Faza e parë, ajo e grupeve të Kampionatit Evropian të futbollit tashmë është mbyllur nga ku kanë dal 16 skuadrat më të mira. Në fazën e eliminimi direkt, përkatësisht 1/16, do të kemi duele tejet të forta.
Ballafaqimi i titanëve të futbollit evropian nuk do të mungojë aspak, ndërkohë që tashmë janë mësuar edhe datat e këtyre super-ballafaqimeve.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas zhvillimit të hetimeve disa mujore në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit, sot në mbrëmje në regjionin e Mitrovicës ka arrestuar një person.
Sipas Prokurorisë, i arrestuari A.V. dyshohet për kryerjen e veprës penale “Spiunazhi”, nga neni 124 të KPRK-së.
“I njëjti me aktvendim të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Speciale është ndaluar prej 48 orësh dhe për momentin nga Policia e Kosovës janë duke u kryer bastisje në banesën e të dyshuarit”, thuhet në njoftim.
Më 27 qershor 1917 u lind në Shkodër arsimtari, muzikanti dhe kompozitori Prenk Jakova. Prenk Jakova e kishte prejardhjen nga Gjakova, i biri i Kolës së Dedë Jakovës.
Gjyshi i tij, Deda, qe i dhënë pas muzikës dhe i binte klarinetës në Kolegjin Saverian. Muzikën dhe artin e kishte të trashëguar dhe si pasojë Jakova ndoqi shkollën fillore në vitet 1924-1929 dhe më pas vijoi në liceun Illyricum në qytetin e lindjes, ku ndër të tjerë i dha mësim edhe Át Martin Gjoka.
Gjatë shkollimit të mesëm, kaloi nga liceu në gjimnazin e përgjithshëm të Shkodrës, të cilin e kreu më 1935.
Kompozitori njihet për krijimin e shumë veprave, por ato që i dhanë emër dhe zë ishin vepra “Mrika” e cila ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti, e që u vu në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës.
Opera e dytë e Prenk Jakovës, ishte “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” dhe më pas pasuan këngët “Syrin tek qershia” dhe “Margjelo” të cilat janë shumë të njohura dhe për shkak të popullaritetit që gëzojnë shumëkush i identifikon si këngë popullore shkodrane.
Prenk Jakova ishte një kompozitor që shkroi me sukses romanca, kantata dhe këngë.
Më 16 shtator të vitit 1969, kompozitori i famshëm Prenk Jakova i dha fund jetës së tij në mënyrë tragjike, duke u hedhur nga kati i dytë i Shtëpisë së Kulturës. Vdekja e tij u cilësua si një humbje shumë e madhe për popullin shkodran dhe të gjithë vendin.
Më 27 qershor të vitit 1980, diplomon e para femër në akademinë e policisë së shtetit në Nju Xhersi.
Gjatë vjeshtës së vitit 1979, Policia e Shtetit Nju Xhersi nisi një program eksperimental për të rekrutuar, zgjedhur, dhe trajnuar si police një klasë vetëm me femra.
Në qershor të vitit 1980, gjithë klasa prej 30 studentesh policie u diplomua.
Kuvendi i Kosovës sot me fillim do ta mbajë seancën e radhës plenare.
Sipas agjendës, deputetët do t’i trajtojnë 32 pika, në mesin e tyre edhe votimi i Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar.
Gjithashtu parashihet të ketë edhe votime të tjera si: votimi i Statutit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”; votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të DASH-it, Projekt-Deklarata për raportet e Kosovës me ShBA-në.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot me diell dhe vranësira të dendura, të cilat gjatë ditës parashihen të sjellin riga shiu dhe shkarkime rrufesh.
Sipas institutit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13-15 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 26-29 gradë Celsius.
“Do të fryjë erë nga drejtime i juglindjes me shpejtësi 1-7m/s”, thuhet në njoftim.
Gjykata Kushtetuese i ka hapur rrugë asaj Supreme që në kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë nga Prokurori i Shtetit, të vendosë edhe në dëm të të pandehurit.
Sipas Kushtetueses, Supremja mund të vendosë edhe në rastet kundër vendimit të formës së prerë për ndërprerjen e paraburgimit.
“Bazuar në dispozitat e kontestuara të Kodit të Procedurës Penale, Gjykata Supreme, përmes kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, mund të vendosë edhe në dëm të të pandehurit, nëse vendimi i kontestuar i formës së prerë, është “qartazi i papërshtatshëm ose i bazuar në gabim të rëndë”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Juristët thonë se kësisoj Supremja mund të vendosë edhe për rritje apo ulje të dënimit, apo ndaj të pandehurit.
Por konsiderohet se në të ardhmen duhet të trajtohet edhe vendimi kundër hedhjes së aktakuzës.
Ndërkohë, Gjykata në kërkesën drejtuar Kushtetueses kishte thënë ndër të tjera se Kodet e mëparshme të Procedurës Penale kishin lejuar paraqitjen e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, vetëm për caktim apo vazhdim të paraburgimit, por jo edhe për ndërprerje të tij.
Por me Kodin e ri të Procedurës Penale, parashihet që të vendoset edhe në dëm të të akuzuarit.
Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm në tërësi Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Ligji ishte miratuar në shkurt të 2023-tës dhe nga ajo kohë ndodhej për shqyrtim në Kushtetuese.
