rubin Kazani, ndërsa trajneri Rakhimov foli për këtë çështje.

    Kur u pyet për sjelljen e Dakut në Euro 2024, Rakhimov tha:

    “Dhe pse duhet ta trajtoj këtë në ndonjë mënyrë pozitive? Sigurisht, negativisht. Këtu gjendja emocionale e lojtarit nuk duhet të mbingarkohet. Mendoj se ai është i vetëdijshëm për gjithçka, kupton gjithçka në mënyrë perfekte dhe duke biseduar me të, ia kam bërë të qartë se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar. Para së gjithash, ai është një futbollist që duhet të mendojë të tregojë cilësitë e tij më të mira në fushë”.

    I pyetur nëse mund të ketë probleme në skuadër, pasi që ka futbollistë serb aty, Rakhimov tha:

    “Nuk mendoj kështu. Mirlindin të gjithë e njohin shumë mirë. Nuk ka zemërim në veprimet e tij, ai është mjaft i shoqërueshëm, mjaft i shoqërueshëm dhe e di që ai është shumë i shqetësuar për këtë tani, por ju jeni një i rritur, duhet të mendoni se çfarë po bëni. Nuk mendoj se të gjithë ne që qëndrojmë këtu po e jetojmë jetën tonë pa gabime. Ju mësoni nga gabimet dhe shpresoj që ky të jetë një mësim i mirë për të”.

  • ​Vendimi i Kushtetueses për Pagën Minimale, veteranët paralajmërojnë protesta kundër Qeverisë

    ​Vendimi i Kushtetueses për Pagën Minimale, veteranët paralajmërojnë protesta kundër Qeverisë

    Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës (OVL UÇK), Faton Klinaku ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mospërfshirjen e veteranëve në ligjin për pagën minimale.

    Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Klinaku ka paralajmëruar protesta kundër pushtetit të Kurtit, i cili sipas tij, po punon kundër veteranëve të UÇK-së.

    “Qëndrimet tona se do t’i vazhdojmë protestat kundër këtij pushteti i cili vazhdimisht ka punuar kundër veteranëve të luftës së UÇK-së dhe shtresave tjera të shoqërisë, mbeten të pandryshueshme.”-ka shkruar ai.

    Kujtojmë se sot gjatë ditës, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë qeverisë për Ligjin për Pagën Minimale i cili nuk i përfshin pensionet e veteranëve të luftës së UÇK-së.

    Sipas njoftimit, Kushtetuesja e ka vlerësuar kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahirit dhe nëntë deputetëve të tjerë, ku konstatoi se neni 2 i Ligjt për Veteranët e Luftës së UÇK-së nuk është në kundërshtim më Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përcaktojnë Shumën e Beneficionit në Lartëri të Pagës Minimale.