ATV

Blog

  • Projektligji për Agjencinë e Intelegjencës dhe Sigurinë e Mbrojtjes i kthehet Komisionit për Çështje të Sigurisë

    Projektligji për Agjencinë e Intelegjencës dhe Sigurinë e Mbrojtjes i kthehet Komisionit për Çështje të Sigurisë

    Me kërkesë të Komisionit për Çështje të Sigurisë, Projektligji për Agjencinë e Intelegjencës dhe Sigurinë e Mbrojtjes është kthyer për raport plotësues në komision. Për këtë kanë votuar 69 deputetë për, katër kundër dhe asnjë abstenim. Kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë, Bekë Berisha ka kërkuar që ky projektligj të kthehet në komision, meqë theksoi se si i tillë nuk duhet të miratohet.

    Kryetari i Komisionit për Siguri, Bekë Berisha tha se deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli ka “kontrabanduar me propozim-amendamentet”. Ai ka propozuar që kjo nismë legjislative të kthehet në Komisionin për Siguri, teksa shtoi se do të jetë problem për shtetin.

    “Projektligji për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes ka më shumë se një vit që është në procedurë në shqyrtim në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes. Por qëllimisht shqyrtimi i tij ka kaluar çdo limit kohor dhe kjo është bërë qëllimshëm nga kryesuesi i grupit punues, deputeti Enver Dugolli, të cilit ja kemi dhënë në mirëbesim me udhëheq këtë grup, po ashtu nga përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane i është konfirmuar se përmbajtja e projektligjit të miratuar në qeverinë është në dakordim të plot me ta, si ligj fillimisht. Ndërsa, në anën tjetër zotëri Dugolli në mënyrë klandestine ka kontrabanduar dhe ka propozuar propozim-amendamente të cilat nuk janë rezultat i grupit punues por një rezultat i një rrethi të tij të brendshëm”, deklaroi ai.

    Teksa përmendi amendamentet e ndryshuara, Berisha theksoi se humb kuptimi i agjencisë.

    “Ky projektligj me këto amendamente nuk duhet të miratohet. Sepse do të cenojë sigurinë kombëtare, mes tjerash do të cenojë bashkëpunimin në këtë fushë dhe me partnerët tonë. Me theks të veçantë amendamenti numër 1, ndryshimi i titullit të projektligjit, ky agjencion e ka mandat jo vetëm veprimtarinë e intelegjencës por edhe të sigurisë në fushën e mbrojtjes. Nëse hiqet termi ‘dhe sigurisë’ do të cenohet dhe do të kufizohet mandati dhe veprimtaria e kësaj agjencie…Amendamenti numër 32 është propozuar që të ulet grada e drejtorit të agjencisë nga e gjeneralit në atë të kolonelit, kjo nuk duhet të ndodhë sepse në njërën anë po avancohet drejtoria aktuale për intelegjencë dhe siguri në Ministrinë e Mbrojtjes dhe po bëhet Agjenci për Intelegjencë dhe Siguri të Mbrojtjes, në anën tjetër po ulet apo degradohet grada e udhëheqësit të kësaj agjencie”, shtoi ai.

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila theksoi se si LVV deklarohemi pro që ky projektligj të kthehet në komision.

    “Nuk qëndrojnë të gjitha ato pretendime të cilat zotëri Berisha, kryetari i komisionit, i përmendi. Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka dakordimin që ky projektligj të kthehet në komision në mënyrë që të ketë harmonizimin edhe dakordimin bashkë me partnerët të cilët janë pjesë e diskutimit për temën e sigurisë dhe intelegjencës. Dhe nuk ka pasur të bëjë me dispozitat të cilat ai i përmendi një nga një, që janë krejtësisht një tematikë tjetër. Prandaj ne si Grup Parlamentar deklarohemi që sot ky projektligj të kthehet në komision, jo të tërhiqet nga sponzorizuesi, në këtë rast t’i kthehet Qeverisë së Kosovës, por të jetë në komision dhe në kuadër të komisionit pastaj të trajtohet më tutje për ndjeshmërinë dhe rëndësinë që e ka”, deklaroi Kusari-Lila.

    Edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj tha se ky projektligj duhet të kthehet në komision.

    “Është mirë që ky projektligj të kthehet në komision edhe pse mendoj që është shumë më mirë që të tërhiqet nga sponsorizuesi dhe të startojmë prapë për shkak të shumë çështjeve të cilat janë devijuar rrugës nga projektligji fillestar. Dhe nuk ka nevojë që të jesh shumë njohës i sigurisë dhe të shohësh tendencat të cilat janë reflektuar me amendamentet që janë bërë nga grupi punues. Qëndrojnë ato të cilat i tha zotëri Bekë Berisha, për shkak se vërehet shumë lehtë që është një konflikt, mos të them një luftë në mes të dy institucioneve kryesore të vendit”, theksoi ai.