“Gjykata ka vlerësuar si në kundërshtim me Kushtetutën vetëm pjesë të saktësuara të katër (4) neneve të Ligjit të kontestuar, përkatësisht nenet 2 (Fushëveprimi), 10 (Përbërja e Komisionit Mbikëqyrës dhe Kompensimi), 22 (Periudha e verifikimit të pasurisë) dhe 34 (Procedura në shkallën e parë) të tij, duke marrë parasysh natyrën dhe rëndësinë e tyre, dhe faktin që pa ndryshimin dhe plotësimin e të njëjtave nga Kuvendi, Ligji i kontestuar është i pazbatueshëm, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës, Ligji i kontestuar, në shërbim të parimit të sigurisë juridike, është shpallur i pavlefshëm në tërësinë e tij”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
I menjëhershëm dhe i ashpër ka qenë reagimi i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila shkroi se byroja do të bëhet.
“Pas 16 muajve, pra sot, kuptuam që Ligji është shpallur i pavlefshëm. 5 gjyqtarë nga 9 sa janë gjithsej, vendosën që Ligjin më të rëndësishëm në kuadër të pakos kundër korrupsionit e keqpërdorimit të detyrës zyrtare ta shpallin të pavlefshëm. Situata për ne është shumë e qartë, vullneti i qytetarëve për drejtësi po tentohet të përmbyset nga një grusht njerëzish që ende u shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër, por beteja jonë për reformë dhe shtet të së drejtës nuk do të ndalet. Byroja do të bëhet. Pasuria publike e shpërdorur e përvetësuar do të konfiskohet. Vullneti popullor do të jetësohet”, ka shkruar Haxhiu.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e tërësishëm të Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë, vlerësohet si vulë e dështimit të kësaj qeverie për reforma në drejtësi.
Ndryshe, PDK-ja e pati kontestuar në tërësi ligjin, ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte thënë se dërgimi i ligjit në Kushtetuese “ka qëllim zvarritjen e reformës në drejtësi”.
Ligji parashihte rregullimin e mënyrës dhe procedurat e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme dhe themelimin, organizimin dhe kompetencat e kësaj byroje.
Ndryshe, Byroja e konfiskimit të pasurisë ka qenë një prej premtimeve kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje.
Studentët e Kolegjit AAB në fushën e dizajnit të interierit dhe inovacionit të produktit, u shpërblyen me certifikata të mërkurën, për përfundimin e këtij studimi me sukses.
Bashkorganizatorët, të cilët morën pjesë, ishin mjaft të kënaqur me punën e studentëve dhe të gjithë profesorëve në realizimin e këtij studimi.
Prorektorja për bashkëpunim të jashtëm e Kolegjit AAB, Vera Llunji, e cilëson këtë studim si udhërrëfyes disiplinor.
Për realizimin e këtij projekti ndihmoi edhe USAID. Përfaqësuesi Skender Rama është i bindur që studentët kanë përvetësuar aftësitë e tyre akademike dhe praktike.
Përdorimin e makinerive në mënyrën më të mirë të mundshme e mundësoi edhe Akademia “Shehu”.
Kurse studentët thanë se përvoja praktike ua ka mundësuar maksimalisht të aftësohen në këtë fushë.
Pas fjalimeve, Drejtori i Projektit bëri edhe shpërndarjen e certifikatave.
Në këtë gjendje përfunduan tri vetura, në njërin parking, në lagjen Kalabria në Prishtinë, të mërkurën. Kurse të tjerat shpëtuan pak më mirë.
Si pasojë e tymit nga zjarri, rreth 30 banorë të kompleksit u desh të marrin ndihmë mjekësore. Por asnjërit prej tyre nuk iu keqësua gjendja.
Ata është dashur edhe të evakuohen, pasi komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve, Malë Gashi, tregoi se nga parkingu poshtë, zjarri përfundoi edhe në katet e sipërme.
“Në të filluar operacionin, pamë se në zjarr janë përfshirë tri vetura. Në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kemi arritur t’i qetësojmë ata edhe bazuar në prioritete, afërsisht 30 prej tyre, kryesisht të moshuar, gra shtatzëna, persona me probleme shëndetësore dhe fëmijë i kemi evakuuar nga ndërtesa dhe kemi ofruar tek Urgjenca Mjekësore”, ka thënë Gashi.
Nuk dihen ende shkaqet, por ka dyshime se rasti është zjarrvënie e qëllimshme. Njëra nga veturat e djegura ishte në pronësi të një zyrtari të Administratës Tatimore të Kosovës. Megjithatë, policia konfirmoi se është duke e hetuar rastin.
Një qytetar që jeton afër, në kushte anonimiteti, tha se intervenimi për shuarje të zjarrit ka qenë i vonshëm.
Por zëdhënësi rajonal në Prishtinë, Agron Borovci, tha se Policia ka intervenuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe aktualisht po punohet në hetimin e zbardhjes së rastit.
“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ka ftuar edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin, si dhe janë ndërmarrë veprime të tjera për të parandaluar çfarëdo lloj rreziku”, tha Borovci.
Disa orë pasi qëndroi i bllokuar, parkingu u lirua për qarkullim, edhe pse veturat e djegura ishin ende në vendin e ngjarjes.