    Kritika për përmbajtjen aktuale të projektligjit pati edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni.

    “Me Projektligjin për Agjencionin e Intelegjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, ideja është që drejtoria të avancon në agjencion. Do të thotë del nga organogrami i përgjegjësive të sekretarit dhe kalon në përgjegjësinë e ministrit të Mbrojtjes, kryeministrit dhe presidentit. Me këtë avancim, me kalim nga drejtoria në agjencion do të thotë janë politikat e veçanta, kadrovike, autorizimeve… tani nga kolegu ynë Enver Dugolli janë propozuar disa amendamente që janë shumë paradoksale. Një ndër to është që me rritjen e përgjegjësisë së organizatës ulet grada, rangu i atij që do të udhëheq me agjencionin. Drejtorinë e udhëheq një gjeneral, kurse agjencionin në të ardhmen mund ta udhëheq një kolonel”, u shpreh ai. /kp

  • Lukaku i gatshëm ta vazhdojë “shëtitjen” në Itali, tani tek një tjetër skuadër

    Lukaku i gatshëm ta vazhdojë “shëtitjen” në Itali, tani tek një tjetër skuadër

    “La Gazzetta dello Sport” raporton se Romelu Lukaku është gati të hapë bisedimet me Milanin dhe Napolin, por Chelsea nuk do ta shesë sulmuesin belg për më pak se 30 milionë euro dhe nuk është i hapur për një marrëveshje të re huazimi.

    Lukaku është i destinuar të largohet nga Chelsea në merkaton e verës pas një huazimi një vjeçar te Roma dhe gjigantët e Serisë A, Milan dhe Napoli janë të interesuar për reprezentuesin belg.

    Vetëm pak ditë më parë, “Sky Sport Italia” raportoi se kuqezinjtë kishin intensifikuar bisedimet me blutë, ndërsa “Gazzetta” shton sot se belgu është i hapur për një rikthim në San Siro, tek rivali i Interit, Milani, përcjellë KosovaPress.

    Gjatë konferencës së tij të parë për shtyp si trajner i Napolit të mërkurën, Antonio Conte nuk e fshehu interesimin e tij për ish-yllin e Interit, por “Partenopei” duhet të shesë Victor Osimhen përpara se të hapë bisedimet me Chelsean dhe sulmuesin e tyre.

  • ​Rama poston fotografi nga një autostradë tjetër në Shqipëri

    ​Rama poston fotografi nga një autostradë tjetër në Shqipëri

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka postuar një fotografi ku ka shkruar se autostrada e kategorisë A të Bashkimit Evropian, Thumanë-Kashar, loti i parë i korridorit Blu, do të hapet të dielën 30 qershor në 19:00 për qarkullimin e automjeteve.

    Thumanë-Kashar është i aks i kategorisë A, ku shpejtësia e lëvizjes do të jetë 130 kilometra në orë, duke ofruar gjithashtu kushte të larta sigurie.

    Hapja e këtij aksi për qarkullimin e automjeteve do të lehtësojë ndjeshëm fluksin e trafikut.

    Ndërkohë të gjithë drejtuesit e automjeteve do të kenë të drejtë të zgjedhin rrugët e shpejtësisë mbi 130 kilometra në orë me pagesë, apo rrugët dytësore të cilat do të jenë të disponueshme pa asnjë lloj pagese.

  • Hoxha viziton njësitet policore në Bërnjak dhe në Banjskë ku u vra Afrim Bunjaku

    Hoxha viziton njësitet policore në Bërnjak dhe në Banjskë ku u vra Afrim Bunjaku

    Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, së bashku me me atasheun Kimberly Riffe, DOJ-ICITAP pranë Ambasadës Amerikane kanë vizituar dje veriun e vendit, gjegjësisht njësitet policore të Policisë Kufitare dhe ata të Rendit Publik në Jarinje, Leposaviq, Bërnjak dhe në Banjskë ku me 24 Shtator 2023 u vra Rreshteri Afrim Bunjaku.

    Në njoftim thuhet se drejtori Hoxha bisedoi me zyrtarët policorë të cilët ishin në kryerje të detyrave, duke u interesuar për gjendjen e përgjithshme, sfidat, vështirësitë dhe realizimin e detyrave dhe aktiviteteve policore në atë pjesë të vendit.

    “Ndër të tjera, në takimet me zyrtarët policorë, drejtori i përgëzoi ata për punën e angazhimin në kryerje të detyrave duke ofruar siguri për të gjithë pa dallime etnike dhe sundim të rendit e ligjit. Po ashtu, delegacioni nga Prishtina, u prit edhe nga zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Policore Mitrovicë Veri Veton Elshani, i cili njoftoj eprorët e PK-së rreth gjendjes së përgjithshme të sigurisë në veri të vendit”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu drejtori i PK-së, Hoxha me bashkëpunëtor vizitoi dhe vuri kurorë me lule, në vendin e rënies së heroit të Kosovës Enver Zymberit.

  • Mandatet në rrezik, deputetët e Listës Serbe rikthehen në seancë

    Mandatet në rrezik, deputetët e Listës Serbe rikthehen në seancë

    Deputetët e Listës Serbe kanë ardhur në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës. Para fillimit të seancës plenare, e cila po mbahet në sallën alternative, të njëjtit shihen duke u nënshkruar në listën e pjesëmarrjes. Hera e fundit që ata u paraqiten në sallë plenare ishte më 8 shkurt. Të njëjtit kanë marrë mandatet e tyre në nëntor të vitit 2022, kur paraardhësit e tyre dhanë dorëheqje, raporton KP.

    Nëntë deputetët e Listës Serbe dhe një deputet i pavarur serbë vijnë në seanca plenare vetëm një herë në gjashtë muaj dhe pas nënshkrimit nuk qëndrojnë në sallë plenare.

    KosovaPress ka raportuar se vlera e pagave të dhjetë deputetëve serb është mbi 300 mijë euro.

    Këta deputetë nuk kanë pasur asnjë deklaratë në foltoren e Kuvendit të Kosovës, nuk kanë përfaqësues në asnjë nga komisionet, nuk kanë grup parlamentar. Kryesia është në mungesë të një nënkryetari nga radhët e këtij komuniteti.

  • Rexha dhe Kusari thirrje Qeverisë të tërhiqet nga projektligji për KPM-në: Rrezik për zvogëlim të pluralizmit medial

    Rexha dhe Kusari thirrje Qeverisë të tërhiqet nga projektligji për KPM-në: Rrezik për zvogëlim të pluralizmit medial

    Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, dhe juristja e medias, Flutura Kusari, kanë shprehur shqetësimet dhe vërejtjet e shoqërisë civile rreth Projektligjit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), raporton EO.

    Përmes një konference të përbashkët për media, i kanë bërë thirrje Qeverisë të tërhiqet nga ky projektligji.

    Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, ka bërë që ky Projektligj të tërhiqet dhe të mos miratohet në lexim të dytë, ndërsa kritika ka për ekzekutivin e mazhorancën. Këto të dyja sipas tij nuk i kanë marrë parasysh vërejtjet e shoqërisë civile dhe bashkësisë ndërkombëtare.

    “Qëllimi i kësaj konference është të shprehim pakënaqësitë tona për ligjin e KPM-së sepse siç e dini sot në rend dite është miratimi në lexim të dytë i projektligjit për KPM të cilën tashmë në mënyrë publike si pjesë e shoqërisë civile e kemi shprehur pakënaqësitë tona dhe vërejtjet më të cilat ky ligj është miratuar. Si AGK kemi thënë disa here se shoqëria civile nuk ka qenë e përfshirë më fazat kryesore të hartimit të këtij ligjit. Qeveria Kosovës, partia në pushtet nuk ka qenë e interesuar të flas me të gjithë akterët që janë pjese e rëndësishme të industrisë së mediave të flas me të për ligjin sa me te mirë edhe pse ka pas kohën e duhur ne dispozicion”, u shpreh Rexha.

    Juristja e medias, Flutura Kusari, ka thënë se “pasoja kryesore nga ky projektligj është zvogëlimi i pluralizmit medial”.

    “E ftojmë Lëvizjes Vetëvendosje mos ta votojë këtë ligj, dhe draftimi i tij të bëhet përmes një grupi punues siç ka kërkuar edhe Këshilli i Evropës. Qëllimi fillestar i Qeverisë ishte t’i kontrollonte mediat online përmes KPM-së dhe kur e pa që ligjërisht nuk është e mundur e ka propozuar njëfarë regjistrimi por është aq keq i rregulluar sado të shkaktojë kaos ligjor dhe nuk do të funksionojë”, u shpreh Kusari, teksa mediat online i cilësoi si storie suksesi.

    “Nëse aprovohet ky projektligj, këshilli i mediave do të dobësohet në një moment kur ka reformë të mirë të brendshme”, u shpreh ajo.

  • ​Foden largohet nga kampi stërvitor i Anglisë

    ​Foden largohet nga kampi stërvitor i Anglisë

    Mesfushori i Anglisë, Phil Foden, është larguar nga kampi i “Tre Luanëve” në Euro 2024 në Gjermani dhe është kthyer në Britaninë e Madhe për lindjen e fëmijës së tij të tretë. Në një deklaratë, Federata e Futbollit në Angli tha se lojtari i Manchester Cityt, 24 vjeç, duhej të kthehej në shtëpi për shkak të një “çështjeje të ngutshme familjare”.

    Shpresohet që Foden të rikthehet me skuadër deri të dielën, ditën e ndeshjes së 1/16 të Anglisë kundër Sllovakisë. Në prill, Foden dhe partnerja e tij Rebecca Cooke njoftuan në Instagram se ishin në pritje të një fëmije të tretë. Ata kanë dy fëmijë. Djali Ronnie, pesë vjeç dhe vajza True, e cila është dy vjeç.

    Foden, i cili ka 37 paraqitje, filloi të tre ndeshjet e Anglisë në grup në turne deri tani, duke përfshirë barazimin e së martës me Slloveninë. Skuadra e Gareth Southgate përfundoi në krye të Grupit C me pesë pikë nga tre ndeshje.

    Ndeshja e tyre në 1/16 do të zhvillohet në Gelsenkirchen.

  • ​Kuvendi i Shqipërisë sot në seancë plenare

    ​Kuvendi i Shqipërisë sot në seancë plenare

    Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancë plenare ku në rendin e ditës është interpelanca me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, kërkuar nga deputeti Tritan Shehu.

    Seanca vijon me pyetje nga deputetët, ndërsa më pas parashikohet diskutimi i raportit vjetor të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), për vitin 2023.

    Në rendin e ditës parashikohet edhe diskutimi i raportit vjetor të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD), për vitin 2023.

    Seanca do të diskutojë edhe raportin vjetor të ERE për gjendjen e sektorit të energjisë.

    Seanca vijon me diskutimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.65/2014, “Për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes”, “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërqeveritare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Francës, për kontributin në zbatimin e projekteve prioritare në Shqipëri”, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 45, datë 28.4.2016 “Për vullnetarizmin”.

  • IHMK-ja paralajmëron mot jo stabil edhe dy ditët e ardhshme: “Vende-vende” mund të ketë shembje dheu

    IHMK-ja paralajmëron mot jo stabil edhe dy ditët e ardhshme: “Vende-vende” mund të ketë shembje dheu

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar mot jo stabil edhe gjatë dy ditëve në vijim.

    Si pasojë IHMK paralajmëron se në disa vende mund të ketë shembe të dheut dhe të drunjve.

    Ky institut thotë se për shkak motit pritet të ketë reshje shiu vende-vende me intensitet më të lartë, të cilat mund të paraqesin potencial për bllokim të sistemeve të kanalizimeve, mbyllje të pusetave, shembje të dheut dhe drunjve, shkarkime rrufesh etj.

    “Të nderuar, situata e përgjithshme Hidrometeorologjike ditëve të fundit është jo stabile, si pasojë e reshjeve të shiut të përcjellura me stuhi lokale me breshër dhe erëra të forta, duke shkaktuar edhe vërshime të shpejta sidomos të disa rrjedhave ujore me karakter malorë (rrëket, prrocakt etj)”, thuhet në njoftim.

    Sipas IHMK-së, situata e përgjithshme hidrometeorologjike në vend akoma nuk është stabile.

    “Ngase edhe sot dhe gjatë dy ditëve në vijim pritet të ketë reshje shiu vende-vende me ingensitet më të lartë, të cilat mund të paraqesin potencial për bllokim të sistemeve të kanalizimeve, mbyllje të pusetave, shembje të dheut dhe drunjëve, shkarkime rrufesh etj”.

  • Vdes aktori hollivudian Bill Cobbs

    Vdes aktori hollivudian Bill Cobbs

    Bill Cobbs, aktori i njohur shumëvjeçar me role të paharrueshme në filma sikurse “Night at the Museum” dhe “The Bodyguard” ka vdekur në moshën 90-vjeçare.

    Një nga anëtarët e familjes së Cobbs shkroi në Facebook se aktori vdiq “i qetë” në shtëpinë e tij në Kaliforni të martën. TMZ ishte i pari që raportoi për vdekjen e tij.

    “Një partner i dashur, vëlla i madh, xhaxha, prind zëvendësues, kumbar dhe mik, Bill së fundmi dhe i lumtur festoi ditëlindjen e tij të 90-të i rrethuar nga të dashurit e tij”, shkroi familja e tij në mesazh.

    “Si familje ne ngushëllohemi duke ditur që Bill ka gjetur paqe dhe prehje të përjetshme me Atin e tij Qiellor. Ne kërkojmë lutjet dhe inkurajimin tuaj gjatë kësaj kohe”.

    Karriera e Cobbs u shënua me afro 200 role në filma dhe televizion. /Telegrafi/